Saturday, March 29, 2008

Bota e Gruas Shqiptare-DRENUSHA ZAJMI HOXHA-POEZI

Drenusha Zajmi

MË DUAJ PA MË NJOHUR



Më duaj pa më njohur mik,

emri im s’ të duhet, është vetëm një shenjë

grumbull shkronjash, mbledhur për t’më identifikuar

si qenje, si numër mes numrash,

si gjithçka e si asgjë, si dikush e si askush vërejtur,

Më duaj, pa më njohur mik i mirë

rruga ime sot, e jotja nesër është

janë gjurmët e atyre, që dje aty i kanë lënë

ti mos kërko ta dijsh ku jam, as ku do t' kem ikur

As mos gjurmo për atë, që kam bërë e që s’kam arritur

mos m’ thuaj se jam e mirë a e keqe, për asgjë mos më gjyko

as mos kërko t’më shohësh, se veç parë më ke

jam pasqyrë e jotja, reflektuar në miliona të tjerë

Pa më njohur, si njeri më dashuro



Më duaj pa më njohur mik apo mike

fytyra ime është veç edhe një maskë më tepër, që

mbulon trishtimin me buzëqeshjen vizatuar,

edhe sytë gënjeshtarë janë, ata vetëm shohin ose jo

të gjelbër, të zi, të kaltër, shpirtin nuk e pasqyrojnë

se ai i dashnorit ose bëmirësit ose atij që nuk jeton për vehten

banon në trup të huaj, ndaj

Ti mos kërko as brenda meje,

as jashtë,

rrudhat e mia nuk mbajnë libra historie, as kronologji

për sa lumturohem, a jetoj si mbretëreshë, a qeshem, a vuaj

jam vetëm Unë, mik i dashur, brenda meje je ti ose ai ose ato

nuk ka rëndësi

Ti pa më njohur, më duaj.



Mos kërko t’më shijosh, trupi im s’ ka trajtë

unë jam vetja yte, jam ai që të ka mbjellur

jam e bukur, e shëmtuar, jam e re, e vjetër

jam e fortë, jam e rrënuar,

jam edhe ajo, që në botë të ka sjellur,

si Ti jam, por edhe si dikush tjetër

gjithkund më ke, edhe sot edhe nesër edhe dje kam qenë

Më duaj mik sa kam jetë , por jo si jetoj, mos dëshiro të dish,

paranë, mike a e kam apo rrugëve leckosur bredh

në kam njerëz rreth meje apo i vetmuar e agoj ditën

a jam në perendim apo hapat sapo i hedh

a frymoj akoma apo tokës i shtrirë nën të, frymë i jap

Mos kërko t’më prekësh as kur trupi të më jetë ftohur

unë sërish kam lindur e rilindur, ndaj mik i dashur ti

Më duaj pa më njohur.

Thursday, March 27, 2008

Bota e Gruas Shqiptare-ROZI THEOHARI-PERSHKRIM

BOSTONI HISTORIK HAPI DYERT E FESTËS PËR KOSOVËN E LIRË

Nga ROZI THEOHARI—Boston

Pavarësia e Kosovës u bë realitet. Ëndrrat, përpjekjet, durimi,
betejat, diplomacia u kurorëzuan me shtetin më të ri në botë,
Republikën e Kosovës! Për të kremtuar këtë ngjarje të madhe, më 26
shkurt 2008 shqiptaro-amerikanët e Bostonit dhe të rrethinave të tij u
mblodhën në një banket manifestues organizuar nga Shoqata e Shqiptarëve
Kosovarë, nga z Stefan Koçi, Konsulli i Nderit i Pergjithshem i
Shqipërisë në Massaçusetts, nga Shoqata MAAS/BESA dhe nga Këshilli
Kombëtar Shqiptaro-Amerikan. Bostoni historik, i përmendur si vendi i
parë i mbërritjes së emigrantëve shqiptarë 100 vjet më parë, Bostoni
shekullor i qindra shoqatave patriotike dhe manifestimeve te zjarrta që
mbajtën gjallë vetëdijen tonë kombëtare, Bostoni i paharruar i “Vatrës”
dhe i “Diellit”, i Fan Nolit e i Konices, i Anton Athanasit dhe qindra
patriotëve të tjerë shqiptarë, kësaj here hapi dyert e Festës për një
gëzim të jashtëzakonshëm, kremtimin e Pavarësisë së Kosovës. Si
bashkatdhetar, që ndjen ne deje të të rrjedhë gjak shqiptar, krenohesh
me këtë ngjarje të mahnitshme që rrallë e sjellin shekujt, krenohesh ta
ndjesh historinë si parakalon para teje, ngazëllehesh ta prekësh
historinë...
Ceremonia e pavarësisë u zhvillua në veri të Bostonit, në St
Miçael’s Hall të Lynn-it dhe ky ishte një nder për qytetin patriotik
të emigrantëve të parë përmetarë e korçarë. Megjithëse takimi fillonte
në orën 7 PM salla ishte gati përgjysmë qysh në orën 5:30 PM;
shqiptaro-amerikanët takoheshin me njeri-tjetrin përqafoheshin dhe
uronin “Gëzuar Lirinë!”. Në tribunën qendrore ishin varur dy parrulla :
“URIM PAVARËSIA” dhe “THANK YOU, USA”. Në muret e skenës ishin varur
flamuri shqiptar, flamuri kosovar dhe ai amerikan. Një pllakat i madh
me fotografinë e Adem Jasharit dhe shkrimin “ BAC, U KRY” ishte
vendosur në qendër të skenës, ndërsa anash ishin fotografitë e Rugovës,
Nënës Terezë dhe piktura ne bazoreliev e Skënderbeut. Orkestra, e
përbërë nga një grup shqiptarësh të Bostonit, luante melodi nga muzika
popullore shqiptare. Të tërhiqnin vemendjen fëmijët veshur me kostume
kombëtare e plisin e bardhë në kokë dhe te rriturit, sidomos gratë dhe
vajzat e reja veshur me ngjyrat kuq ezi. I afrohem nje tavoline ku
është ulur një djalosh kosovar, Valer Mehmeti, me të atin, Ademin.
Valeri, 14 vjeç, që ka veshur një kostum të bukur kombëtar e që flet
shumë mirë shqip, ka ardhur në Boston familisht me refugjatët kosovarë,
më 1999, kur ishte në moshën pesë vjeç. Tani ai është një nxënës i
dalluar në mësime, vazhdon edhe shkollën shqipe dhe përshëndet: “ Jam i
lumtur sot në këtë ditë të festës ashtu siç janë të lumtur dhe gjithë
femijët e Kosovës . Unë gëzoj sot për lirinë e Kosovës e dëshiroj që
bashkë me mua të gëzojnë dhe gjithë fëmijët e botës, sepse liria është
ajo çka u duhet ma shumë fëmijëve.” Ademi, i prekur nga fjalët e të
birit, më tregoi se dy vjet më parë kur ndodhej për vizitë në Gjilan,
shkoi ne nje dyqan artizanati e i tha shitësit : “ Dua një kostum
kombëtar për tim bir që ta veshë në ditën e Pavarësisë së Kosovës.”
Shitësi, i habitur, i kishte thënë: “Beson ti se do ta fitojmë
pavarësinë?” Ademi i ishte përgjigjur: “ Unë kam besim te pavarësia,
sepse ne që banojmë në Amerikë e ndiejmë nga afër interesimin dhe
ndihmën e Amerikës për lirinë e Kosovës.”
Sapo mbërritën shqiptarët kosovarë nga shtetet e largëta, e
takova njerin prej tyre, Emrush Beqirin, nga shteti i Meinit. “ Nëse
një popull duroi dhe ia arriti me pritë këtë ditë, këta janë
shqiptarë!,- tha ai, e vazhdoi- Nuk ka fjalë që përshkruan gëzimin tim
dhe falënderimin për miqtë qe na ndihmuan...Thuhet, “miku i mirë njihet
në ditë të vështira” dhe populli shqiptar tash e din se cilët janë
miqtë e tij...Kam pasë fatkeqësi në jetë...nana m’u vra ne luftë, në
Kosovë, vetë i shpëtova pushkatimit mrekullisht...Po të kisha vdekë do
të më mbeteshin sytë çelë pa e parë këtë ditë!”
Ndër të ftuarit e tjerë takova Mehmet Himën nga Çamëria, i cili
kishte ardhur ne festë familjarisht. “Kam jetuar ditën më të bukur të
jetës sime!, ta gëzojë Kosova lirine..., u nis rruga edhe për
Çamërinë!”, përshëndeti ai i perlotur. Në një tavolinë aty pranë
përshëndeti e uroi edhe mirditorja Marije Kola, e cila kishte ardhur
nga Shqipëria si vizitore. Kostumi karakteristik mirditor i Marijes
shkonte për bukuri me kostumet krahinore kosovare me të cilat ishin
veshur vajzat valltare të Lynn-it.
Shumë të ftuar kishte ajo sallë atë natë, por shqiptarët dallonin
nga të tjerët nga “çehrja e gëzimit” dhe xixëllimi i syve. Mbrëmjen e
nderuan me ardhjen e tyre z Aleksandër Sallabanda, ambasador i
Shqipërisë ne Vashington DC dhe z Arian Spasse, sekretar i ambasades.
Merrnin pjese gjithashtu intelektualë , shqiptaro-amerikanë të brezit
të vjetër e të ri dhe miq e te ftuar amerikanë nga Nju-Jorku,
Konektikat, Meini, Nju-Hemshri e Massaçusettsi. Pjesëmarrësit më të
shumtë ishin shqiptarët kosovarë dhe shqiptaro-amerikanët nga Bostoni
dhe qytetet perreth, Lynn, Marblehed, Svampskot, Kuinci, Somervile,
Pibadi, Uster, Medford, Lankaster, Malden, Melrose etj. Nder te ftuarit
kishte miq nga komunitetet ruse, turke etj. Mbrëmjen e hapi z Stefan
Koçi, Konsulli i Nderit, i cili u uroi të gjithëve mirëseardhjen..
Pastaj sekretari i Shoqatës së shqiptarëve kosovarë, Afrim Hoxha dhe
studentja Imrije Grajqejfi i ftuan pjesemarresit në sallë të
ngriheshin në këmbë për nder të Himnit Amerikan, në shenjë respekti për
ndihmën e madhe e të paçmuar që Amerika i dha Kosovës. Himni Amerikan,
i cili u këndua nga dy vajza kosovare, u pasua nga Himni Shqiptar
kënduar nga kori i vajzave kosovare dhe nga e gjithë salla.
Në përshëndetjen e tij, shqiptari kosovar Hafiz Kabashi, ndër të
tjera tha: “Sot, bashkëkombës të dashur, po thithim frymën e lirisë së
dëshiruar, për të cilën janë martirizuar shume shqiptarë gjatë
historisë sonë të largët e të afërt...Sot e gjithmonë shpirtrat e tyre
bëjnë dritë si yjet e shndrisin si fishekzjarre në qiellin e
Kosovës-shtet....Falë gjakut të tyre,...falë popullit të madh të
Amerikës dhe botës demokratike erdhi dita e madhe e historise sonë
kombëtare, erdhi fillimi i jetës së lirë...në gjirin e qytetërimit
evropian, të qytetërimit, të cilit i përkiste më shumë se 2000
vjet...Tashmë shqiptarët kanë hapur një faqe të re në historinë e tyre,
ku fjala “humbje” e ka humbur nocionin e vet...” Pastaj z Kabashi i
ftoi të pranishmit të ngriheshin në këmbë për të mbajtur një minutë zi
në kujtim te dëshmorëve.
Mes duartrokitjesh, Albana Orgocka, bashkekryetare e shoqatës
MAAS/BESA lexoi një përmbledhje të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.
Në përfundim të leximit te Deklaratës, mes emocionesh, hyri në sallë
një grup fëmijësh veshur me kostume kombëtare, të cilët mbanin ne duar
flamurin e Kosovës, flamurin kombëtar shqiptar dhe flamurin e Amerikës.
Të tre flamuret u vendosën në pjesën e sipërme të tribunës ndërsa
pjesëmarrësit duartrokisnin dhe bërtisnin të entuziazmuar “Kosova
Pavarësi!”. Mes brohoritjesh u shfaq në skenë grupi i dëgjuar i
valltarëve “Bashkimi” të Bostonit, i cili e filloi programin me vallen
e re “Kosova”. Kjo valle, e ideuar dhe e trainuar nga kryetari i grupit
dhe koreografi i pasionuar z Bashkim Braho, i preku te pranishmit në
sallë, solli tek ata ngazëllim, gëzim e krenari, duke shoqëruar ritmin
e kërcimtarëve me përplasje duarsh. Ndërkohë në tavolinat e
rrumbullakta ku ishin fiksuar tre flamurë të vegjël, ai amerikan,
shqiptar e kosovar, filluan te servireshin pijet dhe ushqimet e
shijshme të gatuara nga amvisat kosovare. Urimi “Gëzuar Pavarësinë e
Kosovës” u shoqërua me trokitjen e gotave të shampanjës mes miqve e të
ftuarve.
Në vazhdim te programit e mori fjalën i perndershmi At Artur
Liolini, kancelari i kishës shqiptare ortodokse te Shen Gjergjit në
Boston. “Shkurti është muaji më i shkurtër, por për kosovarët është
kujtimi më i gjatë”, tha At Arturi. Më tej ai vazhdoi: “ Përshëndesim
shpalljen e pavarësisë së Kosovës me gëzim dhe lutje, sepse u vendos
drejtësia e një populli të vuajtur prej shumë kohësh në një rajon
thellësisht të tronditur. Kemi ndjekur me shqetësim shpalosjen në
dekada të historisë së Kosovës dhe tani lutemi për të gjithë që do të
punojnë me integritet dhe përkushtim në qeverisjen e shtetit të ri.
Udhëtimi drejt shtetësimit ka qenë i gjatë dhe i vështirë, ngarkuar me
pengesa dhe pasiguri, sakrifica dhe heroizëm, si edhe shpresë e synim
për një jetë të paqtë dhe të sigurt. Detyrat aktuale sapo kanë filluar,
ndërsa Kosova përballet me sfidën e ndërtimit të një shoqërie të bazuar
në garancitë e kushtetutës, të drejtat qytetare dhe njerëzore dhe do të
fitojë respektin dhe besimin e kombeve...Si shqiptar ortodoks i
krishterë, unë lutem që të gjithë njerëzit perëndidashës të Kosovës,
pavarësisht nga etnia apo bindja fetare, të gëzojnë të drejtat,
privilegjet dhe përgjegjësitë që u janë akorduar qytetarëve të
republikës më të re të Evropës.”
Pas At Arturit e mori fjalën i nderuari episkop Ilia Ketri, i
cili tha: “- Ndiej gëzim për ftesën që më dërguat...Në manifestimin e
sotshëm ne marrim pjesë me të gjithë shqiptarët e mbarë botes për këtë
ngjarje të rëndësishme, per pavarësinë e Kosovës. I lutemi Zotit te
madh të bekojë Kosovën, udhëheqësit e saj e gjithë popullin, me ecuri,
paqe e përparim për zhvillimin e shtetit të Kosovës. Rroftë Kosova e
pavarur!, Rrofte Shqipëria!, Rroftë Amerika!”
Në vijim u dëgjua me interes dhe duartrokitje letra
përshëndetëse e dërguar nga Senati amerikan, nga senatori John F.
Kerry, të cilën e lexoi Guljed Birce, një djalë shqiptar që punon për
senatorin Kerry. Guljedi ishte veshur me kostum kombëtar shqiptar. “ Ju
kërkoj ndjesë që nuk pata mundësi të vija të festoja tok me ju festën e
Kosovës së lirë, të pavarur e demokratike, për të cilën ju pritët dhe
ëndërruat gjatë.- shkruante senatori,- Unë ndodhem pranë jush në këtë
darkë dhe jap suportin tim për popullin e Kosovës, shtetin e tyre të ri
që po frymon për herë të parë me dëshirën që të plotësohet sa më parë
ndërtimi i një shoqërie që nderon dinjitetin njerëzor dhe afirmon
krenarinë dhe qëllimin e qytetarëve të saj.” Më poshte letra vazhdon:
“Miqte e mi, mori fund ankthi i Kosovës. Ëndrrat e kosovarëve, ëndrrat
e gjyshërve tuaj, ëndrrat tuaja dhe të fëmijëve tuaj së fundi u
realizuan. Ato u plotësuan sepse ju asnjëherë nuk pushuat së
ëndërruari, pa marrë parasysh errësirën që ju kishte plakosur...Ju nuk
pushuat kurrë së tërhequri vemendjen e të tjerëve, ju nuk e humbët
besimin, ju nuk e ndalët punën...I drejtohem popullit të Kosovës dhe
juve, pjesëmarrësve të këtij takimi, sonte, duke ju dërguar urimet më
të mira që dalin nga zemra ime, me shpresa për të ardhmen tuaj. Ju keni
fituar lirinë. Tani keni në dorë fatin...e shtetit tuaj te ri.” Në
mbarim të leximit të letrës të pranishmit duartrokitën duke thirrur:
“USA!”, “ USA!”
Me nderim u prit përshëndetja e dr. Aleksandër Sallabandes,
ambasador i Shqipërisë në Vashington DC. “ Të nderuar bashkatdhetarë!
Është një nder dhe privilegj për mua që në emër të ambasadës shqiptare
në SHBA të përshëndes komunitetin shqiptar të Bostonit me rastin e
festimit të Pavarësisë së Kosovës”, - tha z Sallabanda. Më tej ai
theksoi se Shqipëria është e sigurt dhe e bindur se Kosova e pavarur,
shumëetnike dhe demokratike, që bazohet në zbatimin e planit të
Ahtisarit, brenda kufijve të tanishëm, e orientuar drejt integrimit
euro-atlantik, është zgjidhja më e drejtë e më e qëndrueshme jo vetëm
për paqen dhe stabilitetin e Kosovës por për gjithë rajonin e Evropes
Juglindore. “Qeveria shqiptare e konsideron krijimin e shtetit të
Kosovës një ngjarje historike që sanksionon të drejtën e popullit të
Kosovës për të vetëvendosur, që e bën Ballkanin më të lirë, më të
drejtë e më të sigurt se kurrë ndonjëherë në historinë e tij
shekullore”- tha zoti ambasador. Më tej ai shtoi se pavarësia e Kosovës
është rezultat i mundit dhe i djersës së popullit heroik e paqedashes
të Kosovës, i figurave legjendare si Ibrahim Rugova, Adem Jashari, i
bijve dhe bijave të Kosovës dhe kombit shqiptar që me shembullin dhe
idealin e tyre u bëne udhërrëfyes politikë dhe shpirtërorë... Pavarësia
e Kosovës është frut i protagonizmit të patjetërsueshëm të SHBA në
mbrojtjen e të drejtave të popullit të shumëvuajtur e liridashës të
Kosovës. Pavarësia e Kosovës është frut i vendosmërisë së patundur të
SHBA dhe aleatëve të saj, i punës së palodhur të organizmave të OKB dhe
i diplomacisë ndërkombëtare...” Zoti Sallabanda theksoi se mbeshtetja e
Amerikës për kombin shqiptar kalon pa dyshim edhe nëpërmjet kontributit
të paçmuar të diasporës shqiptare në SHBA, e cila ka qenë një urë
lidhëse e fuqishme me vlerat e demokracisë amerikane. Ai nenvizoi se
patriotizmi i shqiptareve të Amerikës ka qenë dhe është një garanci e
fuqishme e mbështetjes së SHBA për Kosovën dhe kombin shqiptar. Zoti
ambasador përshëndeti : “ Edhe sot, kjo festë madhështore e organizuar
nga ju për nder të pavarësisë së Kosovës, është një tjetër dëshmi e
ndjesisë së madhe që kanë shqiptarët e Amerikës për mbrojtjen e
interesave kombëtare...Më lejoni që t’ju uroj edhe një herë për
pavarësinë e Kosovës, t’ju shpreh mbështetjen e ambasadës, si dhe t’ju
uroj suksese në aktivitetet e ardhshme kombëtare.”
Fjala e ambasadorit shqiptar u prit me duartrokitje dhe thirrje
te gëzuara “Kosova e lirë!” Pastaj Ilir Begolli lexoi letrën që
Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan dërgoi në këtë darkë. Në vijim,
Nexhat Ibishi, përshëndeti në emër të Shoqatës së shqiptarëve
kosovarë...Në sallë pasuan thirrjet ” USA!”, “USA!’ kur në podium u
ngjit për të përshëndetur gjenerali amerikan BG(Ret.) Martin Lucenti
Sr. “...Mirëmbrëma...Mua do të më pëlqente të uroja sonte “Gëzuar
Ditëlindjen Kosovë!” Jam një pensionist i ushtrisë amerikane. Gjatë
shërbimit ne Ballkan në vitet 1999-2000 kam qenë në Shkup—Maqedoni.
Gjatë asaj periudhe unë pashë vuajtjet dhe stërmundimet e shqiptarëve
të Kosovës. Prandaj jam kaq i lumtur të ndodhem sonte mes jush dhe të
festoj me ju marshimin tuaj drejt pavarësisë..Populli amerikan e kupton
se fjalët “pavarësia” , “liria”, “vetëvendosje” nuk janë vetëm fjalë.
Këto fjalë dhe kuptimi i tyre janë baza e shpresës dhe e ëndrrës që ka
një popull kur ato kthehen në mundësi dhe prosperitet. Ne gjithashtu i
kuptojme sakrificat tuaja që keni bërë për të arritur qëllimin tuaj,
plotësimin e kuptimit të këtyre fjalëve...Unë u ndjeva jashtëzakonisht
krenar kur vendi im, Amerika, hodhi shpejt një hap para dhe e njohu
pavarësinë e Kosovës. Kur ndodhi kjo nuk kishte debate ne SHBA, kishte
vetëm një ndjenjë në zemrat e popullit amerikan, dhe kjo ishte: “Urime
popullit të Kosovës!” Pasi përmendi angazhimet dhe detyrat që i dalin
shtetit të ri të Kosovës për të ardhmen, gjenerali përfundoi: “Duke
vazhduar progresin tuaj për një të ardhme më të mirë për fëmijët tuaj,
ju do të gjeni mbështetjen e një numuri vendesh të tjera të botës, te
cilat praktikojnë parimet e demokracisë e të vetëvendosjes...Ju keni
treguar një kurajo të jashtzakonshme dhe, në emrin tim, në emrin e
familjes sime dhe në emër të amerikanëve që kanë opinionin tim, ju
dergoj përshëndetje! “I salute you!”
Ndoshta ishte surpriza më e bukur e mbrëmjes kur një nuse e re
kosovare me origjinë maqedonase, me vajzën e saj disamuajshe në krahë,
kaloi mes tavolinave, u afrua te podiumi dhe zgjati dorën e vogël të
foshnjës të prekte flamurin kosovar, atë shqiptar dhe amerikan. Ishte
një tejndjeshmëri, e cila më çoi 100 vjet prapa në kohë, duke kujtuar
Fan Nolin, i cili pagëzoi një vajzë tetovare të diasporës. Është tepër
domethënëse: vaji i pagëzimit me të cilin Fan Noli dikur lyente
fëmijët, sot është kthyer simbolikisht në balsamin e dashurisë dhe të
zemerdhembshurisë për mbarë kombin shqiptar, në përjetësimin e
ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve.
Në korridorin e jashtëm të sallës takova disa vajza e nuse të reja
kosovare veshur me çitjane të bardha të mëndafshta dhe jelekë të
shkurtër të qëndisur me ar. Të rejat ishin te bukura e të zhdërvjellta
si flutura, tërë lëvizje e shkathtësi, gati për të filluar vallen
krahinore. Bahrija dhe Hyjrija, dy valltare veshur me të bardha dhe me
zbukurime monedhash metalike të praruara varur te flokët, ndienin
ngazëllim e u rrihte zemra nga padurimi për të shpalosur folklorin e
tyre kosovar para të ftuarve. “Jo thjesht, do të luajmë një valle, por
me levizjet tona do të shfaqim gëzimin e lumturinë tonë për këtë festë
e do ta ndiejme veten sikur vallzojmë në qendër të Prishtinës,” thanë
ato. Gërneta, luajtur nga një muzikant virtuoz shqiptar, i ftonte të
gjithë në valle. Adem Belliu ishte i kudondodhur në sallë. Nuk mund të
le pa përmendur ndihmën dhe gatishmërinë që dhanë organet e shtypit dhe
të televizionit shqiptar të diasporës për përgatitjen e kësaj
mbrëmjeje. Gazetari i emisionit “Kultura Shqiptare” ne Nju-Jork, z Adem
Belliu, me gjithë motin e keq, erdhi posaçërisht për këtë festim.
“Shtypi në SHBA ka treguar një interes të madh për pasqyrimin e
festimeve në Boston, -tha ai,- Unë erdha në Boston, sepse kam një besim
shumë të madh në përgatitjet që bën ky komunitet. Ju tregoni që jeni
gjithnjë të bashkuar dhe punoni shumë mirë me njeri-tjetrin, si këtu në
Boston, edhe kur merrni autobuzët dhe vini në Nju-Jork. Është shumë
kënaqësi të vish në Boston.”- tha z Belliu...Gazeta Illyria gjithashtu
ka qenë e pranishme jo vetëm për të pasqyruar ngjarjen, por edhe për të
ndihmuar për përgatitjet. Redaktorët e Illyria-s kanë qenë gati në
telefon dhe email për të gjetur fakte, ngjarje, adresa, apo fotografi
të ndryshme...Televizioni shqiptar i qytetit të Usterit,Mass, ka qenë
në gatishmëri për të pasqyruar ngjarjen. Gazetari Arben Kamberi mblodhi
materiale të shumta për të pasqyruar këtë festim të madh në Uster, në
kanalin 13.
Pas një pushimi të shkurtër foli z Stefan Koçi, Konsulli i
Nderit i Pergjithshëm i Republikës së Shqipërisë në Massaçusetts. Z
Stefan Koçi përmendi se kishte pasur një komunikim me familjen e tre
vëllezërve Bytyçi—dëshmorë të pavarësisë së Kosovës, të ekzekutuar në
Kosovë nga serbët. Familja Bytyçi i dërgonte mbrëmjes solemne të
Bostonit përshëndetje dhe urime. Në fjalën e tij z Stefan tha: “ Ta
gëzojmë këtë ditë ku 17 Shkurti 2008 bashkohet me 28 Nëntorin 1912, por
edhe me 4 Korrikun 1776!. Bashkimi dhe ngjashmëria e këtyre tri datave
nuk është thjesht simbolike, është rrënjësor. Shikoni flamuret e
Kosovës, të Shqipërisë dhe të Amerikës në tërë botën! ...Këtë bashkim
jemi mbledhur te festojmë sonte...Ne po krijojmë një faqe të re në këtë
libër të madh festiv që do të shtohet për çdo ditë, qysh nga momenti
kur Kosova e re jeton si shtet i pavarur.” Më tej ai theksoi se sot,
Kosova del nga lufta e lirë, por edhe paqësore. Eshte kjo një tjetër
lidhje, ndoshta po aq e fortë sa falënderimi për pavarësitë, që
shqiptarët kanë me 4 Korrikun 1776. Nuk është vetëm ndjenja e
falënderimit që i bën shqiptarët të shpalosin flamurët amerikanë
ndoshta më shumë se gjithë shtetet e botës së bashku. Shqiptarët kanë
përqafuar po ato parime të paqes, tolerancës dhe bashkëpunimit, të
cilat qenë në themel të Amerikës. Z Stefan përfundoi: “Shqiptarët e
Shqipërisë dhe të Kosovës nuk janë popull “kundër”. Ata nuk janë kundër
fqinjëve, kundër paqes, kundër kooperimit, kundër bamirësit. Ata janë
paqesorë, punëtorë, tolerantë dhe kjo duket në shumëllojshmërinë e
popullatës, feve e kulturave, ata janë drejt zhvillimit, drejt
perëndimit, drejt Amerikës...Drejtimin për paqe kosovarët e zgjodhën
vetë! Fqinjët, Ballkani dhe bota fituan një delegat të paqes me shtetin
e ri të Kosovës!”
Në vazhdim përshëndeti zoti Sejfi Protopapa, patriot dhe
veteran i diaspores, i cili ka punuar e kontribuar për pavarësinë e
Kosovës gjatë gjithë jetës së tij. Ai ka vizituar Kosovën, ka marrë
pjesë në shumë demonstrata të organizuara në SHBA për problemin e
Kosovës, ka ndihmuar moralisht e materialisht. Zoti Protopapa
përshëndeti me parullat, “Rroftë Kosova!” dhe “Bac, U kry!”, duke
përmendur e përkujtuar dëshmorët e Kosovës Adem Jasharin e të tjerë që
falën gjakun për liri. Ai vazhdoi me problemet e shtypjes
sllavo-komuniste kundrejt popullit shqiptar të Kosovës duke e lidhur
edhe me Shqiperinë komuniste. Zoti Protopapa foli për konferencën e
Mukjes si dhe bëri një përmbledhje të historikut të Ballit Kombëtar dhe
aktiviteteve të kësaj organizate gjate Luftes së Dytë Botërore.
Pas përshëndetjes së z Mark Kozmo, bashkëkryetar i shoqatës
MAAS/BESA, aktori i teatrit shqiptar Jul Nenshati recitoi disa poezi te
ndjera të Podrimjes:
Zgjohu, Kosovë! Zgjohu, nëna ime e dashur,/ Balli dhe emri im i
shkelur,/Zgjohu, oj! A po e ndien vajin tim?/....../Zgjohu, Kosovë,
flakë e hershme e ashtit tim, t’pëlcitur/ Bota në ty le të kallet!/
Në podium ngjiten prof.dr. Thanas Ligor Gjika, ish punonjës
shkencor i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë të Akademisë së
Shkencave të Shqipërisë dhe bashkëshortja e tij, poetja Julia Gjika. Në
përshëndetjen e tij Z Thanas tha : “Shpallja e pavarësisë së Kosovës
është ngjarja më e rëndësishme e këtij fillim shekulli në plan
shqiptar, evropian e botëror. Ajo shënon fundin e gabimit tragjik që
bëri diplomacia evropiane më 1912-13 nën presionin e Rusisë Cariste për
të kënaqur shovinizmin sërbomadh, duke i dhënë territore të banuara
nga popuj josërbë...Për gati 100 vjet pjesa e popullit shqiptar që pati
fatin e keq të jetonte nën zgjedhën sërbe, nuk ra në pesimizëm si
hungarezët e rumunët, por mundi t’i rezistonte politikës asimiluese dhe
shfarrosëse të qeverive jugosllave. Shqiptarët e ish-Jugosllavisë
mundën të rezistonin në saje të luftës së armatosur të shumë brezave
luftëtarësh, që nga Isa Boletini deri te komandant Jashari, në saje të
lindshmërisë së lartë të nënave shqiptare, në saje të punës së
pandërprerë të intelektualëve të shquar për ndërgjegjësimin e popullit,
si dhe në saje të mirëkuptimit dhe ndihmës së drejtëpërdrejtë të
qeverisë amerikane.” Zoti Gjika përmendi se akti i shpalljes së
pavarësisë së Kosovës kurorëzon politikën largpamëse të udhëheqësit të
paharrueshëm Ibrahim Rugova. Më tej ai theksoi se, përderisa pavarësinë
e Kosovës e njohën SHBA dhe pjesa dërrmuese e anëtarëve të OKB, ky
proces nuk mund të kthehet mbrapsht...”Krijimi i shtetit të ri shqiptar
të Kosovës do te ndikojë drejtpërdrejt për forcimin e Shqipërisë dhe të
të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni, Sërbi e Mal të Zi.
Uroj që Kosova, shteti më i ri në botë, të bëhet sa më parë shembull i
përparimit, begatisë dhe paqes për Ballkanin dhe mbarë botën.”
përfundoi prof.dr. Gjika.
Poetja Julia Gjika është frymëzuar e ka botuar mjaft poezi
kushtuar Kosovës. Në mbrëmjen festive ajo recitoi dy prej këtyre
poezive: “Çdo minutë për ty Kosovë” dhe “Gëzimi i Fitores”, të cilat u
vlerësuan dhe u duartrokitën nga miqtë e të ftuarit. Poezinë “Gëzimi i
Fitores” Julia e shkroi më 17 Shkurt, ditën e shpalljes së Pavarësisë.
Disa vargje nga kjo poezi:
Fitorja është ulur / Pranë sofrës së madhe / Buzëqesh me
fytyrën e heronjve./ Shpirtërat gëzojnë / Toka dhe Qielli ka festë /
Martirët shtrijnë eshtrat / Të qetë janë tani. / Asgjë nuk vajti dëm/
As gjaku i derdhur./
Shpresa Theodhosi, presidente e Organizatës Nacionale
Shqiptaro-Amerikane për Bostonin, e nisi përshëndetjen e saj në gjuhën
angleze duke ngritur zërin e duke rrokëzuar fjalët: “Good Evening,
Mirëmbrëma! Ne i japim sot mirëseardhjen pavarësisë së Kosovës...Kësaj
pavarësie iu desh një kohë e gjatë, shumë e gjatë për të ardhur dhe ka
kushtuar jetë njerëzish në të kaluarën dhe sot...Tani!...E ardhmja
është këtu...e ardhmja është jona...të veprojmë e të provojmë...Të mos
harrojmë cilët jemi ne! ...Ja çfarë na bën ne të fuqishëm...çfarë na
bën ne unikë...çfarë na bën ne tolerantë...çfarë na bën ne të quhemi
shqiptarë!”
Në podium u shfaq një vajzë kosovare, veshur me një fustan
mëndafshi të kuq dhe me një fytyrë të hijshme. Z Stefan Koçi prezantoi
Zyrafete Demakun, bijën e dëshmorit të UÇK Brahim Nura, i ekzekutuar
nga ushtarët serbë në Skënderaj. Zyrafetja përshëndeti të pranishmit me
zërin e saj plot emocion: “ Të nderuar pjesëmarrës! Jemi tubuar sonte
të festojmë një ditë që populli ynë shumë shtrenjtë e ka
paguar...Prandaj urime juve dhe gjithe shqiptarëve kudo ku janë...Unë,
bija e dëshmorit Brahim Nura, përulem para veprës së komandantit
legjendar Adem Jashari dhe të gjithë atyre që ranë për liri...Jam shumë
krenare që edhe gjaku i babës tim është pjesë e kësaj
lirie...Faleminderit të gjithë atyre që kontribuan dhe ndihmuan për
formimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Republikës së Kosovës.
Faleminderit Amerikës, faleminderit të gjithë miqve të popullit tonë.”
Së fundi përshëndeti mbrëmjen autorja e këtij shkrimi, e cila,
ndër të tjera , iu drejtua femrave shqiptare kosovare: “Nëna dhe motra
kosovare! Hiqni shaminë e zisë dhe lidhni shallin e Lirisë!”
Mbrëmja vazhdoi gjatë, me brohoritje, me këngë e valle
nga krahinat e ndryshme shqiptare dhe kulmi i haresë arriti kur erdhi
Torta e madhe e Pavarësisë, e dizenjuar me flamurin e Kosovës verdhe e
blu. Me ndihmën e prindërve, thikën e parë në tortë e përdori dora e
vogël e djalit njëvjeçar kosovar, Alban Hoxhës. Edhe ky veprim e bëri
këtë mbrëmje festive të paharrueshme.

Bota e Gruas Shqiptare - Nga Dalip Greca-Aktiviteti me 16 mars 2008

March 24, 2008




DY GRA TË MITROVICËS BASHKUAN SHQIPTARET E AMERIKËS NË MANHATTAN




Nga Dalip Greca
NEW YORK


Për të dytën herë, brenda një harku kohor shumë të shkurtër, Rrjetit i Bashkuar i Grave në Amerikë (PAWN) me presidente Merita Bajraktari McCormack, ka mbledhur gratë intelektuale në restorantin “Prespa” me pronar aktivistin shqiptar Shaqir Gashi, restorant që ndodhet në Manhattan. Takimi i parë qe organizur në fundnëntor të vitit 2007 dhe kishte në fokus një politikane të suksesshme që vinte nga Universiteti i Oxfordit, Mirela Bogdani, ndërsa me 16 mars 2008, mysafire protagoniste ishin, Valdete Idrizi, vajza trime e Mitrovicës, që fitoi çmimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, "International Woman of Courage Award"- "Gruaja e Guximshme", dorëzuar nga sekretarja amerikane e shtetit, Condoleeza Rice, ndërsa protagonistja e dytë ishte Afërdita Dauti - Heilman, e cila është bërë e njohur për binjakëzimin e shkollave të Texasit me ato të Kosovës, me dërgimin e ndihmave për shkollat e Kosovës, veçanërisht të Mitrovicës. Ajo është e bërë e njohur edhe për ndihmat për shkollën fillore në Stanterg të Shalës së Bajgorës, por është shquar edhe për pasion e dashuri në edukimin e brezave. Valdete Idrizi vinte në takim pas pritjes së bujshme që i kishte bërë sekretarja Amerikane e Shtetit, Condolezza Rice së bashku me gra të tjera të shquara të botës. Gjithësesi ajo u shpreh se kishte biseduar me sekretaren Rice, ishte takuar edhe me presidentin Bush, por kurrë më e emocionuar se në këtë takim grash nuk e kishte ndjerë veten. Takimi tek restoranti “Prespa” pati si koordinatore Teuta Shabani Tawler-in dhe Aida Boden. Teuta solli emocione duke përshkruar skenat e rastësishme të takimit me Afërditën nëpër aeroportet ndërkombëtare, e më pas solli të plotë portretin e saj, si mësuese e humaniste. Merita Bajraktari McCormack, presidente e shoqatës u shpreh për Illyria-n se veprimtaria ishte konceptuar si një mbasdite e këndshme, e lirshme, intime, pa shumë fjalime të gjata, me qëllim për të njohur më shumë njëra-tjetrën dhe për të promovuar sukseset e Valdete Idrizit dhe Aferdita Dautit- Heilman. Në fjalën e shkurtër përshëndetëse ajo tha se takimi organizohej me rastin e nderimit të mysafires sonë nga Mitrovica, zonjës Valdete Idrizi, fituese e çmimit të Departamentit të Shtetit Amerikan, "International Woman of Courage Award"- "Gruaja e Guximshme" dhe
nderimit të anëtares tjetër të rrjetit të grave, Afërdita Dauti - Heilman, së cilës iu akordua çmimi i Rrjetit të Bashkuar të Grave në Amerikë " Humanitarian Achievement Award". Duke marrë fjalën në foltoren e improvizuar, gruaja e guximshme nga Mitrovica ndër të tjera tha: ”Jam mjaft e gëzuar, që ndodhem në këtë ceremoni midis ju shoqeve të mia që ju njihja vetëm nëpërmjet njohjes virtuale.
Duke patur parasysh se unë disa ditë më parë u bëra edhe fituese e çmimit të Departamentit Amerikan të Shtetit, "International Woman of Courage Award"- "Gruaja e Guximshme" , në Washington D.C., e them sinqerisht se këtu po ndjej një emocion të rrallë dhe po provoj një gëzim të papërshkruar. Nuk do ta harroj këtë ditë”. Afërdita Dauti – Heilman, foli me shumë emocion para 30 grave intelektuale që kishin ardhur ta nderonin atë dhe Valdeten. Informojmë lexuesin se Afërdita Dauti - Heilman, që prej vitit 1992 jeton në Austin, Texas. Eshtë e martuar me mjekun amerikan Stefan Heilman, të cilin e ka njohur në Kosovë. Bashkëshorti i saj është i njohur për shqiptarët. Ai shkoi në fillim të vitit 1992 në Prishtinë për të punuar vullnetarisht në vaksinimin e fëmijëve të Kosovës. Në shtyp aso kohe u shkrua një artikull me titull “Mjeku amerikan që shtegton me biçikletë rreth e rreth Kosovës”. Afërdita ka kryer studimet fillestare në shkollën fillore në Stanterg të Shalës se Bajgorës, ndërsa studimet e larta në Prishtinë. Ajo është bijë mësuesish dhe e ka çuar më tej traditën familjare. Prindërit e saj, Rasim Dauti dhe Remzije Kasapi-Dauti, për 25 vite ishin mësimdhënës në Stanterg, ku edhe jetonin. Afërdita ka treguar një shpirt të madh duke ndërtuar ura komunikimi mes Amerikës dhe Kosovës. Në fund të sallës ishte dhe një vajzë e vogël që nuk ndjehej, por që edhe pse nuk i ka më shumë se 13 vjeç, ka treguar se di të jetë pjesë e projekteve të mëdha. Ajo është Sabrina McCormack, bija e Meritës, një nxënëse e shkëlqyer, e cila është e njohur për lexuesit e Illyria-s pasi së bashku me vëllezërit e saj më të vegjël, prezantuan para shkollës së tyre në Long Island, NY, shkollën “Trepça” në Kosovë. Ata patën përshkruar historinë e dhimbshme që kishin kaluar moshatarët kosovarë të “Trepçës” dhe kishin paraqitur projektin " 400 voices" , projekt i themeluar nga Afërdita Dauti Heilman në Texas.
***
Veprimtaria ishte e këndshme dhe u përshkua nga emocione. Pjesëtaret e rrjetit PAWN kishin ardhur nga Texas-i, North Karolina, Georgia, Washingtoni, nga New York-u e shtete të tjera dhe kaluan çaste të gëzuara së bashku.
Në fillim u mbajt 1 minutë heshtje në nderim të viktimave tragjike të shpërthimeve në Gërdec të Vorës në Tiranë, ndërkohë që dr. Anna Kohen njoftoi se vinte në dispozicion të dëmturve fondin për raste fatkeqësish që Oraganizata e Grave Shqiptaro-Amerikane ”Motrat Qiriazi” e kishte bërë publik që në momentet e para të pas tragjedisë.
Më pas protagoniste ishin dy gratë nga Mitrovica, për të cilat ishin rezervuar lule dhe dhurata simbolike (Mimoza Dajçi kishte bërë kujdes të veçantë për këtë), ndërkohë që nuk munguan vargjet e recituara, këngët e kënduara nga Arëberie Hetemi dhe vogëlushja Ademi. Iliriana Sulkuqi do ta emociononte Valdete Idrizin tek i recitoi një poezi të shkruar enkas për të prej Julia Gjikës në Boston. Krahas drekës së shijshme pjesëmarrëset shijuan edhe promovimet e librave të rinj të autoreve të Rrjetit PAWN, Albana Mëlyshi, Rajmonda Moisiu dhe Iliriana Sulkuqi.
Shkrimtari Naum Prifti, i ftuar në këtë takim do të gjente rast të fliste për mrekullitë krijuese të femrave shqiptare. Ai tregoi hollësi nga takimet e Dora D’Istrias (Elena Gjika) me poetin amerikan HenryWadsworth Longfellow, dhe si e frymëzoi ajo poetin e shquar që të shkruante për Skënderbeun. Dr. Anna Kohen dhuroi ndihmë simbolike financiare për gratë e Rrjetit PAWN. Ashtu në bisedë e sipër dolën edhe ca “sekrete “ të parakohshme si psh. u mësua lajmi se shkrimtarja Albana Mëlyshi Lifschin me 10 maj do të shpallet ”Gruaja e vitit” nga Shoqata e Motrave Qiriazi…

Posted by M.I.P. at e hënë, mars 24, 2008

Sunday, March 16, 2008

Bota e Gruas Shqiptare -Aktiviteti me 16 mars 2008

Rrjeti i Bashkuar i Grave Shqiptare ne Amerike, -Pan Albanian Women Network-ndau per here te pare ne New York Cmimin:
"Humanitarian Achievement Award".

By BEQIR SINA, New York

Emancipimi i grave kerkon edhe "emancipimin" e burrave

NEW YORK CITY : Rrjetit i Bashkuar i Grave Shqiptare ne Amerike, po shfrytezon cdo mundesi te saj per nje shtrirje te bashkepunimit e shkembimit te pervojes dhe aktivitetit te saj edhe ne Kosove, Shqiperi e te gjitha viset shqiptare ne Ballkan. Kete e treguan keto gra edhe ne takimin qe mbajten ne New York, te dielen ne restaurantin "Prespa". Qellimi i takimit te djeshem, thane drejtueset e kesaj dreke, ishte i thjeshte, duke nderuar per here te pare dy gra nga Kosova, me Cmimin " Humanitarian Achievement Award", te fillojne nismen e nje tradite ne komunitet.

Ato, thane se ne po i shfrytezojme keto lidhje qe kemi vendosur deri tani nepermjet forumeve ne internet, dhe keto takime qe po mbajme fizikisht, edhe per t'u njohur me arritjet e tona dhe te tyre, por edhe te njihemi me nevojat e shqetesimet me te cilat ndeshet shoqeria shqiptare, ne kete pjese te Ballkanit, dhe gruaja shqiptare ne diaspore. Ato mendojn se grate shqiptare, tashme jane ne gjendje te japen nje fare ndihmese ne kete drejtim, por eshte heret te flitet per ndonje plan konkret, pa pare edhe mundesit reale qe kane ato te bejne nje gje te till. Megjithse, shembujt e pare i kan dhene edhe anetare te tilla si Aferdita Dauti - Heilman, me ndihmat saja per shkollen fillore ne Stanterg te Shales se Bajgores.

Ne kete aspekt eshte, njoftuar edhe ndihma per nje shkolle te Trepces ne Kosove, nga Sabrina, e cila ishte mysafire e drekes ne lokalin Prespa. Ajo se bashku me vellezerit e saj, Kevin, 9 vjec dhe Edi(Arbri) 7 vjec, nje vit me pare(mars 2007) kane prezantuar para shkolles se tyre, klase me klase,shkollen TREPCA ne Kosove. Shkolle, per te cilen ata paten vendosur qe te mbledhinin te holla dhe materiale te tjera. Ata bene fillimisht nje prezantim te shkurter para shkolles ne cdo klase, ku kishin treguar se cfare ndodhi ne Kosove. Kishin bere nje pershkrim te situates atje, dhe treguan per projektin " 400 voices" , nisme e themeluar nga Kosovarja Aferdita Dauti Heilman ne Teksas, dhe sugjeruan si te mblidhen te hollat dhe ndihmat.

Ata shperndane kuti ne cdo klase dhe cdo nxenesi iu sugjerua te bejne nga nje pune te vogel per prindrit dhe te shperblehen.Ky shperblim sugjeruan motra dhe vellezerit McCormack, te shkoje ne drejtim te mbledhjes se te hollave per kosovaret. Pra nxenesit e Nju Jorkut per Nxenesit e Kosoves!Prezantimi, sipas mesuesve, u prit me duartrokitje dhe nxenesit jane te lumtur te ndihmojne per nje
ceshtje kaq te rendesishme.

Cmimet : "International Woman of Courage Award"- "Gruaja e Guximeshme" dhe cmimi i Rrjetit te Bashkuar te Grave ne Amerike " Humanitarian Achievement Award"

Nga zemra deshiroj t'ju falenderoj te gjitheve ju, qe merni pjese fizikisht dhe shpirterisht, permes fjales, kameres, penes, artit e muzikes, luleve, si dhe kontributit financiar ne kete aktivitet te organizuar, ne restorantin PRESPA, ne Manhaten, me pronar biznesmenin tone Shaqir Gashi. Kete takim e organizojme tha ajo, me rastin e nderimit te mysafires sone nga Mitrovica, zonjes Valdete Idrizin, fituese e cmimit te Departamentit te Shtetit Amerikan, "International Woman of Courage Award"- "Gruaja e Guximeshme" dhe nderimit te anetares tjeter, Aferdita Dauti - Heilman, me Cmimin e Rrjetit te Bashkuar te Grave ne Amerike " Humanitarian Achievement Award".

Kjo, thote kryetarja e kesaj organizate te grave shqiptare ne Amerike, Merita Bajraktari McCormack,eshte konceptuar sipas ne grave si nje mbasdite teper e kendshme, mjaft e gezuar dhe intime, per te njohur me shume njera-tjeteren apo njeri-tjeterin dhe per te festuar arritjet e femres shqiptare.

Une, shprehet ajo si inciciatore e ketij grupi grash ne nje mesazh, ju jam te gjitheve absolutisht teper mirenjohese! Rrjetii Bashkuar te Grave ne Amerike - PAWN, potencon ajo do te vazhdoje te mbeshtese, njohe e fuqizoje femren shqiptare te kudondodhur, ne te gjitha fushat e jetes dhe jemi te sigurt se nje bashkepunim i frytshem, nje mbeshtetje efektive eshte faktor kyc ne mbarevajtjen tone. Duke shpresuar se do te kaloni nje drek te kendeshme, tha Bajraktari, fjalen ia le dy prezantuesve te kesaj dreke, zonjes Aida Bode, qe do te flase shqip dhe Teuta Shabani Towler ne anglisht, per te prezantuar dy mysafiret e nderuara me cmimin e Rrjetit te Bashkuar te Grave ne Amerike " Humanitarian Achievement Award". qe do t' ua dorzonte atyre grupi drejtues i Rrjetit PAWN, nderkohe qe gazetarja Mimoza Dajci ju dhuroi statujen e Lirise dhe Dr Anna Kohen, kryetare e organizates se grave "Motratat Qiriazi", u dhuroi nga nje buqete te bukur, me lule te freskta dhe urimet e saj me te mira.
"Jam mjaft e gezuar, qe ndodhem ne kete ceremoni dhe midis ju shoqeve te mija qe ju njihja vetem nepermjet njohjes virtuale, me pare. Duke patur parasysh; se une disa dite me pare u bera edhe fituese e cmimit te Departamentit te Shtetit Amerikan, "International Woman of Courage Award"- "Gruaja e Guximeshme" , ne Washington D.C., e them sinqerisht se ketu po e ndjeje nje emocion dhe gezim te papershkruar", tha Valdete Idrizi, gjate marrjes se cmimit te Rrjetit te Bashkuar te Grave ne Amerike " Humanitarian Achievement Award".

Shkrimtari i njohur Shqiptaro Amerikan, Naum Prifti, i ftuar special i ketyre grave, thote se entuziazmi i ketij grupi grash per te, punuar, mesuar dhe prosperuar sidomos ne diaspore, po e tregon vitalitetin, e nje shoqerie grash shqiptare ne rrugen e pandalshme drejt perparimit. Sidomos, tha ai na gezon shume fakti qe ne sot, kemi edhe gra te tilla qe arrijne te marin cmime kaq prestigjoze deri edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit, dhe personalisht Sekretarija e Shtetit Kondeleca Rise.

Dreka mbresa lenese u mbyll me nje ceremoni te thjeshte ne nje nga sallat e lokalit Prespa, ku rreth 30 gra e vajza nga Kosova , Shqiperia, Presheva, Bujanovci, Medvegja, Mali i Zi Maqedonia, dhe Cameria, e viset shqiptare, kenduan, vallezuan dhe recituan poezi te krijimeve te anetarve te forumit Bota e Gruas Shqiptare dhe te te Rrjetit te Bashkuar te Grave ne Amerike. Ndersa pronari i ketij lokali veprimtari i dalluar Shaqir Gashi, u dhuroje grave nga nje kopje te librit te tij "Ju Falemnderit Amerike".

Valdete Idrizi :
Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondolisa Rice, ndau me 10 mars ne nje ceremoni ne Departamentin e Shtetit, Çmimin Nderkombetar per Gra te Guximshme.Ne kete aktivitet te organizuar me rastin e Dites Nderkombetare te Gruas, ishte edhe Valdete Idrizi shqiptare nga Kosova, krahas grave nga Afganistani, Fixhi, Iraku, Pakistani, Autoriteti Palestinez, Paraguai dhe Somalia.Zonjusha Idrizi, vete e shperngulur nga konflikti, eshte aktive ne zonat me banore serbe ne Kosoven veriore, ku drejton projekte per gra dhe te rinj, me synimin per te ripajtuar dhe per te sjelle paqen ndermjet komuniteteve te ndryshme etnike.

Aferdita Dauti - Heilman

Prej vitit 1992 Aferdita Dauti - Heilman, jeton ne Austin, i cili eshte kryeqyteti i Teksasit. Ajo eshte e martuar me mjekun Stefan Heilman, te cilin e ka njohur rastesisht ne Prishtine. Ai ishte mjeku i cili shkoi ne fillim te vitit 1992 ne Prishtine, te punoje si vullnetare ne vaksinimin e femijeve te Kosoves. Ne se ju kujtohet nje artikull ne nje gazete te perditshme te asaj kohe shkruhej se ai ishte "Mjeku amerikan qe shtegtonte me biciklete" rreth e rreth Kosoves. Ne vitin 1996, shoqja e saj, fotografja Martha Grenon u nis per ne Kosove per here te pare, pasi merr mendimin e saj dhe vazhdon te dokumentoje jeten e njerezve te Kosoves.

Ka kryer shkollen fillore ne Stanterg te Shales se Bajgores dhe studimet e larta ne Prishtine. Prinderit e saj, Rasim Dauti dhe Remzije Kasapi-Dauti, ishin nder gjeneratat e para te punetoreve te arsimit te shkolluar mbas Luftes se Dyte Boterore. Per me shume se njezet e pese vite ata e dhane kontributin e tyre duke punuar dhe jetuar ne Stanterg, si mesimedhenes ne shkollen fillore. Jeta e familjes se Afedita Dauti Heilman, ka qene e thurur me perjetimet e perbashketa ne mesin e punetoreve te minieres Trepca, nxenesve, mesimdhenesve dhe vendasve te fshatrave te Shales se Bajgores dhe Mitrovices.

Burimi: Autor Beqir Sina,Botuar ne Gazeten Bota sot 19 mars 2008


Duke jetuar akoma pershtypjet e dates 16 Mars, 2008 ne
takimin ne Manhattan, ndjejme kenaqesine t'ju
pershendesim dhe nje here.

Sic e kemi bere te njohur kaluam disa ore ne
restorantin "Prespa" ku u mblodhem me rastin e
vleresimit te dy shoqeve tona Kosovare, per Valdete
Idrizin,fituese e cmimit te Departamentit te Shtetit
Amerikan, "International Woman of Courage Award" dhe
nderimit te Aferdita Dautit Heilman me cmimin, e PAWN
" Humanitarian Achievement Award".
Ishte nje mbasdite mjaft e gezuar dhe e pritur prej
javesh, per te njohur me shume nga afer me secilen nga
ato shoqe qe ne fakt ka vite qe shkembehemi. Na takon
dhe te gezohemi per arritjet e femres shqiptare,dhe
vecanerisht kur vijne dhe nga Kosova mbas nje
atmosfere te gezuar te shpalljes se Pamvaresise, sic
ndodh me Znj.Valdete Idrizi. Jemi mirnjohese per
kontributin e te gjithe atyre qe sadopak punuan per
kete takim!

Une falenderoj te gjithe per pjesemarrjen, duke
filluar me Merita Bajraktarin qe tregohet e pakursyer.
shoqet e ardhura nga larg, si Aferdita Dautin qe erdhi
nga Texasi, Valdeten natyrisht qe erdhi nga Mitrovica
e luftes, Sara Gjergjin qe erdhi nga North Karolina.

Keto jane shoqe qe kane vlera te vecanta te Bota e
gruas shqiptare, e ne pergjithesi kane nje aktivitet
te njohur.

Falenderojme Z. Gashi pronarin e lokalit "Prespa" per
mundesite qe na dha ne lokalin etij simpatik,
doktoreshen Ana Kohen, Z. Naum Prifti i cili gjendte
shpesh prane krijimeve dhe gezimeve tona ne
aktivitetet.
Po ashtu Z. Beqir Sina dhe Dalip Greca qe jane te
papertuar per te fiksuar cdo gje me kamerat e tyre
gjat gjithe ketyre viteve prane aktiviteteve te
komunitetit tone.
PAWN , ka ne gjirin e saj mjaft gra dhe te reja te
talentuara, si Iliriana sulkuqin, Albana Melyshin,
Sara Gjergjin, Teuta Shabanin Towler, Aferdita Helman,
shume nga te cilat jemi dhe bashkeautore ne disa
libra.

Pas aktivitetit na u dha mundesia te kalojme dhe disa
ore ne Manhatan, ne ambjente te kendeshme me shoqet
tona, mikeshat nga larg Valdeten, Aferditen, Teuten
dhe Saren,
Diskutuam mundesite e komunikimit te mirefillte me
njera tjetren, ne New York dhe ne shtetet ku ato
jetojne.

Respekte,
Eleonora Gjoka
N.York

















Saturday, March 15, 2008

Shperthim ne Prishtine(afer Teatrit Dodona)

Sic e ceka ne shenimin e fundit ne Blog te BGSH krejt Kosova jemi me koka para televizionit, duke percjell ngjarjen e tmerrshme ne Gerdec.
Nga ora 20h une ne lagjen time e degjova nje eksplozion dhe mepas shume, shume makina te policise, ambulanca dhe zjarrfike, por nuk e dinim se cfare po ndodhte.
Prej atij casti s kemi rryme e jam duke shkruar ne laptop, pasiqe e kam lidhjen me invertor.
Meqenese mbi 3h s kam rryme edhe e telefonova Korporaten Energjetike te Kosoves (KEK) dhe ata me thane, qe duhet ta therras 112shin, pra direkt policine!
Atje me lajmeruan, se ka ndodh nje eksplozion i forte mu afer shtepise sime, s jane as 5 min larg ne kembe dhe meqenese behet fjale per shume litra gaz, qe mund te eksplodojne dhe pasiqe zjarrfikesit s e kane ende nen kontroll zjarrin....ekziston rreziku per evakuim te banoreve qe jetojne ne kete pjese.

O Zot, cka po ndodh sot???
Cfare shenjash jane keto? Nje megaeksplodim ne Gerdec ne 12h e nje rreth 19.45h ne Prishtine (afer Parkut te Qytetit)

Kjo dite mos u harrofte edhe ishalla perfundon mire...ishalla, shpresojme.

Lajmi i fundit nga TopChannel: 12 te plagosur po dergohen me aeroplana spitalore nga Greqia e Italia pikerisht per ne Athine e Itali per sherim te metutjeshem, sepse jane ne gjendje shume te rende....3 viktima te identifikuara, 4 te paidentifikuara.

Ju pershendes me ndjenja te perziera...s di as vete pse...

Mimoza Morina
Prishtine, 23:34h

Shperthimet ne Gerdec, Shqiperi

Ngjarja ka filluar ne Gerdec, Bashkia Vore, perafersisht ne 12:00h, ku ne fabriken e specializuar per cmontimin e predhave te municionit te kalibrit nga 60 deri 152 ku ka pas nje shperthim aq te forte, i cili me forcen e tij eshte degjuar gjer ne Tirane!!!

"Oh medet per mua, veq ta di a jane gjalle apo jane copetu...ah mjera une, mjera....ah medet cka na ka gjet bre..." - qante nje zonje ne moshe, pak meposhte nje tjeter zonje duke denesur thoshte: " Po kane shkuar ne ate pune per nje kafshate buke, po sikur ta dinim se cfare do ndodhte, ah Zot i madhi te lutem te kene shpetuar dy nuset e cunave...."

Ore e cast shfaqen komentet aktuale nga banore te asaj ane, te cilet shpresojne qe familjaret e tyre, qe jane te plagosur, te shpetojne apo ata qe konsiderohen te zhdukur, te gjenden gjalle. Numri aktual i te plagosurve eshte 244, kurse i te vdekurve 7, por ekziston frika, qe numri i te vdekurve te jete me i madh.
Kemi pare (dhe shohim)pamje spektakulare, por edhe dramatike nga nje qytetar, qe kishte incizuar privatisht pamjet dhe qe ne nje moment e shohim, qe i bie edhe kamera ne toke nga presioni i larte i shperthimit. Vala goditese ka shkaktuar shume plage edhe tek vozitesit e automjeteve.
Nga aksionet e forcave te specializuara te ushtrise jane evakuuar me autoblinda nje numer i madh i banoreve te Gerdecit.
Zjarrfikesit kane mundur te penetrojne gjer ne 10 metra afer vendngjarjes per te munduar te shuajne zjarrin!!!

Me lot ne sy po e percjellim TV-ne, ku ne kete moment jemi mbledh me te aferm tek une e jemi duke percjell Top-Channel.tv dhe sapo u lajmerua, qe njehere per njehere te mos dhurohet me teper gjak, pasiqe jetegjatesia e perdorimit te gjakut eshte e shkurter dhe nese ka nevoje, do te behet serish nje lajmerim mes mediave.
Po verehet nje solidaritet i jashtezakonshem nga te gjitha trojet shqiptare dhe nga vendet fqinje, si Maqedonia, Greqia, Zvicra, SHBA etj. Tash pritet te ateroje edhe nje aeroplan me mjeke specialiste - traumatologe nga Greqia. Ne Gjakove e Prishtine jane hapur qendrat shtese, ku ne keto caste radha e njerezve eshte e gjate per te dhuruar gjak.

Qirinj per tragjedine e Gerdecit po ndizen kudo ne qender te Tiranes dhe tash une e nisa aksionin me lajmeru te aferm, shoqerine time etj mes emailit, sms dhe telefonit, qe te ndezim qirinj....ky eshte minimumi qe mund te bejme.

Ne keto caste sapo filloi konferenca per media e Kryeministrit, z.Sali Berisha.

Shumica e te plagosurve kane plage nga zjarri, kurse nga viktimat deri tash veq nje ka mundur te identifikohet.

Se a eshte faji i nje oficeri gjate cmontimit te predhave ne depon e armeve mbetet te shihet, pasiqe deri ne keto caste s ka ndonje konfirmim me te sakte, veq qe shihen flaket ne Gerdec...edhe pse s ka me shperthime.
Ne nje diameter prej 20-30km perreth Gerdecit jane demtuar shtepite nga forca e shperthimeve dhe jane lenduar shume banore te atyre aneve.

Dhashte Zoti qe numri i viktimave te mbetet me kaq dhe qe te sherohen te plagosurit.

Meme Shqiperi - bashkendjejme me Ty, ngushellime!


Mimoza Morina,
Prishtine, ora 21:35h