Friday, July 11, 2008

Bota e Gruas Shqiptare--KOZETA ZAVALANI-POEZI

Shtegtare



Në rrënjë shkëmbi gjeta lulen

Krip’ dhe diell rritur bashkë

Ta këpus dot nuk munda

Veçse dhimbshëm e prek pak



Dal nga dallga magjiplote

Përball jetës s’jam asgjë

Jam a s’jam një shtëgëtare

Kam dhe unë diçka për të



I hedh ngjyrat dhe rris lulen

Lulen gjëmb rritur nga dallga

Ta shkul nga shkëmbi s’munda

Veç nje gonxhe të saj hapa



Jam shtegtare me shumë ngjyra

Jam si era dhe si shpirti

Dal nga dallga, dal nga deti

Perëndimi mbi det mbeti....



Mes jush jam prapë



Derën mos ma mbyllni,

ju lutem,

sepse frymë dot nuk marr

Edhe kur te iki,

përgjithmonë

më hidhni në det,

peshqit le të më hanë...

Në më varrovshi

arkivolin ma lini pa kapak,

që të me hyjnë zërat tuaja,

që të më duket se

mes jush jam prapë.

No comments: