GRIMCA POLITIKE
( intelektuali)
Dikush vodhi jetën e dikuj
Por, bëri mirë sepse as dikushit
Nuk i kishte mbetur shpirt për të shitur
Ndaj, nuk i duhej gjë
Tani po vlerësohej më tepër se kur kish jetuar
Sot, për të po flasin mirë edhe të vdekurit.
( lideri)
Një satanë me jaka të bardha
kishte vënë në shitje dhëmbët
u ishin topitur majat nga shpatullat e forta të njerëzve
tha: as gjaku i njerëzve nuk është më si dikur
u prish, i doli vlera e boja, nuk më duhet më!
Tani po pinte lëng të importuar.
( diplomacia)
Kalonin dy prostituta përdore
dhe takuan një virgjëreshë vetëm
të parat menduan :
sa budallaqe kjo vajza që nuk njeh paratë
nxjerrur nga kënaqësia e shfrytëzimit të të tjerëve
dhe fjalët e ëmbla boshe që u thuhen
për t’i admiruar e kërkuar
E dyta mendoi të njëjtën për të parat.
( qeveria)
Mbrëmë pashë në lajmet kryesore
një kuriozitet për disa lloje pemësh
me fytyra njerëzish
që kultivohen në vendin tonë.
të kalburat qëndronin kokëpërpjetë
fuqishëm të kapura në dru, ndërsa
të shëndoshat binin në tokë
në pemën e çuditshme kishte edhe një lloj tjetër
që ushqeheshin me njëra tjetrën .
( votuesi)
E ardhmja më bëri një ftesë
për të vallëzuar e festuar bashkë
nuk mund ta refuzoja, por
ndjeja frikë se nuk i dija hapat e duhur, ndaj
e luta të kaluarën time t’i bëhej partner në ballo
të nesërmen me zgjoi fuqishëm një goditje
e sotmja po mbante kamxhikun në dorë.
( populli)
Sot kalova suksesshëm operacionin
Jam zyrtarisht i verbër,
i shurdhër dhe memec
I dhurova të gjitha shqisat e mia , me vetëdëshirë
Sa kënaqësi ,tani,
të tjerët po flasin në vend timin
Edhe dëgjojnë,shohin dhe pastaj
më udhëheqin , ndërsa unë i përcjell prapa
Kam mbajtur vetëm shqisën e të nuhaturit
nuk më duhet tjetër
orientohem nga fundërrinat .
No comments:
Post a Comment