Saturday, August 12, 2006

Bota e Gruas Shqiptare - Merita B-McC

Thoma Simaku-Individualitet Krijues Nderkombetar

Botuar ne " Illyria" me 11 Gusht 2006


Këto ditë Gjermania, dhe gjithë bota e artit muzikor shijoi edhe njëhere bukurinë dhe forcën magjepëse të kompozimeve tashmë mjaft të vlerësuara të kompozitorit shqiptar Thoma Simaku.Lexuesi nuk përballet për herë të parë me këtë emër, pasi shpesh është shkruar për të dhe suksesin e muzikës së tij. Por herë pas here, ngjarje madhore të karakterit ndërkombëtar zhvillohen dhe ndërsa vendet e ndryshme të mëdha apo të vogla, me famë ose jo, mundohen të përfaqësohen, Shqipëria ka fatin e mirë që në një numër të madh aktivitetesh të tilla, është përfaqësuar denjësisht përmes veprës së kompozitorit Thoma Simaku."Ditët e Muzikës Botërore" po zhvillohet në Stuttgart, Gjermani nga data 14- deri më datën 29 Korrik. Koncerti për Violinë i Simakut ,"Reflexions de la Croix III", përfaqësoi Shqipërinë dhe u interpretua më 18 Korrik në Theaterhaus nga violinistja gjermane Hannah Weirich dhe Grupi i Muzikës Bashkëkohore musikFabrik i Koëln-it - një nga ansamblet më të njohura jo vetëm në Gjermani por në të gjithë Evropën. Në të njejtin program ishin dhe vepra të kompozitoreve nga Rusia, Çekia dhe Lituania. Salla ishte plot dhe vepra e Simakut mbylli koncertin kryesor të ditës - reagimi ishte jo vetëm duartrokitje por edhe ovacione.Ky interpretim u regjistrua nga radio kryesore gjermane (SWR) dhe do të transmetohet në Gusht. Menjëherë mbas koncertit dy gazetare të radios intervistuan Simakun. Ansambli është i shkëlqyer dhe vepra u prit mjaft mirë, të gjithë flisnin për "individualitet".Ndër të tjera, gazeta Stuttgarter Nachrichten e datës 20 Korrik 2006 shkruajti: "Réflexions de la Croix III" e Simakut ishte e vetmja vepër në koncert që domonstroi një individualitet të vërtetë karismatik, sepse kompozitori nuk kish harruar që muzika duhet të shprehë dhe energji emocionale." Premiera e kesaj vepre u dha nga Sinfonietta e Kopenhagës në sallën e Librarisë Mbretërore "Den Sorte Diamant" në Kompenhagë. Për të, gazeta qendrore daneze Politiken shkruajti:"Muzika e Simakut është energjike dhe plot shkëndija zjarri, me një forcë të brendshme mjaft bindëse, me integritet struktural, dhe një karakter të fuqishëm impresionues" .Në Stuttgart, vepra u dallua qartë jo vetëm në kontekstin e këtij programi, por në të gjithë festivalin. Aq më tepër që kjo është hera e tetë që Shqipëria është përfaqësuar denjësisht në këtë festival. I themeluar më 1923 në Salzburg, ky është forumi më i "vjetër" i muzikës së re, dhe për më shumë se 80 vjet zhvillohet çdo vit në vende të ndryshme të botës. Veprat e Simakut janë zgjedhur nga Juria ndërkombëtare në festivalet e vitit 1995 në Gjermani - për herë të parë një vepër shqiptare zgjidhej në këtë festival prestigjoz - 1999 Rumani, 2000 Luxembourg, 2001 Japoni, 2003 Sloveni, 2004 Zvicer, 2005 Kroaci. Ato janë vleresuar mjaft nga kritika (për më shume ju lutem shikoni linket në website-n e mëposhtme).Këto vepra kanë spikatur dukshëm në shkallë festivali. Kjo shumë mirë mund të ilustrohet me faktin që në raportin kryesor të International Society for Contemporary Music (ISCM) për festivalin e vjetshëm në Zagreb, Hyllus për orkestër ishte nga të paktat vepra që është trajtuar në veçanti në World New Music Magazine të muajit korrik 2006, ku është cilësuar si një vepër "plot fantazi dhe cilësi magjepëse". Ndërsa kritiku anglez i gazetës "The Independent" Keith Potter e cilësoi atë si "një vepër e zotëruar, dramatike dhe çuditërisht me një fuqi individuale". Muzika shqiptare jo vetëm që po paraqitet me dinjitet, por tani "ka hyrë" në Evropë - falë Simakut dhe kolegëve të tij të dëgjuar dhe mjaft të talentuar që jetojnë në Shqipëri apo jashtë saj. Në një bisedë, per ta uruar Dr. Simakun dhe për të mësuar diçka më shumë për këtë sukses, duke falenderuar, ai mes të tjerash shprehet:"Në Stuttgart takova mjaft muzikantë nga e gjithë bota që shprehën mjat interes dhe shpresoj se vepra të tjera do të luhen në Germani dhe gjetkë. (Një ensemble hollandez tashmë e ka vendosur që të interpretojë një veper të re në Mars të vitit 2007 në Koëln dhe që do të incizohet në Radio). Sot sapo kam marrë një kërkesë nga Ansambli Alea III në Boston që do të luajnë një vepër në shkurt 2007. Ndërsa ditën e Diel, më 30 Korrik në Cambridge u dha premiera e veprës "des pas chromatiques – homage à Debussy" nga pianistja japoneze me banim në Londër Sayazu." Para disa javësh Simaku ishte prezent edhe në Selanik të Greqisë, ku iu interpretua vepra per kuartet harqesh Nr. 3 'Voci Celesti' – fitues is Cmimit Lutoslawski Award nga kuarteti i mrekullueshëm "Disonart" dhe pastaj ai u kthye në Londër për premierën e veprës 'Ed e' subito sera' luajtur nga "Uroboros Ensemble" i Londrës.Duke mësuar gjithë keto fakte, gjithë këtë informacion, unë shpesh kam folur e shkruar për Dr. Simakun, dhe i kam uruar sukses, por mendoj se ka nevojën e një vemendjeje më të madhe institucionale shqiptare…..kur bota i gezohet suksesit të tij, Shqipëria, të paktën le të "çlodhet " një moment dhe le t'i gëzohet suksesit të bijve të saj që i rrisin vlerën jo vetëm vetes por edhe kombit…
Per më shumë për Dr. Simakun shihni kete adrese elektronike
http://www-users.york.ac.uk/~ts8

Merita Bajraktari McCormack

No comments: