Murgesha 85-vjeçare:
më: 30/01/2009 - 12:35
Zenepe Luka
Miresevini ne faqen letrare te rrjetit virtual mbarefemeror shqiptar Pan Albanian Women Network Ju ftojmë të na dërgoni mendimet tuaja për çdo gjë që ju lexoni ketu apo keni dëshirë të diskutoni.Ky rrjet eshte i hapur për të gjitha gratë dhe vajzat shqiptare! Për tu anëtarësuar,kembyer poezi,shkrime apo mendime,ju lutem dërgoni një mesazh në adresën botaegruas@gmail.com Kudo që te jetoni, këtu na mbledh gjaku i përbashkët. Falminderit!
Gazeta shqiptare E djel - 25 Janar 2009 | Nr 4447 Viti XV ONLINE E djel - 25 Janar 2009 | Nr 4447 Viti XV ONLINE
Zenepe Luka
|
Merita Toçila
Stiliste
Veshja popullore dhe ndikimi i saj në modë
(Një vështrim i shkurtër…)
Relacioni midis modës dhe vizatimit shpesh është i fortë dhe disa herë i dobët, por megjithatë është një përpjekje e vazhdueshme e ideve dhe tensionit estetik midis tyre, gjë e cila ndikon në influencën e këtyre dy fushave paralele. Fushat e tjera të funksioneve të ndryshme u vijnë në ndihmë duke ardhur gati automatikisht në një ide për veshje, aksesorë, etj. Forma më minimale e modës pastaj zbulon një sekret të ri, që pjesa e ideuar është shpesh më interesante se veshja e përfunduar. Porse, mund të ndodhë edhe që pjesa e prodhuar të jetë më e specifikuar dhe më interesante se ideja e fillimit. Disa produkte të modës prodhohen mbështetur mbi abstrakten. Ato injorojnë edhe mbajtësin e veshjes duke mos respektuar as të dhënat fizike, duke mos i vënë në vendin e duhur pjesë të ndryshme të veshjes dhe duke e sjellë atë jo praktike. Që këtu ka lindur ideja që trupi duhet konsideruar si një telajo ku duhet piktuar, ose si një objekt të cilit do t`i jepet forma skulpturore sipas konceptit të krijuesit.
Arkitektura e parë që ka realizuar njeriu është veshja, për të krijuar një ambient mbrojtës. Pra në kuptimin e parë, veshja të çon tek mbrojtja nga të ftohtit apo të nxehtit. Porse në kuptimin e dytë ajo përcjell kënaqësinë e përkatësisë në një grup apo shkallë të caktuar dhe në sisteme të tjera përcjell mesazhe sensuale ndaj një grupi të caktuar njerëzish, të një tribuje apo klani. Me kohë ajo filloi të perfeksionohej duke u shtuar dhe me objekte zbukurimi, apo ornamente, për të treguar hierarkinë apo dinastinë. Pak e nga pak veshja krijoi gjuhën e vet vizive e cila duhej të ishte në koherencë me gjeometrinë e kohës. Kështu për shumë kohë veshja i përshtatej trupit dhe ndryshimet nga shekulli në shekull ishin shumë të vogla. Vetëm në fund të shekullit XIX, filloi të zbulohej kënaqësia e çrregullsisë dhe e mos respektimit të raporteve; e përmbysjeve të gjuhës së ndërtuar vizive. Kjo filloi me përmbysjen e rregullave në pikturë nga avangardat ruse, vazhdoi me eksperimentet e Yves Klein në vitet `60 (për ta parë trupin si një vëllim mbi të cilin mund të manipulosh idetë duke vepruar direkt me ngjyrë mbi të) dhe të tjerë pas tij që ushtruan body-art duke u dhënë shkak stilistëve të krijonin veshje direkt në trup vetëm me ngjyrë. Këto ide qenë shumë novatore, saqë i shndërruan pasarelat në një shfaqje të vërtetë arti. Çdo lëvizje në pikturë apo në gjinitë e tjera të artit pasqyrohet dhe në modë. Çdo stilist mund të krijojë një fytyrë të vetën, një krijimtari artistike tërësisht personale dhe të pavarur nga të tjerët.
Për të krijuar një individualitet të tillë stilistët rendën për të zbuluar ide të reja për të qëndruar gjithmonë ndër më të mirët dhe ky kërkim idesh solli dhe kthimin tek tradita, si baza më e mirë për të justifikuar krijimet dhe për fat të mirë, tradita duke qenë një ekstrat i krijimtarisë në shekuj ka se me çfarë të furnizojë; mbetet gjithmonë një fushë që duke e eksploruar zbulon gjëra të reja.
Edhe tradita jonë në këtë drejtim është shumë e pasur. Një veshje popullore shqiptare është një ekspozitë më vete e artit popullor.
Është e mahnitshme larmia e kostumeve popullorë në vendin tonë dhe puna aq e hollë me detajin. Kemi një pafundësi florealesh të qëndisura mrekullisht nga duart e vajzave dhe grave. Qëndisja dhe endja kanë qenë traditë vetëm për femrat të cilat kalonin një pjesë të mirë të ditës mbi to. Ato qëndisnin veshjet për femra, meshkuj dhe për fëmijët e familjes. Mund të ndodhte që përgatitja e një kostumi shkonte me vite të tëra dhe ajo ishte një pasuri e madhe për familjen, e cila trashëgohej në çdo brez. Rrallë ndodhte që një veshje të ishte e thjeshtë në ndërtimin artistik të saj, edhe ato që i përkisnin shtresave jo të larta të shoqërisë shqiptare. Pothuajse të gjitha veshjet kishin të njëjtin seriozitet përgatitjeje dhe të njëjtin shpenzim në kohë, në punë dhe në materialet e përdorura në të. Çdo veshje kishte ngjyra, shumë ngjyra. Gjejmë në to të bardhën që zë pjesën më të madhe të veshjeve(këmishat, fustanellat, jelekë, tirqe, çitjane…);kjo e bardhë e plotë(reminishencë e veshjeve ilire) kombinohet me të kuqen hallej, të artën, me blu kobalt, të gjelbrën smerald, vishnjen e errët madje dhe të zezën(jelekë, xhubletë, gjoksore, tunikë…). Si pëlhura ka ndërthurje të damaskut apo velurit me mëndafshin dhe të gjitha këto të qëndisura me fije fine metali të çmuar(ar ose argjend). Motivet e qëndisura janë kryesisht floreale, lulet e stilizuara, shpendë, insekte si evokim i kohës së interesimit të njeriut mbi natyrën, arabeskat dhe motive gjeometrike më të vona dhe më pak me simbole pagane, por edhe në ato veshje që gjenden janë shumë potentë si motive, sepse mbizotërojnë dukshëm. Qëndisja shpeshherë shoqërohet me punë kryq për të krijuar një element tjetër dekorativ dhe copa të mbivendosura si reliev. Pjesët më tepër të qëndisura janë jakat, mëngët shpinoret, gjoksoret, tunikat, etj., të cilat gjenden në modele nga më të larmishmet. Çdo krahinë ka një veshje të ndryshme nga tjetra. Çdo ceremoni apo rast gëzimi ishte një okazion për të veshur kostumet më të bukura në botë. Ato që janë më tepër të përdorshme janë jakat rrumbullake, mëngoret e qëndisura në fund, tek burrat i gjejmë të mbledhura, tunikat janë të përdorura shumë dhe të larmishme në formë në pjesën fundore të tyre, gjoksoret e Shqipërisë së mesme me jakat e mëdha dhe të gjera, Xhubletat me kindet e mëdha, rripat e trashë me togëzat e rënda prej bronxi, dhe një mori kapelesh, shamish apo përparjesh. Dhe të gjitha këto të qëndisura me fije të arta dhe argjendtta, me motive ku asnjë nuk i përngjan tjetrit.
Edhe në veshjet e mesjetës të imponuara nga sundimi turk, përsëri u ruajt karakteri kombëtar duke i sjellë ato si një vepër origjinale shqiptare, siç është veshja e Shqipërisë së mesme me çitjanet që zbresin deri tek kavilja. Me qëndismat në rrethorin mbyllës, me jelekun që zbret sa mbaron gjoksi dhe ka vetëm një mbyllje duke lënë të kuptohet forma e gjoksit, veshja është trasformuar në një veshje tërësisht shqiptare dhe po aq e hirshme dhe joshëse. Edhe kaftani që është një xhaketë e gjatë që zbret deri në fund të këmbëve më mëngë të gjatë të rëna nga pas. Kokat zakonisht mbuloheshin me shami në zona të veçanta dhe diku me kapele të stilizuara ku gratë mund të shprehnin gjithë dëshirën dhe talentin e tyre për t`i zbukuruar me lule ose dhe me zbukurime me gurë ose pare. Një veshje të tillë dhe një mbretëreshë e asaj kohe do ta kishte zili. Një fakt është që veshja shqiptare eshte prekur pak, ose thuajse fare nga tendencat fetare, në të nuk gjenden kryqe, figura shenjtësh, aty gjithmonë ka lule të stilizuara, flutura, zogj, figura gjeometrike etj. Në këto kohë dhe pëlhurat filluan të zëvendësohen me linone dhe pambukun si më pak të kushtueshme. Edhe në kohë të mëvonshme qëndisja ka zënë një pjesë të mirë kohe të vajzave shqiptare deri në mesin e viteve `80 duke e zhvilluar si hobi në kohën e lirë, madje në këto vite pati një ndryshim të stilizimeve të cilat vinin më të studiuara dhe inspiroheshin shpesh herë nga krijimet e artistëve që punonin në ndërrmarrjet artistike të asaj kohe.
Sot qëndisja vjen si një objekt koleksioni. Interesimi ndaj saj qëndron në vlerën historike të veshjes shqiptare edhe pse në këndvështrim të vogël nuk mund të quhet një vepër e mirëfilltë arti, ajo vjen si një thirrje e fortë e së kaluarës tonë, përcjell mendimin, ndjenjat dhe informacione të çmuara të kohëve të tjera. Është një pasuri e jona.
Nga gjithë ajo trashëgimi kulturore që kemi, nga dokumentet historike, artistikë dhe muzealë dhe nga objektet e gjalla që kanë mbetur në sëndukët e vjetër të shtëpive karakteristike shqiptare apo dhe nëpër ato pak muze etnografike, jemi të ndërgjegjshëm për atë pasuri të madhe qëndismash, aksesorësh të mrekullueshëm byzylykësh, togëzash, varësesh aq të rralla, veshjesh mëndafshi dhe kadifeje të qëndisura dhe të punuara aq bukur, saqë mahnitin mbi të gjithë vizitorët e huaj. Kjo tërheqje ka ndodhur në çdo kohë, aq sa artistë, piktorë dhe estetë të huaj nuk kanë mbetur pa e vënë në dukje këtë krijimtari të larmmishme, duke krijuar vepra me vlera dhe artistike. Ndër këta mund të përmendim; piktorin anglez Eduart Lir, piktorin francez Leon Zherome, piktorin kroat Pajo Jovanoviç, autoren angleze Edit Durham, etj, që me krijimtarinë e tyre kanë lënë dokumente shumë të vyera jo vetëm artistike, por dhe historike mbi veshjet karakteristike shqiptare.
(Boston)
RIHAPET SHKOLLA SHQIPE E LYNN-IT, MASS
Dëshira për te shkruar gjuhën shqipe, në qytetin e Lynn-it daton qysh para 100 vjetësh, kur emigrantët e parë shqiptarë, punëtorët nëper fabrikat e lëkurëve dhe të këpucëve të Lynn-it mësonin në grupe të vogla njeri-tjetrin të shkruanin e të lexonin në gjuhën shqipe.
Fakte këto që janë përmendur edhe në muzeumet e qytetit. Këta burra e djem, kur vinin të dielave në kishë dhe e informonin Fan Nolin për ç’ka kishin arritur, prifti shqiptar, i mallëngjyer, i përgëzonte e i uronte.
Sot kjo traditë vazhdon me hapjen e shkollave shqipe të rregullta, me mësues profesionistë, me programe e libra të nevojshem.
Shkolla e parë shqipe e Lynn-it u hap kryesisht për fëmijët kosovarë e funksionoi vetëm për vitin 2006-2007, me mësuesin e nderuar kosovar Afrim Hoxha. Më 10 janar 2009 u zhvillua ceremonia e rihapjes së shkollës së gjuhës shqipe në Lynn. Është hera e dytë që familjet shqiptare kosovare festojnë hapjen e shkollës shqipe në qytetin e Lynn-it, Mass. Në vitin 1999 erdhën si refugjatë 100 familje shqiptare nga Kosova e pasluftës dhe u vendosën në Boston e në rrethinat e tij.
Qyteti i Lynn-it priti me bujari shumicën e refugjatëve. Komuniteti amerikan i strehoi, i punësoi, u shëroi plagët e trupit e të shpirtit e, së fundi, u krijoi kushtet të hapnin një shkollë shqipe për fëmijët e tyre.
Festa e shkollës mblodhi shumë prindër, nxënës e të ftuar në një nga mjediset e Qendrës Kulturore të Lynn-it, ndërtesa ku pikërisht ndodhen edhe klasat për mësimdhënien e gjuhës shqipe. Salla ishte zbukuruar me flamurët shqiptar, kosovar e amerikan dhe me vizatimet e fëmijëve. Shumica e nxënësve janë nga familjet shqiptare kosovare, por shkolla do të përfshijë edhe fëmijët e familjeve të tjera emigrante nga të gjitha trojet shqiptare. Koordinatori i shkollës z Besim Demaku po interesohet për pjesëmarrjen në shkollë të të gjithë fëmijëve shqiptarë të qyteteve përreth Bostonit, që nga Çelsea, East Bostoni, Somerville, Pibadi, Lynni, deri nga shteti i Nju-Emshrit. Besimi thotë: “ Ne shqiptarët e Kosovës jemi të bashkuar dhe kemi qenë gjithnjë pranë njeri-tjetrit, sepse kemi vuajtur nga pushtuesit e huaj. Kjo traditë na shoqëron kudo që të ndodhemi, edhe këtu në diasporë. E ardhmja do ta provojë!”
Te pranishmit i përshëndeti z Agim Sejdiu, kryetari i Shoqatës së
shqiptarëve kosovarë. Përshëndetje të veçanta dhe
përgëzime ai u drejtoi edhe nxënësve të shkollës shqipe….”Ne sot ndjehemi të gëzuar e krenarë që arritëm të rihapim shkollën shqipe të
Lynn-it,- tha ai.- Rihapja e shkollës shqipe u arrit falë interesimit dhe kontributit tuaj, motra e vëllezër, falë angazhimit të bashkëkombasve tanë, njerëzve atdhetarë të kombit tonë….Themelimi i Shoqatës sonë të shqiptarëve kosovarë po na mundëson që të jemi të organizuar për çdo rast e veprimtari me karakter kombëtar, humanitar, arsimor, kulturor e sportiv. Do te veçoja këtu rolin e bashkëpunimit me shkollën shqipe të Bostonit, me ish drejtoreshën z Roza Mia, si dhe interesimin e Konsullit të Nderit z Stefan Koçi, ndihmës së pakursyer te bashkëkryetares së shoqatës BESA , z Albana Orgocka dhe të anëtarit të bordit drejtues të kësaj shoqate z Fatmir Bejo.” Më tej z Sejdiu falënderoi të ftuarit e kësaj mbledhjeje z. Stefan Koçi, z Fatmir Bejo, si dhe drejtoreshën e re të shkollës së gjuhës dhe trashëgimisë shqiptare “Besa” të Bostonit, z Myzejen Ormenaj, që nderuan me pjesëmarrjen e tyre. Kryetari falënderoi gjithashtu komisionin e shkollës shqipe të Lynn-it nën drejtimin e z Besim Demaku, falënderoi dhe vlerësoi gatishmërinë dhe vullnetin e mësuesit kosovar Ramadan Çalaj për të punuar me pasion e për t’u mësuar fëmijëve tanë alfabetin, shkrimin e leximin e gjuhës së ëmbël shqipe. Falënderime iu drejtuan edhe z Adnan Lubçeviç, i cili ndihmoi për sigurimin e lokalit për klasat e mësimdhënies. Z Sejdiu përfundoi: “ Mbi të gjithë, duhet t’ju falënderojmë ju, motra e vëllezër, prindër të dashur, të gatshëm për të financuar e investuar për të ardhmen e fëmijëve tuaj…Nxënës të dashur!
Ju jeni ardhmëria e kombit tone, ndaj ne, sot, ju japim një porosi juve të gjithëve: ju duhet ta dini dhe ta mbani mend mirë se tani Kosova jonë është e lirë—është shtet i pavarur dhe demokratik…Kosova ka nevojë për ju, fëmijë të dashur…Ju, me dijet tuaja që do të fitoni në shtetin mik dhe demokratik të Amerikës, t’i ktheheni Kosovës e ta ndihmoni atë në zhvillimin e përparimin e mëtutjeshëm…Dhe porosia jonë është: KUDO QË TË SHKONI, GJUHËN SHQIPE DHE KOSOVËN KURRË MOS E HARRONI!”
Afrohem tek një grup grash kosovare. Hidajete Sejdiu thotë: “I kam fëmijët te rritur. Këtu, në këtë takim kam ardhur vetëm për të përshëndetur rihapjen e shkollës sonë”. Nusja e re Vlora Sejdiu, me nje fytyrë të qeshur, tregon se do të sjellë katër fëmijët e saj në shkollën shqipe të Lynn-it. “Jam shumë e lumtur që u rihap shkolla!”- thotë ajo. Zonja Hysnie Kadriu thotë se nuk ka fëmijë për këtë shkollë, por ka ardhur nga gëzimi në këtë ditë feste, një ditë e paharrueshme për të gjithë.
Mbrëmja festive vazhdoi me urime e dolli, me muzikë e vallezime nga vajzat kosovare. Sa herë jam ndodhur në festat e hapjes së shkollave shqipe, kam provuar një mbindjeshmëri kur u kam kërkuar nxënësve të shkruajnë emrin e tyre në një fletë fletoreje. Këtë zakon e kam huajtur nga Fan Noli. Ai mblidhte emërshkrimet e fëmijëve. Ja disa prej firmave të tyre: Albin Asani, Dijana Asani, Blenda Hoxha, Blendon Hoxha, Blertushe Xhemajli, Nuhi Xhemajli, Arlind Shehu, Gresa Sejdiu, Benit Sejdiu, Besa Sejdiu, Blinere Demaku, Melisa Demaku, Betim Sejdiu…Pastaj vogëlushi kosovar Betim Sejdiu recitoi vjershën “Gjuha jonë”, pasuar nga vajza e vogël Minera Demaku, e cila recitoi vjershën e abetares: /Are, are, abetare/ Në çdo faqe një dritare/ Po më çel ti për çdo ditë/ E më jep gëzim e dritë/…
Drejtoresha e shkollës shqipe “Besa” të Bostonit z Myzejen Ormenaj duartrokiti fëmijët e përshëndeti me emocion: “Është kënaqësi e lumturi që ndodhem mes jush, te dashur prindër e fëmijë. Fëmijët shqiptarë kudo, në Boston e në rrethinat e tij, do ta ndiejnë veten më të gëzuar, se do të ketë më shumë nxënës që do të mësojnë gjuhën shqipe, se do të ketë më shumë pena në gishtat e vogla të fëmijëve shqiptarë, të shkruajnë gjuhën e bukur shqipe! Jam e nderuar që, në emër të shkollës shqipe të Bostonit, t’ju përshëndes sonte të gjithë…Ne do t’ju ndihmojmë me të gjitha mjetet, sepse bëhet fjalë për një gjuhë, për një komb.”
Mësuesi i ri z Ramadan Çalaj, një mesoburrë veshur me sqimë, serioz dhe i sjellshëm, ndihet i prekur, por e përmban emocionin. “Kam qenë mësues i gjuhës shqipe në shkollat e Kosovës, -thotë ai,- dhe filloj sërish të jap gjuhën shqipe këtu, në një vend të huaj… Detyra jonë parësore është t’u mësojmë fëmijëve gjuhën tonë të gjyshërve, sepse e ardhmja e tyre lidhet me ruajtjen e gjuhës dhe traditave familjare që kemi patur në vendlindje. Kështu do të ndihemi sikur jemi në atdheun tonë… Ndiej kënaqësi që po i hyj punës së mësimdhënies përsëri. Ndiej kënaqësi të punoj përsëri me nxënësit e mi,.. Sigurisht që ka edhe vështirësi. Gjithsesi, më qetëson bashkëpunimi me shkollën shqipe të Bostonit. Ata janë më të avancuar, kanë krijuar tashmë një përvojë të mirë. Ne do të bashkëpunojmë me shoqatën BESA dhe shkollën e Bostonit…Ne po marrim mbi supe një barrë të rëndë. Secili prej nesh duhet ta mbajë atë barrë, është detyrë patriotike.” Pastaj z Çalaj pohoi se fëmijët nuk kanë të njëjtin nivel. Në ato familje ku flitet shqip, nxënësit janë më të përgatitur dhe e përvetësojnë më mirë mësimin, për të folur e për të shkruar. Sidoqoftë, çdo gjë do të nisë që nga fillimi, duke bërë seleksionimin e nxënësve për t’i ndarë në klasat përkatëse. Ata që janë më të mirët, do të tubohen në një klasë të veçantë, në grupin e dytë, dhe do të studiojnë me librin “Gjuha shqipe”, i cili përmbledh edhe librin e leximit. Ndërsa në grupin e parë do të regjistrohen fillestarët, të cilët do të nisin me librin e abetares. Mësuesi përfundon: …” Dëshiroj ta mbaj gjallë gjuhën shqipe, megjithese jemi larg me Kosovën.”
Përshëndetjen e tij, z Stefan Koçi, Konsulli i Nderit në Massaçusetts, e hapi me fjalën “Urime!” Ai vazhdoi: “Është kënaqësi të shohësh aktivitetet e shumta që kryen Shoqata e shqiptarëve të Kosovës…Rihapja e shkollës kalon mes vështirësish, por e rëndësishme është se si kalohen ato.. Ato do t’i kalojmë të gjithë së bashku. Do të punojmë të gjithë. Gjërat e mëdha arrihen duke punuar së toku.
Urime edhe juve prindërve, që, si fëmijët edhe ju ndjeheni të emocionuar
sot.” Më tej z Stefan përmendi një detaj: Fëmijët i tërheq anglishtja
në shkollë, ndaj duhen përpjekje, durim e kohë nga ana e familjarëve për vemendjen që u duhet kushtuar fëmijëve. “Ne presim që ky brez
nxënësish,- vijoi ai,- kur të rriten, jo vetëm ta dinë gjuhën shqipe, por ta mesojnë atë më mirë e ta përvetësojnë shkencërisht, duke marrë kulturë edhe nga librat shqip. Kështu ata do të bëhen ndihmës aktivë për atdheun e prindërve të tyre. Urime shoqatës e mirupafshim në festimin e përvjetorit të parë të pavaresisë së Kosoves në muajin shkurt.”
Në përshëndetjen e tij z Fatmir Bejo tha se shoqata BESA ka bashkëpunuar me Shoqatën e shqiptarëve kosovare në shumë aktivitete e tash po interesohet edhe per rihapjen e shkollës. Ai vazhdoi: “Është një gëzim i madh per ne të gjithë rihapja e shkollës së Lynn-it, pas gjithë atyre perpjekjeve e planeve që kemi hartuar së toku... Është gëzimi juaj dhe gëzimi ynë. Është puna juaj dhe puna jonë. Dhe kështu të vazhdojë! Mbështetja e shoqatës BESA do të jetë në të gjitha drejtimet. Do t’ju furnizojmë me libra, programe e mjete mësimore.
Detyra juaj si prindër është që t’i sillni fëmijët në shkollë vazhdimisht. Duke mësuar të gjithë së bashku fëmijët do të njihen më mirë me njeri-tjetrin e do ta ndiejnë veten si në një familje të madhe.
Nesër, kur të rriten, do të krijojnë së bashku një skuadër futbolli, një grup muzikor ose valltar etj. Grupi i valltarëve “Bashkimi” i Bostonit ka në plan te punojë me nxënësit e shkollave shqipe për t’u mësuar të vegjëlve vallet e bukura shqiptare”.
Më tej z Fatmir tha se shoqata BESA do t’u siguronte librat e shkollës , të cilat vijnë nga Shqipëria. Ai përmendi një “zakon” të ri të shkollës shqipe të
Bostonit: nxënësit shqiptarë i ruajnë e i mbajnë pastër librat, e, kur nuk i përdorin më, i kthejnë prapë në shkollë për nxënësit që fillojnë sërish klasën. Ai nënvizoi se shkolla shqipe nuk u sherben vetëm nxënësve, por edhe prindërve. Ata njohin më mirë njeri-tjetrin dhe mund të ndihmojnë prindërit e rinj, të posaardhur, për të gjetur punë, shtëpi etj. Z Fatmir përfundoi: “ Ajo që na bashkon këtu, është gjuha jonë dhe e kaluara. Koha me kohën ndërron, kurse gjuha mbetet përjetë dhe ajo do të na bashkojë të gjithë.”
Mbas shume shekujsh bashkë e më pas të ndarë, u bashkuam përsëri këtu në Amerikë e kudo në diasporë shqiptarët e të gjitha trojeve, duke ruajtur identitetin kombëtar.
Le të rrojë gjuha shqipe dhe shqiptaria sa të ketë njerëz mbi tokë!