Monday, November 19, 2007

Bota e Gruas Shqiptare-MIMOZA DAJCI-HISTORI


Roli dhe kontributi i Isa Boletinit
për Pavarësinë e Shqipërisë.
(Ky material u përshtat për blogun tonë nga
Mimoza Dajçi mbesë e familjes së Boletinëve)


Isa Boletini (1864-1916)>"Unë s'kam ardhur në Londër për Mitrovicën time, por kam ardhur për të gjitha tokat shqiptare
që të bashkohen në një shtet"

Isa Buletini ka qenë atdhetar i shquar, organizator e udhëheqës i lëvizjes për çlirim e bashkim kombëtar. Lindi në fshatin Boletin të Mitrovicës, më 1864, në një familje me tradita patriotike. Në moshën 17- vjeçare mori pjesë si luftëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Betejën e Slivovës ( 22. 04. 1881) kundër forcave osmane. Përkrahu Haxhi Zekën dhe atdhetarët tjerë në themelin e Lidhjes Shqiptare të Pejës. Përkrahu revolucionin xhonturk të vitit 1908. Ishte një nga organizatorët e Kuvendit të Ferizajit (1908) që luajti rol të rëndësishëm në shpalljen e Kushtetutës. Iu kundërvu politikës reaksionare e antiishqiptare të xhonturqve. U dallua si udhëheqës e organizator i kryengritjeve të mëdha populloreantiosmane të viteve 1910- 1912, veçanërisht në betejat e zhvilluara me ushtritë turke në zonat Shtimj - Carravelë më 1910. Gjatë Luftës I Ballkanike u vu në krye të çetave të armatosura për mbojtjen e trojeve shqiptare dhe të qeverisë së përkohshme të Vlorës. Më 1913, si anëtar i delegacionit shqiptar, së bashku me I. Qemalin shkoi në Londër, ku protestoi me forcë kundër vendimit të Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë. Më vonë I. Bolentini kaloi përsëri në Kosovë, ku organizoi qëndresën popullore kundër pushtuesve të rinj serbomalazezë. Më 23 janar 1916 u vra pabesisht nga shovinistët malazezë në Podgoricë.

BOLETINI, PRIJSI SHQIPTARËVE QË TMERROI STAMBOLLIN
Kur Lordi anglez e pyeti se ku binte në hartë fshati i tij, Isa Boletini iu përgjigj: "Unë s'kam ardhur në Londër për Mitrovicën time, por kam ardhur për të gjitha tokat shqiptare që të bashkohen në një shtet"
Të gjitha ngjarjet e vogla e të mëdha në Kosove janë të lidhura ngushtë me atdhetarin e shquar Isa Boletini. Por roli dhe kontributi i tij më i madh është i lidhur me Kryengritjen shqiptare të vitit 1912 dhe shpalljen e Pavarësisë. Në të dyja këto heroi Isa Boletini ka luajtur një rol shumë të madh.
Isa Boletini u lind në viti 1864 në fshatin Boletin të Shalës së Mitrovicës.
Familja Boletini ka dhënë një kontribut të madh për çështjen kombëtare për liri e pavarësi dhe me këtë frymë është rritur e edukuar edhe Isaj. Siç dihet, Lidhja e Prizrenit ka qenë ngjarja më e rëndësishme e popullit tonë e cila i vuri themelet e shtetit të ardhshëm shqiptar dhe ngjalli ndërgjegjen shqiptare. Ajo formoi qeverinë e parë, me të gjitha segmentet e shtetit, duke e krijuar edhe Ministrinë e Mbrojtjes. Mirëpo shtetet e Evropës, si gjithë herë, jo vetëm që nuk e njohën, por e nxitën Perandorinë osmane që ta shtypte sa ma më parë. Një nga ushtarët trima të Lidhjes së Prizrenit ka qenë edhe Isa Boletini, i cili luftoi për krah heronjve Mic Sokoli e Sefë Kosharja për të mbrojtur tokën amtare kundra hordhive osmane të Dervish Pashës. Isa i ri e pa me sytë e tij heroizmin e Mic Sokolit kur u hodh mbi grykën e topit të armikut, për t'ju dhënë zemër luftëtarëve trima që e jepni jetën si me le. Këtë shembull do ta ndiqte më pas edhe Isa Boletini në të gjitha betejat legjendare, jo duke komanduar nga pas luftëtarët, por duke u prirë në ballë. Ndonëse Lidhja e Prizërenit u shtyp me gjak, idetë e saj kombëtare të mbrujtura thellë në ndërgjegjen e popullit tonë nuk u shuan kurrë e jehona e saj vazhdoi gjatë duke edukuar brezat që erdhën më ndjenjën e atdhedashurisë.

Isa në Lidhjen e Pejës

Në vitin 1899 u themelua Lidhja e Pejës nga atdhetari i madh Haxhi Zeka e në atë ngjarje të shënuar Isa Boletini luajti një rol të rëndësishëm për organizim e mbrojtjen në Kosovën Veriore. Ai morri pjesë në atë kuvend në krye të delegatëve të Mitrovicës ku u mori përsipër që vendimet e Kuvendit do t'i zbatonte me përpikmëri. Por armiqtë shekullor të Shqipërisë si gjithmonë, sa e panë se shqiptarët filluan të organizohen, gjetën një kalë troje që e futën në mes për të perçarë shqiptarët. Pikërisht kur Lidhja e Pejës po merrte po atë shtrirje e atë karakter Kombëtar si të Lidhjes së Prizrenit, me dorën tradhtare të shqiptarit Mahmut Zajmi të shitur te osmanlia e te Serbia, më 1901 e vrau kryetarin e Lidhjes së Pejës të madhin Haxhi Zeka. Betejën e parë me ushtrinë osmane Isa Boletini e ka bërë në vitin 1895. Valiu i Kosovës Hafiz Pasha i dha urdhër majorit Mehmet Efendiut që ta sulmonte në befasi Isa Boletinin ditën e Bajramit. Por Isai ishte mësuar me pabesitë e osmanlijve dhe rrinte gjithmonë në pritje për çdo të papritur. Në atë kohë majori turk në krye të një taborri ushtarësh u nis për Boletin. Ndërkohë Isai i kishte zënë pusi atje ku ai nuk e priste dhe jo vetëm që e shpartalloi ushtrinë osmane po vrau shumë prej tyre dhe vetë majorin që e la kokën në luftë. Ndërsa Isai me forcat e tij i shkoi në fshatin Banjë dhe i çoi fjalë Veliut: "Shnosh e mirë arrita në Banjë, ndërsa majorin Mehmet Efendiun e lash në Boletin. Po të doni urdhëroni edhe ju se po ju pres si majorin". Kjo fitore u përhap si rrufe në tërë Kosovën dhe autoriteti i Isait urrit shumë sidomos në Kosovën Veriore. Në atë kohë Kulla e Boletinëve u bë një vend peligrinazhi ku shkonin shumë vizitor jo vetëm shqiptar, po edhe gazetarë e korrespondent të huaj gjë e cila i ra në sy qeverisë osmane.

Isa: Jo rusët në Mitrovicë

Në vitin 1902 u hap lajmi në të gjithë Kosovën se së shpejti në Mitrovicë Rusia do të hapte një konsullatë. Qëllimi i saj ishte për t'i shkuar në ndihmë Serbisë. Në atë kohë Isa Boletini, sa e mësoi atë lajm, i çoi fjalë Valiut duke i thënë se ai nuk do ta lejonte që të hapej konsullatë ruse në Mitrovicë. "Na nuk do të lejojmë kurrë që të vijë kangjalloz të Miskokit në Mitrovicë", i tha Isa atij. Ky ultimatum e shqetësoi shumë qeverië osmane sepse ajo e kishte pranuar me protokoll qeveritar hapjen e konsullatës dhe ajo vendosi që me çdo kusht ta largonte nga Kosova Isa Boletinin. Por ajo e kishte shumë të vështirë ta bënte atë veprim se me Isain nuk ishte më vetëm Shala, por Mitrovica me Vushtëri e Llap. E ndodhur para këtij fakti, ajo vendosi që ta bindë me të mirë Isa Boletinin. Mbas shumë përpjekjesh ajo ia arriti qëllimit që ta bind Isain që ai të shkonte në Stamboll, por Isai iu vuri këto kushte: 1) Konsullit rus t'i ndalohej ardhja në Mitrovicë 2) Të lihem i armatosun e me shokë" 3) Të banojë vetëm në Stamboll". Mirëpo në pikën e parë qeveria e tradhtoi, sepse konsulli rus shkoi në Mitrovicë. Por populli që ishte lidhur me besë se nuk do ta lejonte të hapej konsullata ruse në Mitrovicë, u çua në këmbë dhe filoi luftën. Në atë kohë Konsulli rus që ishte artilier, doli vetë të komandonte topçijt kundra shqiptarëve. Një rezervist shqiptar në ushtrinë osmane pyeti: "Po kush asht ai që po komandon topçijt? Dhe kur i thonë se ishte kangjalozi rus, ai menjëherë ia kthu pushkën dhe e vrau. Në Stamboll Isai mbajti një qëndrim të papërfillshëm ndaj pashallarëve e qeveritarëve dhe shtëpia e tij ishte kthyer në një vend strehimi për patriotët dhe shtëpi bamirësie për hallexhinjtë që shkonin nga Kosova. Nga Stambolli Isa Boletini u lirua të kthehej në Kosovë pas katër vitesh, më 1906 kur Rusia u mund në luftë nga Japonia se përndryshe s'kishte për t'u liruar kurrë. Kur ia komunikuan lirimin ai tha: "Ma çoi Zoti Zhapanin (Japonezin) në ndihmë e ia theu kryet Muskovit (Rusisë) e mue m'u dha mundësia të kthehem në Kosovë". Sulltani i dha titullin "Bej, (pasha) e çifliqe në Stamboll, vetëm të rrinte atje, por ai iu përgjigj: "Ma i mirë asht Boletini, se Stambolli". Mbas kthimit në Kosovë Isai priti e përcolli miq e dashamirë dhe merrte informata nga ata që e vizitonin se si i kishin punët me qeverinë në vendet e tyre. Me këtë ai ia blente mendjen secilit e duke pa se pothuaj të gjithë ishin të pakënaqur e të gatshëm për veprim, ai me shaka u thoshte: "Po sikur të fillonim ndonjë kryengritje për të fituar të drejtat tona, a jeni të gatshëm të baheni fidakqor (flijuar) dhe të gjithë iu përgjigjën se ishin gati.

Kuvendi i Ferizajt më 1908

Në vitin 1907 turqit e rinj krijuan një parti opozitare kundra sundimit apsolut të Sulltan Hamitit. Komiteti i tyre në program u premtonte të gjithë popujve të shtypur, liri e barazi me popullin turk. Në këtë parti aderuan shumë intelektual patriot shqiptar e njerëz të thjeshtë duke shpresuar se ajo parti do t'u jepte të drejta kombëtare, prandaj Vilajeti i Kosovës dhe i Manastirit u bënë epiqendra e partisë së turqëve të rinjë. Në Manastir garnizoni i ushtrisë dhe në Kosovë paria,mobilizuan mbarë Kosovën që të merrnin pjesë në një kuvend të madh që do të bëhej në Ferizaj. Në atë Kuvend ku morën pjesë rreth 30 000 vetë. një nga organizatorët ishte edhe Isa Boletini i cili luajti një rol të rëndësishëm dhe e mori fjalën në kuvend. Në kuvend folën shumë oratorë duke demaskuar padrejtësitë masakrat që kishte bërë në popull sundimi i egër i Sulltan Hamitit. Kuvendi vendosi që t'i dërgohej një telegram ultimativ Sulltanit që të shpallte menjëherë
Kushtetutën, përndryshe Kosova e para do ta fillonte luftën kundër tij. Telegramin e firmosën 1500 vetë dhe një nga emrat e parë ishte edhe ai i Isa Boletinit. Sulltani e kishte marrë vesh qëlllimin e atij Kuvendi, prandaj vendimin e tij e priste me ankth e kishte dhënë urdhër që në çdo orë që do t'i arrinte, ta lajmëronin menjëherë. Sa e mori telegramin nga Kosova, Sulltani dha urdhër që menjëherë të shpallej kushtetuta e të bëheshin zgjedhjet parlamentare. Pas shpalljes së Kushtetutës u lejuan në fillim në të katër vilajetet shqiptare të hapeshin shkolla në gjuhën shqipe dhe klube ku propagandohej për çështjen kombëtare. Isa Boletini ndonëse vetë ishte pa shkollë, ai e dinte mirë rëndësinë e shkollës dhe menjëherë e hapi një shkollë në Boletin e më vonë u hapën edhe në fshatra të tjera deri në Mitrovicë. Mirëpo kjo nuk zgjati shumë, sepse turqit e rinj sa erdhën në pushtet e forcuan qeveriosjen e menjëherë filluan t'i shkelin premtimet e tyre duke i vënë popullit veç taksave të vjetra, edhe taksa të reja, duke mbyllur shkolla e klube. Nisur nga kjo populli filloi t'i kundërshtojë dhe ata dërguan në Kosovë ekspedita të armatosura në krye me Xhavit Pashën . Ndeshjen e parë ai e bëri me Isa Boletinin në Shalë, por shpejt u tërhoq dhe kaloi në Rrafsh të Dukagjinit ku bëri dëme të mëdha, por e theu kokën ne Lumë dhe u kthye i turpëruar në Stamboll. Atdhetarët kosovarë u bindën se me turqit e rinj nuk kishte më miqësi, prandaj filluan të organizonin kryengritjen e vitit 1910 me në krye Idriz Seferin e Isa Boletinin. Këta të dy u takuan në mars të atij viti në Prishtinë në Klubin Kombëtar në prani të atdhetarit intelektual e kryetarit të klubeve për Rrafshin e Kosovës, Nazmi Gafurri. Aty e lidhën besën e menduan planin taktik e strategjik dhe çfarë kërkesash do t'i bënin qeverisë. Ata vendosën që të bëheshin dy kuvende, njëri në Gjilan nën drejtimin e Idriz Seferit dhe tjetri në Rrafsh të Dukagjinit nën udhëheqjen e Isa Boletinit. Ndërkohë të dy këta burra kishin bërë punë praprake për kryengritjen e armatosur. Në radhë të parë ata i kishin pajtur gjaqet që ishin plagët e vjetra të shqiptarëve që dhimbnin më shumë. Pasi hartuan kërkesat ata ia dërguan qeverisë xhonturke në emër të kryengritësëve dhe atë ia besun atdhetarit Nazmi Gafurri, të cilat ai do t'i shpallte kur do të ziheshin grykat strategjike si ajo e Kaçanikut, Çeraleves dhe e Jezercit.Kërkesat e tyre ishin: 1.Gjithë ne që jemi shqiptarë, do të derdhim gjakun për pikë dhe kërkujt nuk i lëshojmë një pëllambë vend. 2. Sulltanin do ta njohim për mbret, vetëm atëhere kur mos të na përzihet në punët tona të mbrendshme të Shqipërisë të cilën duam na vet ta qeverojmë nën hijen e Sulltanit. 3. Duam të lëshohen të gjithë ata vëllazën tonë që i zu qeveria dhe i burgosi. 4. Duam të dërgohet një komision,në të cilin të ketë të paktën 10 deputetë shqiptarë për me u marr vesh me ne për dëmet që na ka ba Turkia dhe të na i paguaj (është fjala për ekspeditën e Xhavit Pashës) të gjitha ato". Pra këto kërkesa nuk ishin ekonomike por politike të cilat kishin të bënin me autonominë e Shqipërisë me të katër vilajetet.

Kuvendi i Rrafshit të Dukagjinit

Atdhetari i madh Isa Boletini menjëherë filloi pergatitjen për organizimin e një kuvendi të madh në Rrafsh të Dukagjinit. Në mars të vitit 1910 të Verrat e Shugës në mes të Gjakovës e Pejës u bë kuvendi ku morën pjesë gjithë paria e Rrafshit të Dukagjinit. Në atë Kuvend rolin kryesor e luajti Isa Boletini i cili në mes të tjerash tha:" Vëllazën, kemi pesëqind vjet që jemi pushtuar nga osmanllinjtë që na kanë shtyp. Tani ka ardhur koha që të lidhim besën së bashku për t'u ngritur në luftë kundra osmanlive për t'i fituar të drejtat tona me armë". Të gjithë e mirëpritën fjalimin e shkurtër të Isajt dhe u lidh besa se do të merrnin pjesë në luftë. Menjëherë mbas mbarimit të Kuvendit Isa Boletini i shoqëruar nga shumë kryengritës u nis për të zënë grykën e Ceralevese e cila e lidh Rrafshin e Dukagjinit me Fushën e Kosovës. Në atë kohë Perandoria osmane kishte dërguar më se 100 batalione ushtarësh të armatosur me armët më moderne të kohës për ta shtypur atë kryengritje. Sapo u mësua kjo gjë, Idriz Seferi zuri grykën e Kaçanikut që lidh Fushën e Kosovës me kryeqendrën e Vilajetit, Shkupin, ndërsa patrioti Hasan Hysen Budakova zuri grykën e Jezercit. Ai me forcat e tij mbronte krahun e majtë të forcave të Isajt dhe krahun e djathtë të forcave të Idriz Seferit. Luftimet qenë shumë të mëdha e të përgjakshm e ushtria osmane u thye disa herë. Ndërkohë qeveria osmane u detyrua që të dërgonte për ndihmë Dergut Pashën me forca të mëdha. Por ai nuk mundi të depërtonte nëpër ato gryka të thella. Nisur nga kjo sirtuatë e vështirë Stambolli u detyrua të dërgonte ministrin e Luftës Mahmut Shefqet Pashën në krye të 40 mijë forcave. Isa Boletini në krye të 3000 luftëtarëve në Grykë të Caralevës luftoi me heroizëm të madh, por atë që armiku shekullor nuk mundi ta mposhte dot me armë, e mposhti me tradhti. Në kuvendin e lartpërmendur ndonëse u lidh besa, nuk morën pjesë Sulejman Batusha, Shaban Binaku e Rust Kabashi të cilët e dëmtuan shumë atë kryengritje. Poeti patriot Risto Siliqi i cili mori pjesë vetë në këtë kryengritje ka shkruar: "Ret ishin lidhun nyje, e pllumbat pikojshin si pikat e shiut, ndërsa trimat luftëtarë këndojshin sikur ishin në dasëm". Ndërsa për komandantin e kryengritësve shkruante: Isa Bega Boletina / Bir i së njërës kosovesh/mbi halldupa, mbi coftina,/Nget e shket me shpatë zhvesh". Ndonëse kryengritja dështoi, armikut i mbetën me mijra të vrarë e të plagosur si dhe 80 oficera madhorë gjë e cila bëhet e ditur dhe nga dokumentet osmane të kohës. Ushtria osmane e udhëhequr nga gjeneralët kriminel, Dergut Pasha e Shefqet Pasha bëri krime të papërshkruara ndaj popullsisë duke vrarë e varë, djegur e plaçkitur. Për këtë rapsodi popullor ka kënduar: N'Kaçanik e në Boletin /Krejt Kosova u mbush me tym /u mbush me tym e na i dual flaka / E dogj me topa Dergut Pasha".



POEZI

Naganti i Isa Boletinit


Bene udhe te gjate
te inglizi vinin
Ismail Qemali
Isa Boletini.


Hynin dy shqiptare
brenda ne pallat
njeri luftetar
tjetri diplomat.


Shqiperi e tyre
kish halle e mjera
armet zoterinj
regull,rine te dera.


U ngrys luftetari
syte i shkrepen cike
lere diplomati
i tha me qerpike.


Dhe ua la tek dera
Isa Boletini
poshte nen brez,te vogles
syte i shkrepetinin.


Faqen vene te trupi
veshin vene te gjaku
je edhe per mua
thosh ajo se largu.


Hapat qete e qete
binin ne pallat
njeri luftetar
tjetri diplomat.


Here-here qerpiket
si gershere perplasnin
thua drite te huaj
syte nuk u qasnin.


Dhe tha lordi i madh
gjuhen duke zgjidhur
me humor te huaj
me nje gaz te hidhur.


Ja dhe carmatosur
zoterinj shqiptare
si kallkan i ngrire
ngriu fjal e pare.


Pa nagantit siper
brezit me si pritej
por nen brez e vogla
zu te hasharitej.


Mblidhte xixa zjarri
permbi trup te bukur
priste luftetarin
qe ti thoshte "duku".


Syte e diplomatit
zjarr te hidhur shkrepen
Isa Boletini
brrom nga brezi tjetren.


Brrom aty perpara
mu te lordi prane
"Madheri Shqiptarin
kurre s'e gjen pa arme".


Zbardhelloi sermaja
shkreptiu fildishi
...ndriten malet tona
andej larg, tek ishin.


Qelqe e shandane
dhane drite te lige
Ismail Qemali
qeshi nen qerpike.


Dhe naganti ulur
rrinte sic i duhej
dora nga i zoti
tyta nga ti duhej.


Nxinte tyte e vogel
brenda nxinin halle...
Shqiperi e vogel
ne tryeze te madhe.


Persekucioni sllavo-komunist mbi familjen e Boletinëve
Autore e këtij shkrimi:
Mimoza Dajçi

Për familjen e Boletinëve nuk do të mjaftonin vetëm mizoritë e masakrat serbe por ato do të pasoheshin edhe nga persekutimi komunist në Shqipëri. Dhe ishte pikërisht ne vitin 1943 grupi gueril komunist i Shkodrës i bën atentat të birit te Isës, Adem Boletinit. Ademi kishte kryer akademinë ushtarake dhe kishte qenë Komandant i Njësive që mbrojtën Kongresin e Lushnjes dhe ishte fanolist. Vrasja u bë me urdhër nga jashtë në bashkëpunim me komunistët shqiptar.

Në vitin 1946 sigurimi i shtetit arreston të shoqen e Ademit, Adile Boletini (Bekteshi) me akuzën për veprimtari armiqësore kundra pushtetit popullor. Mbas tre muaj në hetuesi ku u torturua çnjerëzisht nga Nesti Kopali e Zoi Themeli, dënohet me 5 vjet heqje lirie, vite këto që i kreu plotësisht. Në vitin 1947 Ismet Boletini, nip i Isës, mbasi ngre flamurin shqiptar në trenin Mitrovicë-Beograd, arratiset për Shqipëri, por këtu dënohet me 8 vjet burgim dhe vuan dënimin në burgun e Spaçit. Tafil Boletini, i nipi, bashkëluftëtar i Isës, megjithëse i moshuar, lidhet me tela dhe u dorëzohet jugosllavëve.

Në Kosovë, i biri i Isës, Asllani var veten në burgjet titiste, ndërsa djemtë e tjerë duke luftuar me armë në dorë kundër serbo-malazezëve, vriten dhe ekspozohen për terror në mes të Mitrovicës, kurse Skënderi pushkatohet në Tivar. Në vitin 1943 pushkatohet pa gjyq në Prizren i riu Rasim Dajçi, nip i Isës, nga forcat sllavo-komuniste me në krye Shefqet Peçin, edhe ky ushtarak i lartë, akademist. Një tjeter nip i Isa Boletinit, që dënohet nga diktatura komuniste në Shqipëri, është edhe shkollari akademist Enver Dajçi, zotërues i gjashtë gjuhëve të huaja dhe si një ndër firmëtarët e parë që nënshkruan Rezolucionin për Pavarësinë e Kosovës në dhjetor të vitit 1943.

Dhe tragjedia vazhdon, Ismeti një nip tjetër i Isës, dënohet me vdekje, Muja dhe Kapllani arrestohen dhe dënohen me nga 20 vjet në burgjet serbe. Nje nip tjetër vritet gjoja aksidentalisht tek Ura e Ibrit në Mitrovicë. Ali Boletini, nip i Isës, dënohet me 20 vjet burgim dhe më pas arratiset për Shqipëri.

Këto vrasje e persekutime ndër breza me rradhë mbi familjen e Heroit Isa Boletini dhe të qindra e mijra shqiptarëve nga dora makabër e sllavo-komunizmit shqiptar dhe atij jugosllav deri në ditët e sotme janë fakte e dokumenta rrënqethëse të popullit tonë, që përveç vuajtjes dhe dhimbjes që kanë brenda, kanë lënë gjurmë të thella në historinë e saj. Në çdo përvjetor të shpalljes së pavarësisë krahas patriotëve të tjerë përkujtohet edhe figura burrërore e luftëtarit të madh kombëtar Isa Boletini.

Sunday, November 11, 2007

Bota e Gruas Shqiptare-AIDA DISMONDY-DY ESSE


Mesazhi i Paqes ne nje nga veprat e Akil Kocit

Aida Dismondy


Botoi Gazeta "ILLYRIA" Tetor 2007

Duartrokitjet në ekran më përmendin se muzika tashmë ka mbaruar, tingulli i pianos është mekur dhe kori ka rënë në heshtje. Mendimet e mia kanë filluar të vlojnë (përlotur jam gjithashtu) gjatë tërë kohës së dëgjimit të “Gloria Festive - Nënës së Dhembjes ” kushtuar Nëna Tereze, nga kompozitori i shquar shqiptar Profesor Akil Koci. Menjëherë mora lapsin e fillova të shkruaj përshtypjet e mia për Gloria Festive; dy rreshta ia dërgova dhe vetë kompozitorit, duke pohuar ndrojtjjen dhe dyshuar guximin tim. E rëndësishme është kjo vepër për mua, jo vetëm si një vepër e çmuar e repertorit të pasur të muzikës klasike shqiptare, por vlera e saj shtohet në mesazhin që mban. Këtë mesazh po e shtjelloj më tej në rreshtat e këtij artikulli, me shpresën e ngjalljes së kërshërisë nga ana e lexuesit, për ta dëgjuar e ridëgjuar Gloria Festive. Veprimtaria krijuese dhe profesionale – ajo si studiues dhe gazetar - e Profesor Akil Kocit shtrihet në një periudhë prej pesë dekadash. Profesor Koci ka lindur në Prizren, ku ndoqi shkollën e mesme të muzikës, ndërsa studimet e larta i kreu në Akademinë Muzikore të Sarajevës. I konsideruar nga koleget si një kompozitor me tingull muzikor avandgardë, krijimtaria e Profesor Kocit ka pasuruar e pasuron zhanrin klasik dhe atë bashkëkohor të muzikës. Për lexuesin po përmend këngën “Zambaku i Prizrenit”, dhe baletin “ Sokoli e Mirushja”, muzika e të cilave mban emrin e kompo-zitorit. Obligimet e shumta nuk e ndalojnë Profesor Akil Kocin të jetë një mësues i palodhur në përgatitjen dhe përkrahjen e artistëve të rinj.
Në shenjë mirënjohjeje për krijimtarinë e kontributin e Profesor Kocit në muzikën shqiptare, dhe me rastin e 71-vjetorit të lindjes, orkestra filarmonike e Kosovës vuri në skenë dy pjesë nga muzika e kompozitori: Psalmi dhe Gloria Festive – Nënës së Dhembjes. Psalmi është një arritje më vete por, sikur përmenda dhe më lart, fokusi i këtij artikulli është në Gloria Festive – Nënës së Dhimbjes. Tre janë komponentët e saj: muzika, kori dhe recituesja. Integrimi i recitueses Safete Rugova është një surprizë e këndëshme, duke qenë se në kësi rastesh dëgjuesi pret debutimin e sopranos. Vargjet janë një përzgjedhje e krijimeve të disa poetëve shqiptarë, mes tyre: Ali Podrimja, Mark Krasniqi, Enver Gjerqeku e Zoi Shyti. Gloria Festive është një vepër, ku Profesor Akil Koci prezanton njeriun me luftën e tij, për të bërë paqe me padrejtësitë dhe mundësia për ta arritur Paqen përmes dashurisë së prezantuar në figurën e Nëna Tereze.
Gloria Festive hapet e qetë “ Në brigjet e Vardarit/ në agun e Prillit” me një recitim solemn e njëkohësisht të përulur, ndërkohë që i heshtur dëgjohet tingëllimi i një këmbane. Ёshtë këmbana, që njofton lindjen e një mrekullie, atë të fëmijës, të Gonxhe Bojaxhi. Njerëzimi, më pas do ta njihte si Nëna Tereze, murgesha shqiptare, që dha dashurinë am’nore pa kufi e dallim “ për të vegjël/ për t’bardh’ e t’zi”. Kjo dashuri e dashamirësi për njeriun është një nga virtutet e Nëna Tereze, me rrënjë të thella në “traditën e lashtë/ të bujarisë shqiptare”. Kompozitori Akil Koci, i kujton shqiptarit, traditën e bujarisë, që së fundi duket se është groposur diku në thellësitë e tokës nga ku e ka vështirë të dalë, e akoma qëndron në errësirë. Nga errësira kërkon ta nxjerrë kompozitori e dëshiron ta ulë përsëri këmbëkryq në vatrat shqiptare.
Muzika fillon të marr hov ngadalë, tingujve të qetë të këmbanës u shtohen sikur fshehurazi, ato të daulleve. Këto tinguj i shtojnë një ton shqetësimi atyre të këmbanës, duke triumfuar më pas në një shpërthim energjik e tragjik të të tërë orkestrës. Befasues është ky hov i menjëhershëm për dëgjuesin, ai përballet me një vepër muzikore, që i provokon ndërgjegjen. Muzika gjëmon e fuqishme, marramendëse me një kushtrim e një tingull marshi, që tregon se mendimet e kohët për njeriun janë të turbullta. Ky lloj tingulli i muzikës së Profesor Akil Kocit nuk është rastësi, në to ndjehen notat e valleve shqiptare: ajo e malësisë, e shpatave, e Skënderbeut.
Në veprën e Profesor Kocit, njeriu është i kapur në një agoni dhe luftë: me veten,‘mes vedi’, me botën e me padrejtësitë, që koha e shekujt i kanë vënë mbi supe. Ai përpëlitet në agoninë e dhimbjes e lufton me vdekjen që i është ulur në sofër. Angazhimi i menjë-hershëm i harqeve dhe qetësimi i daulleve zbusin pak tonin tragjik të veprës dhe muzika i përshatet meditimit të njeriut. Njeriu përpiqet të marrë pak frymë e të shkundë agoninë. Kjo përpjekje për momentin është një antagonizm i ndjenjave të tij: dëshira për të mirën, për të gjetur paqe dhe revolta për hakemarrje. Ky antagonizëm, në veprën e Profesor Kocit merr formën e një monologu, ku kori e muzika ndërthuren e krijojnë replikat e këtij monologu. Sërish muzika vazhdon me nota dramatike, prekëse e të zymta, si një marsh ankthi e lufte. Asgjë nuk është e qetë, gjithëçka vlon, shpirti e mendja e njeriut në veprën e Profesor Kocit vazhdojnë të jenë të zymta nga dhimbja e padrejtësia, në harresë është Zoti, në harresë është Nëna Tereze. Kori fillon të këndojë, këtë herë ai është zëri i arsyes, që qartëson logjikën e paqartë të njeriut të lodhur. Ai, njeriu, përmes korit, vazhdon të numërojë lëngatat, qarjet, vdekjen, dhembjen që e ka plakur dhe e ka bërë të motshëm. Çfarë të bëjë njeriu? Do të jetë i mirë, do të ndryshojë por s’mundet.
Kompozitori nuk ngelet në përsiatjet e ankthit të njeriut, tjetërkund e ka ai qëllimin dhe i kthehet Nëna Tereze. Një ritëm të ngadaltë merr muzika. Zëri i qartë e kumbues i recitueses i rikujton njeriut, dashamirësinë e Nëna Tereze, e cila në momentet e dëshpëritmit iu gjend pranë njeriut duke i nanuritur “ Zoti qoftë me ju”. Kjo nënë ishte “një Mëmë Shqiptare”, e cila ka vite që në vesh i nanurit edhe shqiptarit. Kompozitori Akil Koci i kërkon njeriut të shkundë mllefin që e ka ngulitur përpara altarit të tij dhe, si djalli nuk e le të qetë të gjejë paqe. Kompozitori i sjell shqiptarit, dorën e Nëna Tereze, e cila “ mbi eshtrat e shqetësuara, lan shkrumin e lan vdekjen”. Profersor Koci i jep njeriut, shqiptarit, dorën e Zotit, e thërret atë nën çatinë mbrojtëse të tij, e thërret për paqe.
Këtu orkestra pothuajse pushon, pianoja fillon të shoqërojë korin në këndimin e Meshës, duke gëzuar për zgjimin e një fillimi të ri. Kori thërret dëgjuesin, shqiptarin, për t’u bashkuar në “ shpresën e lindjes në vajtim”. Fton t’i zgjatim dorën njëri- tjetrit, sikur Zoti e Nëna Tereze i zgjati njeriut, dorën e dashurisë, duke përmbushur qëllimin final të kompozitorit Akil Koci; për të cilin mirëdashësia, mirëkuptimi mes njerëzve janë të mundëshme, sepse rrënjet i kanë të thella në bujarinë shqiptare. Janë këto rrënjë, që Nëna Tereze mori me vete dhe preku njerëzimin e udhëhequr nga Zoti, që më 19 Tetor 2007 çuan në shenjtërimin e saj, në përmbushjen profetike të vargjeve të vepres kur “ këmb-anat e rënda/ në botën mbarë/ “ jehuan “gëzueshëm/ për nder të një emri shqiptar.”
Kompozitori Akil Koci e fton shqiptarin të mbjellë në zemër dashurinë - dhe atëherë kur mendja është e turbullt- duke ndjekur shembullin e shenjtores Nëna Tereze. Gloria Festive – Nënës së Dhembjes nuk është vetëm një vepër e muzikës klasike shqiptare, por është një Hymn Paqeje drejtuar popullit shqiptar brenda dhe jashtë trojeve të Republikës së Shqipërisë nga biri i trungut të saj, kompozitori i shquar Akil Koci.

© Aida Dismondy 22 TETOR 2007


Ka ardhur koha të bisedojmë me fëmijët mbi abuzimet seksuale

Aida Dismnondy


Botuar edhe ne keto organe shtypi: Gazeta "TELEGRAF"."NDRYSHE" dhe Revista "KUVENDI"

S’ka shumë ditë që trupi i dhjetëvjeçarit Bekim Çenga u gjet i pajetë, tmerrësisht i dhunuar nga dora dhe veprimet monstruoze të Shpëtim Zikos. Gazetat rendën të japin detajet e lajmit të kobshëm, pa marrë parasysh ndjenjat e familjes të të ndjerit dhe moshën tepër të njomë të Bekim Çengës. Madje ishin të menjëhershëm për të dhënë dhe diagnozën për Shpëtim Zikon, duke e cilësuar të “sëmur mendor”. Sa tipike për shoqërinë! Kur gjërat nuk venë mbarë e gjejmë zgjidhjen tek “sëmundjet mendore” dhe, kështu lirojmë kriminelet, mbasi i mbajmë mbyllur për disa muaj në ndonjë spital psikiatrik. Ndërkohë që këta me të qenë të lirë bëjnë llogari për të gjetur viktima të tjera. Mjaft, mjaft me këto ekspertiza fallco.
Shpëtim Ziko është një maniak seksual, që çdo veprim të tij e bëri me paramendim. Ai është pjesë e asaj kategorie njerëzish që marrin e shkelin brutalisht ndjenjat e fëmijëve tanë e vrasin, duke përdhunuar trupat e pambrojtur të tyre. Pse diagnoza “ i sëmur mendor”? Mos vallë s’duam të pranojmë se në shoqerinë shqiptare ekzistojnë abuzues seksualë? Apo duam të qetësojmë publikun, që të mos alarmohet dhe të realizojë mendimin, “zbutjen”, se jeta e perditshme e fëmijëve ka ndryshuar. Fëmijët po shiten, po përdoren si prostituta, po dërgohen jashtë atdheut, po detyrohen në punë të rënda, po detyrohen të sigurojnë bukën e familjes, duke braktisur shkollat e mbushur rrugët me objekte të vogla për të shitur, apo duar që zgjaten për të lypur, po përfundojnë viktima të krimit. Ky është realiteti i shoqërisë shqiptare, që mënjanohet sikur të mos ekzistonte, apo sikur një dorë magjike do të rregullohnte gjithëçka.
Bekimi nuk vjen më në jetë, por ata që janë sikur Shpëtim Ziko, jo të “sëmurë mendorë”, por njerëz pa vlera do të vazhdojnë të jenë mes nesh.
Ёshtë detyra jonë si prinder të këshillojmë fëmijët, që të kujdesen të mos bëhen viktima të abuzimeve seksuale, njësoj siç bisedojmë me ta të kenë kujdes nga makinat kur kalojnë rrugën, kujdes kur zgjedhin shokët apo kur shkojnë në shkollë.
Ne, si prindër nuk mund të bëjmë gjithëçka për të mbrojtur një qind për qind fëmijët por, duke i mësuar e biseduar me ta, mundësojmë pajisjen e tyre me dijen e nevojshme për t’u mbrojtur. Dije që shpesh në raste të tilla u shpëton jetën.
Duke pasur parasysh statistikat, viktimat e abuzimeve seksuale janë zakonisht fëmijë nën moshën 10 vjeç. Abuzuesit zakonisht janë njerëz të njohur të familjes, më të moshuar ose fëmijë të rritur. Shpëtim Ziko e njihte Bekim Çengën.
Më poshtë vijojnë disa udhëzime, që prindërit mund t’i përdorin e ndihmojnë fëmijët t’u shmangen abuzimeve seksuale. Dikush mund të mendojë se kjo temë është tabu. A do të qëndrojmë akoma indiferentë dhe të lejojmë jetë të pafajshme të humbin në duart e këtyre monstrave? Abuzuesit seksualë të fëmijëve nuk mendojnë për tabu, ata mendojnë për viktimën tjetër. Si prindër është përgjegjësia jonë të mbrojmë fëmijët.
Komunikimi është një nga themelet e marrëdhënies prindër - fëmijë. Bisedoni me fëmijët, djem e vajza. Këshilla ” Hap sytë, kij kujdes” nuk mjafton. Në bisedën me fëmijët duhet të jemi konkretë. Si prind vendos kur, ku dhe si do të bisedosh mbi këtë subjekt me femijën. Nuk është e thënë të japësh detaje. E rëndësishme është biseda.
Mbajeni komunikimin të hapur, ndërtoni besimin tek fëmija, duke treguar se si prindër i kushtoni vemendje shqetësimeve, problemeve, jetës së fëmijës.
Mësoni fëmijët të mos shoqërohen me njerëz më të mëdhenj në moshë. Natyrisht, shoqërimi me më të medhenjte ka anet e veta pozitive por jeni të arsyeshëm dhe gjithëçka me masë. Mëso ku shkon, me kë dhe çfarë bën fëmija. Kjo s’do të thotë të luani rolin e policit, por drejtojuni fëmijës me pyetje të natyrës: “ Ku ishe sot? Ç’bëtë sot me shokët? A ndodhi ndonjë gjë e veçantë?”
Udhëzoni fëmijët të mos hyjnë në shtëpinë e dikujt vetëm, nëse aty s’ka njerëz të tjerë. Nëse do të largohen me ndonjë më të rritur të njoftojnë prindërit. Nëse dikush i propozon për të shkuar në një xhiro me makinë, apo për një shetitje mësoni fëmijët të thonë “jo” dhe të kthehen menjëherë në shtëpi. Në rast rreziku të thërrasin për ndihmë. Mësoni fëmijët të luajnë me shokët e tyre dhe të mos shkojnë diku apo me dikë vetëm, kurrë vetëm. Bisedoni me femijët të mos pranojnë dhurata nga të njohur e të panjohur, pa prezencën e prindërve. E di, duket e çuditëshme të mos pranosh dhuratë, por nëse dikush vërtetë do që t’i dhurojë diçka fëmijës, do ta bëjë këtë natyrisht në prezencën e prindërve.
Mësoni fëmijët të mos u afrohen makinave, që pyesin për drejtime, por të qëndrojnë në distancë prej disa metrash e të rrinë afër me shokët. Nëse fëmija merr mësime private, qëndro aty derisa mësimi të mbarojë.
Këto duhet te jenë biseda të shpeshta. Sikur u përmend më sipër, si prind vendos kur, ku dhe sesi do të bisedosh me fëmijën mbi këtë subjekt. Ёshtë e rëndësishme të udhëzohen fëmijët se disa pjesë të trupit janë private e se askush nuk duhet t’i prekë, përveç mjekut në prezencën e prindit. Mund t’i thuash vajzës apo djalit:” Të keqen mami, babi, ç’pjesë të trupit mbulohen nga rrobat e banjës janë private dhe askush nuk duhet t’i prekë. Mos lejo njeri të të heqë rrobat, të fusë duart në rroba, apo nën fustan. Kur dikush të thotë zhvishu, mos prano. Nëse dikush të thotë, që ta zhveshësh, mos prano. Nëse dikush të prek a të puth në një mënyrë që të bën të ndjehesh keq, largohu menjëherë, hiqja dorën a duart dhe trego në shtëpi. I thuaj mamit e babit.” Ёshtë e rëndësishme, që fëmijët të ndjejnë, se ata mund të vijnë në shtëpi dhe të bisedojnë për sa u ka ndodhur, pa pasur frikë se do të dënohen apo ndëshkohen për çfarë mund t’u ndodhë. Abuzuesit i bëjnë fëmijët shpesh të ndihen fajtorë për ç’ka atyre u ndodh, ata i kërcënojnë fëmijët “se po tregove do të vras mamin dhe babin”. Pra, të dhënit mbështetje fëmijës i fuqizon dhe i jep mundësinë për t’u ndjerë të sigurt e të dinë se kanë prindërit për mbështetje.
Këto janë disa këshilla që mund t’u jepen fëmijëve në edukimin e përditshem. Ёshtë një hap i parë në mbrojtjen e fëmijëve nga abuzuesit seksualë, duke i pajisur me njohuri për vetëmbrojtje e vetëpërgjegjësi.
Jeta e Bekim Çengës dhe e fëmijëve të tjerë të abuzuar seksualisht është tejet e vlefshme për të qenë indiferentë. Njerëz të kategorisë së Shpëtim Zikos nuk janë të sëmurë mendorë; ata janë abuzues, të vetëdijshëm për veprimet e tyre dhe çdo gjë e kryejnë me paramendim.
Të flasim, të bisedojmë e të udhëzojmë fëmijët, është gjëja më me vlerë që mund të bëjmë për ta. E, kështu si prindër e shoqëri t’i mbrojmë fëmijët tanë!

© Aida Dismondy 5 Nentor 2007

Friday, November 09, 2007

Bota e Gruas Shqiptare-HASIBE ALISHANI BLLACA-POEZI


DERI KUR KESHTU...?

Bashke me aromen e detit
Nga jugu nje puhize e lehte
Pershendetjet e nenes m'i sjell,
Nenen qe kurre se pashe ne jete.

...Shume kohe me pare
Me dhune na ndane,
Jetima u rritem
U plakem pa Nane...

Shume dekada kane kaluar
Shume luftera jane zhvilluar,
Oqeane gjaqesh jane derdhur
Ne per t'u bashkuar.

Shume e shume gjenerata
Nga kjo bote jane larguar
Me mall ne gji..
Me shpirt te perveluar.

Deri kur keshtu,
Te ndare do te jetojme
Nene e Shtrenjta Nene?

Nip e mbese qe kemi ketu
Gjak i yti jane
Shqiperia jone me fame
Shqiperi e jona Nane!!

Hasibe Alishani - Bllaca__________________________________________________

Thursday, November 01, 2007

Bota e Gruas Shqiptare-MIMOZA HAMETAJ-SKICE


Nje mbremje kur sapo kish mbaruar se pikturuari me akuarele ,nje dame te vitit 800 me floket e mbledhura topuz,dhe fustanin e gjate dhe te mbledhur me rrudha ne mes,mamaja erdhi ne shtepi me nje shoqen e saj piktore,e cila u befasua kur e pa.Kam nje shok qe drejton rrethin e piktures dhe pregatit per konkurs ata qe duan te vazhdojne liceun per pikture i tha mamase.
Me te shumtit e grupit ishin djem.Filluan te pikturonin fluturat natyrale,ku çdo njera prej tyre kishte nje game ngjyrash te veçante,por qe harmonia brenda nje game ngjyrash te linte te mahnitur. Me vone beri dhe vete nje koleksion me flutura natyrale.
Ne dyqanet e kinkalerese letra per te punuar me akuarel nuk gjendeshin kollaj,ndokush i gjente me miq ne studiot e arkitektures.
Ne studion e mesuesit tone muret ishin te mbushura me panorama nga alpet.
Me shume kish perdorur ngjyrat e ftohta,nenngjyrat e bluse dhe jeshiles mbi fletat e bardha.
megjithate trasparenca bukuria e peisazheve ishte mahnitse.Pishat,Liqeni i luleve..
Me bojra vaji, tempera e pastele ,punonte shume pak
Atrazioni per kete bote ireale te perbere vetem me piktura,penela e ngjyra,forcohej gjithmon e me shume ne shpirtin e vajzes se brishte.
Ne kete bote shihte te meshiruar miresine e vertete,bukurine pa kufi nje fare parajse tokesore.
Nje dite u gjenden ne studion e nje piktori tjeter,ndofta pak me te njohur se te mesuesit te grupit.
Aty ishin mbledhur dhe nje grup poetesh qe diskutonin duke admiruar piktorin S.K ,i cili levizte me shpejtesi penelin,mbi bezen e bardhe te fiksuar mbi kembalecin trekendesh.
Sapo nderprene pak biseden,u rane ne sy grupi i te rinjeve,dhe syte e tyre qendruan mbi vajzen e brishte e cila ish skuqur nga gjithe keto shikime.
Per here te pare qe kurse frekuentonte grupin ishte veshur me nje fustan jeshil,prej nje cope dhe fantazie shume te bukur.
Me shume se per ti bere qejfin vajzes,kuvenduesit filluan te pershkruanin bukurine e saj,me fraza te ndryshme,sikur te benin gare per aftesite e tyre per tu shprehur.
Komplimenti qe u pelqye me shume prej te gjithve ishte ai i poetit F.A.:
Gjeja me e bukur tek ty,-i tha ai vajzes pasi e pyeti prer emrin,-eshte emri i jote i shqiptuar nga buzet e tua si petale.
Pas kesaj piktori S. K. me floket e zeza dhe pak me te gjata nga te tjeret,,i kerkoi vajzes te pozonte vetenm dhjete minuta per te.
E uli ne nje poltrone ,i vendosi ne dore nje kitare,dhe iu lut te mos leviste
Piktori nuk genjeu,me ne shpejtesi ta paimagjinueshme, e perfundoi kompozimin me akuarel,dhe ngjashmeria dhe ngjyrat e saj,mahnten te gjithe.
Piktori donte tia jepte vajzes pikturen,pasi nga zemra ishte bujar,por nuk mundi te ndahej dot.
I premtoi se ndonje dite do ti jepte nje kopje,por as kjo nuk ndodhi.
Disa vjet me vone ne provat,e korit te gjimnazit,nje djle nga te orkestres,i tha se kishte ne shtepi pikturen e saj.
Djali ishte i dashuruar me vajzen e vertete,dhe vajza me boten ireale.
per vajzen e brishte fakiret ....qe vertiteshin si satelit dhe qe benin pjese ne boten reale nuk paraqisnin asnje interes..
sa per pikturen,ate po e pret ..akoma...

26.09.2001

Tuesday, October 23, 2007

Bota e Gruas Shqiptare-Raimonda Moisiu-INTERVISTA

Bisedë me gazetaren dhe aktivisten e mirënjohur në komunitet,
Zj. Mimoza Dajçi.
Botoi Tirana Observer
23 tetor 2007


“Ja dhe një personazh që na duket sikur vjen nga Muzeu Historik Kombëtar. Quhet Mimoza Dajçi, jeton në SHBA dhe në pamje të parë emri i saj nuk të thotë gjë. Por nëse rrëmon tek paraardhësit e saj, ajo i bie që është nga shqiptarët më me fat. Fiks ajo është stërmbesa e Isa Boletinit dhe Çerçiz Topullit, dy personazhe historikë nga më të rëndësishmit” Nga Editoriali i T.O.

Mimoza, nëpërmjet medias e shtypit shqiptar në Shqipëri e Diasporë, emrin Tuaj e hasja kudo,
por ne kemi pak kohë që komunikojmë dhe në këtë vit njohje personale, kam mësuar shumë për ju. Në kuadrin e evidentimit të vlerave të femrës shqiptare në përgjithësi dhe asaj që jep kontributin në forumin "Bota e Gruas Shqiptare", do të dëshiroja që t’i përgjigjeshit disa pyetjeve. Le ta fillojmë me prezantimin: Kush është Mimoza Dajçi?


M.D.: - Mimoza Dajçi është një nënë e thjeshtë shqiptare, e cila pas atij absurditeti të diktaturës komuniste të Hoxhës pati guximin të marrë rrugën e gjatë në kërkim të identitetit të saj të vërtetë, në kërkim të përmasave më të mëdha të lirisë.

Jetoni në Nju Jork. Ç'farë ju solli këtu?

M.D.: - Pa dyshim që New York - u përbën një pol tërheqjeje e ushtron hijeshinë e tij jo vetëm tek ata njerëz që fillojnë “aventurën” e emigracionit por edhe për vetë amerikanët. Kështu që për mua ishte një destinacion që më tundonte me ëndërra e njëkohësisht më jepte një ngarkesë pozitive për të kërkuar më shumë në jetë. Këtu jetoj së bashku me vajzën time studente Merlinin, të cilën e çmoj, e vlerësoj dhe e dua më shumë se çdo gjë tjetër në botë. Me këtë rast i uroj bijës sime çdo të mirë e fat në jetë.
Në SHBA erdha e ftuar për një Konferencë për Median. Duke parë situatën e rëndë politike në vend vendosa të qëndroj. Falenderoj me këtë rast Zyrën e Emigracionit Politik në SHBA e cila më njohi dhe më pranoi qysh në fillimet e mia këtu me të gjitha të drejtat e plota si azilante politike, të drejta këto të cilat i gëzoj edhe sot. Në atë kohë vajza ime ishte studente për Shkenca Politike në kryeqytetin e Italisë në Romë. Pasi unë fitova Statusin e Azilantit Politik mu dha e drejta të kërkoja bashkimin familjar me vajzën time. Tani ajo vazhdon përsëri studimet këtu për Shkenca Politike në një nga Kolegjet më të njohura të Shtetit të New York-ut.
New York – u ishte dhe është hapja drejt horizontesh të reja. Eshtë sfida që jeta e re që unë zgjodha i bëri jetës sime së mëparshme të mbyllur e të mangët. Eshtë fillimi i realizimit të ëndrrës me një stil të bukur dhe elegant në një qytet klasi.

Ju jeni vajzë e lindur në Shkodër dhe rritur në Tiranë. Nëna juaj nga Jugu, Babai nga Kosova. Ju jeni shqiptarja në formën më absolute të përfaqësimit të gjakut shqiptar. Sa krenare ndjeheni për këtë?

M.D.: - Të jesh rritur në Tiranë përbën një privilegj kur kupton me të vërtetë se çdo të thotë të jesh shqiptare, e edukuar si kozmopolitane. Përsa i përket përfaqësimit të gjakut shqiptar ndjehem absolutisht krenare. Eshtë e vërtetë se martesa e prindërve të mi është një lidhje perfekte, që do të thotë se mrekullia e shpirtit të tyre binjak ekziston më së miri në hapësirën qiellore nga veriu në jug të vendit. Ndjehem mirë dhe krenare që jam edhe unë fëmija e tyre.

A është e vërtetë se ju jeni stërmbesë e Isa Boletinit dhe e Çerçiz Topullit. Si janë lidhjet e pemës familjare me këto dy figura historike të shquara të kombit tonë?

M.D.: - Po është e vërtetë. Nga im atë në dejet e mia përshkon gjak nga Familja e madhe dhe e njohur e Boletinëve të Kosovës, ndërsa nëna ime është mbesë e Heroit tonë Kombëtar Çerçiz Topulli. Desha të shtoj se parimet kryesore dhe vlerat pozitive të të parëve e prindërve të mi kanë qenë e janë: atdhedashuria, patriotizmi, sakrifica, mirënjohja, përkrahja, humanizmi, përkushtimi, sinqeriteti si dhe nikoqirllëku (në dialektin tosk). Kështu që edhe për këto lloj lidhjesh ndjehem vërtetë krenare. Sigurisht që çdo individ ka personalitetin e tij, por them se nga ky personalitet diçka trashëgohet edhe në breza. Pra të vjen mirë kur dikush përpara teje ka lënë gjurmë të mira në histori për të mirën e popullit dhe kombit tënd. Ashtu siç ndihemi të gjithë ne shqiptarët për figurën e Shenjtores sonë, Nënë Tereza. E kjo jo vetëm më jep krenari por më bën të ndjehem se edhe unë jam pjesë e gjallë e një historie jashtëzakonisht interesante e mbartëse vlerash e ndjenjash superiore.

Ju regjizuat Festivalin Shqiptar që mbahet çdo vit në nëntor në Bronx, NewYork, organizuar nga Kisha Katolike Zoja e Shkodrës. Cilat janë mbresat dhe eksperienca juaj nga ky aktivitet?

M.D.: - Angazhimi në drejtimin e këtij spektakli ishte një eksperiencë vërtetë e rëndësishme për mua dhe e vlerësoj shumë, pasi aty vura në dispozicion edhe rolin tim për sa i përket fushës së artit, por mbi të gjitha dua të theksoj atë manifestin e bukur sa shpirtëror aq dhe kulturor të diasporës shqiptare në Amerikë. Të kontribosh në një shfaqje të tillë e aq më tepër kur e organizon Kisha Katolike shqiptare në New York, është për mua mjaft kuptimplotë. Aty jo vetëm spektatori ynë por edhe ai amerikan pati rastin të njihet me larminë e bukur të kostumeve tona popullore, traditat e trashëguara muzikore dhe folkorike autoktone shqiptare, gjë që tregon se ato do të vazhdojnë të ekzistojnë edhe në brezat e ardhshëm. Bashkëpunimi im në këtë festival mbarë shqiptar në SHBA mes Famulltarit të Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” në New York të Përndershmit Dom Pjetër Popaj, zotërinjve Mark Shkreli, Gjon Çotaj, Astrit Tota, Ludovik Çotaj, Anxhela Zagreda, Edmond Xhani, Ilir Dangllia, Simon Vukli, Ismer Mjeku, Luc Malotaj etj, ishte mjaft i suksesshëm dhe ky sukses u pa edhe gjatë shfaqjes pasi kishte shumë spektatorë sa nuk merrte më auditori ku u zhvillua, por edhe pse ishte një spektakël me të gjitha standartet e larta artistike e kulturore që kërkon koha si dhe me një stil të ri të nivelit bashkëkohor. Pra ishte një experiencë e paharruar dhe shumë mbresëlënëse për mua.

Cila ka qenë arsyeja që ju jeni persekutuar politikisht në Shqipëri?

M.D.: - Unë kam patur fatin e mirë dhe “të keq” njëkohësisht të jem bija e një ish të burgosuri të ndërgjegjes, të cilit të qenit erudit për gjeneratën e tij, (gjë që nuk shihej me sy të mirë nga ajo jetë që arriti “të shartojë” në Shqipëri era e Enver Hoxhës) i kushtoi shumë vite vuajtjesh në burg e si pasojë persekucion. Im atë si idealist e njeri me vlera të larta nuk u përul kurrë përpara hipokrizisë së epokës obskurantiste të komunizmit fallco e kështu që nuk hezitoi të hynte në burg e të rrezikonte jetën e tij për bindjet që kishte duke u bërë edhe ne padashje pjesë e realitetit të tij, duke vuajtur tmerrin e pasigurisë së atij regjimi me të gjitha përmasat. Por persekucioni politik i familjes sime ka filluar më herët – me pushkatimin pa gjyq të xhaxhait tim Rasim Dajçi, në Prizren nga forcat sllavo – komuniste kryesuar nga Shefqet Peçi në nëntorin e vitit 1944.

Si ish e persekutuar politike dhe me një kontribut tanimë të njohur pranë kësaj shtrese do të doja të dija se cili është opinioni juaj për hapjen e dosjeve në Shqipëri?

M.D.: - Duke ndjekur me kujdes zhvillimet politike, ekonomike dhe sociale në vend shikoj se çështja e hapjes së dosjeve për bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit herë zbehet e herë bëhet një nga debatet më të mprehta të politikës dhe medias në vend. Unë personalisht e kam thënë edhe më parë në shtyp opinionin tim dhe përsëri i mëshoj mendimit se hapja e tyre përbën një nga detyrat kryesore që edhe Rezoluta e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës i ka vënë Shqipërisë. Kjo është kërkesë e kohës që herët a vonë do të vihet në zbatim, pasi shihet si domosdoshmëri që ekzekutorët dhe bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit të gjykohen nga drejtësia shqiptare për krimet e kryera me gjyq e pa gjyq e padrejtësisht mbi popullin e pafajshëm, mbi elitën intelektuale, qytetarin apo fshatarin e thjeshtë. Pra me ç’të drejtë kjo kategori njerëzish pushkatonin, burgosnin apo internonin individin ose grupe njerëzish për bindjet e tyre politike, fetare, letrare e artistike, sikur ata të mos ishin qënie njerëzore, apo krijesa të Zotit.

Cilat janë raportet që ju ruani me shtresën ish të persekutuar politike në Shqipëri?

M.D.: - Për mua përbën absolutisht raportin më të mirë që ka ekzistuar ndonjëherë mes nje grupimi shoqëror. Kam kontakte të vazhdueshme me ta si me e-mail, telefon, letra apo edhe me takime mes tyre sa herë vizitojnë SHBA. Dua të përmend me këtë rast korrespondencat e rregullta që kam me Shoqatën e Grave ish të Burgosura e të Persekutuara Politike e kryesisht me Kryetaren e saj Zj. Marie Dvorani Medicina. Unë për asnjë çast nuk do t’i ndërpres lidhjet me vuajtjet e të shkuarës jo vetëm për familjen time por për të gjithë atë shtresë që pësoi mbi supe diktaturën më të egër në Europë. Pak kohë ka kaluar kur një delegacion i Komitetit të ish të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë ishte ftuar në Amerikë për një Konferencë, kryesuar nga Drejtori i këtij institucioni Z. Simon Mirakaj dhe nga shkrimtari i njohur ish i burgosur politik Z. Agim Musta. U takuam së bashku në një darkë që organizoi Federata Panshqiptare “Vatra” për nder të tyre, në ekspozitën që përuroi Z. Musta me punimet e tij mbi burgjet dhe kampet e internimit në Shqipëri, e cila u hap në ambjentet e Qendrës Kulturore “Nënë Tereza” pranë Kishës “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale, New York. Realizuam gjithashtu sëbashku edhe një intervistë televizive për të sensibilizuar opinonin e këtushëm mbi situatën që ndodhet kjo shtresë sot dhe për dëmshpërblimet e të drejtat që i takon të përfitojë nga qeveria aktuale. Ky emision u transmetua nëpërmjet Stacionit Televiziv “Kultura Shqiptare” po në New York. Kam takuar edhe më parë po këtu Z. Tomor Aliko, ish Kryetar i Shoqatës së ish të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, shkrimtarin dhe publicistin e njohur Z. Uran Butka etj.

Pas vendosjes së demokracisë në Shqipëri, ju patët një post me rëndësi në një nga Ministritë e Shtetit Shqiptar. Ç’farë përvoje patët nga kjo detyrë dhe si e shihni evoluimin e qeverisë shqiptare në ditët e sotme në drejtim të demokracisë, luftës kundër krimit, korrupsionit etj?

M.D.: - Sipas përvojës dhe experiencës sime në një nga dikasteret e rëndësishme të vendit, megjithëse nuk ishte një periudhë e gjatë kohe kjo per mua aty, pasi në 1997 largohem nga puna prej Ministrit Ruka së bashku me katër kolegët e mi edhe ata ish të persekutuar politikë, ndërmjet tyre një ekonomiste me origjinë balliste, Fatos Çabej dhe një specialist tjetër po me origjinë të djathtë. Pra lufta e klasave vazhdoi e hapur për këtë shtresë edhe pas viteve ‘90 në Shqipëri. Por përsa i përket luftës kundra korrupsionit dhe krimit të organizuar unë mund të them se çështja qëndron tek rritja e koshiencës së individëve. Bashkësia e sa më shumë elementëve të shëndetshëm intelektualësh përmirëson edhe nivelin e realitetit të ri.

Përveçse në Shqipëri kemi patur rastin të njihemi edhe këtu me krijmtarinë tuaj letrare dhe gazetareske e kryesisht tek gazeta “TemA”. A mendoni se edhe kjo ishte një shpalosje e vlerave tuaja në fushën e gazetarisë?

M.D.: - Bashkëpunimi im me median ka ardhur si vazhdë e punës sime edhe në Shqipëri kryesisht pranë shtypit për ish të persekutuarit politikë, si dhe kam patur bashkëpunim të mirë me gazetat “Rilindja Demokratike” e “Albania”. Ku drejtues të këtyre dy organeve më ofruan pozicion për të punuar si gazetare, por unë me modesti i u përgjigja se e shikoj të arsyeshme të jap akoma kontributin tim pranë kësaj shtrese të vuajtur nga e cila rridhja edhe vetë. Ndërsa në SHBA kam patur rastin të pasqyroj krijimet e mia tek gazeta “Iliria”, “Dielli”, “Jeta Katolike” dhe më së fundi tek gazeta “TemA”. Nga kjo intervistë dua t’i dërgoj një falenderim Editorit të kësaj gazete Mero Baze dhe Botuesit të saj Adriatik Sheko që më ofruan këtë mundësi bashkëpunimi për të lidhur shqiptarët matanë oqeanit e anasjelltas, gjë për të cilën dhashë maksimumin tim dhe mora sadisfaksionin e duhur.

Ju punoni dhe shkolloheni njëkohësisht duke qenë edhe Nënë. Si ja dilni mbanë?

M.D.: - Për t’ja dalë mbanë me sukses të gjitha detyrave që jeta të nxjerr përpara është çështje zgjidhjeje. Pas përballimit të “dallgës” së parë të integrimit në emigracion, çdo kush ndodhet para një udhëkryqi. Ç’farë drejtimi duhet marrë? Bëhet një bilanc i forcave intelektuale e fizike e kështu me zgjuarsi bëhet zgjedhja, ndarja e punëve, e u jepet prioritet atyre që vërtet mund të realizohen. Zgjedh punën, zgjedh fushën e studimit që më shumë të përshtatet, zgjidhet një rrugë: ajo e “arritjes së objektivave të vogla” që testojnë hap pas hapi vlerat e tua në tërësi, si të thuash me cilësinë e të vonuarve është dëshira e tundimi për të stërbërë, për të fituar kohën e humbur, por urtësia të këshillon: “duhet ngrënë me çapa të vogla për të mos u mbytur”! Pra ato objektiva të vogla në dukje, kur këmbëngulet të shpërblehen gjatë rrugës për të arritur në destinacionin final në një gjendje të mirë fizike e me synimin e pasurimit intelektual e të vazhdueshëm arrin një dimension më të plotë lirie.

Ju jeni tepër e angazhuar edhe në çështjen e Kosovës. Në çdo aktivitet ju jeni ndër me aktivet, më punëtoret, me produktivet. Si po e prisni pavarësinë e Kosovës e ç’mendoni për politikën ndërkombëtare, shqiptare, të Kosovës dhe në Diasporë për çështjen e Kosovës dhe asaj shqiptare?

M.D.: - Ah, Kosova jo vetëm që historikisht më lidh origjina ime me atë Trevë, por si të gjithë shqiptarët edhe unë e kam përqëndruar vëmendjen tek zhvillimet e fundit të situatës politike atje. Së shpejti atje priten që të zhvillohen zgjedhjet parlamentare. Uroj që çdo gjë të shkoj me normalitet dhe të fitojë vullneti e aspirata më e mirë e popullit të Kosovës. Pavarësia e saj sikur ka trokitur në derën tonë, do apo s’do Beogradi dhe Moska zyrtare të cilat janë duke e bllokuar këtë proces, por ajo së shpejti do të vijë. Kuvendi i Kosovës e ka mbështetur paketën e Ahtisarit si substancë, me kusht që të njihet pavarësia e vendit. Presidenti Bush e ka deklaruar Pavarësinë e Kosovës me rastin e vizitës së tij në Shqipëri, atë e mbështesin pra SHBA, Britania e Madhe sigurisht edhe Shqipëria e vende të tjera të Grupit të Kontaktit, të cilat kanë të gjithë potencialin e duhur politik dhe ekonomik për zgjidhjen e këtij problemi.

Keni pasur kontakte me të afërmit në Kosovë gjatë komunizmit?

M.D.: - Jo, nuk kemi patur kontakte të rregullta. Vetëm në rastet kur ndonjë i afërm i familjes së tim eti largohej nga Kosova për në tokën mëmë (që për ta kthehej në një “njerkë” pasi do të arrestoheshin ose do të internoheshin) merrnim ndonjë lajm prej andej. Pasi dihej se shumica e atyre që kalonin “kufirin” u futën në gijotinën komuniste. Në postin më të lartë të asaj kohe si anëtar i Byrosë Politike njihet vetëm një emër i shqiptarëve të Kosovës , Xhafer Spahiu, që pat lindur në Gjakovë. Pas viteve ‘90 filluam të kishim kontakte të vazhdushme me ta. I pritëm bujarisht me rastin e shpërnguljes masive të tyre nga thundrra e makinerisë serbe duke i ardhur në ndihmë me ç’ka kishim mundësi. Edhe sot kemi raporte shumë të mira me ta.

Pse ju bashkuat forumit "Bota e Gruas Shqiptare"?

M.D.: - Si në Shqipëri edhe këtu janë krijuar e do të krijohen organizata apo shoqata jo qeveritare (NGO–të), por unë duke shikuar ecurinë e punës së forumit virtual “Bota e Gruas Shqiptare” e pashë të arsyeshme t’i bashkohem këtij forumi. Megjithëse jam shumë e ngarkuar si me punë e me shkollë, vazhdoj përsëri të jem me kënaqësi pjesë përbërëse e tij. Dhe kjo falë kontributit të çmuar të mikeve të mia në këtë forum si Merita Bajraktari McCormack, tëndit Monda si një ndër moderatoret e tij, Albana Mëlyshi Lifschin, Mirela Bogdanit, Medije Vraniqit, Agi Tanushit, Drenusha Hoxhës me dy bebushët e saj të mrekullueshëm Siborën dhe Rubenin, Rozi Theohari, Iliriana Sulkuqi, Aida Bode, Aida Dismondy, Vera Pelaj, Ilire Zajmi,Sevdije Rexhepit të gjitha Mimoza-ve etj, etj. Desha të veçoj edhe një nga sukseset e këtij forumi siç është dalja në dritë dhe botimi i librit tonë të përbashkët titulluar “Nënës” ku ideatore kryesore është e papërtuara dhe patriotja Merita Bajraktari McCormack, e cila megjithëse shumë e zënë me problemet e familjes pasi ka tre fëmijë për të rritur dhe edukuar së bashku me bashkëshortin e saj, ajo përsëri gjen kohë për të komunikuar me ne të gjitha, për të dhënë ide të reja dhe për t’i realizuar ato. Një falenderim të posaçëm do doja t’i drejtoja edhe Federatës Panshqiptare “Vatra”, kryesisë së saj si dhe Kryetarit, veprimtarit e patriotit të shquar Z. Agim Karagjozi, i cili organizoi së bashku me ne promovimin e këtij libri në një nga ambjentet e Selisë së “Vatrës” si dhe emocionet që na ngjalli duke lexuar një poezi të cilën ia kishte kushtuar nënës së tij që nuk arriti dot ta shihte më.

Ç’farë mendimi keni në përgjithësi për femrën shqiptare sot, si trajtohet ajo dhe në ç’farë stadi zhvillimi është krahasuar me gjininë tjetër por edhe në krahasim me femrat e vendeve të tjera. Ç’farë dëshironi të shihni të ndryshuar tek femra si nënë, si shoqe, si profesioniste, si politikane?

M.D.: - Çështja e femrës shqiptare e shikuar në prizmin global del jashtë kontureve të nacionalizmit. Dua të them se si në çdo shoqëri tjetër qoftë ajo europiane, aziatike, amerikane etj, femra ka vendin që i takon pas betejave të fituara në gjirin e shoqërisë. E rëndësishme është si e shikon vehten femra shqiptare përballë jetës së re që ju shpalos përpara me rënien e kufijve të hekurt të komunizmit. Secila trajtohet njëlloj si në Shqipëri apo dhe në Amerikë, në bazë të ndërgjegjes individuale që ka, në bazë të idesë e figurës që ajo ushqen për vehten e saj. Gjithsecila nga ne duket sikur ballafaqohet me vehten e saj përpara pasqyrës së ndërgjegjes e jep përgjigje pa mbarim për rrethanat, për perspektivat, për raportet, për detyrimet, për problemet që krijohen rreth saj. Sa më interpretim të drejtë të ketë bërë për të gjitha këto për të qënë sa më afër së vërtetës, sa më mirë të jetë raportuar me ngjarjet gjithmonë në ndryshim aq dhe më e plotësuar do të ndjehet e aq më lart mund të synojë kudo që ndodhet. Raste femrash shqiptare që shquhen në Shqipëri dhe jashtë saj ka, kanë ekzistuar dhe do të ekzistojnë. Persa i perket Shqiperise do te permendja me respekt Kryetaren e Parlamentit Zj. Jozefina Topalli, Zj. Liri Berisha, kengetaren Inva Mula, ne Kosove Zj. Flora Brovina, ne SHBA Zj. Merita Bajraktari McCormak,ne Angli Mirela Bogdanin, etj. Filozofikisht femra shqiptare, çdo ditë duhet të japë “një betejë të vogël” e ta fitojë atë si brenda familjes ashtu edhe jashtë mureve të shtëpisë. Ajo duhet të bëjë pjesën e vet në familje e para si nënë, si profesioniste edhe pse nganjëherë mund të ndjehet e lodhur mos harrojë se është burimi kryesor i mirësisë e i dashurisë. Falë profesionalitetit të saj ajo duhet të bëhet mbështetëse e fortë e familjes, por mbi të gjitha të mendojë pozitivisht e të mos harrojë asnjeherë se të ndjehesh e dashur e të frymëzosh entuziazmin duhet t’i ushqesh këto ndjenja brenda vetes e benefitet vijnë natyrshëm. E ky vështrim filozofik besoj është ai që sjell dhe ndryshimin për një hop cilësor të femrës shqiptare kudo në botë.

Ju Faleminderit e Suksese!

Bisedoi:
Raimonda Moisiu
Moderatore e Forumit Bota e Gruas Shqiptare.

Saturday, October 20, 2007

Bota e Gruas Shqiptare-MIMOZA MORINA-FLETE NGA DITARI


Marre nga "Fletez ditari, nga ditari i quajtur jete" - Mimoza Morina (19.10.2002)
--------------------------------------------------------------------------------
Mire se ju gjej,

dje u ktheva nga Athina,ku isha pak per pune e pak per relaksim dhe duke lexuar ketu per gurbetin,s di cka mu kujtua nje ndodhi... Para ca netesh nje vajze e vogel shiste trendafila para kafeterive ne lagjen "Plaka"nen Akropolisin e famshem.
Kishte shume ,qe shisnin lule,por mua per cudi kjo me terhoqi vemendjen.

Isha me nje mike gjermane dhe me burrin e saj grek ne tavoline.
Greku e ndaloi vajzen,kur iu afrua tavolines sone dhe na bleu neve dyjave nga nje gonxhe te kuqe,nderkohe qe ajo fliste dicka ne greqisht me te.

S di perse,por ndjeva nje dhembshuri per kete cupez,e cila dukej ende e parritur mire,diku 10 vjecare.
A thua a shkon ne shkolle? A ka shitur ndonje lule sonte?

Ne vend se te ishte ne gjume ne kete kohe(ishte rreth 0.00h),ajo endej para tavolinave dhe ofronte lule te kuqe si gjaku me nje arome te kendshme...

Me largoi nga mendimet nje ze i embel femiu.
" A shqiptare na qenke edhe ti a? "-me pyeti vajza dhe nje buzeqeshje ia perfshiu fytyren,kur i thashe se po.

E kuptova se quhej Dorina,ishte 13 vjecare dhe se ishte qe 4 vite ne Athine.Jetonte me prinderit dhe vellaun e motren me te vogel.Rridhte nga Fushekruja.

"Po mire moj Dorina,po a shkon ne shkolle ti?"-e pyeta.
" Jam ne klasen e gjashte dhe jam nxenesja me e mire ne klase"-ma ktheu me mburrje.
"Po,shume bukur,te lumte.Po a shet shpesh trendafila dhe a po ke leverdi?"-e gjeta veten duke e pyetur.
"Paj,me te thene te drejten ,une per cdo dite dal keshtu dhe ofroj lule,por ka nete si kjo e sotshmja,qe dal e i shes vetem 2 apo 3 lule"-mu pergjigj duke buzeqeshur lehtas.

Ja ofrova nje pije,por duke mu falenderuar me tha,se s ka kohe,se i duhej te shkonte tash ne shtepi e te ulej te mesonte pakez.

Nga keta njerez krijohen doktoret e shkencave-mendova ne vete.Se keta qe vuajne me shume e qe nuk kane mundesi,keta arrijne te behen dikushi.
Ne koken time e krahasova Dorinen me shume Dorina,te cilat rrjedhin nga familjet e pasura dhe qe i kane te gjitha,por qe kurre s do te arrijne suksesin ,qe nje dite do ta arrije kjo Dorina shqiptare ne Athine.....per kete jam me se e bindur.

U pershendeta me te dhe m´u afrua e ma dhuroi nje gonxhe trendafili duke me thene:
"Kete tash e ke dhurate nga une,se qenke shqiptare nga Kosova,se ne jemi motra,jemi nje komb e pasi qe une kam nje moter,e ti tash je motra ime kosovare"
Me preken se tepermi fjalet e saja dhe e perqafova,ashtu sic e perqafon motra e madhe motren e vogel.

Kur ajo veq ishte duke ecur rrugices se ngushte teposhte,kerkova falje ne tavoline dhe i shkova vrap pas.
"Dorina....prit pak.Pasi qenke nxenese po kam deshire me ta dhuruar kete stilolaps dhe shpresoj te te bie fat"-i thashe e mbushur fryme.

"Jo,falemnderit nuk mund ta marr,kurre s kam marr ndonje dhurate nga dikush..."

"Kete do ta mbash kujtim nga une dhe pasi jam motra e madhe edhe nuk ben te me kthesh fjalen se hidherohem"-i thashe duke i buzeqeshur.

Me perqafoi fort dhe duke u larguar teposhte e ktheu koken edhe ca here te me bente me dore dhe ashtu mbeta ne kembe ne mes te rrugices,gjersa u zhduk ne kthese.

Kur u ktheva ne tavoline,ai greku me tregoi,se kjo cupe e fliste nje greqishte te shkelqyer dhe po te mos ishte fakti,qe shiste ne ate kohe,do te mendonte njeriu se eshte greke...

Gjyshja ime thoshte,se gjaku i yt te terheq vetvetiu .....per kete arsye ndoshta edhe me terhoqi vemendjen qysh ne fillim kjo cupez me lule.

Tuesday, October 16, 2007

Bota e Gruas Shqiptare-ARDITA JATRU-POEZI


Ju rrёfej kёngёn e plakut Duk pёr njё cigankё

(frymёzuar pas njё emri)


“Eja tё tё fsheh nё pyllin mё tё dёndur
Ciganka ime,e bukura Dalina
E nёn pemёn e bajames,
Pёr tё parёn herё tё shoh hijeshin
E lёkurёs tёnde tё thekur
Se je e imja,e imja.e imja….

O shpirt i çmendur,mё i çmendur se era
Bёmё njё me shpirtin tёnd bredharak.
Se s’ёsht’ e thёnё tё ndihem kёshtu ngahera,
Pёr njё grimё lumturie jeta ёshtё kaq pak.

Eja ciganka ime,o yll i sapo rёnё
Kёmbёzbathura ime, belthyer,trupёpakta.
Gushёs tёnde do lё shenjё hёnёn e ngrёnё
E gjoksit tёnd perfekt puthjet mё tё gjakta.”


Kёshtu mendoi ai para se tё vdiste…


“……..Ajo,plaga ime e pamёshirshme,
Tani qёndron e shtrirё mbi njё shkёmb
dhe pret vdekjen time.
Trupi i saj, i brishtё,pёrkundet.
Epshndezur pёrkёdhel gjinjёt e saj.
E tёra lakuriq!Ndrit,
Si hёna e re nё qiellin e natёs!
Ajo flirton me detin.Lot me valёt…...
Njё furtunё orgazmash,
Rёnkimet mbytin nё shtratin tim.

Tani varem nё njё copёz re,
harruar nё qiell nga njё tufё pulёbardhash.
Bardhё e zi!Gjithçka bardhё e zi!
Fundi,qёnka i zi si flokёt e saj tё egёr,
e vdekja e bardhё si lёkura e saj,
e kristaltё gjer nё tejdukje.
Ajo,sirena e shpirtit tim…..e unё i vetёm,
ndjej trupin tё mё ftohet nga tё vdekjes puthje!”


* * *

Je njё ёndёrr larg
pёr tё t’u afruar….
Si shelg i bukur pikesh buzё liqenit
E unё shoh si degёt tё janё varur nga mёrzija
Si pritja bёhet syth
e lulja nuk arrin te çelet.
Dёshira ime e kahershme…...

Je njё ёndёrr larg
Pёr tё t’u afruar....
E mё thahen rrёkejt e lotёve
Ende nёn qerpik.
E kokrrizat e kripёs
pёrmbytin oazin e syrit tim.
Diellin tim tё blertё,
syrit tim….



Ekziston dikush.....

Qe lirshem mund te qaj ne supin e tij,
pa patur turp per gjendjen time.
Qe qiellin tim te ngarkuar ta zbraz me guxim,
e te marr prej tij vetem puthje!
Ekziston dikush qe,
Kur une hesht, te hesht dhe ai
dhe heshtjet tona t’i thyej vec nje prekje.
Qe te gaboj,pa qene nevoja te kerkoj falje.
Qe me shtrengon ne gji si toka rrenjet.
Qe me lumturine time,te ndihet mbret .
Ekziston dikush qe,
mengjeseve te akullta dimerore,
nga afshi i tij,te zgjohem prush.
Qe marrezine time e quan te nevojshme
dhe vetmine time,udhetime yjore.
Qe me perkedhel pikellimet ne sy e balle.
Qe kupton qerpikun tek me dridhet nen qepalle,
apo te kuqten e lehte kur mollezave me bie.
Qe duron dhimbjet e mija vjeshtore e ngercin ne shpirt
e me mjekon plaget cdo nate per te rilindur une serish.
Ekziston dikush,
qe e kam prane,qe e kam prane.
Per te milionten here i them (te zakonshmen):Tё dua!
Dhe eshte ai……qe fle e zgjohet ne krah me mua.



Ti nuk mё pe kur qava mbrёmё

Ti nuk mё pe kur qava mbrёmё
As lotin kur tё ra mbi faqe.
Dhe pёr çudi njё gjysёm hёnё
Mё pikte dhimbjen asaj nate

Ndaj sot kjo heshtje e çuditshme
Mё grish njё tjetёr nat’ pagjumё
Si dy fёmijё tё zemёruar……
Mё shmangesh ti ,tё shmangem unё.

Dhe ndjej shikimin tёnd se si
pёrpin trupin tim si hon.
Ah,por ёshtё ajo shkёndijё,
qё brigjet tona i afron.



Ajo ishte njё kitarё

Ajo ishte njё kitarё,
Herё e heshtur lёnё te njё qoshk,
Herё çbrengosje e shpirtrave tё vrarё.

Ishte pra njё kitarё,
Herё tel-kёputur,
Herё me tinguj fluturakё.

Ajo ishte veçse njё kitarё,
Qeshte e qante
Me çdo kёngёtar.

Sa lot,
Sa lot u derdhёn,
Mbi trupin e saj!



* * *

Tё presim...shpirt- aq sa ёshtё e thёnё-
Deri kur do ta durojmё kёtё flakё qё tё zhurit?
Nёse ndodh i dashur qё mё par’ tё digjesh ti,
Me pishtar do ta ndjek udhёn...e hirit tёnd.

E para nёse digjem unё……pa frikё,
lёshomё diku, nё njё tё heshtur vёnd.
Por….nёse digjemi tё dy njёherёsh,
mbi altarin tonё le tё rrёfehen dashuritё!

Ardita Jatru

Friday, October 12, 2007

Bota e Gruas Shqiptare-Raimonda Moisiu-INTERVISTA

"...Një shportë sa Qielli - me Dashuri..."

-Intervistë me poeten Iliriana Sulkuqi ( Kësulkuqja)


Aty nga fundi i viteve '70 , në një rreth miqësor, do të më jepej rasti për herë të parë, fizikisht , të takoj poeten dhe shkrimtaren Iliriana Sulkuqi. Ishte e veshur ushtarake e ndodhej mes nje grupi ushtarakësh me grada të larta si, Arif Hasko, Vehip Fejzulla,...por qe kjo vajzë simpatike e hijshme me uniformë,me flokët e gjata mbi supe, i kishte bërë " zap" gjeneralët, duke ju recituar vargjet e saj poetike që sapo kishte krijuar. Ekspresiviteti i vargut të saj poetik, plot dashuri , ndjenjë e mirësi, më bëri që gjatë gjithë jetës sime ta ndiqja,këtë talent të lindur vetëm për poezi, në gazetën "Zëri i Rinisë", Drita ", revista "Shqiptarja ..."...si dhe në organe të tjera letrare të shtypit shqiptar.

Por bota është e vogël ! Ja ku unë përsëri takohem me këtë urtësi e mençuri, madhështi për nga krijimmtaria e saj, këtu në USA.Ajo nuk ndalet! Vargu dhe pena e saj krijuese vërshon vrullshëm ,kudo, në listat virtuale, shtypin shqiptar në Diasporë , Shqipëri ,Kosovë e kudo në botë! Meraku i vetëm i poetes , shkrimtares , është :Dhuro sa më shumë dashuri, tek të gjithë njerëzit pa dallim feje,race apo ideje!

Meraku i saj janë fëmijët e lindur në tokën e huaj, për brezin e ardhshëm shqiptar në Diasporë ,USA, e kudo ku ka komunitet shqiptar në botë dhe mesazhi që transmeton kjo poete , shkrimtare , nënë , gjyshe: Mësojuni fëmijëve gjuhën e Mëmëdheut , gjuhën shqipe ,trashëgoni të ta,traditën, zakonet e vlerat më të mira kombëtare dhe IDENTITETIN tonë KOMBËTAR!

Duke lexuar intervistën e Lili -t (Sa më pëlqen ta thërras me këtë emër!), ju do të befasoheni , nga forca dhe e vërteta e fjalës së saj, nga " vrapimi" i saj për të krijuar, nga virtyti i mirësisë dhe i dashurisë (me plot bindje do ta quaja Binomi Poet-Njeri), që e karakterizon këtë perlë të letrave shqipe!
-Kam shumë kohë që kam dashur të realizoj një intervistë me ju. I jeni përgjigjur me heshtje. Përse ?
-Ke të drejtë Monda, kur thua se disi jam shmangur, por pa të keq. Intervista është portreti i dyfishtë, ose më saktë, një portret me dy personazhe. Prandaj, unë me "heshtjen" time kam patur dhe merakun, që të justifikoja "fjalën" time para jush dhe lexuesit. Duhet të flasësh kur diç ke për të thënë. Edhe kur pi një kafe me një shoqe apo shok duhet të shkëmbesh informacion, aq më tepër në një bashkëbisedim publik siç është intervista....
Pastaj, për të qenë e sinqertë, a do të të them të vërtetën e vërtetë që më dhemb në shpirt?
Të tilla intervista, me postime pyetjesh dhe me postime përgjigjesh, për mua janë hipokrizi. Vetëm se i bëjmë qejfin vetes dhe njera-tjetrës apo njeri - tjetrit. Por këto janë kushtet e sotme..
Tjetër, kujt i shërbejnë? I bëjmë për njeri -tjetrin? Kjo s'ka kuptim. I bëjmë për brezin pas nesh, d.m.th, për fëmijët tanë? Edhe kjo s'ka asnjë vlerë. Ku janë, ku i kemi? Ku kanë kohë ata të lexojnë "bëmat" tona... Ata, ende vrapojnë, sa nga një shtet në tjetrin, sa nga një "fshesë", në tjetrën. Sa nga një shkollë në tjetrën... Harrojnë edhe gjuhën e mëmës, harrojnë edhe ata që i kanë lindur... Mirë, ata që kanë prindërit, gjyshër apo gjyshe pranë, diçka mësojnë ... Po pastaj... çfarë do të lexojnë? Sa të rinj lexojnë gazetën shqiptare, këtu në Amerikë, sa të tjerë qoftë edhe në Shqipëri apo nëpër shtete të tjerë mërguar...? Ndoshta vetëm për ndonjë lajm mërgimi, punësimi, shkollimi, biznesi... dhe këtu mbaron gjuha. Fillon artikulimi i saj drejt mbijetesës, drejt së panjohurës, duke hedhur pas shpine të njohurat e trashëguara...
Ka edhe shumë arsye të tjera...
-Jeni një krijuese shumë prodhimtare, ç'mund të na thoni për botimet tuaja të fundit?
-Shkruaj. Pa shkruar nuk mund të rri. Por jo çdo gjë e shkruar ka vlerat e botimit. Këtu është "udhëkryqi" midis poetit dhe lexuesit. Krijimtaria është e poetit (shkrimtarit), sa nuk i janë venë kapakët librit dhe ISBN-ja e Shtëpisë Botuese. Pastaj bëhet pronë e lexuesit. Kështu ndodh edhe me ato krijime që hidhen për lexuesin në faqet e internetit. Pra, për botimet e mia le të flasë lexuesi im.
-Ju jeni një emër i dëgjuar. Ne ju lexojmë vazhdimisht, në shtypin shqiptar në Shqipëri e Diasporë, edhe pas ardhjes në SHBA. Çfarë ka sjellë në krijimtarinë tuaj ky ndryshim gjeografik?
-Njeriu në gjithë jetën ka vetëm një Atdhe, ose Mëmëdhe, që mua më duket më intime si fjalë. Njeriu mund të lëvizë në të gjithë kontinentet e rruzullit, mbase dhe në Hënë, por Atdheun nuk e tjetërson dot. Dhe kush thotë se "... m'u bë Atdhe i Dytë", mashtron veten dhe atë që e lexon apo e dëgjon. Kam lexuar një mikun tim-poet, i ikur dhe ai jashtë Shqipërisë. Kur e pyetën nga je? U përgjigj: Nga vendi më i bukur në botë!" Sikur Dantja të kishte shkruar vetëm për Parajsën, nuk do të ishte e pavdekshme "Komedia Hyjnore". Duhej dhe Ferri, që t'i jepte vlerë e kuptim. Dhe kjo ndjenjë e Mëmëdheut të mirë e të bukur nis nga Gjiri i Nënës, nga Vendlindja, porta, rrugicat e deri në bulevardet e qytetit, në malin e Krastës, në ujin e Shkumbinit, në... Pra, Atdheu është si Atomi në një Molekulë-jete. Edhe krijimtaria aty nis dhe... aty mbaron. Ardhja ime në SHBA, më ka pasuruar me ndjesitë pranë familjes, me aromën e dy nipërve dhe mbesës, aq të dashur e të domosdoshëm për mua... Pastaj dhe ngopjet e syrit me pamje të tjera. Të qenit këtu i ka dhenë vlera të tjera Dashurisë dhe Mallit, pa të cilat nuk punon dot "Shpirti i Poetit".
-Ju kaluat një periudhë të gjatë në Greqi, me çfarë mbresash vjen Iliriana që andej dhe diçka rreth aktivititetit e krijimtarisë suaj atje.
-Greqia për poetin është thesar. E lakmuar në të gjitha kohët. Greqia ka statujat e Perëndive dhe shtatoret e filozofëve të lashtësisë, ka diellin, detin, gjelbërimin, ka rreth 2000 ishuj. Më i madhi është Kreta, ku edhe unë kam jetuar. Por unë nuk vajta turiste për t'u frymëzuar si Gëtja, apo Gorki... Unë isha emigrante, që doja të jetoja duke mbijetuar. Dhe, në këtë mbijetim, frymëzimi ishte i pranishëm.
Sa bukur e kemi ne fjalën "Frymëzim"! Ka në rrënjë fjalën "Frymë", domethënë të zihet fryma. M'u zu edhe mua fryma në Kretë dhe shkruajta poezi e tregime, që nuk më pëlqejnë vetëm mua. Disa prej tyre, do t'ia rijap lexuesit edhe tek libri i ri që kam në proces botimi... Të jetosh në Kretën e Kanzanxaqit të madh, është fat, edhe kur je i pafat! Edhe pse punoja për bukën e gojës, një javë shkundje ullinjsh ia bëra hallall Kanzanxaqit. I vajta deri te varri, shumë larg nga vendqendrimi im, me një kurorë lulesh të freskëta, thuajse të gjitha ngjyrat e trëndafilave. Sa varr i thjeshtë. Vetëm një kryq dhe mbishkrimi, epitaf i lënë prej tij: "Sot dhe përgjithmonë...". Sikur të kisha mundësi, do të kisha mbledhur lule malesh e fushash e do ta kisha thurrur vetë kurorën... Do t'i shkonte më shumë këtij varri...
-Ndryshimi midis dy mërgimeve
-Emëruesi ka të njëjtin emër-mërgim.
Numëruesi ndryshon si nata me ditën. Nëse në Greqi, edhe pse punova familiarisht për shumë kohë, edhe pse kisha miqësi me familje greke (të cilat i ruaj edhe sot), prapë racizmi dhe "fshesa e hekurt" e politikës greke janë të pashembullta në kohën e sotme, aq më tepër nga një shtet që pretendon se është fillesa e Botës dhe vetë kultura ...
Ndërsa Amerika, tjetër gjë, edhe pse dua të iki një orë e më parë prej këndej... Ama, për këtë, nuk ma ka fajin Amerika, e cila më ka pajisur me të gjitha dokumentet legale dhe sigurimet sociale, që pas një jave të ardhjes këtu; që jam e lirë të lëviz ku të më çojë edhe ëndrra, që gati 120 kombe, të racave dhe të ngjyrave të ndryshme-punojnë së bashku dhe respektojnë njeri-tjetrin pa asnjë dallim...
- Poezia juaj është e arrirë dhe e vlerësuar nga kritikët . Çfarë mund t'ju ofroni krijuesve në përgjithësi nga përvoja juaj?
-Sot, dhe fjala "sot" mban gati dy dekada brenda, kritika e specializuar ka heshtur. Apo nuk qëndron më si "institucion". Është zëvendësuar nga "mendimi i shokëve". Kjo ka të mirën dhe të keqen e vetë. Mendimi shoqëror ka sinqeritetin dhe vërtetësinë brenda, por mund të ndodhë dhe e kundërta. Sot, brenda ditës, bëhesh poet, pa ditur se ç'është poezia. Ose dhe e kundërta, harrohesh po nuk "trokiti" kush në dyert e krijimtarisë tënde. Sa për përvojën? Nuk ka shkollë. Çdo krijues ka përvojën e vet, që ndryshon nga e tjetrit. Përvoja është si e ndjej unë jetën-botë, si e shoh unë botën-jetë,... si puna e numërave të syzave, dikush i ka 0, 75, dikush i ka, 2.5 dhe unë...(e kam treguar numrin në një poezi). Veç ka një të vërtetë të përbashkët: Të jemi të vërtetë në krijimtari. Poeti s'duhet të gënjejë kurrë... Poeti është si Profetët... (flas për ata që s'gënjejnë)...
- Keni qenë ushtarake në Shqipëri, kur filloi poezia të trokasë në shpirtin tuaj? Çfarë ndikimi ka patur në krijimtari jeta ushtarake?
-Kam qenë me fat që kam qenë ushtarake. Këto fjalë do të thoshja edhe po të kisha një profesion tjetër. Por të qenit ushtarake më ka dhënë një "Botë" tjetër që nuk e kanë pasur të tjerët. Privimet që më ka krijuar jeta ushtarake (për femrën janë më të mëdha) kanë bërë që unë sot jam Iliriana, siç jam! Si mund të isha nuk e di. Letërsia botërore ka shumë shembuj të poetëve ushtarakë, ku model është Lermontovi, por dhe unë kam pasur shokë e shoqe në ushtri që mund të quhemi "Familja e Poetëve me Uniformë" si:, Lirim Deda, Ibrahim Gani, Thanas (Nase) Jani Julia Naçi (Gjika), Lida Rrapo (Grazhdani), Merita Caci, Sotir Lashova, Nevruz Shehu, Kujtim Halili (i ndjeri), Bashkim Çepele, Hysni Milloshi, Thanas Tane, Apostol Duka, Roland Musta, Bashkim Kozeli, Fuat Çeliku, Fluturak Germenji, Mina Qirici, Afrim Himaj, Luan Malaj, Bardhyl Gosnishti, Kasem Saliasi, Riza Lahi, Kujtim Boriçi, Milianov Kallupi, Fation Pajo, Thanas Mustaqi, ....
-Ju keni një revistë për fëmijë të titulluar "Kësulkuqja". Ç'mund të na tregoni për të?
-"Kësulkuqja" ime ka një ndryshim. Erdhi me mua në SHBA, fle me mua në "ninulla fëmijësh", zgjohet me "vogëlushët" e gjyshe Ilirianës... Është "Kësulëkuqja", tashti "Pelegrine" nëpër botë...
Ndoshta do të "trokasë" edhe te "Bota e gruas shqiptare". Aty, ka shumë nëna dhe gjyshe. "Ajo" do t'i lutej që kur të shkruajnë për të rritur, mos harrojnë të shkruajnë e t'i "postojnë" vjershat, tregimet, përrallat për fëmijët. Apo jo, "teta" Drenusha? Edhe ju "tetat" dhe gjyshet e tjera...
- Reportazhet janë po aq të bukur si edhe poezia. Cila është gjinia juaj më e preferuar?
-Reportazhi është gjini e publicistikës, ku shprehesh lirshëm. Reportazhi ka ngjarjen, mendimin e mençur, personazhet, mjedisin ku veprohet... Pra, është një gjini që ngjason më tepër me tregimin. Poezia është "e shenjtë". Një krahasim: Në një vazo lulesh është vazoja, dheu, plehu, krimbat e dheut, pika e ujit, rrezja e diellit, rrënjët e lules, trupi i lules, gjethet e lules,... dhe çelja e lules, që është vetë lulja. Qoftë lule-thane, lule-pjeshke apo bajame, lule-ftoi apo manushaqe,... (nuk them për trëndafilin, se ai të josh dhe me gjembat) për mua, ajo është poezia. Dhe këtë dua më tepër!
- Kush janë rrënjët e origjinës së Ilirianës?
-Devolli dhe Elbasani, ose anasjelltas.

-Po citoj diçka, nxjerrë nga parathënia e vëllimit tuaj: "(F) Shihemi në sy":
"...Të udhëtosh në jetën e kësaj femre (një jetë që do ta lakmonin shumëkush prej shkrimtarëve për ta pasur subjekt të prozës së tyre, e kësaj shoqe-madheje, e kësaj gjyshe-fëmije, e kësaj ëndërr-zgjimi dhe bukuri-plage, e kësaj mall-pritjeje, është njësoj si të shkosh përtej, sikur të hysh brenda mrekullisë dhe të ndodhesh si hy mes hyjnive. Nga ai shtat i bukur vajze, para të cilit turpërohej edhe fustani me vellon e nusërisë, tashmë ka mbetur një trup që thua se tallet përditë e për çast me gravitetin dhe, kur ia do puna, mund të fluturojë si hareja më e natyrshme ose mund të peshojë sa gjithë tragjeditë e kësaj bote. Vazhdimisht në lëvizje… së bashku me sinqeritetin e fjalës së saj. Ku i merr energjitë?!…Me këtë pyetje të befasishme ti ke trokitur pikërisht në portën e përtejshmërisë, atje, tek mrekullia...". Pra, Ilirianë,cilat janë lëvizjet e tua më mbresëlënëse. A kanë ndikuar në krijimtarinë tënde? Diçka për udhëtimin tuaj nëTeksas, ku ju ishit ftuar para disa ditëve... Dhe vërtetë, ku i gjeni energjitë tuaja...?
-Që kur "mora këmbët" siç thonë, nuk ecja por vrapoja..(nuk lija dy gurë bashkë). Dalëngadalë fillova të "vrapoja" me këmbë, me mendje, me zemër... Më vonë, jeta ushtarake e bëri "profesion" vrapimin. Por nuk është kjo e gjitha, në të gjitha stinët e jetës njeriu gjen llojet e "vrapimit", duke bërë stafetë me veten dhe me fëmijët, me miqtë e shokët... Është "vrapim" i pashpallur, i padukur, por shumë i domosdoshëm. Jeta për njeriun është e duhet të jetë lëvizje. Për poetin lëvizja është më tepër se lëvizje. As dy vjet plot (1786-1788) nuk iu deshën gjeniut-Gëte, që të ikte nga Vajmari, drejt Italisë dhe shkruajti veprat aq të bukura "Elegji Romane" dhe "Epigramet Veneciane". Ndryshon mjedisi, ndryshon dhe njeriu. Unë nuk kam shkruar "Elegji" e "Epigrame", por disa poezi, mbresa, tregime etj. I kam shkruar pikërisht nga jetimet e përjetimet e lëvizjeve të mia. Poezia dhe proza ime nuk janë thjesht fantazi, por një realitet i prekshëm dhe i ndjeshëm, sigurisht, i ngritur në art, aq sa ka arritur pena ime ta bëjë.
Jam munduar që lëvizjet e mia, qoftë të detyruara apo spontane-të jenë deduktive, prej nga kanë dalë mesazhet që i kam dhënë nëpërmjet krijimeve...
Nëse, kur isha e vogël, nuk lija "dy gurë bashkë", tani, lëvizja ka tjetër kuptim. Sot dëshiroj dhe përpiqem që jo vetëm "dy gurë", por të gjithë "gurët" e çmuar, t'i bëj bashkë...
Po ndalem pak , tek udhëtimi, prej të cilit sapo jam kthyer - Teksas (Dallas), reportazhin për të cilin e kam titulluar. "Kësulkuqja në Botën e çudirave...".
Pa dashur të sjell detajet dhe përshtypjet e plota, doja të theksoja diçka specifike për këtë udhëtim, pasi kjo bisedë është kryesisht në kuadrin e forumit "Bota e Gruas Shqiptare". Pikërisht e veçanta qëndron tek personazhi kryesor i këtij reportazhi, e cila u bë shkak i realizimit të njërës prej ëndrrave të mia të para shumë viteve dhe që nuk e mendoja se do ta realizoja ndonjëherë, kaq befas dhe kaq mrekullisht.
Znj. Media Vraniqi dhe vajza e saj Vanesa, të cilat i takova në Nju Jork në Qershorin e kaluar, në promovimin e librit tonë të përbashkët "Nënës". Aty lindi idea dhe dëshira e një ftese udhëtimi, sidomos nga Vanesa, e cila më përkëdhelte me fjalën e dashur, siç më thërrasin binjakët e vajzës, gjyshe. Ky udhëtim, u realizua në shtator! Kur të lexoni reportazhin do e kuptoni pse flet "Kësulkuqja" për botën e çudirave, por këtu ka vend ajo, realja, bota e madhe e Prizrenases së Teksasit, e cila më ka mahnitur me forcën dhe energjinë, me pjekurinë dhe zemërgjerësinë, me ngrohtësinë motrore dhe bujarinë.
E tillë është Media e tillë dhe e bija dhe jo vetëm ajo, por edhe fëmijët e tjerë si yje, Vepra dhe Vendimi si dhe bashkëshorti i denjë i saj, z.Mustafë, patritot i mirënjohur në qarqet e gjera shqiptare.
Ja pra, e dashur, Mondë, çfarë mrekullie dhe pasurie shpirtërore të japin lëvizjet, sidomos, kur ato shkojnë në drejtim të dashurisë njerëzore... Edhe բse nuk ke fuqi, merr energji edhe për vite të tjera jete.

-Çasti më i vështirë...
-Nuk e di a do të kem të tjera, për t'i krahasuar me ato që kanë shkuar dhe që mundohem t'i harroj.
-Po më i lumtur?...
-Është në arkivën e shpirtit tim dhe nuk mund ta rrëfej. Kam frikë nga lumturitë..
-Cila është dashuria më e madhe për Ilirianën?...
-Vetë Dashuria, kur ajo është e tillë.
-Po urrejtja?
-Thuhet se po nuk di të urresh, nuk di as të dashurosh. Unë nuk jam plotësisht dakort me këtë përcaktim...
- A ka në jetën tënde ndonjë ngjarje që ia shihni apo ndjeni gjurmët ende?-
-Sigurisht që ka, ashtu si tek të gjithë. Mundohem të mos m'i shohë as gjysma tjetër e vetes. Megjithatë: -Dita e dasmës (pa dasmë); një piano e lënë gati në kulmin e karrierës sime dhe një kitarë e thyer, për të mos i rënë më kurrë..., thinjat, që si në legjendë, m'u shfaqën brenda 12 orëve; çasti, kur ndahesha me fëmijët në aeroportin e Rinasit, në drejtim të një klinike të huaj për kurim. Befas, veshi më zuri fjalët:"... gjynah, e shkreta, nuk e di që s'ka për t'u kthyer më..."
-Çfar të kënaq më shumë?
-Kur luaj me fëmijët; kur ma pëlqejnë atë që kam gatuar; kur shkruaj një poezi që ende më pëlqen, pas dhjetë herëve të lexuar; kur flas dhe marr mesazhe nga miq që më duan dhe më respektojnë. U jam borxh gjithë jetën, të gjithëve.
-Çfarë të shqetëson?
-Largësia me njerëzit, sidomos me krijuesit, sidomos me poetët, si me ata që janë në Shqipëri, në vendlindjen time, ashtu edhe ata që janë këtu, në Amerikë, apo nëpër shtete e kontinente të tjerë...
-Cilët autorë të ndjekin në muzë...
-Janë shumë jashtë dhe brenda vendit tim, shkrimtarë e poetë, të ikur dhe në jetë, por të përjetshëm... Për hir të respektit të veprës së tyre po përmend disa: Çehov, Cvajg, Remark, Simonov, Anna Ahmatova, Bërns, Alen Boskie, Pavlo Neruda (e veçoj), Pol Elyar, Agolli, Reshpja, ...
-Cilën ëndërr nuk keni realizuar
-Aty ku mbaron ëndrra mbaron dhe jeta. Pas ëndrrës vrapon njeriu dhe nuk e zë dot kurrë...
-Po atë që nuk doni ta kujtoni?
-Ëndrrën e vrarë, ëndrrën e mashtruar, ëndrrën e fjetur... Por edhe pse nuk do ato janë brenda trurit, brenda kujtesës së jetës dhe njeriu gdhihet me 'to, fle për t'u gdhirë përsëri... Njeriu ka vetëm kujtesë, nuk ka harresë...
-Po atë që nuk doni ta prekni?
-Dhimbjen. Dhimbjen as nuk e ftojmë, as nuk e përzejmë dot. Ajo vjen e paftuar është bashkëudhëtare e pashmangshme me jetën e secilit... Puna është mos i biem në gjunjë e të na mbysë loti. Nuk jam dakord me shprehjen: "Nga dhimbje të mëdha dalin vepra të mëdha". Mos paçim kurrë vepra të tilla dhe nuk ia uroj asnjë krijuesi të tilla vepra...
-"Sikur të isha djalë!" Këtë libër të Haki Stërmillit sikur ta afronim në vite dhe shkrimtari t'ju kishte Juve "personazhin" kryesor, do e pranonit?
-Kam një kujtim të bukur, si ushtarake. Marshoja me studentët mbi një javë, me ata marshimet e gjata. Një natë e kaluam te Kasollja, në Prodan, ku ka jetuar Haki Stërmilli dhe ka shkruar romanin "Sikur të isha djalë!" Na ndrinin urat e zjarrit. Aty një kolegu im më tha: "Iliriana sikur të ishe ti, personazh i romanit të Stërmillit, do të doje të ishe "djalë"? "Nuk do ta ndërroja, mbase jam më mirë kështu?!"-fola, pa u shpjeguar. Ndoshta do të isha e para, që në atë kasolle, të meditoja për romanin e H. Stërmillit, por ndjehesha e sigurtë në gjininë time. E doja veten, siç më kishte lindur nëna, e doja nënën dhe doja t'i ngjaja...
Pra, kam rënë në "mirëkuptim" me veten për të qenë "personazhi" femër, në të gjitha etapat e jetës. Dhe nuk do e ndërroja.. Kulmi, apo qendra e jetës së një femre është "të qenurit Nënë". Edhe pse kohët e kanë shtypur më tepër femrën, përsëri ajo ka qenë dhe është në rolin e vetë më të patjetërsueshëm. Le të flasin mençuria e popujve dhe gjenitë më mirë: "Nëna, ju e keni në dorë shpëtimin e botës!" thotë Tolstoi. (Le të bëj edhe unë, detyrën time për këtë!). " Zoti nuk mund të jetë gjithkund prandaj bëri nënat"... (le të jem edhe unë një krijesë për të bërë "punët e Zotit"). "Grua do të thotë udhëheqëse shpirtërore!" (le të jem dhe unë sadopak e tillë!)... "Një nënë fal kurdoherë, për këtë ka ardhur në botë"- thotë Aleksandër Dyma. (Le të bëj dhe unë aktin e faljes, për të qenë më të mirë e më të dashur njerëzit)."Për gruan dhe tokën le kokën" - thotë poeti ynë Dritëro Agolli, duke e shenjtëruar rolin e gruas... (Le të jem dhe unë një varg i asaj poezie)... "Për nënë dua të kisha një shqiptare"-shkruan anëtaria e Akademisë Franceze, shkrimtaria Marguerite Yorcenar. (Nuk ka koment kjo thënie!) Dhe le ta mbyll me një thënie të kandidates për presidente të SHBA-ve, Hillary Klinton: "Të drejtat e gruas janë të drejtat e njeriut!"... Ç'mund të them unë më shumë?! Ja pse nuk e ndërroj të qenit grua!
-Keni shumë miq këndej e andej kontinentit, të hershëm e të rinj, cili është sekreti i këtyre lidhjeve të qëndrueshme?
-Nuk ka asnjë "sekret". Është Dashuria, më universalja fjalë e bukur, pa motivin e së cilës nuk mund të bëjmë as edhe një hap, nuk mund të kapërdijmë as edhe një kafshatë bukë, apo një gllënkë ujë. Që të duash të tjerët apo të të duan-është më e thjeshta që mund të bëjmë, pa paguar as një cent. Ta duam njëri-tjetrin, me të mirat dhe me të metat (gabimet) njerëzore; të njohim, pranojmë dhe të respektojmë vlerat e njëri-tjetrit. T'i "fshijmë" lotin, pa e pyetur "pse qan" dhe, kur ka nevojë për dikë , ta kuptojmë pa na e thënë dhe në çast t'i ndodhemi pranë (edhe duke qenë larg), me një fjalë , me ...ç'mund të jetë më e duhur sipas mundësisë. Dhe, kjo ka rëndësi , asnjëherë të mos ia përmendësh (ka një shprehje populli, nga më të vyerat: "Kur e jep njëra dorë, nuk duhet ta dijë dora tjetër"); t'i kuptosh dhe të të besojnë se, kur ke kohë i merr (apo të marrin), në telefon edhe disa herë në ditë. Kur nuk mundesh ti apo ata (ato), nuk duhet të dyshohet tek dashuria, miqësia... Kur heshtja vonon, shqetësimi nuk është dyshim për dashurinë, por për gjendjen shëndetësore apo probleme të tjera...
Kur erdha këtu, në Amerikë (detyruar nga detyra prej gjysheje), qaja me vete në çdo sekondë të njëzetekatërorëshit. Telefoni rrinte non-stop në veshin tim (në orët, kur latantët-binjakë të vajzës, më shumë flinin se ishin zgjuar), në drejtim të të gjitha hapësirave që mbulonte shpirti im, nga shtëpiza e vendlindjes, deri nëpër shtete e kontinente ku ishte i fluturuar...
Sot, nuk kam mundësi ta mbaj telefonin në vesh. Ma rrëmbejnë vogëlushët e "rritur". Por, edhe pse nuk mund të jem në "linjë" me 'ta jetoj më shumë se kurrë pranë tyre. Mendoja se do t'i humbja miqtë e jetës sime. Ndoshta do të mendonin se më "rrëmbeu" Amerika... Gabova. Më njihnin më mirë ata mua se unë veten time. Çdo ditë dhe në çdo orë të saj, më marrin në telefon, më dërgojnë një mesazh, më postojnë libra të sapo dalë në librari, apo pa dalë ende në "treg". Pra, më japin motivin e shenjtë të të jetuarit, edhe pse në largësi humbëtire...
-A ka emra të përveçëm?
-Të gjithë kanë emrat e tyre të përveçëm. Janë shumë t'i përmend. Janë nga të gjitha fushat, poetë , shkrimtarë, gazetarë, këngëtarë, piktorë e aktorë, ushtarakë, mësues(mesuesit e mi dhe të fëmijëve që nga fillorja...), shoqet dhe shokët e mi, që nga klasa e parë fillore, të tjerë nga jeta në ushtri...,komshinj...; shumë e shumë të tjerë në Shkup, Tetovë, Strugë, Kumanovë, Kërçovë, Gostivar.., në Prishtinë, Gjakovë, Prizren, Vushtri, ...Ulqin... Secili (secila) ka emrin në kujtesën e zemrës sime...
-Ju kanë kushtuar poezi miq poetë, të cilët i kanë postuar në forume apo botuar nëpër organe të ndryshme të shtypit... Po citoj vargje nga disa prej tyre...

Kësulëkuqes

s'ka plakje për ty, mikja ime e fëmijërisë
mpleksur tërë jetën me ëndrra pyjesh
me panja e bredha e dhelpra që fshihen
e të ndjekin tinëzisht nëpër lirishtat e botës...
... (Kolec Traboini - Boston)
Urim, Ilirianës
Sot është e Diel, 9. 9. 2007.
E Diel ka qenë edhe para
gjysmë shekulli e ca...
E diel do të jetë edhe pas
gjysmë shekulli e ca...
Në gjithë Ditë Lindjet e Tua!...
Dhe Dielli do të ketë diell...
Dhe deti do te ketë dallgë...
Dhe mali do të ketë erë...
Dhe fëmijët do të dijnë të qeshin...
Dhe nënat do të kenë mall...
Dhe Njeriu do të ketë emër...
Si Poezia jote.

(Nase Jani.... Athinë)
Ilirianës, në vend të portretit
Një fluturz e bukur
Më çiku nën vetull.
Më qeshi si kukull
Dhe më foli heshtur…

Një dritëz universi
Nën vetull më çiku
Aizbergët m'i ndezi
Vullkanet m'i fiku
(Demir Gjergji -Tiranë)

Kthjellët…
-poetes I.Sulkuqi-

E tejdukshme krejt:
Me kocka të holla zogu…-
Lot borziloku.
(Qazim Shemaj -Tiranë)
Si të kam njohur dikur..
-poeteshës Iliriana Sulkuqi-

Si të kam njohur dikur...
Je dhe sot
Një princeshë e pagjumë
Që të bukurës,
Bukurisht i flet
Jo më kot.
(Fation Pajo - Çikago)
…Si e keni ndjerë veten kur i keni lexuar...?
-Si në ëndërr. Mrekullisht mirë. Pse, a nuk do të ndjehej çdokush kështu? Kjo më bën të besoj se do të jetoj për t'i larë këto borxhe ... Se nuk ka jetë tjetër. Këtu lahemi dhe lyhemi. Lyhemi dhe lahemi. Paguajmë ose na paguajnë. Askush nuk ikën nga kjo botë pa larë borxhet e bukur dhe të shëmtuar... Faleminderit, shpirtërisht, miqve të mi poetë për dhuratën kaq humane, siç është Kushtimi Poetik.
-Janë shprehur për ju "… Do të kërkoja që Sulkuqi dhe të tjerë poetë në mërgim të vendosen në antologjitë që botohen nga shteti dhe në librat e shkollës dhe të përmenden sidomos autorët që jetojnë në mërgim që kanë pasuri shpirtërore e vlera shumë më tepër se disa që jetojnë këtu dhe ende me miq zenë vend nëpër libra shkollore. A është e mundur që poezitë e këtyre të jenë edhe pikë referimi për ato dhjetëra universitete shqiptare ku studiohet për letërsinë shqipe?
-Shteti sillet indiferent ndaj njeriut. Si për shumë pjesë të jetës, që nuk i siguron dot normalitetin (drita, ujë, rrugë, spitale, paisje spitalore, shkolla, antingujimin, punësimin, etj. etj.) edhe për letërsinë dhe mbarëvajtjen e saj. Kush ta përzgjedhë të bukurën dhe letërsinë me vlerë? Më tepër harrohet, apo nuk njihet vlera dhe hyjnë nëpër antologji ata që duken, që "kapin nga xhaketa", apo lenë xhaketën me gjithë xhepa. Janë bërë disa Antologji nga botues, me "të përzgjedhurit" e tyre. Tekstet shkollorë, që nga gjimnazet e deri në universitete, mbajnë brenda më tepër "letërsi hatëri". Kjo është një e keqe e madhe, që s'dihet kur do të ndreqet në të mirë të përfaqësimit të letërsisë shqiptare dhe të pasurimit të kulturës shqiptare.
-Ç'mendime keni për femrën krijuese dhe intelektuale në Diasporë?
-Është gjë e mirë që Femra të ketë organizmat e veta të bashkimit, ku të dalin vlerat e femrës deri tek virtyti. Por nuk e konceptoj dot emërtimin "krijuese femra e meshkuj" Unë mund të bëj një libër duke i dhënë poezisë "gjininë" mashkullore. Siç mund të bëjë dhe një poet në gjininë tonë. Në Greqi është "Mali i Shenjtë" me manastire, kisha, priftërinj e murgjër. Venë vizitorë nga gjithë bota, por vetëm meshkujt. Thuhet se vetëm Shën Mëria ka shkelur në atë Mal. Pse? "Unë duke lexuar "Krishti u ngjall përsëri" të Kanzanxaqit, kam shkuar në atë Mal të Shenjtë. Për Shpirtërat s'ka doganë dhe policë-ndalimi... Shpirti poetik nuk njeh gjini.
-Ka shumë shoqata shkrimtarësh si në SHBA, apo në vende të tjerë të Europës, ku jetojnë krijues shqiptarë, si ju duken këto bashkime?
-Letërsia bëhet vetëm, është punë individuale, por ka nevojë edhe për "tavolina" shokësh e miqsh... Konti i letërsisë ruse Leon Tolstoi mblidhte shkrimtarët e kohës, që nga Turgenievi e deri tek Çehovi që ishte më i ri dhe lexonin tregimet, apo fragmente romanesh nga njëri-tjetri. "Ja kështu shkruhet tregimi!"- thoshte Turgenievi për novelat e Çehovit. E harronte gjeninë e vetë mjeshtri i letrave, se duhej harruar. Këtë rol duhet të luajnë edhe "tavolinat", shoqatat, apo Klubet e shkrimtarëve të ikur nga Shqipëria. Më pëlqen kjo fjala "Klub" si Klubi "Petëf " ( kam pasur fatin të marr pjesë në një mbrëmje poetike. Recitova "Atdhe"të Petëf-it, shqip dhe hungarisht, duke i rënë edhe pianos, me një pjesë nga Shophen. Kjo ka ndodhur më 1989, një natë para operacionit, në Budapest), apo ata të Parisit etj. Jam njohur me veprimtarinë e Klubit të Shkrimtarëve "Drita" në Athinë, që ka edhe një Revistë Letrare me emrin "Pelegrin", ku bashkon krijues të ikur nga Shqipëria, kudo qofshin ata. Bën Antologji e organizon konkurse me krijues edhe jashtë Greqisë... Vetë liria e të shkruarit i jep edhe liri gjeografike poetit apo shkrimtarit. Siç ka ky Klub anëtarë deri këtu në Amerikë edhe bashkimet e tjera të poetëve mund të kapërcejnë "kufijtë"... Pra, çdonjëri mund të bëjë zgjedhjen e vetë, ku ndjehet më mirë, larg fallciteteve letrare e mendjemadhësive vulgare... "Shokët (shoqet) i zgjedh, motrën e vëllanë nuk e zgjedh dot.", thotë mençuria popullore...
-Ju jeni anëtare e Forumit Bota e Gruas Shqiptare, forum të cilit ju i keni dhuruar shumë si me krijimtari ashtu edhe me komunikim që në ditën e anëtarësimit. Ç'mendim keni për këtë Forum dhe a keni ndonjë sugjerim për organizimin apo pasqyrimin e krijimtarisë në blogun revistë të tij?
-Faleminderit që çmoni kontributin tim modest në këtë forum special.Them modest se nuk kam dhënë shumë. Por ajo që ka më shumë rëndësi është fakti se pavarësisht nga kontributet individuale në këtë forum, si në krijimtari apo komunikime të ndryshme, diskutime dhe përshëndetje, kjo bashkësi e jona ka një të vërtetë të madhe. Një miqësi dhe një harmoni që na jep frymëzim dhe motivim, na qetëson dhe na jep forca. Një bashkësi intelektuale dhe krijuese. Një bashkësi nënash dhe motrash që gjejnë veten dhe ripërtërihen nga komunikimi dhe mbështetja shpirtërore. Një oaz qetësie dhe besimi reciprok. Ne që jemi të shpërndara nëpër skajet e globit gjejmë këtu njëra-tjetrën, ndajmë hallet e shqetësimet, mbështesim, frymëzojmë e frymëzohemi dhe krijojmë. Mësojmë për njëra-tjetrën, rritemi e piqemi shpirtërisht dhe artistikisht. Fakti i realizimit të librit "Nënës", përmes një grupimi të tillë specifik, flet më shumë se sa mund të flasë Kësulkuqja!
Por, megjithëse krijuesja e këtij forumi, të cilën e adhuroj, për organizimin, fantazinë kreative, për inteligjencën, shkathtësinë dhe dashamirësinë, Merita Bajraktari McCormack dhe ju moderatoret, Monda, Aida , meritoni fjalët më të mira e të sinqerta dhe përkedhelje mbas shpatullave, për punën e madhe që keni bërë e bëni, si me grupin, si me revistën letrare në internet, mendoj se ka vend për një sugjerim,meqe jam edhe pak "më e moshuar" në vite dhe krijimtari.Mendoj se duhet t'i hapet vend një rubrike për fëmijët shqiptarë në emigracion.
-Çfarë po shkruan Iliriana?
-Mendoj tregime e shkruaj poezi... Kështu ndodh me krijuesit. Dhe kur mendon dhe shkruan nga ato gjinitë e mëdha, si novela apo romani, poezia të shfaqet befas.
- Si një poeteshë me përvojë, ç'farë mesazhi kini për talentet e rinj, për inkurajimin e tyre në zhanrin e poezisë?
-Veç një gjë i them vetes që ta dëgjojnë dhe të rinjtë. Gjithë jetën e mendoj veten "Letrare e Re". Njeriu nuk është si e mendon veten, por si e mendojnë dhe e vlerësojnë të tjerët...
-Sa citova me lart, profesioni i juaj është ushtarake. Një pyetje paksa delikate: Si ju duken përpjekjet e politikës ndërkombëtare, asaj shqiptare e kosovare e në Diasporë për çështjen e Kosovës e në përgjithësi për çështjen kombëtare shqiptare?
-Të qenit ushtarake nuk ka ndonjë të veçantë për këtë pyetje, se ushtria tashti ka dalë nga "kornizat" për "Mbrojtjen e Atdheut". Atdheu sot (për ne) "mbrohet" më tepër nga politika ndërkombëtare dhe strukturat ndërkombëtare. Sa aktive janë ato sot s'kanë qenë kurrë në historinë e të qenit Shqipëri apo Komb Shqiptar. Edhe lëvizja e emigrantëve, nëpër shtetet e Europës dhe SHBA, kanë bërë që "Bota" të na e dijë emrin, pastaj të na kushtojë vëmendje më të madhe. Intelektualët shqiptarë nëpër botë dhe veças njerëzit e letrave, të artit e të kulturës, janë bërë "ndërgjegja" e kombit... Shoqatat, veprimtaritë, kanë shërbyer për njohjen dhe integrimin tonë aty ku na shpuri "fati". Sa për politikën dhe diplomacinë? Ajo është e kontrolluar, e udhëzuar, e rekomanduar dhe shpesh e vonuar... Kur hapet ndonjë "dritare" duhet shfrytëzuar. Po e humbe? E humbe. Kosova sot është "Emër i përvetshëm" në politikën botërore dhe në njohjen qytetare. Pastaj vjen dhe Shqipëria... I vaftë mbarë Kosovës, në Fitoren e Pavarsisë se i ka munguar në shekuj dhe e ka ushqyer me gjak "Pemën e lirisë"! I vaftë mbarë dhe Shqipërisë! Asgjë nuk mund të parashikohet. Se, më tepër ndodh e pamundura sesa e mundura. Kështu ndodh, duam apo s'duam ne...
-A do kthehet Iliriana ndonjë ditë në Atdhe!
-Unë s'jam e ikur nga Atdheu. Aty kam njerëz, kam shokë e shoqe, kam fëmijërinë, rininë, jetën... Kam nënën mbi të gjitha dhe varrin e babait... kam Atdheun, me një fjalë. "Atdheu fillon nga zemra", shkruante para disa vjetësh një poet tepelenas. I jap të drejtë Poetit. Dhe trupërisht vete në Atdhe, dua të vete dhe do të vete...
-Si një njeri i letrave shqipe, cili është mesazhi i juaj, për krijuesit në Diasporë, në veçanti për femrën krijuese, për ruajtjen e vlerave dhe identitetit kombëtar?
-Femra lind njeriun, por kur lind dhe poezinë apo bën letërsi, është dy herë krijuese... Dhe kur është jashtë vendlindjes, është krijuese më e dashur e më e dhembshur. Vlerat kombëtare ruhen duke krijuar dhe ruhen duke ruajtur simbolet e jetës e të kombit. Tre janë simbolet, sipas meje: Emri-Shqipëri, Flamuri-kuq e zi, Gjuha-shqipe. Ruajtja më e madhe dhe më me vlerë është gjuha shqipe. Të mos e harrojmë vetë, t'jua mësojmë fëmijëve, nipërve e mbesave. Ky është shërbimi më i madh që i bëjmë familjes, fisit, historisë së kombit...Ju faleminderit dhe Suksese ne krijimtarine Tuaj!
Intervistoi Raimonda Moisiu,
moderatore e Forumit Bota e Gruas Shqiptare