Saturday, May 17, 2008

Bota e Gruas Shqiptare- MERITA BAJRAKTARI McCORMACK -Reportazh

Rrëfime të shpëtimtarëve

Izolimi i Shqipërisë i shkaktuar nga paranoja komuniste, nuk solli vetëm dëme psikologjike, ekonomike e shpirtërore ndër shqiptarë, por i bëri një dëm të madh kombit në tërësi duke lënë të panjohur për botën këtë popull dhe vlerat e tij shpirtërore e humane.

Nga Merita McCormack




Një shqiptare prezanton veprën e familjes së Shyqyri Myrtos në ndihmë të hebrenjve, në një aktivitet në Uashington

Uashington

Izolimi i Shqipërisë i shkaktuar nga paranoja komuniste, nuk solli vetëm dëme psikologjike, ekonomike e shpirtërore ndër shqiptarë, por i bëri një dëm të madh kombit në tërësi duke lënë të panjohur për botën këtë popull dhe vlerat e tij shpirtërore e humane.

Është detyrë e shqiptarit të përdorë mundësitë për të bërë të njohura këto vlera të mohuara. Në këtë kuadër do të sillja si shembull punën e madhe që bën Dr.Ana Kohen, kjo vajzë me origjinë hebreje, lindur dhe e rritur në Vlorë. Me përvojën e saj në Shqipëri, me historitë e grumbulluara në vite nga dëshmitarë okularë, ajo ka depërtuar në rrethe e lobe të fuqishme hebraike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e më gjerë, duke treguar se si shqiptarët dhe Shqipëria u bënë vatra e ngrohtë dhe shpëtimtare e hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në linjën e përkujtimeve të ditëve të shënuara për hebrejtë, një ngjarje e veçantë u mbajt më 7 Maj në Uashington. Folëse kryesore, e ftuar nga organizatorët, ishte një mike e Ana Kohen dhe e ne të gjithëve, Majlinda Myrto. Ajo është e njohur në komunitetin shqiptar për kontributin akademik përmes punës në Globe Institute, dhe si kryetare e Fondacionit të Edukimit të Federatës Panshqiptare "Vatra". Në ngjarjen e sivjetshme, ajo ishte e ftuar në Programin Përkujtimor për Holokaustin ku foli në emër të familjes së të shoqit, në veçanti të vjehrrit të saj Shyqyri Myrto, i cili gjatë Luftës së Dytë Botërore shpëtoi jetën e Josef Jaokelit dhe motrës së tij Keti, dy hebrej me të cilët Shyqyriu ishte njohur që në moshë të re. Për këtë akt, Shyqyriu ka marrë dekoratën "Courage to care" nga Antidefamation League dhe Braun Holocaust Institute.

Aktiviteti u zhvillua ne "Lincoln Theatre", në zemër të kryeqytetit amerikan, ku ishin ftuar edhe folës amerikanë dhe të shteteve të tjera si p.sh Ambasadori Polak në SHBA, Robert Kupiecki dhe veterani i Luftës së Dytë Botërore, Joseph Ichiuji, të cilët sollën dëshmi, lexuan letra e kujtime nga të mbijetuar të Holokaustit.

Banda Frymore e Ushtrisë të Shteteve të Bashkuara ekzekutoi pjesë e himne muzikore, kushtuar viktimave të tragjedisë përgjatë programit që zgjati gati dy orë.

Ambasada e Shqipërisë u përfaqësua nga zëvendësambasadori, Kreshnik Çollaku, kurse Gjon Buçaj, nënkryetar i "Vatrës", kishte udhëtuar nga Nju Jorku për të marrë pjesë nëkëtë aktivitet.

Majlinda shoqërohej nga bashkëshorti, Ariani, dhe tre fëmijët. Kishin ardhur mjaft shqiptarë që banojnë e punojnë në Uashington. Nga biseda me ta ndihej entusiazëm dhe krenari tek shihnim se si vlerësohej vepra e një bashkatdhetari të nderuar i cili kishte vënë në rrezik jetën e familjarëve për të ndihmuar e shpëtuar jetën e mikut.

Në veçanti më bënë përshtypje sytë e lumturuar të fëmijëve të Majlindës dhe Arianit, të cilët jam e sigurtë ndjehen krenarë për gjyshin e tyre, edhe për prindërit e tyre, të cilët udhëtojnë për të treguar, nderuar e kujtuar veprën e tij dhe të atyre shqiptarëve që kanë kryer të njëjtin akt si Shyqyriu.

Moderator i aktivitetit ishte gazetari i kanalit televiziv 9 për Uashingtonin, Derek McGinty, i cili në bisedën me Majlindën, për pjesmarrësit që ishin me qindra dhe kishin mbushur plot auditorin e Teatrit Lincoln, shprehu habinë se si shqiptarët mundësuan jo vetëm strehimin dhe ushqimin e hebrejve, po edhe shpëtimin e jetëve duke sakrifikuar familjet. Majlinda tregoi se si vjehrri i saj Shyqyriu, një mysliman shqiptar, për tetëmbëdhjetë muaj ndihmoi mikun e vegjëlisë, Josefin, dhe Ketin, motrën e tij, dy hebrej të cilët i shpëtuan Holokaustit. Majlinda nuk dëshmoi vetëm për një ngjarje historike të veçantë, por theksoi një virtyt, Besën, si vlerë themelore ndër shqiptarët, dëshmi që i bëri pjesëmarrësit të duatrokasin.

Gruaja foli për mikpritjen, për nderimin e mikut, për kodin e nderit, bujarinë. E pyetur nga moderatori se çfarë mesazhi përcjell vepra e vjehrrit të saj si mysliman, për kohën moderne ku ne jetojmë, Majlinda iu përgjigj duke e paraqitur të integruar veprën e Shyqyriut me veprën e shumë shqiptarëve të tjerë në atë kohë, dhe duke treguar se toleranca fetare ndër shqiptarë ka qenë, është dhe do të vazhdojë të shërbejë si element i kulturës shqiptare dhe shembull për kombet e tjera.

No comments: