Saturday, July 25, 2009

Bota e Gruas Shqiptare-Vilhelme Vranari Haxhiraj -esse

Vilhelme Vranari(Haxhiraj)

VLORË: NJË MEMORIE E HISTORISË SONË TË MOHUAR

KUJTOHEN ME NDERIM DHE DHEMBJE 1400 BIJA DHE BIJË TË VLORËS QË U VRANË
DHE U BURGOSËN NË BURGJET E DIKTATURËS

Po e nis shkrimin me këto vargje kuptimplote, të cilat janë sentencë e romanit “Dilema e së nesërmes”,

MOS HARRO!...

Kurrë mos harro!
Ne të gjithë kemi një vatan,
lindëm nga e njëjta baltë!
Si unë edhe ti, për herë të parë
shqiptuam fjalët: “Nënë dhe babë”.

A e mban mend?
Sa herë kujtonim të parët tanë,
të habitur njëri-tjetrit i thamë:
“Qënkemi një fis e një farë,
pa u njohur desh u vramë?!...”

Kujtohu!
Jo ne! Kurrë ne!
Koha bastarde na ka ndarë,
për të kënaqur të pangopurit lakmiqarë.
Lodër e kujt jemi bërë vallë?

Më urren sikur të kam vrarë,
Më sheh vëngër e tërë inat,
sikur kërkon të marrësh hak.
Bota mizore, bota e përdalë,
me ne a nuk është ngopur vallë?!

Mos harro!
Nëna nuk i do fëmijët të ndarë!
Prej drobitjes zemra i pikon gjak.
Mos harro të më buzëqeshësh pak!
Zgjatma dorën që të ecim bashkë!

Nga këto rreshta, çdo individ, i majtë, i djathtë, apo i qendrës, është në gjendje të bëjë një analizë të mirfilltë, jo të njëanshme. Kur janë probleme kombëtare kardinale, kur bëhet fjalë për bashkim dhe jo për rindarje klasore njëanshmëria është e dëmshme. Ndaj le të shërbejë si kujtesë për këdo se kemi lindur në këtë tokë dhe historinë e kemi gdhendur të gjithë bashkë papërjashtim.
Për gjysmë shekulli diktaturë u tjetërsua historia, u zhvat prona, u vodh identiteti shekullor i familjeve fisnike, u mohuan vlerat njerëzore dhe mbi të gjitha individi. U gënjyen brezat me një histori të gjymtuar, të gënjeshtërt, të njëanëshme dhe tejet të politizuar. Për gabimin e një individi apo të një fajtori të pafaj u dënua një familje, një fis, u mohua një krahinë dhe u lanë në harresë, me dashje duke mos u përfshirë në historinë tonë kombëtare. Ky dallim klasor i ndau shqiptarët në “atdhetarë” dhe “armiq të betuar” të tokës që i lindi. Mos vallë ishin bijë të një planeti jashtëtokësor? Me ç’të drejtë ua mohonin pronën e tyre, që ishte atdheu që i lindi dhe i mëkoi me dashurinë për tokën, për njerëzit dhe gjuhën? Dashuria amtare bëri që ata të vinin shenjën e barazisë mes lirisë dhe jetës. Si në gjithë vendin edhe në Vlorë dhe rrethinat e saj, ndodhi e njëjta gjë me gjysmën e popullsisë. Mes këtyre njerëzve që u gënjyen dhe u flijuan, mes këtyre luftëtarëve të lirisë dhe demokracisë së vërtetë, që u vranë e u sakatosën, u burgosën, familjet ua internuan, u mohuan profesionin, këto ditë kujtohen me nderim dhe dhembje 1400 vlonjatë të harruar.
Pikërisht atë detyrë që nuk e bën historianët, po e bën një grup qytetarësh të mirë vlonjatë. Ata janë njerëz të thjeshtë. Nuk janë Akademikë, as doktor shkencash sociale apo juridike, as me detyra shtetërore, por me përgjegjësi morale qytetare që ia vlen të admirohen. Ideator i kësaj pune,që e quaj si një ringjallje e jetëve të varrosura, rilindje e jetëve të mohuara, dergjur burgjeve dhe internimeve, ishte qytetari fisnik, z.Shaban Xhyheri. Ky qytetar i urtë, i moshuar, në prag të nëntdhjetave, i cili mbart qytetari, kulturë dhe atdhetari, po realizon atë pjesë të mohuar të historisë së Vlorës, e cila është e pandashme nga historia kombëtare. Puna e kryer me një vullnet dhe përkushtim të jashtëzakonshëm, e të gjithë grupit të punës, bëri të mundur që ditën e mërkurrë datë 22, në qytetin e Vlorës të çelet ekspozita fotografike e të vrarve dhe të burgosurve politkë nga dikatura komuniste.
Nuk janë pak, por 1400. Vetëm të pushkatuar apo të varur janë 425, nga të cilët 14 janë gra. Kurse 980 janë të burgosur, nga të cilët 52 kanë vdekur në burgje, duke e rritur varrezën gjigante të kombit më të lashtë të kontinentit. Shumica e tyre u vranë dhe u burgosën në kope. Dënimi kolektiv, shpikja e “madhe”e diktaturës më të egër që ka njohur njerëzimi, shfarosi palcën kurrizore të kombit; fisnikërinë dhe intelektualët. Ndërsa duartrokiste Hamletin, Demoni me penën e ngjyer në gjak shqiptari, nënshkruante vdekjen, burgosjen dhe internimin e rinisë, segmentit më vital të kombit.Truri i kombit u varros në këneta, kanale, miniera dhe aerodrome, duke u kthyer në shtretër gjarpërinjësh a fole mushkonjash. Për gjysmë shekulli, Shqipëria, Parajsa ku kanë folenë Perënditë, u shndërrua në një burg, ku kishte vetëm roje dhe të burgosur. Me zakon, a me ligj, çdo kufomë ka të drejtën e një copë toke, ku të prehet. Por Shqipëria e bukur dhe e pasur, veç tejet e vuajtur dhe e varfër, u shndërrua në një varrezë gjigante mbushur plot me varre pa emër, ku mes tyre u dergjën edhe këta dragonj.
U mohuan këta bijë të një klase fisnike, që në shekuj, ka qenë palca e kombit dhe pati vlerat e saj të pazëvendësueshme si në politikë, ekonomi dhe kulturë. Vrasjet dhe dënimet sollën ndarjen e kombit më dysh, në dy klasa armike,. Si pasojë lindi urrejtja dhe hakmarrja. Krimet u bënë vetëm për të mbajtur në këmbë sa më gjatë kolerën komuniste, një shtet të pathemelt. Pas rënies së diktaturës, shkaktarët e shfarosjes masive, të urisë e mizeries, të luftës klasore “u gjykuan”, ndërsa ata, apo bijtë e tyre nisën të drejtojnë shtetin e ri demokratikë. Sa për të qeshur dhe njëkohësisht për të qarë. Kriminelët duheshin dënuar për genocid dhe jo për kafe e metrazhe. Duke e marrë këtë shfarosje, për numër popullsie, kam bindjen se është shfarosja më e madhe e shekullit. Sepse e njëjta gjë u ndoq edhe ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë dhe ndaj shqiptarëve të Kosovës nga komunizmi serb. Kurse brenda territorit mëmë, këto krime u bënë jo nga i huaji, por nga vëllezërit e një gjaku. Thonë me gojë, se e pranojnë krimin dhe padrejtësinë që i është bërë gjysmës së shqiptarëve, por në këto vite demokraci, persekutorët, as u penduan dhe as kërkuan falje, sepse nuk e njohin veten si të tillë.
Historianët kanë shumë përgjegjësi në mohimin e fakteve reale. Janë faktor për përçarje dhe luftë klasore, e cila e ka dëmtuar Shqipërinë. Komunizmi e varfëroi shqiptarin jo vetëm materialisht, por edhe mendërisht. Kurse mosmarrëveshjet mes shqiptarëve, u rritën oreksin qarqeve shoviniste të fqinjëve. A ka dobi kombi nga grindjet dhe urrejtjet?!
Po i drejtohem Presidentit dhe Qeverisë shqiptare, se mes këtyre fisnikëve që i morën zvarrë, ka plot individë që japin vlera me profesionalizëm, ndoshta japin më shumë se bijtë e atyre që dje ua mohuan vlerat, madje edhe fizikisht, kurse sot na drejtojnë. Tashmë ata vlerësohen me tituj, u jepen pensione të posaçme apo emërohen në vende me rëndësi. Integrimi i të harruarve a nuk duhet të vlerësohet? Rivlerësimi i viktimave të komunzmit, kthimi i pronës pronarëve legjitim dhe dënimi i krimeve të komunizmit, janë domosdoshmëri e shtetit Demokratik.
Historianët duhet t’u drejtohen jetëve dhe aktivitetit të këtyre shqiptarëve të mohuar që janë memoria e gjallë e historisë sonë. Brezat duhet t’i njohin të dy anët e historisë sonë të pashkruar dhe të shtrembëruar. Atdhetarizmi nuk njeh ngjyra politike. Pavarësisht nga bindjet, të gjithë jemi shqiptarë, vëllezër të një gjaku dhe jemi autoktonë në këto troje. Kemi nevojë për vëllazërim e dashuri dhe jo për përçarje e urrejtje. Kjo ekspozitë është një memorie historie, e cila këlthet: “Politikanë, qeveritarë, gjyqtarë dhe prokurorë, mos lejoni tragjeditë të përsëriten!”


EKSPOZITA FOTOGRAFIKE E TË MOHUARVE POLITIKË DËSHMON:
” ATA U RILINDËN PËR TË MOS U HARRUAR KURRË!”

Deputeti dhe kryetar i PD. Vlorë, Ardian Kollozi,
premtoi se Ekspozita do të ketë një dhomë të përhershme

Më 22 korrik, në orën10-oo, në ambientet e Universitetit “Ismail Qemali”Vlorë, u çel ekspozita fotografike e të pushkatuarve dhe burgosurve politikë .Ishte një takim me pjesmarrje të gjerë të familjeve të viktimave, të afërmve të tyre si dhe miq e të ftuar. Aktivitetin përkujtimor e nderuan personalitete si Kryetarii Qarkut Vlorë z.Agron Sharra, Sekretare e prfekturës, zj Dorote Konomi, Kryetari i P.D Vlorë z.Ardian Kollozi, Deputeti Dashamir Tahiri. Gjithashtu auditorin e nderuan me pjesmarrjen e tyre dhe personalitete nga Tirana si: Drejtor i Institurit të Inegrimit të të përndjekurve politikë, z. Simon Miraka;Kryetar i Partisë së Ballit KOmbëtar, z.Adriatik Alimadhi; Kryetar i shoqatës sé të pëndjekurve politikë të Tiranës, z. Skënder Qëndro; Historiani z. Uran Butka etje…Ishte një aktivitet i suksesshëm, që pati rëndësi të veçantë, sepse nxori në dritë 1400 burra dhe gra që luftuan e nuk u vlerësuan; që u vranë për liri –demokraci dhe u mohuan si pjesë e historisë kombëtare.ishte kjo arsyeja qëekspozita u çel në praninë e disa mediave vizive. Pas himnit të Flamurit dhe një minutë heshtjeje në nderim të atyre jetëve të mohuara dhe të harruara, përurimin e ekspozitës, e çeli ideatori dhe nismëtari që punoi për muaj të tërë, z.Shaban Xhyheri, i cili pasi përshëndeti pjesmarrësit, familjet e viktimave, miqë e të ftuar,tha: “Jemi sot këtu të pranishëm, me një nderim të thellë dhe me dhembje, për të çelur ekspozitën fotografike në kujtim të këtyre 1400 shqiptarëve të vërtet, që na vështrojnë të heshtur përmes fotografive. Por sot ata u ngritën nga gjumi i rëndë i harresës historike, ndodhen mes nesh më të gjallë se kurrë ndonjëherë. Kanë ardhur të çmallen me ne, me të afërmit që u kanë munguar. Ishte një takim shumë i vonuar, por jo për fajin tonë.
Si mijëra e mijëra shqiptarë që u sakrifikuan për liri, edhe këta 1400 të rinj e të reja, burra dhe gra, u flijuan për liri-demokraci. Ndaj diktatura komuniste i vrau, i burgosi, i varrosi për së gjalli, i internoi, i dhunoi moralisht dhe fizikisht nëpër biruca dhe burgje, nëpër qelitë më të ngushta se varret dhe më të ftohta se vdekja, sepse ata donin drejtësi dhe sepse ishin dhe ngelën antikomunist.
Të nderuar miq! Për të vënë në dukje, për t’u njohur opinioni mbarë vlonjat dhe botëror me sakrificën e tyre sublime deri në mohimin e jetës së tyre të re, është bërë një punë e madhe nga një grup nismëtar i përkushtuar, dhe me një vullnet të jashtëzakonshëm.Ndaj si më i moshuar që jam ia vlen t’i falenderoj.
Këta zotërinj janë: Shaban Xhyheri, Shpëtim Sharra, Fahri Shaska, Bahri Çeprati, Kujtim Sadiku, Arianit Hoxha, Adif Shenaj, Dero Murataj, Hajdar Saçaj dhe Qani Xhaferi.
Veç fakteve dhe fotografive ne kemi bërë edhe një punë të madhe me median vizive dhetë shkruar, të cilët i falenderojmë. Me median si brenda dhe jashtë vendit është marrë zj.Vilhelme Vranari Haxhiraj! Sa për fillim,veç fotove tëvëna nëstenda, ne e kemi plotësuar edhe me Pamje filmike nga burgjet komuniste, apo në qelitë dhe në hetuesi. Gjithashtu kemi shkëputur citate tëgoditura nga trilogjia Vështroni Meduzën e shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj.
Ekspozita jonë e deklaroj të çelur. Ekspozita do të qëndrojë e hapur dhe ju lutem ta pasurojmë me foto të tjera, me kujtime, ditarë, apo sende që kanë qenë personale të viktimave ! Ju faleminderit për pjesmarrjen dhe vëmendjen!
Më pas e mori fjalën z.Fahri Shaska, i cili vuri në dukje luftën dhe përpjekjet për liri të këtyre njerëzve, të cilët u trajtuan si armiq të kombit dhe jo si luftëtar lirie.
Kurse Vilhelme Vranari –Haxhiraj- me një ESE paraqiti dhembjen dhe pasojat e diktaurës komuniste,luftës më çnjerëzore të klasave, e cila humbi çdo vlerë humane dhe këto foto të heshtura, ku secila simbolizon një jetë të harruar, tëdiskriminuar, sot kërkojnë vetëm faljen nga persekutorët e tyre. Kjo ekspozitë është një kujtesë historike për brezat, që kurrë të mos lejojnë tragjeditë të përsëriten.
Në fjalën e tij, historiani dhe studiuesi, z. Uran Butka, ekspozitën e quajti një punë shumë të madhe, dhe me vlerë,gjë për të cilën falenderoi grupin e punës dhe premtoi se do të jape ndihmesën e tij për të realizuar një film dokumentar. Ky lapidar që ju përuruart sot, ia vlen të quhet plotësim i historisë me atë pjesë të munguar të saj.
Ndërsa z.Simon Miraka, veç punës së mrekullueshme që është bërë ,theksoi se nga kjo ekspozitë duhet të marrin shembull gjithë qarqet e vendit,madje edhe Tirana që nuk ka arritur të bëjë diçka të tillë.Këshilla e tij ishte për arsimimin e fëmijëve,sepse Shqipërisë i duhen njerëz të mësuar nëpër universitetet më në zë ,t ëpërvetësojnë gjuhë të huaja që të jenë të zotët për t’u ballafaquar me këdo dhe të jenë të aftë profesionalisht për të.për të ndërrtuar Shqipërinë demokratike, shtetin e së drejtës.
“Kjo ekspozitë përkujtimore, është më e pakta që mund të bëjmë për këto jetë të mohuara, të sakatosura që ju sot i ringjallët,-theksoi kryetari i shoqatës së të përndjekurve politikë Tiranë, z. Skënder Qëndro. Ai porositi që ekspozita duhet të mbahet hapur që të vizitohet edhe nga të rinjtë .Brezat duhet t’i mësojnë me fakte krimet që ka bërë diktatura komuniste, sepse xhelatët nuk e njohin pendesën ,ndaj nuk dinë as të falin. Punën e mrekullueshmee tëkomisionit ,e përshëndeti Kryetari i qarkut Vlorë z.Agron Sharra, Kryetari I Partisë së Ballit Kombëtar për Shqipërinë, z.Adriatik Alimadhi,dhe Deputetët: z. Ardian Kollozi dhe z. Dashamir Tahiri. Z. Ardian Kollozi edhe si kryetar i Partisë Demokratike Vlorë, Vlerësoi punën e vyer premtoi se ekspozita do të qëndrojë hapur duke e vendosur në një ambient tjetër të përshtatshëm.
Së fundi Shaban Xhyheri, ekspozitën e deklaroi të çelur. Ekspozita do të qëndrojë e hapur dhe ju lutem ta pasurojmë me foto të tjera, me kujtime, ditarë, apo sende që kanë qenë personale të viktimave ! Ju faleminderit për pjesmarrjen dhe vëmendjen!Pas vizitës së stendave nga miqtë, familjarëtdhe të ftuarit, në munitor u paraqit çdo stendë me të burgosurit dhe të pushkatuarit sipas fshatrave. Ekspozita vazhdon të vizitohet gjatë gjithë ditës. Le të shpresojmë se planet që ka grupi të realizohen vetëm se duan mbështetjen qytetare dhe të pushtetit.Secili largohej nga ekspozita me shprehjen:”I Paharruar qoftë kujtimi i tyre!”


Vilhelme Vranari (Haxhiraj)
VIKTIMAT E KOMUNIZMIT SOT KËRKOJNË VETËM FALJE NGA PERSEKUTORËT…

EKSPOZITA E VLORËS KËLTHET: “JU TË RINJ, MOS LEJONI TRAGJEDITË TË PËRSËRITEN!”
Fjala e mbajtur në çeljen e Ekspozitës
Të nderuar familjarë dhe të afërm të viktimave të genocidit komunist!
Të nderuar miq dhe të ftuar!
E ndiej veten të privilegjuar dhe të nderuar që në këtë tubim historik, komisioni i punës i kësaj ekspozite, më dha mundësinë që të shpreh mendimin tim modest për këtë ringjallje të historisë sonë të pashkruar.
Së pari përgëzoj dhe falenderoj ideatorin dhe nismëtarin e ekspozimit të këtyre figurave të harruara, z.Shaban Xhyheri, që kërkon të vë në piedestal vlerat morale, qytetare, intelektuale dhe atdhetare të çdo vlonjati. Për këtë të moshuar të urtë rëndësi ka të jesh shqiptar i mirë. Po qe i tillë, nuk ka si të mos jesh qytetar i mirë i Vlorës. Gjithashtu përgëzoj stafin për punën e vyer në Rilindjen e historisë së shtrembëruar, të gjysmuar dhe të gënjeshtërt. Këtë ekspozitë e quaj “Orakull i Memories Historike”. Miq dhe të ftuar, po citoj disa vargje që rastësisht i lexova në internet:
“Mik i dashur, na u dhimbse kur tregoje,
Si të kishin shtypur, marrë nëpër këmbë...
Liria erdhi...
Dhimbjen në piedestal ta vumë, të ngritëm lart.
Na le pa mend:
Sa shumë i ngjave shtypësit tënd!” -Këto vargje i ka shkruajtur me siguri një bijë sigurimsash. Si përgjigje e poezisë, në emër të gjithë atyre që diktatura komuniste, më e egra e njerëzimit, u mohoi jetën, që trupat e tyre lastar plehëruan këneta, miniera, kanale, atyre të rinjëve që i murosën në pallate, aerodrome dhe në rrugët e ndërtuara me punën e papaguar të tyre, duke e mbushur këtë vend-burg me varre pa emër, po u kushtoj këtë ESSE
“ Ej, ti …që na përçmon dhe na përbuz…
*Ti nuk e di se ç'do të thotë të të vrasin djalin e vetëm pa asnjë shkak, vetëm se ishte bir i një familjeje fisnike.Vdekja me plumb është e ëmbël. Por ç’mund të thuash për të riun 18 vjeçar që e mori mushka zvarrë dhe nënës në shtëpi i çoi vetëm njërën këmbë? Këtë plagë të Sigurimit të Shtetit nuk mund ta harrojë jo familja, por as bashkëkohësit .
*A ka drejtësi, kur dikë e burgosën për agjitacion dhe propagandë vetëm se s’ piu dollinë për mustaqet e Stalinit?!
* Nuk di si ta emërtojë dënimin me burgim të përjetshëm të qindra e mijëra të pafajshmëve, vetëm se nuk ishin në gjendje të shlyenin tatimet e jashtëzakonshme.
*Në ç’vend të botës është vrarë ideali i femrës, apo nëna shtatzënë si në Shqipërinë komuniste? U zhduk inteligjenca e arsimuar në Perëndim, kur shumë emra të tyre, ende ruhen me gërma të arta “Elita të Shekullit XX-të”?
* Si do ta quaje dënimin kolektiv, 70 burra lidhur këmbë e duar me zinxhirë dhe në qafë mbanin varur një parrullë: "Kriminelët në litar!"dhe pas shpine:"Kështu do ta pësojnë armiqtë e klasës"?!
*Ti nuk e ke provuar që të mos thotë kurrë goja “Baba” dhe s’e di se ç’do të thotë të rritesh jetim me baba gjallë!
*Ti nuk e imagjinon dot, të të zhvasin mundin dhe djersën e qindra viteve dhe të të lënë me gisht në gojë, aq sa nuk ke me çfarë i mbledh fëmijët.
*Si mund ta merrni me mend se urrejtja e komunizmit arriti deri aty, sa vrau barbarisht kafshën që s'ka gojë, vetëm se i përkiste një fisniku. A mund t'i shtypësh kokën barbarisht një qeni të bardhë si bora vetëm pse e kishin sjellë nga Austria?
*Si do të ndiheshe kur të sekuestrojnë gjithçka dhe të nxjerrin në rrugën e madhe? Pastaj” bamirësit komunist ", të dhurojnë një barakë në kënetë, ku të internojnë si fis dhe si shtresë ?!
*Ti nuk e kupton sa vragë lë tek fëmija, të cilit i pëlqen libri, kur sheh se i rrëmbejnë bibliotekën qindravjeçare dhe i hedhin librat në kamion si plehëra dhe jo si burim kulture apo dijeje.
*Ti nuk e njeh vuajtjen dhe urinë, si mund të të dhembset një nënë që gjithë ditën i bie bretku në ish ullinjtë e saj, dhe në darkë i mbledh fëmijët me lakra pa vaj?
*E di ti se trastat, tok me fëmijët ,në supet e grave e nënave tona, ishin më të rënda se prangat në duart dhe këmbët e të burgosurve ?
*Nuk të kanë thënë ndonjëherë: “Ti nuk ke të drejtë të diplomohesh se i përket një bote tjetër, botës së mohimit të vlerave dhe vuajtjes çnjerëzore” .
*A mund ta besosh se një nënë me fëmijë,gjeti dritare të rënies së luftës së klasave, diplomohet denjësisht, dhe kur Dekanata për aftësi, e propozon për punë, Kryetari i Kom. Ekzekutiv e pyet: “A e bën dot luftën e klasave? Dhe kujt? Asaj që e kishte hequr mbi supe atë luftë klasore, barbare dhe më çnjerëzore. "I madhi" thotë: "Pushtetin tonë komunist e ndan një hendek i thellë me interesat e klasës tuaj. Ne u përkasim 2 botëve të kundërta, armike,ndaj ti s'ke vend në shoqërinë tonë.
*A e di se mijëra të rinjëve iu mohuan të drejtën e studimit dhe sa të tjerëve u shkoi talenti dëm?!
*Ke provuar ndonjëherë kur komunistët festojnë themelimin e "nënës parti", dhe fëmijët e tu të t'i nxjerrin nga shtëpia në shi, në të ftohtë, prej aty ku të kanë rënë brinjët në ndërtimin e pallatit, vetëm për një metër kub ajër më shumë, sepse ti nuk ke të drejtë të jetosh në pallat?
*Ti nuk e di se ç'është vrasja morale. Eshtë një dhunë psiko-fizike që të vret gradualisht. Eshtë një vdekje e ngadaltë.
*Ti nuk e njeh mbijetesën. Ajo është virtyt i fisnikërisë. Nuk dhurohet, nuk blihet me para dhe as me kulturë. Fisnikëria trashëgohet në gene brez pas brezi.Të persekutuarit e mbijetuar, si duket ruajnë në gjak, genet e ilirëve të pastër ( jo ata të përzier që kanë nxjerrë raca bastarde),sepse vetëm ilirët e kulluar u mbijetuan shekujve.
Të nderuar politikanë dhe pushtetarë, shikojini këto portrete të heshtur, a nuk është një pamje rrëqethëse?Janë 1400 të rinj, gra dhe burra që u vranë, u dhunuan, u mohuan jetën, ëndrrat, profesionin, vetëm sepse luftuan për liri dhe demokraci, por jo për një Shqipëri-burg apo një atdhe të shndërruar në një varrezë mbushur me varre pa emër.
Sot është DITA E RINGJALLJES së tyre dhe ata nuk duan asgjë. Nuk duan hakmarrje, sepse ajo sjellë dhunë dhe hasmëri. Ata kërkojnë paqe mes shpirtrave të lodhur e të sfilitur të shqiptarëve. Nga persekutorët, xhelatët që u morën jetën, u vranë shpresat dhe ëndrrat, ata kërkojnë vetëm një fjalë,”Falje”.Mjerisht xhelatët nuk njohin pendim,ndaj nuk dinë as të kërkojnë falje për krimet e bëra.
Këto portrete sot e në vazhdim këlthasin:”Ne jemi pa varre, ndaj na gjeni një copëz dhomë ku të prehemi e të bisedojmë me brezat, që të mos lejojmë të përsëriten tragjeditë, dramat e një kombi vital, që do të zilepsnin edhe tragjedianët më të mëdhenj të kohërave. Ata do të ringjalleshin për të shkruar tragjedinë më të kobshme, më rrëqethëse të njerëzimit, atë të vendit të shqiponjave. Përmes Faljes së Persekutorëve tanë, kërkojmë integrimin e bijëve, mbesave dhe nipave tanë në shoqërinë e re. Trajtoini ata sipas arsimimit, intelektit dhe profesionalizmit.. Jepuni pronat pronarëve, ktheni identitetin legjitim të rrëmbyer dhe do të shihni se si do të ndryshojë kjo tokë e përgjakur me gjak të pafajshëm shqiptari. Atëherë ne do të prehemi të qetë, sepse do ta shohim realitet ëndrrën tonë, që s’na lanë ta realizonim.”Kjo thirrje u drejtohet Politikës, Pushtetit dhe Drejtësisë për t’i rivlerësuar gjithë viktimat e komunizmit. Kjo ekspozitë kujtimore, si pjesë e historisë kombëtare, duhet të ketë një ambient që të vizitohet vazhdimisht, sepse rinia duhet ta njohë luftën e klasave, genocidin shfarosës që u ndoq në Shqipëri, në Çamëri dhe Kosovë. Mes këtyre tre pavioneve, ata do të jenë në gjendje të përcakrtojnë se cilët kanë qenë persekutorët e secilës.trevë të Shqipërisë. Rinia le të jetë gjykatësja më e drejtë e së djeshmes së hidhur.Vetëm e vërteta historike e Shqipërisë sjellë paqen dhe mirëkuptimin mes shqiptarëve, gjë për të cilën kemi nevojë sot më shumë se kurrë.
Kjo ekspozitë është një memorie historie, e cila këlthet: “Ju të rinj që do të jeni politikanët, qeveritarët, gjyqtarët dhe prokurorët e së nesërmes, mos lejoni tragjeditë të përsëriten dhe mos harroni se të gjithë jemi shqiptarë, të një race, flasim një gjuhë,kemi një traditë dhe në gene kemi gjak ilir.”

Bota e Gruas Shqiptare-MIMOZA DAJCI -opinion

ndiferenca e OJQ-ve dhe parate pa djerse
Nga Mimoza Dajci
Duke u njohur me rastin e tmerrshem e flagrant sic eshte perdhunimi sistematik i nje vajze 21 vjecare nga fshati i Lezhes prej monsters baba, nuk mund te qendroja indiferente pa shprehur keqardhjen dhe ate cfare une mendoj ne zgjidhjen e ketij problemi jetik qe po mbyt disa nga familjet shqiptare.

Injoranca, skamja, varferia e izolimi i Shqiperise shperthen sot e perdite me raste te tilla dhune e perversiteti. Mbaj mend se vitin 1994 kisha pikturuar ne leter te bardhe dhe karbon token meme Shqiperine te futur ne nje qyp e siper tij nje tape. Piktura kishte dimesionet 62 me 40 cm. E pata emeruar “Qypi i Pandores”. Nga vete simbolika e permbajtjes ia dhurova Shoqates se Ish te Perndjekurve Politike ne Tirane, dhe ata e vendosen ne mur ne nje nga ambjentet e saj. Bukur deri ketu, por ajo pikture duke qene se kishte brenda fabulen e lashte shikojme se cdo dite e me shume “Qypi i Pandores” shperthen e nxjerr ne pah pervec te mirave edhe krimet e akumuluara te kohes se shkuar. Jo pse fenomene te renda dhune e vrasje nuk kishin ndodhur me pare ne vendin tone, por censura, mungesa e mediave private e lirise se fjales do te merrin dhe groposnin me vete edhe ngjarjet e parandodhura si shume e shume krime te perjetuara ne kohen e diktatures komuniste ne Shqiperi.

Jo cdo gje ne boten ku jetojme pritet nga shteti. Per afro 2o vjet Europa e Perendimi u kane ofruar ndihma teknike, logjistike, si dhe shuma te medha parash OJQ - ve shqiptare per civilizimin e jetes ne familje si ne fshat ashtu edhe ne qytet. Cfare u be me keto fonde, ku shkuan ato ndihma, dhe ku eshte suksesi i realizimit te ketyre projekteve. Ku eshte ndergjegjesimi i shoqerise civile shqiptare per keto viktima te pafajshme qe nuk dihet se kur do ti vije fundi. Heshtja, mbushja e xhepave me para (jo djerse) prej donatoreve te huaj, neglizhnca e ketyre OJQ-ve ka sjelle per pasoje edhe keto fenomene te denueshme jo vetem nga ligji por edhe nga qytetari i thjeshte, i cili mund te njihet me to vetem nga nje lexim ne shtypin e dites. Personat direkt pergjegjes drejtues te ketyre fondacioneve apo shoqatave i del per detyre te perveshin krahet, te veshin cizmet e ti vihen punes ne terren, si ne fshat ashtu edhe ne qytet pse jo edhe ne Kryeqytet, sepse edhe atje ka akoma raste flagrante te dhunes ne familje. Shume te rinj e te reja kane perfunduar studimet e larta e jane pa pune. Te merrem psikologe e mjeke e te nisen fshatrave per te pare situaten ne vend.Do thoni ju atje s’ka rruge, fondet qe merrni shtroni rruget, te pakten ne Amerike rruga nuk mbaron kurre, ne cdo skaj te larget te saj po te shkosh rruget do ti gjesh te afaltuara. Rruget ne fshat i shtron individi, shoqatat pse jo edhe shteti por kryesisht ato behen ne menyre private.

Mos te shkohet neper konferenca te ndryshme neper bote vetem per tu dukur e per para, e te flitet per kujdesin ndaj femres, por te jemi konkret e me kembe ne toke sepse atje skamja po kapercen limitet e jetes deri ne aktet e vetevrasjes. Te mos shikojne me lluksin e tyre kur vendit e popullit te varfer po i del flaka e tymi siper catise e neper bote. Shume trondites dhe i pakapercyeshem eshte per cdo nene e femer shqiptare ky veprim bastard i nje babai qe s’mund te quhet i tille, e qe ne rrethana te caktuara shfrytezonte foshnjen e tij si nje prostitute ne familje. Aq me keq qe as nuk e pranon incestin ndaj se bijes. Eshte vertete shume i tmershem fati tragjik i nenes kur pa te bijen qe perdhunohej nga i shoqi, por sipas saj ajo nuk kishte zgjidhje tjeter pervec vdekjes. E mbuluar nga injoranca, varferia ropatohej rrugeve duke punuar rende vetem qe ne familje mos te mungonte asgje si per vajzat ashtu edhe per te shoqin, e mbante brenda atyre mureve e shpatullave te saj dhimbjen e madhe te perdhunimit te bijes se saj nga bashkeshorti. Duke u ndalur tek heshtja e saj shikojme dy ane; ate te mos berjes publike te gjerave qe cdo gje te mbetej brenda familjes, e te mos beheshin “gazi i botes” dhe tjetra me e pranushmja po sipas saj per te mos i prishur avenirin vajzes se saj qe neser edhe ajo te krijonte nje familje normale.

Mbeshtes opinonin e dikujt kur thote se truri i tij duhet te dergohet per studim ne nje nga laboratoret me te specializuara te botes, sepse keshtu mund te diagnostikohen e kurohen me lehte keto “specie” qe shkaktojne krime te kesaj natyre. Si eshte e mundur qe ky kriminel autor i disa vrasjeve te lihej i lire e te ushtronte perseri dhune ne familje ndaj grus e vajzes, e cila edhe ajo, sipas nje te aferme te saj tregon se vajza e perdhunur kishte filluar ta pranonte kete akt pervers dhe urrente ne kulm te emen, gje qe ajo e reflektoi deri edhe ne momentin e varrimit te saj, duke qeshur e perqafuar ne krahet e te atit. Mendoj se edhe veprimet e saj duhen pare me kujdes nga mjekesia ligjore dhe organet kompetente sepse dhuna tek ajo ka ndikuar per keq ne sistemin nervor edhe veprimet e saj jane te demshme si per shoqerine ashtu edhe per familjen, prandaj duhet trajtuar si nje rast i vecante e me kujdes nga shteti dhe nga shoqeria. Ne dejet e saj trashegohen tiparet, karakteret e veset e te atit, prandaj edhe ajo duhet te trajtohet nga mjekesia si studim me vete, per tu gjendur me pas solucioni i ketij “kanceri” vdekje prures.

Kam degjuar njehere nga afer se si nje vajze ngacmohej seksualisht nga njerku i saj. Ajo edhe pse kishte kryer studimet e larta per mjekesi nuk ishte ne gjendje jo vetem te denonconte njerkun, por edhe ti tregonte nenes se saj se cfare po ndodhte, vetem e vetem qe e ema mos te kishte nje divorc te dyte. Pranoi martesen pa njohje jashte vendit, dhe u nis, po se ku as vete nuk e dinte. Sa e sa raste te tilla kemi cdo dite, ku vajzat shqiptare perfundojne rrugeve te botes e te perfshira ne prostitucion, apo nen gryken e pistoletes. E kam bindjen se kjo ka ndodhur per shkak te rrethanave e kushteve te tyre te renda qe i kane detyruar ti bejne keto veprime duke mos patur edhe mbeshtetjen financiare e morale. Vajza qe u martua e gjeti zgjidhjen, po ato qe jane akoma ne ate vend ku nuk ka fronte pune e nuk i sigurohet strehim, i cili eshte aq i domosdoshem per privacine e jetes. Sigurisht nuk duhet perjashtuar rastet e vajzave edhe grave shqiptare qe kane shkelqyer dhe nderuar vendin jashte neper bote e qe kane ecur perkrah shkences, kultures apo cdo lloj fushe tjeter duke konkuruar me standartet bashkekohore.

Jeta dhe eksperienca ne emigracion na ka mesuar me disa gjera ndryshe, sepse edhe niveli i jeteses eshte me i larte se atje. Ketu per grate e vajzat e dhunuara ka banesa komode dhe krejtesisht te panjohura per shkaktarin e dhunes, te cilat jane ngritur nga OJQ-te e ndryshme, kurse ne Shqiperi duke mos ekzistuar keto kushte, vajzat e grate detyrohen e i nenshtrohen dhunes e mbase edhe perdhunimit. Pra jane shkaqet ekonomike qe e ulin dhe nenshtrojne femren shqiptare. Nese ajo do te ishte e pavarur ekonomikisht nuk kishte pse torturonte veten, nenen apo motren me veprime te tilla shtazarake dhe amorale.

Ceshtja e strehimit ka qene kurdohere problem i madh ne vendin tone, e te gjitha keto vinin si pasoje e nje vendi te prapambetur e te pazhvilluar. Vetem blloku e njerezit e priviligjuar te asaj kohe jetonin ne kushte te mira. Po kujt i vinte keq per fakirin popull. Pra moszgjidhja e strehimit shkaktonte gjithmone grindje e shere ne familje, ku ishin te detyruar te jetonin 3 apo 4 kurora ne nje apartament me dy dhoma. Plaste “lufta” edhe per shkak te femijeve te vegjel, e cdo here perfundonte me acarime e perplasje te medha. Beheshe hasem me motren, vellane, nuset e vellezerve etj. Keto probleme sociale e te prekshme duhen pare me kujdes e perparesi te vecante per te shmangur cdo te keqe sociale ne vend.

Duam s’duam por nami i keq i ka dale burrave shqiptare qe jane shume te dhunshem. Te me falin ata persona jo te dhunshem e qe jane shume korrekt me familjen e shoqerine, por per ta ilistruar kete fakt po ju tregoj nje ndodhi. Nje dite per te shkuar ne pune mu desh te merrja taksi. Rruges taksisti (amerikan) me pyeti: “Shqiptare je”. Po, i thashe e habitur. “Te kam pare ne disa emisione televizive tek TV-Kultura Shqiptar e” – me tha, dhe here pas here me hidhte shikimin pertej xhamit te pasqyres. “Gruan e kam shqiptare - vazhdoi biseden – dhe i ndjekim me shume interes emisionet ne gjuhen shqipe, prandaj edhe tu ofrova per te sherbyer”. Oh, i thashe shume mire, faleminderit. Ai foli perseri “Perpara se te martohesha e pyeta gruan; pse do te martohesh me mua e jo me nje shqiptar, ajo mu pergjegj se, burrat shqiptare jane te dhunshem”. Ky ishte vetem nje rast i degjuar, po sa raste te tilla reale kemi e do te kemi perseri ne vendin tone, jo se akte te kesaj natyre nuk ndodhin edhe neper vende te ndryshme te botes, por problemi eshte si ti zgjidhim hallet tona per te patur kujdes ne lehtesimin e dhimbjeve qe shkakton dhuna e per te parandaluar vrasjet e vetevrasjet me paramendim.

Mire do te ishte qe OJQ-te e ndryshme pamvaresisht se ne cilat fusha te jetes levrojne, duhet te vene ne dispozicon te popullates nurma telefoni, fax-i dhe adresa te ndryshme email-i, ne menyre qe denoncueset te ndjehen me te lira ne rrefimet e dhunimit te tyre dhe te ruhet privacia e deponimit deri ne maksimum. Te vendosen telefona publik si ne zonat rurale ashtu dhe ne qytet vetem per raste urgjente, ne menyre qe ndihma e shpejte tu jepet sa me pare kesaj kategorie njerezish apo cdo viktime te rastit. Policia private e shteterore te qarkulloje non stop ne cdo qoshe te vendit me korrektesi dhe pa u korruptuar nga keqberesi.

Bota e gruas Shqiptare-Interviste e Zerit te amerikes me Rozi Theoharin

Rruga e shkrimtares Rozi Theohari drejt suksesit letrar në SHBA
Laura Konda
Zëri i Amerikës
24-07-2009
Shumë emigrantë shqiptarë në SHBA, të ardhur vetëm 10-15 vjetët e fundit kanë arritur, në saje të punës së tyre këmbëngulëse, të ushtrojnë profesionin që kanë patur në vendin e tyre. Një prej tyre është shkrimtarja Rozi Theohari, autore e 14 librave, 4 prej tyre në gjuhën angleze.

Të jesh emigrant është e vështirë, por të jesh emigrant intelektual e në një moshë relativisht jo të re është akoma më e vështirë. Por këto vështirësi duket se i ka kapërcyer me sukses, pas 15 vjetësh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shkrimtarja Rozi Theohari, në saje të punës, optimizmit që e ka ndjekur në çdo përpjekje të saj, vullnetit të paepur e dashurisë për profesionin.

Rozi Theohari është autore e 14 librave, 4 prej tyre në gjuhën angleze. Bijë dhe mbesë e një imigranti nga Dardha e Korçës, ajo erdhi në SHBA në vitin 1994, siç thotë, mes të tjerash, edhe për të "njohur vendin ku frymuan dhe punuan aq rëndë" baballarët dhe gjyshërit në fillim të shekullit të 20-të. "Erdhëm të vizitonim varret e tyre në qimiteret amerikane, të ulemi në gjunjë për të përkëdhelur gurin e të vendosim aty një buqetë me lule", kujton ajo.

Por Rozi, ndryshe nga paraardhësit e saj që ju vunë punës për të mbledhur para që të mbanin familjen në Shqipërinë e varfër, zgjodhi rrugën e të qënit intelektual në Amerikë, duke filluar studimet universitare, edhe pse mbi të 50-tat.

Ajo kujton fillimin e vështirë të jetës në Amerikës, si çdo imigrant tjetër, me zemrën e mendjen të dyzuar midis Amerikës e Shqipërisë. Por Rozi pati forcën që ky dyzim të mos e pengojë, por përkundrazi, ta ndihmojë e frymëzojë në karrierën e saj intelektuale.

Ajo vlerëson së tepërmi komunitetin shqiptaro-amerikan, aktivitetetet e tyre të larmishme por edhe punën e palodhur atdhetare si një faktor për ta mbajtur gjallë traditën shqiptare me mijëra kilometra larg vendit. Pa humbur kohë, ajo do të bëhej edhe vetë pjesë shumë aktive e këtij komuniteti.

"Ashtu si çdo emigrant jetoj me dy vizione: Jetoj me kulturën, me sfidat e të papriturat e jetës amerikane, përballë komunitetit shqiptaro-amerikan dhe njëkohesisht me perfytyrimin e jetes sime në të kaluarën, në atdheun e largët. Këto dy vizione më kanë angazhuar e frymëzuar në krijimtarinë time në prozë e poezi. Këto dy vizione me kalimin e kohës bashkohen në një të vetëm, ashtu siç jemi bashkuar në një komunitet të vetëm, ketu... Të gjithe shqiptarët, pa dallim besimin fetar, krahinor apo ideve politike, tiranasit, shkodranët, vlonjatët, çamët, prishtinasit, prizrenasit, tetovarët, ulqinakët, arvanitasit, arbëreshët, të gjithë, kur takohemi, flasim shqip e këndojme shqip, me një qellim, me një ëndërr e me një urim për përparimin dhe mirëqenien e popullsisë shqiptare në të gjitha trojet etnike."

Fituese e disa çmimeve letrare për krijimtarinë në Shtetet e Bashkuara, mes tyre ai "Pena e artë" nga shoqata e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë, apo çmimit ndërkombëtar "Naji Naaman Literary Award", krijimtaria e Rozi Theoharit përfshin poezi, prozë dhe publicistikë, ku ajo ka pasqyruar përvojën e saj jetësore në SHBA. Tri libra të saj me poezi janë botuar në gjuhën angleze. Disa nga poezitë ajo ja kushton përpjekjeve të afrikano-amerikanëve për t'u bërë qytetarë me të drejta të barabarta në shoqërinë amerikane. Vitin e kaluar, ajo shkroi një poezi të ndjerë për Presidentin Barak Obama.

"Qysh kur erdha në Amerikë në vitin 1994, provova shume përvoja të reja, të cilat i kam pasqyruar në prozën e në poezinë time. Një nga këto përvoja ka qenë edhe njohja e miqësia me Afrikano-Amerikanet, që nga elita e deri tek njeriu më i thjeshtë, karakterizuar nga edukata e mirë dhe sjellshmëria. Gjate viteve kur studioja në kolegj e më vonë, e frymëzuar prej tyre, kam shkruar poezi në gjuhën angleze kushtuar miqve të mi Afro-Amerikane, si dhe gruas se famshme zezake Roza Park, governatorit zezak të Massachusettsit Deval Patrik dhe së fundi, entuziazmin tim e shpreha tek poezia kushtuar presidentit të tanishëm të Amerikës, Barak Obama.

Poezia titullohet "The Golden Epoch", "Epoka e artë". Një poezi e thjeshte dhe e ndjerë, ku autorja sjell emocionet e saj një dite pasi ka votuar per presidentin e pare afrikano-amerikan të Shteteve të Bashkuara.

… Dhe brenda pak kohësh pas dërgimit, ajo mori një letër falënderimi, me nënshkrimin e Presidentit të SHBA, Barak Obama. Një letër me tre paragrafë, një falënderim i thjeshtë, por shumë domethënës për një intelektuale-emigrante nga Shqipëria. //kk//

Wednesday, July 08, 2009

Bota e Gruas Shqiptare-Vilhelme Vranari Haxhiraj -esse

Vilhelme Vranari (Haxhiraj)
GJUHA E MËMËS ËSHTË I PARI ELEMENT IDENTITETI KOMBËTAR

Duke marrë shkas nga një koment te”Fjala e Lirë”, shkruar nga shqiptari i mirë, kritiku dhe analisti, z. Fatmir Terziu, i cili me të drejtë kërkon komente në lidhje me përdorimin e gjuhës shqipe në takimet e tyre, apo në media, po shkruaj mendimet e mia të cilat janë të pa tjetërsueshme.. Nuk ka gjë më të bukur, më interesante dhe më me vlerë kombëtare, se kur një individ apo një shoqatë brenda vendit dhe aq më tepër në Diaspor, jep mendime mbi problemet e shumta sociale që kanë prekur shoqërinë shqiptare. Përgëzoj shoqatën "Shpresa Programme", që punon dhe vepron në Angli për tematikat me interes për shoqërinë tonë. Shoqata të tilla, të krijuara nga shqiptarë në emigracion, ka në të katër anët e rruzullit. Përmes internetit, medias sé shkruar dhe vizive ka mjaft shoqata si: “Vatra”,“Bota e Gruas Shqiptare”që janë në ShBA; “Klubi “Drita “në Athinë; “Shpresa Programme” në Londër, me gazetat dhe revistat e tyre virtuale apo vizive, si “Fjala e Lirë”në Londër, drejtuar nga Fatmir Terziu dhe një grup intelektualësh. Në ShBA janë “Illyria” nën drejtimin e z.Dalip Greca,“Bota Sot”,”Bota e gruas shqiptare”, “Dielli”; Në Romë “Rrënjët”; në Greqi “Pelegrini” drejtuar nga Thanas Jani dhe sa e sa të tjera, të cilat bëjnë një punë të madhe për njohjen e çështjes shqiptare në botë.Tematika që ato prekin ka si qëllm integrimin e shqiptarëve që jetojnë në emigrim si dhe integrimin e gjithë shoqërisë shqiptare në tërësi. Pa një shoqëri të emancipuar në të gjitha segmentet e saj, pa një nivel të lartë kulturor dhe arsimor të të gjithë shoqërisë, as që mund të mendohet që kombi ynë të integrohet në botën e zhvilluar. Nëse synimet për një transformim cilësor, nuk janë obligim i gjithë shoqërisë shqiptare, ku përfshihet politika, administrata shtetërore ( e lartë, e mesme dhe ulët), arti dhe media, duke nisur me respektimin me fanatizëm të përdorimit të gjuhës standarte shqipe, pa huazime, ka rrezik të humabsim identitetin tonë kombëtar.
Të gjithë e dimë se gjuha është një nga tri elementet e shtyllës së kombit. Në shekuj fati i ka shpërndarë shqiptarët nëpër botë. Por emigracioni më i madh i të gjitha kohërave që ka njohur vendi ynë, ishte ai që nisi në vitin 1990 e në vazhdim…Në Perëndim ata u përballën me rrugët e panjohura që u serviri koha. Për të përballur vështirësit e jetës, për t’u integruar në një shoqëri të re, me norma krejt ndryshe nga vendii tyre,ishin dhe janë të detyruar të mësonin dhe të mësojnë gjuhën ,të njihnin dhe njohin traditën e vendit që i mirëpriti. Kush mëson gjuhë të huaja pasuron kulturën vetiake dhe siguron integrim më të shpejtë në shoqërinë ku jeton dhe punon. Mirëpo fëmijët që kanë lindur dhe do të lindin në emigracion, ka rrezik ta harrojnë gjuhën e të parëve,gjuhën shqipe. Kjo ndodh nga njëherë në vartësi të rrethanave të të vegjëlve. Ndoshta ky rreziknga njëra anë dhe nga ana tjetër, dashuria për vendlindjen dhe përgjegjësia morale apo qytetare për t’i treguar botës se edhe ky vend i vogël, Shqipëria ka historinë, zakonet dhe kulturën e vetë,u detyruan të krijojnë shoqata në emigracion. Duke qenë të organizuar, iu krijua mundësia që të kishin mediat e tyre. Me kohë hapën shkolla shqipe. Vlen t’i jemi mirënjohës Sejdulla Dajës që ka hapur një rrjet të gjërë shkollash shqipe në Suedi. Hapja e shkollës shqipe në Itali dhe së fundmi në Greqi. Duhet lavdëruar puna e çiftit Kozeta & Qemal Zylo, që kanë çelur në New York, Instituin e gjuhës shqipe që mban emrin e heroit tonë kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu..” Tani, po ky çift dhe po në New York, çelën TV e parë shqiptar në SHBA.
Qysh para 600 vjetsh kanë mërguar arbreshët e Italisë dhe jo vetëm ruajnë zakonet, traditën, mësojnë historinë e të parëve , por janë për të pasur zili që po i japin rëndësi të madhe mësimit të gjuhës shqipe. Jo vetëm kaq, por po zgjerojnë lidhjet shpirtërore me tokën mëmë dhe duke qenë krenar për simbolet kombëtare shqiptare, i ruajnë ato si të shenjta. Vlen të përmend Shoqatën “Vatra Arbëreshe” në Piemonte me qendër Kieri (Torino).Arrijnë deri aty sa zhvillojnë konkursin e gjuhës letrare standarde shqipe. A nuk duhet marrë si shembull? Zhvillimi i kulturës dhe gjuhës shqipe në Piemonte, ku është bërë një punë e madhe nga drejtuesit e saj, si Presidenti Vincenzo Cucci; përgjegjësi i kulturës që merret direkt me gjuhën shqipe, Tommaso Campera, Prof –docent Italo Constante Fortino(pedagog i gjuhës shqipe në Universitet). I mora si shembuj këta zotërinjë për të treguar se ç’duhet të bëjnë shoqatat e formuara nga emigrantët e rinj.
Duke parë punën e madhe të këtyre shoqatave për njohjen e historisë, kulturës dhe traditës shqiptare nga të huajt, vlerësoj përpjekjet e tyre për minimizimin e problemeve sociale që vihen re në shoqërinë e sotme, për të cilat na dhemb të gjithëve.
Në mënyrë të veçantë, vlerësoj sensibilizimin e opinionit nga ana e tyre për dhunën në familje, ku më të denigruarit janë gratë dhe fëmijët. Theksoj se të gjitha këto përpjkeje nëse shkruhen apo nëpër tubime fliten në gjuhën e mëmës, atëherë me të vërtetë ruajnë identitetin e tyre kombëtar. Emigrantët shqiptarë duhet ta përdorin qëtë mos e harrojnë gjuhën shqipe. Duhet t’ua mësojnë fëmijëve të tyre! Do ta quaja si një detyrim kombëtar ndaj tokës qëilindi dhe familjeve që kanë lënë pas. Eshtë krenari kur në dhe të huaj ruani identitetin e të parëve tuaj ilirë! Nuk nënvleftësoj përdorimin e gjuhës së vendit ku jetoni, por shoqatat kanë si qëllim të ruajnë nga asimilimi gjuhën, kulturën shqipe dhe nga mohimi i të qenit shqiptar. Shumë fëmijë që kanë lindur jashtë e mohojnë origjinën duke thonë se janë italianë, amerikanë apo anglezë etje. Ndaj tubimet e shqiptarëve aty ku jetojnë, duhet të bëhen në gjuhën shqipe. Gjithashtu mediat qëdisponojnë, duhet t’i përmbahen gjuhës standarde shqipe.
Nëse duan që puna e tyre të njihet nga opinioni i huaj apo ai botëror, le të shkruajnë paralel me artikullin apo studimin nëgjuhën shqipe edhe në anglisht, apo italisht…Kjo gjë bën jo vetëm të mos e harroni, por ta ruani të patjetërsuar gjuhën e të parëve.
Duke pasur parasysh rrezikun e asimilimit të gjuhës dhe idenitetit tonë kombëtar, qysh në vitin 2003 kam dhënë një mesazh në kopertinën e romanit historiko-fantastik për fëmijë me titull “Amanti i Arbërisë”,të cilin po e jap:
“ I dashur lexues i vogël!
Këtë roman ia kushtoj nipit tim të shtrenjtë, Ivo Spatharit, që jeton në Itali, në dhjetëvjetorin e lindjes së tij.
Ty Ivo, Biankës së vogël dhe gjithë fëmijëve shqiptarë, që stuhia iu vërviti kushedi në ç’kënd të globit, po ju lë një amanet:
Kurrë mos harroni se jeni shqiptarë! Ndaj duajeni këtë vend! Mësojeni dhe duajeni gjuhën e bukur shqipe, se është gjuha e nënës! Mësoni mirë gjeografinë dhe historinë e vendit tuaj sepse vetëm kështu mbroni identitetin tuaj! Vetëm në këtë mënyrë do t’i tregoni botës se kjo është toka e të parëve tuaj dhe se ne jemi autoktonë në këto troje. Kurrë mos e mohoni dhe e harroni këtë vend, sa i bukur dhe i pasur, po aq i vuajtur dhe i varfër! Kini parasysh, se ky vend me emrin “Shqipëri” meriton shumë dhe duhet të ecë me të njëjtin ritëm si të gjithhë vendet e zhvilluara!”
Autorja që ju do shumë.