Friday, June 20, 2008

Bota e Gruas Shqiptare--MERITA TOCILA-Esse

Në “Shtëpinë e Parë të Artit”

Merita Toçila

Galeria “Ibrahim Kodra”, e pagëzuar me emrin e një artisti të madh ka vetëm disa muaj, është më e reja ndër galeritë e pikturës që ndodhen në kryeqytet. Por, ajo gjendet gjithashtu në një godinë që fare mirë mund të quhet “Shtëpia e Artit”, siç e emërton dhe Ministri i Kulturës, Ylli Pango. Në “Shtëpinë e Parë të Artit”, aty ku jo vetëm artistët ndjehen si në shtëpinë e tyre, por edhe publiku artëdashës, duke patur në dispoziocion salla në të cilat organizohen veprimtari të ndryshme artistike, si promovime librash, koncerte instrumentale, tryeza rrumbullake, konferenca, përvjetorë artistësh apo ngjarjesh në sallën “Tefta Tashko Koço”, transmetime filmash ose organizime javash filmi në terracën “Lumiere”, por edhe performanca apo mbrëmje poetike në terracën “Fishta”, ekspozita pikture ose performanca të ndryshme artistike në galerinë “Kodra”. Aktivitetet që zhvillohen aty nuk ngjajnë me përurimet e ftohta nga ndonjë institucion tjetër. Janë thyer barrierat institucionale për t`u përqëndruar më tepër tek vlerat artistike dhe risitë. Për nga numri i aktiviteve që ka pritur ky institucion, larmia e tyre dhe vlerat e sjella, na bën të jemi optimistë për vazhdimësinë. Fatmirësia është që janë inisiativa të tilla dhe lind detyrë të ndiqen aksionet për të qenë fitimtarë në udhëkryqet e artit bashkëkohor. Duke formuar bazën e pushtetit për të vazhduar gjatë në punë dhe për të ndarë idealet e kulturës me të gjithë ata që kanë besim. Të jesh nuk do të thotë thjesht të mbijetosh, por të shpikësh në çdo moment rrugë të reja për t`u përballur me më të kundërtat, për të gjetur zgjidhjet e duhura për pyetjet e së sotmes, për të përcaktuar orientimet themelore për të nesërmen si dhe për të zgjidhur detyrat më të zakonshme.

Më e rëndësishmja nuk qëndron thjesht tek krijimi i hapësirave për realizimin e veprimtarive artistike, por tek ardhja e një koncepti të ri që ndërton institucioni më i lartë i artit për vetë zhvillimet e artit. Forca e artit është e pallogaritshme dhe kjo për fat të keq nuk kuptohet nga të tërë. Vitet e fundit janë bërë shumë ndryshime në Shqipëri janë ngritur ndërtesa të larta, janë hapur qendra të shumta biznesi, shumë biznese private kanë lulëzuar, por nga ana tjetër shumë lajme nëpër gazeta mbi temat sociale, marrëdhëniet ndërpersonale, dhuna në familje apo divorcet, krimet, etj., tregojnë që nuk është investuar sa duhet në kulturën e njeriut, në mendimin dhe në konceptet e tij, për të përballuar zhvillimin e kohës. Dhe këtë e bën vetëm Arti dhe Kultura.

Ministri Pango është në krye të një ministrie të vogël për nga ndërtimi, në krahasim me misionin e lartë për të cilin investohet aty...por aty, punohet që Ministria e Kulturës, të vërë forcën e madhe të kulturës dhe të artit në shërbim të vlerave njerëzore, të jetës, të dialogut, të paqes dhe të njohjes së vlerave të tjetrit. Të çlirosh forcën e artit dhe të kulturës për të ridemnsionuar jetën, për ta orientuar shoqërinë tonë drejt një paraqitjeje tjetër njerëzore, atë të emancipimit. Një objektiv i shkëlqyer për t`u realizuar.



Në Shqipëri ekzistojnë talentet, por problemi shtrohet si të mundemi t`i mbajmë në vendin e tyre që të mos largohen, ose dhe për ata që nuk largohen të gjenden rrugët si të jetojnë me artin e tyre për t`u shndërruar në artistë dhe autorë të dashur për publikun shqiptar, por edhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Ky ishte një nga problemet të cilave iu dha një zgjidhje e shpejtë duke hartuar politikën e afrimit të të rinjve artistë tek Institucionet e Artit nëpërmjet projektit “Artistë emergjentë” në disa fusha të artit; Teatër, Opera, Balet, Artet Figurative, etj. Ata janë atashuar pranë institucioneve përkatëse dhe ky është një proces që sapo ka filluar. Artistët bashkëkohore bashkë me krijimet e reja janë shumë prezentë dhe në galerinë “Ibrahim Kodra”, me realizime larg përmbajtjeve të dikurshme skematike, duke sjellë një koncept te ri artistik. Kjo galeri nuk është një institucion i ftohtë, përkundrazi është një shkëmbin energjish dhe eksperiencash të atyre që krijojnë dhe prezantojnë krijimtarinë e tyre. Eshtë një vend në të cilin ndihet pulsimi i lëvizjeve artistike si dhe i artit bashkëkohor, pa harruar të vëmë në vendin e nderit të gjithë ata krijues që kanë dhënë aq shumë për artin shqiptar, dhe emrat e tyre janë të shumtë. Ata bëjnë pjesë në trashëgiminë tonë kulturore.

Trashëgimia jonë artistike dhe kulturore është një pasuri që ka nevojë të menaxhohet, ndërsa arti bashkëkohor krijohet çdo ditë, trashëgimia tërheq vëmendjen nga e kaluara, nga historia jonë, arti i sotëm është pjesë e ballafaqimit me të sotmen dhe për të nesërmen. Dhe të krijosh për të nesërmen kërkon vizion, aq më tepër të mbështesësh kulturën bashkkohore do të thotë ta renditesh vendin tënd në një dinamikë me vendet e tjera.

Fatkeqësisht nuk kemi dhe aq kompani private dhe fondacione apo shoqata që të kenë një vrull të tillë për t`u kthyer në aktorë të tregut të artit bashkëkohor dhe për të kundërpeshuar institucionet publike për realizimin e veprimtarive artistike. Në vija të trasha, institucioni privat bën shumë më pak përpjekje sesa institucioni publik për të inkurajuar artin bashkëkohor dhe artistët. Gjithsesi kjo mbetet për t`u riparë për të ardhmen e afërt.
Por, ne duam të shkojmë më larg akoma, në krye të iniciativave të forta dhe novatore të Ministrit të Kulturës në mënyrë që kultura të mos i shërbejë shumë politikës, se sa kjo e fundit t`i përgjigjet asaj.



Merita Toçila
piktore, stiliste
Rr. "M.Peza" Tirane

No comments: