Saturday, June 03, 2006

Bota e gruas Shqiptare-MERITA B-McC SHKRUAN PER GAZETEN TIRANA OBSERVER



MERITA BAJRAKTARI MCCORMACK,LONG ISLAND, NEW YORK, SHBA
ARTIKULLI ESHTE BOTUAR ME 2 QERSHOR 2006 NE GAZETEN "TIRANA OBSERVER"



Herman Nitsch, Akademia e Arteve të Bukura dhe Fatmir Velaj


Eshtë gati opinioni artistik shqiptar të përballojë të gjitha nivelet dhe përmasat artistike të artit botëror? Nuk kisha ndërmend të bëja ndonjë koment për subjektin në titull, kisha vendosur të isha thjesht një "spektatore virtuale" e ngjarjeve artistike, sidomos e kësaj të fundit që Akademia e Arteve të Bukura në Tiranë organizoi për të paraqitur vjenezin Herman Nitsch në Tiranë, me "Teatrin e Orgjive dhe Mistereve". Por ka rreth disa javë që në forumet virtuale, ku shqiptarët anembanë botës diskutojnë për çështje të ndryshme, vihet re një debat disi nervoz dhe polarizues për Herman Nitsch, punën e tij si dhe për Akademinë e Arteve të Bukura dhe disi në një farë mënyre meqë prezantuesi dhe mediatori i këtij organizimi ishte z.Fatmir Velaj, edhe emri i tij është përmendur dhe në një farë mënyre ai, pa dashje, është kapur në një rreth vicioz ku nuk i takon të jetë. Duke pasur respekt për punën e z.Velaj, mendova të shpreh një opinion personal timin lidhur me sa më sipër. Para se të jap mendimin tim për aktivitetin e fundit, dëshiroj të bëj një paranteze për Fatmir Velajn, punimet dhe albumet e të cilit kam pasur rastin t'i shoh në DVD dhe në libra, sipas cikleve. Gjithashtu kam mundësuar të lexoj e ndjek shtypin ndërkombëtar me komentet më pozitive për ekspozitat e tij. Lindur në Vlorë, persekutuar politikisht gjatë regjimit komunist, Fatmiri nuk lejohet të shkollohet për art. I mohohet e drejta me elementare! Mos harrojmë shumë artistë të tillë u persekutuan…. Artist me talent të rrallë në fushën e pikturës dhe fotografisë, lë vendin e tij, kërkon të ushtrojë talentin, dhe arrin këtë, gjen vendin që i takon në artin botëror në një nga kryeqytetet e artit botëror, pikërisht Vjena e lashtë për nga kultura qytetaria, arti, muzika dhe intelektualizmi, e cila i dhuron në shpërblim të artit atë që i duhet shqiptarit Velaj. Pas disa ekspozitave tepër të pëlqyera, Fatmir Velaj shpërblehet me çmimin më të madh që shteti austriak i jep artistëve të tij, pikërisht Çmimi i Republikës së Austrisë, për merita të veçanta në art dhe në kulturë, dorëzuar në kabinetin ministror në Vjenë, atëherë Ministria e Kulturës e Austrisë. Fatmir Velaj kështu jo vetëm vendos veten e tij në qendër të vëmendjes së medias dhe rretheve më të larta kulturore e artistike, por dhe bëhet emër i njohur dhe shndërrohet në një shqiptar, tashmë austriak famoz, emri i të cilit qarkullon në rrethet kulturore artistike anembanë botës. Ekspozitat e tij kanë bërë jehonë nga më të mëdhatë në shtypin botëror. Vlerat e tyre janë përmendur shumë gjerësisht dhe nuk është qëllimi im të flas për to këtu. Ishte pikërisht ky nivel që solli kontaktet e njerëzve më famozë të artit botëror me shqiptarin Fatmir Velaj. Nuk është rastësi që Herman Nitsch, është dakord të shfaqe artin e tij në Shqipëri. Akademia e Arteve të Bukura në Tiranë, jam e sigurt, ka pasur problemet e saj me këtë ngjarje, por më vjen mirë që iu hap dera një shfaqjeje të një niveli botëror për nga interesi që paraqet. Të kalojmë tek debati dhe kontroversioni. Herman Nitsch është një artist me famë botërore që për nga forma dhe përmbajtja paraqet artin më mix, më të tmerrshëm nga paraqitja, më të dhimbshme, më shokuesin, pervers, plot lakuriqësi dhe dhunë. Ai përdor mjete dhe skena të tmerrshme dhe rrëqethëse, janë skena që askush nuk do t'i përjetojë në realitet. Këtu qëndron dhe pika e dobët e njeriut/spektatorit. Kur arti konceptohet si realitet. Mos harrojmë se është thjesht një shfaqje artistike, natyrisht në rastin konkret, ka brenda demonin, katharzën, lakuriqësinë, rite pagane dhe natyrisht Nitsch provokon dhe vë pikëpyetje të madhe në vetë krishtërimin. Kjo ndez debatin dhe provokon në limit. Duke paraqitur gjak dhe mish të vërtetë ku njerëzit ushqehen dhe pinë (në shfaqje) Nitsch provokon komunitetin e krishterë, në të vërtetën dhe në misterin e vet, që përbën bazën e besimit. Eukaristi, pra buka dhe vera që merret pasi bekohet, besohet se është trupi dhe gjaku i vërtetë i Krishtit, dhe provokimi i Nitsch është denigrues për njeriun që beson në Eukarist. Kjo natyrisht ndjell dhe sjell pakënaqësi dhe revoltë. Protesta të ndryshme shoqërojnë këto shfaqje artistike jashtë ambienteve dhe nuk ishte e pashmangshme dhe në Shqipëri. Aq më tepër që sillen edhe pamje që kanë elementet e sipërpërmendura. Në paraqitje skenike e në pëlhurë të një realiteti të vjetër e të ri, të një mendjeje të krisur dhe normale së bashku në një tavolinë. Pikërisht kjo trazon shpirtin, shokon mendjen dhe jep goditje të menjëhershme në trurin e papërgatitur të spektatorit normal dhe mbase kënaqësi në trurin e një spektatori, jeta e të cilit bazohet mbi dhunën, violencën, shokimin dhe tmerrin. Të gjitha janë pjesë e së tërës. Kur çdo e veçantë sillet në një të tërë, shkaktohet konfuzion dhe tallaz, dhe s'kishte si të ndodhte ndryshe edhe në Shqipëri përmes kësaj shfaqjeje. Sa i përket Shqipërisë dhe artit shqiptar. Pyetja qëndron nëse a ishte gati spektatori shqiptar të "shijonte" një art të tillë? A ishte gjë e mirë që Akademia e Arteve e prezantoi? Nuk kam opinion për këtë, pasi nuk e njoh situatën e momentit si për nga financa ashtu dhe nga niveli artistik apo nga kurrikulumi që i paraqet studentëve të atij institucioni. Ishte disi e nxituar shfaqja personale e Nitsch në Shqipëri? Kjo mund të jetë e debatueshme. A duhet të kemi besim se çfarë përzgjedh dhe rekomandon i madhi Fatmir Velaj, sikundër është e vlefshme të konsiderohet si i tillë!? Mendoj se, PO! Ai ka ngjitur shumë shkallë në atë fushë. Le t'i besojmë atij dhe akademisë, dhe le të mos harrojmë se ishte veç një aktivitet, jo një sugjerim…. Le të lëmë kohën të gjykojë. Është e kuptueshme që vuajtjet dhe traumat e popullit tonë janë në nivelin maksimal dhe një përgjakje artistike natyrisht nuk sjell kënaqësi, por e ritheksoj ishte thjesht një shfaqje artistike që ka si bazë mistere dhe rite, realitet dhe art demonizues. Shpesh ne, e veçanërisht e theksoj ne shqiptarët, jemi mësuar vetëm me një lloj arti, atë të "bukur" sipas parametrave tanë. Duam ç'lodhje, jemi të prirur të shkojmë në një galeri arti dhe të gjejmë prehje. Kjo është e natyrshme për vetë natyrën e izolimit pesëdhjetëvjeçar dhe formimin tonë artistik të kufizuar... Megjithatë, Nitsch ekziston, njihet, kritikohet nga të dy polet, por e vërteta e pakontestueshme është që Nitsch për nga vlerat artistike dhe forca shprehëse cilësohet në botën e artit si një ndër më të mëdhenjtë e kohërave, por gjithashtu edhe është protestuar në çdo shtet ku ka çuar artin e tij. Protestat kanë qenë të mëdha dhe është e natyrshme që shqiptarët në Shqipëri apo dhe jashtë saj, duke përdorur median elektronike dhe të shkruar kanë protestuar dhe vazhdojnë të protestojnë. Veç mos harrojmë, është thjesht një shfaqje, është thjesht një konceptim i mistereve, riteve, realiteteve të një personi dhe ajo që i mbledh njerëzit është pikërisht kjo e veçantë dhe jo se meqë Nitsch provokon, kjo s'do të thotë që ritet ndryshojnë, që ngrënia e mishit dhe pirja e gjakut është bazë e jetës ditore. Aspak! Është thjesht një shfaqje artistike, që në vend të të sjellë kënaqësi të sjell spazma në stomak nga shoku, por duke kujtuar që është thjesht një shfaqje njerëzit e shohin, reflektojnë sipas mënyrës së perceptimit individual, dhe natyrisht në dorë kanë një gotë verë a një shishe birrë, mbase një gotë ujë, mbase e mbyllin një sy, mbase nuk shkojnë në shfaqje të këtij lloji, nuk e shohin fare, nuk e lexojnë këtë artikull është përzgjedhje personale…, por le të mos harrohet është thjesht një shfaqje që serviret, nuk është rekomandim për mënyrën e jetesës. Herman Nitsch do mbahet mend si një "crazy" artist ndër më të mirënjohurit në Vjenë dhe në botë. Për sa i përket bashkëpunimit, Fatmir Velaj me Akademinë e Arteve, mendoj se kanë shumë për të bërë për t'i sjellë artit shqiptar shumë më shumë, që nga arti më misterioz deri tek arti më i bukur. Mjaftojnë punimet e Velajt të kënaqin shpirtin e shqiptarit artdashës, dera tashmë është e hapur për këtë. Velaj kompason një fushë të madhe që nga pikturat e mirëfillta si peizazhe artistike apo momente të kthjellëta buzë Jonit a Danubit, nga pikturat me ngjyra të ëmbla, si ato të ciklit "country house" apo deri në ato me përmasa gjigante, si cikli "You are not alone" apo "The green between me and you", "The green of my own", "Emozioni" "The memories of the future" e plot cikle të tjera, që kanë lënë gjurmë të thella tek artdashësit botërorë dhe për të cilat ai ka marrë shpërblimin e duhur. Është koha që Velaj të çmohet e t'i dhurohet shpërblim nga institucionet shqiptare, të cilat i mohuan këtij njeriu elementin më të domosdoshëm, edukimin artistik. Fatmiri tashmë ecën me kohën e së bashku me të ai kap për dore artin shqiptar. A është gati arti shqiptar të ecë me hapin gjigant të Velajt? Shpresoj që Akademia e Arteve të përdorë këtë mundësi që ka përmes këtij artisti tonë të madh, të çelë një derë të re, të panjohur dhe të shërbejë si urë lidhëse mes dy kulturave. Nga Long Island, New York

.................................................................................
Krye

No comments: