Tuesday, June 06, 2006

Bota e Gruas shqiptare-DRENUSHA ZAJMI HOXHA-POEZI

Drenusha Zajmi Hoxha


POEMA MBI LUGINAT E JETËS

Dikush e turbulloi burimin e ëndërrave
Që kokën nxorri turpshëm nga malet e jetës
Vazhdoi ngadalë, drejt rrugës së panjohur
Në shtratin që takonte kthesa të rrezikshme
Dhe përplasej furishëm shkëmbijve të thepisur
Vetëm një mendim më sillet nëpër kokë
Jam e krisur , e krisur....

Nga pikat e vogla shndërrohet me furi
Një lum i fuqishëm që fatin e kërkon
Kot shiu plot lotë dhe bjeshkët e zemëruara
Me shpata të frikshme para e sfidojnë
Kush mund të ndalojë shpirtin, që ishte i braktisur
Vetëm një mendim më sillet në kokë
Jam e krisur, e krisur...

Ndodh këto dëshirat, që trupit gjak i japin
Në luginat e jetës të mos kenë jehonë
Si kristale të vogla udhëheqin në errësirë
Se për tu derdhur vrullshëm, në detin e parajsës
Për jetërat e amshueshme, nuk mund të jetë vonë
Një pasion i vetëm dhe ekzistenca është nisur
Vazhdon të më mundojë mendimi në kokë
Jam e krisur, e krisur...

Ndërron shumë herë formën , por shkon duke u rritur
Lumi i dëshirave në udhëtimin e zjarrtë
Puthë rrugës mbretëresha e poetë të vjetër
Lidhur me zingjirë, robër në shkretëtirë
Një ditë kur ylli i dritës në orbitë të vijë
Ta ushqejë me forcën e zemrave të ndaluara
Edhe akullnaja më e tmerrshme përulshëm do shkrijë
Ndjenjat asnjëherë nuk do jenë molisur
Por, ky mendim që nuk më le të qetë
Jam e krisur, e krisur…..

Në shtratin e përjetshëm lumi ndesh miqësinë
Me krahët e qetësisë, vullkanin e mbulon
As ujëvarat më të mëdha, as detërat pa skaj
Nuk e shuajnë dot llavën që përherë gufon
Përqafohen në trishtimin e imazheve të vërteta
Një bashkim i shpirtrave që vazhdojnë si të harlisur
Dhe e di , o Zot , por vetes s’i ndihmoj
Jam e krisur, e krisur.....

Kur agimi të dalë nga çarshafët e natës
Lumit i buzëqesh , si vesa në bar të gjelbër
Se vetëm një moment kur vetmia pendë i bëhet
Sytë dashuri etur, bëhen krejt të verbër
....një trup bëhem me lumin, në alkiminë e jetës
Kohërave të hershme vrapojmë mbi push të butë
Një ditë të vetme gurgullimën, mos tia kem dëgjuar
Atëherë fare, jo
Atë ditë fare nuk kam jetuar.
Derisa të frymoj, me valë do kem gjezdisur
E di, o Zot , por nuk mund të jetë ndryshe
Jam e krisur, e krisur.....


Drenusha Zajmi Hoxha

NDJENJA

( cikël poezish )

(poeti)

sa gjatë duart e mia
soneta të pikëlluara kanë shkruar, po,
këto duar…
për dashurinë, që duket si me frymën e parë
etshëm ka filluar
për mua nuk do flasin njerëzit nëpër mote
vetëm do qajë dhimbshëm fjala ime e shkruar.

(zhgënjimi)

dje qajta për një lodër , më vonë për një lule
qajta për njeriun , për një botë të tërë
qajta për një fëmijë
shkula flokët dhe u shkreha në vaj
m’u shtjerrën sytë
m’u harxhuan lotët atëherë,
kur desha për veten të qaj.

( dashuria)

i mbyll sytë dhe përpara
më shfaqet qenie e dashur
i hap ngadalë dhe përsëri e shikoj
lus zemrën përgjegje të më japë
dhe o Zot faleminderit
dij të dashuroj.

(pikëllimi)

Dëgjova tingullin e erës në pemë
M’u duk se për mua kishte lulëzuar
Pashë natyrën dhe lulet dhe m’u duk
Se vetëm për mua kishin çelur
Por, kur pashë botën…
M’u duk se gjithë sytë e saj
Për mua lot kishin derdhur

(realiteti)

kërkova nëpër jetë rrugët e shkurta
deri te burimi plot margaritarë
fluturova e lirë si erë
por nuk gjeta, kot
askund nuk kishte fole të sigurta
vdekje sonte kujt do t’i trokasësh në derë….
vdekja)

Kur jeta prek perendimin , e dua një parajsë
Lë të zgjasë pak, qoftë vetëm një çast
Dua engjejt të më marrin për dore
Dua të më thërrasin me emrin e duhur
Ndoshta s’do kem më rast..
Ah, ëndërrat e mia janë një shaka mizore

(ndryshimi)

Pushova në mendimet e një bariu të vjetër
Pashë ca kujtime të zbehta
Fotografi të plagosura
U hodha në vorbullën e shpirtit të egërsuar
Dhe u ndjeva tjetër
Një botë e qetë që flinte mbi majat e mprehta.

(dorëzimi)

e gjeta një ditë një fije peri
copë e pazgjidhshme e lëmshit djallëzor
dhe desha përsëri ta lidh , ta quaj jetë e lumtur
por qeshi dikush dhe foli
je vetëm qenje e dobët
s’ka zjarr mbi dëborë

(përballja)

pashë ëndërr një natë se jam urë e brishtë
nën mua shtrihej thellësi e rrezikshme
ambis pa fund , i tmerrshëm
ujëra që kalonin me barrën e kujtimeve
këmbët nuk më mbanin, por i luftova
pashë ëndërr se po rrëzohem
por si agimi i vonuar
hutueshëm, u zgjova…

No comments: