Thursday, July 17, 2008

Bota e Gruas Shqiptare-ELIANA"ALIEN" LESHAJ -SILVANA BRACE FLET PER PAWN- Interviste



“Si një lundërtare e fuqishme, po mundohem ti kapërcejë dallgët e mëdha,
që s’më kanë kursyer.”
Silvana Braçe



E prisnim me ngazëllim infantil fundin e siglës së hapjes së siparit, për të dëgjuar atë zë, që i ngjan zërit të një ninfe. Fjalët që formuloheshin me atë zë, ishin gërshetim i etikës gjuhësore dhe unit artistik, të zonjës se bukur, së ekranit të vogël. Silvana Braçe, është emri që ka hyrë në çdo shtëpi shqiptare. Emri qe është lakuar me dashuri, nga çdo moshë. Personazhi i saj është jo vetëm një garanci profesionaliteti, për median vizive shqiptare, por edhe një kult për çdo telespektator, që e ka ndjekur gjatë karrierës së saj shumë vjeçare.
Silvana Braçe ka në bagazhin e saj, një formin professional voluminoz. Ka frekuentuar shkollën e baletit, ka prezantuar me dinijtet imazhin e televizionit shqiptar, zotëron një diplomë të fakultetit të ekonomisë, ka prezantuar artistë dhe evenimente kulture në shumë vende të botës, eshte bashkeshorte e nene…
Eshte nje grua modeste dhe e disponueshme, si ne rastin tone. I shkruaj per “Panalbaniawomennetwork” themeluesen e saj, banoret e botes se gruas shqiptare.
Ndersa ajo, ne intervisten e meposhtme, na flet per veten, e rolet e saj.




Fillimisht do doja t’ju falenderoja për kohën që po i dedikoni Panalbanianwomennetwork.



Ështe kenaqësi për mua të bashkëbisedoj me ju dhe gjithë ata, që do lexojnë këto fletë, të cilat s’mjaftojnë për t’ju rrëfyer jetën time, peripecitë dhe surprizat, përvojat e shumta, që do ti doja të ndaja me ju për të mësuar sado pak prej tyre, ndërsa unë për tu shprehur e plotësuar përmes kësaj marrje e dhënie, se edhe ju nuk i kursekeni fjalët e bukura. Faleminderit për të gjitha ato!

Prej disa kohësh i mungoni teleshikuesve të ekranit të vogel.
Ku është Silvana Braçe?


Më vjen keq të pranoj, që momentalisht nuk jam me programe të reja në Tvsh, pasi me ato të disa viteve më parë jam e pranishme sidomos në valët e Tvsh satelit. Nuk e kisha menduar ndonjëherë këtë shkëputje prej 4 vitesh nga ekrani, ndoshta, rrëmbyer nga dinamika e punës dhe siguria, që kisha krijuar për vazhdimësinë aty. Pasi kalova me sukses edhe erën e ndryshimeve në vitet 90-91, madje kjo liri, më ridimensionoi, atëherë s’mendoja se do vinte koha për të ndaluar. Koha e re që erdhi, mua personalisht, në punën time më dha një liri të plotë përsa i përket krijimtarisë, por mbështetja financiare ka qenë gjithmonë për të dëshiruar. Megjithatë, unë nuk di të kundërshtoj e të qahem, por të punoj shumë e të përshtatem kur është e mundur dhe vura zemrën aty ku mungonin paratë. Jo se janë gabim këto të dytat, madje ato lehtësojnë shumë punën, por unë skam ditur të gjindem në këtë pazar, se kurrë s’kam qenë pjesë e klaneve, apo e “privilegjuara”. Çdo gjë, që kam arritur, ka vetëm një emër, punën dhe drejtësinë. Jo duke shkelur mbi të tjerë, por duke konkuruar në këtë ring të hapur, që është ekrani. Pra duket, që jam lodhur shumë e ndoshta e kisha të domosdoshëm këtë pushim. Para viteve ‘90 kam prezantuar programe që i përgatisnin të tjerë, ndërsa më pas, me përvojën e fituar, nisa të realizoja vetë programe pa fund në studion e Tvsh, pa pushuar asnjë javë, pra jo punë me cikle që zgjasin 2 ose 3 muaj, por non-stop, gjithë vitin. Kam patur, në të njejtën kohë, prezantime edhe në skenat më të mëdha në Tiranë, në TOB dhe në Pallatin e Kongreseve, në sheshin Skënderbej dhe në stadiumin “Qemal Stafa”, por edhe prezantime koncertesh më të vogla në shumë qytete të tjera si Durrës, Fier, Krujë, Lezhë, Kavajë, Sarandë, Shkodër, Korçë, Elbasan, etj. Ishte dhe është koha e punës së madhe në Shqipëri e cila më përfshiu edhe mua. Që në vitin 1993 mu hap rruga edhe për jashtë shtetit. Udhëtimi i parë ka qenë për USA. Diçka e paimagjinueshme për atë kohë, që më dha shumë gëzim e thosha nga më erdhi. Më vonë kam arsyetuar dhe kuptova se ishte investimi i viteve të tëra pune dhe këtë shembull timin, ia jap shpesh si inkurajim atyre që lodhen e mërziten se s’ju vjen shpërblimi. Vajtjet në USA dhe Evropë vazhduan si e ftuar në organizimet kulturore-artistike të shqiptarëve, si fillim të mërgimtarëve nga Kosova e më pas me rritjen e emigracionit nga Shqipëria, filluan edhe koncertet e organizuara kryesisht nga shoqatat e shqiptarëve në Itali dhe Greqi. Këto ishin një angazhim privat në fund javë, por që s’kanë prekur kurrë punën fikse që ishte ajo në Tvsh, përkundrazi, ishin përvoja, njohje me vende dhe njerëz të rinj dhe me artistë jashtë kufijve. Ishin një rritje në kualitetin e mendimit e të jetës në përgjithësi, që ushqenin punën time në Tvsh. Dhe erdhi në çastin e duhur ai që do ndryshonte ritmin dhe drejtimin e hapave të mia, duke i orientuar ato drejtë një piste ku luhej një melodi më e qetë, ajo familjare.




Nga spostimet nderkontinentale tek familja. Si gruaja gruas: A mund te rrefeni
kete kalim metamorfozik per panalbanianwomennetwork?


Në një nga këto koncerte për bashkatdhetarët në Itali, në nëntor të vitit 2002, njihem me Agronin. Në 2003 kjo lidhje pune kthehet në miqësi e dashuri dhe në shtator të 2004 lind në Rimini, djali ynë, Fatjoni. Pra, belbëzimet dhe cicërimat e Fatjonit kanë mbushur jetën time, që prej 4 viteve, kur unë u shkëputa nga puna e përditëshme në Tvsh dhe po qëndroj kryesihsht, në Itali. Por prap, si një mama e dhënë edhe pas punës, po vazhdoj me koncertet këtej dhe nëpër Evropë, pa mënjanuar për asnjë çast djalin dhe familjen.

Rimini! Si jeton nje grua e talentuar si ju, në nje qytet qe veres s’fle, e dimrit s’plaket?


Në Rimini jetohet mirë, se është qetësi e madhe dhe je pranë detit, që mua më pëlqen shumë. Ju thoni “e talentuar” dhe faleminderit, por në fund të fundit, një grua jam unë dhe detyrat themelore i kam ndaj familjes. Jam shumë e përkushtuar dhe e sakrifikuar për familjen. Kjo është natyrë imja, që reflekton edhe në punë, ndaj përmes këtyre përpjekjeve gjindem edhe në botën e artit. Kohët e fundit, me rritjen e djalit, jam ndjerë pak më e lirë dhe kam nisur të mendoj edhe për rikthim në ekran. Kjo kohë këtej në Itali besoj të ketë ndikuar për mirë, për reflektim dhe akumulim. Ndërkohë, vitet kalojnë, por do thosha se në profesionin tim, ato favorizojnë rritjen, pjekurinë.., e nuk e shoh me frikë ikjen e tyre. Këtë besim dhe optimizëm ndoshta ma jep edhe pritja që më rezervon publiku. Jam ende në kohën e komplimenteve më të bukura dhe tani ndjehem më e plotësuar se kurrë ndonjëherë tjetër.



Shume e drejte.
Silvana Braçe, bashkëshorte dhe nënë “e përkushtuar dhe e sakrifikuar” Ky është një evulocion në jetën e çdo gruaje. Ju si e jetoni
?

Këto janë proçese natyrore, e në atë mënyrë kanë ardhur edhe tek unë, në përmbushje të ciklit të jetës. Të jesh bashkëshorte dhe nënë është një lumturi që lind nga sakrifica, pra që ka vështirësitë e veta, të cilat, mund ti përdorja si mburojë për t’ju shmangur punës, se mjaftojnë për një grua dhe vetëm këto, por ju tregova, që s’mund të rri jo pa Tv dhe ekran, por s’mund të rri pa një punë, ose, angazhim shoqëror e më mirë nga këto di të bëj prezantuesen, ndaj vazhdoj të jem e tillë edhe pas marrjes së këtyre titujve si bashkëshorte dhe nënë.

Do më pëlqente të kthehesha tek Silvana publike. Ju jeni prezantuese e shumë koncerteve e iniciativave humanitare, të komunitetit shqiptar ketu në Itali. Sa ndryshon puna juaj këtu, nga puna në televizionin Shqiptar?


Koncertet janë të drejtëpërdrejta, takim me të gjitha shqisat dhe kuptohet janë shumë më të këndëshme, sesa programet, që dalin përmes syrit të xhamtë të kamerave. Jam shumë e kënaqur nga ato. Me të vërtetë, që shpenzon shumë emocion, zë, energji, pasion.., për të mbushur me dritën e artit salla mijëravendëshe, por të rikthehet shumëfish e gjithë kjo kur të duartrokasin, mirëpresin me sytë, që shndrijnë nga loti i mallit e i dashurisë. Një marëdhënie e shkëlqyer krijohet përgjatë këtyre koncerteve 3-4 orëshe, një alkimi që shpërndan paqe, mirësi, që ndez atdhedashurinë dhe vëllazërinë mes njëri-tjetrit. Por edhe programet në Tv kanë patur jo pak ndikim, besoj, tek teleshikuesi. Këtë e kuptoj më mirë, tani që i rishoh ato. Kur i kam realizuar nuk kam menduar për efektin e tyre, por thjeshtë kam punuar me shpirt. Një dëshirë e kam patur gjithmonë e që duket, besoj, që të më shohin e të më kuptojnë të gjithë. S’kam dashur të punoj vetëm për një “elitë”, por të flas me gjuhën e njërëzve të thjeshtë e të përmbush dëshirat e tyre sepse kam besuar, që kjo nuk të tradhton në profesionin e drejtueses Tv, të flasësh thjeshtë dhe pastër shqip, sepse ndryshe, flet për vete dhe me veten.


Cv-ja juaj është shumë e pasur. Keni intervistuar mjeshtra të mëdhënj të muzikës shqiptare. Keni prezantuar shumë evenimente kulturore, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ekziston ndonjë personazh i cili ju ka mbetur në zemër?



Po! Kam patur fat të intervistoj figurat më të ndritura të artit tonë. Kam realizuar portrete e programe të tëra për ta e të nisja të tregoja do të duhej një libër i madh. Por mund të them se të gjithë këta emra emblematikë, jo ndonjëri janë në zemrën time dhe kanë pasuruar jetën time. Nga këto takime diçka më ka mbetur në mes, që kurrë nuk shijova ndenjen gjatë me ta, se kam qenë në ritmin e punës dhe s’u mjaftova asnjëhrë së nxëni nga arti, dituria, emocioni dhe mënçuria e tyre. Emrat e artistëve tanë s’i kam përdorur kurrë për të treguar se ç’biografi profesionale kam. Ata janë të shenjtë. Çesk Zadeja, Tish Daia, Ferdinand Deda, Avni Mula, Luçie Miloti, Fitnete Rexha, Vaçe Zela, Nexhmije Pagarusha, etj. janë monumente arti që do bënin krenar çdo komb ti kishte. Për mirësjellje, në përgjigje të pyetjes suaj, do kujtoja se kam intervistuar që nga James Belushi, një shqiptar me shkëlqim botëror, deri tek më e reja e shkëlqyer shqiptare Elsa Lila dhe me të gjithë bashkë bëhët një katalog i madh me foto, kujtime e çaste të paharruara. Por si këto intervista Vip, gazetarët, më përmendin edhe Festivalet në Rtv ku shënoj 3 pjesëmarrje si dhe Festivalet e Këngës Popullore, por unë do shtoja edhe prezantimet me Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, që për mua kanë qenë nder dhe shumë të rëndësishme. Thesari kulturor i kombit tonë ka qenë aty e unë pata fat ta prezantoja këtë ansambël dhe krenari tonën, edhe në të gjitha qytetet e Kosovës më 1996, në koncertet e paharruar dhe madhështore. Më 1 gusht 1999 kam edhe një kujtim emocionues në Prishtinë, ku prezantova në stadium në prani të 50.000 spektatorëve koncertin e lirisë.

Rasti profesional më i vështirë për ju?

Gjithmonë është e vështirë kjo punë, se s’pranon përsëritje, monotoni, zakonshmëri. Duhet të jesh përherë një befasi, një risi, një kënaqësi e kjo kërkon gjithmonë frymëzim, fantazi. Këto me sa duket i kam patur me tepri, meqë kanë tejkaluar jetën timë shumë modeste dhe problemet jo të pakta. Kam patur gjithmonë një përgjegjësi të madhe për punën që kam kryer, saqë e mpirë nga përqëndrimi emocional, unë s’kam ndjerë as temperaturat nën zero, as mbilodhjen dhe pagjumësinë. Kam patur shumë çaste të vështira në jetë, e më është dashur të dal në skenë ose Tv, por ato nuk e kanë penguar dot punën, përkundrazi, kjo e fundit ka lehtësuar hallet dhe shqetësimet e mia. Një e vërtetë e madhe ka qenë me mua thuajse që nga fillimi. Asnjëherë nuk kam punuar me komoditet, por gjithmonë në minutën e fundit. S’di pse ka ndodhur kjo, ndoshta nga besimi që kanë patur tek unë. “Hë se ia del”, degjoja shpesh, por mua më ka kushtuar shumë mundim shpirtëror.

Kam përshtypjen se ju jeni një grua shumë pasionale, në jetën private dhe atë professionale. Çfarë është pasioni për ju?

Është e vërtetë. Si e keni kuptuar këtë?! Apo mi ka nxjerrë ekrani të gjitha mua?! Lexohem lehtë unë! Është një pasion, që shpesh, më kalon në anën e fëmijëve. Të jetosh me pasion është bukur, është romantike, por edhe e komplikon shumë jetën dhe sot tingëllon e vjetëruar e gjithë kjo. Përpiqem të ndryshoj, por e kotë, nuk po rritem dot! Njëkohësisht dhe i adhuroj njerëzit pasionantë, se më japin kënaqësinë e sinkronizimit. Më argëtojnë dhe gëzojnë shumë, ngaqë arrij të lexoj atë, fëmijën brenda shpirtit të tyre. Por këta njerëz dhe mua jo të gjithë na kuptojnë, madje na ndëshkojnë duke u bërë jo rrallë, pre e pafajësisë së pasionit tonë.

Çfarë s’dimë akoma për Silvana Braçen?
Ka plot gjëra, që unë s’kam dashur t’i ndaj me publikun, se më janë dukur shumë personale e jo të këndëshme për ata që më duan. Jeta ime personale dhe profesionale është një det shumë i trazuar, por si një lundërtare e fuqishme po mundohem ti kapërcejë dallgët e mëdha, që s’më kanë kursyer.


Mes grash flitet gjithmonë për ëndrrat në sirtar. Kemi shumë. Jam kurioze të di nëse edhe juve ju ka mbetur e kyçur ndonjëra ….

Ca ëndërra i kam realizuar, ca i kam fshirë si gabim, ndërsa në kuadrin e pasionit dhe inoçensës, po ju them me ndrojtje, se kam dashur shumë që të kem rol në një film artistik. Më ka tërhequr shumë ekrani i madh i kinemasë, më ka magjepsur që kur isha fëmijë e shpesh e kam përfytyruar veten aty. Më dukej sikur e meritoja e kinemaja po humbiste një aktore të madhe (ç’ëndërr fëmije, ha ha ha...).


Besoj që ju keni një valixhe, që ju pret, për tu nisur drejt aventurave të reja skenike. Apo jo?
Valixhja është aty, por dita dhe ora se kur do e marr për tu nisur drejt programeve të mia, apo më mirë do ishte drejt shtigjeve të reja, të pashkelura më parë, kjo kohë ende nuk është paraqitur në kalendar. Gjithmonë për këtë aventurë përfytyroj Shqipërinë.
Sami Frashëri ka shkruar: “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është, e ç’do të bëhet” Cili është nocioni juaj për Shqipërinë?

Unë e dua Shqipërinë! Ajo ka qenë, është e do bëhet më e bukur. Jo për romantizëm, por realisht, për mua, është vendi më i bukur në botë e unë kam parë jo pak vende të tjera... dhe njerëzit, po ashtu janë aq origjinalë, të afërt dhe të dashur, ndërsa këtë jo, se e them unë, por vetë të huajt, që ndjehen për nga mikpritja si në shtëpitë e tyre. Është një potencial i mrekullueshëm njerëzor, shpirtëror dhe natyror e lum kush ia di vlerën e di ta gëzojë. Unë jam e lumtur dhe shumë krenare për nga vij, si shqiptare, e këto ndjenja po i kultivoj dhe tek djali im, i cili, edhe pse po rritet në Itali, flet shqip dhe ka një emër të bukur, që në çdo pikë të globit të jetë nesër, do e njohin si shqiptar, Fatjon. Duke qenë se kam dhe statusin e njeriut publik e çoj më tej dashurinë time për Shqipërinë. Jam bërë si misionare e patriotizmit, sepse kam mundësi që përmes forcës së artit të hedh farën e krenarisë dhe atdhedashurisë në çdo organizim apo koncert duke ndezur tek publiku ovacione mallëngjyese dhe tek fëmijët, që janë gjithmonë të pranishëm në koncertet tona një dashuri të madhe për gjuhën dhe këngën e bukur shqipe, se e meritojnë ti dashurosh shqipen dhe Shqipërinë!

Kjo intervistë, do të lexohet nëpërmjet faqes së panalbanianwomennetwork në çdo kënd të botës, nga bashkëkombësit tanë. Shumë prej lexuesve janë gra të shquara, emra që lakohen në median internazionale, për punën e devotshmërinë për ta ngritur lart emrin e imazhin e vendit tonë. Cili është mesazhi juaj për to?

Megjithëse jam shumë krenare për Shqipërinë e di, se shumë keq komentohet ajo lart e poshtë me arsye ose jo. S’po hyj në detaje, se janë çështje shumë komplekse, por do përshëndesja nga zemra të gjithë ata shqiptarë të merituar që arrijnë të bëjnë të dukëshme praninë e tyre deri në kancelaritë e rrethet më të larta intelektuale të botës dhe trondisin me talentin, inteligjencën, bukurinë dhe vyrtytin. Njerëzit, që mbartin vlera, të mos kursehen të thonë, se janë shqiptarë edhe kur nuk i pyesin. Duhet kjo për të ndihmuar të tjerët të na njohin e jo të si ta gjykojnë së verbër. Edhe unë si një marathonomak me pishtarin që kam në dorë s’do ndalesha kurrë, të ndriçoja sadopak të vërtetën për atdheun tonë të shtrenjtë. Këtë do dëshiroja dhe do kërkoja nga të gjitha ato motra, nëna, gra të famshme, që kanë një pushtet, pra një mundësi të shfaqin në çdo rast madhështinë e personalitetit të tyre dhe vetiu të kombit tonë.


Silvana, ishte një kënaqësi për mua t’ju intervistoja! Ju falenderoj dhe ju uroj suksese të mëtejëshme!

Unë u kënaqa edhe më shumë se pata rast të shpreh disa ndjenja dhe emocione të miat. Faleminderit juve dhe suksese gjithmonë!



Pergatiti per “PANALBANIANWOMENNETWORK” Eliana Alien


Milano 17/07/2008

1 comment:

Aida said...

E dashur Eliana,
Urime per intervisten. Ishte nje surprize mjaft e kendshme. Silvana eshte nje nga ato personalitete te TV qe te behet e dashur menjehere. Eshte e qete ne komunikim, ka dashuri dhe sinqeritet ne zerin e saj dhe te duket se ajo i jepet me pasion qofte dhe nje mesazhi pershendetes sic ka qene me duket emisioni kerkesa nga degjuesit a pershendetje nga degjuesit dhe kerkonin kenge te ndryshme ( me fal se memorja nuk eshte e sakte per emisionin). Buzeqeshja e Silvanes te fton dhe po te mos jesh si i thone ne forme, te jesh prezent dhe t'i kushtosh vemendje c'ka per te thene kjo prezantuese qe rrezaton drite e miresi.

Faleminderit Eliana u kenaqa teksa e lexova. Te jam mirenjohese qe e solle ekskluzivisht per PAWN dhe i jam mirenjohese Silvana Braces qe na dhuroi nje pjese te kohes se saj.

Me dashuri,

Aida Dismondy