E nderuara z. Medije Vraniqi !
Kjo letër që po ju shkruaj , i ngjan më tepër një falenderimi për një dhuratë aq të madhe që keni ditur dhe përgatitur një vepër, të`them më tepër se kryevepër, kushtuar bijës suaj Valona.
Para së gjithash, të ngushëlloj Ty si nënë dhe mbarë familjen tënde, bashkëshortin, vëllaun dhe motrat. Dhashtë Zoti mos të keni më ngjarje të tilla. Me përkushtim i lutem të MADHIT ZOT , që shpirti i saj i virgjër , të prehet i qetë në parajsën e amshueshmërisë dhe Ju të bëheni të fortë për ti rezistuar kësaj dhimbjeje të madhe, të cilës i bashkangjitem edhe unë si dashamirëse e juaja.
Mirëpo, jeta po vazhdoka dhe duhet pranuar realitetin , sa do i dhimbshëm të jetë ai.
Në fillim e pashë ballinën e librit, që përmbante fotografinë e Valonës prej bukurosheje dhe më besoni se nga dhimbja disa ditë nuk kam mundur ta lexoj librin….
Për t’i qëndruar besnike z. Drenusha Zajmi Hoxha, e cila ma dhuroi, i shkova librit deri në fund. E falenderoj nga zemra Drenushën, që është një grua e denjë dhe personaliteti i saj nuk përshkruhet në letër, por do të mundohem me pak fjalë t’ shpreh vetëm disa prej vlerave që ka: është një bashkëshorte e mrekullueshme , një nënë e përkushtuar ndaj fëmijëve, një motër e mirë dhe një bijë me humanizëm të jashtëzakonshë m.
Vargjet e poezisë suaj , kushtuar Valonës, më pëlqyen shumë dhe çdonjërën tek e lexoja, më rridhnin lotët dhe s’mund t’i përmbaja dot. Por, aty gjeta edhe krenarinë prej një nane të qëndrueshme dhe të fortë. Andaj edhe ky qëndrim i juaji e ka vlerën e lartë, përmes së cilit qëndrim dhe veprës suaj, ju keni sjellur të gjallë Valonën mes nesh. Pra, falemnderit! Ajo vërtetë do të jetë gjithmonë midis nesh- brez pas brezi.
Me shumë respekt:
Prizren, 4 shkurt 2009
Flutura Zhubi- Zajmi
P. S. Një poezi kushtuar Valonës nga unë.
NJË DHURATË PËR TY VALONA
Do ta dhuroj poezinë time
Të gatuar mjeshtërisht nga lotët
Do ta dhuroj besën e Nënës tënde
Që mbahet burrërisht
Valona! Nëna të thërret
Shkruan emrin tënd në çdo copëz letre
Në çdo kujtim
Dhe i shmanget rrënkimeve
E të pret në anën tjetër të kohës
Aty ku ti një ditë
Do t’i lexosh shkronjat e fatit të saj….
Do t’ia ushqesh shpresën
Mes diellit dhe hijeve gjigande
Që iu rrënuan me kohën
Ditëve, netëve, javëve, muajve e viteve
Valona, Ti! Si Ajsberg i bardhë e vizionare
Kishe ëndërra shumë
Dhe në atë kohë lundroje
Në lundrën e ëndërrave bashkë me shpresat
Imagjinoje dhurata
Nga familja ose dikush tjetër…..?!
E unë si një e panjohur
Shkruaj vargje sot për Ty dhe
Ta dhuroj këtë poezi
Duke të imagjinuar
Si një bukuroshe që vallëzon
Në kolloseun e Vienës
Veshur me një fustan nusërie
Dhe pastaj kthehesh drejt meje
Duke ecur me kokën lart, krenare
Vjen afër meje e më përqafon
E unë ta dhuroj këtë poezi
Valona! Nëna të thërret!
Të kërkon dhe ngrihet mbi dhembjen personale
Eh jeta , jeta , kështu qenka
Sot, dje….nesër
Dhe pas shumë kohësh
Nënës sate do t’i duket
Se gjithmonë po dëgjon një tingull
Të zërit tënd të ëmbël
Si melodi që solohet
Mjeshtërisht në kitarë
Me një tekst të bukur e plot nostalgji
Thua se vërtetë do të fliste
Për të bukurën e të madhen tënden DASHURI.
Flutra Zhubi Zajmi ( 4 shkurt 2009)
No comments:
Post a Comment