Sublime
Krijesa ime e vockël dhe e ëmbël
bërë prej mishi e gjaku
me dashuri e ëndrra ngjizur
përmes dhimbjeve lindur
delikate dhe e brishtë
e bukur deri në mallëngjim
... aq sa më lë pa frymë…
Të marr ndër duar
e në këtë moment
kuptoj sa të ngjashëm
e të ndryshëm
jemi me zotat,
të ngjashëm
se himnin e pavdekshmërisë
këndon frymëmarrja jote,
të ndryshëm
se për ty
drita e syve të mi
do të gozhdoja
veten në kryq…
Dëgjova zërin tënd...
Dëgjova zërin tënd
e...
dita ndryshoi ngjyrë...
Bija ime
ç'shpirt i ëmbël
ka hyrë
në mishin e gjakun tim
për të t'krijuar
Ty...
Befasohem...
U befasova
se si qielli
kish të njëjtin
shkëlqim
të syve të tu
edhe se
në ngjyrë tjetër...
Se si profumi
i tokës
ajrit
detit
pemëve e luleve
është i njëjti
me atë
të lëkurës tënde...
Befasohem
bija ime
kur mendoj,
se sa të ngjashme
janë gjërat e dashura
me gjërat e bukura
që na dhuron
jeta ...
Lot vajze
Një pikë loti
trishtueshëm ra mbi asfalt…
Një kontinent dashurie
ish mbytur në të….
Desha t'i thoja…
….. asgjë nuk i thashe…
do ta kuptojë vetë…
… se në shpirtin e saj
dashuri…
ka një univers …
Një vajzë e bukur kalon rrugës...
Gjuri
përthyhet lehtas
në çdo hap
flokët
mbi supet e hajthmë
mantel i artë
dy buzë
gonxhe
të një trëndafili
nënqeshje
e dlirë
si rreze dielli...
rrugës
po kalon një vajzë...
Je vajzë
apo... je ëndërr
që rrugës fanitet...
tek shikime të panumërta
mbi hapat
e tua përmbysen...
zemra ime prej nëne
me ankth përpëlitet
bijë,
mbi ç' sy vallë
shikimi yt do të ndalë ..?
Vajza ime…
Vajza ime
tashmë është një ëndërr
e unë një … pritje
Vajza ime
ëndrrën u ka rrëmbyer
pulëbardhave
e ka ikur tutje…
Vajza ime
mes detit dhe qiellit
porteve dallëndyshe…
Vajza ime
një ëndërr në lundrim
e unë
zemër që bën durim…
Vajza ime
marinare ëndrrash
endet nëpër botë
këtu unë
port këmbëngulës
në një pritje kokëfortë...
Ka fytyrën tënde
Tri ditë
që nuk dëgjoj
time bijë...
është larg
diku atje
në Ukrainë a Rusi...
e mendoj
çdo moment, çdo çast
labirinte
malli e shqetësimi
emri i saj
poezi që më endet
shpirtit
ka fytyrën e saj
...dhe shijen e lotit...
No comments:
Post a Comment