Thursday, November 02, 2006

Bota e Gruas Shqiptare -Albana M.Lifschin interviste

Intervistoi R.Moisiu


Vështrim i realitetit amerikan nga një shpirt i ndjeshëm njerëzor prej artisteje


Intervistë me shkrimtaren dhe poeten Albana Melyshi Lifschin

dhënë korespondentes sonë në SHBA Raimonda Moisiu.


Kush është Albana Melyshi Lifschin?
Albana Melyshi Lifschin ka punuar si gazetare në televizionin shtetëror për 15 vjet (1977–1992). Ka qenë përgjegjëse e redaksisë së fëmijëve dhe rinisë për një kohë të gjatë por teleshikuesit e ekranit të vogël e mbajnë mend Albanën në emisionet e Arsimit dhe Kulturës; ndërsa në vitin e fundit para ardhjes së saj në SHBA, në ciklin televiziv për ndryshimet demokratike në Shqipëri. Ka qene e para gazetare televizive që intervistoi konsullen Amerikane Barbara Cummings, menjëherë pas hapjes së Ambasadës amerikane në Tiranë. Në nëntor të 1992 vjen në Amerikë, ku angazhohet në studion televizive shqiptaro - amerikane të atëhershme "Victoria". Pas vdekjes së shpejtë të gjyshit të saj Nikoll Melyshi, shtetas amerikan, për të fillon jeta e vështirë e emigrantit të cilën Albana me një karakter të fortë e përballoi jo vetëm me sukses por tashmë ka zënë vendin e saj në radhët e para të intelektualeve tanë në diasporën amerikane. Botuese tashmë e 7 librave, Albana Lifschin lexohet me interes e kureshtje. Pena e saj ka një stil të rjedhshëm, ka vërtetsi e sinqeritet në përshkrimin e ngjarjes dhe karaktereve. Tregimet e saj nuk jane frut i fantazisë por impresion i fuqishëm realitetit amerikan.
Para pak kohësh Albana Lifschin botoi dhe promovoi vëllimin e ri me tregime" Takim me të papriturën'. Poeti e shkrimtari i njohur Agim Shehu në parathënien që i ka bërë vëllimit të Albanës shprehet se libri është "një dritare ku shihen kënde të reja të jetës dhe një shpirt i ndjeshëm njerëzor prej artisteje"

Pyetje: Së pari ju shpreh urimet për librin tuaj të fundit, vëllimin me tregime " Takim me të papriturën" i cili s'ka shumë kohë që është botuar e promovuar në Tiranë. Mund të na thoni diçka reth tematikës së ketij libri?

Përgjigje: Në Amerikë gjithnjë vazhdojnë të vijnë emigrantë të rinj. Të gjithë kalojnë në rrugën e vështirë të njohjes dhe përshtatjes me realitetin amerikan, ndërtojnë ëndrrat e përcaktojnë objektivat që duan të arrijnë për veten dhe fëmijët e tyre. Në këtë rrugë të gjatë e të vështirë, në mënyrë të ngadaltë por të natyrshme përqafojnë edhe idenditetin e tyre të ri, atë amerikan e megjithatë dashuria e malli për vendlindjen mbetet i madh. Është një ndjenjë e thellë e paspjegueshme. Me trup në Amerikë e me mendje e zemër në Shqipëri. Kështu ka ndodhur edhe me emigrantët e parë që erdhën në këtë kontinent. Atëhere thuhej qe ata “trupi e kishin në Amerikë e qafa u zgjatej mbi Atlantik”. Eshtë një temë që nuk duket se ka të konsumuar. Në të kundërtën ende lexohet me interes. Unë jam mbesë e një shqiparo- amerikani, i cili kishte jetuar në Nju Jork për 45 vjet dhe në ditët e fundit të jetës kërkoi të vdiste në atdheun e vet.. Një nga tregimet e librit tim të fundit është edhe " Shamia e zezë" kushtuar gjyshit tim Nikoll Melyshi, padrejtësisë çnjerëzore që i u bë në 1989 duke i refuzuar të drejtën e natyrshme për të vdekur e varrosur në atdhe. U përzu nga qeveria e Ramiz Alisë. U kthye përsëri në Nju Jork, pa përmbushur dëshirën e fundit. U kthye tek ky vend që i dha strehë kur u arratis nga çgënjimi e përplasja e parë me qeverinë komuniste. Eshtë në tregim i ngjeshur për të cilin kam patur madje sugjerime për ta kthyer në roman. Natyrisht do të qe dramatik e ndoshta do të dilte jashte kuadrit të një familje të vetme e përgjithësuar në familjen krenare tipike malësore veriore, e cila e pa me rezerva pushtetin e vendosur pas çlirimit në Shqipëri e pikërisht për këtë arsye u privua e u keqtrajtua prej tij.

Pyetje: Tre vjet më parë botuat "Udhëtim në Historinë Amerikane", dhe këtë verë që shkoi e ribotuat. Eshtë një libër voluminoz, por mjaft interesant. Sa kohë u mori libri, ç’vështirësi patët dhe ç’u shtyu të botonit pikërisht një libër të tillë.

Përgjigje: Idea erdhi krejt natyrshëm. Ato kohë unë isha shumë e dhënë pas historisë së Amerikës, mund të thuash se isha në dashuri me të. Kaloja orë të tëra në biblotekë. Ne kemi menduar se dinim për historinë e Amerikës, por jo. Duke lexuar libra të ndryshëm e të shumëllojshëm gjeta mjaft gjëra interesante që nuk i kisha dëgjuar ndonjëherë. Nuk di pse kur lexoj apo mësoj një gjë të bukur kam dëshirë ta ndaj edhe me të tjerët. Kështu disa nga episodet ia bëra të njohur publikut të diasporës nëpërmjet gazetës Iliria. Ato tërhoqën vëmendjen e lexuesit. Madje, kolegu im, Dalip Greca, shefi i sektorit shqip të gazetës, më tha: Albana, pse s’i mbledh këto e t’i botosh në një libër të veçantë? Kisha filluar ta mendoja këtë, mirëpo ndruaja se të botuara si episode të shkëputura, pa sfondin historik, do mbeteshin si të cunguara e jo fort të kuptushme. Që t’i jepja ato në sfondin e plotë historik do të thoshte t’i hyja një punë të madhe studimore të gjithanshme të historisë së Amerikës dhe personaliteteve të saj, gjë që do të më merrte kohë. Veç kësaj, unë nuk jam historiane, unë jam krijuese, pra qëllimi im në asnjë mënyrë nuk ishte që libri të dilte si tekst akademik. Ky do qe dështim. Unë doja të jepja një histori të gjallë që libri të mund të lexohej më kënaqësinë që të jep një rrëfim gazetaresk apo tregim. A do t’ja arrija dot vallë kësaj? Këtë pyetje ia bëra vetes disa herë. Kam studiuar 62 libra, historike, shoqërore, biografike e letrare. Shkrimi i librit më mori dy vjet plot. Flija vetëm pesë orë gjumë në natë. Atë kohë nuk isha në marëdhenie pune dhe isha krejt e dhënë pas librit..A ia arriti qëllimit? Një kolegja ime e televizionit, Luljeta Tabaku ,para pak kohësh më tha në një bisedë telefonike ” S’më ka bërë vaki të lexoj një libër historik me vëmendjen e pasionin që i kushtojmë një libri letrar ” Libri u vlerësua i dobishëm jo vetëm për emigrantet e komunitetit tonë këtu në Amerikë, të cilët e kanë të nevojshme mësimin e historisë së Amerikës, por edhe për lexuesin e çdo moshe. Duke përfituar nga ky rast do doja të falenderoj edhe një herë e tu shpreh mirënjohjen time të thellë profesorëve të nderuar të komunitetit tonë për leximin e kujdeshëm që i bënë dorëshkrimit të librit, inkurajimin dhe vlerësimin që i bënë punës sime, si Prof. Nikolla Pano, Profesor Peter Prifti, i cili madje e ka parë dorëshkrimin edhe nga ana gjuhësore, Profesor Sami Repishtit, Profesor Hamit Boriçit si edhe Profesor Aleks Luarasit në Tiranë, themeluesit të Universitetit Luarasi. Meritë e veçantë i takon bashkëshortit tim, Polit, që më ka qëndruar pranë deri në fund të kësaj pune e që e përgatiti librin për botim.

Pyetje: Presidentët e Amerikës zënë vend të dukshëm në librin tuaj, si personalitete që i dhanë formën këtij shteti të madh. Cilët nga ata do veçonit si më të preferuar për ju?
Përgjigje: Do veçoja Xhorxh Washingtonin, presidenti i parë i SHBA, babai i kombit amerikan, i cili vendosi precedent për presidentët e ardhshëm. Nuk me hiqet nga mendja testamenti i tij politik ku midis të tjerash këshillonte që Amerika nuk duhet të afrohej shumë me një shtet pasi ky mund ta tërhiqte në konfliktet që ky shtet do kishte me të tjerët. Jam mrekulluar nga Tomas Xhefersoni, autori i Deklaratës së Pavarësisë , për të cilin edhe vete Xhon Kenedi, ka thënë se "hante bukë veç", do të veçoja presidentin e shquar Abraham Linkoln që e ruajti shtetin amerikan nga ndarja e çliroi skllevërit, presidentin Willson, se cilit atdheu ynë i detyrohet veçanërisht, presidenti Delano Rusevelt qe e nxorri Amerikën nga kriza e viteve 30, e që situata e solli që të ishte president për katër herë rrjesht (para dhe pas luftës së dyte botërore), presidentin idealist e demokrat Xhon Kenedi, që mjerisht vdiq nga atentati, si edhe presidentin Kllinton.



Pyetje: Le të kthehemi pak më prapa në kohë, tek libri juaj dy gjuhësor, shqip dhe anglisht : Children of Kosova Stories of Horror "(Fëmijët e Kosoves -Histori te përgjakura"). Unë e mbaj mend këtë libër të botuar edhe në faqet e gazetës BOTA SOT në Zvicër. Rrëfimet e fëmijëve zinin faqe të tera të gazetës. Por më e rëndësishme është që ky libër është aprovuar nga Bordi i Arsimit i Nju Jorkut si tekst shkollor. Mendoj që ky është një nder i madh që ju është bërë. Eshtë hera e parë që kjo ndodh me një autore shqiptare.
Përgjigje: Eshtë e vërtetë që një është një nder i madh, por kur më lindi idea për të shkruar as që më shkoi ndër mend që kjo do të ndodhte. Frymëzimin për “Children of Kosova stories of Horror” e gjeta në Fort Diks, Nju Xhërsi, një bazë ushtarake ku qeveria amerikane vendosi reth pesë mijë refugjatë të përzënë prej regjimit të Milosheviçit nga shtëpitë e tyre. Në këtë kamp refugjateësh unë bëja punën e gazetares së radios dhe përkthyeses njëkohësisht. Merresha me përgatitjen e transmetimin e një programi të përditshëm, prej ore 6PM-deri në 9 PM për popullsinë kosovare, refugjate. Më kujtohet që atyre nuk u pëlqente ky emër (refugjat) dhe ne ishim porositur që të ishim të kujdesshëm në mënyrën se si u adresoheshim të lënduarve nga lufta.. Përveç emisionit të lajmeve që jepja, organizova edhe një program për të vegjëlit të cilin fëmijët kosovare e mbushën me recitimet e tyre patriotike. U miqësova shumë me ta. Ata më rrëfyen historitë e tyre ashtu siç dijnë të tregojnë fëmijët. Ishin ngjarje të dhimshme. Më kujtohet historia e një vogëlushe, Ekzona Shaqirit, atëhere 9 vjeçe, e cila me tregonte se ndërsa ecnin për orë të tëra të lodhur e të uritur kishin parë copa buke të përgjakura në rrugë si edhe një vesh të prerë. Vendosa që këto dëshmi fëminore, reale, pa anësi t’i jepja ashtu siç i treguan ata, me pafajsi e vërtetësi. Në kampin e refugjatëve ato kohë na erdhën letra të panumurta nga fëmijët amerikane, veçanërisht nga shtetet përreth Nju Xhërsit, ku ishim vendosur ne, të cilët u uronin mirëseardhjen fëmijëve të Kosovës, e u jepnin zemër për të ardhmen. Të gjitha kishin vizatime fëminore. Shumë nga ato i përfshiva në libër. Gjithashtu bisedova me kolege amerikane që punuan direkt me familjet kosovare gjatë atyre muajve dhe u kërkova përshtypjet e tyre. Mi dhanë ato më shumë kënaqësi. Ishin përshtypje të sinqerta e të paharruara. Më pas të gjithë ata kur morën në dorë librin e botuar me mbytën me përgëzime. S’e kishin menduar që ajo pune fisnike që kishin bërë do të kurorëzohej e dokumentohej në një libër që do ta kishin përgjithmonë në biblotekat e tyre . Librin e botova në dy varantet shqip dhe anglisht. Për mua ishte e rëndësishme që tragjedinë e Kosovës t’ja jepja opinjonit amerikan, ashtu thjesht të parë nga këndvështrimi i fëmijëve të Kosovës, pa anshmëri. Në se keni parasysh, ato kohë televizionet zienin për luftën në Kosovë e jo të gjithë e quanin luftë të drejtë.


Pyetje: Tani, kur libri juaj ” Children of Kosova…” u aprovua si tekst shkollor, lajmërimi u u bë në gazetën Iliria e u shkruajt për këtë fakt. Si jeni ndjerë me këtë sukses?
Përgjigje: Kjo qe një rastësi. Një mësues amerikan që kish lexuar librin i pat sugjeruar Polit, tim shoqi ,që t’i dërgonim një kopje Bordit të Arsimit të Nju Jorkut. Ai vetë, si mësues i shkollës së mesme e gjeti interesant librin për studime sociale.. Ne kështu bëmë, por sinqerisht as që menduam se libri do merrte vlerësimin që i ua dha. Pas dy muajsh na erdhi një shkresë që thoshte se libri qe aprovuar si 'text book" për klasat 6-12. Tani që të jem më e qartë, unë do ta quaja më saktë tekst sugjerues,jashtëshkollor për studime sociale, jo tekst shkollor të detyruar.Të mos ngatërrohemi këtu. Kështu do kuptuar. Si e ndjeva veten kur na erdhi ky dokument? Gati s’mu besua. Unë kisha bërë një gjë ashtu siç e kisha ndjerë. Shkruaj se ndjej, asnjeherë me synimin për të arritur diçka. Madje si krijuese as në konkurse letrare s’kam marrë pjesë. Libri Children of Kosova Stories of Horror është vlerësuar shumë edhe nga qytetarët amerikane e kam marrë mjaft pershtypje nëpërmjet internetit. Children of Kosova –Stories of Horror, është ekspozuar në internet në faqen time www.geocities.com/annamonti

Pyetje: Ky libër i është dhënë vetë presidentit Bill Klinton me dedikim nga dora juaj Madje u kemi parë edhe ne një fotografi me të. Si ndodhi?
Përgjigje: Në takimin e organizuar nga Këshilli Shqiptaro-Amerikan (NAAC) për nder të Presidentit Klinton për kontributit që ai dha për çlirimin e popullit të Kosovës, ky libër qe vendosur në çdo tavolinë të ftuarisht. Natyrisht edhe në tavolinen ku qe ulur presidenti, përpara tij. Një nga shoqëruesit e presidentit mu afrua me librin në dorë duke më kërkuar të shkruaj dedikimin për presidentin Kllinton. Sinqerisht u emocionova kaq shumë, sa atë moment thashë se s'dija asnjë fjalë anglisht. Por mbaj mend që kam shkruar: “God Bless you Mr. President! Nga ajo darkë, kam kujtim një fotografi ulur në tavoline, në krah te tij. Kur ke nderin të qëndrosh pak minuta pranë njerzve të mëdhenj e bisedon qoftë edhe për pak me ta, ndjen madheshtinë e tyre...Kjo qëndron pikërisht në thjeshtësinë që kanë.

Pyetje :Ju keni botuar një libër me poezi të bukura dhe tepër të vecanta ..por veçantia e këtij libri qëndron se është botuar me pseudonimin Blerta Tirana, pse?
Përgjigje: Unë mendoj që e veçanta e tij qëndron më shumë në sinqeritetin e ndjenjave të "Blertës". Kjo, besoj, është çfarë ka tërhequr lexuesin. Blerta Tirana është thjesht pseudonimi im poetik.
Megjithatë meqënëse se po më pyesni, se përse e kam botuar me pseudonim po u them se e vërteta është se deri atë kohë që hodha vargjet e para në letër s’kisha menduar se do shkruaja ndonjeherë poezi. Pra me sinqeritet vargjet e para ishte një provë dhe këtë provë e bëra me pseudonimin Blerta Tirana, emër që më pëlqen shumë. Më pas lexuesi e deshi Blertën dhe u mësua me të ndaj dhe unë e botova përmbledhjen time poetike me atë emër. Megjithatë në hyrjen e librit lexuesi e mëson se prapa Blertës qëndron Albana Melyshi Lifschin

Pyetje: Një botues tha se nëse do të vlerësosh një autor, shko në biblotekën kombëtare dhe kërko librin e tij. Nëse ka mbetur fringo i ri, kjo s’është shenjë e mirë për autorin. Libri me poezitë e Blertës është vjeteruar nga përdorimi. A keni ndërmend ta ribotoni këtë libër?
Përgjigje: Nuk di ç’të them. E vërteta është që atëhere kur kam shkruar ato poezi kam qenë shumë e frymëzuar. Ngadoqë kthehesha ndjeja nevojën e një lapsi e të një letre. Rallë vjen një frymëzim i tillë. Kjo zgjati nja katër pesë muaj. Edhe vetë kur e marr në dorë poezinë time të asaj vere, them me vete: Une kam qenë kjo? Qe verë e vitit 2000.
Kam shkruar edhe më pas poezi, por jo me atë intensitet e ndjeshmëri. A do ta ribotoj Blertën apo a do të botoj ndonjë libër tjetër të ri poetik, nuk e di, nuk besoj..e megjithatë amerikani thotë “ never say never’. Pra nuk them dot asgjë me siguri.

Pyetje: Ju keni një kohë shumë të gjatë në Nju Jork, e keni qënë brezi i parë i të diplomuarve në gazetari. Eksperienca juaj është e gjerë në këtë fushë ..Gjithashtu përveç arsimimitt që keni marrë në Shqiperi,ju morrët edhe një arsimim tjetër në Nju Jork, me sa kam dëgjuar për drejtësi. Mund të na flisni më gjerë, për këtë fushë të re të angazhimit tuaj ?
Përgjigje: Kushdo që vjen për të jetuar në Amerikë e ndjen se duhet të bëjë një sforco të madhe për të mbijetuar e përpjekur për një jetë normale. Shkolla do bërë patjeter, se të ndihmon. Prej këtu kam një diplomë në bisnes, e pastaj vajta tek NYU(New York University - School of Continuing and Professional Studies) ku studiova për Paralegal. Aktualisht punoj për një zyrë avokatie. Avokati amerikan, Kieran Both,me të cilin punoj, që merret me probleme të emigracionit, ka gjithashtu edhe mjaft klientë shqiptarë. Për tu ardhur në ndihmë emigrantëve të rinj shqiptarë në Amerikë, pothuaj tre vjet më pare iniciova rubrikën e përjavshme në gazetën Iliria, " Çështje të Emigracionit". Eshtë një punë që më pëlqen. Më pëlqen komunikimi me klientët të cilët përpiqem t’i ndihmoj me gjithë zemër. Por po aq a ndoshta edhe më me passion kam mësuesinë. Jap mësim në Globe Institute of Technology, Broadëay, Manhatan, një institut që është ngjitur me zyrën ku punoj. U mësoj anglishten studentëve emigrantë të kombësive të ndryshme. Kështu e gjitha puna ime e përditshme apo krijuese lidhet në një mënyrë a një tjetër me emigrantët.

Pyetje: Në Amerikë ekziston Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikane. Ju jeni ndër anëtarët e para të saj,. Mund të na tregoni për pjesëmarrjen e faktorit femër në të?
Përgjigje: Shoqata e shkrimtarëve shqiparo-amerikane u krijua me inisiativën e poetit Gjekë Marinaj. Unë është e vërtetë që isha një nga krijueset e para që kam qenë pranë tij që në fillimet e shoqatës. Në mbledhjen e parë të saj, organizuar këtu në Nju Jork, ishim vetëm dy shoqe, shkrimtarja e mirënjohur Rozi Theohari dhe unë. Tani pas pesë vjetësh, shoqet janë shtuar e vazhdojnë të shtohen. Janë shtuar emra të rinj krijuesesh të talentuara, si Merita Bajraktari, Iliriana Sulkuqi, Keze Zylo, Teuta Shabani Toëler. Ky është nder për shoqatën, tregon shkallën e emancipimit të saj.

Pyetje: Ju jetoni në Nju Jork, bashkëshorti i juaj është amerikan. Ç’mund të na thoni për kontributin e tij, apo ndihmën që u jep ai në veprimtarinë tuaj.
Përgjigje: Ndihma më e mirë që një bashkëshort i huaj mund t'i japë gruas është së pari ta kuptojë. Dhe këtu nuk flas për të kuptuar gjuhën, por personalitetin e saj. Së dyti, ta pranojë aktivitetin e saj , dhe së treti nëse nuk është në gjendje ta ndihmojë, të mos e pengojë. Unë në të tria këto kam qenë me fat. Poli ma njeh personalitetin dhe përpiqet të më ndihmojë në ndërmarrjet e mia. Jo vetëm kaq, por është krenar për çkam shkruar unë. Madje ka qenë dora ime e djathtë.
Si amerikan, unë e bëra atë të njihte tragjedinë e Kosovës dhe të ndjente për të. Ai dhe jo vetëm ai por edhe vjehrra ime, kur po punoja me librin “Children of Kosova…”, u bënë bashkëpunëtorët e mi më të afërt. Për të qenë më e sinqertë, ime vjehërr ka qenë korektorja e parë e librit.. Për botimin e librit ndihmoi financjarisht im shoq. Ai madje ra dakort që t’i jepnim Këshillit Shqiptaro-Amerikan reth 800 copë libra falas kur kjo kërkesë na u bë.

Pyetje: Me ç’farë po merret tani Albana ? Çfarë duhet të presë lexuesi nga pena e saj?
Përgjigje: Në fakt mua më pëlqen shumë gjinia e tregimit. Më jep mundesinë të transmetoj shumë pa më marrë kohë të gjate për ta shkruar. Por këtë radhë me projektin që kam, do te jetë roman. Por vetëm kaq mund tu them
Faleminderit dhe Ju urojmë suksese!


No comments: