Letër nga nëna
Oh, çmë dogji shpirtin kjo letër,
gëlltita një gotë të tërë me lot,
por kotka e mallit poshtë s’u shtytka
në grykë më ngeci, s’e kalova dot...
“ Na iku edhe kjo verë bij’o, na iku
sot u bënë tre vjet, plot tre.
Të kujtohet? Kur shkove tët mbesë ,
Anën, foshnjë tre muajshe e le.
Tani me të motrën, një vit më të vogël
Lozin, ngacmohen, qeshin zëmërohen
Vrapojnë.. dy gurë bashkë nuk lenë,
tërë pluhurin oborrit ia ngrenë..
Ana, më e madhja, më ngjan ka tipin tënd,
aty qan, aty këndon, aty na le pa mend
Kjo e vogla do të bëhet si yt vëlla
ëngjëll e ka nëna , më të urtë nuk ka!
Rend pas të madhes, i adhurohet ,
paçka se lodhet, paçka se rrëzohet,
pastaj ti shikosh të dyja kokë më kokë
librat me figura hapin, ato që u ke çuar ti.
Ngrenë zërin bëjnë sikur lexojnë
fjalët e gërmat që asnjera s’i di, e vijnë
vijnë tek unë e më kërkojnë përalla.
Më ulen në prehër, ti shikosh si gëzohen
e kur më mbarohen të shkretat përalla
më pyesin: O nëna, kur do të vijë halla?
Ndaj bëj si të bësh e hajde moj bijë,
për mbesat që po rriten e duan të të njohin
Për ne të tërëve që na dogji xhani...
E dijmë o bijë që dhe ti nuk je pa halle,
por s’paska hall më të madh se MALLI!
Poezi nga vellimi " Dje preva floket..."
Pse të dua ty?
...sepse ti prure tek unë
thesarin e rinisë sime
që unë e kisha kyçur,
e kyçin e kisha fshehur,
harruar e humbur diku...
Si munde ta gjesh ti?
* * *
Pse erdhe kaq vonë?
Pse erdhe kaq vonë tek unë?
kur gruri u korr e në fushën e përvëluar
mbeti vetëm kashta?
Pse erdhe kaq vonë tek unë,
kur edhe dera e fundit
u mbyll dhe dimri të la përjashta?
* * *
Moment
U ktheve një moment
sa të shkëmbenim lotët,
vetëm për një sekondë
sa të më ngrije kokën
U largove i kërrusur
duke mallkuar botën
* * *
Mëngjez vere
Karriket plastike mbetur në oborr
harruar aty që nga mbrëmja,
drita ndezur harruar po ashtu,
gërhitje e njerëzve vjen nga brenda
E vetme shëtis ne avenju N,
me çap të lehtë kthehem pas
në heshtje qortoj botën që fle,
nuk kam askend me kë të flas.
Korrik, 2001
* * *
Shpirti i Poetes
Mbrëmë një gotë verë
piva me një poete
Pashë si shpirtin
magjisht derdhi në gotë
Vjedhurazi gotët i shkëmbeva
dhe shpirtin ia mora me vete
13 Prill, 2007
* * *
Puthja
Dy herë hyra sot në dush
dy herë dola...e tharë
Puthjen që më le në gushë
Nuk desha uji të ma marrë
* * *
Dashuria e Gruas
Vetëm
një momenti
duhet gruas
të bjerë në dashuri,
ai mund të jetë
moment:
admirimi,
sinqeriteti,
boshllëku,
përngjasimi,
egzaltimi,
rrefimi,
keqardhje,
pranvere,
rinimi,
iluzioni,
hakmarrje,
nevoje.
Vetëm nje moment,
për të ngecur
në grackën e saj
e rreth tij të endë
fijen e mendimit tërë jetën.
* * *
Dje preva flokët
I dashur,
dje preva flokët,
flokët e mi të gjatë
që aq shumë i doje ti
flokët që të mbulonin
gjoksin mbrëmjeve
tek vija kokën
tek ty.
I dashur ,
dje preva flokët
të të harroja ty
I pashë si u këputën,
si ranë,
një fshesë i mblodhi
bashkë me plehrat,
tutje i hodhi...
Sot u zgjova
flokë prerë,
qafëzbuluar,
fytyrë e çudiçme,
në pasqyrë
shpërfytyruar
aspak e lumtur
aspak e qeshur
vetes ngërdheshur,
pa ty dhe pa flokët
dy herë e çveshur!
* * *
No comments:
Post a Comment