Antikuari që prehet në kufinjë të ekzistencës
Nga Argetina Tanushi
I ndodhur mes ish-bulevardit "Musolin", ose sic quhet sot “Rruga e Kavajës”. Muzeu i Shkencave të Natyrës, një godinë e vjetër, e ndërtuar në vitin 1927, janë bërë shtesa edhe në vitet ‘40-‘41. Nga 20 punonjës shkencorë dhe administrativë, tashmë kanë mbetur vetëm 6 persona. Mbi 3000 ekzemplarë, si kafshë e shpendë të ujit e tokës ruhen në ngrehinën gjithë lagështi e myk që ka mbetur nga godina 70-vjeçare e Muzeut të Shkencave të Natyrës. Teksa shkel pragun e këtij institucioni prej më shumë se një gjysmë shekulli, përpara syve të del një ari i shtrirë në sallon. Anash tij është pavijoni i gjitarëve. Përmes derës gjithmonë të gjysmë e hapur dalloj zogj e shpendë, ekzemplarë nga më të ndryshëm, deti tek ata, klasa e të cilëve thurin simfoninë e tyre mbi çatinë e rrënuar të Muzeut. Ndërkohë që syri shijon shumëllojshmërinë e shpendëve, ndjehet zhurma e mbytur që krijojnë hapat mbi parketin e kalbur. Në një kënd të saj, përmes një dere që ngjan me hyrjen e një shpelle, duket balena, skeleti i famshëm i së cilës është vlerësuar nga të huajt me vlerë prej 250 mijë euro. Në atë pavion, i cili duket si një rrënojë, pa suva dhe me mure të krisura gjenden edhe të tjerë ekzemplarë të cilët mbartin mbi vete secili nga një legjendë. Të tjera shkallë për të ngjitur, të tjera realitete për të prekur. Përmes tyre, kaloj në katin e dytë të ndërtesës ku prek po të njëtin realitet. Ndjehem si në kohët e shkuara, ndjesi kjo që ma fal ambjenti, shumë larg ‘luksit’ të ndërtesave të sotme në Tiranë. Përsëri dy hyrje përballë njëra-tjetrës. Instiktivisht këmbët më drejtojnë drejt hyrjes në të djathtë. Një tjetër pavion më shfaqet para syve, të tjera rrënqethje dhe ndjesi habie konturojnë qënien. Ekzemplarë, për të cilët edhe në dokumentarët më të famshëm nuk kisha dëgjuar të flitej. Kemi të bëjmë kryesisht me botën ujore. Disa ekzemplarë të ballsamosura dhe që mbajnë mbi vete edhe peshën e viteve sikurse edhe vete muret e Muzeut të Shkencave. Vizitorë të pazakontë që kanë prekur ujërat e bregdetit shqiptar, të cilët ruajnë në zgavrat e thella secili nga një enigmë. Lloje të ndryshme gjarpërinjsh ujorë, objektet e xhamta dhe uji në të cilën ndodhen, u jep pamjen e jetësisë së tyre. Në sallën ku gjendet skeleti i balenës së kapur në 1963 në ujërat shqiptare, janë vënë skela druri, për të mbajtur tavanet dhe muret që të mos bien. Ajo rrezikon të mos jetë më aty si dëshmi e pasurisë së natyrës shqiptare. Pavijoni i mineraleve është i mbyllur, nuk funksionon më prej kushteve të vështira të ndërtesës. 40 për qind e ndërtesës tashmë është jashtë funksionit. Vazhdojnë të qëndrojnë të hapura me mjaft vështirësi pavijoni i vertebrorëve ujorë dhe tokësorë, insektet, peshqit, amfibët dhe reptilët, shpendët e ujit, tokës dhe gjitarët. Teksa i vizitoj kafaz për kafaz, në etiketat e zverdhura nga nikotina e viteve mësoj historinë e tyre. Duke ecur takoj rrëqebullin apo fokën, që tashmë gjenden vetëm në muze, pasi në natyrë janë zhdukur. Më tutje pelikanët, rosat, patat, lejleku i bardhë dhe i zi, me një krenari të shprehur përmes mbajtjes së kokës lart. Breshka, gjarpërinjtë, fluturat, të gjitha janë aty në pritje të një dore mbrojtëse.
Përkrah pavionit në fjalë ndodhen zyrat e administratës. Aty, gjejmë Idriz Haxhia, në rrëfimin e të cilit kuptohet qartë lidhja shpirtërore me Muzeun e Shkencave, që prej 40 vitesh. Në një situatë kur fati i Muzeut të Shkencave ndodhet mes ekzistencës, ose jo si institucioni unik në Shqipëri për nga vlerat shkencore, reagimet e Rektoriatit të Universitetit të Tiranës, drejtuesve të Muzeut të Shkencave kanë qënë shumë evidente. Pavarësisht zërave të tyre, ende nuk është bërë asgjë. Indiferenca e politikës shqiptare nuk ka kursyer as të vetmin institucion shkencor i ngarkuar për monitorimin e biodiversitetit - larmisë së faunës. Kërkesa zyrtare, nga institucionet e lartpërmendura, drejtuar Parlamentit, Kryeministrit Berisha dhe presidentit Moisiu, për të përcaktuar përfundimisht ‘fatin’ e Muzeut, as që janë lexuar nga institucionet respective. Të detyruar nga mosreagimi i politikës shqiptare, Muzeu i Shkencave në bashkëpunim me Rektoratin kanë përpiluar një letër, me të cilën do ti drejtohen Gjykatës së Strasburgut. Nuk është hera e parë që subjekte, institucione, apo individë të ndryshëm, të zhgënjyer nga Organet e Drejtësisë dhe politikës shqiptare, i drejtohen Gjykatës së Strasburgut........
No comments:
Post a Comment