POEZI NGA DRENUSHA ZAJMI HOXHA PRIZREN
Drenusha Zajmi Hoxha
POEMA MBI LUGINAT E JETËS
Dikush e turbulloi burimin e ëndërrave
Që kokën nxorri turpshëm nga malet e jetës
Vazhdoi ngadalë, drejt rrugës së panjohur
Në shtratin që takonte kthesa të rrezikshme
Dhe përplasej furishëm shkëmbijve të thepisur
Vetëm një mendim më sillet nëpër kokë
Jam e krisur , e krisur....
Nga pikat e vogla shndërrohet me furi
Një lum i fuqishëm që fatin e kërkon
Kot shiu plot lotë dhe bjeshkët e zemëruara
Me shpata të frikshme para e sfidojnë
Kush mund të ndalojë shpirtin, që ishte i braktisur
Vetëm një mendim më sillet në kokë
Jam e krisur, e krisur...
Ndodh këto dëshirat, që trupit gjak i japin
Në luginat e jetës të mos kenë jehonë
Si kristale të vogla udhëheqin në errësirë
Se për tu derdhur vrullshëm, në detin e parajsës
Për jetërat e amshueshme, nuk mund të jetë vonë
Një pasion i vetëm dhe ekzistenca është nisur
Vazhdon të më mundojë mendimi në kokë
Jam e krisur, e krisur...
Ndërron shumë herë formën , por shkon duke u rritur
Lumi i dëshirave në udhëtimin e zjarrtë
Puthë rrugës mbretëresha e poetë të vjetër
Lidhur me zingjirë, robër në shkretëtirë
Një ditë kur ylli i dritës në orbitë të vijë
Ta ushqejë me forcën e zemrave të ndaluara
Edhe akullnaja më e tmerrshme përulshëm do shkrijë
Ndjenjat asnjëherë nuk do jenë molisur
Por, ky mendim që nuk më le të qetë
Jam e krisur, e krisur…..
Në shtratin e përjetshëm lumi ndesh miqësinë
Me krahët e qetësisë, vullkanin e mbulon
As ujëvarat më të mëdha, as detërat pa skaj
Nuk e shuajnë dot llavën që përherë gufon
Përqafohen në trishtimin e imazheve të vërteta
Një bashkim i shpirtrave që vazhdojnë si të harlisur
Dhe e di , o Zot , por vetes s’i ndihmoj
Jam e krisur, e krisur.....
Kur agimi të dalë nga çarshafët e natës
Lumit i buzëqesh , si vesa në bar të gjelbër
Se vetëm një moment kur vetmia pendë i bëhet
Sytë dashuri etur, bëhen krejt të verbër
....një trup bëhem me lumin, në alkiminë e jetës
Kohërave të hershme vrapojmë mbi push të butë
Një ditë të vetme gurgullimën, mos tia kem dëgjuar
Atëherë fare, jo
Atë ditë fare nuk kam jetuar.
Derisa të frymoj, me valë do kem gjezdisur
E di, o Zot , por nuk mund të jetë ndryshe
Jam e krisur, e krisur.....
No comments:
Post a Comment