Sunday, July 30, 2006

Bota e Gruas Shqiptare-INTERVISTE E MIRELA BOGDANIT DHENE KOZETA ZYLOS PER GAZETEN ILLYRIA


Botuar ne gazeten Illyria, NY,
Dt. 14 korrik 2006
Intervistoi: Kozeta Zylo


Mirela Bogdani shpreson që të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në UK dhe ato Europiane për Partinë e “Zonjës së Hekurt”

Shqiptarja që po bën karrierë në Partinë e Margaret Thatcher

Pedagogia e Universitetit të Kardifit, Dr. Mirela Bogdani, është pranuar në Universitetin e Oxfordit pasi ka arritur suksese në Universitetin e Kardifit (UK), Universitetin “George Washington” (USA), Universitetin e Londrës (UK) dhe Universitetin e Bostonit (USA)….


Dr.Dr. Bogdani, lexova lajmin për pranimin tënd në Universitetin e Oxfordit. A mund të më thoni përpjekjet tuaja intelektuale, për të arritur deri në këtë tempull akademik, siç është Oksfordi?

Dhënia e mundësisë për të kryer studime në universitete si ai i Oxfordit besoj është ëndërr për çdo njeri, duke qenë universiteti më i mirë në UK dhe Europë dhe në 5-shen e parë në botë. Qëkur kam qenë e vogël e kam pasur ëndërr të studioja në Harvard apo Oxford. Por siç dihet në Shqipërinë e periudhës së izoluar komuniste ku unë krevaj deri në përfundim të studimeve universitare as që bëhej fjalë të studioje jasht, le më në Harvard apo Oxford. Por le të kthehemi tek pyetja juaj mbi përpjekjet e mia për të shkuar deri tek Oxfordi. Që në klasë të parë e deri tani që jam në të 30-at dhe njëkohësisht dhe nënë s’kam rreshtur së mësuari, lexuari e studiuari. Prandaj shpesh mendoj që Oxfordi ishte si një shpërblim që m’u dha nga Zoti për të gjithë punën, studimet dhe përpjekjet e mëdha dhe sistematike që kam bërë gjithë jetën që kur isha fëmijë. Unë kam pasur fatin të studioj në universitete të mira në botë, si në Univeristetin e Kardifit (UK), Universitetin “George Washington” (USA), Universitetin e Londrës (UK) dhe Universitetin e Bostonit (USA), megjithatë mendoj që Oxfordi është kurorëzim i gjithë punës sime të deritanishme. Nga ana tjetër, do të jetë një “big challenge”, sepse Oxfordi, duke qenë më i miri, është dhe shumë kërkues dhe kompetitiv, por shpresoj të dal me sukses.

Pas doktoratës së parë në mjekësi, çfarë konkretisht do të studioni në Oxford?

Fillimisht do të bëj një MPhil (mastër) në “European Politics” dhe më pas do vazhdoj me një DPhil (doktorate) që besoj do ta kryej në fushën e politikës së zgjerimeve të BE-së (EU’s Enlargements) duke u fokusuar në proceset e integrimit dhe aksesionit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Shqipërisë. Studimet do t’i bëj pranë Departamentit të Politikës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare (Department of Politics and International Relations) dhe në St. Antony’s College, i cili është i fokusuar në diplomaci dhe politikën e jashtme.

Ju keni pasur një ndryshim kursi të karierës nga mjeksia në politikë. Ka qenë i vështirë vendimi për të lënë profesionin e mjekës për t’u bërë politikane?

Unë pata një ndryshim të kursit të karierës para disa vitesh, e cila ka qenë një sfidë e vërtetë. Së pari sepse mjekësia dhe politika janë dy fusha shumë të ndryshme nga njëra-tjetra, ku nga ana pragmatike dhe materiale (ndoshta dhe prestigjioze) e para është shumë më tërheqëse se e dyta. Së dyti, sepse u detyrova që këtë kthesë ta bëj në një moshë jo fort të re, dhe së treti ta filloj në një vend të huaj. Pra ishte një ndërmarrje që kërkonte iniciativë e guxim, po e rëndësishme është që kuptova që kjo është ajo që më pëlqente të bëja dhe që më sjell kënaqësi. Fatkeqësisht njerëzit duhet të vendosin për gjëra të rëndësishme të jetës në moshë jo fort të rëndësishme (dmth të pjekur dhe me eksperiencë), përfshi këtu profesionin që do zgjedhësh në jetë. Ndryshimi i kursit tim të karierës erdhi shume gradualisht. Pas diplomimit nga Fakulteti i Mjekësisë në Tiranë, punova 5 vjet si mjeke stomatologe dhe më pas 9 vjet në Ministrinë e Shëndetësisë (si Drejtuese e Shërbimit Stomatologjik për Shqipërinë), si dhe kam qenë për disa vjet pedagoge e jashtme në Fakultetin e Mjekësisë. Gjatë kësaj kohe përfundova dhe studimet pasuniversitare (përfshi dhe doktoraturën e parë) në shëndet publik në universitetet që përmenda më lart. Më pas erdhi përfshirja në politikë. Pas një periudhe 4 vjeçare angazhimi në Partinë Republikane në Shqipëri, politika filloi të më kthehej në një pasion, megjithë sfidat dhe shqetësimet që mbarte, aq më tepër për një femër. Sa më thellë hyja, aq më shumë më tërhiqte, siç thonë këtu “Politics is addictive” (politika të bëhet sëmundje). Kështu gradualisht erdhi braktisja e profesionit dhe vendimi për t’i hyrë karierës së mirëfilltë politike. Megjithëse kisha eksperiencë, formimi im teorik në politikë ishte i mangët, prandaj për të mbushur këtë boshllëk më lindi ideja për të studiuar shkenca politike, e cila u kristalizua dhe u poq gradualisht. Në vjeshtën e 2002-it u largova nga Shqipëria dhe erdha per të studiuar në "Cardiff University" (UK) një program Masteri (MSc) mbi politikën dhe politikat publike në vendet e Europës Perëndimore dhe në Bashkimin Europian, gjë që shënoi fillimin e karierës sime të re.

Ju keni mbaruar shkollën e mesme të përgjithshme “Sami Frasheri” me medalje ari. A mund të më thoni si një studente me përvojën e dy kulturave dhe sistemeve arsimore perëndimore e shqiptare, çfarë vlerësimi i bëni arsimit shqiptar?

Gjimnazi “Sami Frashëri” ka qenë ndër më kompetitivët në Shqipëri, sidomos në vitet ’80. Që të dilje me rezultate që të klasifikonin për medalje ari tek një gjimnaz si ai nuk ishte e lehtë, sepse niveli i kërkesave, kompeticionit dhe trysninsë ishte shumë i lartë. Mbaj mend që të arrije atë lloj objektivi në një gjimnaz të tillë duhet të mësoje 7-8 orë çdo ditë, përfshi dhe fundjavën. Pra ndryshe nga moshatarët e mi (s’bëhet fare fjalë për krahasim me adoleshentët e sotëm ne Shqiperi që rrallë i shikon me ndonjë libër në dorë), unë gjimnazin e kam kaluar vetëm mbi libra dhe e kujtoj si një nga periudhat më të vështira në jetën time. Po ky “trajnim” tek “Samiu” më kaliti për t’i përballuar sfidat akademike të mëpastajme me shumë sukses. Më kujtohet kur isha në Universitetin e Bostonit, me një punë ndoshta sa gjysma e të studiuarit në Shqipëri arrrita të marr rezultate të mira në provime dhe shpesh i thoja me shaka një shoqes sime “po të kishim lindur në Amerikë do ta kishim arritur të shkonim dhe në Harvard me atë të studiuar që kemi bërë në Shqipëri”. Në përgjithësi i gjithë sistemi arsimor shqiptar, i cili bazohej në shkollën ruse, ka qenë i fortë dhe kompetitiv, dhe nga ana tjetër individualistik, hierarkik, autoritar dhe shumë i politizuar. Fakt është që ata nxënës e studentë që punonin dilnin vërtetë të përgatitur, gjë që shpjegon dhe faktin që studentët shqiptarë të arsimuar para 90-s kanë shkëlqyer kudo nëpër botë. Sa për nivelin e arsimit pas ’90-s, si çdo gjë tjetër ka degraduar që nga mësimdhënia, niveli i kërkesave, cilësia në të gjithë nivelet: shkollore, universitare dhe shumë më keq në atë pasuniversitar.

Me çfarë jeni duke u marrë aktualisht në Angli?

Aktualisht punoj si lektore (pedagoge) në Universitetin e Kardifit, në departamentin e politikës, dhe jap lëndët e “Integrimit Europian” dhe atë të “Politikave të BE-së”. Lëndët më pëlqejnë shumë, jo vetëm se janë shumë interesante dhe të mbajnë të azhornuar me gjithë zhvillimet që ndodhin në Europë dhe botë, po edhe sepse një nga fushat e mia të interesit është marrëdhëniet Shqipëri-BE dhe perspektiva e saj, e cila shpresojmë të finalizohet në një të ardhme jo shumë të largët me hyrjen e vendit tonë në familjen e Bashkimit Europian. Kjo është fusha ime e interesit, si edhe e studimit, sepse gjatë katër viteve të fundit gjithë punimet e mia kanë qenë në këtë subjekt: fillimisht dizertacioni, pastaj libri i botuar në 2004 (i dyti i imi dhe i pari në fushën e politikës) me titull “Albania and the EU: European Integration and the Prospect of Accession” (Shqipëria dhe BE: Integrimi Europian dhe Perspektiva e Pranimit”). Sapo kam përfunduar (së bashku me Prof. John Loughlin), librin tjetër në këtë fushë “Albania and the EU: The Tumultuous Journey towards Integration and Accession”, i cili reflekton ngjarjet e fundit dhe do të botohet në nëntor të këtij viti në Londër nga I.B.Tauris.

Keni marrë pjesë në shumë aktivitete ndërkombëtare, ku dhe keni mbajtur ligjërata. A mund të përmendni disa nga pjesmarrjet?

Sigurisht puna si akademike më ka dhënë mundësinë të marr pjesë në shumë aktivitete brenda e jashtë UK dhe në shumë prej tyre kam mbajtur prezantime dhe ligjërata, si dhe në një sërë universitetesh, si në Cambridge University (Fitzwilliam College), Oxford University (St. Anthony’s College), London University (UCL), Bristol University etj. Kam botuar gjithashtu artikuj në periodikë e revista shkencore rreth temave që trajtojnë integrimin europian te Shqipërisë, proceset e tranzicionit dhe demokratizimit në Shqipëri etj.

Ne web-sitin tuaj (www.mirelabogdani.com) pashe qe jeni takuar disa herë me zonjën Margaret Thatcher dhe jeni anëtarësuar në partinë e saj. A mund të na thoni diçka rreth përfitimit nga ky anëtarsim dhe mendoni se do të ketë ndikim në karrierën tuaj politike?

Takimi me Znj Thatcher ka qenë një ëndërr që kur fillova perfshirjen në politikë, sepse Margaret Thacher është idhulli im, heroina ime (siç i thonë këtu "my role-model"). Ajo është inspirimi në karierën politike që kam nisur, jo vetëm për faktin që përbën shembullin e një gruaje tepër të suksesshme dhe të guximshme në politikë, po mbi të gjitha sepse vlerësoj cilësitë e saj si integritetin, kurajon, eficiencën, përkushtimin, si dhe ndaj të njëjtat bindje, ide dhe parime, të njohura me emrin "ideologjia Thatcheriane". Kam pasur fatin ta takoj dy here Znj. Thatcher, ne qershor te vitit te kaluar ne pervjetorin e 30-te te zgjedhjes se saj si Kryetare e Partise Konservatore dhe dy jave me pare ne nje pritje ne Parlamentin Britanik. Kjo si pasojë e anëtarësimit dhe angazhimit tim disa vjeçar në Partinë Konservatore Britanike. Angazhimi në aktivitetet politike dhe sociale të Partisë Konservatore të Uellsit dhe në fushatat elektorale ka qenë një eksperiencë shumë e vlefshme për mua në politikë dhe më ka bërë të dalloj diferencat e mëdha që ekzistojnë mes partive perëndimore dhe partive në Shqipëri në çdo aspekt, të organizimit, funksionimit, menaxhimit, financimit, dhe mbi të gjitha, të nivelit të demokracisë së brendshme në parti.

Çdo të thotë për ju të jesh një femër e suksesshme në Shqipëri dhe jashtë saj?

Të qenurit i suksesshëm (në kuptimin ideal të kësaj fjale) mendoj që kërkon tre gjëra: e para të jesh “goal-oriented person” (pra njëri me objektiva të qarta), e dyta kërkon punë, sakrifica, ambicje, në mënyrë që të arrish këto objektiva, dhe së treti me punën dhe njohuritë që ke të bësh një ndryshim a të japësh kontribut për komunitetin, vendin, njerëzit. Suksesi dhe objektivat mund të arrihen dhe me mënyra të tjera si me konjuktura, servilizëm, prapaskena, miq e para. Dhe kjo është tipike për një vend si Shqipëria. Tek ne është e zakontë që mjafton të kesh një anëtar familjeje, mik, kushëri që është dikushi, apo të paguash një sasi të mirë parash dhe ti papandehur e sheh veten në majë të piramidës. Gjërat në Shqipëri akoma ecin me nepotizëm dhe klientelizëm, meritokracia dhe puna e ndershme janë koncepte aliene. Të gjitha këto e bëjnë dyfish më të vështirë për një femër që të arrijë të jetë e suksesshme dhe me një karierë të spikatur profesionale, po sidomos në politikë. Kjo sepse shoqëria jonë është maskiliste, shoqëri maçosh, pra së pari është çështje mentaliteti, po është edhe çështje ekonomike, sepse akoma s’janë krijuar plotësisht kushtet, konditat dhe lehtësirat për femrat, sidomos kur këto janë familjare dhe nëna. Pra duke qenë që akoma ekzistojnë një sërë barierash që pengojnë pjesëmarrjen e grave në jetën publike dhe në politikë, femrat e angazhuara në politikë apo në pozicione vendim-marrëse janë akoma në përqindje të vogël, por dhe një pjesë e madhe e femrave të suksesshme në politikë janë më shumë marioneta, pra pak janë që ia atribojnë suksesin vetes. Unë e konsideroj veten time të suksesshme për dy arsye, e para sepse kam pasur shumë arritje në jetë (profesionale, shkencore, akademike), dhe së dyti sepse të gjitha këto i kam arritur me punën time dhe pa më dhënë askush dorën. Sa për të tretën, shpresoj që eksperiencën e njohuritë e mia t’i vë një ditë në shërbim të shqiptarëve e vendit tim. Të gjitha ç’kam arritur në Shqipëri i kam arritur me shumë punë, këmbëngulje, sakrifica, bile shpesh edhe duke më penguar dhe duke mos më vlerësuar, ndërkohë që tani që jetoj në një vend të zhvilluar si Britania shikoj se sa më kollaj është për një femër të bëjë karierë, sepse këtu vlerësohet truri dhe puna dhe sigurisht ka plot lehtësira. Vetëm në më pak se katër vjet këtu kam arritur shumë, shumë më tepër se ç’arrita në vendin tim për 30 vjet, aq më tepër të mendosh që fillova një kariere komplet të re e të ndryshme nga e para. Për të arritur aty ku jam për mua nuk ka qenë e lehtë, aq më tepër duke qenë familjare dhe nënë. Por megjithëse kariera është shumë e rëndësishme për mua, Cindy, vajza ime 8 vjeçare, është gjëja më e rëndësishme e jetës sime.

Si e gjykoni ecjen e ngadalshme ekonomike dhe politike të Shqipërisë? Si e mendoni të ardhmen? Si e komentoni nënshkrimin e MSA nga qeveria shqiptare?

Mendimi im është që në suksesin dhe mosuksesin e një vendi dhe kombi kanë përgjegjësi të gjithë aktorët (ato që quhen “domestic actors”), megjithatë në një vend të sapo dalë nga komunizmi dhe në tranzicion si Shqipëria, klasa politike është aktori kryesor dhe më i rëndësishëm dhe si i tillë mban përgjegjësinë për nivelin në të cilin është ai vend. Prandaj ecjen e ngadaltë të Shqipërisë në rrugën drejt demokratizimit, transformimeve dhe reformave unë ia faturoj klasës politike, si asaj në pushtet dhe opozitë, e cila gjatë 16 viteve është treguar e papërgjegjshme, e paaftë dhe papërkushtuar për të kryer reformat e duhura dhe për ta çuar vendin drejt progresit. Lidhur me nënshkrimin e MSA-së, do të thoja se shoqëria civile, aktoret e tjerë, klasa politike dhe qeveria duhet të sqarojnë popullin se ç’përfaqëson ajo, çfarë hapi në rrugën drejt Europës, si dhe më gjërë mbi sfidat që paraqet integrimi europian apo anëtarësimi në BE për Shqipërinë dhe shqiptarët. Zhurma dhe propaganda që iu bë "suksesit" të madh të nënshkrimit të MSA-së (ndërkohë që u desh 3 vjet ta përfundonin, shumë më tepër se çdo vendi tjetër të Ballkanit Perëndimor), dhe titujt idioteske që mbushën ato ditë gazetat shqiptare të tipit "pas 500 vjetësh Shqipëria kthehet në familjen Europiane", a thua se u nënshkrua "Accession Treaty", më shumë i çoroditën njerëzit se sa i sqaruan dhe informuan. Nënshkrimi i MSA është një hap i rëndësishëm drejt rrugëtimit të gjatë drejt BE-së, por ajo shtron para qeverisë dhe popullit përgjegjësi, detyra dhe reforma të vështira për të realizuar.

Si ju kanë pritur kur jeni prezantuar si shqiptare në takimet me personalitete ndërkombëtare?

Përgjithësisht në Perëndim, apo të paktën këtu ku jetoj unë, njerëzit përfshi dhe politikanët, janë të mirësjellur, pastaj varet shumë nga respekti që i imponon ti atyre. Kështu që kur prezantohem si shqiptare, e shumta vë re një habi, po asnjëherë komente negative për popullin apo vendin tim (ndonëse këtu në Angli e sidomos në Londër një kategori shqiptarësh s’kanë lënë përshtypje të mirë me “bëmat” e tyre, sidomos nga involvimi në aktivitete të trafikimit, prostitucionit dhe drogës). Para pak kohe bëra një ekperiencë pune në Parlamentin Europian në Bruksel dhe kujtdo i prezantohesha nga Shqipëria, ndonëse aty isha si përfaqësuese nga Partia Konservatore Britanike. Mendoj që intelektualët duhet të shërbejnë si ambasadorët më të mirë të vendit të tyre për të përmirësuar reputacionin dhe imazhin jo të mirë të Shqipërisë nëpër botë.

Pas Oksford-it, çfarë planesh keni, do vazhdoni të qëndroni në Britani apo do ktheheni në atdhe?

Përgjithësisht njerëzit që mbarojnë doktorata vazhdojnë karierën në fushën akademike, po unë veten time në të ardhmen nuk e shoh si akademike, pasioni im është në “real politics”. Prandaj në planet afatmesme mendoj që pas përfundimit të studimeve në Oxford të vazhdoj angazhimin tim me konservatorët dhe shpresoj të kandidoj në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në UK dhe ato Europiane, më shumë për të fituar eksperience. Kurse për planet afatgjata mendoj të kthehem një ditë në Shqipëri dhe të gjithë këtë eksperiencë profesionale, akademike, politike, dhe jetësore ta vë në shërbim të vendit tim.

Kujt ia kushtoni arritjet tuaja të shkëlqyera dhe jeni aq kerkuese per shkollen ndaj vajzes suaj sic keni qene gjithe kohen ndaj vetes?

Arritjet dhe gjithcka kam arritur ne jete ia atriboj ne radhe te pare Zotit, pastaj vetes dhe familjes sime. Vajza ime Cindy, qe sivjet hyn ne klase te katert, nuk eshte tip akademik si une, pra nuk eshte shume e dhene pas librave. Ajo eshte tip artistik dhe une, ndryshe nga c’kam qene me veten time, pra shume kerkuese dhe me ambicje, nuk jam ashtu ndaj vajzes sime. Ndoshta fakti qe ajo po rritet, dhe eshte me fat qe po rritet, ne nje vend si Britania ku oportunitetet per zhvillimin e talenteve dhe pasioneve jane te pafundme, prandaj dhe une mendoj qe ajo te zhvilloje talentin aty ku e ka, jo me imponime artificiale.

Intervistoi Kozeta Zylo

No comments: