Monday, June 19, 2006

Bota e Gruas Shqiptare-DRENUSHA ZAJMI HOXHA-MANUAL PER 'GRATE REBELE'

Drenusha Zajmi Hoxha


PUSHIMET PATRIOTIKE
( MANUAL PËR GRATË REBELE)

Çdo fillim vere , te një përqindje e madhe e gjallesave njerëzore, lajmërohet një amnezion kolektiv rreth pushimeve. Realiteti therrës i vitit të kaluar duket larg ,shumë larg. Në fakt secili, që ka një koeficient intelegjence pak më t’ lartë se çmimet e hoteleve nëpër rivierat shqiptare, mund ta kuptojë tre minutat e para të arritjes, se asgjë nuk do të jetë ndryshe nga viti i kaluar. Por, vazhdon të besojë në mrekulli, me atë pjesën tjetër që ka mbetur nga ai koeficienti.
Kur do ta kuptonim se askush nuk shkon në pushime për t’i shpëtuar nga zhdukja pandat ose t’i gjejë të gjitha përgjegjet rreth misterieve të jetës me anë të meditimit, atëherë shumë më lehtë do të përshtateshim në faktin se pushimet janë vendi ku i dërgojmë edhe problemet tona të pushojnë. Kështu jemi me të forta të dyja palët, për tu perballur në njëmbëdhjetë muajt e ardhshëm. .

SHEHERAZADA NË PARAJSË
E kështu pra, shkoj unë me pushime dhe qëndroj në një plazh t’ zbrazët e të izoluar, rrethuar me lisa qindvjeçarë, që janë mbjellur para dhjetë viteve.
Shoh para meje ca femra me trupa seks bombash , të cilat dorë për dore bëheshin gati për të hyrë në ujë…..jo prit…nuk janë dy femra…...qenkan një çift i mrekullueshëm si Adami dhe Eva…..jo, jo,….prit nuk shoh mirë…. qenkan dy bilderë , që më rrijnë gati me njëfarë mjeti bartës prej bambusi dhe më flladisin me një fletë të madhe palme.Dua ta mendoj pikërisht kështu. Unë rri e shtrirë , symbyllur, e mbuluar lehtë më diçka prej mëndafshi e me shumë xhingla –mingla nëpër gjymtyrë sikur Sheherezada. Një muzikë e lehtë më vjen ngadalë në vesh dhe shpërndahet përrreth sikur avulli nga banjot turke , ndërsa une ha fiq të thatë dhe buzëqeshem me ca gra të mrekullueshme , që m’i fërkojnë shputat dhe më parashikojnë ardhmërinë time të ndritur në shuplakë.
Shpejt më sjellin edhe ujë të freskët nga një burim, i cili fshihej pas një ujëvareje dhe premtonte vitalitet, i shlyente të gjitha gjurmët e jetës jo t’ shëndoshë , mundësitë për karcinom nga dielli e vrima e ozonit; , i shlyente si me dorë problemet, brengat, mangësitë dhe të gjitha ndyrësirat tjera njerëzore.
Plazha gjendej diku afër parajsës . Banorët ushqeheshin me mjaltë dhe ishin shumë dashamirës. Më ofrojnë të gjitha shërbimet falas. Prit!, pse më duken fytyrat e tyre të njohura? Njësoj si ato nga fotografitë e katalogjeve për besë…ja sikur kanë dalur prej tyre …ai djali i gjatë sa lista e borxheve të mia dhe ajo vajza me një varg lulesh rreth qafës kah kërcente hula dance.
Më vonë bëhem gati për shoping. Mirë, a duhet ta them disa herë që kjo ndodh çdo ditë? Çdo ditëëëëë…çdo ditë; shoping ku nuk shikon fare sa para harxhon dhe blen gjërat më kualitative në botë. Ndjehem si mbretëreshë kah më masin e çmasin, me veshin e zhveshin , ndërsa unë qëndroj para pasqyres më e mrekullueshme se kurrë.
Për të thënë se edhe në pushime mund të punosh diçka , përgatis projektin për bimët e rralla e të pazbuluara nga dikush tjetër, me të cilat arrij ta prodhoj parfumin me emrin tim: dehës dhe kthjellues njëkohësisht. Së shpejti plantazhet e mia do t’ lulëzojnë dhe unë mund të them me plot gojën se jeta ime më në fund, pas dekadash fjalëve të kota, si duket megjithatë do të ndryshojë dhe do merr kuptimin e duhur.
Në ndonjë moment ligësie, frikohem se jam në ëndërr, ose mund të ndodhë tsunami, ose dikush do t’ përdorë bombën atomike dhe kështu zemëron forcat e natyrës, të cilat pastaj ndrydhin hapërsirën e kohën dhe universi kalon në ndonjë pikë tjetër….por jo, ma çfarë…asgjë nga këto cikërrima s’dua të ma prishin qetësinë time prej kozmo-gruaje në këtë ishull gati mitologjik

ALL INCLUSIVE

Dhe krejt kjo kënaqësi do të vazhdonte , po qe se s’do të dëgjohej një cingërrimë e tmerrshme, bezdisëse. Zgjohem dhe shoh se bjen ajo dreq, zilja e derës. I hap derën tim shoqi dhe shoh pas tij, kokën e fqinjes kureshtare, që po ma bënte gëzueshëm me shenjë se ka lajme të mira. I lëshoj brenda turrivarur dhe vazhdoj të kërkoj me dëshpërim nëpër dhomë ndonjë gjurmë të asaj magjije më parë. Kot.
Për të qenë më keq, kjo fqinja ia nis bash me këtë muhabet, na lajmëron se sivjet do shkojnë për pushime në Ulqin. Kishin bërë gati rezervat me turshi, kosin taze kundër djegjes, djepin dhe gjygymat e çajit për plazh. Madje kishte dëgjuar se, prej sivjet , atje do të kishte edhe përkthyes shqip- shqip, që helbete, të mirren vesh shqiptarët e të gjitha viseve mes vete.
Pastaj na bëri me dije se ka ardhur në një përfundim shumë filozofik : se patriotizmi nuk po u tregoka vetëm në luftë , por edhe me vendpushime. Na tha me pompozitet, ndërkohë që mbante gishtin tregues lart se qenka turp të shkosh diku tjetër me pushime, pos në Durrës, Vlorë ose Ulqin. Shikova tim shoq dhe vërejta se, ai ia pohonte këtë filozofi prej amebe, heshtazi me kokë. Eh, kjo i bëri gati për shpërthim ato tri ulcerat e vogla në lukth, që mu patën krijuar nga pushimet e kaluara.
I kthehem burrit dhe i them: “Nuk e dua këtë detin tënd, a more vesh? Deti yt patriotik nuk ka ujë fare dhe të mbetet rëra nëpër brekë derisa mëshirohet hoteli të t’i dhurojë dy orë ujë të ftohët për dush. Nuk dua sa herë t’i fërflloj flokët anash, tjetri t’i hyjë kripa në sy , shkaku se skam bërë dush dy ditë E kur ka ujë, ska korrent. Gjithë kompleksi i hoteleve lidhet me rrjetë marimangash prej kabllove elektrike prej nga vidhet rryma dhe është risk të t’ bëhen flokët kaçurrela sa herë del n’ ballkon. As më intereson të shoh nënat kah iu lajnë fëmijëve brekët nëpër det, as recepcionistët- fëmijë të Durrësit, që mezi të përshëndesin, as shefat mafiozë që duhet t’i falenderosh se të kanë gjetur një dhomë pa kondicioner me çmim astronomik…. nuk dua, nuk dua….
Nuk dua bre, të më kafshojnë me lezet mushkonjat, mizat dhe insektet tjera si t’iu vijë për oreks. S’jam e interesuar të lidh miqësi të “përjetshme “me ata që kanë parë detin për herë të parë dhe lahen me sapun e shampon ne të . Jam e lodhur, i thashë, nga gratë që pas një minutë njohjeje, më tregojnë gjithë historinë e jetës së tyre: për burrat pijanecë, prostitutat e qytetit, tragjedinë, zemërmirësinë dhe të hequrat e tyre , sëmundjet e hallave, tezeve apo dreqit të mallkuar.
Deti yt, vazhdova, është tri kilometra larg prej plazhës dhe kalohet nëpër do pyje me gjarpinj e zvarranikë të tjerë. Konsiderohesh me fat po gjete një vend të lirë për çadër diku mes wc-së publike, që punon 24 orë nën rërë. Dua të shkoj larg a kuptove? i thashë…diku ku mund te grindemi në paqe bre….diku ku më shërbejnë alla-minut dhe nuk duhet të pres tri orë për një kafe të thjeshtë.
Nuk dua të buzëqeshem kur afër trupit tim nën diell, të vlojnë gjygymet e çajit dhe të dëgjoj muzikë çaje-shukarie , në kohën kur po vizuelizoj të gjitha mrekullirat e jetës, a kupton?? ….S’dua ti shoh njerëzit si fotografohen me gomarin dhe nuk e dijnë cili duket ma mirë….. S’dua të frikohem se do më vjedh paratë çdo shitës revistash të para tri viteve e pastaj tia shaj të gjithë komplet: prej gjyshit e deri te ndonjë breshkë, qe e mban në kavanoz dhe njëkohësisht të them në mënyre pompoze, se ska kush m’i prish qëndrimet pozitive dhe qetësinë e brendshme në këtë ambient relaksues shqiptar. Dua pushim , i thashë……dua det të kthjellët, qetësi, dua të mi mbajnë valixhet ata të hotelit, dua menu të pasur e të llojllojshme në mëngjes e jo bukë bajate, një kilogram gjalpë në tavolinë suedeze dhe ca vezë të ziera kazani, dua të ik mu nga këta njerëz kuptove? Dua të ik nga këta patriotët tu që në emër të kombit, ma rrjepin lëkurën dhe trurin dhe kuletën…….Dhe shih i thashë kërcënueshëm , dua all incluzive , bashkë me ty në paket, qysh nesër……gjeja fijen si të duash”.
Fqinja më shikonte e shokuar, ndërsa im shoq bëhej thuase, nuk më dëgjonte fare, ndonëse e shtrydhte limonin me një forcë të çuditshme , për një moment mu duk thuase i drejtohej me emrin tim…..
“Por, po thonë se sivjet do jetë më mirë”…..më tha fqinja tash pak më e ndrojtur. “Ja , hip në autobus natën dhe thuaja për të njëjtat orë, maltretime, gropa e humnera dhe erë trangujsh kavanozi, mbërrin si në Ulqin, si në Durrës. Por, si të arrish atje, të gjitha harrohen” më thotë me një ton të butë, sikur i flitet dikuj që posa ka pësuar thyerje nervore.
“Shih e dashur,i thashë, pushimet nuk janë asgjë tjetër , pos njëfare transakcioni i frikave,frustrimeve e f-ja ve tjera në një lokacion tjetër. Do bëhej më mirë , më argëtuese , më ndryshe, vetëm nëse do ta kishim lënë gjënë kryesore problematike në shtëpi. Por, është e pamundur, ngase kjo gjë jemi vet ne, e kupton?” ia ngrita zërin
Dhe pastaj mbylla muhabetin.
Fqinja u ngrit disi duke u hamendur dhe u nis kah dera pa fjalë. Të nesërmen i kishte thënë tim shoqi se ka frikë se kam lojtur mendësh, ndaj sipas saj, shërimi i plotë do të ishte veç në plazh të Ulqinit ose dikah pas njëfarë shkambi në Shqipëri. Nuk ka lidhje se me mijëra turistë mbushin spitalet e qyteteve bregdetare me myshqe e këpurdha nëpër lëkurë, infekcione të jashtme e të brendshme, sëmundje barku e shpine, aksidente nga veturat shetitëse nëpër plazh, prerjet nga mbeturinat e xhamave ose mo Zot, edhe ndonje plumb që rastësisht fluturon mbi kokën e turistit……joooo, sipas fqinjes këto imtësira nuk janë asgjë në krahasim me vetitë shëruese natyrore të viseve shqiptare. Vet ambienti patriotik do të ndikojë në gjendjen time shpirtërore.
Këtë ma tregoi burri pas disa ditëve në aeroplan , ndërsa unë pas disa netëve pa gjum, kur kisha ushtruar të gjitha oktavat që m’i mbajnë kordat e zërit dhe ia kisha përmendë babë e babgjysh……po shikoja gati në delir ca objekte interesante , të qytetit ku ishim nisur e po arrinim shpejt…. dhe gati sa nuk i pashë përsëri atë fytyrat nga katalogjet që më uronin mirëseardhje nga larg. Natyrisht, me gjethe të mëdha palmash nëpër duar.
.

No comments: