Friday, September 19, 2008

Bota e Gruas Shqiptare--MERITA BAJRAKTARI McCORMACK-Mbresa















Takimi i III Vjetor i Institutit Alb-Shkenca zhvilloi punimet e tij në mjediset e Hotel “Tirana International”, prej datës 1-3 shtator 2008.

Mbresa nga takimi

Nga Merita Bajraktari McCormack
Washington DC



“Kombi ynë ishte i fundit që fitoi lirinë prej zgjedhës komuniste në kontinentin Europian” kështu u shpreh Kryeminsitri Shqiptar, Prof. Dr. Sali Berisha në fjalën e tij përshëndetëse në seancën plenare të ditës së parë të konferencës.

“Yjet nuk vijnë nga toka” - do të shprehej akademiku Jahja Kokaj në fjalën e hapjes së Konferencës - duke përshkruar lindjen e idesë së krijimit të Alb-Shkencës dhe meditimin që pasoi veprimi i mëtejshëm i Prof. Nikolla P. Qafoku për të mbledhur rreth vetes shkencëtarët dhe studiuesit shqiptarë anembanë botës.

“Një aktivitet i tillë, përsa i përket pjesmarrjes, permbajtjes dhe nivelit profesional, nuk ka ndodhur asnjëherë në Historinë e Shqipërisë” do të shpreheshin Prof. Evan Rroco e Prof. Nikolla P. Qafoku në seancën plenare të mbylljes së Konferencës
.

Mikpritje e ngrohtë dhe miqësore

E diel, 31 Gusht 2008. Në hollin e hyrjes së Hotelit “Tirana International”, ose sic e njohim ne shqiptarët, “Pesëmbëdhjetë-katëshi” nostalgjik, ishte ekspozuar një monitor i madh ku jepeshin programet ditore. Njerëzit qëndronin për pak çaste dhe mësonin se ku duhej të drejtoheshin për aktivitetin e tyre të ditës. Tek ngjisja shkallët për në mjediset ku do të mbahej konferenca, po mundohesha të risillja ndër mend herën e fundit që kisha vizituar atë mjedis. Kujtime të turbullta të viteve 80-te e disi më të qarta rreth fillimeve të viteve 90-të. Dikur absolutisht “mollë e ndalueme”, tashmë vatër e takimeve të niveleve të ndryshme, vendosur në qendër të kryeqytetit, ka vite që i shërben qëllimit kombëtar dhe justifikon ekzistencën aty. Prof. Evan Rroco, organizatori kryesor i takimit, menjëherë më mirëpriti ashtu siç di i zoti i shtëpisë, me krahun në sup e dorën tjetër drejt tavolinës se bollëkshme mirëseardhëse. Ai më njohu, ndërsa unë e përskuqur nuk po sillja ndër mend emrat e gjithë atyre djemve e vajzave studentë e pedadogë të rinj, që si bletë punëtore prisnin e rregjistronin pjesmarrësit e konferences. Disa me buzëqeshje, disa me fjalë mikpritëse, dikush duke më pyetur si më shkoi rruga, dikush duke më sqaruar rregullat fiskale, ndonjë kolege në krah për tu siguruar që të marr dosjen e duhur, më bënë të bindem menjëherë që kjo ishte një ngjarje e mirëkonceptuar dhe e mirëorganizuar. Nuk thonë kot “Fillimi i mbarë gjysma e punës”.

E nesërmja na gjeti herët në hollin e katit të dytë ku do të zhvillonte punimet seanca plenare e Konferencës e më tej do të vazhdohej sipas rendit ditor. Duke kërkuar nëpër mjediset e Hotelit ndonjë shoqen apo mikun tim të njohur, që kishim komunikuar për këtë aktivitet, pashë tek nxitonte për të hyrë në sallë, i preokupuar me mbarëvjatjen e fillimit të Konferencës, shkencëtarin shqiptar ne Shtetin e Washington-it, Prof. Nikolla P.Qafoku, ideatorin, themeluesin dhe epiqendrën e Institutit “Alb-Shkenca”. Megjithëse vetëm se pesëmbëdhjetë minuta para takimit, ai ndaloi, si një mik i vjetër, me një përkujdesje speciale për të gjithë pjesmarrësit, duke vlerësuar çdo kontribut, më përshëndeti dhe pyeti për shëndetin, rrugën dhe nuk harroi të më falenderohet për rrugëtimin e posaçëm. Për Prof. Nikon ky ka qenë gjithnjë opinioni i atyre që e njohin prej kohësh. Një njeri mjaft i kompletuar profesionalisht por edhe i veçantë në karakter, i dashur dhe i respektuar, i sinqertë dhe patriot.

Nuk ishte vështirë të dalloje Lindita Komanin, shkencëtaren e re që jeton e studion në Graz të Austrisë, të cilën kemi vite që e njohim nga Forumi “Alb-Shkenca”. Ajo përkujdeset që çdo pyetje të marrë përgjigje, apo që çdo paqartësi teknike të qartësohet e kthjellohet në kohën e duhur dhe në cilësinë e duhur, mban dhe koordinon komunikimin, sipas seksioneve, zgjidh e delegon çështjet logjistike, përkujdeset në detaje që shpesh herë, ne që jemi prindër i anashkalojmë, kur vjen puna për ekonomine familjare, ndërsa Lindita që kryen edhe detyrën e vështirë të sekretares së Institutit “Alb- Shkenca”, është si një “amvisë e kompletuar”, -nëse mund të përdor këtë term popullor-së cilës “punët e shtëpisë” i shkojnë shumë mirë.

Duke takuar kolegun tim të vjetër, Asst.Prof. Ardian Harri, kujtova vitet nëntëdhjetë, kur e njoha së pari, dhe e vlerësova si një ndër djemtë më të mirë që kishim atëherë në Ministrinë e Bujqësisë të Shqipërisë postkomuniste. Sot ai vjen nga Universiteti i shtetit të Misssisipit ku është profesor në fushën e Ekonomisë Bujqësore. Ardi kishte mbetur po ai djalë i sjellshëm, po ajo fytyrë e dashur dhe miqësore, po ajo urtësi karakteristike që të imponon respekt që në momentin që e njeh e thellohet teksa vazhdon miqësinë me të.

Duke përshëndetur edhe miq të tjerë, të rinj e të vjetër, si koleget Dr. Mirela Bogdani nga Universiteti i Oxfordit, Begzad Baliu (nga Universiteti i Prishtines), Bajram Berishën (nga Universitei i Munihut), Zeqirja Neziri (nga Universiteti i Shkupit), rektorët e universiteteve Gjergji Mero e Adrian Civici, ish profesoren time Galantina Canco, pedagogen Agelda Ajazi e profesorin Mirlind Bruqi (nga Universiteti i Prishtines), akademikët Kolec Topalli dhe Emil Lafe, lektorin e Universitetit të Utrehtit, Dr. Gentian Zyberi, Armend Muja (i diplomuar nga LSE), shqiptarin qe punon prej 13 vjetesh per Komisionin Europian Sazan Pakalin, gazetaren Kozeta Zavalani, e shumë miq të tjerë, afroi ora 9, e cila shënoi dhe hapjen e kësaj konference të shumëpritur.


Dita e parë e konferencës

Në seancën plenare të mengjesit të datës 1 Shtator morën pjesë Kryeministri i Republikës së Shqipërisë Prof.Dr. Sali Berisha, Zv.kryeministri Z.Genc Pollo, Zv.Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Zj.Adriana Gjonaj, Ministri i Mjedisit dhe Pyjeve Z. Lufter Xhuveli, Këshilltari për Arsim e Shkencë i Kryeministrit të Shqipërisë, Prof. Myqerem Tafaj, Këshilltari për Arsim e Shkencë i Kryeministrit të Kosovës, Prof. Fetah Podvorica, Këshilltari i Ministrit të Arsimit të Kosovës, Dr. Ramë Vataj, rektorë të universiteteve shqiptare, dekanë, pedagogë, studiues, shkencëtarë të fushave të ndryshme nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe me banim në vende të ndryshme të botës, punonjës nga institucione e dikastere të shtetit shqiptar, si edhe studentë. Prezenca e përfaqësuesve të medias ishte mjaft e madhe.

Seanca plenare filloi me fjalën mikpritëse të Prof. Evan Rroços, i cili falenderoi të ftuarit që nderuan me pjesmarrje, sponsorizuesit dhe pjesmarrësit e shumtë që kaluan mbase numrin pesëqind vetë. Salla ishte mbushur plot dhe shumëkush qëndroi në këmbë.

Pas fjalës së Prof. Rroços, salla tashmë e disponuar për vazhdimësinë, përcolli me respekt dhe me vëmendje fjalën e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Prof. Dr. Sali Berisha, i cili jo vetëm që nderoi takimin me pjesmarrjen e tij personale, por edhe përcolli tek auditori e më tutje tek të gjithë shqiptarët që ndoqën fjalën e tij përmes medias, përshëndetjet më të sinqerta personale dhe të kabinetit të tij për pjesmarrësit dhe Institutin “Alb-Shkenca”, premtimin për pozicionin e hapur qeveritar ndaj këtij institucioni, mbështetje të mëtejshme dhe më tutje bëri një ekspoze përkatëse të arritjeve pozitive te qeverise. Prof.Dr. Berisha trajtoi gjerësisht “Fondin e Ekselencës” që Qeveria shqiptare ka vënë në dispozicion të studentëve shqiptarë dhe tregoi entuziuazëm për rritjen e ndjeshme të numrit të studentëve shqiptarë në vitet e fundit.

Akademiku Jahja Kokaj, do të çonte peshë, pastaj, me përshkrimin emocional dhe poetik qe i bëri evoluimit dhe suksesit të Alb-Shkencës dhe personalitetit të themeluesit të Alb-Shkencës, Prof. Nikolla P. Qafoku.

Si lindi Instituti Alb-Shkenca?

“Yjet nuk vijnë nga toka“, ishte metafora e gjetur e Kokajt, për të paralelizuar kontributin e një individi ndaj kombit. Ai tregoi se si në një natë të veçantë, në trojet e një vendi të botës së lirë, një shkencëtar i ri shqiptar, që kishte arritur majat e suksesit profesional, ndjeu fuqimisht në shpirtin e tij një forcë madhore që e shtyu të mendojë për mëmëdheun e largët, Shqipërinë e tij të dashur. Ai e krahasoi meditimin dhe idenë e Qafokut me përpjekjet e figurave më madhore të kombit, si Skënderbeu, Noli, Hasan Prishtina etj, duke rikrijuar, edhe njëherë, ”live” për pjesmarrësit e konferencës, atë shkëndijëzën e parë që ndezi flakën e nje pishtari për një proces të gjatë, të vështirë por tepër prodhimtar, pra idenë e krijimit të një forumi virtual deri në krijimin e funksionimin një Instituti Shkencor të ligjëruar dhe tashmë në proces pune, paralelisht me përsosjen e formimit dhe strukturimit.

Prof. Nikolla P. Qafoku, i cili mori fjalën pas prezantimit të Kokaj-t, falenderoi Kryeministrin, Zëvendës/kryeministrin, ministrat, qeveritarët, funksionarët e institucioneve shtetërore dhe akademike, pjesmarrësit, dhe sponsorizuesit. Më tej ai foli për Institutin Alb-Shkenca. U ndal kryesisht në rolin e këtij institucioni dhe në rëndësinë e këtij Takimi, që zhvillohej në Tiranë, me përmasa të tilla impresionuese për nga pjesmarrja dhe sponsorizimet. Prof.Qafoku më tej trajtoi në detaje aspektin ndërinstitucional të Institutit Alb Shkenca. Ai ndër të tjera theksoi:

“Një nga qellimet e IASH eshte qe të mbështesë zhvillimin dhe forcimin e shkencës shqiptare duke bashkëpunuar dhe bashkërenduar aktivitetin e tij me institucione të tjera. Nisur nga permasat gjigande te Takimit te sivjetshëm në të cilin po marrin pjesë përfaqësues pothuajse nga të gjitha universitetet publike dhe private në Shqipëri, mendoj që do të kemi mundësinë që të dokumentojmë bashkëpunimin e IASH me institucionet akademike dhe shkencore të Shqipërisë. Administratorët e këtyre institucioneve janë të lutur të kontaktojnë me drejtuesit e Institutit Alb-Shkenca për të diskutuar rreth detajeve të bashkepunimit.

Por ne gjithashtu duam që të thellojmë bashkëpunimin me qeveritë dhe dikasteret në Shqipëri dhe Kosovë. Një nga objektivat dhe qëllimet e IASH të përcaktuara në Statut (pika 3) është: “Të ofrojë konsulencë shkencore dhe bashkëpunim për organizma shtetërore apo private sipas marrëveshjeve përkatëse të lidhura me këto të fundit”. Instituti Alb-Shkenca po mundohet që të institucionalizojë, avancojë apo konsolidojë marëdhëniet me Qeveritë e Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës. Njohja dhe mbështetja e IASH nga Qeveria e Shqipërisë dhe Qeveria e Kosovës, për të cilat i falenderojmë, na mbush me optimizëm që në të ardhmen këto marëdhënie do të ecin akoma më përpara.

Ideja qendrore e avancimit të marrëdhënieve të IASH, është që mbështetja dhe marrëdhëniet të kalojnë nga mbështetja financiare kryesisht për çështje administrative, siç është organizimi i Takimit Vjetor, në marrëdhënie partneriteti dhe me projekte konkrete. Ne kemi bindjen që qeveria/të do të konkretizojne interesimin e treguar deri me projekte konkrete për të shfrytëzuar potencialin e jashtëzakonshëm të masës së madhe të studiuesve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë kufijve shtetërorë, dhe që tashmë janë të organizuar përreth IASH-së”.

Numri i punimeve që do të paraqiteshin ishte pothuaj pesëqind dhe një përzgjedhje e punimeve është parashikuar të përmblidhet në një botim special pas konferencës. Ai përmendi që mbase kjo përmbledhje do të mundësohej gjithashtu në gjuhën angleze.

Zv.kryeministri Genc Pollo, i cili përshëndeti konferencën, shprehu mbështetjen e tij për Institutin “Alb- Shkenca” dhe shpjegoi gjeresisht programin “FP7”. Ministri Xhuveli e Zv.ministrja e Arsimit dhe Shkencës gjithashtu përshëndetën konferencën. Në fjalën e tyre ata shprehën mbështetjen e vazhdueshme ndaj institutit “Alb- Shkenca” dhe vunë në dukje arritjet e qeverisë shqiptare në drejtim të shkencës dhe arësimit.

Z.Fetah Podvorica përshëndeti konferencën në emër të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës së Kosovës dhe në emër të Qeverisë së Kosovës. Ai premtoi bashkëpunim dhe mbështetje mes dy qeverive në drejtim të progresit të shkencës shqiptare.

Pas pushimit, seanca plenare vazhdoi me prezantimin: ”Reforma e Sistemit Kërkimor në Shqipëri dhe Perspektiva”, nga Z.Myqerem Tafaj, Këshilltar për Arsimin dhe Shkencën i Kryeministrit Shqiptar. Në prezantimin e përbashkët në gjuhën angleze , me titull: “Përvojat në ristrukturimin e kërkimeve dhe edukimit të lartë”, Bajram Berisha dhe Heinrich H.D Meyer nga Gjermania sollën të dhënat më të fundit që institucioni ku ata punojnë kishte hulumtuar lidhur me këtë temë.

Në mbasditen e ditës së parë Takimi vazhdoi me konferencat e veçanta sipas degëve të Institutit. Paralelisht me njëra-tjetrën u zhvilluan sesione të tetë konferenca te cilat vazhduan punimet atë pasdite dhe gjatë gjithë ditës së dytë. Titujt e Konferencave dhe organizatorët e moderatorët e tyre qenë:

Konferenca e Seksionit të Shkencave të Bujqësisë dhe Mjedisit - Organizues: Nikolla Qafoku, Ardian Maçi, Evan Rroço, Pëllumb Abeshi - Moderatorë: Ardian Maçi, Pandi Zdruli, Vath Tabaku, Mihallaq Kotro, Anila Hoda, Dhimitër Rapti, Pëllumb AbeshiKonferenca e Seksionit të Shkencave Ekonomike- Organizues: Ardian Harri, Avdullah Hoti, Lindita Komani, Mimoza Koka – Moderatorë: Ardian Harri, Mujë Gjonbalaj, Lindita Komani, Fatmir Memaj, Ardiana Gashi

Konferenca e Seksionit të Shkencave të Natyrës - Organizues:Robert Magari, Arben Merkoçi, Jahja Kokaj, Fatos Ylli, Bajram Berisha, Burim Kamishi – Moderatorë: Arben Merkoçi, Ramë Vataj, Bajram Berisha, Isa Elezaj, Jahja Kokaj, Fatos Ylli, Robert Magari, Burim Kamishi, Margarita Ifti, Majlinda Vasjari

Konferenca e Seksionit të Shkencave Mjekësore – Organizues: Naim Shabani, Fatos Olldashi, Ramadan Jashari, Naser Ramadani – Moderatorë: N.Shabani, R.Jashari, F Zeqiri, A Turjaka, N. Ramadani, I. Dedushaj, M. Berisha, R.Duka, F. Olldashi, N. Hyseni, A. Stafa

Konferenca e Seksionit të Shkencave Inxhinierike dhe Teknologjisë – Organizues: Besnik Dobi, Nebi Caka, Eshref Januzaj, Musa Rizaj – Moderatorë: Besnik Dobi, Nebi Caka, Jusuf Krasniqi, Fejzullah Krasniqi, Burhan Tabaku, Betim Çiço, Eshref Januzaj, Lule Ahmedi, Ilirjan Lipi, Naim Maloku,Përparim Hoxha, Sefedin Kastrati , Shyqri Kelmendi, Idaver Hyseini, Musa Rizaj, Shpresa Caslli, Emil Lamani, Nushe Lajçi, Afrim Dushi, Izet Zeqiri

Konferenca e Seksionit të Shkencave Shoqërore – Organizues: Lulzim Dragidella, Mirela Bogdani – Moderatorë: Mirela Bogdani, Lulzim Dragidella, Erka Çaro, Myqereme Rusi, Blerina Kellezi, Irena Lama

Konferenca e Seksionit të Shkencave Albanologjike – Organizues: Kristaq Jorgo, Begzad Baliu Zeqirja Neziri – Moderatorë: Emil Lafe, Kristaq Jorgo, Ana Lalaj, Emin Riza, Kolec Topalli, Ali Caka, Zeqirja Neziri, Caterina Zuccaro, Italo Costante Fortino, Shaban Sinani, Begzad Baliu, Miaser Dibra, Vebi Bexheti

Konferenca e Seksionit të Shkencave të Drejtësisë – Organizues: Gentian Zyberi – Moderatorë: Mariana Semini-Tutulani, Gentian Zyberi, Juliana Latifi

Një simpozium special kushtuar Akademikut Remzi Bakalli u zhvillua ditën e dytë të Takimit.

Konferencat patën edhe sesionin e posterave sipas sesioneve të veçanta.

Dita e parë u mbyll më një pritje dhe koktej në Pallatin e Brigadave dhënë nga Kryeministri Shqiptar Prof. Dr .Sali Berisha për anëtarët e Institutit Alb-Shkenca. Kryeministri shoqërohej nga ministri i Arsimit dhe Shkencës Prof. Fatos Beja . Në fjalën hapëse të pritjes Kryeministri cilësoi edhe njëherë vlerat pozitive të Takimit dhe konferencave të organizuara brenda tij.

Prof. Niko Qafoku falenderoi kryeministrin për pritjen dhe siguroi se qëllimi i Institutit Alb Shkenca është pikërisht puna shkencore duke i shërbyer qëllimeve kombëtare. Në takime të veçanta me individë të veçantë u zhvilluan bisedime e diskutime të ngrohta, fotografimet nuk munguan jo vetëm për kujtime, por edhe si mjete që do të postohen në faqen e Alb-shkencës, me qëllim pasqyrimi te aktivitetit dhe motivimi për të realizuar objektivat e së ardhmes.

Një pemë ka hedhur rrënjë të forta e ka formuar degë të shëndetshme….

Në një buletin zyrtar dhe në botime të ardhshme do të njihemi gjerësisht me punimet dhe përmbajtjen e hollësishme të konferencave të seksioneve të veçanta. Qellimi i këtij shkrimi nuk parashikon përshkrimin e tyre të detajuar. Por dua të theksoj se nga ato momente kur unë hyra në sesione të veçanta vura re profesionalizëm, cilësi, përkushtim, debate e diskutime konstruktive. Atmosfera akademike vihej re në çdo seksion, respekti dhe interesi për punimet e gjithkujt ishte në nivel të lartë.

Seanca plenare e mbylljes, që u moderua nga Prof. Nikolla Qafoku dhe Prof. Arben Merkoçi, u hap me “Projektet ndërkombëtare”, prezantuar nga z. Gjergji Gjinko.

Kitty Fehringer nga Komisioni Europian solli freskët dhe këndshëm prezantimin special “EURAXESS-Researchers in Motion”- një informacion i dobishëm që i shërben studiuesve dhe kërkuesve europianë, sidomos në kuadrin e “Brain Gain”-it Europian.

Roza Allabashi, që vinte nga Viena e Austrisë, ishte konkrete, e saktë, këshilluese bindëse dhe orientuese precize në prezantimin e saj tepër informativ: “Pjesmarrja e Shqipërisë në projektet kërkimore-shkencore të komunitetit Europian-realitet apo utopi?”

MUSA RIZAJ, NEBI CAKA, EKREM BEQIRI, SABIT RESTALICA prezantuan:
„Programet e Bashkimit Evropian për financimin e kërkimeve shkencore-zhvillimore dhe perspektiva e Kosovës“
Konkluzionet e konferencës, shpallja dhe aprovimi i anëtarëve të nderit, si dhe njoftimi i kritereve të anëtarësimit dhe procedurat e zgjedhjeve, ishin aktivitetet e fundit për datën 3 shtator dhe për Takimin III Vjetor të Institutit “Alb-Shkenca”.

Prof. Niko Qafoku në fjalën e tij mbyllëse theksoi se takimi ishte mjaft i suksesshëm, gjithëpërfshirës, me një demografi të kënaqshme. Ai evidentoi entuziazmin që përshkoi konferencën në të gjitha ditët, vlerësoi kontributin vullnetar të pjesmarrësve, anëtarëve e organizatorëve. Falenderoi për pjesmarrejen e qeveritarëve dhe perfaqesuesve shtetërorë, falenderoi studentët që ishin në dispozicion si staff i konferencës. Ai përshkroi edhe njëherë procesin e formimit dhe evoluimit të Institutit “Alb-Shkenca”. I emocionuar ai tregoi se Martin Luther King, përmes thënies së tij: “Sado që të avanconi në karierë, mos harroni nga keni ardhur dhe mundohuni t’i jepni në kthim atij komuniteti”, kishte qenë burimi i frymëzimit të tij për të krijuar një rrjet virtual mes shkencëtarëve shqiptarë. Ky forum u forcua, u zgjerua dhe sot është shndërruar në një institucion shkencor, njësi e ligjëruar si Instituti “ALB SHKENCA”, me degët e tij në Shqipëri (Drejtues Ardian Maçi), Kosovë (Drejtues Begzad Baliu), e Maqedoni (Drejtues Zeqirja Neziri). Rreth Institutit mund të mësohet më shumë në faqen e tij virtuale:
http://www.alb-shkenca.org/.

Prof. Qafoku bëri thirrje për zgjerimin e Institutit me anëtarë të rinj, të cilët plotësojnë kriteret e anëtarësimit në të. Ai theksoi formimi akademik i anëtarëve dhe se kualifikimet profesionale e kontributi shkencor janë faktorë të domosdoshëm për të qenë anëtarë të tij.

Prof. Evan Rroço në fjalën e mbylljes falenderoi pjesmarrësit dhe ftoi moderatorët të përcjellin ecuritë e konkluzionet sipas simpoziumeve të veçanta. Ashtu siç vuri ne dukje edhe drejtori i Institutit, Prof. Qafoku, Prof. Rroco, evidentoi faktin që një aktivitet i kësaj natyre, i këtij niveli, i këtyre përmasave sasiore dhe cilësore nuk kishte ndodhur asnjëherë në historinë e Shqipërisë”.

Më tej u shpallën dhe u aprovuan tre anëtarët e rinj të nderit për Institutin. Ata janë :

Prof. Jahja Kokaj, Prof.Emil Lafe, Akademiku Remzi Bakalli (pas vdekjes).

Në konferencën e mëparshme anëtar nderi i Institutit ishte shpallur dhe aprovuar Prof. Dr.Sami Repishti nga Nju Jorku.

Në Mbledhjen e Përgjithshme të Institutit, Lindita Komani shpjegoi procedurat zgjedhore për vitin e ardhshëm.

Një takim i grupit organizativ të konferencës me Presidentin e Shqipërisë, Z.Bamir Topi, vijoi më datën 4 Shtator 2008 ne Pallatin e Brigadave.
Takimi III Vjetor ia arriti qëllimit. Mendoj se “brumi” është në kohën e duhur për t’u gatuar e formuar me të, ajo ç’ka duhet. Ky Takim provoi se pema e re ka hedhur rrënjë të forta dhe degët janë mjaft të shëndetshme. Shpresoj që frutat të jenë ato që priten! Mire-u-takofshim në aktivitete të ardhshme të Institutit “Alb-Shkenca“.

Urime organizatorëve, drejtuesve dhe pjesmarrësve!

Merita B-McCormack, BSc., MBA,
(Anëtare e Seksionit te Ekonomisë)
Washington DC.

Monday, September 15, 2008

Bota e Gruas Shqiptare-ILIRE ZAJMI-Tregim

Gruaja në të zeza


Tregim


Gruan misterioze të veshur gjithmonë në të zeza, nuk e kisha njohur kurrë nga afër. Shumë meshkuj e linin kokën për të. E takova rastësisht në datëlindjen e një mikut tim. Të gjithë të ftuarit sytë i mbanin nga ajo. Dikush pse kishte dëgjuar aq shumë gjëra të fliteshin për të, të tjerët e këtu hynin të githë pjesëtarët e botës mashkullore e vështronin me sy të magjepsur e epshflakur duke analizuar çdo lëvizje të gjuhës së trupit.
Dukej si zanë mali e zbritur nga qielli për të provokuar e nxitur ndjenjat më subtile te të gjithë meshkujt e pranishëm në atë datëlindje.

Mua si femër nuk e di çfarë përshtypje më bëri. Egoiste, mendjemadhe, e dhënë deri në ekstrem pas pamjes së jashtme. E stërvitur që ta mbajë situatën në kontroll, të dominojë kudo që ndodhet, të jetë gjithnjë në qendër të vëmendjes. Me gjeste, lëvizje provokuese të buzëve, lojë me këmbët e gjata duke joshur këdo që i ndodhej përballë.

Të krijohej përshtypja që gjithçka sillej rreth saj. Për asnjë çast nuk e lëshova nga shikimi atë natë. Brenda vetes nuk e di a ndjeva simpati apo një ndjenjë përbuzje për atë grua sharmante të veshur në fustan të zi mëndafshi.
Për diçka jam shumë e sigurt. Xheloze nuk u bëra për faktin se gjithçka sillej rreth saj dhe për të. Unë isha jashtë kësaj orbite, një dublere pasive. Aktore në prapaskenë, por duke ndjekur të gjitha aktet e një loje surreale në një teatër absurdi. Një teatër i një jete femre që mbante emrin Dora.

Dorën nuk e takova më për shumë kohë. Ajo ishte temë e bisedave në shoqëri, në kafene, në zyra. Thonin se kishte dashnorë të “klasës së lartë”, zgjedhte cilën punë t’ia donte kokrra e qejfit, flinte në hotelet më luksoze të vendit, fundjavat i kalonte jashtë shtetit dhe tallej me shumë femra që nuk ishin të rangut të saj.
Kur një ditë e pashë të hynte në zyrë me shefin tim, mendova se na mori lumi. Shefi ishte shënjestra e radhës. Për disa muaj ai u bë një tjetër njeri. Ajo femra shtatlartë, elegante mori frenat në dorë. Nuk e mora vesh kush e solli, pse e solli, çfare pune kryente, sa paguhej. Pse e bëri lolo shefin tim të gjorë. Ai humbej pas saj. Vdiste në këmbët e veta kur ajo ia lëshonte një shikim.

Unë me të nuk ndërruam kurrë ndonjë muhabet, veçse një mirëdita dhe ditën e mirë. Unë dhe të gjithë të tjerët, që nuk i hynim në sy të gjithpushtetshmes Dora.

E bukura Dora kreu misionin e saj në kompaninë tonë dhe u zhduk për një kohë. Për tu shfaqur me tërë shkëlqimin e saj në një organizatë tjetër, atje ku gëlonte paraja, prestigji e autoriteti. Sa çel e mbyll sytë u bë e famshme, fitoi para e pushtet. Arsyeja e thjeshtë: shtiu në dorë të parin e asaj organizate.

E apetitet e Dorës nuk kishin të mbaruar. I ndërronte më shpesh dashnorët se fustanet e zeza. Kënaqej vetë, kënaqte edhe të tjerët, ku nuk bëntë punë paraja bënte puna Dora.

Një Mata Hari e llojit të vetë, mendova kur e pashë pas disa vitesh. Po ajo fytyrë, po ato flokë të gjatë e të lëmuar, linjë e përkryer e trupit.
I kishte shkelur të tridhjeteshtatat, por te ajo nuk kishte lënë vrragë mosha. E çuditshme. Të jetë kaq e pashpirt, të mos ketë asnjë ndjesi. Tingëllon e pamundur për një grua të bërë nga mishi e gjaku. Kureshtja më rritej për të mësuar diçka më shumë për jetën, për bëmat dhe personalitetin e asaj gruaje aq shumë të përfolur.

Kur e pashë se kishte filluar punë në vendin ku unë punoja, u habita. Ç ‘të jetë vallë? Gjithnjë takohemi në të njejtat vende pune. Pa ditur gjë për njëra tjetrën. Koincidencë mendova.
Por kësaj radhe ishte më shumë se koincidencë. Na rastisi të punonim në të njejtën zyrë. Vinte kur të donte, shkonte kur të donte. Tërë kohën fliste në telefon. Mbante një pozitë të lartë, paguhej me një shumë marramendëse parash, dhe menaxheri si të gjithë menaxherët e tjerë shkrihej pas saj. Kur ajo fliste ai nuk bënte as gëk as mëk.
Nuk hapej me mua. Se pyesja gjë. Flitej se ishte lidhur me një të huaj të gjithpushtetshëm në vendin tim. I shihja lulet e freskëta çdo dite pune dhe dhuratat e shtrenjta, të gjitha prodhime të modës së fundit. Çokolladat e asortuara në formë zemre nuk mungonin kurrë.

Të jetë dashuruar vërtet dikush pas saj? Edhe ndonjë dashnor në listën e pafund të Dorës?

I shihja dhe i komentoja të gjitha këto me burrin tim në mbrëmje. Misterin e quajtur Dora dhe dashuriçkat e saj interesante.

Por në ndërkohë ndodhi diçka interesante. Martesa me të huajin. Shkruajtën edhe gazetat. E portretizuan bukurinë dhe hiret e saj. Asnjëri nuk guxoi të hap gojë e të thotë se ky trapi ishte i 1001 në jetën e saj. E kush do të jepte një lajm të tillë?

Dora iku jashtë vendit. Dëgjova se bënte jetë prej aristokrateje. Jetonte në një kështjellë moderne. Dukej si e përhitura e përrallave. Hante me lugë argjendi. Shëtiste gjithë botën me burrin e saj 20 vjet më të vjetër se ajo.

Më hante kureshtja të dija çka ndiente për atë të huaj të pasur e arrogant. Si i kalonte ditët e shkurtëra e netët e gjata me të. Si vidhte kohë për t’iu dhënë epsheve të dashnorëve të rinj!

Pas një kohe mora vesh të jetë kthyer. E takova një ditë tetori në kryeqytet. Dukej keq, e shkallmuar e plakur. Bukuria e saj ishte zbehur.
Nuk e pyeta gjë. I dija të gjitha. Ishte ndarë nga ai maskarai i pasur. Donte të kthehej të jetonte në vendin e saj. Përgjithmonë.
As nuk u befasova kur e pashë në vendin tim të punës pas disa muajsh. Ishte kthyer në formë. Mendjemadhe, egoiste, narcisoide. Ashtu siç e pata njohur para 12 vjetësh.

Sapo isha kthyer nga pushimi kur e takova në zyrë. “Kam dëgjuar se je martuar, je bërë edhe nënë, më pyeti papritur. Ke 1 apo dy fëmijë? Dy i thashë.

Nuk foli për një çast. Pastaj me sytë e turbulluar tha: “Unë nuk kam asgjë në jetë. Jam 42 vjeq. Nuk di çka t’i them vetes.

Mbeta pa fjalë. Nuk thashë gjë, se mu duk se dikush më kapi për fyti. Zbrita deri në bufe për të pirë një kafe.

Të nesëmën shkova në punë me ndjenja të trazuara. Gjithë natën e pashë në ëndërr Dorën, të dashurit e saj të njohur e të panjohur. Një shtëpi dhe një fëmijë. Jo ishte djali im. Mu kujtua pak ëndrra si nëpër mjegull. Dora sikur dëshironte të ma rrëmbente djalin tim. I thoja se unë jam nëna e tij, se ai ishte djali im jo i saj. Ma lërë të lutem vetëm për një kohë më lutej Dora.
Unë i lutesha djalit tim të rrinte me të. Dhe ta thërriste nënë.

Ëndrra mu kthjellua krejtësisht kur pashë fytyrën e saj në mesditë.

E shikova mendueshëm. “Të kam ëndërruar gjithë natën. Ti po më ndjek” i thashë.

Ajo buzëqeshi thekshëm. Pastaj me zë të butë mu lut “ tregomë të lutem si më ëndërrove. “Ti kishe blerë banesë afër meje. Dhe unë ta dhashë djalin tim. Për një kohë. i thashë të të thërriste nënë”.

Dora u ngrit në këmbë dhe kapi kokën me duar. “Ti mos je telepatike” Aspak i them. Ishte thjeshtë një ëndërr, dje më the… “ fjalët më mbetën në ajër.

Nuk më la hapësirë të përfundoi fjalinë. “Jo. Kjo nuk ishte thjesht një ëndërr. Unë kam blerë dje banesën time, dhe jam duke shikuar mundësinë të birësoj një fëmijë”

“Unë nuk e di”… mbeta gojëhapur. O zot thashë me vete të kem ëndërruar gjëra kaq reale, kaq të prekshme.

Ajo më shikoi gjatë, pastaj mori çantën për të ikur në drekë e tha.
“Nuk e di sa gjatë njihemi unë e ti. Njeriu nuk ka nevojë të jetë i afërt me dikë për t’ia lexuar mendjen”

“Po, i thashë. Ka një dekadë që po të lëxoj si një libër të hapur”.

Dorën nuk e pashë më kurrë prej asaj dite. U zhduk.

Një Zot i madh e di si përfundoi historia e bukuroshes në të zeza. Çdo lojë e ka fundin. Ajo lozi me jetën ashtu si deshën të tjerët, pa e kuptuar kurrë se ishte vetëm një kukull porcelani në teatrin absurd të jetës.




Prishtinë, 11 shtator 2008