Friday, May 12, 2006

Bota e Gruas Shqiptare-DRENUSHA ZAJMI HOXHA -ANAGRAM GRI-CIKEL POETIK


POEZI NGA DRENUSHA ZAJMI HOXHA, PRIZREN, KOSOVE


ANAGRAM GRI


( reinkarnimi)

Më kishin shkrirë dhe futur në kallëp
isha formësuar çuditshëm, papranueshëm
në shenjë proteste si bishë ulurij
ngrihem dhe dua t’a flak tutje këtë deformues shpirti, por
përfundi shkruante diçka, emri i prodhuesit
ishte njësoj si mbiemri i të parëve të mij…

(vetëvrasja)

Takova rrugës një zdrukthtar dhe një skulptor
ua dhurova mendimet dhe idetë e mia
kërkova t’u jepnin një formë përfundimtare
kohë më pas zdrukthtari kishte gjakosur duart
ishin bërë shkak
ca mendime të mia të ndryshkura pa shpëtim.
Skulptorin më nuk e takova fare….

( formula)

Thanë, për të qenë njeri modern , duhet dashur armiku
e provova dhe u dashurova deri në vesh
si adoleshente budallaqe, që posa ka parë jetën
e uritur për një çikë vëmendje
thashë kështu ndoshta edhe botës i pëlqej
tash më ka mbetur veç ta dua edhe vetveten…..

(liria)

Si duket kam vdekur
aparatet ndihmëse rreth meje, nuk punojnë
sa e lumtur jam sepse
as gjaku im nuk qarkullon më
s’ka pse bën rrugën e njohur
mes zemrës dhe arsyes


( mbijetesa)

Në treg punojnë poeti dhe kurtizana
shesin kënaqësi për publikun
me penë e trup
herë më shtrenjtë, herë më lirë
njëri ç’virgjëron letrën, tjetra çarshafët
secili thotë: dua çmim më të mirë


(njerëzorja)

Organi më i uritur është zemra
mund të kapërdijë dashuri edhe kur s’ i japin
ha gënjeshtra, zhgënjime edhe kur s’ka oreks
përsëri mbetet vend për të tjera
zemra rreh vetëm për budallenjtë
të mençurit moti e kanë lënë këtë botë….

( gabimet)

Mbjell rregullisht farëra nga e kaluara
pastaj pres me padurim derisa t’i shoh frytet e njëjta
përsëri më befasojnë me fytyra të trishtuara
sivjet nuk jam plot entuziazëm
ca gonxhe ndoshta
më mirë të mbesin pa lulëzuar

( eureka!)

Jam sportistja më e mirë e të gjitha kohërave
kam qëndruar derisa m’i shkelën shputat
as kam folur , as kam bërtitur
i tregova botës sa e fortë jam në paaftësinë time
më vonë mora flamurin dhe vrapova rreth njerëzve
më duartrokitën të gjithë
thanë nga kjo, nuk është e papritur….


(vendimi)

U ndodha krejt papritur në një udhëkryq të panjohur
tri rrugë çonin poshtë, vetëm njëra ngritej
u drejtova pa dilema për të kapur majat
arrita dhe pashë më të bukurën me sy
si reflektohej poshtë, mjaftonte vetëm një lëvizje dore
Sa bukur shihej ambisi prej aty….




( enigma)

Asnjëherë nuk i mbyll sytë para së vërtetës
përkundrazi ,
e shoh drejt në bebëza këtë gënjeshtare të vjetër
ia gërryej gjithë prarimin nga kurora mashtruese
ta njoh sa më mirë të jetë e mundur
dua të jem e sigurtë , prej kujt kam ikur
kur ta takoj dikur
në botën tjetër….


(letargjia)

Të gjitha udhëtimet e mia jashtë vetes përfunduan
në destinimin e tyre për dështim përfundimtar
kot ndjeka pas siluetat pangjyrë me shumë fytyra
më ishin tmerrësisht jo të frikshme…
Takova fillime të reja, njerëz të rinj
që nuk bartnin në shpinë barrën e brengave të mia të njohura
nuk i njihnin
dhe ika me ta nëpër humbëtirat e mendjes, thjesht për të harruar
por nesër
ata ishin përsëri vetëm njerëz.

No comments: