SEVDIJE REXHEPI, GJILAN, KOSOVE
Ignis fatuus
Mes oqeanidesh mitike
Strukur thellësisht shpresa
E pastër si çelibar
Ku ditët tërhiqen zvarrë
Për të përqafuar dritën
Pegasi endet në fluturim
Të mbrojë njerëzimin nga Erinitë
Ndër shekuj
Vazhdimësi dyndjesh
E Golgotash
Eoli u fal erën
Nimfave lozonjare
Të përkundin mirësinë
Mes shpirtrash t’çoroditur
Tangjenta e ikjes
Më thonë Engjëjt
Ik..
Para rrezeve të para
Të stinës më të bukur
Atëherë kur pas shiut
Ylberi nis e lidh brigjet
E këngë e zogjëve
T’i zgjojë mëngjeset
E lagura me vesë
Më thonë...
Të ngjitem atje
Në çatinë e botës
Ku yjet pëshpërisin
Me gjuhën e shkëlqimit
Nën dritë hëne
Të mas botën me milimetra
E ta stërzgjas kohën
Është më mirë, më thanë
Të jem ëndërr e dëshiruar
Se sa rrënjë e thelluar
Eterike
Zgjuar
Në retrospektivë
Mysafire jam në sytë e tu
Netëgjatat sërish thërras
Si atëherë
Kur vegëz më vegëz
Thurnim me ngjyrat tona
Trikon e dashurisë
...të papërfunduar mbetën
Krahët për shtrëngim
Ëndërr...
E tretur në hapësirën pa emër
Fijet që merrnin e jepnin frymë
Diku në shkurret e kohës
U ngatërruan...
Morën në thua...
S.REXHEPI
Gjilan
No comments:
Post a Comment