Sunday, November 08, 2009

Bota e Gruas Shqiptare-Drenusha Zajmi Hoxha-Cmimi letrar "Hivzi Sulejmani"-Interviste

Intervistë ekskluzive me fituesen e çmimit letrar “Hivzi Sylejmani”, Drenusha Zajmi Hoxha. Drenushës, ky çmimin iu nda nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, për romanin e saj me titull “Engjëjt vdesin ndryshe”.

Drenusha Zajmi Hoxha, u lind në një familje intelektuale dhe atdhedashëse në Prizren, në vitin 1970. Vazhdoi dhe i kreu studimet për drejtësi, duke u diplomuar në Universitetin e Prishtinës, për t’u kthyer dhe punuar në qytetin e saj të lindjes. Përveç profesionit, ajo ka punuar edhe në gazetari, për të kaluar më vonë edhe në Biznes e Menaxhim. Si ithtare e të Drejtave të Njeriut e veçmas atyre të fëmijëve, ajo është angazhuar në shumë projekte edukuese dhe bëmirëse .Çmon mendjen e hapur dhe lirinë e fjalës deri aty, ku cenohet liria e tjetrit. Krahas punës, ajo ka kultivuar dashurinë për artin: muzikën dhe letërsinë, ku përveç poezisë dhe prozës për të rritur, zhvillon edhe letërsinë për fëmijë. Ka marrur shumë cmime letrare, ndërsa javën e kaluar, fitoi cmimin prestigjoz " Hivzi Sylejmani" për romanin “Engjëjt vdesin ndryshe”, të cilin ia ndau Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, për romanin më të mirë për vitin 2009.


Blue Sky: Drenusha, së pari urime për cmimin “Hivzi Sylejmani”, që ua ndau Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës.

Drenusha Zajmi Hoxha: Faleminderit shumë dhe njëkohësisht, faleminderit për ftesën në emisionin tuaj.

Blue Sky: Cka do të thotë për ty ky cmim?

Drenusha Zajmi Hoxha: Natyrisht se ky çmim ka rëndësi të madhe pwr mua sepse e mora qysh me romanin e parë. Vërtetë ka rëndësi të madhe dhe më bën shumë nder, më bën shumë krenare dhe njëkohësisht më jep përgjegjësi akoma më të madhe. Çmimi për mua ishte shumë i papritur. Kam kuptuar që do të fitoj në fund, kështuqë akoma më duket si një ëndërr. Pastaj, juria përbëhej nga njerëz shumë të respektuar tw letrave shqipe si Rexhep Qosja, Abdyl Kadolli, Ismail Syla dhe çmimi për mua kishte një vlerë shumë të madhe.



Blue Sky: Sigurisht për këtë vlerësim nga kjo juri profesionale, juve do t’iu shtohet përgjegjësia por edhe do të keni vullnet edhe më të madh për të vazhduar me tutje me krijimtarinë tuaj.

Drenusha Zajmi Hoxha: Sinqerisht është një shtyerje mjaftw e madhe për mua. Normalisht unë vazhdimisht shkruaj dhe shkruaj disa zhanre letrare por, kur vlerësohet puna me një çmimim ç’farë është çmimi “Hivzi Sylejmani”, por edhe çmimet e tjera, natyrisht që është një shtyrje e madhe për të punuar më tej.

Blue Sky: Këtë cmim e morët për romanin tuaj “Engjëjt vdesin ndryshe”. Çka keni trajtuar në këtë roman?

Drenusha Zajmi Hoxha: Nw thelb, romani trajton gjetjen e njeriut brenda vetes. Është njw thirrje për vetë jetën, me të gjitha ato që ajo na i ofron. E gjithë kjo, rrëfehet nga një famije e zakonshme, e cila gjatë rrugëtimit të saj jetësor, përplaset nëpër sfida të zakonshme e të pazakonshme, të rrezikshme e të rëndomta. Personazhet që paraqiten, nuk janë të ndara në negativ e pozitiv, pikërisht se nuk kam dashur të bëj një prerje të tillë, ashtu të caktuar. Sipas meje, njerëzit bien dhe veprojnë në rrethana të caktuara, në mënyra të caktuara, pastaj vetë shoqëria mund t’i radhis ata në negativ apo pozitiv. Vet titulli që i kam vënë romanit “Engjëjt vdesin ndryshe”, nuk është pa arsye sepse mendoj se në këtë botë, disa njerëz, lënë gjurmë edhe atwherë kur vdesin. Lënë aso lloj gjurmëve, të cilat i udhëheqin dhe iu ndriçojnë rrugën atyre që i lënë pas. Pra, ata njerëz shkojnë, për të mbetur gjithmonë prezent. Dhe, këta njerëz nuk kanë si të quhen ndryshe, përveçse ENGJUJ. Pra, nëse ata vdesin duke iu ndriçuar rrugën të tjerëve, natyrisht se vdesin ndryshe. D.m.th, vdesin ndryshe nga të tjerët. Kjo ishte esenca edhe e titullit.

Blue Sky: Jeni autore e disa librave, çka do të veçonit nga krijimtaria juaj përpos romanit që ju solli çmimin?

Drenusha Zajmi Hoxha: Duke marrë parasysh se unë mirrem me disa zhanre të letërsisë, do thotë se unë shkruaj poezi për të rritur, prozë, një kohë kam shkruar kolumne për një revistë javore, pastaj mirrem edhe me letërsinë për fëmijë, është vështirë ta bëj krahasimin dhe të veçoj njërën nga këto zhanre. Sidoqoftë, meqë këtë herë më duhet të veçoj diçka, do ta veçoja librin tim për fëmijë, i cili titullohet “Vishe botën me buzëqeshje” dhe i cili do të dalë së shpejti nga botimi. E veçoj këtë sepse letërsia për fëmijë, për mua është zhanri më i vështirë, ku mund të sprovohet një krijues sepse të gjithë e dim se fëmijët nuk kanë lajka, e pëlqejnë ose nuk e pëlqejnë. Kështuqë, vërtetë duhet të përkushtohesh shumë dhe unë këtij libri iu kam përkushtuar gati një dekadë. Pastaj, për mua është ende më shumë me rëndësi se botimi do të bëhet në mënyrë të organizuar sepse të hollat që do të vijnë nga ky libër, i cili poashtu do të shitet në mënyrë të organizuar, do t’i shkojnë “SOS Fshatit të Fëmijëve” në Prishtinë. Nëse më realizohet kjo ëndërr e imja e kahershme, do të më plotësoj shpirtërisht edhe si krijuese, por edhe si nënë.

Blue Sky: A jeni e kënaqur me vlerësimet që u janë bërë deri më tani për krijimtarinë tuaj dhe a ia vlen të shkruhet sot?

Drenusha Zajmi Hoxha: Ne po jetojmë në kohën kur po hipershkruhet ose të them, po hiperprodhohet letërsi. Mirëpo, në një kohë edhe unë kam menduar se nuk ia vlen të shkruhet, në atë kohë kur përzihet vlera me antivlerën. Por, megjithatë, mendoj se lexuesi i mirëfillt, arrin ta dallojë vlerën edhe ky është çmimi më i madh që njeriu mund ta marr. Unë jam e kënaqur deri diku me çmimet që i kam marrë, nëse e heqim çmimin e fundit që është më i madhi dhe më i miri ndër çmimet e mia. D.m.th se jam e kënqur. Kam marrë çmime të ndryshme letrare, pastaj jam vlerësuar nëpër festivale të fëmijëve për si tekstshkruesja më e mirë etj. Edhe një gjë më duhet ta them, se krijuesit që nuk jetojnë në Prishtinë, jo vetëm për mua por edhe për krijuesit e tjerë, është shumë e vështirë të depërtojnë deri aty ku duhet. Pastaj të gjithë e dim se, autori sot, përveçse duhet të krijojë atij sot, fatkeqësisht them, duhet të mirret edhe më gjërat e tjera teknike rreth botimit. Nga botimi e deri tek shpërndarja. Kështuqë është një rrugë goxha e vështirë për të arritur deri te lexuesi. Por, gjithsesi ia vlen, sepse cdo krijues shkruan për ta lexuar dhe natyrisht që gjithsesi ia vlen. E kur lexuesi të çmon, atëherë ai është çmimi më i madh se të gjithë çmimet e tjerë. Pra edhe unë, derisa të kem lexues që do të më lexojnë, do të jap nga vetja gjithë çka të mundem, për të qenë sa më afër tij.

Blue Sky: Keni në plan të botoni ndonjë libër të ri, pos librit për fëmijë që e përmendët?

Drenusha Zajmi Hoxha: Sigurisht që po. Përveç kësaj që ju tregova, kam plane shumë. Libri për fëmijë që e përmenda, veç ka hy në fazën parapërgatitore. Është redaktuar nga një shkrimtar i yni i njohur për fëmijë, Avdullah Thaqi. Tash është në fazën kur është duke u bërë ilustrimi dhe dizajni grafik dhe besoj që do të botohet afër festave të Vitit të Ri. Ndërkohë, jam duke e shkruar romanin e dytë dhe po mundohem të gjej kohë që të shkruaj. Ky është një roman që trajton krizën sociale, krizat njerëzore e shpirtërore, degradimet që kanë ndodhur në shoqërinë tonë, degjenerimet e tjera dhe përpjekjet e njeriut të mirëfillt që pavarësisht të gjitha këtyre, të mbetet njeri. Ky është thelbi i romanit tim të dytë, i cili poashtu do të shtjellohet përmes ngjarjeve që do të ndodhin në Shqipëri dhe Kosovë, njëkohësisht. Dikur do t’i bashkojë, e të shohim se cka do të dal. Unë filloj një roman nuk e di se si do të përfundojë. Vet personazhet pastaj e udhëheqin ngjarjen edhe vetë autorin nëpër roman.

Blue Sky: A do të thotë kjo që e pëlqeni zhanrin e prozës më shumë, apo më mirë e thoni atë që doni pwrmes prozës?

Drenusha Zajmi Hoxha: Unë në fillim kam shkruar poezi dhe mendoj që çdo krijues në fillim provohet në poezi. Madje kam menduar që unë nuk mund të shkruaj prozë, por duke kultivuar shkrimin, letërinë dhe pas një kohe kur pata arritur t’i shkruaj kolumnetë në gazetë, fillova të provoj të shkruaj një tregim, pastaj prej tregimeve u shndërruan në novelë, pastaj në roman. Sado që menedoj që romani është një zhanër më i vështirë sepse nuk përbën një ndjenjë të çastit të autorit për një fabulë, e cila duhet të zhvillohet ta mbaj lexuesin deri në fund. Mendoj se krijimtarinw do ta vazhdojë në të ardhmen më shumë në prozë sesa në poezi, por letërsinë për fëmijë nuk mendoj ta lë anash sepse më tërheq, më bën të mos e harroj anën time fëmijërore.

Blue Sky: Dicka për fund për dëgjuesit e radios “Blue Sky” dhe të emisionit “Fokus Letrar”?

Drenusha Zajmi Hoxha: I përshëndes të gjithë, sidomos ata që lexojnë. Bëhuni vetja juaj, të jeni sa më origjinal, sa më krijues. Lejoni talentin e juaj të marrë frymë dhe ta gjeni veten, atje ku mund të shpreheni sa më mirë.

Blue Sky: Faleminderit.

Vera Pelaj, radio “Blue Sky” - Prishtinë