Fustani
Lira, rrotulloi çelësin në bravë e bashkë me kërcitjen e tij ,ndjeu sikur diçka i kërciti e ju thye brenda . Lotët ju rrokullisën faqeve, ish munduar të sajonte një buzëqeshje tek i thosh atij natën e mirë me shpresë se do t'i jepte një puthje sado të lehtë e të zbehtë në faqe, por hiç. Ai ishte mjaftuar një "natën e mirë" të thatë dhe e kish shikuar... oh sa keq i kish bërë ai shikim i ftohtë...Tjetër gjë kish shpresuar atë mbrëmje.
- Mos e bli !- i kumbuan në veshë fjalët e shitëses së re e simpatike, kur kish vendosur të blinte fustanin. Kish parë sytë e saj. Të bukur , po të çuditshëm, kishin atë vështrim ... pak si të larguar, prezent e njëkohësisht sikur nuk të shikon. Lira kish mbetur një çast. Eshtë kaq e re, nuk ka përvojën e duhur , shitësit duhet të bëjnë çmos të shesin mallin që kanë në dyqan. Po sikur t'a dëgjojë pronarja ? Pasi u sigurua që kjo e fundit ishte e zënë me klientë të tjerë , e pyeti me zë të ulët :
- Përse ? Eshtë shumë i bukur ,- e ndërkohë nuk ja ndau shikimin atyre syve duke mbajtur me zor të qeshurit. Ishte një pyetje e kotë, kish vendosur t'a kish me çdo kusht fustanin për këtë mbrëmje , por ishte bërë kurioze , e pastaj nuk kish si t'a humbte atë përgjigje, kushedi se ç'xhevahir do të nxirrte ajo gojë e bukur .
- Bëj si të duash, nuk t'a këshilloj ,- ja ktheu thatë vajza së cilës nuk i kishin shpëtuar shkëndijëzat e gazit të bashkëfolëses. Pa shtuar as edhe një fjalë mbeshtolli fustanin, mori lekët dhe i ktheu kusurin pa denjuar t'a shikonte në sy.
Lira hoqi fustanin dhe e vuri në varëse. Ishte i bukur, i zi, elegant, një prerje që linte të shihej një dekolte e hijshme, një prerje që vinte në pah rrumbullakësinë femërore atje ku duhej, e vinte e ngushtohej në fund duke u zgjatur pak aq sa t'a tregonte më të hajthëm e më të gjatë trupin e saj. Kish dashur të bënte figurë të mirë atë mbrëmje, e me një palë taka do të dukej si ato vajzat në faqet e revistave të modës...Nuk e futi në dollap, e vari duke e ngecur grepin e varëses mbi derën e bardhë të dhomës së gjumit e u drejtua në kuzhinë. Kish nevojë për një kamomilë të mirë atë natë ku do të mungonin ëndrrat e bukura. Me filxhanin e kamomilës u drejtua drejt dhomës së gjumit. Befas, fustani i zi mbi atë sfond dere të bardhë, dekolteja ishte në formën e pikës së lotit, i gjithë fustani ngjante një lot i zi që i pikonte aty përpara dhe zëri i shitëses :
- Mos e bli !
- & -
- Kam një rast special , mund të më këshillosh se ç'fustan duhet të zgjedh ?- Lirës nuk i bëhej vonë se tani ishte rradha e vajzes së re të qeshte me të, aq i bënte. Fati i kish dhënë një rast të dytë me atë djalë që e shoqëronte në ëndrra prej kaq kohësh .
Mirëdita !- ju përgjigj thjesht shitesja. Jo , sytë e saj nuk e tallnin, por po e shikonin me kujdes nga koka tek këmbët .
- Mirëdita- ja ktheu Lira pak e hutuar, kish harruar të përshëndeste ,- desha një...- desh t'i thosh këshillë...- e zonja e dyqanit u afrua duke buzëqeshur në mënyrë të tillë që të linte të kuptonte se ishte ajo ,së cilës duhej t'i drejtohej.
- Desha të blija një fustan ,- foli si me pahir Lira.
- C'tip fustani keni ne mendje ?
- Për një mbrëmje...
- Eja, sapo më kanë ardhur ca modele të reja, janë shumë të bukura, - entuziazmi i gruas e tërhoqi Lirën dhe e ndoqi pas.Gruaja tërhoqi një perde pas së cilës ishin varur fustanet e reja. Menjëhere i ra në sy një fustan me ngjyra të çelura. Edhe modeli ishte i bukur, pastaj ato ngjyra delikate... Lira u afrua dhe e preku . Butësia e cohës në prekje e mbushi me ndjesinë e mirëqenies. Padashur ktheu kokën nga shitësja , fytyra e saj ishte e çelur e sytë shprehnin miratim.
- Shiko sa i bukur është dhe ky tjetri ! - Lira pa fustanin që po i tregonte e zonja e dyqanit. Ishte vërtet shumë i bukur, si nuk e kish vënë re më parë.
- Ja, dhe ky tjetri , duhet t'ju shkojë shumë, do t'ju japë një pamje tjetër, më sofistikuese.
Sytë e shitëses dukeshin të largët, sikur as që i binte ndërmend se Lira ishte aty ,ose sikur aq i bënte se ç'fustan do të zgjidhte. Mori fustanet e u fut në dhomën e provës. Të tre i rrinin për mrekulli, a thua ishin qepur me masat e saja. Nuk dinte kë të zgjidhte.I hoqi dhe i vari duke i kundruar.
Të isha në vendin tënd , do të kisha zgjedhur këtë,- pronarja e dyqanit vuri gishtin mbi fustanin e zi, - e zeza është elegante e të mbulon difektetet.
Shitësja kaloi pranë ,pa ja hedhur syte. Cilin do t'i kish këshilluar ajo ? Fundja ,përse t'a vriste mendjen kaq shumë, fustani i parë i pëlqente, por për atë mbrëmje ... nuk bënte, duhej të ishte diçka më shik.
- Mirë, këtë do të marr ,- ajo vendosi gishtin mbi fustanin e zi. Le të mendojë ç'të dojë ajo shitësja, e zonja e dyqanit është më e vjetër e ka më shumë eksperiencë, mendoi tek pa duart e shkathëta tek palosnin fustanin për t'a futur në kutinë e kartonit e ja zgjati duke i thënë se mund të shkonte e të bënte pagesën . U drejtua nga kasa me ndjesinë se po linte diçka që i përkiste asaj aty prapa.Mbajti hapat.
- Më fal, u pendova, dua të marr atë tjetrin.
E zonja e dyqanit e ruajti buzëqeshjen e mirësjellëshme edhe se sytë e saj tregonin se e kish humbur durimin . Megjithatë nuk e bëri veten, mendimi se po e shiste një fustan, i justifikonte minutat e humbura. Palosi fustanin tjetër me po atë zhdërvjelltësi të duarve, e futi në kuti e ja zgjati. .Lira ju afrua kasës me të në dorë dhe nxorri paratë.
- Bëre zgjidhje të bukur. Por mos e vish sonte këtë fustan, - i pëshpëriti shitësja tek i ktheu kusurin.
- Cfarë ?!
- Vish diçka tjetër, diçka që e ke veshur edhe herë të tjera e je ndjerë mirë.
Lira e vështroi në mëdyshje. Nuk duhej të ishte normale nga trutë, ajo mezi priste t'a vishte atë fustan e të shkonte në atë takim.
- Bëj si të duash, nuk të detyroj...
- Mbaje këtu, do të vij t'a marr nesër,- ndërroi mendje Lira duke i zgjatur kutinë me fustanin brënda, intuita i thosh t'i besonte asaj vajze , edhe se nuk kuptonte se nga i vinte ai besim.
- Eli, çfarë po kurdis ashtu ?- pronarja ruante ende buzëqeshjen e ëmbël për klienten por kjo nuk e pengonte të shprehte inat në sytë e saj për shitësen. Lira e vështroi e habitur se si kish mundësi që një fytyrë t'i shprehte njëkohësisht të dyja.
- E ka paguar,thjesht po e lë këtu e do të vijë t'a marrë nesër, - tha shitësja.
- & -
Donte dhe pak minuta që dyqani të mbyllej kur Lira ju afrua banakut. Shitësja që quhej Eli, vetëm kaq dinte për të , i buzëqeshi.Si hije u afrua e zonja e dyqanit.
- Shpresoj të mos kesh kthyer mendje e kërkon paratë ?- i tha ajo si me të qeshur .
- Jo, nuk kam kthyer mendje ,- buzëqeshi Lira.Mori qesen që i zgjati shitësja dhe i pëshpëriti.
- Të pres tek bari këtu afër .
E pa tek hyri në lokal, veshur thjesht me një fustan linoje të bardhë.
- Faleminderit ! - foli e para Lira.
- Përse ?- vajza ngriti fare pak vetullat e Lira admiroi atë ball të bukur.
- Si përse ? Ndoqa këshillën tënde .
- Këshillën ? - një notë e lehtë gazi ndihej në zërin e vajzës, gjë e cila e hutoi Lirën. - Si të shkoi mbrëmja dje ?
Lira pa orën, nuk kish shumë kohë, kish lënë sërish takim me atë djalë e pas pak minutash duhej të largohej. Mbrëmja kish shkuar më mirë se e kish parashikuar. Sot do të shiheshin prapë. Më mirë se kaq...
- Si e bën këtë punë ? Desha të them se si...
- Se si jap "këshilla"?- vajza qeshi këtë herë me zë.
Lira nuk e zgjati. Nxorri nga një qese fustanin e zi në formën e lotit dhe e hapi.
- Kishe të drejtë për këtë. Më solli tersllëk, e pastaj vura re se vërtetë është shumë i bukur, por ka formën e lotit. A thua të jetë kjo ?
- Formën e lotit ?!
- Po . Të lotit ,- e hutuar nga e qeshura e vajzës , Lira mbante në dorë fustanin , pa vënë re se përpara saj kish ndaluar një grua e re .
- Sa fustan i bukur !- nuk e mbajti një klithmë admirimi ajo.Sytë e Elit shkëlqyen me qesëndi.
- Të pelqen ?
- E si të mos më pëlqeje , ka formën e zemrës.
- Zemrës ?!- Lira nuk po u besonte veshëve.
- Ku e ke blerë ?
Lira desh t'i thonte se ai fustan nuk kish formën e zemrës dhe se ai fustan asaj ...
- Ky ishte i fundit. Por zonjusha është penduar e don t'a ndërrojë . Nëse të pëlqen , zonjusha nuk ka asnjë kundërshtim ,mund të bini dakort, apo jo ?- Eli ktheu sytë nga Lira pa i dhënë kohë të fliste.
- Sa kushton ?- kish padurim në zërin e gruas së re .
- Në fakt ,unë desha t'ja falja zonjushës, - foli Lira duke drejtuar shikimin nga Eli.
- Aq më mirë, mund t'ja falësh zonjës , unë nuk e shoh veten me të - qeshi Eli.
Lira ndoqi me sy gruan tek largohej e gëzuar me fustanin në dorë.
- Po sikur...
- Mos e vrit mendjen, ai fustan është qepur për të.
- Nga e din ?
- E di dhe aq. Nuk ishte për ty. Ti kishe nevojë të ishe vetja, ajo ka nevojë të jetë dikush tjetër.
- E njeh atë grua ?
- Të njoh ty vallë ?
Jo, mendoi Lira, nuk e njihte, thjesht një kliente që kaloi në dyqanin ku punon ajo.Pa orën, nëse nuk ngrihej , do të vonohej e nuk donte të linte t'a priste...Por Eli u çua e para.
- Bëj kujdes me rrobat kur t'i zgjedhësh.Jo të gjithë janë të qepur njëlloj, ka që mund të jenë qepur për ty , e ka që nuk janë të qepur për ty. Mos i gjyko nga bukuria dhe as nga çmimi.E pastaj , mos i grumbullo në dollap nëse nuk i përdor.Jepi, fali, hidhi, por mos i mba kot.
- Po si ti gjykoj ?
Eli qeshi dhe u largua. Nuk e përshëndeti . Vërtet vajzë e çuditëshme .Lira u fut në rrjedhën e kalimtarëve të rrugës pa ja ndarë sytë asaj siluete të bardhë. Diku në trotuar ish ulur një djalë me kitarrë e me një qen . Vajza u ul pranë tij ,i mori kitarrën e u mundua t'i binte. Lira mbajti hapat. Desh t'a dëgjonte. Por ato që i kapi veshi ishin vetëm disa nota të ç'akorduara që u shoqëruan nga të qeshurat e djalit e shkaktuan buzëqeshje tek kalimtarët. Qeshi dhe vajza me atë të qeshur kumbuese ,e pasi i hodhi dy monedha në tasin që ishte vendosur prane qenit ,u ngrit e vazhdoi rrugën duke ju marrë pak këmbët. Më pas qëndroi pranë një të moshuari me shkop në dorë që kish ndaluar për t'u çlodhur e i pëshpëriti diçka në vesh. Burri i moshur filloi të qeshte, lodhja sikur ishte fshirë nga tiparet e rrudhura.
- Vajzë e bekuar ! E çmendur !- kaq kapi Lira nga pëshpërimat e të moshuarit.
E çmendur e bekuar , mendoi Lira, diçka kam kuptuar dhe unë , edhe se duke e dëgjuar fala një fustan të bukur një të panjohure e që më kish kushtuar...Lira filloi te qeshte . Kot që të vras mendjen , tashmë e bëra.Rroba të qepura për mua e jo të qepura për mua...E bukur edhe kjo. Po si duhet t'i zgjedh rrobat e mia, as që kam ndërmend të shkoj përsëri në atë dyqan me ato çmime të kripura.Shumë ,shumë, tek një dyqan kinezi. Mall kinez... vallë ai mall që qepet nga duar të miturish e njerëzve të shfrytëzuar mund të jetë për mua...Tani kohët janë vështirësuar, para ka gjithnjë e më pak e njerëzit si puna ime, në të shumtën e rasteve, mbarojnë punë aty. E përse jo, padashur mbajti këmbët një çast ,janë rroba të lara me lot e djersë mundimi, por... shpresa se diçka do të ndryshojë për mirë i bekon ato...Lira shpejtoi hapin, silueta e vajzës ishte zhdukur, por mendimi për të e dhuntinë e saj, ende jo.
Imperia 10 Tetor 2008
No comments:
Post a Comment