Monday, January 22, 2007

Bota e Gruas Shqiptare-DRENUSHA ZAJMI HOXHA-POEZI

Drenusha Zajmi Hoxha

MASHTRIMI


S’kam arritur akoma n’ ishullin e dëshirave
Kot i rrah velat e shpresës , kësaj mashtrueseje
frika e së panjohurës i tremb,
thuhet se fshihet mes dallgëve shkumëbardhë
të jetës, që e rrahin e përgëdhelin
me dashuri që dhemb
Ose vetëm gojëdhënë është…vetëm fjalë që marrin dhenë
Askush në ishull s’ka qenë

Lundroj si e harlisur dhe në trans
dëgjoj unin tim kah flet nëpërmjet zërit
Dridhem pa ndonjë ndjenjë fizike të mërdhirjes nga të ftohtit
Blej dhe mbaj vuajtjen e këtyre botërave , që t’iu lehtësoj
Mos të heqin dorë, kurrë
Ashtu siç unë hoqa , kur shijova pjekurinë time dhe
mbeta pa motive të mëtutjeshme
për të luftuar me të paqenën
dhe atë që ndoshta s’do të jetë

Mos qofsha o Zot , por
a thua vallë ta kenë fundosur këtë oazë deti
pikërisht ëndërrat e mia vrastare, përbindësha
krijuar nga vet ana tjetër e imja, që përbuzë fuqishëm
dëshirën e brishtë si flaka e qiririt në erë
të vdekshme si vet njeriu
kurrë s’do ta takoj përgjegjen , e ulur në fronin
e mbretërisë së brigjeve të panjohura
Asnjëherë, jo, asnjëherë….

Shoh burime të shterrura, oaza pa ujë
Habitem se etje s’ndjej, fyti nuk më thahet
Askund një copë bukë, por uri nuk ndjej
Shoh vaj, gëzim, lotë në fytyrat e frikësuara
Zhurmë e tmerrshme ndihet nga botë e lëvizshme plot krijesa
S’kam emocione, flej jonatyrshëm e qetë
Lum si unë o njerëz!
Nuk qenkam më në jetë.

Ju që mendoni se njeriu vet e farkon fatin
Me guximin e palodhshëm në shënjestër të dështimeve
Ose ju që mendoni se jeta është e shkruar
E gjitha gënjeshtër është, gënjeshtër!
Për të dobëtin, njeriun, i vetmi ngushëllim
As dashuria e zjarrtë nga parajsa nuk është
Por nga ferri i përvëluar
Nuk ka lutje më të duhur, se një
vetëm një e vetme
Që jeta t’ju kalojë, shpejt si një vegim

No comments: