Saturday, August 25, 2007

Bota e Gruas Shqiptare-JULIA GJIKA -POEZI


KOSOVE, VJESHTE 2006


Po vij tek ty dhe humb
Në luadhet e gjelbra
Në luginat ku krihen zanat
Fytyren te laj me to
Në ujrat e bardha.
Janë trembur –thonë
Fshehur rrinë në Bjeshkët e Namuna.
Po vij tek ty
Të dëgjoj trokitjen e zemrës
Dhe fjalën e burrave të mëncur.
Gryka e Rugovës
Të flladit faqet
Dekori maleve të pushton
Stuhitë shekullore
Trazuan paqen e lumenjve
Por nuk ua ndruan dot shtratin
Nga goja tënde dua të dëgjoj
Dielli, dielli, të do e të ka dashur
Shkëlqimin u fali vajzave
Fytyra jote, hënë e plotë
Duart mëkojnë pëllumba
Kur yjet buzëqeshin në qiellin tënd Kosovë
Vezullimet reflektohen tek Nëna.



KUFIRI

Eshtë e njëjta tokë
Toka ime ku kam lindur
Ku kam jetën time.
Unë i njoh këta gurë shekullorë
Në këto luadhe bari zgjatej
Nga gëzimi im
Kufiri ndau pjesën time
Nga ty…
Këtu ka dritë, ka ajër, ka zogj, njësoj
Ka tinguj, ka policë
(Ata më buzëqeshin kur u jap pashaportën)
Kufiri
Ka qiell këtu
Dhe unë mbrita në mesditë
Kur dielli ishte në zenith…
E kapërxeva kufirin dhe erdha
Në zemrën tënde, Kosovë,
Bash në zemrën time, njësoj
Do fle tek ty, e shkela kufirin
Përtej kufirit
Nën qiellin që dje ish ndarë më dysh.
Do fle në qytetin
Rrethuar nga Bjeshkët
Fytyrën do t’ja kthej dritës së natës
Dhe do të pres zgjimin me ty.



NE PRIZREN

Roje të bëjnë murret e hirta të kalasë
Hëna e zënë në re, bën dritën e një kandili
Ndricimi dridhet mbi gjokse malesh
Mbi vale dilemash akoma ti.
Era ngre pluhurin.
Aroma e tokes kudo hyn
Bistrica rrjedh e heshtur
E heshtur valet shtyn.
Malli mat rrugët,
Pëllëmbë për pëllëmbë
Nga Xhamia e Sinan Pashës
Tek Shtepia Muze më sjell.
Njerëzit nxitojnë për në shtëpi,
Pa vajtur gjashtë e mbrëmjes.
Paqeruajtësit me uniforma kaki
Mbi kamiona
Shtrëngojnë armët
Tytat e zeza në një drejtim
Me vështrimin
Kryq e tërthor Prizrenit.
Vjeshta i mer ngjyrat perendimit



JAM RE E QIELLIT TEND

Gjakovë me cati të kuqe
Me oborre, pemë rrënduar nga fruta
Gjithcka e pabesushme më duket
Edhe qënia ime tek ty, e pabesueshme.
Lëviz si një re e qiellit
Herë ndricohem
Herë ngrysem, herë humbas.
Ti e sapozgjuar
Me veshtrimin në lëndinën e Mejës
Të qan zemra,syri të qan
Me gjak të trembur je
Nga ëndrra e frikshme
Akoma nuk e ke marë vehten
Dukesh e mpirë
Sapo ke filluar jetën e re
Ringjalljen takoj tek gjakovarët
Tek krahët e tyre që varrosën të keqen
Shpresa është mbështetur .






NE PRISHTINE

Eshtë muzg
Qyteti nuk ka mjaft ndricim
Elektromotorët japin energji,
Pak dritë, pak dritë.
Zhurma e tyre të kujton luftën, breshëritë
Ndonse ka mbaruar, kudo duken gjurmët
Pikellimin mund Prishtinë.
Nga lart zbret hëna
Të lahet në shpirtin tënd
Dhe yjet në syt e tu marin dritë.
Akoma tmerri s’është larguar
Nje fëmije i vetmuar
Numuron me gishtat e dorës së vogël
Të humburit
Në një qoshe te shtëpisë, baca ,
Oh, i ka ikur drita e syve
Me gishtat zverdhur nga duhani
Numuron zhdukjen e bijve
Zërat janë mbledhur lart në qiell.






KODRINA E JASHARAJVE

Kodrina i mban në prehër
Kodrina e e blertë,
Përkund një fis me emër .
Ka ikur ora e tmershme.
Një harpë dëgjohet
Muzikë ka në qiell
Zgjatim duart, prekim emrat
Lulet janë pak,
Fjalët s’janë mjaft
Flenë trimat
Në gji të Prekazit
Mosha të ndryshme
Nga pesë, mbi shtatëdhjetë
Fëmije buzëqumësht
Fisnikë pleq
Zemra ime sa e dobët je
Fillon të qash.




NE KRUSHEN E VOGEL

Pranvera atë vit u ngatërua
Stinët e tjera nuk u takuan me të
Për t’a ndjekur me shpërthime
Me ngrohtësi
Fëmijët nuk rendën në luadhe
Nata kish rrëmbyer burrat e Krushës së vogël
Ishin thyer trarët e shtëpive…
300 burra i vranë,
300 palë krahësh u ndenë
U ndenë sa mbuluan dhenë
Të nesërmen,
Fëmijët vunë fotografite në korniza
Ne ikona baballarët u kthyen.

Wednesday, August 22, 2007

Bota e Gruas Shqiptare - RAIMONDA MOISIU - CIKEL ME POEZI

TË DUA!

Enderr?
Vërtet të ishte ëndërr për mua
Kur ti më more në krah lehtas?
Më pëshpërite, më vjen keq për ty,
Ke shpirt të mirë,
TË DUA!
Shpresë?
Përmes mërzisë që po kaloja
Ajo ishte një burim a krua;
Një shpresë e re e lindur
Me ty që të thashë
TË DUA.
Det?
Po det pambarim dashuria jonë,
Këngë që s'ndalet kurrë,
Fener drite që kurrë s'u shua
Në dallgët e detit të trazuarë
Prandaj
TË DUA.
Qiell?
Po një qiell të tërë të kaltër
Brënda syve tanë bojëqielli.
Të ishte një copë qielli a thua
Në yllesinë e dashurisë?
Si të mos të them
TË DUA?!
Jetë?
Po, një jetë e zjarrtë
Që s'mund të ndizej pa ty
Si dy qënije të dashuruara.
Filizi jonë i bukurisë u rinua
Dhe unë tërë jetën e jetës
Do të them
TË DUA!
Diell?
Po diell që më ngroh çdo çast
Dhe më ndricon fluturimin në jetë.
Ëndërr, Shpresë, Det, Jetë dhe Djell;
Fllad që më ledhaton përherë mua.
Prandaj do të thërras aq fortë,
TË DUA! TË DUA! TË DUA!


TRISHTIM

Një trishtim më ka pushtuar befas
Dhe veten e ndjej krejt të vetmuar,
Më duket sikur gjithkund jam e tepruar
Dhe ënderra ime është duke ikur fshehtas.
Në një qoshe, një vënd ze qysh në agim,
Dhe vetja më duket atje krejt e harruar.
Marr vesh që askush s'më kanë kuptuar
Ndaj ul kokën duke vajtuar fatin tim.....

VETËM SHIRAT E DINË

Papritur shirat filluan
Dhe unë tani e vetme rri;
Për ty mendoj ore e çast.
Dashuria është lumë i rrëmbyerë
Nuk është një vah;

Merre guximin me vehte
Dhe eja se unë të pres
Të më çfaqesh, pra.
E ndjeja që do vinte kjo ditë
Si dallendyshet që ndjejnë shinë,
Ndaj dhe në qetësi
Ndarjen me retë e prisja,
Megjithatë më ka marrë malli.
A do të vish në ndonjë stinë?
Oh vetë nuk përgjigjem dot,
Këtë vetë shirat e dinë.
Shumë re ikën të tjera vijnë
Dhe unë duke vështruar rri,
Kam shpresë,se ndoshta midis stinëve
Papritur mund të çfaqesh ti.

PRES...

Të pres.....,
3 orë,
3 muaj,
3 vjet,.....vite...vite...
Ndoshta edhe më shumë.
Të gjitha sekondat më duken SHEKUJ.
Të pres me ankth të pres;
Më dridhen duart si të një qindë vjeçareje
Prej padurimit tortura s'më lë...
Ne pritje jam edhe pse e di se ku prehesh ti,
Edhe pse e di që nuk m' vjen më.

TE DUASH NUK ESHTE MEKAT

Më dole përsëri shpresë përmes mërzisë,
Më dole si një ëndërr a si vegim.
Ah, për shpirtin që po vuan, pak mëshirë,
Ah, për trupin që po tretet, pak agim.
Si nuk paske apak gjynah
për shpresën që është në errësirë!

Dashurinë mos vallë e quan mëkat
e prej mëkatit më mban mëri?
Ti nuk je shpirtërisht pa fat
Të vuash kaq shumë në pafundësi
Por, në rast se je pesimist, i dashur
Atëhere ti s'bën gjë tjetër veçëse një mëkat.

Por përsëri ti do mendohesh njëherë
Për vuajtjet që ti ke hequr në këtë botë.
Të duash një GRUA,s'është mëkat asnjëherë,
Të vuash për TË
Nuk është dobësi por fuqi e plotë.

PERSE NUK VJEN?

Perse nuk vjen.......?
Shoh dallendyshet qe ikin larg
Dhe gjethet qe jane zverdhur ca nga ca.
Tutje mbi vreshtat pa leng rrushi bryma lag;
Perse nuk vjen, pse nuk vjen pra?
Eja! Merrme ne krahet e tua;

Me adhuro,me ledhato,me pushto,
Fort e me fort shterngome dhe beju burre!
Pse nguron, a nuk e di sa te dua?!
Mbame te lutem te mos me marre vjeshta kurre!
Tek ty ka vetem Pranvere dhe koka s'me dhemb
Mbi gjoksin tend, atje filizi im le te cele,
Vetem atje as nje dimer i eger s'me tremb.

Vjeshta fushat i zverdh,
Malet shume i zvogelon,
Rrafshnaltat i le shkrete perreth,
Vetem ndonje reptil i vonuare gjarperon,
Dhe gjethet bien ca nga ca...
Ne dhimbjen qe dhemb nga pritja;
Perse nuk vjen,pse nuk vjen pra.

RRUGE PARALELE …

Te ftohte ecim rrugeve paralele
Qe ne jete te jeteve s'puqen kurre
Agimi erdhi perseri
E la gjurmet e nje nate te gjate
Ty te mendoja me dashuri
Dashurine serish te fillonim perseri
Dhe e vetme dola ne rruge
Ti ne trotuar,rrije me veshtroje
Hajde i dashur me merr ne krahe
Se ti me doje
Ndjehesha mire
Kur me adhuroje
Me puthje e ledhatoje... ..

PRITJE

Te prisja e te percillja me veshtrim
Te prisja e rrija pa gjume
Do kaloje neser, do kaloje sot
Dhe syte e kalter pikonin lot
Nje dite vendosa te .. .te pres
Pa ardhur nata, pa celur tjeter mengjes
Dhe hapat i ndala, ne rrugen ku kalon ti
Me pyesnin njeresit,
te gjithe me veshtrim
Kalova dhe zerin se bera dot bilbil
Mos valle, thashe, ka tjeter takim
Ngasherim mes loteve te kalter
Te urova Lumturi!
Zemra m'u drodh
Te prita e te percolla me shikim ...

VEC VDEKJE TE MOS KISH ...

Oh, vdekje qe i ben zemerat te coptohen
Dhe syte te nxjerrin vec lot
Ti ben shpirtin qe te pervelohet
Dhe dy buze te mos puthen dot
Miliona paguaj, vec vdekje mos te kish
Vetem vdekje mos kish mes nesh
Ti erdhe kaq shpejt e pa meshire
Ti shkele dy zemra e nje shpirt te mire.

ME PUTH

Me puthje,
Te puthja …
Neqoftese
Te fyeva
Duke te puthur
Atehere
Me fyej edhe ti
Pra me puth
Me puth
Me puth !

LERME

Lerme....
Ne pyjet e flokeve te tua
Rrjedhin lotet e kalter te mij
Lerme i dashur
ta degjoj kete ofshame
A do ta gelltis dot kete dhimbje
Si pellgu ne muzg?....... .

Iken 6 vjet
I DASHURI IM,
qe nga kjo jete u ndave......
Ne keto 6 vite ku ka shume
dite, ore, minute,sekonde. .
ti je ne mendjen dhe zemren time.
Fytyra jote eshte ne syte e mij.
Hija jote eshte kudo me mua...
Ecen me mua...
Merr fryme me mua...
"jeton" ..me mua....

A thua se mund te te harroj nje dite?
...Jo kurre.....Ne kete pervjetor .....
Mallkoj vdekjen qe te mori.......
DHe vajtoj e vargje pafund per ty krijoj....
Me mungon e Te dua shume...
I dashuri im

SYTE E KALTER

Sytë e tu e sytë e mij
S'është çudi që një ngjyrë kanë,
Shumë ja puthim njëri-tjetrit
Zjarr mbi zjarr kur jemi pranë.
Lotë përzjerë me kaltërsi
Përmbi ballin tim pikojnë,
Sipër meje fryn si fllad
Sytë e qiellit me vështrojnë.
Ç'më shikon ashtu ti mua
Rreh qepallat si një flatër,
Ç'kuvendojnë sytë e tua
Me një timbër krejt të kaltër.
Shtroje e kujt s'dua të jem
Veç e teje që më rri pranë,
Që noton në sytë e miSi në detin e pa anë.
Hajde, pra më merr në krahë,
Sytë tanë një ngjyrë kanë.


ME KA MARRE MALLI

Me ka marre malli a me kupton

Ne cdo veprim qe bej mendja te ti me shkon

Dal ne dritare dhe cdo fytyre

shembellen me fytyren tende

Shfletoj librin....

e ne cdo faqe te tijshoh fytyren tende

Nuk e di pse ne cdo gjeshembellehet fytyra jote

Ndoshta nga qme ka marre malli shume

Ndoshta ngaqe te pres...

ore,dite,muaj, vite,shekuj, te prita te prita

Te pres akoma,dhe e di qe do te kthehesh

Me vete ke shume kujtime prej meje

A do kthehesh ?

Kjo fjale te ben te dridhesh

Kur kujton nje njeri qe e prêt,ore,dite, muaj,shekuj

Te pres..Atje ne parajse do te mbes...

Dhe nese ti s'vjenBesoj se atje do te takohemi

Ti do te vish te une

Dhe une perseri

Pres...pres. ..

Ndoshta ngaqe me ka marre malli shume

Ndoshta ngaqe te pres cdo dite cdonate,cdo ore e minute

Ndoshta ngaqe te desha e

TE DUA aq shume.

Saturday, August 11, 2007

Bota e Gruas Shqiptare-TRINA GOJANI -POEZI

Ne ndjekje...

Do te ndiqja hijen tende
Per te mos ndier veten vetem
Atehere kur yjet marrin arratine dhe ulen ne preherin e hanes
E botes I ndjell lakmine e te dashuruarve…
Dritaret jane teper te perlyera per te pare se cka ka jashte nesh
Tymi I duhanit percjell kujtimet aq dhimshem
Sa shpesh na vjen te bejme vetevrasje.

Do te ikja duke ndjekur hijen tende
Per ta justifikuar rrugen rreth jetes
Per ta justifikuar kohen qe vret aq ngadale
Per ta justifikuar nje lot….

Do te ikja duke ndjekur hijen tende
Qe te mos arrija askund…...................................................................................................................
Dikush tenton të hyjë me dhunë në derën time


Cfarë dallimi do të bëhet nëse kërkoj clirim nga vetja ?
Nëse fundin e botës do e shoh vetëm ?
Kur apokalipset tashmë janë bëre rutine ?!

Do ndez qiri për vdekjen time.
...............................................................................................................

Ninulla

Para se ta vendosë kokën në krahun tënd
Më lëjo ti rrëfehëm natës
Për pritjen e gjatë
Kur tingujt e pianos bënin vëtëvrasje në andrren time;
Para se te me zere gjumi
Me trego se si ndihet vetmia ne krevat
Atehere edhe kur je afer
Kur tingujt e pianos marrin arratine;
Para se te me futesh ne enderr
Me trego se si do ma kthesh shpinen
E oqeanet mbushen nga lotet
Kur te gjithe luajne piano per zgjim...

Para se te vdes

Para se te arratisem
Para se te prek nje jete te re
Me trego se ku isha
Nese isha...

Friday, August 10, 2007

Bota e Gruas Shqiptare-VERA PELAJ-Interviste me Pellumb Kullen

Intervista e meposhtme eshte realizuar nga gazetarja e radios "BlueSky , Vera Pelaj, Prishtine



Blue Sky: Urime Z.Kulla për Dekoratën "Mjeshtri i Madh", dekretuar nga ish Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu. Si ndjeheni ?

Pellumb Kulla: Natyrisht, ndjehem mirë. Është një dekoratë e çmuar. Vlerësimi m’i shton energjitë, ma shton dhe ambicien.

Blue Sky: Kush e rekomandoi emrin tuaj për këtë dekorim dhe me ç'farë motivacioni?

Pellumb Kulla: Emrin tim e rekomandoi Ministria e Kulturës me nxitjen e drejtpërdrejtë të Këshillit Bashkiak të qytetit të Fierit, qytet, në të cilin unë kam kaluar vitet më të shëndetshëm e më pjellorë të krijimtarisë sime.

Blue Sky: Kujt i jepet ky titull nga Presidenti? Më gjerësisht, nëse mund të na
thoni.

Pellumb Kulla: Me përmbysjen e komunizmit, u hoqën nga qarkullimi edhe një numur titujsh e dekorimesh. Artistëve iu hoqën titujt “Artist i Popullit’ dhe “Artist i Merituar”. Megjithatë titulli i ri “Mjeshtër i Madh” nuk zëvendëson asnjërin nga këta dhe, për më tepër, nuk u jepet vetëm artistëve. U jepet njerëzve të shquar në fushat e kërkimeve shkencore, të arritjeve të shquara sportive dhe në veprimtaritë e shumta e të gjëra kulturore, si kritikë, studime e tje.

Blue Sky:Është vendosur ende për kohën dhe vendin i dhënies së dekoratës?

Pellumb Kulla: Mund të jepet shtatorin e ardhshëm, në kremtimin e 50 vjetorit të Estradës Profesioniste të Fierit.

Blue Sky:Veprat tuaja letrare janë të shumta. Dy prej tyre jane realizuar edhe nga disa trupa teatrore në Kosovë. Pse keni munguar ju si regjisor në realizimin e tyre në Kosovë?

Pellumb Kulla: Kanë qenë kënaqësi të jashtëzakonshme për mua, edhe pse ishin vetëm lajme, që në skenat e Teatrit të Prishtinës dhe të Gjakovës ishin vënë komedia “Shoku Niqifor” (1980), teksa në Prizren dy vjet më pas qe realizuar “Dy Krisma në Paris” Njoftimet për këto ngjarje artistike në Kosovë, që ishin aq të lidhura me angazhimet e mia, mua më erdhën fshehurazi, me copa gazetash të Prishtinës që m’i sillnin miq që kishin qenë në Kosovë. Unë kam munguar atje, pra, jo vetëm si regjisor, por dhe si autor i ftuar në premierat, bile edhe si spektator. E gjitha kjo, për shkak të izolimit famëkeq të vendit tonë. As që mund të përfytyrohej atëherë, që unë të lejohesha të kapërceja kufirin shqiptar edhe pse prapëseprapë do të ndodhesha brenda kufijve kombëtarë. Absurditet dhe turp!

Blue Sky: Ç’farë përshtypjesh keni për letërsinë që krijohet në Kosovë dhe Shqipëri, në vitet e fundit?

Pellumb Kulla: Është një letërsi e çliruar nga shumë vargoj çensurorë. Kjo nuk e bën detyrimisht cilësinë më të lartë, sepse liria nuk të bën kurrë më të zotin nga sa je. Megjithatë e ardhmja në këto kushte të reja të çrobërimit është premtuese. Është shumë e nevojshme që në Shqipëri të njihen më mirë arritjet e shkrimtarëve kosovarë e sidomos narrativa. Poezia njihet më shumë. Fola për viset tona jugperëndimore, pasi ky boshllëk atje është më i ndjeshëm dhe jo se Kosova i njeh fort mirë krijuesit tanë.

Blue Sky: Po për kritikën letrare ç’ka mendoni? A po kritikohet vërtet për veprën letrare apo vetëm po lavdërohet?

Pellumb Kulla: Unë mendoj se kurrë kritika nuk ka qenë faktor përcaktues në ecurinë e letërsisë tonë kombëtare. Nuk flas dot me siguri të plotë për viset tuaja, por për viset tona, kam mendimin e patundur që ajo ishte një jehonë e keqe e opinioneve të lidershipit politik diktatorial. Me metodë jehonash nuk mund të zhvillohe kritika e vërtetë. Për të pavdekshme as që bëhet fjalë! Teksa sot, vërtet që përkëdhelja dhe hosanna-të janë tipari më i pranishëm i kritikës letrare. Nuk e di mbase ka ndikuar dhe shpërthimi i depove të armatimit të ushtrisë në vitin 1997!

Blue Sky: Ju keni shkruar disa libra vitet e fundit, si " Rrëfenja nga Amerika" ,"Skënder Sallaku ose si qeshnim nën diktaturë " si dhe "Lejlekët nuk kthehen më". Lexuesi i ka pëlqyer këto tri vepra. Cilën nga këta të tria, e preferoni më shumë?

Pellumb Kulla: Të tria janë shumë të dashura për mua. Mendoja se një pëlqim publik më të veçantë mund të gjeneronte romani i tregimizuar “Lejlekët nuk vijnë më”. Por mbase koha, që kur doli ai, nuk ka qenë e mjaftueshme për të arritur atje ku ëndërroj unë. Kështu që na mbetet të shënojmë vetëm preferencat relative të lexuesve. “Rrëfenja nga Amerika” kërkohet më shumë.



Blue Sky: Libri juaj "Pushtimi i Amerikës", është përzgjedhur ndër librat më të mirë të shkrimtarëve shqiptarë më me famë. Ju jeni cilësuar si "Zë i veçantë në Letërsinë Humoristike". Si ndjeheni për këtë nder dhe vend special që ju është dhënë?

Pellumb Kulla: Vetë ftesa e Shtëpisë Botuese “Toena” në kolanën e tregimit të zgjedhur shqiptar ishte një nder dhe një afirmim i rëndësishëm. Cilësorët që përmendni ju, janë thjesht të kohës kur përgatitej botimi. Nuk di se si është pritur më pas përmbledhja ime. Nuk di bile, as se si janë pritur përmbledhjet e të tjerëve në atë kollanë, ato të Dritëro Agollit, të Sotir Andonit, Teodor Laços, Faik Ballancës e të tjerëve…

Blue Sky: Ju jeni personalitet, jo vetëm në fushën e Artit, por edhe atë të Diplomacisë. Detyrat tuaja në këtë fushë, ishin nga më të ndryshmet. Periudha në të cilën ju mbajtët barrën e diplomacisë shqiptare në OKB, ishte periudhë e vështirë. Çka do të dëshironi të ndani me adhuruesit tuaj për këtë fushë të angazhimit tuaj?

Pellumb Kulla: Nga aktiviteti im i shkurtër diplomatik ruaj kujtime shumë të dashura. Ish një situatë interesante. Regjimi komunist qe përmbysur. Strukturat e vjetra do të zëvëndësoheshin detyrimisht me të reja, ngaqë politika e jashtme kish ndryshuar. Izolimi i Enver Hoxhës kish ngritur telat me gjemba të armiqësive me gjithë botën. Ne ishim ngarkuar t’i sheshonim ata tela e të kërkonim miqësi, përkrahje ekonomike dhe oksigjen për demokracinë e brishtë shqiptare. Ishim të vetëdijshëm se aty ku rezultatet diplomatike qenë zero, edhe pak sikur të bëje, do të dukeshe më i vlefshëm se ata që prodhuan zeron. Por ne bëmë më shumë. Që në vitin e parë të shërbimit tim, Asambleja e Përgjithëshme e OKB filloi serinë e rezolutave për Kosovën. Ato kurrorëzuan punën e madhe që qe bërë deri në atë kohë në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar pas vitit 1990, por unë jam i lumtur që starti i tyre u bë pjesë e sukseseve të stafit tonë në Nju Jork. Dhe këtu duhet të kemi parasysh se gjatë diktaturës komuniste, për 40 vjet rresht anëtare e Organizatës së Kombeve, Shqipëria dhe misioni i saj diplomatik enverian nuk i pat turbulluar ujërat për atë që ndodhte në Kosovë. Pas përmbysjes së komunizmit misioni ynë u bë në mënyrë të natyrshme pika e takimit me OKB, si për Tiranën ashtu edhe për Prishtinën. Nuk do të harroj efektin që pati një fjalimi im në Komitetin e Pestë, kur në kuadrin e UNICEF-it planifikohej dhe u dha një ndihmë e rëndësishme për fëmijët e Shqipërisë dhe të Kosovës. Pasi kisha falenderuar në emër të Shqipërisë, kërkova fjalën edhe një herë për të falenderuar për ndihmën që u jepej fëmijëve kosovarë, pasi përfaqësuesi jugosllav qe i përjashtuar, ndërsa përfaqësues Kosova nuk kishte. Fjalimi ishte mjaft prekës. Unë këmbëngula që megjithëse Kosova qe ende pjesë e Jugosllavisë, ndihma të mos kalonte nëpërmjet Beogradit, por të shkonte direkt në kryeqytetin kosovar dhe komisionerët ndërkombëtarë të UNICEF-it të largoheshin që andej vetëm kur ndihmat të ishin shpërndarë. Pas botimit të kësaj fjale në shtyp, unë kam marrë letra të panumërta, mjaft prekëse nga Kosova dhe nga kosovarët nëpër botë. Ju tregova për këto veprimtari, si ato më mbresëlënëset, por ne patëm edhe shumë angazhime të tjera për hapjen e mëtejshme të vendit tonë, për bashkëpunimin e ngushtë me Unionin Europian, me ShBA dhe me demokracitë e mëdha botërore, në vatrat e nxehta të rruzullit. Ne u kujdesëm si për bashkëpunimet shkencore ashtu edhe kulturore. Në ato vite neve na kërkohej devotshmëria dhe ne e dhamë pa rezerva devotshmërinë dhe entuziazmin tonë në dobi të kombit shqiptar.

Blue Sky: Xhuljeta, bashkëshortja juaj, është artiste. Ju keni punuar bashkë në Fier. Sa role të saj i keni shkruar ju dhe cili është roli më i preferuar nga ju të dy?

Pellumb Kulla: Unë kam shkruar 80 deri 85 përqind të roleve për të. Ne me Xhuljetën kemi opinione edhe të ndryshme, por për rolet e saj bashkohemi në dy: Kryeneçja Katerinë, tek komedia “Zbutja e Kryeneçes” e U. Shekspirit dhe Poleska, fallxhorja me gjuhë të partishme në dramën-satirë “E Bukur Shtëpi e Vjetër”, shkruar nga unë në vitin 1989.

Blue Sky: Çfarë pëlqen ajo nga gjithë sa keni shkruar ju?

Pellumb Kulla: Një pyetje kaq të specifikuar unë asaj nuk ia kam bërë dhe nuk dua t’ia bëj. Kam mendimin, se më shumë nga gjithçka, asaj i pëlqen letërsia ime jo publike: letrat e dashurisë që ka marrë prej meje nga viti 1964 deri në martesën tonë në vitin 1969. Ajo i ruan ato me kujdes dhe kur unë u hedh një sy ve re se nuk e ka fort gabim: personazhet, unë dhe ajo, janë dy ëndërrimtarë të pastër, pak qesharakë, por gjithësesi mjaft të dashur.

Blue Sky: A e ka ndjekur rrugën e aktrimit apo regjisë, dikush nga fëmijët tuaj?

Pellumb Kulla:Jo. As vajza Era dhe as dy djemtë, Flladi dhe Ditbardhi.

Blue Sky: Me ç'farë projektesh jeni i angazhuar kohët e fundit?

Kam një vit që po bëj një punë mjaft tërheqëse. Janë shkrimet që kam bërë për skenën e teatrit, nga gjinitë më të gjata e deri te gjinitë e shkurtra e miniaturat. Është një punë afro 30 vjeçare. Ajo është përmbledhur në 3 vëllime nga mbi 400 faqe secili me titull në të tre vëllimet “Teatri, kjo lojë magjepsëse”. Është si të thuash i gjithë mielli që kam sjellë unë për magjen e skenës. Shpresoj që kjo përmbledhje të shohë dritën e botimit brënda këtij viti.

Vera Pelaj, radio "Blue Sky" - Prishtine

Monday, July 30, 2007

Bota e Gruas Shqiptare-MERITA BAJRAKTARI McCORMACK -RECENCE


Botoi Gazeta "Illyria" 24 Korrik 2007

Merita Bajraktari McCormack-


Përshtypje nga libri “Midis dy Kohësh”
Autor: Naum Prifti
Botues: NB “BUZUKU”
Prishtinë

Tregimi i së vërtetës dhe përgjegjësia ndaj saj.

Me këtë deklaratë nis arsyetimi logjik i një prej shkrimtarëve shqiptarë më të njohur të shekullit të 20-të dhe në vazhdim,në këtë shekull, kur sjell para lexuesit detaje nga dokumentimi i ngjarjeve dhe situatave nga më të çuditshmet,nga më absurdet, absolutisht të vërteta për një periudhe rreth pesëmbëdhjetë vjeçare në kohën e regjimit komunist në Shqipëri.
Naum Prifti , i mirënjour nga çdo shqiptar , nga fëmijë e të rritur, ka sjellë pranë lexuesit një dëshmi drithëronjëse të viteve të komunizmit në vëllimin”Midis Dy Kohësh”-me Shënime Udhëtimi,Kujtime-Portrete dhe Ese,botuar nga Ndërmarrja Botuese “BUZUKU,” Prishtinë, 2006.
Libri voluminoz prej 500 faqesh ndahet në dy pjesë kryesore. Pjesa e parë përbëhet nga Shënime Udhëtimi, ndërsa pjesa e dytë përmbledh Kujtime, Portrete dhe Ese.
Me gjuhë të pastër , me fjali të ndërtuara mjeshtërisht, me formën e tij tipike rrëfyese, shtruar e me kolorit të pasur leksikor, shpesh herë me “rrëfime” (pjesëza të vogla), brenda së tërës, Naum Prifti vjen tek lexuesi me freski të veçantë, duke na sjellë një përkundje shpirtërore, që na rizgjon interesin dhe dëshirën e kahershme për të lexuar tregimet dhe përallat e tij kur ne ishim ende në shkollat fillore apo tetë-vjeçare.
Te ky libër me karakter publicistik, Prifti ka një këndvështrim realist prej gazetari të mprehtë, të cilën e plazmon me forcë artistike. Këtë herë, nuk ka çensurë, nuk ka kufizime, nuk ka redaktorë mbi kokë që rrijnë me gërshërë në dorë për të prerë pjesët mëkatare që “nxijnë” realitetin. Këtë herë Naumi flet sikurse e sheh realitetin me sytë e tij, ashtu si e ka gjykuar dhe përjetuar ai momentin. Përmes rrëfimit, duke përfshirë dialogun lehtësisht aty ku nevojitet,si dhe digresione historike e ilustrime të natyrës folklorike, Naum Prifti sjell përmes përshkrimit dhe rrëfimit tablonë e vërtetë të jetës në kohën më të vështirë që ne kemi kaluar. Ai ka përmbledhur një gamë të gjerë dukurish dhe ngjarjesh që atëhere ishin thjesht rutinë e ditës, drama që shpaloseshin e traumatizonin qytetarët, e që tashmë marrin rëndësi të veçantë pasi janë material ilustrues i së vërtetës komuniste që shumëkush mudohet ta fshehë apo ta lerë në harresë.
Prifti sjell vëzhgimet e tij të mprehta, jep mendime (në letër) se çfarë dëmi i sjell shoqërisë regjimi komunist. Cilëson atë që e percepton si pozitive, aty ku ka me të vërtetë diçka të tillë, por ai mban qëndrim kritik ndaj realitetit dhe nuk tutet të japë mendimin e tij troç për ngjarje, dukuri e karaktere të ndryshme, me të cilët ka patur kontakt.
Naum Prifti ka një humor tipik të tijin, e diku buzëqesh me ironi, e aty ku e sheh të nevojshme nuk e kursen as sarkazmën. Duke e njohur mirë vendin ku shkel, pavarësisht se nuk është rritur aty, atë e ndihmon pjekuria profesionale dhe kultura të japë esencën e subjektit,pa u futur shumë thellë labirinthit të hamendjeve të shoqëruesve apo instruktorëve të Partisë të atyre kohërave, që mos u kthefshin kurrë….Kujtojmë rastin e shpjegimit të origjinës së emrit Çermenikë e Zezë.
Ai është një vëzhgues i hollë i detajeve. Vëren dhe ekzaminon traditën, eksploron fenomenin, bën edhe induksione dhe me dorë të lirë jep mendimin e tij pa doreza për padrejtësitë që vëren.
Në njërin plan autori vëzhgon me kujdes çdo detaj në zakonet e krahinave ,jetesën dhe doket krahinore. P.sh ai eksploron kullat Mirditore, veshjet e grave të krahinës, deri edhe krehjen, tregon për ekzagjerimet që viheshin re kur përshkruhej madhështia e kullave të malësisë, vë në dukje “kusuret” e labërve me të mirat dhe të metat e karakterit të tyre, duke sjellë në vëmendje të lexuesit potencial (brezit të ardhshëm) edhe ndodhi tragjike si ajo e rrugës Brataj,Labëri, ku ai vëren : “Një murane katërkëndeshe pa çati,e ndërtuar me gurë me sërë. “ Është historia e një dhëndri që u vra nga një miku tij lab ditën që krushqit po ia sillnin nusen në shtëpi Naumi e tregon këtë fatkeqësi me dhimbje por dhe me humor. Një cilësi tjetër e këtij ështe pasuria madhe e anëve etnografike dhe socilogjike. Kudo meson gjëra të reja e të panjohura nga zakonet dhe traditat tona
Po ashtu vëren edhe historitë e Çermenikasve dhe të Martaneshit, tok me ndryshimet qe pëson psikologjia e njerëzve me kohën . Vëzhgon Vjeshtën në Tropojë apo Lekëlin e Tepelenës. Për Troshanin e Lezhës rrëfen me dhimbje se qendra e freterve të dikurshëm, u kthye në vend internimi nga regjimi komunist. Shpirti i tij poetik përshkruan bukur edhe bukuritë e Mokrës.
Por në një plan tjetër, që përbën edhe thelbin e këtij vëllimi është vëzhgimi i realitetit, me të cilin rregjimi në fuqi kondukton, ose më mirë të themi kontrollon jetën e popullit shqiptar.

Shënimet e atyre kohëve për fenomene të ndryshme me të cilat autori përballet nëpër vizitat e tij në zona të ndryshme, janë nga më pikantet përsa i përket të vërtetës objektive. “Kujdes me kë ulesh në Tavolinë” për mendimin tim është një rrëfim tragji-komik për vetë faktin se është qesharak deri në pabesueshmëri,por duke e pas përjetuar personalisht, e kam ndjerë dhimbjen dhe sterotipizimin.
“Për herë të parë jashtë shtetit” është tregimi i vërtetë që kulminon sagën e përpjekjeve dhjetëvjeçare të Naum Priftit për të gjetur pak përfshirje në shoqërinë e tyre që dilnin jashtë, e megjithatë tortura e përjashtimit nga ky privilegj , është e prekshme, e hidhur, por e vërtetë.
Prifti, megjtihëse një penë e veçantë në letërsinë shqiptare, për shkak se kishte të atin e dy vëllezër në Amerikë, ai nuk lejohej të udhëtonte jashtë shtetit. Ai mundohet që t’i heqë vulën e përjashtimit vetes e familjes duke u përpjekur të sigurojë një vizë , por nuk ishte e thënë që ai të lejohej. “Aventura” e sigurimit të një vize, karakteret me të cilët përballet, prapaskenat dhe hijet e dyshimit, janë shoqëruese në çdo hap.
Mendoj se kushdo që e merr librin në dorë duhet , të lexojë këtë tregim-dëshmi ose të parin ose të fundit. Është ndër më prekësit, më të goditurit,më të bukurit dhe natyrisht ka shumë humor të dhimbshëm.
Këto mbresa udhëtimesh heretike jo vetëm nuk mund të botoheshin në atë kohë, por edhe sikur të dihej përmbajtja e tyre, ne nuk do kishim priviligjen e leximit të një libri 500 faqesh sot, se fati i Naumit mbase do ishte tjetër. Por mendja e tij kthjellët duke i shkruar për në “sirtarin e kyçur,” bëri që këto shkrime të jenë ekstensive dhe të plota, siç ndodhnin atëherë, si një dëshmi e gjallë e mosntruozitetit komunist.
Ndër kujtimet, portretet dhe esetë, në pjesën e dytë do veçoja portretin e Lasgush Poradecit. Jo se jam ”lokaliste” por më tepër sepse është një portret tepër interesant. Naum Prifti,për ne që nuk e njihnim nga afër, na e sjell Lasgushin, “in person,” të plotë, të vërtetë, me të gjtha përmasat e plota të tij si njeri, si poet,si artist, si prind, bashkëshort, shok, mik e natyrisht si antikomunistin pogradecar që nuk pranoi të përdorë metodën e realizmit socialist, por mbeti deri në fund besnik i vetvetes edhe patriot, autor i vargjeve të pavdekshme:
“Dyke nisur udhëtimin mes-për-mes në Shqipëri
Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shëndaumi”.
Pjesë e veçantë e këtij libri është “Parathënia apo pasthënia” që autori e ka titulluar me plot të drejtë: “Unë si Prokop Cezareasi” ku jep ne detaj idenë e mbajtjes së shënimeve atëherë dhe rrënjën e frymëzimit me këtë ide. Mendoj se fati e ka pjekur me historinë e Cezareasit, pasi me të vërtetë Prifti na ka sjelle një vepër tepër të vyer e të domosdoshme. Ështe një dokument që duhet të studiohet për të rishkruar historinë e viteve komuniste në Shqipëri.
E falenderoj shkrimtarin Naum Prifti për librin dhe i uroj krijimtari të mbarë.
©Merita Bajraktari McCormack
New York Korrik 2007

Friday, July 27, 2007

Bota e Gruas Shqiptare-ILIRIANA SULKUQI-POEZI

(Botoi Illyria- 24 korrik 2007)
Iliriana Sulkuqi
Eklipse dashurie-

Lirikat e një fundjave -
Të vij sonte, apo...?
Të vij sonte apo nesër,
A pasnesër, duke gdhirë…?
A me Hënën, në të mehur,
a me Diell n'perëndim…?
Të vij sonte në të ngrysur,
me qirinj në Galaktikë ?
-A me Yllin e Mëngjesit
që i bëhem Zgjim me zgjim?
Të vij sonte apo
sonte? - Dhe me Hënë, dhe me Diell,dhe me yjet në një shportë dhe me zemrën sa një qiell…?Të vij nesër a nxitimthi,me një shkronjë që më flet shqip,dhe me Zotin që më lindidhe me zë - prelud- në shpirt?Të vij sonteapo nesër,A me ëndrrat që s'u prekën,A me fjalët që s'u folën,A pas - kurrë, në këtë shekull?Të vij sonte apo sonte?A, pas vetes së përdjegur?..."Nuk dashuronim as un' as ti, por…"(Lasgush Poradeci)Në kohën tonë pa fëmijëri, Në udhën tonë të mërguar, Nuk munda (oh), të të bëj ty,Dhe s'ka se si ti të më duash…Në kohë-botën që jetojmëNjë gjë të dy fort mirë e dijmë:Njeri mbi tokë, tjetri mbi qiell-S'e trashëgojmë dot Dashurinë…Një gjë fort mirë duhet ta dijë Unë dhe ti dhe Gjithësia:Po nuk u deshëm ne të dy-S'ka si të duhet Dashuria…Në më thëntë shpirti "PO"…"Me të dijtë se më rri në besë,sahatin për ty e shes"-popullore gjakovare-Përgjigje:S'jam e pasur me para,por flori prej nëne jam.Në më thëntë shpirti "Po"-mbi dhjetë shpifje fluturoj…Në më thëntë shpirti "Po"-dhe një mal e shkërmoq.Dhe një lis e hedh në tokë,me gjithë rrënjë e me gjith' botë.Në më thëntë shpirti "Po"-Shtatë ditë i zgjoj me këngë,Shtatë të tjera me një Hënë,Shtatë me ëndrra dashurie, Shtatë të fundit zgjohen vetë,Nga një frymë Perëdie.Për inat të natës sime…Për inat të natëssimeNatën tënde embërthej . . .E mbërthej me catrazimeqë veç Zotit iarrëfej . . .Prej një ëndrredrithërime,drithërimat qaj elaj…Për inat të natëssime -Natën tënde zgjuarmbaj. Stacioni i fundit…-sipas Horoskopit tim-Çdo molekulë e trupit timM' është stacion dashurie,Ku përpëlitet një thëllim,Ku djeg një diell xhelozie…Çdo molekulë ka një shpirt.Të gjitha bashkë - më bëjnë mua.Më thënka Horoskopi flirt :"Të rrotulloj, sa herë dua!"Thotë Horoskopi im :"Po kush je ti, që s'vjen ku dua?!"I them : " jam përvëlimNga rrotull-boshëzat e tua…""Ëndrrat pa fre me ty përzieva!Unë pikë shiu mbi një re…Nëse gjithë botën e gënjeva,tek ty përulem pa bërë bè.Se të vjen dimër në beharDhe në Korrik breshon një breshër,Po ç'faj të kam që si i marrë,Të sillem rrotull si i verbër?!"…I them sërish me gjuhë shkence:"Ndalu këtu, ku po mbyll sytë!M'i hiq nga shpirti pranga e leqe! Bëma një fjalë satelit!…Dhe prap i them me gjuhë fëmije:"Po Aladinin, a ma ke parë?Shetit si ty, qiej e yje…Si ty premtoi të më marrë…"…Çdo molekulë e shpirtit timMë ësht' stacion i dashurive…Por veç të fundit - përdëllimMa sill, t'ia shkul prangat kufijve…PritmëPritmë,Një sekondë e gjysmë…Sa të lyej flokëtDhe…T'i marr leje vetes…!E dashur Dashuri…,…M'u mpik malli Për të t'parë…, M'u mpinë duartTë të prek…Të të ndjej si një shtatzënë,herë si ëndërr herë si djep… Më ka marrë malli për ty, që fëmijë, ardhur nga gjyshër…që kur lojëza Nuse – dhëndër ishte lojëz egënjeshtërt.…Që kur m'the je përpëlitjenë dy pjesë të trupit tim…Natë e ditë e vit pas vitiNdez qirinj me lotin tim…Dhe nga malli, dhe nga malli,Për t'u ndjerë si e vërtetë-Adoptova, si bij shpirti,Dhe një dimër, dhe një vjeshtë.` Më zuri nata në vendlindje…Më zu nata në vendlindjedhe trokita te një portë:"Tak, tak, taak…,jam Mama Dhia…Më ka sjellë Poezia…M'u betua se ka ftohtëdhe m'u lut, me pikë të shpirtit ta dërgoj ku ndjehet ngrohtë…"-Kush, moj, kush, Dashuria-?!-pyet zëri që e njihja…-S'e mban mend si më ke thanë?"Ndaj me ty Namazgjanë...Dhe Shkumbinin, përngjatë Krastës…Pa u zverdh Gjethja e Rrapit,Të jap prikë Malin e Vashës…Pa t'u tharë lot'i mallit –Ta ringjall edhe "Jaranin",Ujë, për buzët që t'u thanë,Ke në Çesmat e Kalasë…Tak-tak –tak…Tak-tak taaak…Po s'më njohe,T'plas në Prag!"Për një mollë që hëngri Eva…Për një mollë që hëngri Eva,Zoti na lëshoi stuhitë…Për një mollë që hëngri Eva –Na u thyen dashuritë…Ndaj s'ma bluan dot stomaku mollën- kuq, jeshil, të verdhë… Për një mollë që "hëngri" Eva,Burrat shkojnë derë më derë…………..Evë, Qofsh e lavdëruar!Bukur "luajte" me mollën!A s'ta dha Zoti tundimin ,Të provoje "Të ndaluarën"?A s'të bëri vetë ZotiEdhe engjëll,dhe djallushkë…Ta vije në provë botën:Për një femër, ç'bën një burrë?Evë, qofsh e lavdëruar!Mbrëmë fjeta me poetinMbrëmë fjeta me PoetinPër Qiell e për Tokë, ju betohem! Nëse tradhëti ky akt e ka emrin,Shpirti juaj ma dënoftë shpirtin!U lava me `Të në ujëra të turbullta…Në ujëra të kulluara u putha me Atë…U përqafova mbi valëza a sa një mal…,Herë perçeshkumë të ethshme, Herë – notë mbi pentagram…Po , po. Mbrëmë me Poetin fjeta.Në një shtrat – fjalëvarg.Nënkresë – një krah prej shpirti.Mbulesë – tis fryme – mërgatë…Fjeta. Por…, edhe nuk fjeta.S'di , a bëra dashuri?!…Mbi gjoks të Tij kokën mbështetaHerë, i brengosur, edhe ai…Më fal, o Zot, në mëkat bëra!I ngjita buzët me të Tij…Sikur vërtetë të ishim bashkë, Do ishin tretur dhjetë qirinj…Mbrëmë fjeta me Poetin.Mbrëmë - nata u bë fli…Nëpër dritën e një shkronje,Lindëm emrin – DASHURI.PsherëtimësKu më je me dhimbjen tënde?Ku më je e ku të kam?Nëse ti më paske malle,Mos m'i jep se, oh, t'i kam…!Me aromë gruajeNë shtratin e ëdrrës t'u futa…Me aromë gruaje të marrë…Te ëndrra ime u ktheva, dalë nga ikona si vajzë.

Wednesday, July 18, 2007

Bota e Gruas Shqiptare-ILIRIANA SULKUQI-Aleko Likaj -Interviste

Botoi Shekulli 15 Korrik 2007


Naum Prifti -
MIDIS DY EPOKAVE,
midis dy Kontinenteve…

- Kurbeti i një shkrimtari 75-vjeçar-

Intervistuan
ILIRIANA SULKUQI
ALEKO LIKAJ


I lindur në Rehovë, Kolonjë, më 7 mars 1932, ku ka kryer shkollën fillore Më pas, në Ersekë, atë 8-të vjeçare.
Në 1953, mbaron Politeknikumin Mjeksor në Tiranë. Punon një vit si ndihmës mjek në Sanatoriumin e Korçës... I apasionuar pas letërsisë, vazhdon studimet për Gjuhë e Letërsi Shqipe në Universitetin Shtetëror të Tiranës.
1954-1960, redaktor në revistën Hosteni.
1960-67, redaktor në revistën "Ylli"
1967-70, arsimtar në Divjakë të Lushnjes.
Në 1970-72, redaktor përgjegjës për buletinin "Skena e fëmijëve", pranë Shtëpisë Qendrore të Krijimtarisë Popullore, Tiranë
1972-74, shkrimtar në profesion të lirë,
1974-76, inspektor teatri në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës.
1974-76, petagog i jashtëm për Letërsinë Shqipe në Universitetin e Tiranës,
1976- 1991, shkrimtar në profesion të lirë.
1991, emigron në Amerikë (New York), ku vazhdon të japë ndihmesën e tij për komunitetin shqiptar këtu dhe për Letërsinë Shqipe.
Në vitin 1995, zgjidhet sekretar i Federatës Panshqiptare Vatra, detyrë që e ka edhe sot. Me krijimin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë e zgjedhin kryetar të saj.
Ka fituar shumë çmime për veprat letrare si vëllime me tregime, novela, letërsi për fëmijë, humor dhe skenarë filmash.
Në vitin 2001 nderohet nga Ministria e Kulturës dhe Lidhja e Shkrimtarëve me çmimin: "Penda e Argjendë", për vëllimin me legjenda "Nëna e Diellit"
Çmimin "Penda e Artë" për vëllimin me tregime dhe skica humoristike "As Miço, As Muço" nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptare-Amerikane, New York, 2003.
Për punën e tij të gjatë, të vazhdueshme letrare dhe me nivel artistik, është Dekoruar nga Kuvendi Popullor me Medaljen e Punës dhe "Urdhërin "Naim Frashëri" klasi ll-të.
Krijimtaria e tij letrare është e larmishme dhe shtrihet në disa gjini: tregime, drama, komedi, novela, skenarë filmash, pjesë për teatrin e kukullave, skenarë për filma vizatimorë, biografi, artikuj kritikë, publicistikë, etj,
Janë thuajse 100 vepra letrare, më shumë se vite jete dhe dyfishi i një gjysmëshekulli krijimtarie.
Mijëjra e mijra faqe të shkruara me dorë , të shtypura me makinë të thjeshtë shkrimi, dhe të hedhura në kopjuterin e ditëve tona , qindra e qindra analiza, diskutime, letërkëmbime, biseda, që mund t'i quash pa frikë-publicistikë, për nga idea dhe mesazhi që mbartin dhe përcjellin.
Tregimi: "Dimri i Urisë" ka fituar çmim Nderi (Honour Prize), në Konkursin Letrar Ndërkombëtar të Maison Naaman pour la Culture, 2004-2005. Autori pranohet antar Nderi i Shoqatës Kulturore Naji Naaman.




Intervista jonë me shkrimtarin që lidh tre brezat:

- Ç'do të thonë për Naum Priftin "75 Pranvera" dhe më shumë se një gjysëm shekulli në letërsi?

-Ky është monumenti që i ndërtova vetes me punë të mundishme dhe kënaqësi të jashtëzakonshme. Më duket se Pushkini ka një poezi Exegi Monumentum të cilin e kam lexuar të përkthyer në rininë time. Atëhere nuk e kuptoja, tani i kujtoj me mirënohje vargjet e tij:
Monument i ngrita vetes,
Që me dorë nuk ndërtohet…
Nuk shkruhet me penë, as me bojë, as me stilolaps e kompjuter! Shkrimtari shkruan me zemër, me mendim e ndjenjë.

- "Erdhi" letërsia tek ju, apo "shkuat" ju tek ajo?

-Unë u nisa drejt letërsisë që kur isha trembëdhjetë vjeçar dhe hyra me dinjitet te dyert e saj. Rasti e fati më ndihmoi të arsimohesha e të zgjeroja kulturën time letrare, po shpirtin poetik e kisha të trashëguar. Më duket se në familje kishim një dell artistik të fortë, qëkurse stërgjyshi skaliste figura zoomorfike mbi gur dhe gjyshi i binte kitares dhe këndonte.

- Cila është biografija letrare e Naum Priftit ?

-Me biografinë letrare le të merren biografët, kritikët dhe studiuesit. Unë shkrojta në shumë gjini, sepse ashtu ishte koha. Së pari më shtynte edhe egoja letrare të provoja veten në fusha të reja, së dyti, na detyronte koha dhe kërkesat letrare të kohës. Rilindasit dhe shkrimtarët e pavarësisë nuk kanë skenarë, sepse atë kohë filmin s'e njihte kush në vendin tone. Brezi im u desh të merrej seriozisht me atë gjini, e po ashtu edhe me gjini të tjera.

- Nëse do t'u kërkohet që të përshkruani jetën tjetër në kontinentin e largët, jo si në një tregim, cila është ajo?

-Jeta asnjëherë dhe në asnjë vend nuk është shesh me lule. Janë të lumtur ata njerëz që dinë ta mbushin me aktivitet, që zbulojnë kurdoherë gjëra të reja dhe interesante. Amerika e Re ka më shumë antikitete se Bota e Vjetër. Nuk mjafton një jetë për të vizituar kuriozitetet e një qyteti si New Yorku.


- Amerika për ju, ëndërr, aventurë apo e detyruar?

-Amerika, ëndërra ime e kahershme. Sapo arrita në Philadelphia desha të vizitoja restorantin që ndodhej në 48-32 Woodland Ave. Ai vend më tërhiqte më shumë se Kambana e Lirisë, se Muzeumi Roden dhe kuriozitetet e tjera. E mbaja mend adresën nga letrat që vinin prej babait. Në atë restorant ai punoi një kohë të gjatë tok me ortakët e tij. Nipi, Gary Prifti, ma plotësoi dëshirën. Tek e vizitoja m'u rëmbushën sytë nga kujtimi i babait, ndërsa pronarët e rinj më shihnin disi të habitur. Në Amerikë erdha qytetar amerikan nga babai dhe mund të them pa iluzione. E njihja Amerikën nga rrëfimet e babait kur u riatdhesua më 1957 dhe nga bisedat me vëllezërit Paul e Peter Prifti që erdhën si vizitorë. Shpërngulja edhe nga një shtëpi te një tjetër krijon probleme e jo më në një kontinent tjetër, në një botë të huaj e të panjohur. Në Amerikë ndieva humbjen e identitentit, të rrethit shoqëror dhe të jetës intelektuale. Humbje të rënda për çdo intelektual. Mendoja ta shijoja Amerikën për tre katër vjet dhe të kthehesha në atdhe, por ca nga që Amerika ka magjinë t'i mbajë ata që vijnë e ca nga detyrimet e ndryshme, dëshira mbeti dëshirë. Ndoqa një kurs pranë Kishës Lutherane në Upper Darby, (Philadelphia) të përmirësoja anglishten dhe një semestër hyra në Kolegj ku ndoqa kursin "Bazat e të shkruarit," të cilat i dija pa vajtur atje, por jo me termat anglisht. Pedagogeja u habit kur mësoi që kishte në kurs një shkrimtar me disa vepra letrare. Fillova të aktivizohem në shtypin shqiptar të diasporës dhe nëpërmjet Vatrës mora pjesë në veprimtaritë politike për Kosovën. U ngazëlleva kur më zgjodhën sekretar të Federatës Panshqiptare Vatra. Jeta ime në Amerikë ka ecur në dy palë shina, aktivitete shoqërore politike kultore dhe krijimtari letrare.

- Le të kthehemi paksa prapa në vite, fëmijëria e kolonjarit Naum…

-U rrita jetim me baba gjallë se im atë ishte në Amerikë kur linda unë më 1932. E pashë për herë të parë më 1938 kur erdhi për një vizitë të shkurtër në vendlindje. Në atë kohë isha 6 vjeç dhe mbaj mend që më solli një palë xhinse dhe pasi m'i veshi e m'i provoi, më tha: "Ikë, zhgryeju tani se këto nuk grisen!" Këshilla e babait ishte konkrete se ne fëmijët në verë shkarraviteshin nëpër rrëpirat e përrenjve. Babai iku sërish në SHBA pas disa muajsh dhe unë mbeta me nënën, gjyshen dhe vëllain e madh. Disa muaj më vonë nëna lindi një vajzë dhe unë u bëra me motër.
U rrita pa kufizimet e autoritetit të babait në familje, por ndërkohë edhe pa këshillat e tij të dobishme. Nuk isha fëmijë i përkëdhelur, as fatkeq. Lodrat e shumëllojshme në natyrë gjatë verës e në mjedise të mbyllura gjatë dimrit na ndihmonin të stërviteshim fizikisht e mendërisht. Cikli i lodrave respektohej vetvetiu me rregullsi të pandryshueshme. Koha e bilbilave, e cinglave, e sofateve, e fugave, e detkave, lojë me potka, me arra, tregurëzi, kusarëzi, etj. Më vjen keq që brezat pasardhës i braktisën ato lodra aq të bukura dhe si pasojë u harruan. Fshati im, Rehova, i pasur me festa fetare e pagane, me rite, këngë e kalimere na e jepte edukimin artistik në mënyrë të natyrshme.

-Adoleshenca, a ka patur ritmin e fëmijërisë mbresëlënëse?

-Nuk di të kem patur adoleshencë. Qysh në moshën më të njomë (7-8 vjeçar) ndihmoja familjen me punë të ndryshme, çka sot duket si ekzagjerim, por kjo ishte e zakonshme për çdo djalë a vajzë në fshat. Sëbashku me nënën dhe gjyshen, korrja grurë me drapër, vaditja kopshtin, livadhet ose arat, mblidhja bar e urov, prashitja, mbartja me gomar kunguj, misra e duaj nga arat, shkundja e mblidhja kumbulla për raki, prisja e qëroja misrat, mbushja ujë, rrihja fasulet, etj., etj. Qysh në moshën 11 vjeçare shkoja në pyll për dru, tre-katër orë larg e po aq për t'u kthyer. Duheshin siguruar 40-60 barrë dru zjarri për dimrin e gjatë e të ashpër. Ngrihesha natën, në orën 2 a 3 e duke udhëtuar rrëzë maleve të Gramozit vëreja zbardhjen e ditës së re, humbjen e yjeve, farfuritjen e tokës nga rrezet e diellit, prarimin e pyllit në vjeshtë. Mjaft nga mbresat e asaj kohe i derdha më vonë në tregimet e mia. Natyrën e kundroja me kërshëri e kënaqësi, që nga bulëzimi, hapja e konxheve, shpërthimi i luleve, lidhja e frutit, rrëzimi i gjetheve. Më duket se edhe tani dëgjoj frushëllimën e arrave që bien në tokë mes fletëve, ndiej aromën e barit të kositur, të kashtës së grurit në lëmë. E quaj veten me fat që u linda dhe u rrita në fshat, në gjirin e natyrës. Edhe tani më merr malli të eci mes pyllit në vjeshtë, të dëgjoj pikat e ujit që kullojnë nga fletët, të ndiej aromën pickuese të gjetheve të rëna, të shoh bashkat e mjegullës së bardhë shpateve të Gramozit, retë e përskuqura mbi malet e Radomit. Që në atë kohë mendoja sa interesante do të ishte të ndiqje rrjedhën e përrenjve nga burimet malore deri në det. Pastaj na kapi pasioni i alpinizmit. Shkelëm disa nga majat e Gramozit, kataraktin e Kroshovicës, Grykën e lumit, Bregun e Erës. Argëtoheshim duke rrokullisur gurë rrëpirave e greminave.


- Thuhet se në adoleshencë , vjen edhe puthja e parë. Naum Prifti,bën pjesë në këtë traditë klasike.? Ka ndodhur kjo tek ju, apo...Po e fundit?

-Puthjen e parë e mbaj mend mirë se nuk ishte puthje, mbasi akti nuk u konsumua, sikurse thuhet me gjuhë juridike. Kam qenë 15 vjeç dhe doemos edhe unë e kisha një "nuse," si moshatarët e mi. Edhe ajo e dinte që ishte imja, se më jepte fruta e ndonjë vezë fshehurazi. Një mbrëmje e hasa papritur në një sokak të ngushtë. Ajo kishte dalë të kërkonte viçin. I premtova ta kërkonim bashkë, iu afrova dhe tentova ta puthja. Ajo u mbrojt sa mundi, mbuloi fytyrën me duar dhe më shtyri. Kjo ishte e natyrshme për konceptet e vajzave të fshatit. Pas asaj që ngjau, prisja që ajo të largohej me vrap, ndërsa M., rrinte e mbështetur pas murit, duke pritur t'i afrohesha sërish, mbase e penduar që nuk më lejoi ta puthja. I prekur në sedër nga reagimi i saj, dhe nga druajtja se skenari mund të ripërsëritej, nuk iu afrova më. Puthja e fundit???...


-A keni qenë njeri me fat në dashuri?

-Nuk pata kohë të dashuroja, u martova i ri, njëzetvjeçar dhe po jetoj prej 54 vitesh me gruan që zgjodha në rini, qysh në bangat e shkollës shtatëvjeçare.

- Dhe kur mbaron adoleshenca e në dyert e jetës troket rinia, shumë prej nesh mendojnë edhe për martesën, si shqiptare të vërtetë. A i keni qendruar strikt kësaj formule të kohës që lamë pas?

-Kur isha mendoja se dashuria dhe martesa ishin detyrimisht te pazgjidhme. Prej kohësh mendimi im ka evoluar. Njeriu dashuron e dashurohet qe të zgjedhë partnerin më ideal, ose që atë kohë e quan të tillë. Nuk është e thënë që ç'do dashurojë të përfundojë në shtratin e martesës.

-Çfarë i mungon Naum Priftit në New York?
-Plot gjëra të shtrenjta e të dhimbshme. Në radhë të parë rrethi shoqëror e miqësor, në një farë mase identiteti. Më përpara e ndieja mjaft humbjen e jetës intelektuale, ndërsa këto vitet e fundit vë re me kënaqësi një shtim të vrullshëm të aktiviteteve artistike, sidomos promovime librash dhe festa kulturore.

-Pengjet për miqtë dhe "armiqtë" që la në Shqipëri.

-Nuk di të kem lënë armiq në Shqipëri, as të hapur, as të fshehtë. Por natyrisht ambiciozët nuk mungojnë kurrë, në asnjë kohë e në asnjë vend. Besoj se e dini proverbin popullor: "Pema që ka fruta qëllohet me gurë," një e vërtetë e hidhur. E ka ndonjë popull tjetër këtë proverbë veç nesh? Ndiej angushti sa herë e kujtoj se kjo thënie përligj shpifjet, ambiciet, shfrimet pa kurrfarë logjike e skrupulli. Besoj se kam shumë shokë e miq në atdhe që më duan dhe i dua. Me vjen keq për mikun tim piktorin Llambi që ka humbur dritën e syve, sepse kjo është shqisa më e vyer për piktorin. Tani ai jeton i rrethuar nga errësira, por me sytë e mendjes në shpirt ka dritë dhe ai vazhdon të punojë.

- Po pengu për vete?

-Kam ëndëruar një shtëpi me bahçe e me kopsht. Shpirti im prej poeti lindur në fshat e sheh kopshtin si vend pune e prehje. Deri tani ka mbetur dëshirë.

Të vijme tek krijimtaria juaj. me sa duket kritika, nuk paska gabuar kur e cilëson Naum Priftin " magjistar i shpirtit njerëzor"" mjeshtër i përshkrimit të situatave egsistenciale, psikologjike," ku çmon veçanrisht "punën me frazën". Kjo e fundit e marrë nga një studim i profesorit të institutit të gjuhësisë, Jorgo Bulo, i cili nuk nguron të shprehet se vepra juaj" i ka qendruar kohës, e bukur , e pa përdhosur dhe e shëndetshme". Te gjitha keto vleresime per tregimin e novelen. Pse mungon romani tek shkrimtari Naum Prifti , kur të gjithë shokët tuaj i mbeten pastaj, besnik atij?. A jeni penduar?

-Dikur e kisha nje fare meraku, nje fare deshire te barazohesha me koleget. Tani jo. Ka plot romane te dobët qe mezi lexohen, ose nuk lexohen. E para sepse mua me mjafton I tregimet për të thënë dufet e shpirtit tim. Më sakt nuk më lin in tregimet t'I futesha romanit. Mendoj se mjaft nga novelat e mia mund te kategorizohen plotësisht si romane te shkurtër.

- Në krijimtarinë tuaj, dallohen dy ngjyrime.Ajo e Kolonjës ku ju jeni lindur dhe rritur, por edhe ajo e fushave te Myzeqesë.Madje, kjo e fundit tregon se jeni një myzeqar i vërtetë. Njëzetekatër karat.

-Subjektet nga Kolonja zenë nje vend të madh ne krijimtarinë time. I kam falur Kolonjës disa xhevahire letrare, kam derdhur aty ndjenjat dhe mendimet e mia, sepse ishte vendi ku u rrita, vendi që më mëkoi me poezi e dashuri. Kam pritur të më bëjnë së paku "Qytetar Nderi," por me sa duket kjo gjë as u ka shkuar ndermend. Jam i sigurt se pasardhësit do të më çmojnë më mirë se bashkëkohësit. Myzeqeja më adoptoi si birin dhe unë e quaj vendlindjen time të dytë. Ajo më pasuroi me motive letrare, me subjekte dhe unë ndiej kënaqësi kur disa dashamirë besojnë se jam nga Myzeqeja. Ndihem krenar që më njehsojnë myzeqar.

-Nëse Divjaka që ju ka pasur për disa vite në gjirin e saj si mësues, do t'u ofronte një "Qytetar Nderi"… ?

-Divjaka jo, se nuk është rreth, nuk e gëzon atë të drejtë, por do të isha i lumtur sikur ata të më ftonin me ndonje rast feste përkujtimore.

- Në ç'raport është folklori me tregimin tek ju?

Besoj se të gjithë shkrimtarët më të njohur të vendit kanë dalë nga zhguni i folklorit. Nëse për letërsine ruse flitet që ka dalë pelerina e Gogolit, ne i përkasim par exelance folklorit. I kemi dhënë, por më shumë kemi marrë prej tij. Vëllimet e mia "LEGJENDA E RREFIME PER SKENDERBEUN" dhe "NENA E DIELLIT" janë krijime te mirëfillta të krijuara mbi bazë folklorike, të ngritura ne nivelin e letërsisë artistike.

- Ç'të kujton "Mulliri i Kostë Bardhit"?. Po "Dasëm pa nuse"?... "Rrethimi i bardheë?

-"Mulliri i Kostë Bardhit" me futi ne radhën e dramaturgëve dhe fakti që u bë film (PYLLI I LIRISE) dhe operë (ZGJIMI), tregon vlerat e saj. Ndërsa DASME PA NUSE me ngjall emocione të këndshme me shfaqjen e Tetarit të Vlores, drama RRETHIMI I BARDHE më sjell të ngjethura nga kritikat e njëpasnjëshme që vazhduan disa vjet. Sot ka plot artistë të njohur që e përmendin si një dramë me vlera të padyshimta, madje habiten pse nuk rivihet në skenë.
-Keni shkruar edhe për fëmijë, madje me sukses, ndërkohë që nuk i keni munguar as edhe ekranit, në gjininë e skenarit. Subjektet e tregimeve tuaja kanë dhënë 5 filma artistikë të kinostudios dhe të televizionit. Mendoni se ka qenë një eksperiencë interesante dhe e papërsëritshme për Priftin. A do të vazhdoni sërrish?

-Drama dhe skenari (filmi) janë gjinitë ku autori i përfton emocionet e lexuesve direkte, menjëherë, jo tërthorazi e nga kjo anë janë të pakrahasueshme me çdo gjini tjetër. Në Amerikë, veç talentit, skenari kërkon shpenzime të jashtëzakonshme, të paarritshme, prandaj edhe për shumë s'kemi për të patur veçse filma dokumentarë e artistikë të shkurtër, sikurse po tregon përvoja e viteve të fundit.

-Kë do të veçonit nga krijimtaria juaj sot, nëse do ta bënit këtë pa dhimbje?

-Dyshoj se lista e përzgjedhjes sime do të ishte tepër e gjatë. S'di kë të marr e kë të le, por po them se kur rilexoj tani disa nga tregimet e mia, them se më të mira e më artistike s'kisha për t'i bërë as tani pas një përvoje mëse gjysmë shekullore.

- Ç'ka qenë çensura për ju?. Po tani që mungon ajo?

-Dija t'i shmangesha censurës, t'i shkisja pa zhurmë. As metoda e realizmit nuk më shqetësonte. Unë mbeshtetesha te realizmi kritik dhe nuk u gabova. Po ju them një episod komik. Më kujtohet se si Qamil Buxheli dhe redaksia e YLLIT e cilësuan tregimin tim NJERIU QE NDIQTE KUAJT të realizmit kritik, se unë e perfundoja tregimin duke e lënë lidhur kalin e egër te kunjat e qerres së tregetarit. Ata më sugjeruan ta liroja kalin, se kjo do të ishte protesta e Vlashit, ndjekësit të kuajve. Kaq u desh qe tregimi te renditej në hullinë e realizmit socialist.

- A mendoni se mungojnë veprat cilësore sot? Si do ti komentonit prurjet e fundit në letërsi?

-Edhe sot ka vepra mjaft të mira, cilësore, të bukura, se çdo brez sjell prurjet e tij. Do të përgëzoja veçanërisht krijimet e femrave në prozë. Vajza e gra, të cilat po sjellin freski e këndvështrime të reja.

-Të ndalemi në një moment tek procesi juaj letrar.Preferencat për temat, koha dhe teknikat që ka për zemër Naum Prifti kur ulet që të bëj letërsi.?

-Të vazhdoj në hullinë që kam hapur pa bërë eksperimente. Sa është krijuesi i ri, shkruan për të kenaqur veten e tij, më vonë e kupton se shkruan për lexuesit dhe vepra fiton vlera kur pëlqehet prej tyre. Tani kam një vëllim gati për shtyp me subjekte nga jeta nën diktaturë tragjike dhe komike, ashtu sikurse ishte jeta.

-Botimet në Kosovë.Eshtë një dukuri personale e viteve të fundit, apo...?

Kosova ështe pjesë e pandarë e kombit dhe autorët kanë detyra morale kundrejt kësaj pjese të kombit. Sa më shpejt të kuptohet ndërsjelltësia aq më mire do të jetë për kulturën kombëtare. Më vjen keq që e kemi lënë mënjanë krijimtarinë e arvanitasve dhe të arbëreshëve dhe askush nuk po kujtohet të shkruajë një recension sado modest për krijimet e tyre.

-Kë do të veçonit në fushën e tregimit nga tregimtarët e rinj?

-Për fat të keq nuk i njoh sa t'i përmend me emra. Më kanë pëlqyer tregimet e Ylljet Aliçkës.

-Cilat janë raportet e sotme me krijues të vjetër e të rinj?

Po të mos mungojë mirekuptimi dhe respekti reciprok, të tjerat zgjidhen lehtë.

-Cila ngjarje ju ka mbetur në mendje, të cilën ende penda juaj nuk e ka hedhur në letër?
-Viti 1914, tragjedia e asaj kohe. E kam subjektin, pres të vijë koha ta hedh në letër.

- Po ajo që e ka tronditur më shumë Naum Priftin?

Pabesia e kolegëve, e atyre që të hiqen miq dhe të ngulin thikën pas shpine. Pyes veten a mund të ketë artistë me shpirt të shëmtuar?

-E vërteta, ju dhemb, ju tremb apo jeni indiferent?

-Të vërtetën e kam dashur me shpirt dhe vazhdoj ta dua. Nuk më ka sjellë gjithmonë të mira, përkundrazi më ka hapur telashe, por unë vazhdoj ta dua.

-E keni ndjerë veten në ndonje rast të tepërt? A i mungon dikujt?

-Disa herë gjatë jetës e kam ndierë veten të tepërt. Së pari nga Partia Demokratike. E ndihmova me gjithë zemër qysh nga fillimet e saj, pranova të kandidoja për deputet, edhe pse e dija që shanset e fitimit ishin të papërfillshme, bashkëpunova te gazeta "Rilindja Demokratike." Nuk e di pse më kthyen krahët e më shpërfillën në një kohë që besoja të isha i dobishëm. Nuk synoja asnjë farë posti e pozite. Më 1991 Natasha Lako më tha se mendonte të më propozonte për ministër të kulturës. U befasova ngaqë kurrë s'e kisha menduar veten në kolltuk ministerial. Jam ndierë i tepërt në atdhe nga mospërfillja e institucioneve kulturore, gazetave dhe masmedias. Mendoj se shkrimtarët e artistët që vazhdojnë aktivitetin në vendet ku ndodhen, s'kanë pse quhen të ikur, derisa punojnë njëlloj si ata që ndodhen në atdhe. Problemi qendron gjetkë, sa çmohen e nderohen talentet e çdo fushe.

-Ç'farë do të bënit që të ndryshonit tek vetja, nëse do t'ju jepej mundësia për ta bërë këtë?

-Sikur të kisha ardhur në Amerikë në moshë të re, sikur të dija të shkruaja anglisht, do të bëja pjesë ndër shkrimtarët e nderuar të Amerikës në fushën e tregimit të shkurtër dhe novelës, do të isha një Nabokov. Shtëpitë Botuese Amerikane thuajse nuk tregojnë pikë interesi për vlerat letrare të etniteteve.

-E kaluara, bashkjeton me të tashmen tek ju?

- Emigrantët jetojnë të tashmen në vendin e adoptuar dhe të kaluarën nga vendi që vijnë. Sa për vete e quaj detyrë morale e qyetare ta pasqyroj me vërtetësi jetën e njeriut të thjeshtë nën diktaturë. Ky është vëllimi i ri me tregime të cilin po e përfundoj tani.

-Kush qëndron më pranë jush në këto momente?

-Kompjuteri, edhe pse disa herë tregohet kapricioz. Jam krenar për vajzat e mia të cilat e nderojnë njëlloj babain dhe artistin.


- Cila është muzika juaj e preferuar?

-Në adoleshencë i bija mandolinës, më vonë i kërkova babait në Amerikë të më dërgonte një fisarmonikë. Qoftë se tipet italiane ishin të shtrenjta, qoftë se e quante jo të denjë atë zanat për mua, më dërgoi një akordeon, të cilin nuk arrita ta zotëroja. Gjithsesi një lloj edukimi muzikor e kisha fituar falë gramafonit që solli babai më 1937. Kishim pllaka me muzikë shqiptare, italiane, greke dhe amerikane. Një shoku im, Llazi Konini vinte më lutej të dëgjonim këngët që i kishte për zemër si "Maria Laho," "Roza munda" e ndonjë tjetër. Kur isha i ri shpesh vrisja mendjen të gjeja si përhapeshin këngët, meloditë? Misteri i madh u shua sapo mora njohuritë fillestare në unike për pentagramin dhe notat.

-Në shkencë, art, kulturë. Idhujt?

-Në shkencë më ka pëlqyer Edisoni për energjinë e tij të pashtershme, për fantazinë e tij, për shërbimin që i solli mbarë njerëzimit me shpikjet e tij. Në art Bajroni e Petëfi që dhanë jetën për lirinë. Më kanë pëlqyer Mioja dhe Buza që kanë punuar gjithë jetën me modesti, pa zhurmë, kokëulur, por gjithmonë duke derdhur në telajo ndjenja dhe poezi. Në disa peizazhe të Mihos ndiej aromën e vendlindjes sime, ngjyra e drita që rrezatonin poezi, lirizmë, ngrohtësi.

- Po pasioni i fshehtë i Naum Priftit?

-Pasionet e fshehta kanë lidhje me moshën dhe zakonisht janë efemere. Kam patur passion fotografinë dhe gjithmonë përpiqesha të gjeja pika shikimi e këndvështrim domethënëse. Disa prej fotografive të mia patën fatin të botoheshin në revistën e ilustruarYLLI. Kam pastur passion veglat muzikore, mësoja t'i bie mandolins dhe akordeonit. Pisha passion sportin, sidomos alpinizmin, sado që nuk e praktikova kurrë Pasioni im i përhershëm ka qenë të vizitoja sa më shumë shtete të botës. Tani më duket sikur i kam par të gjitha hapësirat e globit dhe më vjen të qesh me dëshirën time që të shihja e t jetoja disa koh me eskimezt…

-Dhe nëse nuk ështe aspak sekret. Cilat janë planet tuaja krijuese të afërta e të largëta.

-Tani kam vetëm plane të afërta, pasi të largëtat sa vjen , largohen më tej. Dua të botoj një vëllim me tregime e novela nga jeta nën diktaturë.Kam botuar deri tani vetëm dy prej tyre dhe mbresat e lexuesve kanë qenë zemërdhënëse.. Do të dëshëroja që një pjesë e tyre të përktheheshin në anglisht. Një miku im amerikan më sugjroi titullin GULAGU SHQIPTAR. Shpresoj të priten mirë nga lexuesit e huaj, sidomos për të njohur realitetin shqiptar. Plani tjetër i afërt, po përgatis vëllimin me Tregime të Zgjedhura, nga krijimtaria e gati 25 viteve të fundit. Shpresoj të ngjallin interes tek lexuesit e rinj për atë botë që zbulova dhe përshkrova. Më tej, dua të shkruaj disa subjekte që për arësyet nga më të ndryshme, kanë mbetur pa u hedhur në letër…

- Ç'farë do t'u thotë lexuesve të librave të tij?

-Një gjë të thjeshtë, ta kuptojnë kohën dhe kushtet në të cilat kam
shkruar dhe botuar. Duhej guxim dhe shpesh herë, duhej të rrezikoje kur tentoje të kapje subjekte gjembaçe. Edhe pse cilësohesha nga tregimtarët më të mirë, rrugën e botimeve nuk e kam patur të lehtë.

- Po 70 vjetori i Naum Prftit, është kujtuar apo festuar…?

-Edhe u kujtua, edhe u festua, nga miq dhe kolegë si Thanas Gjika, Rozi Theohari, Lumira Berati, Skifter Këlliçi dhe shumë bashkëatdhetarë, në restorantin e të madhit patriot Anthoni Athanas, Boston…Një festë e paharruar për mua dhe familjen time… Ndërsa 75 vjetori kaloi në heshtje… Megjithatë, unë vazhdova dhe vazhdoj punën studiuese dhe krijuese si kurdoherë, sepse e vetmja gjë që mbetet është puna. I falenderoj nga zemra miqtë dhe kolegët,të cilët privatisht më dërguan urime, duke vlerësuar njëkohësisht edhe krijimtarinë time.

- A besoni tek triologjia e Dante Aligerit, Parajsa. Ferri...Në fund të fundit a keni frikë nga vdekja?

-Jo, nuk besoj as në ngjallje, as në ringjallje. Nga vdekja nuk kam frikë aspak, se njëherë vdiqa për pak kohë pa ndierë asgjë. Pësova shock analgjezik ndërsa po rruhesha në banjë. Rashë dhe nuk di sa kohë ndenja pa ndjenja.

-Në emër të redaksisë së gazetës ju urojmë, këtë vit Jubilar të 75 vjetorit, jetë të gjatë dhe me shumë libra të bukura. Paçi gëzime e shëndet më shumë se një shekull!
Disa nga veprat:
Tregime të Fshatit-1956
Lëkura e Ujkut – 1958
Çezma e Floririt-1960
Një pushkë më shumë-1960(e ribotuar)
Rrëfime dhe Legjenda për Skënderbeun –1968, 1998,Prishtinë,1999)
Litar i zjarrtë-`69
Tregime të zgjedhura-`72
Njerëz të kësaj kohe-'79 (çmim i parë në Konkursin Kombëtar)
Njëqind vjet –`82
Tre vetë kapërcejnë malin - 1983 (Prishtinë)
Erë mali – Erë fushe – `88( çmim i parë)
Nëna e Diellit – 2001( çmimi " Penda e Argjendë")
Teatri në kohën e krizës – Tiranë, 2002(Ese, mbresa, analiza dhe shënime nga shfaqjet e teatrit në vitet !974-'80)
Rrethimi i bardhë- 1963(vënë në skenë nga trupat e teatrit të Elbasanit, Korçës dhe Instituti i Arteve. Për shkak të kësaj drame autori u dënua duke e larguar nga Tirana në Divjakë të Lushnjes
Dasmë pa nuse-1969( teatri i Vlorës, Instituti i Arteve)
Mulliri i Kostë Bardhit- (teatri i Durrësit, opera "Zgjimi" nga Teatri i operas dhe Baletit
Plumbat e shkronjave-1969 (Fieri, Korça)
Etj...
Skenarë filmash
Era e ngrohtë e thellësive – Televizioni Shqiptar
Kush vdes në këmbë – Kinostudioja Shqipëria e Re
Zani – Partizani – Televizioni Shqiptar
Tre vetë kapërcejnë malin – Kinostudioja `Shipëria e Re"
Fejesa e Blertës- kinokomedi (Kinostudioja "shqipëria e Re"

Letërsi për fëmijë:
Cikoja dhe Beni – Novelë
Pikat e ujit – përralla
Legjenda dhe rrëfime për Skëndërbeun
Përralla paër një muaj
Si ylber që vezullon –tregime
Pas abetares – tregime, përralla, përshtatje
Zani – partizani – dramë
Talent i rrallë – komedi
Këpuca që ra në det – pjesë për kukulla
Pika e ujit – skenar filmi vizatimor

Përkthime:
Katër stinë me përralla 1984 ( nga italishtja, autorë të ndryshëm)
Gjiganti i mdh i mirë -1990 (roman nga Roald Dahl- nga anglishtja në shqip), Shtëpia botuese N. Frashëri dhe ribotuar nga "Çabej"2001.
Princi i vogël – novelë nga Antuan de Sent-Ekzyperi – nga frengjishtja, botuar nga "Toena", tiranë 2000.

Duke vazhduar me botime të tjera të viteve të fundit:

Yjet ndrisin lart – tregime dhe novela (Prishtinë),
Ndjekësi i kuajve –tregime për adoleshentë
As Miço, as Muço – tregime dhe skica humoristike – Tiranë , 2003
Midis dy kohësh – Mbresa udhëtimi, portrete, kujtime – Prishtinë, 2005

Përgatiti:
Aleko Likaj – Francë
Iliriana Sulkuqi – New York

Friday, July 13, 2007

Bota e Gruas Shqiptare-MERITA BAJRAKTARI McCORMACK -ESE

Në Zot ne Besojmë

Botoi Tirana Observer 13 Korrik 2007


Merita Bajraktari

Ishte mesi i viteve 1980. Për ne, shqiptarët që kemi jetuar atë periudhë në Shqipëri, e mbajmë mend mjaft mirë vuajtjen e madhe ekonomike dhe atë shpirtërore. Ekonomikisht vendi ynë ishte më i varfri dhe po shkonte drejt urisë, shpirtërisht ne ishim bosh... Truri ynë ishte krejtësisht i shpëlarë me ideologjinë marksiste-leniniste dhe për brezin tim që ishte ende adoleshent ose në rininë e hershme, në atë periudhë për të cilën unë flas, ishte një periudhë konfuze, një periudhë paqartësie dhe stresi të jashtëzakonshëm. Në atë periudhë unë i kisha shpëtuar "për nji fije" regjimit nga duart dhe u gjenda studente në ILB Kamzë, sot Universiteti Bujqësor i Tiranës. Flas i kisha shpëtuar, se biografia ime "ishte për ditë të hallit", sipas sekretarëve të Byrove dhe i shpëtova për shkak të mesatares sime maksimale në të katër vitet e shkollës së mesme. Kështu mundësova diplomimin tim në atë kohë të vështirë. Mbas vetes lashë me dhjetëra shokë e shoqe që kishim pothuaj të njëjtën biografi, por që mesatarja e tyre ishte diçka rreth 9.3. Ne ishim një grup i vogël studentësh që shiheshim me kujdes e "ruheshim" se çfarë do thoshim. Ne ishim ata që në marksizëm apo histori të Partisë së Punës së Shqipërisë s'mund të merrnim kurrë dhjetë, se automatikisht ulej një ose dy nota nga biografia. Dita e parë që shkela në mjediset e ILB, dikush më orientoi drejt një burri të qeshur, të mbushur e me flokë të rëna. - Shikoje atë burrin, është filozof i madh, ateisti numër një. Ai është Hulusi Hako, të cilin Papa Gjon Pali e ka dënuar me vdekje në mungesë.... - Çfarë, - thashë unë, duke hapur sytë, - Vatikani nuk dënon me vdekje, i ke mendtë në koke ti...? - E kam të sigurt, - më tha bashkëbiseduesi, - është filozof që ia ka sjellë Vatikanit në majë të hundës, me argumente i ka treguar që feja me të vërtetë është "opium" për popullin... E thashë mirë..., do ta mbaj mend.... Dhe, që atëherë s'e kam harruar profesorin... Sidomos në këto dy dekadat e fundit, e kujtoj me shpresë se mbase ai e ka harruar ateizmin dhe ka gjetur Zotin...Ishte viti i tretë i fakultetit 1987, filloi pluralizmi i ideve, pluralizmi i mendimeve..., ju kujtohet??? Dhe, ne, studentët në ILB, ishim në atë vorbull, në atë ekzaltim, në atë shpresë që një ditë do thoshim diçka lirisht më në fund. Shpresonim....Ishte leksion në një nga lëndët marksiste.... - Kush ka pyetje, - si zakonisht pyeti profesori im i Marksizmit. Ai porsa kishte shpjeguar diçka "dialektike", se gjithçka nuk zhduket, por transformohet. - Ja, - thoshte profesori, - djegim drurin, bëhet hi e hedhim hirin në fushë me grurë, na jep drithë se e merr drithi në formën e fosfatit.... A si e ka emrin.... Po kukurisnim ne grupi "rebel" dhe krahasonim me mjetet e përshtatshëm që na dukeshin përkatës për momentin... G. ishte një student që erdhi në vitin e tretë nga një fakultet tjetër. Po, transferim babai në prodhim, transferim i biri nga (mbase) Inxhinieri Elektronike në Ekonomi Bujqësore. - Shpirti, profesor, në çfarë transformohet? - ngriti zërin një nga studentët afër meje.- Çfarë tha profesori?Heshtje... - A ka pyetje tha ia?Heshtje sërish... - Pra e mbyllim, e vulosim për sot, Zot nuk ka dhe shkoni e jetoni për sot, kur vdes njeriu mbaron jeta e tij. Pra nuk ka Zot e thamë. Ka vetëm... E, nuk po e sjell me detaje shpjegimin e tij....G. kishte një adhurim special për Amerikën dhe mbante me vete gjithnjë simbole amerikane. Atë ditë kishte një dhjetëdollarëshe dhe ndërsa profesori thoshte “s'ka Zot, transformimi është natyral, mëma natyrë, e të tjera”, G. nxori dhjetëdollarëshen dhe më tha mua me zë të ulët: - Merita, ti di anglisht, ç’do të thotë "In God We Trust"? Mezi e mbajta të qeshurën dhe megjithëse unë isha e sigurt që G. e dinte, unë ia shkrova në një copëz letër me gërma të mëdha si për të ritheksuar atë që ne na mohohej përditë, "Në Zot ne besojmë". - Keni pyetje ju andej nga e majta? - pyeti profesori filozof duke u drejtuar nga qoshja jonë. G. e kroi pak kokën dhe tha: - Profesor na tregove se çdo gjë transformohet, po shpirti pas vdekjes ku shkon profesor? Profesori nuk ndërroi ngjyrë as u inatos, por zgjati krahët e sikur u shtriq disi nga podiumi dhe tha: - Ah ti, e di ku e ke, e di ku e ke fjalën (mbase i referohej "fjalëve" të hapura që H. Hako ishte themeluesi i ateizmit dhe ne studentët e kolegët duhet të ishim në ballë në mbrojtje e në manifestim të ateizmit)… - Kemi me dhjetëra studentë këtu që duan pyetje e përgjigje serioze. Dialektika është gjë e madhe R... dhe i përmendte G. mbiemrin me një të qeshur të çuditshme… Kështu kalonin ditët dhe ne ushqeheshim me urrejtje për fenë, për Zotin e vërtetë, për Papa Gjon Palin e Dytë dhe paraardhësit e tij, për klerikët e institucionet fetare në përgjithësi. Për Papën, këtë udhëheqës shpirtëror të miliona njerëzve. Ne ushqeheshim me helm fjalësh në shkolla. Ne ishim tjetër, ne s'na duhej Papa i Romes, ne kishim "Papët" tanë, sipas të cilëve, ai Papa i vërtetë për popujt ishte kriminel, gjakatar, armiku numër tre i Shqipërisë pas Rusisë e Amerikës. Dhe, ne dëgjonim, hapnim sytë, mësonim broçkulla. Dëgjonim në gjuhë të huaja radiot fshehurazi, netëve vonë, me zë të ulur në maksimum. Papa tregohej ai që ishte, dëgjonim lutjet e tij të vërteta për ne, thoshim pse na gënjejnë në shkollë? Por kush guxonte të pyeste profesorët? Një ditë sërish ne, "rebelët" biografi-keqët, "korruptuam" një pedagog që na mbante disi afër, ishte shpirtmirë, por ama dhe i "binte qylit" dendur, mbase nuk kishte para të mjaftueshme për të pirë ekstra kafe shoqëruar me petulla me sheqer në kafen e institutit. E qerasëm me pare "borxh" nga latat tona, se dhe ne ishim me para jo me “bursa”, por ia vlente të qerasnim profesorin, na pëlqente aventura dhe rreziku. Natyrisht matnim hapin mirë, por e dinim që mund të ishim disi më të hapur me të. Pyetja jonë ishte: - Profesor, ku shkon shpirti pas vdekjes? G. gjithë humor e mbështillte profesorin vocërrak me trupin e tij dhe ishim në sekret të plotë: - "Djema dhe vajza shihni punën, mos bëni shaka me të tilla gjëra, ju e dini që ne jemi ateistë, nuk besojmë në shpirt. Ka veç trup, ai vdes, ai transformohet, kocka e mos më pyesni më të tilla pyetje të rrezikshme. - Po pastaj, - i tha M., një studente që erdhi pesë vjet me vonesë, ishte nga Jugu.- Pastaj profesor, të lutem na trego si mendon ti apo je i një mendjeje me profesorin e dënuar nga Vatikani?- Ohu..., më erdhi ora e leksionit mua, ikni se u bëmë vonë, mos më ngatërroni me këto gjëra. Hajde atë kafen ma bëj petull ti L..., e ha rrugës, - iu drejtua një studenti nga Laçi. Dhe na la pa përgjigje dhe profesori tjetër i Filozofisë, duke shijuar petullën në rrugicat e institutit.U diplomuam, u emëruam ku donte organizata bazë e partisë apo e rinisë dhe përjetuam shokun e madh, tërmetin, revolucionin përmbysës. Demokracia erdhi dhe tek ne! 5 prill 1993... Papa viziton Shqipërinë. Unë punoja në Tiranë atë kohë, zyrën e projektit e kishim në Ministrinë e Bujqësisë dhe pata mirësinë të shoh Papën në makinën e tij antiplumb pothuajse jo më larg se 3-4 metra dhe nuk e di si ta përshkruaj atë që kam ndjerë. Mbaj mend Adën, mbeskën time 4-vjeçare që drejtonte gishtin nga shkonte makina e Papës dhe bërtiste: “Papa, Papa”, dhe e ëma e saj e emocionuar i thoshte se ai është i dërguar nga Zoti. I shihja nënë e bijë, gëzoja për vete dhe për to, por më tepër më qeshte shpirti im. Vizita e Papës për ne ishte shpresë për vazhdimësi të tilla, pasi ishin shenja drejt lirisë së ëndërruar. Një vit më vonë, unë pashe Papën të dielën për Pashkë, më 10 prill 1994, në sheshin e SHEN PJETRIT në Vatikan, pasi John dhe unë të nesërmen vumë kurorën në Romë. Prindërit e tim shoqi ishin kaq të emocionuar. Lot pashë në sytë e tyre tek filmonin Papën dhe tek bisedonin me njëri-tjetrin. Ndërsa unë mendoja se ç'mund të bënte profesori im nëse do ndodhej në këtë moment kur mijëra e mijëra njerëz prisnin përshëndetjen dhe bekimin Papal për Pashkë.Serish unë mësoja kush ishte Papa Gjon Pali i Dytë. Ishte po aq bukur, po aq paqësore, po aq shpirtmbushëse të përjetoja ato çaste. Pas kaq vitesh, tashmë në emigracion, plotësisht e lirë në zgjedhje informacioni, pa imponim, më ka mjaftuar të mësoj kush ka qenë Papa Gjon Pali apo kush janë kardinalët në Vatikan apo institucionet dhe udhëheqësit e besimeve të tjera fetare në të gjithë botën. Po kështu kam mundësuar të zgjedh rrugën time drejt Zotit dhe ndjehem absolutisht e lumtur për këtë. Ashtu si unë, ndjej se janë me mijëra ata shqiptarë që kanë gjetur qetësinë e vendin e tyre në zgjedhjen e besimit dhe rrugën e tyre drejt Zotit. Nuk e di se çfarë bëjnë netëve të vetmisë apo në moment meditimi profesorët e mi të filozofisë marksiste-leniniste. A ju shkon ndonjëherë mendja se mbase Zoti ekziston?

...................................................................................
Krye

Tuesday, July 10, 2007

Bota e Gruas Shqiptare-LINDITA AHMETI -POEZI

Linditë Ahmeti


VASHA, HELIOSI III

Këngëtari popullor e ul malin
Të dalë Heliosi.
Pëlcasin qelqet e frengjive
nga gezimi.
Virrmat nga dhembja
fiken një nga një
dhe i dorëzohen ëndrrës.
Mëkatarët e përcjellin natën
të dëshpëruar.
(Të presim o e nderuar,
ty që i mbulon fshehtësitë!)
Vasha e përgjumur
zbret shkallëve
ta hapë derën
prej nga shihet udha që shpie
kah e panjohura.

Dhe më në fund
Heliosi!
Një shkëlqim,
me një kunorë të paparë,
me gurë të cmueshëm,
e shpërndan gëzimin
i cili troket nëpër dritare,
me gishtat prej rubini,
nga lartë
poshtë,
duke dhënë shenja
ta marrësh me mend
se cfarë bukurie
nuk mund të shihet
nga poshtë lartë.

Paqe e qetësi!

Vasha
del nga nata e rëndë.
Para saj Heliosi
i ngre perdet e zeza
të natës.
Në skenë është
kopshti, vajza,
fluturat dhe bilbilat rreth saj.

Vashën e ndjekin rryma lotësh.
Heliosi i fal mollë të arta
që ajo ta ndërtojë udhën e saj
të gëzimit
derisa ajo e shikon paskajin
në të kufizuarën absolute.

Fluturat ndalen e pushojnë
në ëndrrën e saj
dhe vijnë bilbila të kaltër
t’ia akordojnë zërin
për këngën e dashurisë.
Përsëri Heliosi ia fal lirën e tij
Për t’i vënë kurorën bukurisë.

Ecën kështu vasha
duke kënduar,
duke mbajtur bardhësinë me vete,
kurse Heliosi
ia shtron udhën me flori.

Mirëpo kur Heliosi
hedh dritë
këtu poshtë,
edhe dorës së huaj
i hapet shtegu
ta kthejë cdo gjë për së prapthi

dhe përsëri Heliosi
tërhiqet
prapa mali
dhe përsëri
bie nata.

Tuesday, July 03, 2007

Bota e Gruas Shqiptare-ILIRIANA SULKUQI-RECENCE


Botoi Illyria


Dehje Poetike…


( “Dje preva Flokët”- “Yesterday I cut my hair”, duke“shetitur” nëpër shtëpinë time)


NGA ILIRIANA SULKUQI


Pas emocioneve të ndërthurura që më krijuan poezitë eAlbanës me leximin e parë, fillova t’i lexoj sërish,e, disa prej tyre, thuajse po i mësoj përmendësh, gjëqë rrallë ndodh me mua kjo gjë. Ende nuk e kamvendosur në bibliotekën time të “mërguar”, pasi më“sillet rrotull” nëpër shtëpi, sa nga duart e mia, sanga të vajzës dhe të kujtdo që vijnë për një vizitëdhe e shohin “sa andej këndej”... aq sa , disapika yndyre dhe erë kuzhine mund t’ia shohë dhe ndjejëkushdo. Befasohesh nga rrëfime kohore dhebashkëkohore që të lidhin me dhimbjen.Era e ndryshimeve, e ngrohtë apo e ftohtë, e nxehtëapo e akullt, kaloi edhe nëpër vitet më të bukura tëmoshës së poetes, kështu s’ka se si të mos liningjurmë edhe në vargjet e saj, pasqyrë e ndijimeve,perceptimeve . Në kohë të vështira jetohen jetë tëvështira, ku ajo që e pëson më shumë është Dashuria,në kuptimin më të gjerë të saj. Pra , kuptohet qëmotimet e mallit, të mërgimit…, patjetër do të hyjnënatyrshëm nëpër krijimtari, herë si brenga, herë siklithma, herë si pendesa, herë si falje. Këto motivepreken me dinjitet, pa bërë “qaramanen”, por prekshëm, dhimbshëm, butësisht,me metafora femërore, me figuratë natyrshme, aspak të kërkuara…Titulli " Dje preva flokët" është sa i bukur aq edheintrigues. Kur lexon poezinë e kupton se s'ështëthjesht një prerje flokësh, por një përpjekjeshpirtërore e dështuar për t’u shkëputur me tëkaluarën... Nga e kaluara nuk shkëputemi dot padhimbje dhe as artificialisht. Ky është mesazhi ipoezisë që mbërthehet në dy vargjet e fundit " pa tydhe pa flokët /dy herë e zhveshur". Do të thoja qëështë një poezi e denjë për çdo antologji të letërsisëshqipe, dhe jo vetëm ajo. Po citoj një poezi tëshkurtër: "Pse të desha ty?... Sepse ti zgjove tekunë /sekretin e rinisë sime/unë çelsin e kisha harruar/ e humbur diku/ Si munde ta gjesh ti?“Blerta” -Albanë apo Albana -“Blertë ”, e kambështjellë me kujdes gjithë poezinë e saj me njëmëndafsh magjik, ku, sa herë e lexon, ndjen butësi,dhe padashje të shpëton ndonjë lot, nga gjithë ata lotqë ajo i ka përtypur brenda vetes, duke “ngrënë vetenme dhëmbë”, në emër të faljes, në emër të ndryshimeve,në emër të lirisë së individit (“Çukitje nëdritare”fq.60…). Ajo pranon , edhe pse me dhimbjerealitetin, dhe qetësisht mundohet ta jetojë duke ecurpërpara, duke u mbajtur fort pas njerëzores –Dashuri (“Dashuria ime”fq.66 ). Këtu është edhe sekreti i“kodit “ të komunikimit të poetes me të gjithashtresat e lexuesve. E lirë, e sinqertë, paparagjykime ndaj motiveve lirike që ishin “tabu”, apoedhe kur shkruheshin, fshiheshin në njëqind sirtare.Një gjethe e varur nga vjeshta kishte mbeture vetme në trupin e dimrit të lagësht e të bardhë,sot kallkan u këput e ra mbi pezullin e dritares simeNdoshta kështu do të kisha rënë edhe unë at’herë….Sikur të mos më kishe mbajtur ti, dashuria ime!Nuk mund të rri pa përmendeur poemën "Rini e dytë”.Historia e dhimbshme e një brezi të kaluar, e gruas qësakrifikon rininë e saj dhe gjithë jetën për të qenëvetë nënë e vetë babë për fëmijët e vet. Ndjej endedridhjen e zemrës së poetes kur thotë: "Ç'tu them/ qënëna ime zakonin kish ruajtur në zemër /më shumë sedashurinë? E dekoratat e njerëzve për ndershmërinë?Se qëndroi e fortë e gjysëm llafi si doli / e bravo iqoftë se burrë të dytë s'mori?!...” Eshtë një thirrjepër nderim deri në dhimbje të nënave tona, që qenëbërë skllave të rregullave të ngurta të kanunit,trashëguar nga e kaluara. Kjo poezi ka përlotur dhedo të përlosë shumë sy lexuesish, që ndjejnë dramën engjashme në mos tek vetja, tek motra, shoqja,kolegia…. Albana, duke derdhur ndjenjat e saj megjenerozitet, hyn në resonancë me shpirtin e lexuesit,pa dallim moshe, siç është edhe vetë shpirti i saj qënjeh vetëm moshën –Blertë. Ka shumë të drejtë poetiVaid Hyzoti kur shkruan se duke lexuar librin eAlbanës , pa aty një vajzë njëzet e një vjeçe " Nësepoeti ka një shpirt të ri, atëhere do shkruar pa vënëfotografi në libër e pa cv. "Nuk le dot pa përmendur edhe poezinë "Dhimbje dhemall"- mbresa nga vizita e parë e autores në Kosovë ,në vitin 2001. Autorja ndihet e tronditur sepsendodhet në një tokë që është e saj, por që ia kanëmohuar prej dekadash.“ Një mollë për dashuri ndahet me dysh, një pjeshkëgjithashtu,/por një atdhe për dashuri nuk ndahet në dyshkurrsesi!Dhe përfundon:"Nuk e ndjeva mungesën tënde në Prishtinë, Tiranë,/çfarë ndjeva ishte Dhimbje… dhe Mall!”. Poezitë e Albanës janë të thjeshta, shumica prej tëcilave të japin ndjesinë e të kënduarit me vete. Nukshohim stilizime figurash “moderne”. Sejcila prej tyreështë vetvetja dhe vetja që bën të tjerët.Albana-poete të ofron situata emocionale dhe njerëzoresa shpesh thua…’”Ua, sikur e ka shkruar për mua…!”, “Sikur e kam shkruar unë…!”, “…Edhe mua kështu më kandodhur…!” Para disa javësh pata nje bisedë me njëkoleg, i cili më tha se këtë poezi e kishte mësuarpërmendësh ai edhe e dashura e tij. U dukej sikurautorja e kishte shkruar për ta. .Lëvizja poetike e Albana M. Llifschin, në kohë dhenë hapësirë .Motivet e poezive lëvizin nga njeri shtet në tjetrin,nga Shqipëria në Europë, nga Kosova , në Amerikë(nëpër shtetet e saj)…. Sigurisht që peshën më tërëndë dhe hapësirën më të madhe në vëllim e mban“Hallemadhja”- Dashuri, brengë, dhimbje, mall, që jovetëm poeti, por askush nuk do të shpëtojnë dot prejsaj. … Vargu i saj di të falë, edhe pse me shpirt tëdrithëruar; i dhemb tej vetvetes ndarja, largimi,zemërimi…Duke qenë shumë larg, gjeografikisht, nga nëna,vëllai, të afërmit dhe të njohurit e saj, por ca mëshumë nga ata që nuk mund ta kuptojnë mendimin dheshpirtin e saj profetik, poetja ndjehet e vetmuar.Pak vargje ze në gjithë vargjet e saj vetmia, por kaqmjafton, për të thënë se këtë dhimbje po e përjetojnë,nga dita në ditë e më shumë, të rritur e të vegjël,gjyshër apo fëmijë, dashuri apo mbidashuri…(“…e vetmeshetis në avenjunë N /me çap të lehtë kthehem pas / nëheshtje qortoj botën që fle, /nuk kam askend me kë tëflas”.Universalizimi i ndjenjës së dashurisë, çka do tëthotë se ajo nuk e ka parë dhe kërkuar atë tek njëobjekt i veçuar, qoftë ky dhe i adhuruar prej saj, pornë një kompleks të pafund njohjesh, ndarjesh,kërkimesh, dëshirash e lënies së saj për të tjetrët,si një trashëgimi e çmuar, prej të cilave poetët nukfituan gjë për vete, përveç zgjedhjes më të dëshiruarpër këdo - për ta jetuar jetën –është mesaszhi–Kryefjalë që përcjell tek lexuesi ky vëllim poetik.Lirizmi i Albana M. Lifschin rrezaton drejt nesh,feminitet, delikatesë dhembshuri, të cilat, në mjaftraste, duket sikur i braktisin përmasat e tyre tëzakonshme dhe trokasin në portën e hiperbolës për mëtë thjeshtin e më fisnikun qëllim: ta bëjnë lexuesintë jetojë pak çaste të bukura, ashtu si vetë krijuesjae këtyre lirikave.Emocionin lirik, Albana, nuk e përdor si dukje, sifasadë për t’u bërë me zor interesante, por si njëmënyrë të përzgjedhur, si një pohim të ekzistenës sësaj, që i përket botës reale, me të gjitha dhimbjetqë ajo mbart.“Dje preva flokët”(fq.12), “Shpirti ipoetes”(fq16),“Trupi dhe shpirti” (fq.22), “Nuk e dipër ju…”(fq.20), “Pse erdhe kaq vonë”(fq28),“Ike ti”(fq.48 ), ”Moment”( fq.50), “Buqetë lulesh në tëgdhirë”(fq. 56), “Dashuria ime”(fq.66), “Zgjimi”(fq.80), “E papritura”(fq.86), “Puthja” (fq.132),“Gjethja”(fq.134), “E di për çfar më ka marrëmalli?”(fq.144), “Pejsazh darke”(fq.166),… janë, padyshim, nga lirikat më të bukura të këtij vëllimi, kuflet një një zë shpirtëror me emrin Blertë, Albanë,apo çdo emër tjetër që ndjehet brenda këtyremonologjeve poetikë.“Nuk e di për ju,por muamë janë plasaritur buzë për një puthjepër puthjen e atijqë mbeti qiej larg nga unë…”…“dy herë hyra sot në dushdy herë dola…e tharëPuthjen që më le në gushëNuk desha uji të ma marrë…”“U ktheve një momentSa të shkëmbenim lotët,vetëm një sekondë,sa të më ngrije kokënU largove i kërrusurDuke mallkuar botën”E gjithë natyra bëhet pjesë e lirikës Albë-Blertë,qëtë ngacmon ndjenjën dhe përfytyrimin:, diell, hënë,shi, borë, lule, zog, pëllumb, erë stinë (verë evjeshtë, dimër e pranverë), …:“Mëngjes vere”, “Nuk diç’gjau me verën”, “Luleshqerra nëUilliamsburg”,”Çukitje në dritare”, “Zgjimi”,“Batica”, “Gjethja”, “Xhaketa e dashurisë”, “KujtimDimri”,etj…Natyra shfaqet në poezitë e Albanës me kuptimin esaj të vërtetë, herë metaforikisht, sipas mendimit qëajo kërkon të përcjellë, herë e trupëzon atë (natyrën) me shpirtin e saj poetik. Ajo “luan” dhimshëm mestinët (“Xhaketa e dashurisë”, “Gjethja”), sikur atotë jenë bashkëfajtore me botën e gjallë.Por , ndodh, në ndonjë rast, që natyra të“zhvleftësohet”, trishtueshëm. Lexoni, ju lutem:”Kuvete, e dashur?”Midis dy botëve,Midis dy jetëve-Njera e lënëTjetra e panxënë.Ku vete e dashur?Nëna e braktisur,Njerka e stolisur,ti ëndërr e grisur…Endesh rrugëve hije,bukuri Perëndie;natyra përrethnuk ka asnjë shije……. Tashmë, natyra nuk “ka fytyrë” t’i bëjë karshillëkdramës njerëzore; tashmë, stuhitë e saj e kanë bërë tëvetën, duke rrëzuar e shkatërruar gjithçka të brishtëdhe të sapolindur, qoftë kjo një gjethëzë e njomë, aponjë dashuri që vdes pa lindur. Tashmë, as “Blerta” nukështë më Blertë, por një poete që klith sëbrendshmi,retorikisht. E dhimbshme , por e vërtetë. Kur brendateje vdes diçka më frymore se natyra, atëhere, bieedhe pushteti i saj mbi ty.Shpesh, poezitë, seç hedhin mbi “shqisat” e tyreshpirtërore një vello magjike që është aq natyrore.Me cipëvellon e tyre, ato veshin “kërcijtë e pemëve,që kushedi/pse i la skelete të nderur të zi”, dëboraqë mbuloi gjithçka me të bardhë…(“KujtimDimri”-fq.154).Hiperbolat, që nxjerrin krye herë pas here, janëshprehje e stilit të saj të pjekur, të cilat, duke ugërshetuar me antitezat dhe pyetjet retorike, tregojnëse kemi të bëjmë me një poete të mirëfilltë dhe jo menjë provë për t’u rreshtuar me poetët.Valëdallgët poetike të këtij vëllimi, që na vijnë parasyve dhe na futen në shpirt si “Batica dhe Zbatica” tëvetë jetës tokësore dhe ca më shumë të jetësshpirtërore, po të mundja, do t’u kisha thurur njëkurorë me “Luleshqerat” e Albanës dhe me luleshqerrate të gjitha dashurive tona të virgjëra. Të jeni tësigurt , se në fundin e çdo “loje”: “Më do, s’më do”,do t’ju dilte që, Dashuria , gjithmonë të do, nëse eka emrin Dashuri… Dhe Albana, për ta quajtur Dashurinë- Dashuri, i lutet: ”…Ngrije kokën lart, besomë, mëshih! (“Unë nuk kisha ikur”, vargu i fundit).Poezi të tilla, të dala nga një botë e pasurshpirtërore, janë të denja për t’u përkthyer dhe përt’ia dhënë lexuesit anglisht folës e atij evropian.Ndaj, mendoj se bashkëpunimi i suksesshëm midis poetessë talentuar Albana Mëlyshi Lifschin dhe linguistittë shquar Profesor Peter Prifti në Kaliforni, qërealizohet me vëllimin poetik dygjuhesh”Yesterday Icut my hair”,është një hap drejt atij objektivi që,vetë poetja, shtroi para lexuesit në një shkrim tësaj, botuar tek ILLYRIA, me rastin e 5-së vjetorit tëkrijimit të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro -Amerikane, për prezantimin e vlerave letrare ekulturore të botës shqiptare tek lexuesi amerikan.Kujtoj këtu thënien e shkrimtarit Naum Prifti :"…vlerat tona duhet t’i zhvillojmë në gjuhën tonë ,por për t’i mbrojtur duhet t’i mbrojmë në gjuhë tëhuaj".Në Amerikë kanë ardhur shkrimtarë dhe poetë tëafirmuar, të cilëtduhen ndihmuar t’u njihen vlerat e letrave shqipe edhenë gjuhë të huaj,në gjuhën angleze, që është gjuha enjohjes në botën e sotme.Albana, edhe pse i hoqi tisin virgjëror BlertaTiranës, mbetet sërish një Blertë e virgjër, veçse, ika ca borxhe për t’ia larë , nëse do që Blerta të jetëmikja e saj poetike. Them “borxhe”, pasi, për shumëkohë, e “braktisi”atë, e la në gjumë letargjik…;them”borxhe”, sepse, ashtu si ajo vetë, nga dita nëditë po rritej, forcohej, dhe pasurohej me eksperiecadhe njohje të reja situatash e personazhesh, duhett’ia transmetonte edhe Blertës së saj – poetikisht(edhe pse si Albanë na i ka transmetuar në prozë-kujtovëllimet e saj me tregime!).***…Edhe unë, sikundër ju , sikundër poetja në fjalë ,nuk mund t’i themi të gjitha në një shkrim apo vëllim.Unë, psh., kam mbetje fjalësh; ti, lexues kembetje…dëshirash për të lexuar më shumë shkrime mevlerë…Ndërsa poetja e “Dje preva flokët”, ka ”Mbetjepoezish”, “të harruara në sirtar…/mbi tavolinë…,/tëngjeshura në çantë…”Dëshiroj që mikja ime Albanë, të mos i gjejë më“Mbetjet…” e trishtuara !Le ti lemë lexuesit të shijojnë rininë e shpirtit tëpoetit, atë shpirt të bukur, të cilit i këndon edhevetë poetja:" Mbrëmë një gotë verë piva me një poete,pashë si shpirtin magjisht derdhi në gotë…Unë fshehurazi gotat i shkëmbevadhe shpirtin ia mora me vete"…Gjithsesi pranë dhe larg njera-tjetrës, “Blerta” dheAlbana nënshkruan me firmën e tyre :“Dje prevaflokët”, me një ballinë intriguese - dy sy që tëshohin në sy, realizuar nga vetë bashkëshorti i saj,Paul Lifschin dhe shtypur me kujdes dhe cilësi nështypshkronjën “Arbëria” .

Bota e Gruas Shqiptare-ALBANA M.LIFSCHIN-Proze


Shpallja e Pavaresisë së Amerikes

Në skenën e historisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës asnjë ngjarje nuk ka patur atë rëndësi aq të madhe sa Shpallja e Deklaratës së Pavarësisë.
Në 7 qershor 1776 Riçard Henri Li nga Virgjinia i ofroi Kongresit të dytë kontinental mocionin në të cilin nëpërmjet të tjerave thuhej se "Kolonitë e bashkuara, janë dhe kanë të drejtë të jenë shtete të lira të pavarura, të shkëputura nga çdo detyrim me Kurorën Britanike."
Por përderisa ende shumë delegatë nuk ishin gati për një hap kaq drastik siç ishtë ai i pavarësisë, Kongresi e shtyu vendimin edhe tre jave të tjera duke u dhënë kohë të mendoheshin. Ndërkohë Kongresi caktoi pesë delegatë për të hartuar projektin e Deklaratës se Indipendences, midis të cilëve Tomas Xhefersonin,( me i riu nga ta) e bashkë me të Xhon Adams, Benxhamin Frenklin, Roxher Sherman dhe Robert Livingston. Tomas Xhefersonit i takon merita e Deklaratës se Pavarësisë së SHBA.
Kur shkroi Deklaratën e Pavarësisë, si anëtar i kongresit të dytë Kontinental, delegati Virxhinias, Xhefersoni, ishte vetëm 32 vjeç. Ai donte që deklarata të shkruhej nga avokati Xhon Adams, por Xhon Adamsi insistoi që deklarata të shkruhej nga Xhefersoni dhe madje i dha Xhefersonit këto arsye: "E para, se ti je nga Virxhinia, (Xhorxh Washingtoni, Xhejms Madison e Petrik Henri ishin gjithashtu nga Virxhinia )
Arsyeja e dytë: Ti je më pëlqyshëm se unë. Arsyeja e tretë: Ti shkruan 10 herë më mirë së unë.
Deklarata e Pavarsisë e shkruar prej Xhefersonit është dokumenti historik që shkëputi Amerikën nga Britania e madhe, ishte akti i çlirimit të saj dhe hedhja e themeleve të një shteti të ri.
Në deklaratë Tomas Xhefersoni pasi bënte analizën e pakënaqësisë së kolonive ndaj Britanisë së madhe rendiste arsyet që justifikonin shkëputjen e kolonive amerikane prej saj. Në Deklaratën e Pavarësisë thuhej se "qeveria egziston vetëm për të siguruar të drejtat e popullit dhe kur ajo behet destruktive; atëherë populli ka të drejtë ta ndryshojë apo refuzojë atë qeveri e të zgjedhë një tjetër që i përgjigjet aspiratave të tij"
Idea themelore "Të gjithë njerëzit janë të barabartë" ishte një ide revolucionare në atë kohë kur bota perëndimore jetonte në sundimin e familjeve mbretërore që gëzonin pasuri e privilegje që i veçonin shumë nga njerëzit e tjerë, të zakonshëm.
Kjo ide ishte revolucionare edhe për vetë Amerikën, që në atë kohë një e pesta e popullsisë të saj ishin skllevër.
Aprovimi i Deklaratës së Pavarësise nuk u bë në mënyrë të menjëherëshme, pa debate. Ishte një hap shumë i rëndësishëm dhe aspak i lehtë për t'u hedhur.
Në mëngjesin e 1 Korrikut rezolucioni i Riçard Henrit u lexua përsëri e u hodh për aprovim. Debate të zjarrta u bënë në datën 1 dhe 2 korrik. Delegatët e Pensilvanisë dhe Nju Jorkut nuk donin të nxitoheshin në marrjen e vendimit.
Të tjerë mendonin se ishte koha që duhej vendosur pasi kolonitë aktualisht po luftonin.
Në mbyllje të datës 2 korrik, përfaqësuesit e 12 kolonive u shprehën në favor të rezolutës së Riçard Henrit për shkëputje të kolonive nga Anglia. Atëhere deklarata e shkruar nga Tomas Xhefersoni u lexua edhe një herë nga ai dhe u analizua me kujdes pjesë pjesë. Me pak ndryshime të vogla deklarata u aprovua ashtu siç e kishte shkruar ai. Deklarata shpallte se " të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë dhe nga Krijuesi u janë dhënë të drejta të pamohushme si jeta liria dhe kërkimi i lumturisë."
Këto ishin të drejta themelore të cilat nuk mund tua merrte askush.
Pastaj Xhefersoni vazhdoi:"Ndaj që të sigurohen këto të drejta, ngrihen qeveritë me pushtet të dhënë nga pëlqimi i të qeverisurve.."
Kjo do të thoshte që qeveritë duhet të gëzojnë pëlqimin, aprovimin e popullit.
Kështu pas debateve, Kongresi Kontinental, në mbrëmjen e 4 Korrikut 1776, aprovoi Deklaratën e Pavarësisë me miratimin e 12 kolonive. Nju Jorku e shtoi votën e tij më vonë, kur përfaqsuesve të tij u erdhën udhëzimet.
Erdhi momenti i firmosjes. Firmosja kërkonte kurajo. Përfaqësuesit ishin të ndërgjegjshëm se me firmosjen e këtij akti, nëse Anglia do ta shtypte lëvizjen, ata kishin firmosur vdekjen e tyre. I pari që hodhi firmen ishte Xhon Henkoku (John Hancock) përfaqsuesi i Massachussets. Ishte një firmë e madhe
"Në këtë mënyrë, mbreti s'do këtë nevojë të vërë syzet për ta parë" u shpreh ai pasi la penën.
Me firmosjen e Deklaratës së Pavarësisë nga përfaqësuesit e kolonive, më 4 korrik 1776, një shtet i ri, i pavarur u lind. Të trembëdhjetë kolonitë angleze krijuan Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përfaqësuesit e popullit, sipas fjalëve të Tomas Xhefersonit betoheshin se do ta mbronin pavarësinë me jetën e nderin e tyre. Kopjet e Deklaratës së Pavarësisë u nisën menjëherë për tu shpërndarë në të 13 kolonitë. Në datën 9 Korrik Deklarata e Pavarësisë mbërriti në Nju Jork. Ajo iu lexua trupave të gjeneral Uashingtonit dhe ushtarët duke thirrur "Urra" hodhën kapelet në erë. Atë natë statuja e mbretit Xhorxh III, në Bowling Green, në Manhattan u rrëzua nga piedestali.


Kuriozitete nga Dita e Pavarësisë

"4 korrik 1776. Asgjë me rëndësi"

Në 4 korrik 1776, kur Këmbana e Filadelfias shënonte firmosjen e Deklaratës se Pavarësisë së 13 kolonive amerikane nga perandoria britanike, për ironi të fatit mbreti i Anglisë, Xhorxh III, shkruante në ditarin e tij: "4 korrik 1776. Asgjë me rëndësi"
Këtë lajm shumë të rëndësishëm, që përbënte një pikë kthese jo vetëm në historinë e marrëdhënieve të Britanisë së Madhe me Amerikën por edhe në historinë botërore, mbreti do ta merrte vesh dy muaj më vonë.

Këmbana e Lirisë
Kush ka patur rastin të vizitojë qytetin historik të Filadefias ka parë edhe këmbanën e madhe që lajmëroi Shpalljen e Pavarësisë nga Anglia. Këmbana e famshme mori emrin Këmbana e Lirisë. Kjo këmbanë qe bërë vite më parë që në 1751, në kujtim të lirisë që themeluesi i Pensilvanisë, Uilliam Pen i dha kolonisë. Madje mbi këmbanën ka një mbishkrim: ''Shpall lirinë gjithë vëndit dhe banorëve të saj."
Këmbana është riparuar dy herë që nga ajo kohë. Ajo ka rënë në të gjitha rastet e ngjarjeve të rëndësishme.
Sot këtë këmbanë të vendosur në Hollin e Indipendencës së Filadelfias si simbol të lirisë amerikane, e vizitojnë më shumë se 1 milion njerëz në vit.

Vula e shtetit të ri.
Ditën e adoptimit të Deklaratës së Independencës amerikane, Kongresi Kontinental zgjodhi një komision që të bënte dizenjon e vulës së shtetit të ri. Megjithatë konceptimi i vulës mori vite derisa u aprovua. Figura qëndrore siç vihet re edhe në dollarin amerikan është një shqiponjë (simbol i lirisë) e cila mban një degë ulliri dhe nën thonj mbërthen 13 shigjeta. Në të shkruhet "E pluribus Unum." Këto fjalë latine do të thonë "nga shumë-një" që nënkupton se Amerika u krijua nga bashkimi i shumë kolonive. Ishin pikërisht 13 kolonitë e para ato që formuan shtetin amerikan. Ato u përfaqësuan nga 13 yjet të vendosur mbi kokën e shqiponjës.
Albana Lifschin ( Nga "Udhetim ne historine Amerikane", bot.2003).