Monday, November 19, 2007

Bota e Gruas Shqiptare-MIMOZA DAJCI-HISTORI


Roli dhe kontributi i Isa Boletinit
për Pavarësinë e Shqipërisë.
(Ky material u përshtat për blogun tonë nga
Mimoza Dajçi mbesë e familjes së Boletinëve)


Isa Boletini (1864-1916)>"Unë s'kam ardhur në Londër për Mitrovicën time, por kam ardhur për të gjitha tokat shqiptare
që të bashkohen në një shtet"

Isa Buletini ka qenë atdhetar i shquar, organizator e udhëheqës i lëvizjes për çlirim e bashkim kombëtar. Lindi në fshatin Boletin të Mitrovicës, më 1864, në një familje me tradita patriotike. Në moshën 17- vjeçare mori pjesë si luftëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Betejën e Slivovës ( 22. 04. 1881) kundër forcave osmane. Përkrahu Haxhi Zekën dhe atdhetarët tjerë në themelin e Lidhjes Shqiptare të Pejës. Përkrahu revolucionin xhonturk të vitit 1908. Ishte një nga organizatorët e Kuvendit të Ferizajit (1908) që luajti rol të rëndësishëm në shpalljen e Kushtetutës. Iu kundërvu politikës reaksionare e antiishqiptare të xhonturqve. U dallua si udhëheqës e organizator i kryengritjeve të mëdha populloreantiosmane të viteve 1910- 1912, veçanërisht në betejat e zhvilluara me ushtritë turke në zonat Shtimj - Carravelë më 1910. Gjatë Luftës I Ballkanike u vu në krye të çetave të armatosura për mbojtjen e trojeve shqiptare dhe të qeverisë së përkohshme të Vlorës. Më 1913, si anëtar i delegacionit shqiptar, së bashku me I. Qemalin shkoi në Londër, ku protestoi me forcë kundër vendimit të Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë. Më vonë I. Bolentini kaloi përsëri në Kosovë, ku organizoi qëndresën popullore kundër pushtuesve të rinj serbomalazezë. Më 23 janar 1916 u vra pabesisht nga shovinistët malazezë në Podgoricë.

BOLETINI, PRIJSI SHQIPTARËVE QË TMERROI STAMBOLLIN
Kur Lordi anglez e pyeti se ku binte në hartë fshati i tij, Isa Boletini iu përgjigj: "Unë s'kam ardhur në Londër për Mitrovicën time, por kam ardhur për të gjitha tokat shqiptare që të bashkohen në një shtet"
Të gjitha ngjarjet e vogla e të mëdha në Kosove janë të lidhura ngushtë me atdhetarin e shquar Isa Boletini. Por roli dhe kontributi i tij më i madh është i lidhur me Kryengritjen shqiptare të vitit 1912 dhe shpalljen e Pavarësisë. Në të dyja këto heroi Isa Boletini ka luajtur një rol shumë të madh.
Isa Boletini u lind në viti 1864 në fshatin Boletin të Shalës së Mitrovicës.
Familja Boletini ka dhënë një kontribut të madh për çështjen kombëtare për liri e pavarësi dhe me këtë frymë është rritur e edukuar edhe Isaj. Siç dihet, Lidhja e Prizrenit ka qenë ngjarja më e rëndësishme e popullit tonë e cila i vuri themelet e shtetit të ardhshëm shqiptar dhe ngjalli ndërgjegjen shqiptare. Ajo formoi qeverinë e parë, me të gjitha segmentet e shtetit, duke e krijuar edhe Ministrinë e Mbrojtjes. Mirëpo shtetet e Evropës, si gjithë herë, jo vetëm që nuk e njohën, por e nxitën Perandorinë osmane që ta shtypte sa ma më parë. Një nga ushtarët trima të Lidhjes së Prizrenit ka qenë edhe Isa Boletini, i cili luftoi për krah heronjve Mic Sokoli e Sefë Kosharja për të mbrojtur tokën amtare kundra hordhive osmane të Dervish Pashës. Isa i ri e pa me sytë e tij heroizmin e Mic Sokolit kur u hodh mbi grykën e topit të armikut, për t'ju dhënë zemër luftëtarëve trima që e jepni jetën si me le. Këtë shembull do ta ndiqte më pas edhe Isa Boletini në të gjitha betejat legjendare, jo duke komanduar nga pas luftëtarët, por duke u prirë në ballë. Ndonëse Lidhja e Prizërenit u shtyp me gjak, idetë e saj kombëtare të mbrujtura thellë në ndërgjegjen e popullit tonë nuk u shuan kurrë e jehona e saj vazhdoi gjatë duke edukuar brezat që erdhën më ndjenjën e atdhedashurisë.

Isa në Lidhjen e Pejës

Në vitin 1899 u themelua Lidhja e Pejës nga atdhetari i madh Haxhi Zeka e në atë ngjarje të shënuar Isa Boletini luajti një rol të rëndësishëm për organizim e mbrojtjen në Kosovën Veriore. Ai morri pjesë në atë kuvend në krye të delegatëve të Mitrovicës ku u mori përsipër që vendimet e Kuvendit do t'i zbatonte me përpikmëri. Por armiqtë shekullor të Shqipërisë si gjithmonë, sa e panë se shqiptarët filluan të organizohen, gjetën një kalë troje që e futën në mes për të perçarë shqiptarët. Pikërisht kur Lidhja e Pejës po merrte po atë shtrirje e atë karakter Kombëtar si të Lidhjes së Prizrenit, me dorën tradhtare të shqiptarit Mahmut Zajmi të shitur te osmanlia e te Serbia, më 1901 e vrau kryetarin e Lidhjes së Pejës të madhin Haxhi Zeka. Betejën e parë me ushtrinë osmane Isa Boletini e ka bërë në vitin 1895. Valiu i Kosovës Hafiz Pasha i dha urdhër majorit Mehmet Efendiut që ta sulmonte në befasi Isa Boletinin ditën e Bajramit. Por Isai ishte mësuar me pabesitë e osmanlijve dhe rrinte gjithmonë në pritje për çdo të papritur. Në atë kohë majori turk në krye të një taborri ushtarësh u nis për Boletin. Ndërkohë Isai i kishte zënë pusi atje ku ai nuk e priste dhe jo vetëm që e shpartalloi ushtrinë osmane po vrau shumë prej tyre dhe vetë majorin që e la kokën në luftë. Ndërsa Isai me forcat e tij i shkoi në fshatin Banjë dhe i çoi fjalë Veliut: "Shnosh e mirë arrita në Banjë, ndërsa majorin Mehmet Efendiun e lash në Boletin. Po të doni urdhëroni edhe ju se po ju pres si majorin". Kjo fitore u përhap si rrufe në tërë Kosovën dhe autoriteti i Isait urrit shumë sidomos në Kosovën Veriore. Në atë kohë Kulla e Boletinëve u bë një vend peligrinazhi ku shkonin shumë vizitor jo vetëm shqiptar, po edhe gazetarë e korrespondent të huaj gjë e cila i ra në sy qeverisë osmane.

Isa: Jo rusët në Mitrovicë

Në vitin 1902 u hap lajmi në të gjithë Kosovën se së shpejti në Mitrovicë Rusia do të hapte një konsullatë. Qëllimi i saj ishte për t'i shkuar në ndihmë Serbisë. Në atë kohë Isa Boletini, sa e mësoi atë lajm, i çoi fjalë Valiut duke i thënë se ai nuk do ta lejonte që të hapej konsullatë ruse në Mitrovicë. "Na nuk do të lejojmë kurrë që të vijë kangjalloz të Miskokit në Mitrovicë", i tha Isa atij. Ky ultimatum e shqetësoi shumë qeverië osmane sepse ajo e kishte pranuar me protokoll qeveritar hapjen e konsullatës dhe ajo vendosi që me çdo kusht ta largonte nga Kosova Isa Boletinin. Por ajo e kishte shumë të vështirë ta bënte atë veprim se me Isain nuk ishte më vetëm Shala, por Mitrovica me Vushtëri e Llap. E ndodhur para këtij fakti, ajo vendosi që ta bindë me të mirë Isa Boletinin. Mbas shumë përpjekjesh ajo ia arriti qëllimit që ta bind Isain që ai të shkonte në Stamboll, por Isai iu vuri këto kushte: 1) Konsullit rus t'i ndalohej ardhja në Mitrovicë 2) Të lihem i armatosun e me shokë" 3) Të banojë vetëm në Stamboll". Mirëpo në pikën e parë qeveria e tradhtoi, sepse konsulli rus shkoi në Mitrovicë. Por populli që ishte lidhur me besë se nuk do ta lejonte të hapej konsullata ruse në Mitrovicë, u çua në këmbë dhe filoi luftën. Në atë kohë Konsulli rus që ishte artilier, doli vetë të komandonte topçijt kundra shqiptarëve. Një rezervist shqiptar në ushtrinë osmane pyeti: "Po kush asht ai që po komandon topçijt? Dhe kur i thonë se ishte kangjalozi rus, ai menjëherë ia kthu pushkën dhe e vrau. Në Stamboll Isai mbajti një qëndrim të papërfillshëm ndaj pashallarëve e qeveritarëve dhe shtëpia e tij ishte kthyer në një vend strehimi për patriotët dhe shtëpi bamirësie për hallexhinjtë që shkonin nga Kosova. Nga Stambolli Isa Boletini u lirua të kthehej në Kosovë pas katër vitesh, më 1906 kur Rusia u mund në luftë nga Japonia se përndryshe s'kishte për t'u liruar kurrë. Kur ia komunikuan lirimin ai tha: "Ma çoi Zoti Zhapanin (Japonezin) në ndihmë e ia theu kryet Muskovit (Rusisë) e mue m'u dha mundësia të kthehem në Kosovë". Sulltani i dha titullin "Bej, (pasha) e çifliqe në Stamboll, vetëm të rrinte atje, por ai iu përgjigj: "Ma i mirë asht Boletini, se Stambolli". Mbas kthimit në Kosovë Isai priti e përcolli miq e dashamirë dhe merrte informata nga ata që e vizitonin se si i kishin punët me qeverinë në vendet e tyre. Me këtë ai ia blente mendjen secilit e duke pa se pothuaj të gjithë ishin të pakënaqur e të gatshëm për veprim, ai me shaka u thoshte: "Po sikur të fillonim ndonjë kryengritje për të fituar të drejtat tona, a jeni të gatshëm të baheni fidakqor (flijuar) dhe të gjithë iu përgjigjën se ishin gati.

Kuvendi i Ferizajt më 1908

Në vitin 1907 turqit e rinj krijuan një parti opozitare kundra sundimit apsolut të Sulltan Hamitit. Komiteti i tyre në program u premtonte të gjithë popujve të shtypur, liri e barazi me popullin turk. Në këtë parti aderuan shumë intelektual patriot shqiptar e njerëz të thjeshtë duke shpresuar se ajo parti do t'u jepte të drejta kombëtare, prandaj Vilajeti i Kosovës dhe i Manastirit u bënë epiqendra e partisë së turqëve të rinjë. Në Manastir garnizoni i ushtrisë dhe në Kosovë paria,mobilizuan mbarë Kosovën që të merrnin pjesë në një kuvend të madh që do të bëhej në Ferizaj. Në atë Kuvend ku morën pjesë rreth 30 000 vetë. një nga organizatorët ishte edhe Isa Boletini i cili luajti një rol të rëndësishëm dhe e mori fjalën në kuvend. Në kuvend folën shumë oratorë duke demaskuar padrejtësitë masakrat që kishte bërë në popull sundimi i egër i Sulltan Hamitit. Kuvendi vendosi që t'i dërgohej një telegram ultimativ Sulltanit që të shpallte menjëherë
Kushtetutën, përndryshe Kosova e para do ta fillonte luftën kundër tij. Telegramin e firmosën 1500 vetë dhe një nga emrat e parë ishte edhe ai i Isa Boletinit. Sulltani e kishte marrë vesh qëlllimin e atij Kuvendi, prandaj vendimin e tij e priste me ankth e kishte dhënë urdhër që në çdo orë që do t'i arrinte, ta lajmëronin menjëherë. Sa e mori telegramin nga Kosova, Sulltani dha urdhër që menjëherë të shpallej kushtetuta e të bëheshin zgjedhjet parlamentare. Pas shpalljes së Kushtetutës u lejuan në fillim në të katër vilajetet shqiptare të hapeshin shkolla në gjuhën shqipe dhe klube ku propagandohej për çështjen kombëtare. Isa Boletini ndonëse vetë ishte pa shkollë, ai e dinte mirë rëndësinë e shkollës dhe menjëherë e hapi një shkollë në Boletin e më vonë u hapën edhe në fshatra të tjera deri në Mitrovicë. Mirëpo kjo nuk zgjati shumë, sepse turqit e rinj sa erdhën në pushtet e forcuan qeveriosjen e menjëherë filluan t'i shkelin premtimet e tyre duke i vënë popullit veç taksave të vjetra, edhe taksa të reja, duke mbyllur shkolla e klube. Nisur nga kjo populli filloi t'i kundërshtojë dhe ata dërguan në Kosovë ekspedita të armatosura në krye me Xhavit Pashën . Ndeshjen e parë ai e bëri me Isa Boletinin në Shalë, por shpejt u tërhoq dhe kaloi në Rrafsh të Dukagjinit ku bëri dëme të mëdha, por e theu kokën ne Lumë dhe u kthye i turpëruar në Stamboll. Atdhetarët kosovarë u bindën se me turqit e rinj nuk kishte më miqësi, prandaj filluan të organizonin kryengritjen e vitit 1910 me në krye Idriz Seferin e Isa Boletinin. Këta të dy u takuan në mars të atij viti në Prishtinë në Klubin Kombëtar në prani të atdhetarit intelektual e kryetarit të klubeve për Rrafshin e Kosovës, Nazmi Gafurri. Aty e lidhën besën e menduan planin taktik e strategjik dhe çfarë kërkesash do t'i bënin qeverisë. Ata vendosën që të bëheshin dy kuvende, njëri në Gjilan nën drejtimin e Idriz Seferit dhe tjetri në Rrafsh të Dukagjinit nën udhëheqjen e Isa Boletinit. Ndërkohë të dy këta burra kishin bërë punë praprake për kryengritjen e armatosur. Në radhë të parë ata i kishin pajtur gjaqet që ishin plagët e vjetra të shqiptarëve që dhimbnin më shumë. Pasi hartuan kërkesat ata ia dërguan qeverisë xhonturke në emër të kryengritësëve dhe atë ia besun atdhetarit Nazmi Gafurri, të cilat ai do t'i shpallte kur do të ziheshin grykat strategjike si ajo e Kaçanikut, Çeraleves dhe e Jezercit.Kërkesat e tyre ishin: 1.Gjithë ne që jemi shqiptarë, do të derdhim gjakun për pikë dhe kërkujt nuk i lëshojmë një pëllambë vend. 2. Sulltanin do ta njohim për mbret, vetëm atëhere kur mos të na përzihet në punët tona të mbrendshme të Shqipërisë të cilën duam na vet ta qeverojmë nën hijen e Sulltanit. 3. Duam të lëshohen të gjithë ata vëllazën tonë që i zu qeveria dhe i burgosi. 4. Duam të dërgohet një komision,në të cilin të ketë të paktën 10 deputetë shqiptarë për me u marr vesh me ne për dëmet që na ka ba Turkia dhe të na i paguaj (është fjala për ekspeditën e Xhavit Pashës) të gjitha ato". Pra këto kërkesa nuk ishin ekonomike por politike të cilat kishin të bënin me autonominë e Shqipërisë me të katër vilajetet.

Kuvendi i Rrafshit të Dukagjinit

Atdhetari i madh Isa Boletini menjëherë filloi pergatitjen për organizimin e një kuvendi të madh në Rrafsh të Dukagjinit. Në mars të vitit 1910 të Verrat e Shugës në mes të Gjakovës e Pejës u bë kuvendi ku morën pjesë gjithë paria e Rrafshit të Dukagjinit. Në atë Kuvend rolin kryesor e luajti Isa Boletini i cili në mes të tjerash tha:" Vëllazën, kemi pesëqind vjet që jemi pushtuar nga osmanllinjtë që na kanë shtyp. Tani ka ardhur koha që të lidhim besën së bashku për t'u ngritur në luftë kundra osmanlive për t'i fituar të drejtat tona me armë". Të gjithë e mirëpritën fjalimin e shkurtër të Isajt dhe u lidh besa se do të merrnin pjesë në luftë. Menjëherë mbas mbarimit të Kuvendit Isa Boletini i shoqëruar nga shumë kryengritës u nis për të zënë grykën e Ceralevese e cila e lidh Rrafshin e Dukagjinit me Fushën e Kosovës. Në atë kohë Perandoria osmane kishte dërguar më se 100 batalione ushtarësh të armatosur me armët më moderne të kohës për ta shtypur atë kryengritje. Sapo u mësua kjo gjë, Idriz Seferi zuri grykën e Kaçanikut që lidh Fushën e Kosovës me kryeqendrën e Vilajetit, Shkupin, ndërsa patrioti Hasan Hysen Budakova zuri grykën e Jezercit. Ai me forcat e tij mbronte krahun e majtë të forcave të Isajt dhe krahun e djathtë të forcave të Idriz Seferit. Luftimet qenë shumë të mëdha e të përgjakshm e ushtria osmane u thye disa herë. Ndërkohë qeveria osmane u detyrua që të dërgonte për ndihmë Dergut Pashën me forca të mëdha. Por ai nuk mundi të depërtonte nëpër ato gryka të thella. Nisur nga kjo sirtuatë e vështirë Stambolli u detyrua të dërgonte ministrin e Luftës Mahmut Shefqet Pashën në krye të 40 mijë forcave. Isa Boletini në krye të 3000 luftëtarëve në Grykë të Caralevës luftoi me heroizëm të madh, por atë që armiku shekullor nuk mundi ta mposhte dot me armë, e mposhti me tradhti. Në kuvendin e lartpërmendur ndonëse u lidh besa, nuk morën pjesë Sulejman Batusha, Shaban Binaku e Rust Kabashi të cilët e dëmtuan shumë atë kryengritje. Poeti patriot Risto Siliqi i cili mori pjesë vetë në këtë kryengritje ka shkruar: "Ret ishin lidhun nyje, e pllumbat pikojshin si pikat e shiut, ndërsa trimat luftëtarë këndojshin sikur ishin në dasëm". Ndërsa për komandantin e kryengritësve shkruante: Isa Bega Boletina / Bir i së njërës kosovesh/mbi halldupa, mbi coftina,/Nget e shket me shpatë zhvesh". Ndonëse kryengritja dështoi, armikut i mbetën me mijra të vrarë e të plagosur si dhe 80 oficera madhorë gjë e cila bëhet e ditur dhe nga dokumentet osmane të kohës. Ushtria osmane e udhëhequr nga gjeneralët kriminel, Dergut Pasha e Shefqet Pasha bëri krime të papërshkruara ndaj popullsisë duke vrarë e varë, djegur e plaçkitur. Për këtë rapsodi popullor ka kënduar: N'Kaçanik e në Boletin /Krejt Kosova u mbush me tym /u mbush me tym e na i dual flaka / E dogj me topa Dergut Pasha".



POEZI

Naganti i Isa Boletinit


Bene udhe te gjate
te inglizi vinin
Ismail Qemali
Isa Boletini.


Hynin dy shqiptare
brenda ne pallat
njeri luftetar
tjetri diplomat.


Shqiperi e tyre
kish halle e mjera
armet zoterinj
regull,rine te dera.


U ngrys luftetari
syte i shkrepen cike
lere diplomati
i tha me qerpike.


Dhe ua la tek dera
Isa Boletini
poshte nen brez,te vogles
syte i shkrepetinin.


Faqen vene te trupi
veshin vene te gjaku
je edhe per mua
thosh ajo se largu.


Hapat qete e qete
binin ne pallat
njeri luftetar
tjetri diplomat.


Here-here qerpiket
si gershere perplasnin
thua drite te huaj
syte nuk u qasnin.


Dhe tha lordi i madh
gjuhen duke zgjidhur
me humor te huaj
me nje gaz te hidhur.


Ja dhe carmatosur
zoterinj shqiptare
si kallkan i ngrire
ngriu fjal e pare.


Pa nagantit siper
brezit me si pritej
por nen brez e vogla
zu te hasharitej.


Mblidhte xixa zjarri
permbi trup te bukur
priste luftetarin
qe ti thoshte "duku".


Syte e diplomatit
zjarr te hidhur shkrepen
Isa Boletini
brrom nga brezi tjetren.


Brrom aty perpara
mu te lordi prane
"Madheri Shqiptarin
kurre s'e gjen pa arme".


Zbardhelloi sermaja
shkreptiu fildishi
...ndriten malet tona
andej larg, tek ishin.


Qelqe e shandane
dhane drite te lige
Ismail Qemali
qeshi nen qerpike.


Dhe naganti ulur
rrinte sic i duhej
dora nga i zoti
tyta nga ti duhej.


Nxinte tyte e vogel
brenda nxinin halle...
Shqiperi e vogel
ne tryeze te madhe.


Persekucioni sllavo-komunist mbi familjen e Boletinëve
Autore e këtij shkrimi:
Mimoza Dajçi

Për familjen e Boletinëve nuk do të mjaftonin vetëm mizoritë e masakrat serbe por ato do të pasoheshin edhe nga persekutimi komunist në Shqipëri. Dhe ishte pikërisht ne vitin 1943 grupi gueril komunist i Shkodrës i bën atentat të birit te Isës, Adem Boletinit. Ademi kishte kryer akademinë ushtarake dhe kishte qenë Komandant i Njësive që mbrojtën Kongresin e Lushnjes dhe ishte fanolist. Vrasja u bë me urdhër nga jashtë në bashkëpunim me komunistët shqiptar.

Në vitin 1946 sigurimi i shtetit arreston të shoqen e Ademit, Adile Boletini (Bekteshi) me akuzën për veprimtari armiqësore kundra pushtetit popullor. Mbas tre muaj në hetuesi ku u torturua çnjerëzisht nga Nesti Kopali e Zoi Themeli, dënohet me 5 vjet heqje lirie, vite këto që i kreu plotësisht. Në vitin 1947 Ismet Boletini, nip i Isës, mbasi ngre flamurin shqiptar në trenin Mitrovicë-Beograd, arratiset për Shqipëri, por këtu dënohet me 8 vjet burgim dhe vuan dënimin në burgun e Spaçit. Tafil Boletini, i nipi, bashkëluftëtar i Isës, megjithëse i moshuar, lidhet me tela dhe u dorëzohet jugosllavëve.

Në Kosovë, i biri i Isës, Asllani var veten në burgjet titiste, ndërsa djemtë e tjerë duke luftuar me armë në dorë kundër serbo-malazezëve, vriten dhe ekspozohen për terror në mes të Mitrovicës, kurse Skënderi pushkatohet në Tivar. Në vitin 1943 pushkatohet pa gjyq në Prizren i riu Rasim Dajçi, nip i Isës, nga forcat sllavo-komuniste me në krye Shefqet Peçin, edhe ky ushtarak i lartë, akademist. Një tjeter nip i Isa Boletinit, që dënohet nga diktatura komuniste në Shqipëri, është edhe shkollari akademist Enver Dajçi, zotërues i gjashtë gjuhëve të huaja dhe si një ndër firmëtarët e parë që nënshkruan Rezolucionin për Pavarësinë e Kosovës në dhjetor të vitit 1943.

Dhe tragjedia vazhdon, Ismeti një nip tjetër i Isës, dënohet me vdekje, Muja dhe Kapllani arrestohen dhe dënohen me nga 20 vjet në burgjet serbe. Nje nip tjetër vritet gjoja aksidentalisht tek Ura e Ibrit në Mitrovicë. Ali Boletini, nip i Isës, dënohet me 20 vjet burgim dhe më pas arratiset për Shqipëri.

Këto vrasje e persekutime ndër breza me rradhë mbi familjen e Heroit Isa Boletini dhe të qindra e mijra shqiptarëve nga dora makabër e sllavo-komunizmit shqiptar dhe atij jugosllav deri në ditët e sotme janë fakte e dokumenta rrënqethëse të popullit tonë, që përveç vuajtjes dhe dhimbjes që kanë brenda, kanë lënë gjurmë të thella në historinë e saj. Në çdo përvjetor të shpalljes së pavarësisë krahas patriotëve të tjerë përkujtohet edhe figura burrërore e luftëtarit të madh kombëtar Isa Boletini.

Sunday, November 11, 2007

Bota e Gruas Shqiptare-AIDA DISMONDY-DY ESSE


Mesazhi i Paqes ne nje nga veprat e Akil Kocit

Aida Dismondy


Botoi Gazeta "ILLYRIA" Tetor 2007

Duartrokitjet në ekran më përmendin se muzika tashmë ka mbaruar, tingulli i pianos është mekur dhe kori ka rënë në heshtje. Mendimet e mia kanë filluar të vlojnë (përlotur jam gjithashtu) gjatë tërë kohës së dëgjimit të “Gloria Festive - Nënës së Dhembjes ” kushtuar Nëna Tereze, nga kompozitori i shquar shqiptar Profesor Akil Koci. Menjëherë mora lapsin e fillova të shkruaj përshtypjet e mia për Gloria Festive; dy rreshta ia dërgova dhe vetë kompozitorit, duke pohuar ndrojtjjen dhe dyshuar guximin tim. E rëndësishme është kjo vepër për mua, jo vetëm si një vepër e çmuar e repertorit të pasur të muzikës klasike shqiptare, por vlera e saj shtohet në mesazhin që mban. Këtë mesazh po e shtjelloj më tej në rreshtat e këtij artikulli, me shpresën e ngjalljes së kërshërisë nga ana e lexuesit, për ta dëgjuar e ridëgjuar Gloria Festive. Veprimtaria krijuese dhe profesionale – ajo si studiues dhe gazetar - e Profesor Akil Kocit shtrihet në një periudhë prej pesë dekadash. Profesor Koci ka lindur në Prizren, ku ndoqi shkollën e mesme të muzikës, ndërsa studimet e larta i kreu në Akademinë Muzikore të Sarajevës. I konsideruar nga koleget si një kompozitor me tingull muzikor avandgardë, krijimtaria e Profesor Kocit ka pasuruar e pasuron zhanrin klasik dhe atë bashkëkohor të muzikës. Për lexuesin po përmend këngën “Zambaku i Prizrenit”, dhe baletin “ Sokoli e Mirushja”, muzika e të cilave mban emrin e kompo-zitorit. Obligimet e shumta nuk e ndalojnë Profesor Akil Kocin të jetë një mësues i palodhur në përgatitjen dhe përkrahjen e artistëve të rinj.
Në shenjë mirënjohjeje për krijimtarinë e kontributin e Profesor Kocit në muzikën shqiptare, dhe me rastin e 71-vjetorit të lindjes, orkestra filarmonike e Kosovës vuri në skenë dy pjesë nga muzika e kompozitori: Psalmi dhe Gloria Festive – Nënës së Dhembjes. Psalmi është një arritje më vete por, sikur përmenda dhe më lart, fokusi i këtij artikulli është në Gloria Festive – Nënës së Dhimbjes. Tre janë komponentët e saj: muzika, kori dhe recituesja. Integrimi i recitueses Safete Rugova është një surprizë e këndëshme, duke qenë se në kësi rastesh dëgjuesi pret debutimin e sopranos. Vargjet janë një përzgjedhje e krijimeve të disa poetëve shqiptarë, mes tyre: Ali Podrimja, Mark Krasniqi, Enver Gjerqeku e Zoi Shyti. Gloria Festive është një vepër, ku Profesor Akil Koci prezanton njeriun me luftën e tij, për të bërë paqe me padrejtësitë dhe mundësia për ta arritur Paqen përmes dashurisë së prezantuar në figurën e Nëna Tereze.
Gloria Festive hapet e qetë “ Në brigjet e Vardarit/ në agun e Prillit” me një recitim solemn e njëkohësisht të përulur, ndërkohë që i heshtur dëgjohet tingëllimi i një këmbane. Ёshtë këmbana, që njofton lindjen e një mrekullie, atë të fëmijës, të Gonxhe Bojaxhi. Njerëzimi, më pas do ta njihte si Nëna Tereze, murgesha shqiptare, që dha dashurinë am’nore pa kufi e dallim “ për të vegjël/ për t’bardh’ e t’zi”. Kjo dashuri e dashamirësi për njeriun është një nga virtutet e Nëna Tereze, me rrënjë të thella në “traditën e lashtë/ të bujarisë shqiptare”. Kompozitori Akil Koci, i kujton shqiptarit, traditën e bujarisë, që së fundi duket se është groposur diku në thellësitë e tokës nga ku e ka vështirë të dalë, e akoma qëndron në errësirë. Nga errësira kërkon ta nxjerrë kompozitori e dëshiron ta ulë përsëri këmbëkryq në vatrat shqiptare.
Muzika fillon të marr hov ngadalë, tingujve të qetë të këmbanës u shtohen sikur fshehurazi, ato të daulleve. Këto tinguj i shtojnë një ton shqetësimi atyre të këmbanës, duke triumfuar më pas në një shpërthim energjik e tragjik të të tërë orkestrës. Befasues është ky hov i menjëhershëm për dëgjuesin, ai përballet me një vepër muzikore, që i provokon ndërgjegjen. Muzika gjëmon e fuqishme, marramendëse me një kushtrim e një tingull marshi, që tregon se mendimet e kohët për njeriun janë të turbullta. Ky lloj tingulli i muzikës së Profesor Akil Kocit nuk është rastësi, në to ndjehen notat e valleve shqiptare: ajo e malësisë, e shpatave, e Skënderbeut.
Në veprën e Profesor Kocit, njeriu është i kapur në një agoni dhe luftë: me veten,‘mes vedi’, me botën e me padrejtësitë, që koha e shekujt i kanë vënë mbi supe. Ai përpëlitet në agoninë e dhimbjes e lufton me vdekjen që i është ulur në sofër. Angazhimi i menjë-hershëm i harqeve dhe qetësimi i daulleve zbusin pak tonin tragjik të veprës dhe muzika i përshatet meditimit të njeriut. Njeriu përpiqet të marrë pak frymë e të shkundë agoninë. Kjo përpjekje për momentin është një antagonizm i ndjenjave të tij: dëshira për të mirën, për të gjetur paqe dhe revolta për hakemarrje. Ky antagonizëm, në veprën e Profesor Kocit merr formën e një monologu, ku kori e muzika ndërthuren e krijojnë replikat e këtij monologu. Sërish muzika vazhdon me nota dramatike, prekëse e të zymta, si një marsh ankthi e lufte. Asgjë nuk është e qetë, gjithëçka vlon, shpirti e mendja e njeriut në veprën e Profesor Kocit vazhdojnë të jenë të zymta nga dhimbja e padrejtësia, në harresë është Zoti, në harresë është Nëna Tereze. Kori fillon të këndojë, këtë herë ai është zëri i arsyes, që qartëson logjikën e paqartë të njeriut të lodhur. Ai, njeriu, përmes korit, vazhdon të numërojë lëngatat, qarjet, vdekjen, dhembjen që e ka plakur dhe e ka bërë të motshëm. Çfarë të bëjë njeriu? Do të jetë i mirë, do të ndryshojë por s’mundet.
Kompozitori nuk ngelet në përsiatjet e ankthit të njeriut, tjetërkund e ka ai qëllimin dhe i kthehet Nëna Tereze. Një ritëm të ngadaltë merr muzika. Zëri i qartë e kumbues i recitueses i rikujton njeriut, dashamirësinë e Nëna Tereze, e cila në momentet e dëshpëritmit iu gjend pranë njeriut duke i nanuritur “ Zoti qoftë me ju”. Kjo nënë ishte “një Mëmë Shqiptare”, e cila ka vite që në vesh i nanurit edhe shqiptarit. Kompozitori Akil Koci i kërkon njeriut të shkundë mllefin që e ka ngulitur përpara altarit të tij dhe, si djalli nuk e le të qetë të gjejë paqe. Kompozitori i sjell shqiptarit, dorën e Nëna Tereze, e cila “ mbi eshtrat e shqetësuara, lan shkrumin e lan vdekjen”. Profersor Koci i jep njeriut, shqiptarit, dorën e Zotit, e thërret atë nën çatinë mbrojtëse të tij, e thërret për paqe.
Këtu orkestra pothuajse pushon, pianoja fillon të shoqërojë korin në këndimin e Meshës, duke gëzuar për zgjimin e një fillimi të ri. Kori thërret dëgjuesin, shqiptarin, për t’u bashkuar në “ shpresën e lindjes në vajtim”. Fton t’i zgjatim dorën njëri- tjetrit, sikur Zoti e Nëna Tereze i zgjati njeriut, dorën e dashurisë, duke përmbushur qëllimin final të kompozitorit Akil Koci; për të cilin mirëdashësia, mirëkuptimi mes njerëzve janë të mundëshme, sepse rrënjet i kanë të thella në bujarinë shqiptare. Janë këto rrënjë, që Nëna Tereze mori me vete dhe preku njerëzimin e udhëhequr nga Zoti, që më 19 Tetor 2007 çuan në shenjtërimin e saj, në përmbushjen profetike të vargjeve të vepres kur “ këmb-anat e rënda/ në botën mbarë/ “ jehuan “gëzueshëm/ për nder të një emri shqiptar.”
Kompozitori Akil Koci e fton shqiptarin të mbjellë në zemër dashurinë - dhe atëherë kur mendja është e turbullt- duke ndjekur shembullin e shenjtores Nëna Tereze. Gloria Festive – Nënës së Dhembjes nuk është vetëm një vepër e muzikës klasike shqiptare, por është një Hymn Paqeje drejtuar popullit shqiptar brenda dhe jashtë trojeve të Republikës së Shqipërisë nga biri i trungut të saj, kompozitori i shquar Akil Koci.

© Aida Dismondy 22 TETOR 2007


Ka ardhur koha të bisedojmë me fëmijët mbi abuzimet seksuale

Aida Dismnondy


Botuar edhe ne keto organe shtypi: Gazeta "TELEGRAF"."NDRYSHE" dhe Revista "KUVENDI"

S’ka shumë ditë që trupi i dhjetëvjeçarit Bekim Çenga u gjet i pajetë, tmerrësisht i dhunuar nga dora dhe veprimet monstruoze të Shpëtim Zikos. Gazetat rendën të japin detajet e lajmit të kobshëm, pa marrë parasysh ndjenjat e familjes të të ndjerit dhe moshën tepër të njomë të Bekim Çengës. Madje ishin të menjëhershëm për të dhënë dhe diagnozën për Shpëtim Zikon, duke e cilësuar të “sëmur mendor”. Sa tipike për shoqërinë! Kur gjërat nuk venë mbarë e gjejmë zgjidhjen tek “sëmundjet mendore” dhe, kështu lirojmë kriminelet, mbasi i mbajmë mbyllur për disa muaj në ndonjë spital psikiatrik. Ndërkohë që këta me të qenë të lirë bëjnë llogari për të gjetur viktima të tjera. Mjaft, mjaft me këto ekspertiza fallco.
Shpëtim Ziko është një maniak seksual, që çdo veprim të tij e bëri me paramendim. Ai është pjesë e asaj kategorie njerëzish që marrin e shkelin brutalisht ndjenjat e fëmijëve tanë e vrasin, duke përdhunuar trupat e pambrojtur të tyre. Pse diagnoza “ i sëmur mendor”? Mos vallë s’duam të pranojmë se në shoqerinë shqiptare ekzistojnë abuzues seksualë? Apo duam të qetësojmë publikun, që të mos alarmohet dhe të realizojë mendimin, “zbutjen”, se jeta e perditshme e fëmijëve ka ndryshuar. Fëmijët po shiten, po përdoren si prostituta, po dërgohen jashtë atdheut, po detyrohen në punë të rënda, po detyrohen të sigurojnë bukën e familjes, duke braktisur shkollat e mbushur rrugët me objekte të vogla për të shitur, apo duar që zgjaten për të lypur, po përfundojnë viktima të krimit. Ky është realiteti i shoqërisë shqiptare, që mënjanohet sikur të mos ekzistonte, apo sikur një dorë magjike do të rregullohnte gjithëçka.
Bekimi nuk vjen më në jetë, por ata që janë sikur Shpëtim Ziko, jo të “sëmurë mendorë”, por njerëz pa vlera do të vazhdojnë të jenë mes nesh.
Ёshtë detyra jonë si prinder të këshillojmë fëmijët, që të kujdesen të mos bëhen viktima të abuzimeve seksuale, njësoj siç bisedojmë me ta të kenë kujdes nga makinat kur kalojnë rrugën, kujdes kur zgjedhin shokët apo kur shkojnë në shkollë.
Ne, si prindër nuk mund të bëjmë gjithëçka për të mbrojtur një qind për qind fëmijët por, duke i mësuar e biseduar me ta, mundësojmë pajisjen e tyre me dijen e nevojshme për t’u mbrojtur. Dije që shpesh në raste të tilla u shpëton jetën.
Duke pasur parasysh statistikat, viktimat e abuzimeve seksuale janë zakonisht fëmijë nën moshën 10 vjeç. Abuzuesit zakonisht janë njerëz të njohur të familjes, më të moshuar ose fëmijë të rritur. Shpëtim Ziko e njihte Bekim Çengën.
Më poshtë vijojnë disa udhëzime, që prindërit mund t’i përdorin e ndihmojnë fëmijët t’u shmangen abuzimeve seksuale. Dikush mund të mendojë se kjo temë është tabu. A do të qëndrojmë akoma indiferentë dhe të lejojmë jetë të pafajshme të humbin në duart e këtyre monstrave? Abuzuesit seksualë të fëmijëve nuk mendojnë për tabu, ata mendojnë për viktimën tjetër. Si prindër është përgjegjësia jonë të mbrojmë fëmijët.
Komunikimi është një nga themelet e marrëdhënies prindër - fëmijë. Bisedoni me fëmijët, djem e vajza. Këshilla ” Hap sytë, kij kujdes” nuk mjafton. Në bisedën me fëmijët duhet të jemi konkretë. Si prind vendos kur, ku dhe si do të bisedosh mbi këtë subjekt me femijën. Nuk është e thënë të japësh detaje. E rëndësishme është biseda.
Mbajeni komunikimin të hapur, ndërtoni besimin tek fëmija, duke treguar se si prindër i kushtoni vemendje shqetësimeve, problemeve, jetës së fëmijës.
Mësoni fëmijët të mos shoqërohen me njerëz më të mëdhenj në moshë. Natyrisht, shoqërimi me më të medhenjte ka anet e veta pozitive por jeni të arsyeshëm dhe gjithëçka me masë. Mëso ku shkon, me kë dhe çfarë bën fëmija. Kjo s’do të thotë të luani rolin e policit, por drejtojuni fëmijës me pyetje të natyrës: “ Ku ishe sot? Ç’bëtë sot me shokët? A ndodhi ndonjë gjë e veçantë?”
Udhëzoni fëmijët të mos hyjnë në shtëpinë e dikujt vetëm, nëse aty s’ka njerëz të tjerë. Nëse do të largohen me ndonjë më të rritur të njoftojnë prindërit. Nëse dikush i propozon për të shkuar në një xhiro me makinë, apo për një shetitje mësoni fëmijët të thonë “jo” dhe të kthehen menjëherë në shtëpi. Në rast rreziku të thërrasin për ndihmë. Mësoni fëmijët të luajnë me shokët e tyre dhe të mos shkojnë diku apo me dikë vetëm, kurrë vetëm. Bisedoni me femijët të mos pranojnë dhurata nga të njohur e të panjohur, pa prezencën e prindërve. E di, duket e çuditëshme të mos pranosh dhuratë, por nëse dikush vërtetë do që t’i dhurojë diçka fëmijës, do ta bëjë këtë natyrisht në prezencën e prindërve.
Mësoni fëmijët të mos u afrohen makinave, që pyesin për drejtime, por të qëndrojnë në distancë prej disa metrash e të rrinë afër me shokët. Nëse fëmija merr mësime private, qëndro aty derisa mësimi të mbarojë.
Këto duhet te jenë biseda të shpeshta. Sikur u përmend më sipër, si prind vendos kur, ku dhe sesi do të bisedosh me fëmijën mbi këtë subjekt. Ёshtë e rëndësishme të udhëzohen fëmijët se disa pjesë të trupit janë private e se askush nuk duhet t’i prekë, përveç mjekut në prezencën e prindit. Mund t’i thuash vajzës apo djalit:” Të keqen mami, babi, ç’pjesë të trupit mbulohen nga rrobat e banjës janë private dhe askush nuk duhet t’i prekë. Mos lejo njeri të të heqë rrobat, të fusë duart në rroba, apo nën fustan. Kur dikush të thotë zhvishu, mos prano. Nëse dikush të thotë, që ta zhveshësh, mos prano. Nëse dikush të prek a të puth në një mënyrë që të bën të ndjehesh keq, largohu menjëherë, hiqja dorën a duart dhe trego në shtëpi. I thuaj mamit e babit.” Ёshtë e rëndësishme, që fëmijët të ndjejnë, se ata mund të vijnë në shtëpi dhe të bisedojnë për sa u ka ndodhur, pa pasur frikë se do të dënohen apo ndëshkohen për çfarë mund t’u ndodhë. Abuzuesit i bëjnë fëmijët shpesh të ndihen fajtorë për ç’ka atyre u ndodh, ata i kërcënojnë fëmijët “se po tregove do të vras mamin dhe babin”. Pra, të dhënit mbështetje fëmijës i fuqizon dhe i jep mundësinë për t’u ndjerë të sigurt e të dinë se kanë prindërit për mbështetje.
Këto janë disa këshilla që mund t’u jepen fëmijëve në edukimin e përditshem. Ёshtë një hap i parë në mbrojtjen e fëmijëve nga abuzuesit seksualë, duke i pajisur me njohuri për vetëmbrojtje e vetëpërgjegjësi.
Jeta e Bekim Çengës dhe e fëmijëve të tjerë të abuzuar seksualisht është tejet e vlefshme për të qenë indiferentë. Njerëz të kategorisë së Shpëtim Zikos nuk janë të sëmurë mendorë; ata janë abuzues, të vetëdijshëm për veprimet e tyre dhe çdo gjë e kryejnë me paramendim.
Të flasim, të bisedojmë e të udhëzojmë fëmijët, është gjëja më me vlerë që mund të bëjmë për ta. E, kështu si prindër e shoqëri t’i mbrojmë fëmijët tanë!

© Aida Dismondy 5 Nentor 2007

Friday, November 09, 2007

Bota e Gruas Shqiptare-HASIBE ALISHANI BLLACA-POEZI


DERI KUR KESHTU...?

Bashke me aromen e detit
Nga jugu nje puhize e lehte
Pershendetjet e nenes m'i sjell,
Nenen qe kurre se pashe ne jete.

...Shume kohe me pare
Me dhune na ndane,
Jetima u rritem
U plakem pa Nane...

Shume dekada kane kaluar
Shume luftera jane zhvilluar,
Oqeane gjaqesh jane derdhur
Ne per t'u bashkuar.

Shume e shume gjenerata
Nga kjo bote jane larguar
Me mall ne gji..
Me shpirt te perveluar.

Deri kur keshtu,
Te ndare do te jetojme
Nene e Shtrenjta Nene?

Nip e mbese qe kemi ketu
Gjak i yti jane
Shqiperia jone me fame
Shqiperi e jona Nane!!

Hasibe Alishani - Bllaca__________________________________________________

Thursday, November 01, 2007

Bota e Gruas Shqiptare-MIMOZA HAMETAJ-SKICE


Nje mbremje kur sapo kish mbaruar se pikturuari me akuarele ,nje dame te vitit 800 me floket e mbledhura topuz,dhe fustanin e gjate dhe te mbledhur me rrudha ne mes,mamaja erdhi ne shtepi me nje shoqen e saj piktore,e cila u befasua kur e pa.Kam nje shok qe drejton rrethin e piktures dhe pregatit per konkurs ata qe duan te vazhdojne liceun per pikture i tha mamase.
Me te shumtit e grupit ishin djem.Filluan te pikturonin fluturat natyrale,ku çdo njera prej tyre kishte nje game ngjyrash te veçante,por qe harmonia brenda nje game ngjyrash te linte te mahnitur. Me vone beri dhe vete nje koleksion me flutura natyrale.
Ne dyqanet e kinkalerese letra per te punuar me akuarel nuk gjendeshin kollaj,ndokush i gjente me miq ne studiot e arkitektures.
Ne studion e mesuesit tone muret ishin te mbushura me panorama nga alpet.
Me shume kish perdorur ngjyrat e ftohta,nenngjyrat e bluse dhe jeshiles mbi fletat e bardha.
megjithate trasparenca bukuria e peisazheve ishte mahnitse.Pishat,Liqeni i luleve..
Me bojra vaji, tempera e pastele ,punonte shume pak
Atrazioni per kete bote ireale te perbere vetem me piktura,penela e ngjyra,forcohej gjithmon e me shume ne shpirtin e vajzes se brishte.
Ne kete bote shihte te meshiruar miresine e vertete,bukurine pa kufi nje fare parajse tokesore.
Nje dite u gjenden ne studion e nje piktori tjeter,ndofta pak me te njohur se te mesuesit te grupit.
Aty ishin mbledhur dhe nje grup poetesh qe diskutonin duke admiruar piktorin S.K ,i cili levizte me shpejtesi penelin,mbi bezen e bardhe te fiksuar mbi kembalecin trekendesh.
Sapo nderprene pak biseden,u rane ne sy grupi i te rinjeve,dhe syte e tyre qendruan mbi vajzen e brishte e cila ish skuqur nga gjithe keto shikime.
Per here te pare qe kurse frekuentonte grupin ishte veshur me nje fustan jeshil,prej nje cope dhe fantazie shume te bukur.
Me shume se per ti bere qejfin vajzes,kuvenduesit filluan te pershkruanin bukurine e saj,me fraza te ndryshme,sikur te benin gare per aftesite e tyre per tu shprehur.
Komplimenti qe u pelqye me shume prej te gjithve ishte ai i poetit F.A.:
Gjeja me e bukur tek ty,-i tha ai vajzes pasi e pyeti prer emrin,-eshte emri i jote i shqiptuar nga buzet e tua si petale.
Pas kesaj piktori S. K. me floket e zeza dhe pak me te gjata nga te tjeret,,i kerkoi vajzes te pozonte vetenm dhjete minuta per te.
E uli ne nje poltrone ,i vendosi ne dore nje kitare,dhe iu lut te mos leviste
Piktori nuk genjeu,me ne shpejtesi ta paimagjinueshme, e perfundoi kompozimin me akuarel,dhe ngjashmeria dhe ngjyrat e saj,mahnten te gjithe.
Piktori donte tia jepte vajzes pikturen,pasi nga zemra ishte bujar,por nuk mundi te ndahej dot.
I premtoi se ndonje dite do ti jepte nje kopje,por as kjo nuk ndodhi.
Disa vjet me vone ne provat,e korit te gjimnazit,nje djle nga te orkestres,i tha se kishte ne shtepi pikturen e saj.
Djali ishte i dashuruar me vajzen e vertete,dhe vajza me boten ireale.
per vajzen e brishte fakiret ....qe vertiteshin si satelit dhe qe benin pjese ne boten reale nuk paraqisnin asnje interes..
sa per pikturen,ate po e pret ..akoma...

26.09.2001