Friday, February 27, 2009

Bota e Gruas Shqiptare-MERITA TOCILA-Video-Kolazh

Nga Merita Tocila.....
nje kolazh me sfilata dhe piktura....
disa nga realizimet e para permbledhur ne kete album...

http://www.youtube.com/watch?v=SivFQHWQ658

Shikim te kendshem!

Saturday, February 21, 2009

Bota e Gruas Shqiptare-VILHELME HAXHIRAJ VRANARI--Publicistike-

Vilhelme Vranari

FILOZOFI SHQIPTAR ME PËRMASA BOTËRORE, PROF. DR. ISUF LUZAJ
Në 95 vjetorin e lindjes (21/2/1913 -2 /12/ 2000)






* Si e njoha veprën e Prof. Dr. Isuf Luzit
Ishte dhjetëditëshi i dytë i nëntorit 2000. Përshkoja Sheshin e Flamurit Vlorë. Mes librave në lulishten e Vlorës, më kapi syri emrin “Isuf Luzaj”. Ishte libri i tij “Gloria e çmendjes”, të cilin e bleva dhe e shfletova qysh aty, në rrugë. Në çdo fjalë e rresht para syve të mi krijohej portreti i tij i madhërishëm…E drithëruar e mbylla dhe mes vagëllimit të lotëve belbëzova:“Më fal, profesor, më fal që s’ të njoha dot më parë!” Vendosa t’i shkruaja. Për fat të keq isha vonuar. Në fund të nëntorit kthehesha nga Tirana dhe përmes radios mësova se Prof. Dr. Luzi ishte ndarë nga jeta. Diçka e brishtë, e dëlirë një dëshirë e parealizuar u thye brenda qënies sime. Kjo më bëri t’i kushtoja disa rreshta, të cilat i lexova në ceremoninë mortore që u bë në Kaninë më 2 /12/ 2000. Kalaja e lashtë e Kaninës, priti eshtrat e birit të saj, të një atdhetari të zhuritur prej mallit. Të rënda hapat e kortezhit pa fund. Njerëz të pikëlluar, kokat ulur, të heshtur si kurrë, mbanin mbi supe trupin e pajetë të Isuf Luzit, mësuesit, profesorit, doktorit, linguistit, filozofit, studjuesit, nacionalistit, birit, dhe vëllait që kurrë s’reshti së menduari vendlindjen e tij të dashur. Oh sa dhembje, sa lotë dhe ankime mbartëte me vete ai arkivol. Sillte nga larg trishtimin e mërgimtarit, që u dënua dhe e kishte të ndaluar kthimin në atdhe. Sa domethënëse dhe po aq tronditëse janë fjalët e tij: “Mirëmëngjes trishtim, Natën e mirë trishtim, Mirëseerdhe vdekje: Pa trishtim!” Dhe i vdekuri ngazëllehet prej gëzimit të shfrenuar, sepse kufoma e tij do prehet dhe do nxjerrë mall në tokën mëmë…Një mall i grumbulluar në 56 vjet…A do ta tresë dheu vallë?! Nuk ka krim më të madh se sa të të mohojnë tokën që të lindi, të rriti e të mëkoi me vlagun e saj të ngrohtë. Ky ishte trupi i Prof. Dok. Isuf Luzit të cilin brezat do ta kujtojnë me nderim dhe mirënjohje. Shpesh herë më kishte folur babai për këtë intelektual të mirëfilltë. Nuk di përse, por thellë në shpirt ruaja një veneracion për të. Tani që njoh pak nga krijimatria e tij, them se intuita ime s’paska gabuar.

*Cili ishte Prof. Dr. Isuf Luzaj?
Eshtë nder dhe kënaqësi për mua që të analizojë jetën dhe veprën letraro- shkencore të këtij intelektuali me përmasa ndërkombëtare, i cili pasurinë shpirtërore e intelektuale e vuri në shërbim të lirisë, demokracisë së atdheut, si ambassador i paemëruar i Shqipërisë. Kjo figurë e ndritur letrare dhe filozofike, ishte dhuratë e Kaninës dhe u shfaq si një diell në qiellin e vendit, duke i dhënë shtysë qytetërimit botëror.I frymëzuar nga Rilindasit tanë, ai e çoi më tej veprën e tyre. Shpesh herë, si një shqiptar i madh, citonte Abdyl Frashërin: “Sa jemi shqiptarë, jemi gjithë një farë, kemi gjithë një besë, s’kemi kurrë të ndarë!”
Të shkruash për Isuf Luzin dhe të nxjerrësh në pah vlerat e tij, duhet studiuar gjatë dhe të merret në analizë vepra e këtij kolosi që përmblidhet së paku në 120 volume. Gjithsesi unë mora guximin për të evidentuar pak jetën dhe veprën e tij.
Për njerëzit e mëdhenjë si Prof. Dr. Isuf Luzi që është kolos në filozofi-letërsi (si në prozë dhe poezi) dhe në historiografi, s’duhet lënë në harresë edhe atdhetarizmi i tij. Pavarësisht nga kapaciteti i secilit, njerëzit duhet të shkruajnë për këtë figurë, sepse diçka do t’u transmetohet brezave.
I. Luzi gjithë jetës ka pasur parimin:” pavarësisht se cila qeveri drejton, shtetasit apo qytetarët duhet të respektojnë dhe zbatojnë ligjet, dhe jo ta shohin bardhë e zi, siç ndodh rëndomë sot…”Prej këtij mesazhi mëson cilido.
-Në vitin 1997 I. Luzi dërgon një letër të hapur gazetës “Koha jonë” dhe “Kombi”, ku u bënë apel shqiptarëvwe:”Bëni kujdes me pushtetarët e sotëm, se nuk do të mjaftojnë litarët për të varur komunistët…”- kjo ishte thirrja e një anti komunisti. Qëndrimin e tij ndaj komunizmit do ta shohim se si ai është përplasur gjatë viteve 1941- 1944 e në mënyrë të veçantë me Enver Hoxhën. Kishte një arsye madhore, sepse e shikonte vendin në prag të një vëlla -vrasjeje, në prag të një lufte civile. Këto mesazhe që jepte ishin pasojë e dijeve të tij mbi historinë, përvojën kombëtare dhe historiografinë Europiane apo botërore.

*Arsimimi i Isuf Luzaj
I. Luzi lindi në Kaninë n më 21-2-1913. Shkollën fillore e kreu në shkollën e parë shqipe “28 Nëntori” Vlorë me rezultate të shkëlqyera. Kreu në 5 vite gjimnazin e shtetit në Shkodër, i cili ishte 6 vjet.
Më vitin 1931 nis satudimet në liceun “Louis Le Grand” në Francë sepse nuk i njihej diploma e normales.
Më 1933 u diplomua në letërsi dhe mori licensën për mësimdhënie.
Më 1935 çertifikohet Master Edukimi në filozofi
Më 1937 laurohet me Doktoratë në Filozofi në Universitetin e Sorbonës.
Më 1938 çertifikohet Doktor në Letërsi spanjole dhe frënge, po në Sorbonë. Duke qënë në kontakt me rrethet intelektuale të Parisit , djepin e kulturës botërore, përvetësoi greqishten, latinishten, persishten, e si rrjedhojë lexoi sociologët botërorë, duke e bërë më kërkues ndaj vetes.

*Kontributi dhe vlerësimi i I. Luzit
Prof. Letërsie frënge në Buenos Aires (Argjentinë)
-Dekoruar me Medalje Ari nga parlamenti i Argjentinës.
-Në vitin 1954 u dekorua si: “Luchator por la Paz” ose “Luftëtar për paqe”
-Më 1956 u dekorua me medaljern “Paqe”
-Viti 1964 hap epokë të re , vendi i demokracisë, Amerika i uron Mirseardhjen.
-Në vitin 1984 merr medaljen “Profesor i Amerikës” nga vetë Presidenti Regan.
-Profesor i Filozofisë në Universitetin e New Hampshire.
-Profesor i letërsisë spanjolle e frënge dhe Estetikës në Departamentin e gjuhëve moderne në Universitetet: Bert (Barat), Leik Forest, (Lake Forest) dhe Ilions (Illinois) të Sh. B.A.-Profesor i letërsisë franceze në Universitetin Jozef në Indiana.
- I është dhënë çmimi “Akademik i Shquar për Përgatitje të Përkryer i Harwardit dhe Bibliografinë” nga presidenti
-Profesor i Merituar me çertifikatën e përmasave botërore nga presidenti Klinton më 1996.
-Së fundi Shef i Katedrës sé Filozofisë në Universitetin në Iliona.
Gjatë jetës sé tij shkroi 122 vepra letrare, në historio-grafi dhe sidomos në Filozofi. Njihet si njëri prej 11 filozofëve më të mëdhenjë të shek XX-të.
VEPRA TË BOTUARA TEK NE
-Rrëfime - poezi- 1937
-Gloria e çmendjes
-Lumenjtë zbresin të kuq.
-Ekzistenca dhe boshësia
-Rindërtimi i fuqive shpirtërore
-Lamtumira e yjeve
-Përtej së mirës dhe së ligës
-Sëmundja e shekullit tonë
-Topografi labçe
Veç këtyre janë plot 120 dorëshkrime, në letërsi dhe filozofi që vit pas viti do të shohin dritën e botimit. Cili është mendimtari dhe filozofi shqiptar, që mbi 100 vepra ia kushtoi çështjes kombëtare? Ishte Isuf Luzi që jetoi në emigrim dhe eshtrat i prehen në Kaninë.
Isufi deri në grahmën e fundit të shpirtit të tij, luftoi për origjinën thrako-ilire pasardhës të pellazgëve e në kërkim të tokës amtare, deri te guri i sinorit ku shqiptohet ëmbël gjuha shqipe e Fishtës (Homerit shqiptar)
Pas vdekjes së Skënderbeut, Shqipëria u bë tymnaja osmane e cila sa vinte e shtohej. Në këto kushte pasardhësit e princit Gjergj Arianiti lundronin me shpresë drejt Venedikut. Freskia përcillte pikëllimin e tyre lëshuar mes dallgëve, dëshpërim që briza detare e përplaste në muret e kalasë së lashtë, duke mbajtur gjallë kujtimet e shekujve. Kohëtkalonin, të lara në gjak të kulluar ilir sepse rinia kërkonte të bukurën, Lirinë. Jehona e shpalljes së Pavarësisë më 1912, u përzie me gëzimin e familjes Luzaj, për pinjollin që lindi, i cili do të njehësohej me shekullin e ri, i cili u bë brenda truallit atëror i pandashëm pej tij, kurse sot obelisk i kohëve të reja. Gjatë dhe pas studimeve në Francë, Isuf Luzi duke njohur iluminizmin Francez, veprën e Volterit të madh, të Eskilit, Sofokliut, Sokratit, më pas Frojdin, Niçen e deri tek më të rinjtë si Hegeli apo Sartri u plotësua si personalitet i pajisur me një kulturë të gjërë. Kjo i dha mundësinë të marrë titullin Profesor dhe Doktor në letërsi dhe filozofi. Me një kulturë të tillë dyertë e perëndimit të ëndërruar nga shqiptarët këtë gjysmë shekulli që shkoi, për të ishin të hapura. Përvoja e shteteve demokratike dhe ajo jetësore bëri që veprën e tij ta vërë në shërbim të lirisë sé Shqipërisë. Ishte një zë që e thërriste, por që ia kishin mohuar t’i përgjigjej.
Me diplomën e dy doktoratave në xhep, zotëruesi i 8 gjuhëve të huaja, që nga latinisht, greqisht, persisht deri në ato që njohin brezat sot, ai nisi rrugën e një pelegrini. Ky poliglot me karakter nacionalist kombëtar, me përmasa botërore, tejet i etur për të kërkuar lavdinë e vendit të tij, nisi një maratonë që nga Tregtare e Vlorës, Normale e Elbasanit, Liceu i Korçës e më pas Spanjë, Argjentinë dhe në disa shtete të Sh.B.A, pjesmarrës në shumë dhjetëra simpoziume në të katër anët e globit, bëri të njohur çështjen shqiptare në botë. Autoriteti i tij prej filozofi dhe gjuhëtari, veprat e shumta, kumtesat në katedra të ndryshme të botës, duke përjashtuar Shqipërinë, e cila ishte mollë e ndaluar për të, gjeografia e gjërë kulturore që zotëronte, si dhe lufta e pandërprerë kundër komunizmit, tërhoqi vëmëndjen e perëndimorëve deri në sferat më të larta të shteteve të zhvilluara.
Prof.Dr. Luzi në veprat e tij kërkon të spjegojë, se dëmet që u sjell popujve komunizmi, nuk janë vetëm krimet, terrori, genocidi, verbimi nga deklratat ateiste, tradhëtia ndaj historisë së imponuar nga të huajt, por shkatërrimi që sjell komunizmi, është demoralizimi,degjenerimi, pluhurizmi dhe çoroditja në tru dhe në nerva të individit dhe gjithë shoqërisë, duke sjellë një seri brezash me vlera morale të vdekura. Ai donte të thoshte se komunizmi nuk është filozofi, por ideologji anti- natyrale, kundër ligjeve të natyrës, e destinuar të falimentojë sepse mbartet prej imagjinatës së sëmurë .Sipas tij, komunizmi ngelet vetëm një fushatë politike për kohën që u konceptua, që u shkrua dhe u përhap në popuj të prapambetur anakronik për qytetërimin perëndimor dhe teknologjinë moderne.
Idetë dhe mendimet e avancuara dhe bashkëkohore të Prof.Dr. Isuf Luzit gjetën shprehje dhe zbatim vetëm në vendin e Demokracisë në SHBA, ku u rendit midis 7 filozofëve më të mëdhenj të shek. XX. Nderim dhe mirënjohje për birin e Kaninës, krenarinë e kombit dhe të githë botës sé kulturuar, Prof. Dr. IsuF Luza

Thursday, February 12, 2009

Bota e Gruas Shqiptare_FLORA DURMISHI-Interviste me fotografen Mimoza Veliu

Fotografia që flet



Intervistë me Mimoza Veliun-fotografe



Mimoza, para disa ditësh, ka hapur ekspozitën me fotografi artistike me titull “Delirium”, në Galerinë e Arteve të Kosovës. Ekspozita u prit shumë mirë. U komentua nga vizitorët por edhe njohësit e mire të kësaj fushe siç është z Afrim Spahiu, Shkelzen Maliqi, Osman Demiri, e të tjerë.



Disa fjalë për Mimozën:



Mimoza Veliu, ka lindur në Tetovë ndërsa prej disa vjetësh jeton, bashkë me djalin e saj Jonin, në Berlin. Mimoza ka shumë dëshira! Atyre nuk ua di fundin. E do shumë jetën. Kërkon tri jetë se kjo nuk i mjafton per të realizuar gjithë ato që ka në plan. Për të fotografia është një pasion që dhemb. Madje i është kthyer në varshmëri.



Shikon shumë vepra të të mëdhenjve të fotografisë, sikur i përpinë ato. Dhe jo vetëm klasikët e fotografisë, shikon dhe studion edhe talentët e rinj të cilët e befasojnë me filozofinë e tyre jetësore, përmes artit të të fotografuarit.



Tash se voni ka filluar të punojë si fotografe për disa
institucione në Berlin.




Mimoza, je e kënaqur ti vetë me ekspoziten e fundit në Galerinë e Arteve në Prishtinë?




Stresi për të bindur Galerinë për të hapur një ekspozitë personale, për të bindur publikun që të vijë ta vizitojë këtë ekspozitë ka qenë kaq i madh sa gëzimi, satisfaksioni pastaj është i dyfishuar. Unë jam shumë e kënaqur me rrjedhën, jam e kënaqur me organizimin, me ndihmesën që më është dhënë me publikun. Mund të them që në vazhdën e punës sime, si fotografe, ka qenë ndër më të suksesshmet.



Ekspozita titullohet “Delirium” pse?




Më është bërë shumë herë kjo pyetje edhe për faktin e koincidencës me përmbledhjen poetike të Mimoza Ahmetit dhe them që në nënvetëdije edhe mbase jam ndikuar nga ky inspirim, mirëpo mbase edhe nuk e kam ditur dhe në momentin që më është bërë kjo pyetje thash “ua” mbase edhe është e vërtetë, nuk e mohoj! Delirium është një gjendje të cilën të gjithë, në një mënyrë apo në një tjetër, e përjetojmë në faza të ndryshme të jetës, kur dalim nga vetvetja ose i kthehemi vetvetes sepse është gjithnjë diskutabile nëse do ta quajmë dalje nga vetvetja ose kthim në vetvete këtë gjendje. Mendoj se i koincidonte edhe asaj që unë kam dashur gjithmonë të kap te fotografitë e mia, të nxjerr nga modelët e mi, ajo ndjenja e të qenit një frymë dhe jo trup, ndjenja e të qenit e c’ekuilibruar, jasht kornizave të së përditshmes, të konventave shoqërore, si do që ta titullosh. Interpretime ka të ndryshme për gjendjen e deliriumit dhe ky ishte varianti im.



Unë jam impresionuar me fotografitë e kësaj ekspozite! Ato më bënë për vete. Po ti ç’marrëdhënie ke me fotografinë?




Unë jam e lidhur shumë ngusht me fotografinë. Është resursi i dytë pas djalit tim që më jep energji pozitive, sepse jeta sjell nganjëherë edhe peripeci të ndryshme, ballafaqime me probleme të llojit të ndryshëm, të cilat nuk varen nga natyra yte, nga karakteri yt apo gadishmëria yte për t’u përballur me jetën por vijnë edhe përkundër fuqisë tënde që ke për t’i përballuar, megjithatë, njeriu në jetë kërkon një balancim. Dhe, këtë balancim, ne artistët, për fat të mirë, e kemi pak më të avancuar. Ndoshta është mendjemadhësi, nuk e di, por mendoj që ne artistët jemi të privilegjuar që e kemi këtë mundësi balanci të ndjenjave të së keqes dhe të së mirës. Unë me fotografinë, Florë, jam shumë e lidhur edhe për një fakt tjetër se fotografia më ka bërë të ndjejë më shumë vetëbesim, të ndjejë atë ndjeshmërinë e të ekzistuarit dhe të jetuarit dhe edhe një menyrë për të ju treguar të tjerëve mënyrën tënde se si ti e shikon jetën edhe për të shprehur të gjitha ëndërrat, filozofitë e jetës.



Është jeta yte në këto fotografi?



Nuk e përjashtoj që kam edhe autoportrete por shumica e fotografive të mia janë njerëz të tjerë të cilët tregojnë historitë e ndryshme të tyre, mirëpo mënyra se si unë i kam kapur këto fotografi flet shumë për jetën time. Nuk e mohoj në asnjë mënyrë se të gjitha momentet që kam dashur të kap kam dashur të koincidojnë me situata të ndryshme të jetës që unë kam pasur, i kam përjetuar, i përjetoj ose mbase do të doja t’i përjetoja në të ardhmen.



Kush eshte fajtori ose me meritori qe ti je bërë fotografe?



Kam filluar të besoj në Zot, s’kam qenë e tillë fare, por mendoj që është një fuqi që, krahas fuqisë time si artiste, më jep një shtytje. Është pikërisht ajo gjëja që më ka bërë mua të lumtur kur më ka falë djalin dhe më bën mua të lumtur kur më jep atë mundësinë për të shikuar, për të vështruar, për të përceptuar situata që ia vlen të fotografosh. Natyrisht është meritë e ytja kur arrin ose nuk arrin dicka por janë edhe ndikimet direkte dhe indirekte që njerëzit i kanë gjatë jetës së tyre. Ne ndikohemi edhe nga armiqtë, ne ndikohemi edhe nga njerëzit që ta duan të keqen, ne ndikohemi gjithmonë pozitivisht nëse duam të ndikohemi pozitivisht, nëse duam t’i kuptojmë ndikimet në këtë aspekt. Në jetë gjithnjë dua të mësoj. Jam para diplomimit. Marrja e diplomës është dicka shumë rutinë por në kuptimin të mësoj nga njerëzit dhe cdo gjëje në jetë i qasem me një dozë kurioziteti dhe dëshiroj që të shfrytëzoj rastin që nga çdo situatë e jetës të mësoj dicka.



Të kujtohet fotografia e parë më serioze që e kanë pëlqyer edhe të tjerët shumë?

Oh më ke zënë shumë ngusht, nuk e di nëse mund të përgjigjem. Mund të jetë siperfaqësore kjo që do të them por ndjenja që më është dhënë kur më është paguar fotografia e parë është ajo që unë kam thënë “ua”! Nëse jo gjithkush, po të paktën dikush, është në gjendje të vlerësojë në këtë mënyrë duke paguar me para fotografinë, ka dëshirë ta ketë në mur...



E çfarë fotografie ka qenë ajo?



Kam pasur një ekspozitë fotografish në Berlin me portrete nga Kosova, të grave dhe fëmijëve të dalë nga lufta, të mbetur jetimë. Dhe këto fotografi i pata prezantuar në Berlin. Kjo ishte hera e parë kur unë mora ofertat për të blerë fotografitë. Pra ajo fotografi ishte, kur unë, përmes dy këmbëve të ngjitura në një sfond tregoj një lloj balancimi të jetës apo situatave të ndryshme. Artistët jetojnë nga komplimentet, jetojnë nga vlerësimet dhe kjo i bënë që të ndihen mirë dhe të vazhdojnë punën.



Me çfarë aparati ke bërë fotografitë e para dhe me çfarë aparati punon sot? Nga një aparat në tjetrin të është dashur kohë të përshtatesh?



I takoj asaj pjese të artistëve që nuk janë të pasionuar pas teknikës, që nuk bëjnë luftë për të ardhur te teknologjitë më të reja apo për të ndërruar modelet më të reja që vijnë në treg. Unë jam munduar që gjithë atë energji ta harxhoj në krijimin e një origjinaliteti te unë, që të kem atë nënshkrimin tim te cdo fotografi. E kam filluar me fotografi analoge, me që në atë kohë fotografia digjitale, para 9 vjetësh ishte, në avancim, por unë gjeja aparate analoge më të leverdishme. Kjo, ndoshta sepse unë kam bërë në Berlin një shkollë njëvjeçare të fotografisë analoge dhe këtë e kishim si parakusht për të bërë atë shkollën, që të kishim një aparat analog me vete, puna në labor, zhvillimi i filmave, të gjitha. Ndërsa më vonë shikoj që puna në labor është punë shumë e bukur, është ndjenjë shumë e rrallë mirëpo që të kërkon shumë kohë dhe shumë para. Puna në labor unë them mes miqve, mes shokëve, është punë e të pasurve sepse ata e kanë edhe kohën edhe paratë. Ndërsa ne që egzistojmë nga fotografia e kemi jetën e shpejtë dhe në këtë shpejtësi ne duhet të punojmë me fotografi digjitale. Unë përdor një Kon D80 me ndjeshmëri të dritës nga 1.8 deri në ata standardet që janë 3.5 . Për momentin shikoj që për nevojat e mia, për punë ekspozitash për punë formatesh janë më se të mjaftueshme.


Ti nuk jeton në Kosovë! Po të mos shkoje në Gjermani do të ishe kjo që je sot? Kam përshtypjen se atje artistët përkrahen më shumë!

Varësisht në cfarë periudhe të jetës tënde ke dalur në këto vende. Unë për veten time ndihem e privilegjuar që kam pasur mundësinë të njihem me një kulturë të re të një populli, me një traditë shumëvjeçare, si në krijimin e shtetit por edhe fatin tjetër që unë kam shkuar atje mbi moshën 20 vjecare. Në kohën kur unë nuk kam mundur më të kaloj nëpër degradime të ndryshme të personalitetit ose asimilime ku jam në gjendje të shikoj vendin tim nga vi me sy autokritik sepse Gjermania ashtu si edhe vendet tjera të Europës të japin të gjitha mundësitë, varësisht se cilat ti do t’I shfrytëzosh. Ashtu siç ti ke mundësi të avancohesh në jetën tënde, karrierën, përsonalitetin tënd ashtu ke mundësi të shkosh vetëm mbrapshtë, sepse të flasim hapur, shqiptarët që jetojnë në Gjermani por edhe në vendet tjera të Europës nuk është se janë hapa përpara nga shqiptarët që jetojnë në Kosovë përkundrazi ata kanë stagnuar. Këtu është ajo që them unë, që duhet të dish çfarë të përfitosh nga shteti që jeton dhe jo të lejosh që të mbetesh mes dy kulturash…



Por po insistove rrugët I ke të hapura apo jo?



Deri në një masë. Do ta them me kujdes por gjermanët janë një pupull që të avancojnë deri aty sa të të shikojnë sërish nga lart!



Të flasim pak edhe për ekspozitat e tjera.

Kam 6 ekspozita personale në Berlin, një në Suedi një në Tetovë. Në të gjitha këto, përveç të fundit, kam prezantuar fotografinë reportazh, atë që unë kam sjellë gjithnjë për publikun e jashtëm nga vendi ku unë vi sepse kjo ka qenë më ngacmuese për ta. Opinioni gjerman është I interesuar, veçanërisht, të shikojë pamje nga jeta në Ballkan ndërsa në këtë ekspozitën e fundit unë mora guximin të paraqitem me fotografi artistike sepse unë e dua shumë fotografinë artistike kam dashur të shikoj se si do të priten dhe nëse unë do të duhej që në të ardhmen të vazhdoj këtë lloj fotografie.



Ke bërë edhe katalogë të tjerë nga ekspozitat që ke pasur?


Po kam edhe të tjerë nga të gjitha ekspozitat që kam pasur.



Sa vend zë femra dhe fëmijët në fotografitë e tua?


Një pjesë shumë të madhe të fotografive të mia, ndoshta nga momenti kur u bëra nënë, fillova të shikoj botën e fëmijëve me një sy krejt ndryshe, arrij të perceptoj ciltërsinë që kanë ata para kamerës dhe jovështirësitë që kam unë si fotografe për të nxjerrë këtë origjinalitet prej fytyrave të tyre sepse nga të tjerët është një cikë e vështirë përvecse të trajnuarit, modelet e mi i kam të trajnuar, janë modelë profesionalë të tjerëve është vështirë t’ua nxjerrësh më duhen 2 orë, 3 orë derisa unë të nxjerr atë që unë dua të nxjerr. Te fëmijët e kam shumë më të lehtë. Ata janë vetvetja, janë shumë origjinalë janë shumë të sinqertë.



I fotografon anëtarët tu të familjes? Janë ata personazhe të fotografive tua?

Duke mos e tepruar në asnjë mënyrë. Një ndër personazhet e fotografisë time kam edhe djalin tim. Por duke u munduar të krijoj një fotografi artistike që nuk do t’I jepte atë identitetin e të qenit djali im por do t’I japë fotografisë identitetin e një fëmije që paraqitet aty.



E di sa foto ke bërë deri tash dhe sa prej tyre nuk vlejnë?


Arti i fotografisë është si arti i pikturës apo i skulptures. Jo gjithnjë të shkon përdore dhe jo gjithnjë ka të tillë që me devotshmëri mbrojnë idenë se ajo që është shkrepur është mënyra se si është parë dhe nuk duhet larguar, ajo është art! Jo për mua nuk është art! Ajo është vetëm një tendencë për të krijuar artin.



Ç’teknikë përdor, Mimozë?


Unë përdor fotografinë bardh e zi në një pjesë më të madhe të kohës! Sepse më duket që ka një aspekt më artistik, i jep një frymë ndryshe publikut. Por edhe fotografia me ngjyra, varësisht nga situata që krijohet, dmth kur fotografia vetë ka një kolorit të madh, atëherë është gjynah t’ia heqësh atë dhe ta kalosh në bardh e zi.



Poezia është ura për të gjitha artet! Ti kalove nëpër të apo jo?



Përmes artit ne mundohemi që të nxjerrim dëshirat tona. Të nxjerrim në pah filozofitë tona të jetës dhe kjo më ka ndodhur gjithnjë edhe me poezinë! Këtë jam duke bërë edhe me fotografinë! Është një mënyrë e mirë e balancimit të jetës, mendoj që ka shumë rëndësi.

Duke kërkuar më shumë informacion për ty lexova diku edhe këtë vlerësim: “Lëvizja,dritë-hija, femra, fëmijët dhe fryma e realitetit, në të
gjitha këto, janë veçantitë e fotografive të Mimozës. Të gjitha këto,
duke kaluar nëpër syrin dhe objektivin e saj marrin vulën e kohës,
por mbi të gjitha marrin vulën e autores.”


Vula e autores - Për mendimin tim ky është vlerësim shumë i madh! A ka arritje më të madhe se sa sapo ta shikosh nje foto ta dish edhe autorin, pa e parë emrin?! Ky është synimi i çdo artisti dhe ky për mua është kulmi apo jo?

Shpresoj të jetë kështu! Unë jam shumë e lumtur që arti im vlerësohet në këtë mënyrë ky ka qenë dhe është synimi im më i madh: që ta kem unë atë vulën time! Të njihet fotografia, stili im i të bërit fotografi dhe të njihem unë si autore përmes saj.

Mimozë, faleminderit shumë për intervistën

E ndjeva veten shumë të nderuar dhe shumë të kënaqur me këtë bisedë.



Intervistoi: Flora Durmishi

Bota e Gruas Shqiptare-FLUTRA ZHUBI ZAJMI- Nje leter per nje nene poete dhe nje poezi

E nderuara z. Medije Vraniqi !


Kjo letër që po ju shkruaj , i ngjan më tepër një falenderimi për një dhuratë aq të madhe që keni ditur dhe përgatitur një vepër, të`them më tepër se kryevepër, kushtuar bijës suaj Valona.

Para së gjithash, të ngushëlloj Ty si nënë dhe mbarë familjen tënde, bashkëshortin, vëllaun dhe motrat. Dhashtë Zoti mos të keni më ngjarje të tilla. Me përkushtim i lutem të MADHIT ZOT , që shpirti i saj i virgjër , të prehet i qetë në parajsën e amshueshmërisë dhe Ju të bëheni të fortë për ti rezistuar kësaj dhimbjeje të madhe, të cilës i bashkangjitem edhe unë si dashamirëse e juaja.

Mirëpo, jeta po vazhdoka dhe duhet pranuar realitetin , sa do i dhimbshëm të jetë ai.

Në fillim e pashë ballinën e librit, që përmbante fotografinë e Valonës prej bukurosheje dhe më besoni se nga dhimbja disa ditë nuk kam mundur ta lexoj librin….

Për t’i qëndruar besnike z. Drenusha Zajmi Hoxha, e cila ma dhuroi, i shkova librit deri në fund. E falenderoj nga zemra Drenushën, që është një grua e denjë dhe personaliteti i saj nuk përshkruhet në letër, por do të mundohem me pak fjalë t’ shpreh vetëm disa prej vlerave që ka: është një bashkëshorte e mrekullueshme , një nënë e përkushtuar ndaj fëmijëve, një motër e mirë dhe një bijë me humanizëm të jashtëzakonshë m.

Vargjet e poezisë suaj , kushtuar Valonës, më pëlqyen shumë dhe çdonjërën tek e lexoja, më rridhnin lotët dhe s’mund t’i përmbaja dot. Por, aty gjeta edhe krenarinë prej një nane të qëndrueshme dhe të fortë. Andaj edhe ky qëndrim i juaji e ka vlerën e lartë, përmes së cilit qëndrim dhe veprës suaj, ju keni sjellur të gjallë Valonën mes nesh. Pra, falemnderit! Ajo vërtetë do të jetë gjithmonë midis nesh- brez pas brezi.





Me shumë respekt:

Prizren, 4 shkurt 2009

Flutura Zhubi- Zajmi


P. S. Një poezi kushtuar Valonës nga unë.





NJË DHURATË PËR TY VALONA


Do ta dhuroj poezinë time

Të gatuar mjeshtërisht nga lotët

Do ta dhuroj besën e Nënës tënde

Që mbahet burrërisht

Valona! Nëna të thërret

Shkruan emrin tënd në çdo copëz letre

Në çdo kujtim

Dhe i shmanget rrënkimeve

E të pret në anën tjetër të kohës

Aty ku ti një ditë

Do t’i lexosh shkronjat e fatit të saj….

Do t’ia ushqesh shpresën

Mes diellit dhe hijeve gjigande

Që iu rrënuan me kohën

Ditëve, netëve, javëve, muajve e viteve

Valona, Ti! Si Ajsberg i bardhë e vizionare

Kishe ëndërra shumë

Dhe në atë kohë lundroje

Në lundrën e ëndërrave bashkë me shpresat

Imagjinoje dhurata

Nga familja ose dikush tjetër…..?!

E unë si një e panjohur

Shkruaj vargje sot për Ty dhe

Ta dhuroj këtë poezi

Duke të imagjinuar

Si një bukuroshe që vallëzon

Në kolloseun e Vienës

Veshur me një fustan nusërie

Dhe pastaj kthehesh drejt meje

Duke ecur me kokën lart, krenare

Vjen afër meje e më përqafon

E unë ta dhuroj këtë poezi

Valona! Nëna të thërret!

Të kërkon dhe ngrihet mbi dhembjen personale

Eh jeta , jeta , kështu qenka

Sot, dje….nesër

Dhe pas shumë kohësh

Nënës sate do t’i duket

Se gjithmonë po dëgjon një tingull

Të zërit tënd të ëmbël

Si melodi që solohet

Mjeshtërisht në kitarë

Me një tekst të bukur e plot nostalgji

Thua se vërtetë do të fliste

Për të bukurën e të madhen tënden DASHURI.





Flutra Zhubi Zajmi ( 4 shkurt 2009)

Bota e Gruas Shqiptare-HASIBE ALISHANI BLLACA-Vargje per Ibrahim Rrugoven

Poezi kushtuar: Dr. I. Rugovës



Engjëlli me shall


U trandën malet

Lisi i madh kur ra

Lumenjtë u tërbuan

Qielli është vrenjtur,

Kudo dhimbje, lot,

Për zotin e shtëpisë,

Kurora me lule

Dje, sot, në mot

Në varrezat e Velanisë.



Aty pushon kryetari ynë

Engjëll i bekuar

I thjeshti, I urti gjithmonë

I panënshtruar…

Me shallin rreth qafe

Popullin e robëruar simbolizoj

Liri, pavarësi, demokraci

Me ngulm kudo kërkoi



Mendonim kryetari atë shall

Pavarësisë së Kosovës do t’ia fal

Nëna Terezë nëpër botë krenare

Me vëllezër krah për krah hapëron

Me Skënderbeun trimin legjendar

Me shpatë ne dorë mbi kalë

Dhe Rugovën madhështorë

Kryetarin tone të parë

ENGJULLIN ME SHALL…!








Lutemi për ty



Ngrohtësinë e prehrit të babait

Nuk e përjetove…

As këshillat e përkëdheljet e tij

I madhi Zot të mori në mbrojtje

Të pajisi me virtyte më të larta

Kombëtare, njerëzore

Për t’i dalë dheut zot

Ngrohu zemrat e trazuara

Të miliona bashkëkombësve

Të shtypur, të robëruar…

Ti, kultivues i tolerancës ,

Durimit e i dashurisë

Fitove epitetin “Simbol Lirie

Paqes e i Pavarësisë”.

Në këtë ditë feste: Shën Valentini

Me dhimbje në zemër, lot në sy

I përkulemi, Madhështisë Sate

Dhe dinjitetit Tënd – Njeri.

Prore duke u lutur për Ty…








Kryetar Unikat


Të quajtën: kryetar Engjëll

Xhorxh Washington

Gandi i Ballkanit…

Ti të gjitha i meriton



Jemi popull me fat

Që Të lindi KOSOVA

“Kryetar Unikat”

Do mbetesh

Dr. IBRAHIM RUGOVA



Hasibe Alishani- Bllaca

Prizren

Friday, February 06, 2009

Bota e Gruas Shqiptare- DRENUSHA ZAJMI HOXHA- POEZI

GRIMCA POLITIKE



( intelektuali)


Dikush vodhi jetën e dikuj

Por, bëri mirë sepse as dikushit

Nuk i kishte mbetur shpirt për të shitur

Ndaj, nuk i duhej gjë

Tani po vlerësohej më tepër se kur kish jetuar

Sot, për të po flasin mirë edhe të vdekurit.



( lideri)


Një satanë me jaka të bardha

kishte vënë në shitje dhëmbët

u ishin topitur majat nga shpatullat e forta të njerëzve

tha: as gjaku i njerëzve nuk është më si dikur

u prish, i doli vlera e boja, nuk më duhet më!

Tani po pinte lëng të importuar.



( diplomacia)


Kalonin dy prostituta përdore

dhe takuan një virgjëreshë vetëm

të parat menduan :

sa budallaqe kjo vajza që nuk njeh paratë

nxjerrur nga kënaqësia e shfrytëzimit të të tjerëve

dhe fjalët e ëmbla boshe që u thuhen

për t’i admiruar e kërkuar

E dyta mendoi të njëjtën për të parat.



( qeveria)


Mbrëmë pashë në lajmet kryesore

një kuriozitet për disa lloje pemësh

me fytyra njerëzish

që kultivohen në vendin tonë.

të kalburat qëndronin kokëpërpjetë

fuqishëm të kapura në dru, ndërsa

të shëndoshat binin në tokë

në pemën e çuditshme kishte edhe një lloj tjetër

që ushqeheshin me njëra tjetrën .



( votuesi)


E ardhmja më bëri një ftesë

për të vallëzuar e festuar bashkë

nuk mund ta refuzoja, por

ndjeja frikë se nuk i dija hapat e duhur, ndaj

e luta të kaluarën time t’i bëhej partner në ballo

të nesërmen me zgjoi fuqishëm një goditje

e sotmja po mbante kamxhikun në dorë.



( populli)


Sot kalova suksesshëm operacionin

Jam zyrtarisht i verbër,

i shurdhër dhe memec

I dhurova të gjitha shqisat e mia , me vetëdëshirë

Sa kënaqësi ,tani,

të tjerët po flasin në vend timin

Edhe dëgjojnë,shohin dhe pastaj

më udhëheqin , ndërsa unë i përcjell prapa

Kam mbajtur vetëm shqisën e të nuhaturit

nuk më duhet tjetër

orientohem nga fundërrinat .

Monday, February 02, 2009

Bota e Gruas Shqiptare-VILHELME HAXHIRAJ- ESSE DHE POEZI


Vilhelme Vranari Haxhiraj

VLORE, Shqiperi- Vlora Albania

PAVARESIA E KOSOVËS I KA RRËNJËT NGA JANINA NË PRIZREN



Po shkon një vit që KOSOVA fitoi të drejtën më legjitime, shpalli PAVARËSINË KOMBËTARE, lirinë e shumëpritur, e cila lind bashkë me njeriun. Ishte ëndrra e tyre shekullore, që u ishte mohuar me të padrejtë, për të cilën kanë luftuar, kanë kaluar kalvare vuajtjesh të pashëmbullta dhe krimesh makabre, që mbajnë vetëm një emër drithërues “Genocid shfarosës”. Përse vallë një trevë e Dardanisë së lashtë sa vetë bota, e banuar nga shqiptarë autoktonë, të një gjaku, të së njëjtës racë ilire, të një gjuhe dhe po me të njëjtat tradita me trungun mëmë, ka qenë nën sundimin serb? Asnjë shtet i huaj nuk guxon t’u japë përgjigje pyetjeve të shumta, edhe pse e di, që Fuqitë e Mëdha morën nëpër këmbë një popull të vogël, fisnik e ndoshta më të lashtin e kontinentit të vjetër. Përse e shqyen vallë, e bënë copa-copa duke i prerë 2 krahët Shqiponjës dhe e lanë një trung cung? Për ta bërë fakt të kryer shpërbërjen e një kombi vital, që e çmon lirinë më shumë se jetën, ata shfrytëzuan Krizën Lindore të fundshekullit të XIX-të, e cila u bë rrezik për cënimin e trojeve ilire. Një rol të rëndësishëm për ndërgjegjësimin e çështjes kombëtare dhe për ta penguar revanshin ndaj shqiptarëve patën Rilindasit e në mënyrë të veçantë, vëllezërit Frashëri. Djali i madh, Abdyli, për nevoja jetike ishte vendosur në Janinë qysh në moshën 18 vjeç. Gjatë qëndrimit në qytetin thesprot u shqua si personalitet politik aty nga vitet 1877, kohë kur e gjithë Lindja ishte përfshirë nga kriza e luftës Ruso-turke. Nëse nuk merreshin masat paraprake nga atdhetarët që jetonin në mërgim, Kriza Lindore ishte një rrezik serioz për Shqipërinë. Shtetet që drejtonin politikën e kohës mendonin ta zhduknin Shqipërinë nga harta gjeografike. Rreziku i shpërbëjes së Shqipërisë, bëri të mundur kijimin e Komitetit të Janinës në Maj të vitit 1877, nën kryesinë e Abdyl Frashërit. Komiteti i Janinës i dërgoi Portës së Lartë një memorandum, ku sqarohej gjendja e keqe e shqiptarëve dhe kërkonin bashkimin e trojeve shqipatare në një vilajet të vetëm autonom. Për arritjen e qëllimit Komiteti i Janinës kërkoi përkrahjen e Greqisë dhe krijimin e një aleance ushtarake anti-osmane. Bisedimet e fshehta me krerët grekë u zhvilluan në Janinë, në Korrik 1877. Greqia nuk e pranoi krijimin e një principate të pavarur shqiptare dhe ndërkohë pohoi se nuk do të hiqte dorë kurrë nga pushtimi i Shqipërisë jugore.

Në fundvitin 1877 Abdyl Frashëri (deputet i Janinës në parlamentin e II-të Osman) u zgjodh Kryetar i Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare me qendër në Stamboll. Në këtë detyrë, i përkrahur nga shqiptarët e Stambollit, ka dhënë një ndihmë të pallogaritur për të mos lejuar kurrë shuarjen e emrit të Shqipërisë. Duke nisur qysh nga fundi i shek. XVI-të e në vazhdim në Ballkan dhe në vendin tonë nisën të zhvillohen një serë kuvendesh me gjithëpërfshirje. Kundër sundimit osman ishin krijuar qysh më parë një sërë vatrash të nxehta politike ndërkrahinore, si: Kuvendi i Shënmërisë së Matit (7/11/1594), Kuvendi i Zadrimës ( 1/11/1598), me pjsëmarrje nga Durrësi, Shkodra, Kurbini, Lezha dhe Prizreni. Më 1608 në Manastirin e Moraçës pranë liq. të Shkodrës u mblodh i pari kuvend ndërballkanik, me krerë shqiptarë, serbë, malazesë, maqedonas. Më 1614 në Kuç të malësisë veriore u mblodh Kuvendi i dytë, ku si në të gjitha kuvendet e mëparshme apo të mëvonshme, si ai i Dukagjinit, apo i Dibrës, u projektua lufta ndaj pushtuesve osmanë dhe u dërguan peticione shteteve Perëndimore, ku kërkohej përkrahja e tyre. Nga 6 krerë drejtues të Kuvendit të Moraçës, 4 ishin shqiptarë. Në të gjitha këto organizma, krahina autoktone shqiptare e Kosovës ishte e përfaqësuar nga patriotët e vet. Përpjekjet për Pavarësi vazhduan sepse mbarimi i luftës ruso-turke dhe Traktati famëkeq i Shën Stefanit e copëzonin Shqipërinë duke e ndarë mes fqinjëve. Ky traktat ishte në favorin e Greqisë, që pretendonte tokat jugore shqiptare deri në Vjosë, apo Shkumbin, Më pas qarqet shoviniste greke dolën me idenë e Vorioepirit, të ndihmuar dhe përkrahur nga ndonjë bukëshkalur himariot, që i mbante flamujt e të huajve nën jastëk, për t’i ngritur nga frynte era. Madje arrin deri aty sa në fillim të shek XX-të e shet Himarën se gjoja qenka tokë greke. Për këtë njeri të paskrupullt, tradhëtar e progrek, ia si shkruan Fletorja e përjavëshme “Politika” më 23 gusht 1923: “Niko Milo një vagabond e aventurier…që shtëpia e tij në Himarë rron me thërrimet greke, nuk i mjaftoi që më 1920-21, për 10 muaj e quajti Himarën koloni greke, ose tokë kriminelash të ndarë nga gjiri i atdheut Shqiptar…por nxit popullin e pafajshëm dhe patriot të Himarës, duke i bindur se së afërmi do të vijë Greqia...U largua në Korfuz, ku prefekti i atjeshëm e emëroi Kryetar të Komitetit Vorioepiriot. I vëllai i tij në Himarë vazhdon të punojë për të huajin, duke e shtrirë ndikimin nga Palasa në Nivicbubar…”. E njëjta gjë ndodhi edhe me veriun e vendit të Shqipërisë , të cilin e pretendonte Serbia, që kërkonte t’i shtrinte kufijtë e saj jugor deri në Mat. Po këto pretendime ishin edhe për krahinat jugë-lindore dhe ato perëndimore të vendit tonë. Të shtyrë nga pozita gjeografike e favorshme, dalja e gjerë në Mesdhe përmes Adriatikut dhe Jonit, bukuritë natyrore, pasuritë e mëdha mbitokësore dhe nëntokësore kishin rritur oreksin e fqinjëve tanë. Duhet theksuar se kolonizimi i trevës së Kosovës nga sllavët ka ndodhur para pushtimit osman. Ndaj patriotët shqiptarë kërkonin që ajo të shkëputej njëherë e mirë nga çdo lloj shfrytëzimi. Pas shumë kuvendesh madje të organizuara edhe nga arbreshët e Italisë, bëri të mundur themelimin e Lidhjes së Prizrenit. Abdyl Frashëri, si njëri me më potencë dhe i vendosur për zbatimin e platformës politike të Komitetit Qëndror të Stambollit, e bëri të njohur publikkisht rrezikun aktual të Shqipërisë përmes botimit të disa artikujve në shtypin europian. Nën drejtimin e Ilias Pashë Dibrës u mblodh Kuvendi i parë i Dibrës më 1 Mars 1878, ku Abdyli ishte përfaqësues i Toskërisë dhe jugut të vendit. Më 10 qershor 1878 ai mori pjesë në themelimin e Lidhjes së Prizrenit, e para organizatë politike mbarëshqiptare brenda Shqipërisë, me program të qartë politik dhe me një strukturë organizative në të gjitha trevat shqiptare, me një organizim qëndror dhe lokal. Në Kuvendin e Prizrenit morën pjesë përfaqësues nga të gjitha krahinat, u zgjodh Këshilli i përgjithshëm me atributet legjislative dhe Komiteti Qëndror me funksionin ekzekutiv. Më 17 qershor u aprovua Statuti i Lidhjes. Më 3 Korrik Këshilli i Përgjithshëm miratoi ligjet e reja ( një kanun të ri), gjë që shënoi fitoren e Lidhjes. Në të nuk përfshihej besnikëri ndaj Portës së Lartë, por autonomi dhe kundërshtonte vendimet e traktatit të Shën Stefanit dhe Kongresit të Berlinit. Abdyli u zgjodh Kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtëme. Në Janar 1879 A. Frashëri organizoi kuvendin e Prevezës, ku u pengua shkëputja e Çamërisë nga toka mëmë. Veç të tjerash u theksua shpallja e Autonomisë në tërësinë tokësore shqiptare. Për këtë arsye në pranverën e vitit 1879 L. e Prizrenit dërgoi një delegacion nën kryesinë e Abdyl Frashërit, i cili vizitoi gjithë oborret e Europës, të Fuqive të Mëdha që mbanin peng fatin e Shqipërisë. Për aktin atdhetar të tij edhe sot këndohet kënga: “Abdyl prishe pasurinë një barrë flori…dhe Bismarku se ç’të pyeti: “Djalo nga je ti?” -Unë jam nga Shqipëria, Abdyl Frashëri. I rritur në ato male me libra në gji. Duhet të mendoni mirë ju për Shqipëri, mos e bëni copa-copa sikur s’ka njeri…” Veç paprekshmërisë së tërësisë tokësore të Shqipërisë, Lidhja e Prizrenit detyroi Fuqitë e Mëdha që Ulqini t’i jepet Malit të Zi. Nën udhëheqjen e A. Frashërit u organizua Kuvendi i Gjirokastrës më 1880, ngjarja më e rëndësishme politike pas Lidhjes, ku u vendos organizimi i Kryengritjes së armatosur. Gjatë kësaj kohe në Prizren Komiteti Qëndror u transformua në Qeveri të Përkohëshme, ose “ Kuvernë të Përdorme”, E cila drejtohej nga Haxhi Ymer Prizreni (kryetar), Zija Prishtina(sekretar), Shuaip Spahiu ( n/kryetar), Sulejman Vokshi për punët ushtarake dhe A. Frashëri për punët e jashtme, i cili ishte përfaqësues i krahut radikal. Por veprimtarisë së tyre iu kundërvu krahu i moderuar, brenda Qeverisë. Qytetet e çliruara nga ushtria e Lidhjes si: Prishtina, Prizreni, Gjakova, Tetova, Dibra, Gostivari etje, ranë në duartë e ushtrive osmane. Pushtimi i Gjakovës, Prizrenit, Mitrovicës, shënoi rënien e Lidhjes Prizrenit më 1881. Gjithsesi kjo nuk i pengoi shqiptarët të organizojnë kuvende dhe kryengritje anti-osmane. Rëndësi të veçantë kundër rrezikut austriak, ka kuvendi i Farizajt që u mblodh më 20/7/1908, nën udhëheqjen e Bajram Currit dhe Isa Boletinit. Kurse më 21-25 maj 1912 u mblodh Kuvendi i Junikut , i udhëhequr nga Hasan Prishtina (ish deputet në Prlamentin e Stambollit.), ku u vendos për Kryngritjen e përgjithshme 1909-1911, e cila përfshiu gjithë vendin, nga Kosova deri në në Gjirin e Artës.

Kuvendi që shpalli Pavarësinë Kombëtare ishte ai i Vlorës nën drejtimin e Ismail Qemalit. Më 28/XI/ 1912, ku morën pjesë përfaqësues nga gjithë Shqipëria. Qeveria e Vlorës përbëhej me anëtarë nga të gjitha krahinat shqiptare. Ndërsa qeveria merrte masa për krijimin e shtetit të parë shqiptar, në Trieste zhvillonte punimet Kongresi (mars 1913) për kufijtë e Shqipërisë që përfaqësohej nga shqipëtarë. Kurse ato që i vunë vulën, ndarjes së Shqipërisë në copa-copa, duke ndarë nga trungu mëmë, Kosovën, Çamërinë, Plavën, Gucinë si dhe trojet e banuara nga shqiptarët në Malin e Zi e Maqedoni, ishin Konferenca e Ambasadorëve në Londër. Kështu Kosova përfundoi nën sundimin e Republikës Federale Jugosllave. Ka aq shumë ngjarje historike sa do të duheshin volume të tëra për të përshkruar egërsinë e sundimit serb ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe përpjekjet e tyre shekullore për Pavarësi Kombëtare.

Por ajo që shënoi domosdoshmërinë e ndarjes së Kosovës nga Serbia, kanë qenë 10 vitet e fundit. Genocidi që u përdor ndaj shqiptarëve trima, të cilët kanë kërkuar të jenë zotër të fateve të tyre, të tokës mëmë, të pasurive përrallore të nëntokës me qymyrguri dhe minerale të rralla. Në kujtesën e çdo shqiptari do të ngelen mjaftë figura të shquara kosovare, si ajo i Binak Alisë, udhëheqësi i kryengritjeve antiosmane në fillim të shek -të XIX? I madh dhe i vogël i njeh Azem dhe Shote Galicën. Kush nuk e kujton trimin e Kaçanikut Idriz Seferi, që lufoi kundër osmanëve, serbëve dhe bullgarëve? A mund të harrohen vallë ata lumenjë gjaku të shqiptarëve të pafajshëm ndër shekuj? Kujtesa njerëzore ruan vrasjet makabër në kope sikur të ishin bagëti, duke i hedhur në një gropë të përbashkët, ku përfshihen mijëra varre paemër?! A mund të harrojë nëna djalin që ia vranë para syve duke e lënë qyqe me duar në gji? A mund të harrojnë fatin e tyre të zi sa e sa vajza dhe nuse të reja, të ngelura në mëshirën e fatit? Askush nuk mund ta harrojë heroin legjendar ADEM JASHARI dhe zhdukjen barbare të familjes së tij. A e di bota vallë se sa e shenjtë është familja për shqiptarin? Si mund ta krahasojnë Genocidin e ndjekur ndaj shqiptarëve të Kosovës, në krahasim me holokaustin nazist, në raport me numrin e popullsisë? Mjaftë, nuk mbante më kupa. Kosova nuk e duronte dot më dhunën dhe robërinë.

Këmbanat e fitores së Prishtinës trokitën fuqishëm, sepse e gjithë bota që do paqe dhe mirëkuptim mes kombeve, gjithë faktori politik ndërkombëtar, SH.B. A. dhe B.E e përkrahën fuqishëm Pavarësinë e Kosovës. Paçka se ende kundërshtojnë Serbia, Rusia apo Qipro. Si duket kanë harruar se iku koha e sferave të influencës së ish Kampit socialist. Si ndër shekuj, kur rrënjët e lirisë u mbollën nga Janina në Prizren, edhe tani shqiptarët qëndrojnë përkrah njeri-tjetrit.Pavarësia e Kosovës, si domosdoshmëri e ruajtjes së rendit e qetësisë në Ballkan e në rajon, sot ka hapur dyert drejt integrimit. Si një urëlidhëse mes krahut të shqiponjës me trungun mëmë, do të shërbejë rruga Durrës-Prishtinë. Kjo rrugë do të shërbejë si lidhja shpirtërore mes shqiptarëve të ndarë për gati një shekull, integrimin e të dy anëve drejt zhvillimit ekonomik, kulturor dhe historik. Shtylla vertrebrale e kombit më të lashtë të Europës, do të plotësohet, kur krahu i dytë i Shqipes, Çamëria,do të fluturojë e lirë. Ndaj me të drejtë uroj:”GËZUAR NJË VJETORIN E RILINDJEN SË DYTË TË PAVARËSISË KOMBËTARE, KOSOVË!”






Poezi Kushtuar Kosovës

KRAHËT E SHQIPES
-Kosovës martire-

Dy krahët Shqipes ia prenë barbarisht,
pamëshirë në copa e ndanë dhe e përçanë…
E trupi i të shenjtës “Mëmë” u la në gjak,
Kaoni, Thesproti, Dardani dhe sa e sa…
thirrën njëherësh fisnikët ilir anembanë:
-Ngrehuni o burra, kudo që jeni,
Sot Shqipja mëmë, e plagosur na thërret:
“- Ndër shekuj plagë të rënda kam marrë,
as vet s’e di si kam ngelur ende gjallë
nuk dua hakmarrje, urrejtje dhe mëri.

Shqipja të fluturojë kërkon vetëm liri,
ndaj edhe sot nuk dua të merrni hak.
mjaft me luftë, me mllefe dhe kërbaç,
Në Kosovë s’ ka prag të mos jetë larë në gjak
një foshnjë të dëlirë, një djalë a një vajzë e vranë,
apo një vatër e shuan pa nam dhe nishan.

Vdekja për liri për ta ishte me mjaltë,
edhe pse mbyllën një derë, shuan një vatër,
nuk ndizet më zjarr e s’del më tym në oxhak,
por kurrë mos harroni të parët tuaj krenar,
atdhetari dhe vëllazërim kishin në plan të parë.
Kosovë martire! Hidhi sytë mbi flamurin kuq e zi,
me gjak ilir është endur, përmes territ të zi,
Shqipja as ka vdekur dhe as vdes kurrë,
se për shqiptarin nuk ka vlerë jeta pa liri...!”
17-12-2007

49- GËZUAR RILINDJEN E DYTË, KOSOVË!
S’ gjej dot fjalë gëzimin ta shpreh,
sa shekuj lufte për një botë të re!
Sa ëndrra u thurën në lumenj gjaku
rënkoi trualli,
u drobit i riu…
lëngoi plaku…!
U ngrit Rugova dhe Pavarësinë uron:
“Gëzuar për jetë e mot, o mëmë Kosovë!
Drithërohet poeti, një pikë loti i rigon,
kur toka e vetë dhe shkëmbi gjak pikon…”
Thërret e këlthet sa gjithë bota dëgjon:
-Nga Prekazi po vjen Adem Jashari,
heroi legjendë, me gjak shqiptari.
ka në dorë flamurin e Shqipes kuq e zi,
mbërrin në Prishtinë e gjen simbolin e ri!
Ulet në gjunjë dhe puth tokën gjaklarë,
i përulet flamurit me nderim atdhetari,
prej shpirtit të sfilitur dy fjalë i dalin:
“Ta gëzojë Pavarësinë Kosova mbarë!
Buzë e zemër më dridhen dhe syri më qan…
vëllezër, mos më koritni, prej gazit e kam.
Uroj vëllazërim,
dinjitet kombëtar,
fat e mbarësi
kudo që ka shqiptarë!
17/ 2/ 2008 ora 16-oo


*HAPMA ZEMRËN, O NËNË!

Me krenari ty të falem,
Kosovë!
Para teje në gjunjë
përulem o nënë!
Nderim…
mirënjohje…
përkushtim…
për shekuj të tërë!

Mbështetur kokën ,
në prehërin tënd,
hapma zemrën,
më bëj pak vënd.

Kosovë!
O bijë martire…
Lejomë,
që mallin të ta shuaj
Për djemtë e vajzat lastarë,
që as jetën s’e kursyen
po për ty, o nënë, e dhanë.

Kosovë!
O bijë e Shqipes krenare,
përse shekujt të drobitën?
Luftrat…
hallet…
dhe dertet të rritën,

Kosovë!
Më fut në gji ti, o mëmë,
Me ledha…
ngrohtësi
e dhembshuri…
të t’i shëroj plagët
e shpirtit tënd!

Ndaj, hapma zemrën
e më bëj pak vend,
qetësinë ta gjej
në kraharorin tënd!