Interviste ekskluzive me Zhuliana Jorganxhin
Te dashura mike. Faleminderit te gjitha atyre qe me uruan ditelindjen, e qe nuk ju kam falemnderuar. Faleminderit edhe njehere.
Kete interviste me Zhulianen e realizova javen e kaluar. Ajo qendroi nje jave ne Kosove. Mund ta lexoni edhe ne webfaqen e radios: www.blueskylive.com
Gjithe te mirat nga Vera - Prishtine
Zhuliana Jorganxhi, u lind në qytetin e Korçës me 1946, në një familje me tradita muzikore. Është një, nga katër fëmijët e këngëtarit veteran, "Artistit të Merituar" Gaqo Jorganxhi, që për 65 vjet, këndoi pa rreshtur si solist dhe në grupin e mirënjohur të këngëve karakteristike korçare "LIRA". Mësimet e para dhe ato të mesme, i mbaroi në qytetin e lindjes, me 1964. Më vonë ndoqi studimet e larta në Universitetin e Tiranës, në fakultetin Histori-Filologji dhe krahas tij ndoqi kursin dyvjeçar të gazetarisë në Fakultetitin e Shkencave Juridike, dhe diplomoi njëkohësisht si mësuese e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe për shkollën e mesme dhe si gazetare. Pas mbarimit të studimeve, ka punuar për gjashtë vjet si gazetare në revistën "Shqiptarja e Re" dhe nga viti 1975, si redaktore letrare dhe poete e këngës, në redaksinë e krijimtarisë dhe inçizimeve muzikore, në Radio Televizionin Shqiptar. Aktivitetin e saj letrar e ka filluar në moshë të re dhe që prej moshës 17 vjeçare, poezite e saj shohin dritën e botimit në gazeta dhe revista si: "Drita", "Zëri i Rinisë", "Nëntori", "Les lettres albanaise" etj. Disa nga librat e saj me poezi të botuara janë: "Net provimesh"(1969), "Rritje"(1971) ,"Lule në pemën e lirisë" (1982), vëllimin me tregime për fëmijë "Fëmijët e teto Nastës" (1975), monografinë letrare "Gaqo Jorganxhi dhe grupi Lira" (2005) dhe pritet të dalë së shpejti vëllimi me poezi, "Dhimbje e ndaluar". Zhuliana Jorganxhi, ka marrë pjesë në konkurse letrare kombetare dhe ka fituar dy herë çmimin e dytë dhe të tretë për poemat e saj. Por, aktivitetin e saj më të madh, krahas poezisë dhe tregimit, e ka zhvilluar mbas vitit 1974, në gjininë e tekstit poetik të këngës. Është autore e qindra teksteve poetike nëpër festivalet e këngës në RTVSH dhe rrethet e Shqipërisë, në anketat dhe koncertet e Rtvsh si ai "Kur vjen pranvera", "Këngët e stinës", dekadat e Majit dhe në festivalet e fëmijëve në Tiranë dhe rrethe të ndryshme të Shqipërisë. Është fituese e gjashtë çmimeve të para dhe shumë të tjera.Poezitë e saj janë botuar në Greqi, Rumani, Holandë, Kosovë, Slloveni dhe Japoni. Në vitin 1996 iu dha Disku i Artë i Festivalit, kurse për 40 vjetorin e Festivalit të këngës në Rtvsh me 2001, ju dha “Çmimi I karrierës”. Në vitin 2005, ka marrë dy trofe mirënjohjeje për punën e saj si poete e këngës në Spektaklin "100 këngë të shekullit" të TV KLAN dhe në festivalin e 44 të këngës në RTVSH.
Blue Sky: Cili është qëllimi i vizitës suaj në Kosovë?
Zhuliana Jorganxhi: Unë isha e lumturuar, kur më thirri me telefon, kompozitorja e mirënjohur, Pranvera Badivuku, dhe më lajmëroi që këtu do të mbahet një takim i bukur, i gjithë poeteshave shqiptare në Vushtrri. Ftesa gjithashtu më ishte bërë edhe nga zonja e nderuar, Naxhie Buçinca, nga e madhërishmja, hyjnesha e këngës shqipe, e madhja dhe mikesha ime e vjetër, Nexhmie Pagarusha. Unë jam e lumtur që pas 26 vjetësh, kthehem këtu në Kosovë, dhe që takova mikeshat dhe miqtë e mi të vjetër siç janë bilbili i Kosovës Liljana Qavolli, Shpresa Gashi. Shpresoj që do të takohem edhe me miqtë e tjerë, siç janë kompozitorët Krist Leka, Reshat Randobrava, Mehdi Bajri etj. Unë jam shumë e emicionuar dhe ju falemnderoj për këtë ftesë që më keni bërë në radion tuaj, ju uroj gjithmonë suksese sepse i kam ndjekur emisionet e juaja.
Blue Sky: Ju përveç që shkruani tekste për këngë dhe jeni e lidhur ngushtë edhe me muzikën, shkruani edhe poezi dhe keni të botuara disa libra.
Zhuliana: Po. Dashuria ime e parë, ka qenë gjithmonë poezia. Unë kam shkruar edhe prozë dhe mjaftë tekste këngësh, me qindra. Jam pjesëmarrëse e shumë festivaleve të këngës në Radio Televizion, të koncerteve të ndryshme si të pranverës, të stinës, koncertet e majit që janë zhvilluar dikur në Shqipëri. Por, kam shkruar disa libra me poezi siç janë “Netë provimesh”, “Rritje”, “Lule në pemën e lirisë”… para një viti, është botuar një monografi letrare kushtuar atit tim Gaqi Jorganxhi, artist i merituar, i cili ka kënduar për 65 vjet me grupin e këngëve karakteristike korçare “LIRA”. Këtë libër ia kam kushtuar jo vetëm atit tim, por edhe atyre kështjellarëve të këngës korçare, që kanë qenë 12 apostujt e kësaj kënge, siç i ka quajtur , “Qyteti i Korçës”. Gjithashtu pres tani të më dali në qarkullim një libër me poezi, ku i kam mbledhur të gjitha poezitë nga viti 90-të, e këtej, dhe e kam quajtur “Dhimbje të ndaluar”.
Blue Sky: Ju keni thënë që keni mjaftë poezi të shkruara për Kosovën. Këto që do të botohen në librin tuaj “Dhimbje të ndaluar”, a janë të gjitha për Kosovën, apo kanë edhe tematik tjetër?
Xhuliana Jorganxhi: Jo, sepse ishte një periudhë që ne shqiptarët e Shqipërisë, kemi qenë të ndaluar dhe në dhimbjen tonë dhe unë kam shprehur këtë dhimbje të viteve por, në këtë dhimbje ka hyrë patjetër edhe Kosova. Unë për Kosovën kam shkruar me vite të tëra. I kam kushtuar poezi bilbilit të Kosovës, zonjës Nexhmie Pagarusha, por edhe martirëve të lirisë suaj. Dhe unë ju uroj më gjithë shpirt, ta gëzoni lirinë së shpejti, pavarësinë.
KATËR DEGË TË NJË LISI
( Elegji për vëllezërit Sejdiu)
Më ngrihet sysh një lis i moçëm,
që katër varra në shtat m’i ka,
rrufe urrejtja i ra mbi kokë,
e katër degë vdekjes ia dha.
Të katër bij-o të një pragu,
vëllezër të katër të një gjiri,
i pari dritën ia shikoi agut,
të parin vdekja mori, Beqirin.
Dy degë çelur në një ditë,
a s’ish Nazmiu me Bedriun,
po vdekja bashkë iu zuri pritë,
me sy urrejtje prej ujknjeriu!
Me ta mbyll një qiell me ëndrra,
ku janë duart të çelin lule,
ku janë sytë të flasin gërmat,
gjaku kullon pas çdo formule.
Gjëmon një zë në shpirtin tim,
o zë Ajkune, epos i vjetër,
ësht’ lutj’e nënës për ty Bekim,
del nga një epos, hyn në tjetër.
O nënë djemsh vrarë pa faj!
O buzëdridhura me fjalën “MOS!”
Me ty dhe unë vij edhe qaj,
me ty sot zemrën dhe unë varros!
Zhuliana Jorganxhi, Mars 1998
Blue Sky: Cila ishte përvoja juaj në kohën e komunizmit, si poete?
Zhuliana Jorganxhi: Ka qenë kohë e vështirë por, është letërsia ajo që të çon, siç ka thënë i madhi Ismail Kadare, të çon te liria”. Kështuqë, ne poetët dhe shkrimtarët, e sidomos poetët, gjenim atë lirinë tonë te poezitë, që shpeshherë e dinim që nuk mund të botoheshin. Kështu më ka ndodhur me shumë poezi. Po të them që kam 300 poezi lirike, të cilat nuk mund t’i botoja në atë kohë dhe unë i kam mbledhur tash në një vëllim që shpresoj ta dërgoj për botim së shpejti dhe e kam quajtur “Love Story”, ose në gjuhën shqipe “Histori dashurie”. Aty janë lirikat që nga vitit 1964. Pra, janë nga lirikat e para të mia, kur isha ende 17 – 18 vjeçare. Shpresoj dhe do të jem e lumtur kur t’i shoh një ditë që ato poezi po e shohin dritën e botimit. Ne kemi qenë të detyruar të shkruanim në korniza dhe të shkruanim këngë me porosi, poezi me porosi. Kjo cenzurë ishte e tmerrshme dhe e ngushton shpirtin e poetit, thanë atë. Por ajo që për mendimin tim ishte më e tmerrshme, ishte autocenzura. Autocenzura është ajo që të kontrollosh vetën në gjithçka. Gjithë andej vija të bardha, siç thotë poeti i mirënjohur Xhevahir Spahiu, që na nxin jetën. Natyrisht, tani ajo kohë perëndoi dhe unë them që pas viteve 90-të, në Shqipëri ka lulëzuar një varg i bukur poetik dhe kanë dalur emra, të cilët po bëjnë rrugë në poezi dhe kanë dalë poet edhe poete shumë të mira, që po bëjnë emra në letërsinë shqipe.
Blue Sky: Ju mendoni që letërsia shqipe sot, është në nivelin e duhur?
Zhuliana Jorgaxhi: Unë them që po bëhen përpjekje natyrisht, sepse ajo plagë e madhe, ato goditje që kemi marrë për 50 vjet, nuk është e lehtë t’i mbyllësh. Gjurmët e ralizmit socialist përsëri diku gjenden dhe nxjerrin krye edhe te krijimet tona por, duhet një pastrim shpërtëror i poetit dhe shkrimtarit që të mund të arrij të thotë atë që i mban shpirti. Unë do të isha për atë që poeti nuk duhet të mbyllet nëpër korniza politike, ai duhet t’i shërbejë popullit të vet, t’i këndojë lirisë që është një gjë e shenjtë dhe që ka një çmim shumë të madh. Por, natyrisht edhe me lirinë nuk duhet abuzuar. Sepse unë atëherë do ta quaja një kthim në diktaturë. Nëqoftëse ne biem qoftë në tekstet e këngëve, qoftë në poezi, biem në vargje vulgare, për mua, ky është abuzim me lirinë.
Blue Sky: Ju jetoni që 12 vjet në Triestë të Italisë. Cili është aktivitetit juaj atje?
Zhuliana Jorganxhi: Unë falë kontaktve të vazhdueshme e që nuk I kam ndërprerë asnjëherë me atdheun tim Shqipërinë, kam arritur që të krijojë lidhje dhe shpesherë të jem pjesëmarrëse e shumë aktiviteteve që janë zhvilluar në Shqipëri. Isha pjesëmarrëser edhe e festivaleve të këngës në Radio Televizion, ku kam qenë edhe në festivalin e fundit. Kam qenë jo vetëm si autore tekstesh dhe si redaktore letrare, por edhe skenariste. Gjithashtu nëpërmjet internetit që është një hapësirë shumë e madhe dhe është një mrekulli e shkencës, unë jam lidhur më autorë të ndryshëm që janë në diasporë dhe nëpërmjet librave të tyre kam rënë në kontakt me këtë poezi që zhvillohet edhe jashtë kufinjëve të vendit tonë dhe kam redaktuar mjaftë libra. Jam redaktore letrare e disa librave që kanë dalë tashmë në diasporë. Janë dy- tre libra që I kam redaktuar, të poetes dhe prozatores, por mbi të gjitha të aktivites së shquar shqiptare, Vitore Stefa Leka, e të cilën e kam një mike të ngushtë. Jetojmë dhe takohemi shpesh në Triestë. Pastaj të poetes Ardita Jatru etj. Së fundi e kam pas një vëllim me këngë, siç e ka quajtur nga poetë të jugut të shqipërisë të Qiparoit, i cili është emigrant tashmë në Greqi, dhe quhet Mina Papajorgji. Edhe ky ka dalë një vëllim shumë i bukur me këngë siç e ka quajtur ai, sepse vargu i tij ka ritmin popullor dhe unë ua kam punuar me shumë dëshirë këtyre njerëzve këto vëllime. Gjithashtu, kam redaktuar edhe vëllimin e Valter Lazërit, që është në Amerikë dhe disa të tjerëve. Jam shumë e lumtur kur kontaktoj me këta njerëz, sepse jo vetëm që ata marrin diçka nga unë, por edhe unë marr nga ata.
Blue Sky: Si ndihesh kur tekstet e tua i këndojnë këngëtarë të mëdhenjë?
Xhuliana Jorganxhi: Unë do të thoja që kompozitori dhe poeti janë ata që i japin udhë këngës por, ai bilbil që e përcjell këtë këngë mes njerëzve , është këngëtari. Unë kam qenë e lumtur që kam punuar për vite me radhë për gati 40 vjetë, me plejada të tërë kompozitorësh, plejada të tërë këngëtarësh. Këngëtarë kur them, e kam fjalën për të madhërishen dhe hyjnoren, Vaqe Zela. Ne e kemi pasur Vaqen atje, ju keni Nexhmijen këtu, dhe të dyja bashkë, bëjnë olimpin e këngës shqiptare. Tekstet e mia poashtu i kanë kënduar këngëtarë si Alida Isku, Avni Mula, Luan Zhegu, Ema Qazimi, ata janë të pafund, e deri tek më të rinjtë, kur unë kam qenë shumë e lumtur kur ka ardhur brezi i Ardit Gjebresë. Aty kam edhe nipin tim, djalin e motrës Gjergj Leka. Kam bashkëpunuar me kompozitorët si Shpëtim Saraqi, përsëri të brezit të Arditit dhe të Gjergjit. Me Adrian Hilën, me Elton Dedën e me shumë të tjerë, që tani nuk po i kujtojë, të më falin. Unë kam bashkëpunuar edhe me kompozitorë të mirënjohur siç ka qenë Agim Krajka, Flamur Shehu, Ferdinaf Deda etj. Kam bashkëpunuar edhe me një brez që ka pasur ndoshta moshën e babait tim, siç ka qenë Gaqo Avrazi. Pastaj më vonë Qeza Dea, kjo ka qenë një lumturi e madhe por, sidomos kur kam bashkëpunuar me këngëtarë si Vaqe Zela. Poashtu kam qenë shumë e lumtur kur tekstin tim e ka marrë kompozitorja, që unë e adhuroj dhe që është një kompozitore e jashtëzakonshme, do të thosha unë, Pranvera Badivuku. Kompozotoret janë të rralla në botë, dhe ne duhet t’i mbajmë me shumë kujdes. Pastaj këtë këngë ma ka kënduar e madhërishmja Nexhmie Pagarusha dhe unë jam lumturuar kur e kam dëgjuar prej zërit të saj.
Blue Sky: Ju ishit mysafire në takimin tradicional të poeteshave që u mbajtë në Vushtrri. Cilat janë përshtypjet e juaja për këtë takim?
Zhuliana Jorganxhi: Është një gjë jashtëzakonisht e bukur që krjohet një takim i tillë dhe unë po ua them, e thashë edhe diku tjetër, që unë nuk njoha vetëm 40 vajza, gra, poete, por njoha 40 shpirtëra. Dhe, këta shpritëra, mua mu shpalosën përmes poezisë së tyre. Secila e lexoi poezinë dhe ato ishin të gjitha për çmim. Ishin poezi të ndjera. Ato i këndonin edhe dashurisë si ndjenjë intime, por aty ishte ajo Kosovë që po rilind dhe i këndohej luftëtarëve dhe luftëtareve të lirisë, të cilët me gjakun e tyre lanë atë flamur që valvitet sot, i lirë në Kosovë. Nga ky takim, unë kam dalur e prekur dhe jam mbushur shpirtërisht, sepse aty unë pash një nivel të lartë të poezisë. Aty ishte edhe vargu i rregullt, edhe vargu i lirë edhe poezia e mendimit edhe poezia pasionante. Kështuqë, mund të them që ky takim vlejti shumë. Përveçse aty jam takuar edhe me poetë të tjerë, të cilët më dhuruan edhe librat e tyre, u takova edhe me të madhin Adem Demaçin. Kam takuar një poet, dramaturg, romancier që quhet Kadrush Radogoshi, takova poetin Arif Bozaxhiun, të cilit ia dhuroj poezinë, etj, etj.
Blue Sky: Diçka për fund.
Zhuliana Jorganxhi: Ju uroj juve, suksese dhe dëshiroj që të kthehem sa më shpejtë në këtë Kosovë, që po rilind dhe po rindërtohet.
Blue Sky: Faleminderit:
________________________________
No comments:
Post a Comment