Tuesday, July 01, 2008

Bota e Gruas Shqiptare-DRENUSHA ZAJMI HOXHA-VARGJE

VARGJE SATIRIKE



Bëra pazar me djallin sot

Futa shpirtin tim në strajcë

Dhe ia lëshova në dorë, por

Ai nuk e deshi

As nuk ia hodhi sytë

Tha gjërat që janë për shitje, vlerë nuk kanë

Atëherë merre, po ta fal, i thashë

Do të të bëhem skllave, shërbëtore e dëgjueshme

Do t'i pëlqej botës për sa u bëra

T' më dashurojnë nga frika e t'më kenë lakmi

Por djalli tundi kokën dhe futi dorën në xhep

Më lëshoi dy para në shuplakë e më briti: merri!

Dreq o punë , dreq i mallkuar

Po ku më qëlloi mua një satanë bëmirëse

Merri! më tha prap dhe mori strajcën

E shikoi si të ishte një gjë e pështirë

Merri! Se edhe unë- më tha,

po kërkoj sot anën time të mirë.

( dhe…..)



U mundova përsëri ta gjej veten time

Por kot,

duket se edhe ajo kërkonte veten e saj, pikërisht

punë e madhe, thashë, do bëhem e mirë vet

mirësi kam në shpirt, ndonëse ai tash është gjetiu…

marr dy paratë që m'dha djalli

aq sa më ka kushtuar shpirti

I fus në grusht dhe vendosa më në fund

T'i fal

Them ja! Më shihni! Jam unë bëmirësja juaj!

Po shpëtoj botën, qëndroni! po vij!

Më thurrni këngë, vargje, lavdi

Më shpallni të shenjtë, më ngrisni lapidarë

Rrethuar me fontanë, ku njerëzit hallexhinj

Për dëshirat e tyre prapëseprap

Do t'më hedhin ca dollarë…

Kështu mendoja unë kur pashë grushtin tjetër

Dhe mu duk i zbrazët, ndaj ndava monedhat

Nga një para secili

Nga zbrazëti e shpirtit, më foli vetja ime sërish

E kthyer duarthatë

Je pa shpirt, më tha, por për vehten tënde,

E mundon si të pavdekshim, por ti veç njeri je

Paraja është rreng i dreqit, por

Po mbete pa to, as për të tjerët më nuk ke

Ah, thashë përsëri qëndroni , po vij!

Jam e çliruar në shpirt, ndonëse s'e kam me vete

Tash jam bërë e mirë

Nevojtarëve po u fal veç dashuri.

No comments: