Saturday, March 29, 2008

Bota e Gruas Shqiptare-DRENUSHA ZAJMI HOXHA-POEZI

Drenusha Zajmi

MË DUAJ PA MË NJOHUR



Më duaj pa më njohur mik,

emri im s’ të duhet, është vetëm një shenjë

grumbull shkronjash, mbledhur për t’më identifikuar

si qenje, si numër mes numrash,

si gjithçka e si asgjë, si dikush e si askush vërejtur,

Më duaj, pa më njohur mik i mirë

rruga ime sot, e jotja nesër është

janë gjurmët e atyre, që dje aty i kanë lënë

ti mos kërko ta dijsh ku jam, as ku do t' kem ikur

As mos gjurmo për atë, që kam bërë e që s’kam arritur

mos m’ thuaj se jam e mirë a e keqe, për asgjë mos më gjyko

as mos kërko t’më shohësh, se veç parë më ke

jam pasqyrë e jotja, reflektuar në miliona të tjerë

Pa më njohur, si njeri më dashuro



Më duaj pa më njohur mik apo mike

fytyra ime është veç edhe një maskë më tepër, që

mbulon trishtimin me buzëqeshjen vizatuar,

edhe sytë gënjeshtarë janë, ata vetëm shohin ose jo

të gjelbër, të zi, të kaltër, shpirtin nuk e pasqyrojnë

se ai i dashnorit ose bëmirësit ose atij që nuk jeton për vehten

banon në trup të huaj, ndaj

Ti mos kërko as brenda meje,

as jashtë,

rrudhat e mia nuk mbajnë libra historie, as kronologji

për sa lumturohem, a jetoj si mbretëreshë, a qeshem, a vuaj

jam vetëm Unë, mik i dashur, brenda meje je ti ose ai ose ato

nuk ka rëndësi

Ti pa më njohur, më duaj.



Mos kërko t’më shijosh, trupi im s’ ka trajtë

unë jam vetja yte, jam ai që të ka mbjellur

jam e bukur, e shëmtuar, jam e re, e vjetër

jam e fortë, jam e rrënuar,

jam edhe ajo, që në botë të ka sjellur,

si Ti jam, por edhe si dikush tjetër

gjithkund më ke, edhe sot edhe nesër edhe dje kam qenë

Më duaj mik sa kam jetë , por jo si jetoj, mos dëshiro të dish,

paranë, mike a e kam apo rrugëve leckosur bredh

në kam njerëz rreth meje apo i vetmuar e agoj ditën

a jam në perendim apo hapat sapo i hedh

a frymoj akoma apo tokës i shtrirë nën të, frymë i jap

Mos kërko t’më prekësh as kur trupi të më jetë ftohur

unë sërish kam lindur e rilindur, ndaj mik i dashur ti

Më duaj pa më njohur.

No comments: