Monday, September 15, 2008

Bota e Gruas Shqiptare-ILIRE ZAJMI-Tregim

Gruaja në të zeza


Tregim


Gruan misterioze të veshur gjithmonë në të zeza, nuk e kisha njohur kurrë nga afër. Shumë meshkuj e linin kokën për të. E takova rastësisht në datëlindjen e një mikut tim. Të gjithë të ftuarit sytë i mbanin nga ajo. Dikush pse kishte dëgjuar aq shumë gjëra të fliteshin për të, të tjerët e këtu hynin të githë pjesëtarët e botës mashkullore e vështronin me sy të magjepsur e epshflakur duke analizuar çdo lëvizje të gjuhës së trupit.
Dukej si zanë mali e zbritur nga qielli për të provokuar e nxitur ndjenjat më subtile te të gjithë meshkujt e pranishëm në atë datëlindje.

Mua si femër nuk e di çfarë përshtypje më bëri. Egoiste, mendjemadhe, e dhënë deri në ekstrem pas pamjes së jashtme. E stërvitur që ta mbajë situatën në kontroll, të dominojë kudo që ndodhet, të jetë gjithnjë në qendër të vëmendjes. Me gjeste, lëvizje provokuese të buzëve, lojë me këmbët e gjata duke joshur këdo që i ndodhej përballë.

Të krijohej përshtypja që gjithçka sillej rreth saj. Për asnjë çast nuk e lëshova nga shikimi atë natë. Brenda vetes nuk e di a ndjeva simpati apo një ndjenjë përbuzje për atë grua sharmante të veshur në fustan të zi mëndafshi.
Për diçka jam shumë e sigurt. Xheloze nuk u bëra për faktin se gjithçka sillej rreth saj dhe për të. Unë isha jashtë kësaj orbite, një dublere pasive. Aktore në prapaskenë, por duke ndjekur të gjitha aktet e një loje surreale në një teatër absurdi. Një teatër i një jete femre që mbante emrin Dora.

Dorën nuk e takova më për shumë kohë. Ajo ishte temë e bisedave në shoqëri, në kafene, në zyra. Thonin se kishte dashnorë të “klasës së lartë”, zgjedhte cilën punë t’ia donte kokrra e qejfit, flinte në hotelet më luksoze të vendit, fundjavat i kalonte jashtë shtetit dhe tallej me shumë femra që nuk ishin të rangut të saj.
Kur një ditë e pashë të hynte në zyrë me shefin tim, mendova se na mori lumi. Shefi ishte shënjestra e radhës. Për disa muaj ai u bë një tjetër njeri. Ajo femra shtatlartë, elegante mori frenat në dorë. Nuk e mora vesh kush e solli, pse e solli, çfare pune kryente, sa paguhej. Pse e bëri lolo shefin tim të gjorë. Ai humbej pas saj. Vdiste në këmbët e veta kur ajo ia lëshonte një shikim.

Unë me të nuk ndërruam kurrë ndonjë muhabet, veçse një mirëdita dhe ditën e mirë. Unë dhe të gjithë të tjerët, që nuk i hynim në sy të gjithpushtetshmes Dora.

E bukura Dora kreu misionin e saj në kompaninë tonë dhe u zhduk për një kohë. Për tu shfaqur me tërë shkëlqimin e saj në një organizatë tjetër, atje ku gëlonte paraja, prestigji e autoriteti. Sa çel e mbyll sytë u bë e famshme, fitoi para e pushtet. Arsyeja e thjeshtë: shtiu në dorë të parin e asaj organizate.

E apetitet e Dorës nuk kishin të mbaruar. I ndërronte më shpesh dashnorët se fustanet e zeza. Kënaqej vetë, kënaqte edhe të tjerët, ku nuk bëntë punë paraja bënte puna Dora.

Një Mata Hari e llojit të vetë, mendova kur e pashë pas disa vitesh. Po ajo fytyrë, po ato flokë të gjatë e të lëmuar, linjë e përkryer e trupit.
I kishte shkelur të tridhjeteshtatat, por te ajo nuk kishte lënë vrragë mosha. E çuditshme. Të jetë kaq e pashpirt, të mos ketë asnjë ndjesi. Tingëllon e pamundur për një grua të bërë nga mishi e gjaku. Kureshtja më rritej për të mësuar diçka më shumë për jetën, për bëmat dhe personalitetin e asaj gruaje aq shumë të përfolur.

Kur e pashë se kishte filluar punë në vendin ku unë punoja, u habita. Ç ‘të jetë vallë? Gjithnjë takohemi në të njejtat vende pune. Pa ditur gjë për njëra tjetrën. Koincidencë mendova.
Por kësaj radhe ishte më shumë se koincidencë. Na rastisi të punonim në të njejtën zyrë. Vinte kur të donte, shkonte kur të donte. Tërë kohën fliste në telefon. Mbante një pozitë të lartë, paguhej me një shumë marramendëse parash, dhe menaxheri si të gjithë menaxherët e tjerë shkrihej pas saj. Kur ajo fliste ai nuk bënte as gëk as mëk.
Nuk hapej me mua. Se pyesja gjë. Flitej se ishte lidhur me një të huaj të gjithpushtetshëm në vendin tim. I shihja lulet e freskëta çdo dite pune dhe dhuratat e shtrenjta, të gjitha prodhime të modës së fundit. Çokolladat e asortuara në formë zemre nuk mungonin kurrë.

Të jetë dashuruar vërtet dikush pas saj? Edhe ndonjë dashnor në listën e pafund të Dorës?

I shihja dhe i komentoja të gjitha këto me burrin tim në mbrëmje. Misterin e quajtur Dora dhe dashuriçkat e saj interesante.

Por në ndërkohë ndodhi diçka interesante. Martesa me të huajin. Shkruajtën edhe gazetat. E portretizuan bukurinë dhe hiret e saj. Asnjëri nuk guxoi të hap gojë e të thotë se ky trapi ishte i 1001 në jetën e saj. E kush do të jepte një lajm të tillë?

Dora iku jashtë vendit. Dëgjova se bënte jetë prej aristokrateje. Jetonte në një kështjellë moderne. Dukej si e përhitura e përrallave. Hante me lugë argjendi. Shëtiste gjithë botën me burrin e saj 20 vjet më të vjetër se ajo.

Më hante kureshtja të dija çka ndiente për atë të huaj të pasur e arrogant. Si i kalonte ditët e shkurtëra e netët e gjata me të. Si vidhte kohë për t’iu dhënë epsheve të dashnorëve të rinj!

Pas një kohe mora vesh të jetë kthyer. E takova një ditë tetori në kryeqytet. Dukej keq, e shkallmuar e plakur. Bukuria e saj ishte zbehur.
Nuk e pyeta gjë. I dija të gjitha. Ishte ndarë nga ai maskarai i pasur. Donte të kthehej të jetonte në vendin e saj. Përgjithmonë.
As nuk u befasova kur e pashë në vendin tim të punës pas disa muajsh. Ishte kthyer në formë. Mendjemadhe, egoiste, narcisoide. Ashtu siç e pata njohur para 12 vjetësh.

Sapo isha kthyer nga pushimi kur e takova në zyrë. “Kam dëgjuar se je martuar, je bërë edhe nënë, më pyeti papritur. Ke 1 apo dy fëmijë? Dy i thashë.

Nuk foli për një çast. Pastaj me sytë e turbulluar tha: “Unë nuk kam asgjë në jetë. Jam 42 vjeq. Nuk di çka t’i them vetes.

Mbeta pa fjalë. Nuk thashë gjë, se mu duk se dikush më kapi për fyti. Zbrita deri në bufe për të pirë një kafe.

Të nesëmën shkova në punë me ndjenja të trazuara. Gjithë natën e pashë në ëndërr Dorën, të dashurit e saj të njohur e të panjohur. Një shtëpi dhe një fëmijë. Jo ishte djali im. Mu kujtua pak ëndrra si nëpër mjegull. Dora sikur dëshironte të ma rrëmbente djalin tim. I thoja se unë jam nëna e tij, se ai ishte djali im jo i saj. Ma lërë të lutem vetëm për një kohë më lutej Dora.
Unë i lutesha djalit tim të rrinte me të. Dhe ta thërriste nënë.

Ëndrra mu kthjellua krejtësisht kur pashë fytyrën e saj në mesditë.

E shikova mendueshëm. “Të kam ëndërruar gjithë natën. Ti po më ndjek” i thashë.

Ajo buzëqeshi thekshëm. Pastaj me zë të butë mu lut “ tregomë të lutem si më ëndërrove. “Ti kishe blerë banesë afër meje. Dhe unë ta dhashë djalin tim. Për një kohë. i thashë të të thërriste nënë”.

Dora u ngrit në këmbë dhe kapi kokën me duar. “Ti mos je telepatike” Aspak i them. Ishte thjeshtë një ëndërr, dje më the… “ fjalët më mbetën në ajër.

Nuk më la hapësirë të përfundoi fjalinë. “Jo. Kjo nuk ishte thjesht një ëndërr. Unë kam blerë dje banesën time, dhe jam duke shikuar mundësinë të birësoj një fëmijë”

“Unë nuk e di”… mbeta gojëhapur. O zot thashë me vete të kem ëndërruar gjëra kaq reale, kaq të prekshme.

Ajo më shikoi gjatë, pastaj mori çantën për të ikur në drekë e tha.
“Nuk e di sa gjatë njihemi unë e ti. Njeriu nuk ka nevojë të jetë i afërt me dikë për t’ia lexuar mendjen”

“Po, i thashë. Ka një dekadë që po të lëxoj si një libër të hapur”.

Dorën nuk e pashë më kurrë prej asaj dite. U zhduk.

Një Zot i madh e di si përfundoi historia e bukuroshes në të zeza. Çdo lojë e ka fundin. Ajo lozi me jetën ashtu si deshën të tjerët, pa e kuptuar kurrë se ishte vetëm një kukull porcelani në teatrin absurd të jetës.




Prishtinë, 11 shtator 2008

No comments: