Miresevini ne faqen letrare te rrjetit virtual mbarefemeror shqiptar Pan Albanian Women Network Ju ftojmë të na dërgoni mendimet tuaja për çdo gjë që ju lexoni ketu apo keni dëshirë të diskutoni.Ky rrjet eshte i hapur për të gjitha gratë dhe vajzat shqiptare! Për tu anëtarësuar,kembyer poezi,shkrime apo mendime,ju lutem dërgoni një mesazh në adresën botaegruas@gmail.com Kudo që te jetoni, këtu na mbledh gjaku i përbashkët. Falminderit!
Tuesday, April 22, 2008
Bota e Gruas Shqiptare- SUZANA KUQI-POEZI
Thuamë…
Thuamë
në më ëndërron akoma
në se jam përsëri në ëndrrat e tua
në mendon ndonjëherë
ashtu, i zënë në befasi
atëherë kur më pak e pret
për mua…
Thuamë
në ëndërron akoma sytë e mij
flokët e mij të lagur nëpër shi
buzëqeshjen time të trishtë
kur u ndamë atë ditë me qiell gri…
Ti më thuaj
ani se nuk ka më kthim…
Do të guxoj të vij pranë teje
në ëndrra
e kokën në jastëk
ta vë me ty
Të të kundroj me ëndje
edhe pse të mbyllur do të jenë
ata sy
E do të të puth
me puthje të lehta si ajri
Do të të mbeshtjell në krahë
ashtu si qiellin
pështjell drita e diellit
Do të të pëshpëris ne veshë
fjalë të ëmbla
nën tingujt e argjendtë
të violinave të hënës
e do të zbras në to
tërë mallin e zemrës
E pastaj do të iki me
dritën e parë të mëngjesit…
Imperia 17 prill 2008
Mall…
Të erdha pranë
një urim për ditëlindje
të marr o im atë.
Me hapa të lehtë e të mendueshëm
që trishtëm masin trishtimin
e këtij vendi
Ku të njëjtat fytyra,
me të njëjtën mënyrë
të shohin
Ballin mbështes
mbi gurin e ftohtë
si dikur mbi ballin tënd,
e në shpirt
diçka shumë, shumë,
më dhëmb.
Mendimi mundimshëm
kërkon të çajë kufijtë,
të hyjë thellë në tokë,
të fluturojë lart në qiell,
e të kridhet ne pafundësi
prej nga kthehet kujtimi yt
që trishtem, dhimbshëm, por ëmbël
mbështet buzët në ballin tim
duke më dhënë si dikur
Të ëmblin urim
Sublime
Krijesa ime e embël dhe e vockël
bërë prej mishi e gjaku
me dashuri e ëndrra ngjizur
përmes dhimbjeve lindur
delikate dhe e brishtë
e bukur deri ne mallëngjim
aq sa më lë pa frymë…
Të marr ndër duar
e në këtë moment
kuptoj sa të ngjashëm
e të ndryshëm
jemi me zotat
të ngjashëm
sepse himnin e pavdekshmërisë
këndon frymëmarrja jote
të ndryshëm
sepse për ty
drita e syve të mi
per të të mbrojtur
veten time
do të gozhdoja në kryq…
Imperia , me 8 mars 2008
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment