Tuesday, November 25, 2008

Bota e Gruas Shqiptare - ELIANA LESHAJ - Poezi


TEK PRES NJE MENDIM …




S'kam humbur teresisht ne m'ke kerkuar
me mendim
ne korridoret e spitalit ku beja para -mbrapa
majtas - djathtas e anasjelltas
me tundonte impulsi te bertisja me te madhe
te gjitha emrat qe me merrnin peng kujtesen

Ne spital s'je kurre vetem, as brenda vetmise tende
Heshtja e zhurmshme sinkronizon oraret e pritjes
e minutat e ikjes me kurriz
Do zoti s'vijne t'me takojne, as sot
vizitat e vizitoreve te njerezishem

Injeksjonet po me flene ne gjak
si mikrobe moderne qe me vrasin pa dashje
rezistenzen
Antitrupat shkrihen ne qelizat agonike
e fuqia ime rritet tek fikem ne krevatin
me çarçafe te dizinfektuar

E paskam zemren e forte si mali ku ngriti shtepi
stergjyshi im
para dhe pas plumbave te luftes
edhe pas luftes...
Me mallkim ne gryke te fytit
e dashurine per mua qe s'me njohu
poshte grykes
ku s'deperton as dimri as frika

***
Nje goje e madhe ne nje koke te vogel
dhe nje veshtrim i qete ne syte e trembur
te kuruesit me liçense
betuar para urdhrit se di t'me kuroje
Me pyet, ku me dhemb me shume

***

Nese ti me ke prekur dhimbjen, me mendim
jam sheruar plotesish, pa dijenine e mjekut
Me dhemb vetem malli me te cilin
i flas delireve tona, ne oret e hershme e ne oret e vona
Siç mban mend:
Bashke kemi dashuruar nje liste dashnoresh
te vdekur ne shekuj e ne shekuj te rilindur
kemi dashuruar dheun e shiun
qe shuan pluhurin ne rruget nga kemi ardhur
ne takim tone dykontinetal

…dhe ate pasditen kur donim te qanim me te madhe
pa kokerr loti ne sy
e zgjodhem te degjonim dimrin e Vivaldit
e ajo, vajza dhe dashuria jote
mikja dhe forca, shamia e djeresve
dhe kafeja e lodhjes
tha me ton te vendosur:
"Une preferoj dimrin"
Ti shtove ne lotin e thare qe kishte ze te gezuar
“PO.
Degjojme dimrin e Vivaldit qe duket sikur mbaron
Aty nga fundi, rifillon furtuna “
Ne heqim xhupat e shallet
Lekuern e sakrifikuar te kafsheve
dhe dalim ne kerkim te ndonje luleje shtatanike
Debora e fundit kthehet mbrapsht
ne nje rreze drite potente, shkarkon
mbi ne dhe mbi lulen e ngrire
gripin e madh te fundjetes se tij perseritese

***
Semundja ime me eshte bere mike
si ikonat e shenjtereve neper muret e qytetit
e brenda kishave te panumerta
te cilave ju flas ngaqe s'dine t'me flasin
dhe ju rrefehem ngaqe s'kane emer
ne bindjen time:
Para zotit jemi te gjithe nje (Adam dhe Eve)
ose Eve dhe Adam, meqe ne kohet moderne
seksi i bute ka veshur pantallona me zinxhir
mu aty para
sikur forca te buronte nga aty
sikur e drejta te ishte nje prerje stofe unisex

Do me dhembte me pak semundja ime
po te mbulohesha mire me rroba
...nese ti do me ngrohje ne rezistencen e skuqur
te mendimit
qe ndjej t'me vije rreth e rrotull
si nje shpirt mbetur peng, ne diagnozat
e semundjeve te pasherueshme
te repartit mjekesor ku jam e perkohshem






Friday, November 14, 2008

Bota e Gruas Shqiptare - SUZANA KUQI - Tregim

Fustani


Lira, rrotulloi çelësin në bravë e bashkë me kërcitjen e tij ,ndjeu sikur diçka i kërciti e ju thye brenda . Lotët ju rrokullisën faqeve, ish munduar të sajonte një buzëqeshje tek i thosh atij natën e mirë me shpresë se do t'i jepte një puthje sado të lehtë e të zbehtë në faqe, por hiç. Ai ishte mjaftuar një "natën e mirë" të thatë dhe e kish shikuar... oh sa keq i kish bërë ai shikim i ftohtë...Tjetër gjë kish shpresuar atë mbrëmje.
- Mos e bli !- i kumbuan në veshë fjalët e shitëses së re e simpatike, kur kish vendosur të blinte fustanin. Kish parë sytë e saj. Të bukur , po të çuditshëm, kishin atë vështrim ... pak si të larguar, prezent e njëkohësisht sikur nuk të shikon. Lira kish mbetur një çast. Eshtë kaq e re, nuk ka përvojën e duhur , shitësit duhet të bëjnë çmos të shesin mallin që kanë në dyqan. Po sikur t'a dëgjojë pronarja ? Pasi u sigurua që kjo e fundit ishte e zënë me klientë të tjerë , e pyeti me zë të ulët :
- Përse ? Eshtë shumë i bukur ,- e ndërkohë nuk ja ndau shikimin atyre syve duke mbajtur me zor të qeshurit. Ishte një pyetje e kotë, kish vendosur t'a kish me çdo kusht fustanin për këtë mbrëmje , por ishte bërë kurioze , e pastaj nuk kish si t'a humbte atë përgjigje, kushedi se ç'xhevahir do të nxirrte ajo gojë e bukur .
- Bëj si të duash, nuk t'a këshilloj ,- ja ktheu thatë vajza së cilës nuk i kishin shpëtuar shkëndijëzat e gazit të bashkëfolëses. Pa shtuar as edhe një fjalë mbeshtolli fustanin, mori lekët dhe i ktheu kusurin pa denjuar t'a shikonte në sy.
Lira hoqi fustanin dhe e vuri në varëse. Ishte i bukur, i zi, elegant, një prerje që linte të shihej një dekolte e hijshme, një prerje që vinte në pah rrumbullakësinë femërore atje ku duhej, e vinte e ngushtohej në fund duke u zgjatur pak aq sa t'a tregonte më të hajthëm e më të gjatë trupin e saj. Kish dashur të bënte figurë të mirë atë mbrëmje, e me një palë taka do të dukej si ato vajzat në faqet e revistave të modës...Nuk e futi në dollap, e vari duke e ngecur grepin e varëses mbi derën e bardhë të dhomës së gjumit e u drejtua në kuzhinë. Kish nevojë për një kamomilë të mirë atë natë ku do të mungonin ëndrrat e bukura. Me filxhanin e kamomilës u drejtua drejt dhomës së gjumit. Befas, fustani i zi mbi atë sfond dere të bardhë, dekolteja ishte në formën e pikës së lotit, i gjithë fustani ngjante një lot i zi që i pikonte aty përpara dhe zëri i shitëses :
- Mos e bli !

- & -

- Kam një rast special , mund të më këshillosh se ç'fustan duhet të zgjedh ?- Lirës nuk i bëhej vonë se tani ishte rradha e vajzes së re të qeshte me të, aq i bënte. Fati i kish dhënë një rast të dytë me atë djalë që e shoqëronte në ëndrra prej kaq kohësh .
Mirëdita !- ju përgjigj thjesht shitesja. Jo , sytë e saj nuk e tallnin, por po e shikonin me kujdes nga koka tek këmbët .
- Mirëdita- ja ktheu Lira pak e hutuar, kish harruar të përshëndeste ,- desha një...- desh t'i thosh këshillë...- e zonja e dyqanit u afrua duke buzëqeshur në mënyrë të tillë që të linte të kuptonte se ishte ajo ,së cilës duhej t'i drejtohej.
- Desha të blija një fustan ,- foli si me pahir Lira.
- C'tip fustani keni ne mendje ?
- Për një mbrëmje...
- Eja, sapo më kanë ardhur ca modele të reja, janë shumë të bukura, - entuziazmi i gruas e tërhoqi Lirën dhe e ndoqi pas.Gruaja tërhoqi një perde pas së cilës ishin varur fustanet e reja. Menjëhere i ra në sy një fustan me ngjyra të çelura. Edhe modeli ishte i bukur, pastaj ato ngjyra delikate... Lira u afrua dhe e preku . Butësia e cohës në prekje e mbushi me ndjesinë e mirëqenies. Padashur ktheu kokën nga shitësja , fytyra e saj ishte e çelur e sytë shprehnin miratim.
- Shiko sa i bukur është dhe ky tjetri ! - Lira pa fustanin që po i tregonte e zonja e dyqanit. Ishte vërtet shumë i bukur, si nuk e kish vënë re më parë.
- Ja, dhe ky tjetri , duhet t'ju shkojë shumë, do t'ju japë një pamje tjetër, më sofistikuese.
Sytë e shitëses dukeshin të largët, sikur as që i binte ndërmend se Lira ishte aty ,ose sikur aq i bënte se ç'fustan do të zgjidhte. Mori fustanet e u fut në dhomën e provës. Të tre i rrinin për mrekulli, a thua ishin qepur me masat e saja. Nuk dinte kë të zgjidhte.I hoqi dhe i vari duke i kundruar.
Të isha në vendin tënd , do të kisha zgjedhur këtë,- pronarja e dyqanit vuri gishtin mbi fustanin e zi, - e zeza është elegante e të mbulon difektetet.
Shitësja kaloi pranë ,pa ja hedhur syte. Cilin do t'i kish këshilluar ajo ? Fundja ,përse t'a vriste mendjen kaq shumë, fustani i parë i pëlqente, por për atë mbrëmje ... nuk bënte, duhej të ishte diçka më shik.
- Mirë, këtë do të marr ,- ajo vendosi gishtin mbi fustanin e zi. Le të mendojë ç'të dojë ajo shitësja, e zonja e dyqanit është më e vjetër e ka më shumë eksperiencë, mendoi tek pa duart e shkathëta tek palosnin fustanin për t'a futur në kutinë e kartonit e ja zgjati duke i thënë se mund të shkonte e të bënte pagesën . U drejtua nga kasa me ndjesinë se po linte diçka që i përkiste asaj aty prapa.Mbajti hapat.
- Më fal, u pendova, dua të marr atë tjetrin.
E zonja e dyqanit e ruajti buzëqeshjen e mirësjellëshme edhe se sytë e saj tregonin se e kish humbur durimin . Megjithatë nuk e bëri veten, mendimi se po e shiste një fustan, i justifikonte minutat e humbura. Palosi fustanin tjetër me po atë zhdërvjelltësi të duarve, e futi në kuti e ja zgjati. .Lira ju afrua kasës me të në dorë dhe nxorri paratë.
- Bëre zgjidhje të bukur. Por mos e vish sonte këtë fustan, - i pëshpëriti shitësja tek i ktheu kusurin.
- Cfarë ?!
- Vish diçka tjetër, diçka që e ke veshur edhe herë të tjera e je ndjerë mirë.
Lira e vështroi në mëdyshje. Nuk duhej të ishte normale nga trutë, ajo mezi priste t'a vishte atë fustan e të shkonte në atë takim.
- Bëj si të duash, nuk të detyroj...
- Mbaje këtu, do të vij t'a marr nesër,- ndërroi mendje Lira duke i zgjatur kutinë me fustanin brënda, intuita i thosh t'i besonte asaj vajze , edhe se nuk kuptonte se nga i vinte ai besim.
- Eli, çfarë po kurdis ashtu ?- pronarja ruante ende buzëqeshjen e ëmbël për klienten por kjo nuk e pengonte të shprehte inat në sytë e saj për shitësen. Lira e vështroi e habitur se si kish mundësi që një fytyrë t'i shprehte njëkohësisht të dyja.
- E ka paguar,thjesht po e lë këtu e do të vijë t'a marrë nesër, - tha shitësja.

- & -

Donte dhe pak minuta që dyqani të mbyllej kur Lira ju afrua banakut. Shitësja që quhej Eli, vetëm kaq dinte për të , i buzëqeshi.Si hije u afrua e zonja e dyqanit.
- Shpresoj të mos kesh kthyer mendje e kërkon paratë ?- i tha ajo si me të qeshur .
- Jo, nuk kam kthyer mendje ,- buzëqeshi Lira.Mori qesen që i zgjati shitësja dhe i pëshpëriti.
- Të pres tek bari këtu afër .
E pa tek hyri në lokal, veshur thjesht me një fustan linoje të bardhë.
- Faleminderit ! - foli e para Lira.
- Përse ?- vajza ngriti fare pak vetullat e Lira admiroi atë ball të bukur.
- Si përse ? Ndoqa këshillën tënde .
- Këshillën ? - një notë e lehtë gazi ndihej në zërin e vajzës, gjë e cila e hutoi Lirën. - Si të shkoi mbrëmja dje ?
Lira pa orën, nuk kish shumë kohë, kish lënë sërish takim me atë djalë e pas pak minutash duhej të largohej. Mbrëmja kish shkuar më mirë se e kish parashikuar. Sot do të shiheshin prapë. Më mirë se kaq...
- Si e bën këtë punë ? Desha të them se si...
- Se si jap "këshilla"?- vajza qeshi këtë herë me zë.
Lira nuk e zgjati. Nxorri nga një qese fustanin e zi në formën e lotit dhe e hapi.
- Kishe të drejtë për këtë. Më solli tersllëk, e pastaj vura re se vërtetë është shumë i bukur, por ka formën e lotit. A thua të jetë kjo ?
- Formën e lotit ?!
- Po . Të lotit ,- e hutuar nga e qeshura e vajzës , Lira mbante në dorë fustanin , pa vënë re se përpara saj kish ndaluar një grua e re .
- Sa fustan i bukur !- nuk e mbajti një klithmë admirimi ajo.Sytë e Elit shkëlqyen me qesëndi.
- Të pelqen ?
- E si të mos më pëlqeje , ka formën e zemrës.
- Zemrës ?!- Lira nuk po u besonte veshëve.
- Ku e ke blerë ?
Lira desh t'i thonte se ai fustan nuk kish formën e zemrës dhe se ai fustan asaj ...
- Ky ishte i fundit. Por zonjusha është penduar e don t'a ndërrojë . Nëse të pëlqen , zonjusha nuk ka asnjë kundërshtim ,mund të bini dakort, apo jo ?- Eli ktheu sytë nga Lira pa i dhënë kohë të fliste.
- Sa kushton ?- kish padurim në zërin e gruas së re .
- Në fakt ,unë desha t'ja falja zonjushës, - foli Lira duke drejtuar shikimin nga Eli.
- Aq më mirë, mund t'ja falësh zonjës , unë nuk e shoh veten me të - qeshi Eli.
Lira ndoqi me sy gruan tek largohej e gëzuar me fustanin në dorë.
- Po sikur...
- Mos e vrit mendjen, ai fustan është qepur për të.
- Nga e din ?
- E di dhe aq. Nuk ishte për ty. Ti kishe nevojë të ishe vetja, ajo ka nevojë të jetë dikush tjetër.
- E njeh atë grua ?
- Të njoh ty vallë ?
Jo, mendoi Lira, nuk e njihte, thjesht një kliente që kaloi në dyqanin ku punon ajo.Pa orën, nëse nuk ngrihej , do të vonohej e nuk donte të linte t'a priste...Por Eli u çua e para.
- Bëj kujdes me rrobat kur t'i zgjedhësh.Jo të gjithë janë të qepur njëlloj, ka që mund të jenë qepur për ty , e ka që nuk janë të qepur për ty. Mos i gjyko nga bukuria dhe as nga çmimi.E pastaj , mos i grumbullo në dollap nëse nuk i përdor.Jepi, fali, hidhi, por mos i mba kot.
- Po si ti gjykoj ?
Eli qeshi dhe u largua. Nuk e përshëndeti . Vërtet vajzë e çuditëshme .Lira u fut në rrjedhën e kalimtarëve të rrugës pa ja ndarë sytë asaj siluete të bardhë. Diku në trotuar ish ulur një djalë me kitarrë e me një qen . Vajza u ul pranë tij ,i mori kitarrën e u mundua t'i binte. Lira mbajti hapat. Desh t'a dëgjonte. Por ato që i kapi veshi ishin vetëm disa nota të ç'akorduara që u shoqëruan nga të qeshurat e djalit e shkaktuan buzëqeshje tek kalimtarët. Qeshi dhe vajza me atë të qeshur kumbuese ,e pasi i hodhi dy monedha në tasin që ishte vendosur prane qenit ,u ngrit e vazhdoi rrugën duke ju marrë pak këmbët. Më pas qëndroi pranë një të moshuari me shkop në dorë që kish ndaluar për t'u çlodhur e i pëshpëriti diçka në vesh. Burri i moshur filloi të qeshte, lodhja sikur ishte fshirë nga tiparet e rrudhura.
- Vajzë e bekuar ! E çmendur !- kaq kapi Lira nga pëshpërimat e të moshuarit.
E çmendur e bekuar , mendoi Lira, diçka kam kuptuar dhe unë , edhe se duke e dëgjuar fala një fustan të bukur një të panjohure e që më kish kushtuar...Lira filloi te qeshte . Kot që të vras mendjen , tashmë e bëra.Rroba të qepura për mua e jo të qepura për mua...E bukur edhe kjo. Po si duhet t'i zgjedh rrobat e mia, as që kam ndërmend të shkoj përsëri në atë dyqan me ato çmime të kripura.Shumë ,shumë, tek një dyqan kinezi. Mall kinez... vallë ai mall që qepet nga duar të miturish e njerëzve të shfrytëzuar mund të jetë për mua...Tani kohët janë vështirësuar, para ka gjithnjë e më pak e njerëzit si puna ime, në të shumtën e rasteve, mbarojnë punë aty. E përse jo, padashur mbajti këmbët një çast ,janë rroba të lara me lot e djersë mundimi, por... shpresa se diçka do të ndryshojë për mirë i bekon ato...Lira shpejtoi hapin, silueta e vajzës ishte zhdukur, por mendimi për të e dhuntinë e saj, ende jo.

Imperia 10 Tetor 2008

Tuesday, November 11, 2008

Bota e Gruas Shqiptare--RAIMONDA MOISIU - Poezi


Jam "*Shaganeja "jote!

I dashuri im…
Ti? ….Me ardhe serish?
O Zot i madh!
Ku me ardhe keto caste,
Te ky vend i shenjte.
E shikon sa i shenjte qe eshte?
I shtruar i teri me sixhade persie,
Me kurore trendafilesh .
Mes petaleve te panumurta ngjyrangjyra,
Qendroj …marr fryme!
Une!
Nje trendafil i bardhe,
Qe sapo ka filluar te shpertheje,
Qe mezi pret nje krisje vetetime,
Nga perplasja e reve te qiellit, …aq
Sa t'i jap drite,
Fytyres sime e tendes.
Qe ato rete e panjohura me shiun,
Te me vaditin mua,
Trendafilin e bardhe,
Me gogesimen e tyre te kristalte.
Marr fryme.....!
Buze kopeshtit me trendafile.
Mes bardhesise sime,
Rri fshehur instinkti,
I intimiteteve te mia,
Qe rrahin si tik taku i sahatit,
Ne brendesi te kercellit,
Qe eshte
nje ishull i pashkelur.
engjelli im!
Pushtome me krahet e tua,
Guxo!
Prek petalet e lules me te bukur,
Qe ti adhuron.
Afroje te mua
Fytyren e dlire, engjellore,
Si i afrohet kupes se kalter te qiellit,
Kurora praverore e luleqershive.
Afroje…afroje buzen,
Edhe me, edhe pakez….
Edhe nje cikez hapsire ka mbetur,
Sa eshte e holle,
Cipa e buzeve!
Buzet e tua ....,
I ndjej te cepi I buzes sime.
Janeee...
Te nxehta, te kuqe, te turpeshme, te clireta,
Si cigania e vogel Esmeralda,
Qe shkruan mbi reren e detit,
Emrin e te dashurit te saj,
Qe nuk e ka pare kurr!
Dhe qe u buzeqesh valeve,
Qe ia fshijne ate emer papushim,
Dhe ajo shkruan e shkruan,
......serish.
Dua keto caste,
Te ndjej si shperthejne gonxhet,
Ne kercellin tim te trendafilte.
Lulet e pergjumura te qenies sime
Po presin perkedheljen tende,
me buze, me duar, me mermerima,
qe te gjallerohen, te mbushen me arome,
Dhe me bleteza plot mjalte,
Si lulet e livadheve,
Qe i zgjon duke i perkedhelur
pranvera.
Eja te thithim aromen,
......e luleve te sixhadese,
Ka fluturuar qe nga kopeshtet e Persise.
Nuk e ndjen peshperimen e petaleve,
.... dashnori im?
Jane harlisur e ndezur nga puthjet!
Paskan shpirt, dashurokan, qenkan ziliqare,
Edhe lulet!
Lulet e kesaj sixhadeje
U paskan ikur nga duart,
Poeteve te Persise
Dashnori im,
Me puth shume, fort, papushim
Kemi vec lule perqark,
Nuk ka askund,
tymra te padjegura makinash,
zhurme boriesh,
Vringellima thashethemesh,
Vetem ferferitje krahesh te fluturta.
Shiu asqe duket gjekundi ...
Jam Shaganeja* jote!
Te dua.!
* Shaganeja – personazh poetik nga poezia e Eseninit, simbol i dashnores romantike.

Nga Raimonda Moisiu
Hartford Ct USa
Fund tetori 2008