Thursday, May 18, 2006

Bota e Gruas Shqiptare-DRENUSHA ZAJMI HOXHA -TREMBEDHJETE DESHMI

DRENUSHA ZAJMI HOXHA, PRIZREN , KOSOVE

TREMBËDHJETË DËSHMI

( katarza)

Më në fund u zhvesha
hoqa lëkurën time, më zinte frymën
e mbështolla si dhuratë dhe
ia dërgova atyre , që ma kishin qepur
ndoshta me të i mbulojnë të vërtetat lakuriqe

( verbimi)

Dy valixhe udhëtojnë nëpër botë
në njërën shtirja
në tjetrën gënjeshtra
askush nuk guxoi t’ia hapte valixhet me stof të bukur
thanë: nuk është e imja

(përulja)

Mbrëmë shikova ca komedi të vjetra
qesha edhe une kur qeshën të gjithë
megjithëse s’pashë asgjë
veç ca fytyra perverse , të ulura në teatrin
ku gjallohet
nuk bërtita, të mllefosurit asgjë nuk i falet
aty ku është butë, më lehtë
kurrizi lakohet

(ndërgjegja)

Je vetëm copëz e imja ,e vogël
mendjemadhe dhe egoiste
si mercenare e trurit ,që më torturon pa ndalur
dreqi të marrtë ndergjegje e mallkuar
që nuk e njeh tundimin
parazit në botën time të krisur, ti
nuk ke mendime tuat lidhur me pendimin

(fantazma)

Diçka jeton në anën tjetër të murit
është e padukshme e ndonjëherë
më duket se vjen lehtas mbi shuplakë
ndoshta janë vetëm iluzione të mia
vetëm pjesa tjetër e errësirës
që me terrin e saj bën flakë….

(hajmalia)

Dikush deshi t’më falte mëshirë
nuk pranova, trupi im
është shumë i brishtë për barrë të rënda
ndaj si shërbëtore plot bindje
më lehtë e mbaj përqeshjen me vete
ma vurën si hajmali qysh në lindje



(humbja)

Mbusha një formular e u bëra
anëtare e partisë së humbësve
zyrtarisht,
sa mirë , tani s’kam punë me drejtuesit e ligjit
mund t’ provoj të kontrabandoj pak fat
e lumturi…
ndoshta edhe pak mëkat….


(karnavalet)

E pashë një gjurmë të qenjes së sotme
një fosil
bart dhe zbarkon dhembje si skllav
që vuan kah luan këtë lojë të dhimbshme
të njeriut , që dashuri s’ka parë….
janë karnavalet e vuajtjeve

(histeria)

Jam në gjendje të pandalur të vetes sime
të eksponuar rrezeve të para, krejt të rastit
të çmendurisë
kam diagnozë të tmershme, të pashërueshme
më tradhëtoi mendja
kishte filluar t’a hetojë rrezikun me kohë…

(lutje)

Desha të këndoj për diçka
që nuk është e nuk ka qenë
por që ndoshta do të jetë
një melodi ngushëlluese për ditën që po vjen
dhe hap dritaren e kënga jashtë fluturon
por caku vjen më afër
o të falem ty
që jobesimtari nuk të beson


(dënimi)

Më shpallën egërsirë
të pavetëdijshme që ekzistoj
bishë që kapej fytafyt me mbiekzistencën
se desha një copë jetë për urinë time,
duket se njeriut të gjykuar me vdekje
edhe dielli i kthen shpinën


(eksperimenti)

Jam specie eksperimentale, e rrallë
por e suksesshme
kam mbijetuar dy faza në laboratorët e hyjnive
pikëllimin,
e mbyta me instiktin e gjallesës
zhgënjimin ,
fala me formulën për altruizëm
jam në fazën e tretë , në atë të vetmisë

(ekzistenca)

Nuk jam vetëm
shpirti im më jep alibi se jam
jam,
e ardhmja ime do të jetë e kaluara e dikuj
e sotmja dëshmitare se kam puthur gjithësinë

No comments: