Tuesday, April 28, 2009

Bota e Gruas Shqiptare-MIMOZA DAJCI-pershkrim

Në ndihmë të moshës së tretë

Nga Mimoza Dajçi New York
Qendra e Menaxhimit dhe Kujdesit Gjithëpërfshirës (Comprehensive Care Management ose CCM) si koncept ka ardhur nga On Lok, një program i komunitetit kinez të San Franciskos. Prindërit dhe gjyshërit e komunitetit ishin bërë problem sepse fëmijët e tyre ishin në punë dhe nuk kujdeseshin dot për ta gjatë gjithë ditës. Kështu komuniteti mblodhi para, krijoi programin ON LOK dhe mori në punë një mjek dhe disa ndihmëse të cilët kujdeseshin për të moshuarit në një qendër te caktuar gjatë ditës dhe në darkë i çonin në shtëpi. Suksesi i këtij modeli ishte kaq i madh saqë qeveria federale e adoptoi për komunitete të tjera. Përfitimi ishte i gjithanshëm, sepse të moshuarit ishin në gjendje të vazhdonin jetesën nëpër shtëpitë e tyre, familjarët nuk detyroheshin më të humbnin punën ose të linin pas dore jetën e vet për t'u kujdesur për ta, dhe qeveria kursente paratë, pasi qëndrimi në azil kushtonte mesatarisht $5,000-$8,000 në muaj, ndërsa programi kushtonte shumë më pak.
Forma më e zhvilluar ishte programi i PACE të cilin e adoptoi CCM-ja. Sot CCM ka 15 qendra shpërndarë në 5 lagjet e New York-ut si edhe në Westchester, Nassau and Suffolk. Këto qendra kanë mesatarisht nga 100-150 anëtarë secila, si edhe mjekët, infermieret, punonjësit socialë, terapistët, ndihmëset dhe shoferët që kujdesen për ta. Programi është i paguar plotësisht nga Medicaid dhe Medicare. Çdo anëtari i caktohet një mjek, infermiere, ndihmëse, punonjës social dhe terapist për nevojat kryesore. Nëse del nevoja për mjekë specialistë si kardiologë, ortopedë, neurologë etj, CCM ka një rrjet të gjerë specialistësh me përvojë. Gjithashtu ka në dispozicion transport për takimet mjekësore, si edhe mjete mjekësore që i duhen p.sh. bastun, karrige me rrota, syze, proteza etj.
Një pjesë tjetër e programit është CCM Select, e cila i lejon anëtarët e vet të mbajnë mjekët që kanë, por u ofron atyre kujdes shëndetësor ekstra si p.sh. infermieren që i viziton çdo muaj, ndihmësen në shtëpi, transportin, terapinë etj. E mira e këtyre programeve është që jo vetëm përmirësojnë jetën e anëtarit por edhe lehtësojnë barrën e familjarëve dhe i bëjnë ata të ndihen më të qetë.
Rregullat e pranimit:
1. Duhet të kesh ose të plotësosh kushtet për Medicaid.
2. Duhet të jetosh brenda zonës së shërbimit (NY metro, Nassau, Suffolk and Westchester County)
3. Duhet të kesh sëmundje kronike dhe nevojë për kujdes të vazhdueshëm shëndetësor (p.sh. diabet, reumatizëm, tension të lartë etj)
4. Mosha e pranimit është 55 vjeç e sipër për PACE dhe 18 e sipër për Select.
Në stafin e kësaj qendre tani për tani janë 2 punonjëse shqiptare, Blerta Alikaj si Përfaqësuese e Programit Mjekësor e Administrativ për tërë New York-un, dhe Esma Jaubelli, koordinatore e pacientëve shqiptarë në Bronx. Po ashtu pjesë e saj është bashkëpunimi me mjeken shqiptare, Dr. Evia Nano, e cila u shërben anëtarëve të programit në Bronx.
Së shpejti, planifikohet që Dr. Nano të fillojë të shohë edhe anëtarët në Ridgewood, Queens. Qendra në Seneca, Ridgewood, do të ketë një koordinatore shqiptare gjithashtu, në mënyrë që të mos mungojë kujdesi në gjuhën amtare. Interesimi dhe kujdesi i personelit shqiptar pranë kësaj qendre është shumë i veçantë e për tu admiruar jo vetëm për pacientët shqiptarë por edhe të huaj. Përveç drejtuesve te lartë të CCM-së, me konsideratë të lartë për Dr. Evia Nanon, Blerta Alikaj dhe Esma Jaubellin, flasin edhe vetë pacientët shqiptarë, të cilët kanë gjetur tek ato respektin, shërbimin e kujdesin e duhur shëndetësor e social.
Aktualisht, CCM ka 22 anëtarë shqiptarë shpërndarë në Bronx, Queens dhe Brooklyn.. Të gjithë janë tepër të kënaqur dhe mezi presin të vizitojnë qendrat dhe të takojnë miqtë që kanë bërë aty.
Gjithsej, CCM kujdeset për përafërsisht 3500 veta në vit shpërndarë në tërë New York-un.
Ngritja e këtyre qëndrave për kujdesin e përgjithshëm shëndetësor për moshat e treta dhe moshat e reja me probleme shëndetësore janë kurdoherë një shëmbull i mirë që duhet marrë në konsideratë e duhet aplikuar sa më parë si në Shqipëri, Kosovë e më gjerë. Prandaj i del për detyrë të gjitha organizatave jo qeveritare qofshin në Amerikë, Shqipëri, Kosovë e në trojet e tjera shqiptare që të merren me menaxhimin e shëndetit mjekësor duke u mbështetur në eksperiencën amerikane aq më tepër që janë vetë disa bashkëkombase shqiptare të Amerikës që kanë fituar përvojën e duhur në këtë drejtim.
Gjatë bisedës me përfaqësuesen e këtij programi Znj. Blerta Alikaj mësuam se ajo ishte e gatshme të kontribonte për ngritjen e këtyre qendrave mjekësore kudo e në çdo kohë që ato mund të hapeshin. “Sigurisht që nuk është e lehtë – thotë ajo - por dëshira për të punuar, e për të bërë diçka të mirë për vendin e popullin, do të japë sadiksfacionet e veta në të ardhmen”. E më pas ajo shtoi “Sigurisht që edhe unë jam e gatshme të jap ndihmesën time dhe njohuritë e fituara për t’i vënë në dispozicion të vendit tim, ku u linda, u rrita ashtu edhe për Kosovën tashme të Pavarur e që do të kem gjithmonë një mall të pashuar”