Thursday, October 23, 2008

Bota e Gruas Shqiptare - - SUZANA KUQI - Tregim




DITA


Një trokitje e lehtë në derën e jashtme e zgjoi nga
gjumi. I shoqi po flinte qetë në krah të saj . Kush të jetë në këtë
orë, donte dhe ca minuta të shkonte tre e mëngjesit. Dita futi këmbët
e zbathura në shapka e ngadalë e me kujdes që të mos bënte zhurmë,
doli në korridor. Trokitjet u përsëriten. Përse vallë nuk i bie ziles,
kush të jetë ? Djemtë flinin në dhomën e tyre, pra nuk ishin ata, e
ky ishte sinjal që e përdornin vetëm njerëzit e shtëpisë a ndonjë
fqinjë. Sikur e kishin bërë me fjalë, asnjë nuk përdorte zilen,
trokisnin. Befas , edhe pse mendimi ju duk qesharak , zemra i gufoi.
Altini, i miri i nënës që m'u thanë sytë për t'a parë...
- Kush është ?- pyeti me zë të ulët , por nuk mori përgjigje.
- Kush është ?- përsëriti ajo me zë pak më të lartë.
Nuk u përgjigj njeri, por ç'rëndësi kish , kushdo që të ishte ,nuk
ishte Altini i saj . Ah sikur të ishte ...
Ajo rrotulloi çelësin në bravë duke e larguar këtë mendim, veçse ja
shtonte mallin .Me siguri ndonjë fqinjë që ka ndonjë hall . Duhej të
bënte durim edhe dy javë, Altini i kish thënë se e kishte prerë
biletën e tragetit për në fund të muajit kur do të fillonte lejen.Një
vit, mendoi , një vit kam bërë si kam bërë , do të duroj edhe dy javë.
Dera u hap me një zhurmë të lehtë. Shkallët ishin të errëta, e kush i
linte poçat gjallë atje, fëmijët e shkallës nuk linin dy gurë bashkë,
përfshirë edhe djemtë e saj. Një siluetë e njohur e bëri t'i
shkallmohej zemra nga gëzimi, ulur mbi shkallën në të cilën binte
fasha e dritës nga dera e hapur.
-Altin , bir i nënës , eja brenda !- ajo hapi tërësisht
derën e desh të shkonte e t'a tërhiqte prej dore.
- Shëëët !- i biri vuri gishtin mbi buzë e pastaj buzëqeshi
kur pa fytyrën e hutuar të nënës,- mos bërtit se do të zgjosh babanë e
vëllezërit.
- Përse je ulur aty mor bir, eja brenda se do ftohesh.
I biri e shikonte dhe buzëqeshte.
- Nuk ftohem mama, erdha sa të të përshëndes një minutë , do
të vij më vonë në shtëpi.
- Përse më vonë , ku do të ikësh ?
- Të takoj Anilën, por thashë më parë të të shikoj ty.E di që
nuk do të të gjej ...do të shkosh në punë.
- Eja brenda bir !- Dita bëri një hap jashtë pragut drejt tij
, por ndërkohë ai u çua e filloi të zbriste shkallët.
- Më vonë nënë, më vonë . Erdha të të shoh se më kish marrë
malli dhe desha të të thoja se ... se të kam telefonuar rrallë, por
kam menduar gjithnjë për ty dhe se... e dua shumë nënoken time. Shko
të flesh tani, unë kam çelësin tim për të hapur derën.
Ah, ta dish se sa më ka marrë malli mua , psherëtiu ajo tek shihte të
birin që zbriste shkallët. Eh, rini, është i dashuruar im bir, do të
shkojë të takojë të fejuarën. E mori inat një çast Anilën, por kur
mendoi se ai kish ardhur për të parë atë të parën, vuri buzën në gaz.U
kthye në shtrat , por sapo u shtri u çua. Ku e mbante shtrati atë, i
biri ishte kthyer nga mërgimi ,për drekë do të ishte në shtëpi. Ajo u
drejtua në kuzhinë duke bërë me mend menunë e gjellëve që i pëlqenin
më shumë atij. Kur u zgjua i shoqi dhe djemte, e gjetën tek gatuante ,
e ajo u tha se ... nuk kish patur gjumë e nuk dinte se ç'të bënte. Nuk
mund t'u thoshte se Altini kish qenë aty pak orë më parë dhe nuk ishte
futur në shtëpi , pastaj fundja, donte t'u bënte një surprizë. A kish
surprizë më të bukur ?Përcolli të shoqin për në punë e djemtë për në
shkollë ,e shkoi tek fqinja lart që të telefononte në zyrë. Atë ditë
ajo do t'a bënte pushim

.

Dita kish shtruar tryezën , kish vendosur gotat
dhe pjatat më të mira që kish. Dërgoi vajzën e fqinjës për të blerë ca
birra dhe një shishe verë e i futi në frigorifer të ftoheshin. Nuk
mund të dilte vetë, donte që i biri kur të kthehej t'a gjente në
shtëpi ? Po Anilën , të fejuarën a do t'a sillte ? Sa budallaqe kish
qenë që nuk ishte kujtuar t'i thosh që t'a sillte dhe atë për drekë.
Të gjitha ishin gati, punët i fluturonin nga duart, asnjëherë mishi
nuk ishte pjekur aq shpejt, petat nuk ishin hapur aq shpejt veç... ato
akrepat e orës së murit nuk kishin qenë asnjëherë aq të
ngadalta...Priste të vinte ora e drekës, me siguri atëhere do të
vinte. Një e trokitur në derë e bëri të hovte nga divani ku ish ulur
për t'u shplodhur dy minuta. Eshtë ai, gati sa nuk briti nga gëzimi
teksa vraponte drejt derës. E hapi me padurim e buzëqeshja ju zbeh
pak. Ishte fqinja lart.
- Të kërkojnë në telefon - i tha ajo
- Altini ? - ajo nuk priti përgjigje e i ngjiti shkallët dy
e nga dy. Receptori i zi bënte kontrast me çentron e bardhë dhe asaj i
kaloi nëpër mend e njëjta pyetje që i kalonte sa herë që e kërkonin në
telefon: përse i bëjnë të zinj ? Le t'i bëjnë çdo lloj ngjyre që të
duan, vetëm jo të zinj . Por nuk ja kish shprehur këtë mendim fqinjës
së mirë ...
- Alo Altin !- as që e çoi nëpër mend se nuk ishte ai.
- Alo ! Nëna e Altinit ?- jo nuk ishte i biri, duhej të
ishte ndonjë shok i tij që e kish marrë vesh se ishte kthyer.Sa shpejt
qe hapet lajmi.
- Unë jam, keni ndonjë porosi për Altinin ? M'a thuaj, do
t'ja them kur të vijë në shtëpi.
Pasoi një hop heshtje.Zëri që pasoi ishte i mekur.
- Nuk kam porosi për... Kisha një lajm , fatkeqësisht të
hidhur. Të rroni ....... Altini....mbrë

më......aks.....rrug....
më.......keq.
.....shokë......trupin....dy ditësh....
Lëshoi receptorin e doli jashtë.Ajo që kish dëgjuar ishte shumë për
veshët e zemrën e saj, por ajo nuk e besonte. Filloi të zbriste
shkallët ngadalë . Ja atje tek ato shkallët atje, pak më poshtë ishte
ulur Altini i saj, ajo e kish parë, kish qenë aty. Befas mendja filloi
t'i rrotullohej, atje ,atje, Dita humbi ekuilibrin e po binte. Zgjati
dorën e u kap pas parmakut të shkallëve, për këtë punë janë bërë, për
t'u mbajtur e pështetur në to, e për të mos lënë njerëzit të
bien...Por jo për mua...Rroku me forcë me të dyja duart parmakun e
shkallëve e u përkul jashtë tij...

Lajmi i vdekjes aksidentale të Altinit ,
na shokoi të gjithëve ne ,banorët e lagjes , e po aq edhe lajmi se e
ëma ishte hedhur nga shkallët sapo kish marrë atë lajm. Altini kish
emigruar i ri fare ,kur u hap porti në Durrës, ishte shtatëmbëdhjetë
vjeç . Varfëria , dëshira për të thyer kufijtë , e cila është akoma më
e fortë tek të rinjtë , dëshira për të ndihmuar familjen e shpresa e
një jete më të mirë e më të bukur... Kishin kaluar pesë vjet nga dita
që kish ikur për herë të parë. Ishte rritur , ishte fejuar me Anilën,
shoqen e dikurshme të klasës. Ishte djalë i mirë , i edukuar e punëtor
. Kishte mjaft cilësi të mira, i vetmi difekt i tij ishte ... se ishte
shumë i mirë me të gjithe e me shokët në veçanti.Atë natë të së
djelës, duke u gdhirë e hëna, dy shokë i kishin telefonuar sei makina
e vjetër që kishin ishte prishur tek po ktheheshin nga diskoteka e i
kishte lënë në mes të rrugës.. Ishte çuar nga gjumi, e kish dalë.
Gjatë kthimit,ca minuta para se ora të trokiste tre e mëngjesit , një
kamion ... kishin vdekur të tre, të tre të një moshe...
Dita ... Dita nuk vdiq edhe se muaj të tërë ju lut e ju ankua Zotit
që të shkonte pranë të birit, malli i të cilit i kish djegur zemrën
për pesë vjet me rradhë. Sigurisht , theu këmbë e krahë, por për fat
nuk ju dëmtua rëndë shtylla kurrizore. Nuk e pa të birin kur e sollën
në shtëpi, ndodhej në spital e derdhur e tëra në allçi. Ndoshta më
mirë për të, fati ja kish kursyer pamjen e atij trupi të dashur të
katandisur në atë mënyrë sa nuk njihej.E qau të birin , e torturoi
veten me ndjenjën e fajit që i vishte vetes.Përse e kish lënë të ikte,
përse nuk kish këmbëngulur që të kthehej me kohë... e ç'i duheshin
nënëzezës paratë e tij...
Kanë kaluar vite, e duket sikur Dita është qetësuar, jeta e ka marrë
në rrjedhën e saj. Dikush do të thotë koha, koha shëron plagë, qofshin
këto edhe të mëdha. Nuk është ashtu, ajo plagë është e hapur e do të
vazhdojë të jetë e tillë, deri ditën kur Zoti do të vendosë t'a marrë
pranë vetes. Eshtë diçka tjetër që e mban Ditën, që i ndez
buzëqeshjen, e cila gjithsesi nuk zhvishet dot nga një vel i hollë
trishtimi . Dita është nënë,është e duhet të jetë nënë edhe për dy
djemtë e tjerë. Duhet të mbushë me gëzim e dashuri ditët e tyre , jo
me dhëmbje e pikëllim.Nuk mund të jetë aq egoiste sa të mendojë vetëm
dhimbjen e saj duke ua helmuar jetën.Sepse Dita ka zemër nëne ,e zemra
e nënës ...është e madhe, aq e madhe sa përmban tragjedinë e hidhur të
humbjes së një fëmije dhe farën e gëzimit e dashurinë pa kufi për
fëmijët e tjerë. Ndryshe goditja e fatit që u mori vëllanë, do të
ishte akoma më e rëndë për ta .Dhe ishte vërtetë fat që nuk e pa
trupin e të birit. Kujtimi i fundit i tij , është ajo siluetë e
hajthme, ata sy të mbushur me mall e dashuri , ajo buzëqeshje e bukur
dhe ato fjalë... e dua shumë nënoken time...Ani se askush nuk e kish
besuar kur e kish treguar, ajo e besonte...




Bota e Gruas Shqiptare--JULIA GJIKA- Mbresa



NEN TINGUJT E KEMBANES 100 VJECARE


Kryekisha Orthodokse Shqiptare e Shën Gjergjit në Boston është vatra e ngrohtë e emigrantëve shqiptarë në Massachusetts. Prej 100 vjetësh ky institucion është një qendër ku është predikuar, që prej Imzot Nolit e deri sot prej At Arthur Liolinit: besimi, paqja, dashuria njerëzore, dashuria për atdhe, falja e gabimeve dhe ruajtja e zakoneve të mira…

Në mbremjen madhështore, që u shtrua nga Kryekisha e Shën Gjergjit në Seaport Hotel World Center Boston M.A, me 27 Shtator , morën pjesë rreth një mijë vetë. Presidenti i Republikes z. Bamir Topi me ketë rast dekoroi Katedralen e Shen Gjergjit me urdherin Naim Frasheri i Artei, të cilën ia dorëzoi Peshkopit Nikon me motivacionin: Per kontribut të shquar në lëvizjen kombëtare, për fitoren e pavarësisë dhe ndërtimin e Shtetit Shqiptar, vater e pashuar e patriotizmit, e edukimit të shqiptareve pa dallim feje, për ruajtjen e kulturës, traditave dhe dashurisë për Atdheun dhe Kombin, me aktivitet të pandërprerë për përparimin dhe prosperitetin e tyre.

Pastaj Z. Topi duke vleresuar kontributin e rëndesishëm të Imzot Fan S. Nolit e nderoi pas vdekjes me Urdherin e Larte Gjergj Kastriot Skenderbeu me motivacionin: Personalitet i shquar, luftetar i madh i ceshtjes kombetare per lirine, gjuhen shqipe,kulturen kombetare, per pavaresine dhe ndertimin e shtetit, pike referimi ne shume plane ne historine e vendit me kontribut te jashtzakonshemne lartesimin dhe perparimin e Atdheut dhe Kombit Shqiptar.

Grupi ynë prej katër vetësh shkoi në Katedrale, pastaj tek Varri i Imzot Nolit dhe tek restorant Vlora në saje të aftësive të z. Besim Leka, një kuksian i zgjuar e manaxher i zoti i një pike karburanti në Clinton MA. Për të na hequr stresin e vështirësive të qarkullimit nëpër xhunglën bostoniane ai recitonte herë pas here vargje të Nolit: Pranë detit i palarë / Pranë sofrës i pangrënë / Pranë dijes i panxenë

Nusja e tij, z-nja Laureta Cenaj, një kuksiane e re që ka mbaruar në Boston dy Master një në Shkenca Politike dhe një në Punë Shoqërore, për shaka e korrigjon vargun e fundit: Pranë dijes pak i nxënë.

Gjithe rrugen per te ardhur tek katedralja e Shen Gjergjit e beme duke kujtuar Imzot Nolin, aftësitë e tij në gjithë ato fusha e sidomos mesazhin e bashkimit të shqiptarëve duke porositur që nuk kishte nevojë të ndërrohej feja e shqiptarëve, por që klerikët të predikonin nëpër institucionet fetare krahas fesë dhe ide të njëjta atdhetare.

Atë ditë më 28 tetor na shoqëronte një shi i imët gjatë gjithë rrugëtimit. Tingujt e këmbanës 100 vjecare i dëgjojmë kur i afrohemi kishes. Organizimi i ceremonisë ishte në një nivel të lartë. Kur ndaluam, pa hapur ende derën e makinës na u afruamn dy djem shtatlartë të veshur me kostum të zi që na ofruan mbrojtje nën omrella të kuqe, Nën këtë kombinim ngjyrash kuq e zi hymë brenda katedrales e cila shkëlqente më tepër se cdo herë. Na u duk vetja të privilegjuar. Sapo hymë në holl sytë tanë u ndeshën me profilin e bustit në bronx të themeluesit të kishës, të paharueshmit Peshkop Theofan Stilian Noli. Ju përulem me respekt kësaj figure të ndritur që bashkoi shqiptarët qysh 100 vjet më parë.

Në salle pamë besimtarë të ardhur nga shtetet Massachusetts, New York, Pennsylvania, Illinois, Michigan, New Hampshire, etj. Më tërhoqi vëmendjen një grua me triko të verdhë në tonet e ngjyrës së mimozave tona që na mungojnë këtu. Këmbët më shpunë drejt saj dhe shpejt e shpejt e pyeta:

Ti je Mimoza, Moza Dajci?

Pa i lënë kohë të përgjigjej, ju prezantova: jam Julia.

Mimoza kish ardhur nga New Yorku me TV Kultura

U perqafuam si te ishim njohur prej kohesh , në fakt na kish bërë të njohur bota virtuale e gruas shqiptare. Unë pashe sytë e Mozës që qeshnin plot preokupim për të filmuar cdo cast e lëvizje në ketë ngjarje historike, për ta sjellë në emisionin TV Kultura apo ne Shoqerine e PANW.

Merlini, vajza e saj simpatike dhe e dashur, më hapi vend plot respect, pranë mikeve të tjera.

Ja Landa, thote Moza me zë të ulët, duke prezantuar miken që i qeshte nuri.

Njohja me Landën, ishte për mua surprizë, sepse nga shkrimet e saj të pjekura, kisha gabuar duke menduar se duhej të ishte shumë më e rritur në moshë. Më dukej shume e afërt, sikur diku e kisha pare...

Më tej ishte një zonjë e re e gjatë dhe elegante, me flokë te lëshuara gështenjë, e njoha, ishte Merita, Merita Bajraktari, themeluesja e PANW. Ajo më ngatërroi një cast. Bashkuam duart dhe u perqafuam si shoqe të vjetra, njiheshim nga shkrimet që kishim lexuar prej njëra tjetrës. Merita ka një buzëqeshje që të bën ta duash sapo e ndesh. Në buzëqeshjen e saj të sinqertë ndjen zgjuarësi, dashuri e respekt.

Më tej ishte Engjellushja e entiziazmuar qe i kish bërë një pyetje presidentit, z. Topi ne New York dhe deshironte perseri te thosh dicka per paqen ne familjen shqiptare, dhe ne familjen e madhe ne teresi. Nuk e mbante vendi për këtë...

Ndjeva se po jetoja momente të vecanta në këtë takim, prandaj falenderova në heshtje Zotin që më kishte shtyrë të shkoja në atë ceremoni ku bashkova miket.e mia të PANW. Cfarë mbrekullie, të takohesh me mike që ke pasur dëshirë prej kohe t’i njohësh peronalisht, ja pikërisht aty tek shtëpia e shenjtë në Boston!

Përballë, aty tek fasada qëndron Jesu Krishti si gjithnjë madhështor. Duke dëgjuar këngët e korrit kthej kokën nga ana e majtë e fasadës dhe dalloj mikun tone, këngëtarin veteran të kishës, z-tin Spiro Metro, i cili kur ishte gjallë imzot Noli kryente detyrën e dirigjentit.

Muzika fetare më nxit fantazinë, më fut në kujtime kur isha e vogël e gjyshja më merrte për dore e më shpinte tek kisha e mëhallës tek Shën Ilia, Shëndëllisë, si i thoshim. Në ato ceremoni unë i pelqeja këngët e korrit, kur mbaronin ato merzitesha dhe terhiqja gjyshen nga fustani për t’i thënë se duhej të shkonim mbasi unë nuk i kuptoja ato që thoshte prifti. Gjyshja ma bënte me shënjë të rrija urtë. Sa here më kishte thënë në shtëpi se nga shtëpia e Zotit nuk mund të largoheshim pa mbaruar mesha.

Mesha e pershpirteshme në katedralen e Shën Gjergjit ishte një ceremoni që nuk e kisha jetuar ndonjë here. Në të merrnin pjesë tre peshkopë, shumë priftërinj, disa dhjakë e pasues të tjerëdicka madhështore. Mesha dhe përshendetjet u dhanë anglisht e shqip. Peshkop Nikon Liolin përshëndeti anglisht, Peshkop Ilia Katre në shqip dhe Mitropoliti i Korcës, Peshkop Joan Pelushi, në shqip e anglisht. Në fund salla shpertheu në duartrokitje. Shumica e të pranishmëve dukej se ishin nga krahina e Korcës, ashtu si kishin qenë që në kohën e Nolit.

Vetvetiu, gjatë ceremonisë të shkonte mendja tek djaloshi korcar Kristaq Dishnica, mosvarrimi i të cilit prej klerit orthodoks grek të asaj kohe u bë nxitja e fuqishme për dorëzimin e Fan Nolit prift në mars të vitit 1908 dhe pastaj në tetor për krijimin e kishës shqiptare orthodokse të pavarrur prej kishës greke, por nën mbrojtjen e kishës orthodokse ruse. Me vijnë në vesh ato zera te fuqishem që bucitën si betim në varrimin e djaloshit: Kisha shqiptare të jetë e pavarur nga kisha greke…

Mbasi mbaroi mesha dolëm jashte. Para Kishes qendronin makinat qe do te mernin rrugen per ne varrezat ne Forest Hill, ku prehet Imzot Noli. .

Syri me zuri te ftuarin e nderit aktorin shqiptaro-amerikan Jim Belushi. Priste ne makine qe te nisej per ne varrezat, kish ulur xhamin.Dukej sikur meditonte..I lashe miket e mija, burrin e dashur dhe ju afrova makines ku ishte aktori i nderuar, qe kishte qene ylli i mbremjes se te shtunes .Kish kercyer e kenduar e kish folur shqip, kish thene me krenari “ une jam shqiptar” dhe tani te gjithe i perserisnin fjalet e tij.

-Me falni i thashe.

Ai hapi deren dhe doli nga makina.

- Nuk mund te largohem prej ketej pa shtrenguar doren tuaj dhe pa ju thene qe ne shqiptaret jemi krenare per ju.

-Edhe une jam krenar qe jam shqiptar,- shtoi ai, Cdo shqiptar duhet te jete krenar.

Me fal i thashe se anglishtja ime nuk eshte si duhet qe te kuptohemi sa me mire.

-Jo, jo, une të kuptoj shume mirë, anglishtja juaj është më e mirë se shqipja ime. Më behet qejfi që ju të ardhurit e rinj mësoni gjuhën e vendit – tha gjithë miresjellje.

Nderkohë ishte afruar im shoq dhe miqtë tanë te cilet u takuan me perzemersi me artistin. Ai fliste me ta sikur t’i njihte prej kohesh.

I urova artistit , Jim Belushi cdo te mire dhe mora me vehte kete moment te paperseritshem, ne kujtesen time.

U nisem drejt varrezave ku Presidenti i Shqiperise z. Bamir Topi, vendosi në varrin e Imzot Nolit një kurore me karafila të fresket..

Prej andej u drejtuam ne restorant Vlora ku Presidenti kaloi nje mbasdite te bukur ne shoqerimin e shume shqiptareve te cilet gjate drekes i bene edhe disa pyetje dhe ai u dha pergjigje te matura, te pjekura, gje qe vertetoi dhe fjalet qe shprehu z. Kozmo ne pershendetjen e tij .Ai foli dhe solli shume mbresa nga takimi I tij I pare me Z. Topi , ketu ne Amerike.

“Z. Topi, tha ai eshte njeri i mire, i urte .

Ju luta Zotit ne kete dite te shenuar qe Shqiperia te kete sa me shume njeres te mire, Shqiperise i duhen njeres te urte, mjaft me me arrogance e prepotence, me urdhra qorre qe s’te shpien asgjekundi per te kaperxyer keto vite kaq te veshtira qe po kalon populli yne.

Kjo e Djele me kish bekuar, nen tingujt e kembanes 100 vjecare, te Imzot Nolit.


Tetor 5, 2008




Friday, September 19, 2008

Bota e Gruas Shqiptare--MERITA BAJRAKTARI McCORMACK-Mbresa















Takimi i III Vjetor i Institutit Alb-Shkenca zhvilloi punimet e tij në mjediset e Hotel “Tirana International”, prej datës 1-3 shtator 2008.

Mbresa nga takimi

Nga Merita Bajraktari McCormack
Washington DC



“Kombi ynë ishte i fundit që fitoi lirinë prej zgjedhës komuniste në kontinentin Europian” kështu u shpreh Kryeminsitri Shqiptar, Prof. Dr. Sali Berisha në fjalën e tij përshëndetëse në seancën plenare të ditës së parë të konferencës.

“Yjet nuk vijnë nga toka” - do të shprehej akademiku Jahja Kokaj në fjalën e hapjes së Konferencës - duke përshkruar lindjen e idesë së krijimit të Alb-Shkencës dhe meditimin që pasoi veprimi i mëtejshëm i Prof. Nikolla P. Qafoku për të mbledhur rreth vetes shkencëtarët dhe studiuesit shqiptarë anembanë botës.

“Një aktivitet i tillë, përsa i përket pjesmarrjes, permbajtjes dhe nivelit profesional, nuk ka ndodhur asnjëherë në Historinë e Shqipërisë” do të shpreheshin Prof. Evan Rroco e Prof. Nikolla P. Qafoku në seancën plenare të mbylljes së Konferencës
.

Mikpritje e ngrohtë dhe miqësore

E diel, 31 Gusht 2008. Në hollin e hyrjes së Hotelit “Tirana International”, ose sic e njohim ne shqiptarët, “Pesëmbëdhjetë-katëshi” nostalgjik, ishte ekspozuar një monitor i madh ku jepeshin programet ditore. Njerëzit qëndronin për pak çaste dhe mësonin se ku duhej të drejtoheshin për aktivitetin e tyre të ditës. Tek ngjisja shkallët për në mjediset ku do të mbahej konferenca, po mundohesha të risillja ndër mend herën e fundit që kisha vizituar atë mjedis. Kujtime të turbullta të viteve 80-te e disi më të qarta rreth fillimeve të viteve 90-të. Dikur absolutisht “mollë e ndalueme”, tashmë vatër e takimeve të niveleve të ndryshme, vendosur në qendër të kryeqytetit, ka vite që i shërben qëllimit kombëtar dhe justifikon ekzistencën aty. Prof. Evan Rroco, organizatori kryesor i takimit, menjëherë më mirëpriti ashtu siç di i zoti i shtëpisë, me krahun në sup e dorën tjetër drejt tavolinës se bollëkshme mirëseardhëse. Ai më njohu, ndërsa unë e përskuqur nuk po sillja ndër mend emrat e gjithë atyre djemve e vajzave studentë e pedadogë të rinj, që si bletë punëtore prisnin e rregjistronin pjesmarrësit e konferences. Disa me buzëqeshje, disa me fjalë mikpritëse, dikush duke më pyetur si më shkoi rruga, dikush duke më sqaruar rregullat fiskale, ndonjë kolege në krah për tu siguruar që të marr dosjen e duhur, më bënë të bindem menjëherë që kjo ishte një ngjarje e mirëkonceptuar dhe e mirëorganizuar. Nuk thonë kot “Fillimi i mbarë gjysma e punës”.

E nesërmja na gjeti herët në hollin e katit të dytë ku do të zhvillonte punimet seanca plenare e Konferencës e më tej do të vazhdohej sipas rendit ditor. Duke kërkuar nëpër mjediset e Hotelit ndonjë shoqen apo mikun tim të njohur, që kishim komunikuar për këtë aktivitet, pashë tek nxitonte për të hyrë në sallë, i preokupuar me mbarëvjatjen e fillimit të Konferencës, shkencëtarin shqiptar ne Shtetin e Washington-it, Prof. Nikolla P.Qafoku, ideatorin, themeluesin dhe epiqendrën e Institutit “Alb-Shkenca”. Megjithëse vetëm se pesëmbëdhjetë minuta para takimit, ai ndaloi, si një mik i vjetër, me një përkujdesje speciale për të gjithë pjesmarrësit, duke vlerësuar çdo kontribut, më përshëndeti dhe pyeti për shëndetin, rrugën dhe nuk harroi të më falenderohet për rrugëtimin e posaçëm. Për Prof. Nikon ky ka qenë gjithnjë opinioni i atyre që e njohin prej kohësh. Një njeri mjaft i kompletuar profesionalisht por edhe i veçantë në karakter, i dashur dhe i respektuar, i sinqertë dhe patriot.

Nuk ishte vështirë të dalloje Lindita Komanin, shkencëtaren e re që jeton e studion në Graz të Austrisë, të cilën kemi vite që e njohim nga Forumi “Alb-Shkenca”. Ajo përkujdeset që çdo pyetje të marrë përgjigje, apo që çdo paqartësi teknike të qartësohet e kthjellohet në kohën e duhur dhe në cilësinë e duhur, mban dhe koordinon komunikimin, sipas seksioneve, zgjidh e delegon çështjet logjistike, përkujdeset në detaje që shpesh herë, ne që jemi prindër i anashkalojmë, kur vjen puna për ekonomine familjare, ndërsa Lindita që kryen edhe detyrën e vështirë të sekretares së Institutit “Alb- Shkenca”, është si një “amvisë e kompletuar”, -nëse mund të përdor këtë term popullor-së cilës “punët e shtëpisë” i shkojnë shumë mirë.

Duke takuar kolegun tim të vjetër, Asst.Prof. Ardian Harri, kujtova vitet nëntëdhjetë, kur e njoha së pari, dhe e vlerësova si një ndër djemtë më të mirë që kishim atëherë në Ministrinë e Bujqësisë të Shqipërisë postkomuniste. Sot ai vjen nga Universiteti i shtetit të Misssisipit ku është profesor në fushën e Ekonomisë Bujqësore. Ardi kishte mbetur po ai djalë i sjellshëm, po ajo fytyrë e dashur dhe miqësore, po ajo urtësi karakteristike që të imponon respekt që në momentin që e njeh e thellohet teksa vazhdon miqësinë me të.

Duke përshëndetur edhe miq të tjerë, të rinj e të vjetër, si koleget Dr. Mirela Bogdani nga Universiteti i Oxfordit, Begzad Baliu (nga Universiteti i Prishtines), Bajram Berishën (nga Universitei i Munihut), Zeqirja Neziri (nga Universiteti i Shkupit), rektorët e universiteteve Gjergji Mero e Adrian Civici, ish profesoren time Galantina Canco, pedagogen Agelda Ajazi e profesorin Mirlind Bruqi (nga Universiteti i Prishtines), akademikët Kolec Topalli dhe Emil Lafe, lektorin e Universitetit të Utrehtit, Dr. Gentian Zyberi, Armend Muja (i diplomuar nga LSE), shqiptarin qe punon prej 13 vjetesh per Komisionin Europian Sazan Pakalin, gazetaren Kozeta Zavalani, e shumë miq të tjerë, afroi ora 9, e cila shënoi dhe hapjen e kësaj konference të shumëpritur.


Dita e parë e konferencës

Në seancën plenare të mengjesit të datës 1 Shtator morën pjesë Kryeministri i Republikës së Shqipërisë Prof.Dr. Sali Berisha, Zv.kryeministri Z.Genc Pollo, Zv.Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Zj.Adriana Gjonaj, Ministri i Mjedisit dhe Pyjeve Z. Lufter Xhuveli, Këshilltari për Arsim e Shkencë i Kryeministrit të Shqipërisë, Prof. Myqerem Tafaj, Këshilltari për Arsim e Shkencë i Kryeministrit të Kosovës, Prof. Fetah Podvorica, Këshilltari i Ministrit të Arsimit të Kosovës, Dr. Ramë Vataj, rektorë të universiteteve shqiptare, dekanë, pedagogë, studiues, shkencëtarë të fushave të ndryshme nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe me banim në vende të ndryshme të botës, punonjës nga institucione e dikastere të shtetit shqiptar, si edhe studentë. Prezenca e përfaqësuesve të medias ishte mjaft e madhe.

Seanca plenare filloi me fjalën mikpritëse të Prof. Evan Rroços, i cili falenderoi të ftuarit që nderuan me pjesmarrje, sponsorizuesit dhe pjesmarrësit e shumtë që kaluan mbase numrin pesëqind vetë. Salla ishte mbushur plot dhe shumëkush qëndroi në këmbë.

Pas fjalës së Prof. Rroços, salla tashmë e disponuar për vazhdimësinë, përcolli me respekt dhe me vëmendje fjalën e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Prof. Dr. Sali Berisha, i cili jo vetëm që nderoi takimin me pjesmarrjen e tij personale, por edhe përcolli tek auditori e më tutje tek të gjithë shqiptarët që ndoqën fjalën e tij përmes medias, përshëndetjet më të sinqerta personale dhe të kabinetit të tij për pjesmarrësit dhe Institutin “Alb-Shkenca”, premtimin për pozicionin e hapur qeveritar ndaj këtij institucioni, mbështetje të mëtejshme dhe më tutje bëri një ekspoze përkatëse të arritjeve pozitive te qeverise. Prof.Dr. Berisha trajtoi gjerësisht “Fondin e Ekselencës” që Qeveria shqiptare ka vënë në dispozicion të studentëve shqiptarë dhe tregoi entuziuazëm për rritjen e ndjeshme të numrit të studentëve shqiptarë në vitet e fundit.

Akademiku Jahja Kokaj, do të çonte peshë, pastaj, me përshkrimin emocional dhe poetik qe i bëri evoluimit dhe suksesit të Alb-Shkencës dhe personalitetit të themeluesit të Alb-Shkencës, Prof. Nikolla P. Qafoku.

Si lindi Instituti Alb-Shkenca?

“Yjet nuk vijnë nga toka“, ishte metafora e gjetur e Kokajt, për të paralelizuar kontributin e një individi ndaj kombit. Ai tregoi se si në një natë të veçantë, në trojet e një vendi të botës së lirë, një shkencëtar i ri shqiptar, që kishte arritur majat e suksesit profesional, ndjeu fuqimisht në shpirtin e tij një forcë madhore që e shtyu të mendojë për mëmëdheun e largët, Shqipërinë e tij të dashur. Ai e krahasoi meditimin dhe idenë e Qafokut me përpjekjet e figurave më madhore të kombit, si Skënderbeu, Noli, Hasan Prishtina etj, duke rikrijuar, edhe njëherë, ”live” për pjesmarrësit e konferencës, atë shkëndijëzën e parë që ndezi flakën e nje pishtari për një proces të gjatë, të vështirë por tepër prodhimtar, pra idenë e krijimit të një forumi virtual deri në krijimin e funksionimin një Instituti Shkencor të ligjëruar dhe tashmë në proces pune, paralelisht me përsosjen e formimit dhe strukturimit.

Prof. Nikolla P. Qafoku, i cili mori fjalën pas prezantimit të Kokaj-t, falenderoi Kryeministrin, Zëvendës/kryeministrin, ministrat, qeveritarët, funksionarët e institucioneve shtetërore dhe akademike, pjesmarrësit, dhe sponsorizuesit. Më tej ai foli për Institutin Alb-Shkenca. U ndal kryesisht në rolin e këtij institucioni dhe në rëndësinë e këtij Takimi, që zhvillohej në Tiranë, me përmasa të tilla impresionuese për nga pjesmarrja dhe sponsorizimet. Prof.Qafoku më tej trajtoi në detaje aspektin ndërinstitucional të Institutit Alb Shkenca. Ai ndër të tjera theksoi:

“Një nga qellimet e IASH eshte qe të mbështesë zhvillimin dhe forcimin e shkencës shqiptare duke bashkëpunuar dhe bashkërenduar aktivitetin e tij me institucione të tjera. Nisur nga permasat gjigande te Takimit te sivjetshëm në të cilin po marrin pjesë përfaqësues pothuajse nga të gjitha universitetet publike dhe private në Shqipëri, mendoj që do të kemi mundësinë që të dokumentojmë bashkëpunimin e IASH me institucionet akademike dhe shkencore të Shqipërisë. Administratorët e këtyre institucioneve janë të lutur të kontaktojnë me drejtuesit e Institutit Alb-Shkenca për të diskutuar rreth detajeve të bashkepunimit.

Por ne gjithashtu duam që të thellojmë bashkëpunimin me qeveritë dhe dikasteret në Shqipëri dhe Kosovë. Një nga objektivat dhe qëllimet e IASH të përcaktuara në Statut (pika 3) është: “Të ofrojë konsulencë shkencore dhe bashkëpunim për organizma shtetërore apo private sipas marrëveshjeve përkatëse të lidhura me këto të fundit”. Instituti Alb-Shkenca po mundohet që të institucionalizojë, avancojë apo konsolidojë marëdhëniet me Qeveritë e Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës. Njohja dhe mbështetja e IASH nga Qeveria e Shqipërisë dhe Qeveria e Kosovës, për të cilat i falenderojmë, na mbush me optimizëm që në të ardhmen këto marëdhënie do të ecin akoma më përpara.

Ideja qendrore e avancimit të marrëdhënieve të IASH, është që mbështetja dhe marrëdhëniet të kalojnë nga mbështetja financiare kryesisht për çështje administrative, siç është organizimi i Takimit Vjetor, në marrëdhënie partneriteti dhe me projekte konkrete. Ne kemi bindjen që qeveria/të do të konkretizojne interesimin e treguar deri me projekte konkrete për të shfrytëzuar potencialin e jashtëzakonshëm të masës së madhe të studiuesve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë kufijve shtetërorë, dhe që tashmë janë të organizuar përreth IASH-së”.

Numri i punimeve që do të paraqiteshin ishte pothuaj pesëqind dhe një përzgjedhje e punimeve është parashikuar të përmblidhet në një botim special pas konferencës. Ai përmendi që mbase kjo përmbledhje do të mundësohej gjithashtu në gjuhën angleze.

Zv.kryeministri Genc Pollo, i cili përshëndeti konferencën, shprehu mbështetjen e tij për Institutin “Alb- Shkenca” dhe shpjegoi gjeresisht programin “FP7”. Ministri Xhuveli e Zv.ministrja e Arsimit dhe Shkencës gjithashtu përshëndetën konferencën. Në fjalën e tyre ata shprehën mbështetjen e vazhdueshme ndaj institutit “Alb- Shkenca” dhe vunë në dukje arritjet e qeverisë shqiptare në drejtim të shkencës dhe arësimit.

Z.Fetah Podvorica përshëndeti konferencën në emër të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës së Kosovës dhe në emër të Qeverisë së Kosovës. Ai premtoi bashkëpunim dhe mbështetje mes dy qeverive në drejtim të progresit të shkencës shqiptare.

Pas pushimit, seanca plenare vazhdoi me prezantimin: ”Reforma e Sistemit Kërkimor në Shqipëri dhe Perspektiva”, nga Z.Myqerem Tafaj, Këshilltar për Arsimin dhe Shkencën i Kryeministrit Shqiptar. Në prezantimin e përbashkët në gjuhën angleze , me titull: “Përvojat në ristrukturimin e kërkimeve dhe edukimit të lartë”, Bajram Berisha dhe Heinrich H.D Meyer nga Gjermania sollën të dhënat më të fundit që institucioni ku ata punojnë kishte hulumtuar lidhur me këtë temë.

Në mbasditen e ditës së parë Takimi vazhdoi me konferencat e veçanta sipas degëve të Institutit. Paralelisht me njëra-tjetrën u zhvilluan sesione të tetë konferenca te cilat vazhduan punimet atë pasdite dhe gjatë gjithë ditës së dytë. Titujt e Konferencave dhe organizatorët e moderatorët e tyre qenë:

Konferenca e Seksionit të Shkencave të Bujqësisë dhe Mjedisit - Organizues: Nikolla Qafoku, Ardian Maçi, Evan Rroço, Pëllumb Abeshi - Moderatorë: Ardian Maçi, Pandi Zdruli, Vath Tabaku, Mihallaq Kotro, Anila Hoda, Dhimitër Rapti, Pëllumb AbeshiKonferenca e Seksionit të Shkencave Ekonomike- Organizues: Ardian Harri, Avdullah Hoti, Lindita Komani, Mimoza Koka – Moderatorë: Ardian Harri, Mujë Gjonbalaj, Lindita Komani, Fatmir Memaj, Ardiana Gashi

Konferenca e Seksionit të Shkencave të Natyrës - Organizues:Robert Magari, Arben Merkoçi, Jahja Kokaj, Fatos Ylli, Bajram Berisha, Burim Kamishi – Moderatorë: Arben Merkoçi, Ramë Vataj, Bajram Berisha, Isa Elezaj, Jahja Kokaj, Fatos Ylli, Robert Magari, Burim Kamishi, Margarita Ifti, Majlinda Vasjari

Konferenca e Seksionit të Shkencave Mjekësore – Organizues: Naim Shabani, Fatos Olldashi, Ramadan Jashari, Naser Ramadani – Moderatorë: N.Shabani, R.Jashari, F Zeqiri, A Turjaka, N. Ramadani, I. Dedushaj, M. Berisha, R.Duka, F. Olldashi, N. Hyseni, A. Stafa

Konferenca e Seksionit të Shkencave Inxhinierike dhe Teknologjisë – Organizues: Besnik Dobi, Nebi Caka, Eshref Januzaj, Musa Rizaj – Moderatorë: Besnik Dobi, Nebi Caka, Jusuf Krasniqi, Fejzullah Krasniqi, Burhan Tabaku, Betim Çiço, Eshref Januzaj, Lule Ahmedi, Ilirjan Lipi, Naim Maloku,Përparim Hoxha, Sefedin Kastrati , Shyqri Kelmendi, Idaver Hyseini, Musa Rizaj, Shpresa Caslli, Emil Lamani, Nushe Lajçi, Afrim Dushi, Izet Zeqiri

Konferenca e Seksionit të Shkencave Shoqërore – Organizues: Lulzim Dragidella, Mirela Bogdani – Moderatorë: Mirela Bogdani, Lulzim Dragidella, Erka Çaro, Myqereme Rusi, Blerina Kellezi, Irena Lama

Konferenca e Seksionit të Shkencave Albanologjike – Organizues: Kristaq Jorgo, Begzad Baliu Zeqirja Neziri – Moderatorë: Emil Lafe, Kristaq Jorgo, Ana Lalaj, Emin Riza, Kolec Topalli, Ali Caka, Zeqirja Neziri, Caterina Zuccaro, Italo Costante Fortino, Shaban Sinani, Begzad Baliu, Miaser Dibra, Vebi Bexheti

Konferenca e Seksionit të Shkencave të Drejtësisë – Organizues: Gentian Zyberi – Moderatorë: Mariana Semini-Tutulani, Gentian Zyberi, Juliana Latifi

Një simpozium special kushtuar Akademikut Remzi Bakalli u zhvillua ditën e dytë të Takimit.

Konferencat patën edhe sesionin e posterave sipas sesioneve të veçanta.

Dita e parë u mbyll më një pritje dhe koktej në Pallatin e Brigadave dhënë nga Kryeministri Shqiptar Prof. Dr .Sali Berisha për anëtarët e Institutit Alb-Shkenca. Kryeministri shoqërohej nga ministri i Arsimit dhe Shkencës Prof. Fatos Beja . Në fjalën hapëse të pritjes Kryeministri cilësoi edhe njëherë vlerat pozitive të Takimit dhe konferencave të organizuara brenda tij.

Prof. Niko Qafoku falenderoi kryeministrin për pritjen dhe siguroi se qëllimi i Institutit Alb Shkenca është pikërisht puna shkencore duke i shërbyer qëllimeve kombëtare. Në takime të veçanta me individë të veçantë u zhvilluan bisedime e diskutime të ngrohta, fotografimet nuk munguan jo vetëm për kujtime, por edhe si mjete që do të postohen në faqen e Alb-shkencës, me qëllim pasqyrimi te aktivitetit dhe motivimi për të realizuar objektivat e së ardhmes.

Një pemë ka hedhur rrënjë të forta e ka formuar degë të shëndetshme….

Në një buletin zyrtar dhe në botime të ardhshme do të njihemi gjerësisht me punimet dhe përmbajtjen e hollësishme të konferencave të seksioneve të veçanta. Qellimi i këtij shkrimi nuk parashikon përshkrimin e tyre të detajuar. Por dua të theksoj se nga ato momente kur unë hyra në sesione të veçanta vura re profesionalizëm, cilësi, përkushtim, debate e diskutime konstruktive. Atmosfera akademike vihej re në çdo seksion, respekti dhe interesi për punimet e gjithkujt ishte në nivel të lartë.

Seanca plenare e mbylljes, që u moderua nga Prof. Nikolla Qafoku dhe Prof. Arben Merkoçi, u hap me “Projektet ndërkombëtare”, prezantuar nga z. Gjergji Gjinko.

Kitty Fehringer nga Komisioni Europian solli freskët dhe këndshëm prezantimin special “EURAXESS-Researchers in Motion”- një informacion i dobishëm që i shërben studiuesve dhe kërkuesve europianë, sidomos në kuadrin e “Brain Gain”-it Europian.

Roza Allabashi, që vinte nga Viena e Austrisë, ishte konkrete, e saktë, këshilluese bindëse dhe orientuese precize në prezantimin e saj tepër informativ: “Pjesmarrja e Shqipërisë në projektet kërkimore-shkencore të komunitetit Europian-realitet apo utopi?”

MUSA RIZAJ, NEBI CAKA, EKREM BEQIRI, SABIT RESTALICA prezantuan:
„Programet e Bashkimit Evropian për financimin e kërkimeve shkencore-zhvillimore dhe perspektiva e Kosovës“
Konkluzionet e konferencës, shpallja dhe aprovimi i anëtarëve të nderit, si dhe njoftimi i kritereve të anëtarësimit dhe procedurat e zgjedhjeve, ishin aktivitetet e fundit për datën 3 shtator dhe për Takimin III Vjetor të Institutit “Alb-Shkenca”.

Prof. Niko Qafoku në fjalën e tij mbyllëse theksoi se takimi ishte mjaft i suksesshëm, gjithëpërfshirës, me një demografi të kënaqshme. Ai evidentoi entuziazmin që përshkoi konferencën në të gjitha ditët, vlerësoi kontributin vullnetar të pjesmarrësve, anëtarëve e organizatorëve. Falenderoi për pjesmarrejen e qeveritarëve dhe perfaqesuesve shtetërorë, falenderoi studentët që ishin në dispozicion si staff i konferencës. Ai përshkroi edhe njëherë procesin e formimit dhe evoluimit të Institutit “Alb-Shkenca”. I emocionuar ai tregoi se Martin Luther King, përmes thënies së tij: “Sado që të avanconi në karierë, mos harroni nga keni ardhur dhe mundohuni t’i jepni në kthim atij komuniteti”, kishte qenë burimi i frymëzimit të tij për të krijuar një rrjet virtual mes shkencëtarëve shqiptarë. Ky forum u forcua, u zgjerua dhe sot është shndërruar në një institucion shkencor, njësi e ligjëruar si Instituti “ALB SHKENCA”, me degët e tij në Shqipëri (Drejtues Ardian Maçi), Kosovë (Drejtues Begzad Baliu), e Maqedoni (Drejtues Zeqirja Neziri). Rreth Institutit mund të mësohet më shumë në faqen e tij virtuale:
http://www.alb-shkenca.org/.

Prof. Qafoku bëri thirrje për zgjerimin e Institutit me anëtarë të rinj, të cilët plotësojnë kriteret e anëtarësimit në të. Ai theksoi formimi akademik i anëtarëve dhe se kualifikimet profesionale e kontributi shkencor janë faktorë të domosdoshëm për të qenë anëtarë të tij.

Prof. Evan Rroço në fjalën e mbylljes falenderoi pjesmarrësit dhe ftoi moderatorët të përcjellin ecuritë e konkluzionet sipas simpoziumeve të veçanta. Ashtu siç vuri ne dukje edhe drejtori i Institutit, Prof. Qafoku, Prof. Rroco, evidentoi faktin që një aktivitet i kësaj natyre, i këtij niveli, i këtyre përmasave sasiore dhe cilësore nuk kishte ndodhur asnjëherë në historinë e Shqipërisë”.

Më tej u shpallën dhe u aprovuan tre anëtarët e rinj të nderit për Institutin. Ata janë :

Prof. Jahja Kokaj, Prof.Emil Lafe, Akademiku Remzi Bakalli (pas vdekjes).

Në konferencën e mëparshme anëtar nderi i Institutit ishte shpallur dhe aprovuar Prof. Dr.Sami Repishti nga Nju Jorku.

Në Mbledhjen e Përgjithshme të Institutit, Lindita Komani shpjegoi procedurat zgjedhore për vitin e ardhshëm.

Një takim i grupit organizativ të konferencës me Presidentin e Shqipërisë, Z.Bamir Topi, vijoi më datën 4 Shtator 2008 ne Pallatin e Brigadave.
Takimi III Vjetor ia arriti qëllimit. Mendoj se “brumi” është në kohën e duhur për t’u gatuar e formuar me të, ajo ç’ka duhet. Ky Takim provoi se pema e re ka hedhur rrënjë të forta dhe degët janë mjaft të shëndetshme. Shpresoj që frutat të jenë ato që priten! Mire-u-takofshim në aktivitete të ardhshme të Institutit “Alb-Shkenca“.

Urime organizatorëve, drejtuesve dhe pjesmarrësve!

Merita B-McCormack, BSc., MBA,
(Anëtare e Seksionit te Ekonomisë)
Washington DC.

Monday, September 15, 2008

Bota e Gruas Shqiptare-ILIRE ZAJMI-Tregim

Gruaja në të zeza


Tregim


Gruan misterioze të veshur gjithmonë në të zeza, nuk e kisha njohur kurrë nga afër. Shumë meshkuj e linin kokën për të. E takova rastësisht në datëlindjen e një mikut tim. Të gjithë të ftuarit sytë i mbanin nga ajo. Dikush pse kishte dëgjuar aq shumë gjëra të fliteshin për të, të tjerët e këtu hynin të githë pjesëtarët e botës mashkullore e vështronin me sy të magjepsur e epshflakur duke analizuar çdo lëvizje të gjuhës së trupit.
Dukej si zanë mali e zbritur nga qielli për të provokuar e nxitur ndjenjat më subtile te të gjithë meshkujt e pranishëm në atë datëlindje.

Mua si femër nuk e di çfarë përshtypje më bëri. Egoiste, mendjemadhe, e dhënë deri në ekstrem pas pamjes së jashtme. E stërvitur që ta mbajë situatën në kontroll, të dominojë kudo që ndodhet, të jetë gjithnjë në qendër të vëmendjes. Me gjeste, lëvizje provokuese të buzëve, lojë me këmbët e gjata duke joshur këdo që i ndodhej përballë.

Të krijohej përshtypja që gjithçka sillej rreth saj. Për asnjë çast nuk e lëshova nga shikimi atë natë. Brenda vetes nuk e di a ndjeva simpati apo një ndjenjë përbuzje për atë grua sharmante të veshur në fustan të zi mëndafshi.
Për diçka jam shumë e sigurt. Xheloze nuk u bëra për faktin se gjithçka sillej rreth saj dhe për të. Unë isha jashtë kësaj orbite, një dublere pasive. Aktore në prapaskenë, por duke ndjekur të gjitha aktet e një loje surreale në një teatër absurdi. Një teatër i një jete femre që mbante emrin Dora.

Dorën nuk e takova më për shumë kohë. Ajo ishte temë e bisedave në shoqëri, në kafene, në zyra. Thonin se kishte dashnorë të “klasës së lartë”, zgjedhte cilën punë t’ia donte kokrra e qejfit, flinte në hotelet më luksoze të vendit, fundjavat i kalonte jashtë shtetit dhe tallej me shumë femra që nuk ishin të rangut të saj.
Kur një ditë e pashë të hynte në zyrë me shefin tim, mendova se na mori lumi. Shefi ishte shënjestra e radhës. Për disa muaj ai u bë një tjetër njeri. Ajo femra shtatlartë, elegante mori frenat në dorë. Nuk e mora vesh kush e solli, pse e solli, çfare pune kryente, sa paguhej. Pse e bëri lolo shefin tim të gjorë. Ai humbej pas saj. Vdiste në këmbët e veta kur ajo ia lëshonte një shikim.

Unë me të nuk ndërruam kurrë ndonjë muhabet, veçse një mirëdita dhe ditën e mirë. Unë dhe të gjithë të tjerët, që nuk i hynim në sy të gjithpushtetshmes Dora.

E bukura Dora kreu misionin e saj në kompaninë tonë dhe u zhduk për një kohë. Për tu shfaqur me tërë shkëlqimin e saj në një organizatë tjetër, atje ku gëlonte paraja, prestigji e autoriteti. Sa çel e mbyll sytë u bë e famshme, fitoi para e pushtet. Arsyeja e thjeshtë: shtiu në dorë të parin e asaj organizate.

E apetitet e Dorës nuk kishin të mbaruar. I ndërronte më shpesh dashnorët se fustanet e zeza. Kënaqej vetë, kënaqte edhe të tjerët, ku nuk bëntë punë paraja bënte puna Dora.

Një Mata Hari e llojit të vetë, mendova kur e pashë pas disa vitesh. Po ajo fytyrë, po ato flokë të gjatë e të lëmuar, linjë e përkryer e trupit.
I kishte shkelur të tridhjeteshtatat, por te ajo nuk kishte lënë vrragë mosha. E çuditshme. Të jetë kaq e pashpirt, të mos ketë asnjë ndjesi. Tingëllon e pamundur për një grua të bërë nga mishi e gjaku. Kureshtja më rritej për të mësuar diçka më shumë për jetën, për bëmat dhe personalitetin e asaj gruaje aq shumë të përfolur.

Kur e pashë se kishte filluar punë në vendin ku unë punoja, u habita. Ç ‘të jetë vallë? Gjithnjë takohemi në të njejtat vende pune. Pa ditur gjë për njëra tjetrën. Koincidencë mendova.
Por kësaj radhe ishte më shumë se koincidencë. Na rastisi të punonim në të njejtën zyrë. Vinte kur të donte, shkonte kur të donte. Tërë kohën fliste në telefon. Mbante një pozitë të lartë, paguhej me një shumë marramendëse parash, dhe menaxheri si të gjithë menaxherët e tjerë shkrihej pas saj. Kur ajo fliste ai nuk bënte as gëk as mëk.
Nuk hapej me mua. Se pyesja gjë. Flitej se ishte lidhur me një të huaj të gjithpushtetshëm në vendin tim. I shihja lulet e freskëta çdo dite pune dhe dhuratat e shtrenjta, të gjitha prodhime të modës së fundit. Çokolladat e asortuara në formë zemre nuk mungonin kurrë.

Të jetë dashuruar vërtet dikush pas saj? Edhe ndonjë dashnor në listën e pafund të Dorës?

I shihja dhe i komentoja të gjitha këto me burrin tim në mbrëmje. Misterin e quajtur Dora dhe dashuriçkat e saj interesante.

Por në ndërkohë ndodhi diçka interesante. Martesa me të huajin. Shkruajtën edhe gazetat. E portretizuan bukurinë dhe hiret e saj. Asnjëri nuk guxoi të hap gojë e të thotë se ky trapi ishte i 1001 në jetën e saj. E kush do të jepte një lajm të tillë?

Dora iku jashtë vendit. Dëgjova se bënte jetë prej aristokrateje. Jetonte në një kështjellë moderne. Dukej si e përhitura e përrallave. Hante me lugë argjendi. Shëtiste gjithë botën me burrin e saj 20 vjet më të vjetër se ajo.

Më hante kureshtja të dija çka ndiente për atë të huaj të pasur e arrogant. Si i kalonte ditët e shkurtëra e netët e gjata me të. Si vidhte kohë për t’iu dhënë epsheve të dashnorëve të rinj!

Pas një kohe mora vesh të jetë kthyer. E takova një ditë tetori në kryeqytet. Dukej keq, e shkallmuar e plakur. Bukuria e saj ishte zbehur.
Nuk e pyeta gjë. I dija të gjitha. Ishte ndarë nga ai maskarai i pasur. Donte të kthehej të jetonte në vendin e saj. Përgjithmonë.
As nuk u befasova kur e pashë në vendin tim të punës pas disa muajsh. Ishte kthyer në formë. Mendjemadhe, egoiste, narcisoide. Ashtu siç e pata njohur para 12 vjetësh.

Sapo isha kthyer nga pushimi kur e takova në zyrë. “Kam dëgjuar se je martuar, je bërë edhe nënë, më pyeti papritur. Ke 1 apo dy fëmijë? Dy i thashë.

Nuk foli për një çast. Pastaj me sytë e turbulluar tha: “Unë nuk kam asgjë në jetë. Jam 42 vjeq. Nuk di çka t’i them vetes.

Mbeta pa fjalë. Nuk thashë gjë, se mu duk se dikush më kapi për fyti. Zbrita deri në bufe për të pirë një kafe.

Të nesëmën shkova në punë me ndjenja të trazuara. Gjithë natën e pashë në ëndërr Dorën, të dashurit e saj të njohur e të panjohur. Një shtëpi dhe një fëmijë. Jo ishte djali im. Mu kujtua pak ëndrra si nëpër mjegull. Dora sikur dëshironte të ma rrëmbente djalin tim. I thoja se unë jam nëna e tij, se ai ishte djali im jo i saj. Ma lërë të lutem vetëm për një kohë më lutej Dora.
Unë i lutesha djalit tim të rrinte me të. Dhe ta thërriste nënë.

Ëndrra mu kthjellua krejtësisht kur pashë fytyrën e saj në mesditë.

E shikova mendueshëm. “Të kam ëndërruar gjithë natën. Ti po më ndjek” i thashë.

Ajo buzëqeshi thekshëm. Pastaj me zë të butë mu lut “ tregomë të lutem si më ëndërrove. “Ti kishe blerë banesë afër meje. Dhe unë ta dhashë djalin tim. Për një kohë. i thashë të të thërriste nënë”.

Dora u ngrit në këmbë dhe kapi kokën me duar. “Ti mos je telepatike” Aspak i them. Ishte thjeshtë një ëndërr, dje më the… “ fjalët më mbetën në ajër.

Nuk më la hapësirë të përfundoi fjalinë. “Jo. Kjo nuk ishte thjesht një ëndërr. Unë kam blerë dje banesën time, dhe jam duke shikuar mundësinë të birësoj një fëmijë”

“Unë nuk e di”… mbeta gojëhapur. O zot thashë me vete të kem ëndërruar gjëra kaq reale, kaq të prekshme.

Ajo më shikoi gjatë, pastaj mori çantën për të ikur në drekë e tha.
“Nuk e di sa gjatë njihemi unë e ti. Njeriu nuk ka nevojë të jetë i afërt me dikë për t’ia lexuar mendjen”

“Po, i thashë. Ka një dekadë që po të lëxoj si një libër të hapur”.

Dorën nuk e pashë më kurrë prej asaj dite. U zhduk.

Një Zot i madh e di si përfundoi historia e bukuroshes në të zeza. Çdo lojë e ka fundin. Ajo lozi me jetën ashtu si deshën të tjerët, pa e kuptuar kurrë se ishte vetëm një kukull porcelani në teatrin absurd të jetës.




Prishtinë, 11 shtator 2008

Thursday, July 31, 2008

Kledi Kadiu ne Boten e Gruas Shqiptare

Kledi Kadiu: “Baleti te ndryshon ne forme e ne shpirt”




“Baleti eshte kenga e trupit ne gezim e ne dhimbje”
Martha Graham


Baleti eshte revolucioni i ndjenjave primitive, nen koreografine e trupit.
Eshte rebelimi i zhgenjimit social.
Baleti eshte nje kufi, qe te ndan me nje lot, me nje puthje.
Baleti eshte nje rruge qe te afron me nje mik, me nje armik. Te largon me nje shtepi, e te afron disa bote.
Eshte shperthim i unit, ne forma gjymtyresh aq abstrakte per mua, sa dhe reale, gati familjare.
Jane fjalet me te bukura qe i drejtohen ne heshtje vetes e tjertit.
Baleti per mua ka nje fytyre. Ka nje histori. Ka frymemarrje te qete. Mendime te kryqezuara, qe kerkojne driten.
Ka nje emer ne kete rast: Kledi Kadiu.



Ai ka arritur te kenaqe sintezen tone per artin. Na ka bindur per vocacionin e tij. Ja lexojme dashurine per baletin, ne levizje, ne trup, ne sy… . I vallezon çdo shtise ne skene, e me te drejte mbresat qe te mbeten, nga profesionaliteti i tij, s’mbarojne me nje duartrokitje. Ashtu siç baleti, nuk eshte vetem pasion, per te, pasi ka frekuentuar qe ne moshe te vogel shkollen e baletit ne Tirane, ku dhe eshte diplomuar, ne vitin 1992, vit ne te cilin ka hyre ne trupen e balletit, po ne Tirane.
Aty i besohen role te rendesishme si solist: “Arrethyesi”, “Don Kishoti”, “Giselle” etje…




***

Si shume shqiptare te tjere, edhe ai, le Shqiperine. Le familjen, personazhet, e spektatoret…, ne drejtim te Italise, ku gjen shume shpejt drite per artin e tij.
E shohim te vallezoje ne “Canale 5”, televizion mjaft i ndjekur, nga teleshikuesit Italiane dhe jo vetem. Ne fare pak kohe ai behet nje nder ballerinet me te dashur, per publikun.


E njohin te gjithe Kledin. E duan si artist dhe si njeri! E kerkojne ne emisione te ndryshme si “Amici” “Buona domenica” “C’è posta per te” etje…
Fama e tij, si ballerin i shkelqyer, kalon kufinjte e shteteve e kontinenteve te ndryshme. Masmedia internazionale, sjell shpesh, ne plan te pare emrin e tij.
Me vone do e shohim edhe si aktor. Kujtoj nje interviste te aktores se mirnjohur Ornella Muti, e cila fliste me perkushtim per te. “Impenjohet shume dhe eshte djale i thjeshte”
Kjo fraze me godet shume. Ndaj e kerkoj. E kerkoj si bashkeatdhetar, si artis, si ambasador te kultures...

Ne kete kerkim, zbuloj se Kledi ka marre çmime te rendesishme, per punen e devotshmerine e tij, si ballerin.
Ne vitin 2004 i eshte dhene, çmimi “Gino Tani” si artisti me i mire i vitit dhe ne 2006-en “La ginestra d’oro” si ballerini me i mire televiziv.


***


E kerkoj Kledin me nje e-mail. Ai me pergjigjet.

E ftoj ne "PAWNALBANIANWOMENNETWORK” Ai e pranon me kenaqesi ftesen, pavaresisht nga impenjimet e shumta, qe i kufizojne kohen.

Pershendetje Kledi!


Pershendetje Eliana! Si je?


Shume mire, faleminderit! Ti si je?


Jam mire!

Jam shume i impenjuar.


Mund t'me flasesh per impenjimet e tua?


Impenjimi im kryesor, e ka emrin “Romeo e Zhuljeta” Eshte nje turne teatral qe shtrihet ne vitet 2007-2008, ne shume qytete te Italise. Eshte pritur shume mire nga publiku, per te cilin jane organizuar rreth 80 spetakle, nderkohe qe ne muajt e ardhshem, ekzaktesisht ne tetor e nentor, do jem ne turne me te njejtin balet, po ne Itali.
Foto shkeputur nga "Romeo e Zuljeta"


Vite te ngjshura, keto dy te fundit…


Po. Vitin qe shkoj kam punuar shume dhe kame marre shume sodisfacione, nga vetja.


Po kete vit? Ku do jesh? Ku do te te shohim?


Kam shume projekte surprise. Nderkohe qe jam protagonist i koreografise contemporane moderne te koreografit te mirnjohur Fabrizio Monteverde. Ku kam dhe fatin te punoj me balerine te tjere shqiptare. Ato jane. Bernard, Bledi dhe Hektor.
Me daten 14 shtator do jem ne programin “Il ballo dei debuttanti” qe do trasmetohet ne Canale 5.
E si çdo vit tjeter do marr pjese ne programin “Amici di Maria De Filippi” si balerin profesionist.
Pjesen tjetr te kohes do ja detikoj shkolles “Kledi pensiero danza” dhe “Free dance company”

Çdo hap i yti drejtohet drejt baletit. Ç’eshte baleti per ty?


Baleti eshte nje disipline shume e rendesishme. Qe nis me pasionin e rrittet me shume pune. Punohet shume me fizikun, i cili ndryshon totalisht. Per mua ne fillim, baleti ishte nje pasion i madh. Ka qene mamaja ime, ajo qe me ka shtyre moralisht, ne fillim. Pastaj pasioni eshte forcuar me shume pune dhe keshtu ka lindur profesioni.
Do shtoja qe baleti, ndihmon shume edhe ne formimin psikologjik. Baleti ndihmon djemte si une, te perballojne jeten. Te meson te heshtesh, kur duhet. Te flasesh me ze te ulet…,
Baleti te humanizon shume. Te ndryshon ne forme e ne shpirt.



Nese s’do kishe zgjedhur kete profesion. Ç’do kishe qene ne jete?

Nuk imagjinoj asnje profesion tjeter veç ketij. I kam pasur gjithmone idete e qarta. Me duket se ne, shqiptaret, i kemi gjithmone idete e qarta, pavaresisht nga profesionet a jetet qe bejme.

E gjithe puna jote eshte e perqendruar ne Itali. Po Shqipreria? Ç’raport ke me te?

Raport shume te rendesishem. Eshte vendlindja ime, te cilen e vizitoj shpesh. Familja ime jeton ne Tirane, per veç motres. Ajo jeton ne Frankfurt.

A ke menduar te realizosh ndonje spektakel ne Shqiperi?

Sigurisht. Por momentalisht, eshte e veshtire. Ne fakt kam marre shume ftesa e kerkesa, nga Shqiperia, por gjer tani asgje konkrete. Egzistojne akoma shume probleme burokratike, fatkeqesisht. Kjo qe them duket si kritike, por dhe ne qofte e tille, ka qellim te mire.

Bashkebisedoj per “Pawn” Eliana Alien Milano 30/07/2008

www.myspace.com/kledik
http://www.kledi.it/

Thursday, July 17, 2008

Bota e Gruas Shqiptare-ELIANA"ALIEN" LESHAJ -SILVANA BRACE FLET PER PAWN- Interviste



“Si një lundërtare e fuqishme, po mundohem ti kapërcejë dallgët e mëdha,
që s’më kanë kursyer.”
Silvana Braçe



E prisnim me ngazëllim infantil fundin e siglës së hapjes së siparit, për të dëgjuar atë zë, që i ngjan zërit të një ninfe. Fjalët që formuloheshin me atë zë, ishin gërshetim i etikës gjuhësore dhe unit artistik, të zonjës se bukur, së ekranit të vogël. Silvana Braçe, është emri që ka hyrë në çdo shtëpi shqiptare. Emri qe është lakuar me dashuri, nga çdo moshë. Personazhi i saj është jo vetëm një garanci profesionaliteti, për median vizive shqiptare, por edhe një kult për çdo telespektator, që e ka ndjekur gjatë karrierës së saj shumë vjeçare.
Silvana Braçe ka në bagazhin e saj, një formin professional voluminoz. Ka frekuentuar shkollën e baletit, ka prezantuar me dinijtet imazhin e televizionit shqiptar, zotëron një diplomë të fakultetit të ekonomisë, ka prezantuar artistë dhe evenimente kulture në shumë vende të botës, eshte bashkeshorte e nene…
Eshte nje grua modeste dhe e disponueshme, si ne rastin tone. I shkruaj per “Panalbaniawomennetwork” themeluesen e saj, banoret e botes se gruas shqiptare.
Ndersa ajo, ne intervisten e meposhtme, na flet per veten, e rolet e saj.




Fillimisht do doja t’ju falenderoja për kohën që po i dedikoni Panalbanianwomennetwork.



Ështe kenaqësi për mua të bashkëbisedoj me ju dhe gjithë ata, që do lexojnë këto fletë, të cilat s’mjaftojnë për t’ju rrëfyer jetën time, peripecitë dhe surprizat, përvojat e shumta, që do ti doja të ndaja me ju për të mësuar sado pak prej tyre, ndërsa unë për tu shprehur e plotësuar përmes kësaj marrje e dhënie, se edhe ju nuk i kursekeni fjalët e bukura. Faleminderit për të gjitha ato!

Prej disa kohësh i mungoni teleshikuesve të ekranit të vogel.
Ku është Silvana Braçe?


Më vjen keq të pranoj, që momentalisht nuk jam me programe të reja në Tvsh, pasi me ato të disa viteve më parë jam e pranishme sidomos në valët e Tvsh satelit. Nuk e kisha menduar ndonjëherë këtë shkëputje prej 4 vitesh nga ekrani, ndoshta, rrëmbyer nga dinamika e punës dhe siguria, që kisha krijuar për vazhdimësinë aty. Pasi kalova me sukses edhe erën e ndryshimeve në vitet 90-91, madje kjo liri, më ridimensionoi, atëherë s’mendoja se do vinte koha për të ndaluar. Koha e re që erdhi, mua personalisht, në punën time më dha një liri të plotë përsa i përket krijimtarisë, por mbështetja financiare ka qenë gjithmonë për të dëshiruar. Megjithatë, unë nuk di të kundërshtoj e të qahem, por të punoj shumë e të përshtatem kur është e mundur dhe vura zemrën aty ku mungonin paratë. Jo se janë gabim këto të dytat, madje ato lehtësojnë shumë punën, por unë skam ditur të gjindem në këtë pazar, se kurrë s’kam qenë pjesë e klaneve, apo e “privilegjuara”. Çdo gjë, që kam arritur, ka vetëm një emër, punën dhe drejtësinë. Jo duke shkelur mbi të tjerë, por duke konkuruar në këtë ring të hapur, që është ekrani. Pra duket, që jam lodhur shumë e ndoshta e kisha të domosdoshëm këtë pushim. Para viteve ‘90 kam prezantuar programe që i përgatisnin të tjerë, ndërsa më pas, me përvojën e fituar, nisa të realizoja vetë programe pa fund në studion e Tvsh, pa pushuar asnjë javë, pra jo punë me cikle që zgjasin 2 ose 3 muaj, por non-stop, gjithë vitin. Kam patur, në të njejtën kohë, prezantime edhe në skenat më të mëdha në Tiranë, në TOB dhe në Pallatin e Kongreseve, në sheshin Skënderbej dhe në stadiumin “Qemal Stafa”, por edhe prezantime koncertesh më të vogla në shumë qytete të tjera si Durrës, Fier, Krujë, Lezhë, Kavajë, Sarandë, Shkodër, Korçë, Elbasan, etj. Ishte dhe është koha e punës së madhe në Shqipëri e cila më përfshiu edhe mua. Që në vitin 1993 mu hap rruga edhe për jashtë shtetit. Udhëtimi i parë ka qenë për USA. Diçka e paimagjinueshme për atë kohë, që më dha shumë gëzim e thosha nga më erdhi. Më vonë kam arsyetuar dhe kuptova se ishte investimi i viteve të tëra pune dhe këtë shembull timin, ia jap shpesh si inkurajim atyre që lodhen e mërziten se s’ju vjen shpërblimi. Vajtjet në USA dhe Evropë vazhduan si e ftuar në organizimet kulturore-artistike të shqiptarëve, si fillim të mërgimtarëve nga Kosova e më pas me rritjen e emigracionit nga Shqipëria, filluan edhe koncertet e organizuara kryesisht nga shoqatat e shqiptarëve në Itali dhe Greqi. Këto ishin një angazhim privat në fund javë, por që s’kanë prekur kurrë punën fikse që ishte ajo në Tvsh, përkundrazi, ishin përvoja, njohje me vende dhe njerëz të rinj dhe me artistë jashtë kufijve. Ishin një rritje në kualitetin e mendimit e të jetës në përgjithësi, që ushqenin punën time në Tvsh. Dhe erdhi në çastin e duhur ai që do ndryshonte ritmin dhe drejtimin e hapave të mia, duke i orientuar ato drejtë një piste ku luhej një melodi më e qetë, ajo familjare.




Nga spostimet nderkontinentale tek familja. Si gruaja gruas: A mund te rrefeni
kete kalim metamorfozik per panalbanianwomennetwork?


Në një nga këto koncerte për bashkatdhetarët në Itali, në nëntor të vitit 2002, njihem me Agronin. Në 2003 kjo lidhje pune kthehet në miqësi e dashuri dhe në shtator të 2004 lind në Rimini, djali ynë, Fatjoni. Pra, belbëzimet dhe cicërimat e Fatjonit kanë mbushur jetën time, që prej 4 viteve, kur unë u shkëputa nga puna e përditëshme në Tvsh dhe po qëndroj kryesihsht, në Itali. Por prap, si një mama e dhënë edhe pas punës, po vazhdoj me koncertet këtej dhe nëpër Evropë, pa mënjanuar për asnjë çast djalin dhe familjen.

Rimini! Si jeton nje grua e talentuar si ju, në nje qytet qe veres s’fle, e dimrit s’plaket?


Në Rimini jetohet mirë, se është qetësi e madhe dhe je pranë detit, që mua më pëlqen shumë. Ju thoni “e talentuar” dhe faleminderit, por në fund të fundit, një grua jam unë dhe detyrat themelore i kam ndaj familjes. Jam shumë e përkushtuar dhe e sakrifikuar për familjen. Kjo është natyrë imja, që reflekton edhe në punë, ndaj përmes këtyre përpjekjeve gjindem edhe në botën e artit. Kohët e fundit, me rritjen e djalit, jam ndjerë pak më e lirë dhe kam nisur të mendoj edhe për rikthim në ekran. Kjo kohë këtej në Itali besoj të ketë ndikuar për mirë, për reflektim dhe akumulim. Ndërkohë, vitet kalojnë, por do thosha se në profesionin tim, ato favorizojnë rritjen, pjekurinë.., e nuk e shoh me frikë ikjen e tyre. Këtë besim dhe optimizëm ndoshta ma jep edhe pritja që më rezervon publiku. Jam ende në kohën e komplimenteve më të bukura dhe tani ndjehem më e plotësuar se kurrë ndonjëherë tjetër.



Shume e drejte.
Silvana Braçe, bashkëshorte dhe nënë “e përkushtuar dhe e sakrifikuar” Ky është një evulocion në jetën e çdo gruaje. Ju si e jetoni
?

Këto janë proçese natyrore, e në atë mënyrë kanë ardhur edhe tek unë, në përmbushje të ciklit të jetës. Të jesh bashkëshorte dhe nënë është një lumturi që lind nga sakrifica, pra që ka vështirësitë e veta, të cilat, mund ti përdorja si mburojë për t’ju shmangur punës, se mjaftojnë për një grua dhe vetëm këto, por ju tregova, që s’mund të rri jo pa Tv dhe ekran, por s’mund të rri pa një punë, ose, angazhim shoqëror e më mirë nga këto di të bëj prezantuesen, ndaj vazhdoj të jem e tillë edhe pas marrjes së këtyre titujve si bashkëshorte dhe nënë.

Do më pëlqente të kthehesha tek Silvana publike. Ju jeni prezantuese e shumë koncerteve e iniciativave humanitare, të komunitetit shqiptar ketu në Itali. Sa ndryshon puna juaj këtu, nga puna në televizionin Shqiptar?


Koncertet janë të drejtëpërdrejta, takim me të gjitha shqisat dhe kuptohet janë shumë më të këndëshme, sesa programet, që dalin përmes syrit të xhamtë të kamerave. Jam shumë e kënaqur nga ato. Me të vërtetë, që shpenzon shumë emocion, zë, energji, pasion.., për të mbushur me dritën e artit salla mijëravendëshe, por të rikthehet shumëfish e gjithë kjo kur të duartrokasin, mirëpresin me sytë, që shndrijnë nga loti i mallit e i dashurisë. Një marëdhënie e shkëlqyer krijohet përgjatë këtyre koncerteve 3-4 orëshe, një alkimi që shpërndan paqe, mirësi, që ndez atdhedashurinë dhe vëllazërinë mes njëri-tjetrit. Por edhe programet në Tv kanë patur jo pak ndikim, besoj, tek teleshikuesi. Këtë e kuptoj më mirë, tani që i rishoh ato. Kur i kam realizuar nuk kam menduar për efektin e tyre, por thjeshtë kam punuar me shpirt. Një dëshirë e kam patur gjithmonë e që duket, besoj, që të më shohin e të më kuptojnë të gjithë. S’kam dashur të punoj vetëm për një “elitë”, por të flas me gjuhën e njërëzve të thjeshtë e të përmbush dëshirat e tyre sepse kam besuar, që kjo nuk të tradhton në profesionin e drejtueses Tv, të flasësh thjeshtë dhe pastër shqip, sepse ndryshe, flet për vete dhe me veten.


Cv-ja juaj është shumë e pasur. Keni intervistuar mjeshtra të mëdhënj të muzikës shqiptare. Keni prezantuar shumë evenimente kulturore, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ekziston ndonjë personazh i cili ju ka mbetur në zemër?



Po! Kam patur fat të intervistoj figurat më të ndritura të artit tonë. Kam realizuar portrete e programe të tëra për ta e të nisja të tregoja do të duhej një libër i madh. Por mund të them se të gjithë këta emra emblematikë, jo ndonjëri janë në zemrën time dhe kanë pasuruar jetën time. Nga këto takime diçka më ka mbetur në mes, që kurrë nuk shijova ndenjen gjatë me ta, se kam qenë në ritmin e punës dhe s’u mjaftova asnjëhrë së nxëni nga arti, dituria, emocioni dhe mënçuria e tyre. Emrat e artistëve tanë s’i kam përdorur kurrë për të treguar se ç’biografi profesionale kam. Ata janë të shenjtë. Çesk Zadeja, Tish Daia, Ferdinand Deda, Avni Mula, Luçie Miloti, Fitnete Rexha, Vaçe Zela, Nexhmije Pagarusha, etj. janë monumente arti që do bënin krenar çdo komb ti kishte. Për mirësjellje, në përgjigje të pyetjes suaj, do kujtoja se kam intervistuar që nga James Belushi, një shqiptar me shkëlqim botëror, deri tek më e reja e shkëlqyer shqiptare Elsa Lila dhe me të gjithë bashkë bëhët një katalog i madh me foto, kujtime e çaste të paharruara. Por si këto intervista Vip, gazetarët, më përmendin edhe Festivalet në Rtv ku shënoj 3 pjesëmarrje si dhe Festivalet e Këngës Popullore, por unë do shtoja edhe prezantimet me Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, që për mua kanë qenë nder dhe shumë të rëndësishme. Thesari kulturor i kombit tonë ka qenë aty e unë pata fat ta prezantoja këtë ansambël dhe krenari tonën, edhe në të gjitha qytetet e Kosovës më 1996, në koncertet e paharruar dhe madhështore. Më 1 gusht 1999 kam edhe një kujtim emocionues në Prishtinë, ku prezantova në stadium në prani të 50.000 spektatorëve koncertin e lirisë.

Rasti profesional më i vështirë për ju?

Gjithmonë është e vështirë kjo punë, se s’pranon përsëritje, monotoni, zakonshmëri. Duhet të jesh përherë një befasi, një risi, një kënaqësi e kjo kërkon gjithmonë frymëzim, fantazi. Këto me sa duket i kam patur me tepri, meqë kanë tejkaluar jetën timë shumë modeste dhe problemet jo të pakta. Kam patur gjithmonë një përgjegjësi të madhe për punën që kam kryer, saqë e mpirë nga përqëndrimi emocional, unë s’kam ndjerë as temperaturat nën zero, as mbilodhjen dhe pagjumësinë. Kam patur shumë çaste të vështira në jetë, e më është dashur të dal në skenë ose Tv, por ato nuk e kanë penguar dot punën, përkundrazi, kjo e fundit ka lehtësuar hallet dhe shqetësimet e mia. Një e vërtetë e madhe ka qenë me mua thuajse që nga fillimi. Asnjëherë nuk kam punuar me komoditet, por gjithmonë në minutën e fundit. S’di pse ka ndodhur kjo, ndoshta nga besimi që kanë patur tek unë. “Hë se ia del”, degjoja shpesh, por mua më ka kushtuar shumë mundim shpirtëror.

Kam përshtypjen se ju jeni një grua shumë pasionale, në jetën private dhe atë professionale. Çfarë është pasioni për ju?

Është e vërtetë. Si e keni kuptuar këtë?! Apo mi ka nxjerrë ekrani të gjitha mua?! Lexohem lehtë unë! Është një pasion, që shpesh, më kalon në anën e fëmijëve. Të jetosh me pasion është bukur, është romantike, por edhe e komplikon shumë jetën dhe sot tingëllon e vjetëruar e gjithë kjo. Përpiqem të ndryshoj, por e kotë, nuk po rritem dot! Njëkohësisht dhe i adhuroj njerëzit pasionantë, se më japin kënaqësinë e sinkronizimit. Më argëtojnë dhe gëzojnë shumë, ngaqë arrij të lexoj atë, fëmijën brenda shpirtit të tyre. Por këta njerëz dhe mua jo të gjithë na kuptojnë, madje na ndëshkojnë duke u bërë jo rrallë, pre e pafajësisë së pasionit tonë.

Çfarë s’dimë akoma për Silvana Braçen?
Ka plot gjëra, që unë s’kam dashur t’i ndaj me publikun, se më janë dukur shumë personale e jo të këndëshme për ata që më duan. Jeta ime personale dhe profesionale është një det shumë i trazuar, por si një lundërtare e fuqishme po mundohem ti kapërcejë dallgët e mëdha, që s’më kanë kursyer.


Mes grash flitet gjithmonë për ëndrrat në sirtar. Kemi shumë. Jam kurioze të di nëse edhe juve ju ka mbetur e kyçur ndonjëra ….

Ca ëndërra i kam realizuar, ca i kam fshirë si gabim, ndërsa në kuadrin e pasionit dhe inoçensës, po ju them me ndrojtje, se kam dashur shumë që të kem rol në një film artistik. Më ka tërhequr shumë ekrani i madh i kinemasë, më ka magjepsur që kur isha fëmijë e shpesh e kam përfytyruar veten aty. Më dukej sikur e meritoja e kinemaja po humbiste një aktore të madhe (ç’ëndërr fëmije, ha ha ha...).


Besoj që ju keni një valixhe, që ju pret, për tu nisur drejt aventurave të reja skenike. Apo jo?
Valixhja është aty, por dita dhe ora se kur do e marr për tu nisur drejt programeve të mia, apo më mirë do ishte drejt shtigjeve të reja, të pashkelura më parë, kjo kohë ende nuk është paraqitur në kalendar. Gjithmonë për këtë aventurë përfytyroj Shqipërinë.
Sami Frashëri ka shkruar: “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është, e ç’do të bëhet” Cili është nocioni juaj për Shqipërinë?

Unë e dua Shqipërinë! Ajo ka qenë, është e do bëhet më e bukur. Jo për romantizëm, por realisht, për mua, është vendi më i bukur në botë e unë kam parë jo pak vende të tjera... dhe njerëzit, po ashtu janë aq origjinalë, të afërt dhe të dashur, ndërsa këtë jo, se e them unë, por vetë të huajt, që ndjehen për nga mikpritja si në shtëpitë e tyre. Është një potencial i mrekullueshëm njerëzor, shpirtëror dhe natyror e lum kush ia di vlerën e di ta gëzojë. Unë jam e lumtur dhe shumë krenare për nga vij, si shqiptare, e këto ndjenja po i kultivoj dhe tek djali im, i cili, edhe pse po rritet në Itali, flet shqip dhe ka një emër të bukur, që në çdo pikë të globit të jetë nesër, do e njohin si shqiptar, Fatjon. Duke qenë se kam dhe statusin e njeriut publik e çoj më tej dashurinë time për Shqipërinë. Jam bërë si misionare e patriotizmit, sepse kam mundësi që përmes forcës së artit të hedh farën e krenarisë dhe atdhedashurisë në çdo organizim apo koncert duke ndezur tek publiku ovacione mallëngjyese dhe tek fëmijët, që janë gjithmonë të pranishëm në koncertet tona një dashuri të madhe për gjuhën dhe këngën e bukur shqipe, se e meritojnë ti dashurosh shqipen dhe Shqipërinë!

Kjo intervistë, do të lexohet nëpërmjet faqes së panalbanianwomennetwork në çdo kënd të botës, nga bashkëkombësit tanë. Shumë prej lexuesve janë gra të shquara, emra që lakohen në median internazionale, për punën e devotshmërinë për ta ngritur lart emrin e imazhin e vendit tonë. Cili është mesazhi juaj për to?

Megjithëse jam shumë krenare për Shqipërinë e di, se shumë keq komentohet ajo lart e poshtë me arsye ose jo. S’po hyj në detaje, se janë çështje shumë komplekse, por do përshëndesja nga zemra të gjithë ata shqiptarë të merituar që arrijnë të bëjnë të dukëshme praninë e tyre deri në kancelaritë e rrethet më të larta intelektuale të botës dhe trondisin me talentin, inteligjencën, bukurinë dhe vyrtytin. Njerëzit, që mbartin vlera, të mos kursehen të thonë, se janë shqiptarë edhe kur nuk i pyesin. Duhet kjo për të ndihmuar të tjerët të na njohin e jo të si ta gjykojnë së verbër. Edhe unë si një marathonomak me pishtarin që kam në dorë s’do ndalesha kurrë, të ndriçoja sadopak të vërtetën për atdheun tonë të shtrenjtë. Këtë do dëshiroja dhe do kërkoja nga të gjitha ato motra, nëna, gra të famshme, që kanë një pushtet, pra një mundësi të shfaqin në çdo rast madhështinë e personalitetit të tyre dhe vetiu të kombit tonë.


Silvana, ishte një kënaqësi për mua t’ju intervistoja! Ju falenderoj dhe ju uroj suksese të mëtejëshme!

Unë u kënaqa edhe më shumë se pata rast të shpreh disa ndjenja dhe emocione të miat. Faleminderit juve dhe suksese gjithmonë!



Pergatiti per “PANALBANIANWOMENNETWORK” Eliana Alien


Milano 17/07/2008

Monday, July 14, 2008

Bota e Gruas Shqiptare--ELIANA "ALIEN" LESHAJ-POEZI

Qiellorja dhe tokesorja


Qiellorja eshte çarçafi i kalter
mbi dashurine.
Flokeartet fluturojne mbi shi
Verberojne fluturimin e pellumbave
tek i flasin henes
Hena eshte toksorja e perkohshme
ne shtratin e nje dashurie te perjetshme
I ka duart plot me endrra, hena
Ka nje femije ne xhep
Nje femije qe s'do te rritet kurre
Fsheh nje sekret
Dashurine mes qiellit e tokes
e gruan me flatra te Buxatit

Eliana Alien

Sunday, July 13, 2008

Bota e Gruas Shqiptare_ SUZANA KUQI -POEZI

Sepse ne jemi kështu…



Sepse ne jemi kështu

si lulet

të bukura

delikate , të brishta

të forta si legjendat

…jemi vajza, jemi gruaja

… jemi nena…

Jemi të lehta ,

fluturake, të pakapshme,

ushqim endrrash…


Hyjnoren kemi

në lotë , në buzëqeshje, në ëndërr

Ne jemi realiteti e fantazia

jemi pasioni, gëzimi e qetësia…

Jemi të thjeshta e të ndërlikuara

të dashura e të idhnuara

Jemi zjarri i natës e puthja e lehtë

e mëngjesit

Jemi ajri , jemi uji ,jemi drita

jemi nata, jemi dita e shpirtit

Jemi e krijojmë poezi të jetës

në një trupth të vockël

me ëndrra e dashuri

me pjesë të vetvehtes…

Jemi limani i qetë , deti me fortunë

jemi agimi me diell

shkrepëtimë bubullimë

në një rrufe

Jemi lufta e paqja

jemi engjëj , jemi shtriga

në sy magjepsje e magji

në prehër portat e parajsës

në zemër shumë dashuri …


Frikë, zili , keqësi

për një qënie të mrekullueshme

të quajtur grua

në shekuj

keqtrajtuar ,diskriminuar

por ne jemi…

… gra për t'u adhuruar…

Zemra jonë

oqean dashurie do të mbetet

dhuruar rrugës së jetës

e shumë , shumë pak

mbajmë për vehte…




Kushtuar grave te forumit tone e ne menyre te veçante Merites , atij shpirti te bukur e fisnik qe na e beri te mundur kete bashkim. Ju respektoj, ju adhuroj, ju dua pafundesisht... Suzi, Itali

Friday, July 11, 2008

Bota e Gruas Shqiptare--KOZETA ZAVALANI-POEZI

Shtegtare



Në rrënjë shkëmbi gjeta lulen

Krip’ dhe diell rritur bashkë

Ta këpus dot nuk munda

Veçse dhimbshëm e prek pak



Dal nga dallga magjiplote

Përball jetës s’jam asgjë

Jam a s’jam një shtëgëtare

Kam dhe unë diçka për të



I hedh ngjyrat dhe rris lulen

Lulen gjëmb rritur nga dallga

Ta shkul nga shkëmbi s’munda

Veç nje gonxhe të saj hapa



Jam shtegtare me shumë ngjyra

Jam si era dhe si shpirti

Dal nga dallga, dal nga deti

Perëndimi mbi det mbeti....



Mes jush jam prapë



Derën mos ma mbyllni,

ju lutem,

sepse frymë dot nuk marr

Edhe kur te iki,

përgjithmonë

më hidhni në det,

peshqit le të më hanë...

Në më varrovshi

arkivolin ma lini pa kapak,

që të me hyjnë zërat tuaja,

që të më duket se

mes jush jam prapë.

Thursday, July 03, 2008

Bota e Gruas Shqiptare--SUZANA KUQI-TREGIM

Uji...

Duhet patjeter te marr nje prift te me bekoje shtepine, nuk kam nga
t'ja mbaj. Si nuk me shkoi vete mendja me pare por duhej te ma thosh
komshija.Po po komshija qe banon poshte katit tim. E gjitha filloi kur
bleva enelaresen ose si i thone kesaj lavastoviljen. Mire qe e bleva
me nje mije sherre. Burri nuk degjonte nga ai vesh, dy gra ne shtepi e
nuk keni turp e kerkoni enelarese... Pese vjet qe doja ta blija e ai
nuk ma blinte. Pastaj nje pasdite te bukur qe mamaja ime qelloi per
vizite tek une bashke me vellain tim,burri me pyeti se çfare doja si
dhurate per ditelindje. Kujtoi se mos ndoshta ndonje zinxhir floriri
apo unaze apo ndonje send tjeter siç kerkojne grate...
- Enelarese !- brita une pa u menduar dy here.
- Ke pese vjet qe me çave veshet me ate enelaresen,- pa u
menduar dy here ma ktheu dhe ai.Me mire te mos kishte folur se me
siguri eshte penduar pastaj sepse une ...
- Nuk ke faj ti! Sepse kur martoheni ju , nuk merrni
thjesht nje grua. Aty tek gruaja keni rrobalaresen, pjatalaresen,
kuzhinieren, kamarieren , ate... ate qe hekuros rrobat, ate qe
korrigjon detyrat e shkolles se femijeve, ate qe ju ben pazarin ,
ate...
E vazhdova sa nuk dija me ç'te thoja tjeter. Per çudi nuk me ktheu
pergjigje as ai por as mamaja dhe as vellai im nuk nxorren ze. Kushedi
se ç'shtrige do t'u jem dukur. Pushova menjehere siç kisha nisur dhe
me mendje e mbylla kete muhabet. Nuk do te kerkoja me te me blinin
enelarese, sepse po te vazhdoja keshtu veç sherr do te kisha ne
shtepi. E nuk u zu me ne goje deri diten para ditelindjes sime. Burri
sa erdhi ne shtepi me thote :
- Ec e shkojme te zgjedhesh nje enelarese.
U bera gati ne dy sekonda. Kur arritem ne dyqan donte dhe dhjete
minuta te mbyllej. Nga ta filloja , rreshti i enelareseve te
ekspozuara ishte shume i gjate.
- Ti shiko dhe zgjidh nje, vij e marr une neser,- me qetesoi im shoq.
Neser!?Neser, thashe me vete, kushedi se me ç'mendje do te gdhihet
neser ky e pastaj lamtumire enelarese.Shkova drejt e tek ai burri qe
sherbente ne ate repart.
- Te lutem , me sugjero nje enelarese te mire ekonomike, e
dua ta marr sot.

Pra si perfundim e mora. Ja ndjeva lezetin. Jo vetem une, pasi e bleva
une moren shembull te gjithe kusherinjte e mij e vrapuan per ta blere.
Nuk kaloi nje muaj... do te thoni se u prish ? Jo, jo , heren e pare
nuk ishte faji i enelareses. Me merr ne telefon pronarja e shtepise e
me thote se komshinjve poshte ju eshte mbushur shtepia me uje, u
rridhte nga tavani. Zbrita poshte e ç'te shihja, kishin vendosur
legena mbi bufe per te pritur ujin, dukej sikur po binte shi.Nga del
uji, une kuzhinene e kisha te thate. Me prune nje hidraulik. Duhet te
jete çare tubi i ujit qe eshte brenda ne dysheme. O burra, levizem
lavamanin duke e bere cope e thyen pllakat. Nje tub uji me nje brime
qe me sy nuk shihej spruconte uje si i terbuar. Erdhi nje komision i
tere per ta pare e fotografuar. E nderruan tubin. Rashe rehat per ca
kohe e komshia poshte priste t'i thahej tavani per ta lyer. Te vinte
keq ta shikoja tavanin e kuzhines se saj. Sapo thahej nje çike
fillonte e binte peta peta.Nuk ishte thare akoma kur filloi t'i binte
shi perseri nga tavani. Kete rradhe ishte nje tub tjeter, ai i
kaldajes sime qe ishte çare. Edhe nje here, pronari i shtepise sime
dhe pronari i shtepise se komshijes, nepunesi i agjensise,
administratori i pallatit, hidrauliku, punetori i ndermarrjes se
gazit. E rregulluan e rame rehat per nje fare kohe ne e komshija
priste t'i thahej tavani. Kaluan dy muaj.Prape shi poshte ne kuzhinen
e komshijes. Tubi i enelareses sime qe kalonte pas sobes ishte djegur
e uji ecte per qejf te vet.
- Deshe enelarese, ja ku e ke ! Mallekim eshte ne
shtepi!- uleriu im shoq.
Bobo, kete here faji ishte i imi. Ruhesha te dilja neper shkalle se
mos bija ndewh me komshijen. Me vinte turp.Nejse kaloi edhe kjo
rradhe. E hengra turpin me buke e bera si bera vendosa perseri raporte
te mira me komshijen.Enelarese n nuk e perdora me edhe pse tubin e
nderroi burri im. Kaluan dhe tre muaj te tjere. Para dy ditesh
komshija me tha se kish thirrur bojaxhiun per t'i lyer e meremetuar
tavanin. Ndoshta ka ardhur koha ta ve ne pune enelaresen mendova. Por
nuk qe e thene. Ndoshta vetem ky mendim, vetem duke e menduar e thirra
tersllekun. U nisa per ne pune ne ora dy pasdite. Perpara se te dilja
kontrollova gjithe cepat e kuzhines se mos kishte ndonje pike uje,
zakon ky qe me eshte rrenjosur thelle nga ankthet dhe mankthet qe kam
kaluar. Ne pune si ne pune. Ca me te qeshura e ca me te nxehura me
pleq e kuptoni vete. Burri kish ardhur te me merrte.Shihej qe nje ore
larg se nuk i kish punet mire.
- C'ka ndodhur ? - e pyes gjithe ankth.
- Ta them pastaj, ndiz perpara nje cigare me mua.
- Mor po lere cigaren , çfare te ka ndodhur ?
- Uji .
Me kaluan mornica neper trup e ndjeva se u ftoha krejt ne gjithe kete
vape te madhe.
- Uji !?
- Ishte çare tubi u ujit te lavamanit.
- Si ishte çare ?
- Kete nuk e di.Me telefonuan ne pune. Shkova me
vrap ne shtepi e gjeta kuzhinen, korridorin dhe dhomen e djalit plot
me uje.
- S'ka gajle per shtepine tone, po ata poshte ?
- Kishin mbledhur legenat e pallatit e po e prisnin...
Bobo si e kisha hallin. Nje gje eshte e sigurte, hakun e bojaxhiut do
te ma rrasin ta paguaj une, por nuk e kam aty. Do te fillojne
telefonatat e vizitat e pronares se shtepse sime e pronarit te
shtepise se komshies, hidrauliku , nepunesi i agjensise,
administratori. .te gjitha nga e para. E ndava mendjen, le te bjere sa
te doje telefoni une nuk e kap. Neser ne mengjes do te shkoj tek
mamaja e mund te rri nja nje jave atje e ta stakoj trurin nga kjo
gjurulldi , le te merret burri i dashur me ta. Bile desha te ikja qe
sonte por burri m'u lut qe te pakten sonte te vija ne shtepi , neser
ne mengjes me premtoi te me çonte tek mamaja ime. Bera si bera dhe
hyra ne shkallet e pallatit. Dreqi e mori , thashe me vete, sikur nuk
ka lezet te ngjis shkallet pa i kerkuar ndjese komshijes per ate qe
ndodhi , edhe pse nuk ishte faji im.Me zemer te dridhur shtypa butonin
e ziles. Komshija u dhe ne dere buzagaz.Me ftoi brenda e me tregoi
tavanin , e kete here nuk ishte tavani vetem, edhe muret ishin lagur
te gjitha e ne to ishin konturuar pamje fantastike si harta te lashta.
Mbi tryeze kish vene mikroonden qe kullonte akoma uje.
- Me vjen keq !- i them komshijes .
- Edhe mua- u pergjigj ajo , por ne fakt nuk me
dukej edhe aq keq. Seç kish nje nenqeshje te embel qe me beri çudi.
S'duhet te jete ne rregull nga trute, them me vete.
- Kur dola nga shtepia nuk kishte uje - them une.
- E di, se ate kohe isha ne shtepi e po haja
dreke.Por me telefonoi ime bije e me tha se im shoq ishte nxehur e
ishte bere per hekura.Thashe se ketij dreqi nuk i kish kaluar akoma
inati , ka nje jave qe bejme sherr e nuk pushon...
M'u kujtua se vertet kisha degjuar nje ze burri qe ulerinte kohet e
fundit por te them te drejten nuk e kisha gjetur dot se nga ç'kat
vinte. Ne kete kohe vjen burri i saj qe i afrohet e fillon ti ferkoje
shpatullat. E gjeta, misteri i asaj nenqeshjeje, kish bere paqe me
burrin e shkak per kete ishte ...uji.Ishin ndodhur te dy para nje
rreziku te perbashket.
- Burri im thote qe ky eshte mallekim - ja bej une qe
nuk dija ç'ti thoja tjeter.
- Eshte sy i keq - ja pret burri i saj.
- Mos je gje shenje e ujorit ?- me pyeti komshija.
- Jo, me keq akoma, jam peshore- ja kthej une
- Duhet te marresh nje prift te te bekoje shtepine- e
mbylli komshija.
Ika duke ngjitur shkallet e menduar. Kur arrita para deres sime e
kisha vendosur. Nuk do te shkoj tek mamaja ime neser, do te shkoj tek
katedralja qe kam prane shtepise e do te kerkoj te me dergojne nje
prift te me bekojne shtepine.Shpresoj te zere vend e tubat e shtepise
sime te mos plasin me. Ama sa per telefonat... le te bien sa te dene ,
une nuk i kap me dore...

Tuesday, July 01, 2008

Bota e Gruas Shqiptare-DRENUSHA ZAJMI HOXHA-VARGJE

VARGJE SATIRIKE



Bëra pazar me djallin sot

Futa shpirtin tim në strajcë

Dhe ia lëshova në dorë, por

Ai nuk e deshi

As nuk ia hodhi sytë

Tha gjërat që janë për shitje, vlerë nuk kanë

Atëherë merre, po ta fal, i thashë

Do të të bëhem skllave, shërbëtore e dëgjueshme

Do t'i pëlqej botës për sa u bëra

T' më dashurojnë nga frika e t'më kenë lakmi

Por djalli tundi kokën dhe futi dorën në xhep

Më lëshoi dy para në shuplakë e më briti: merri!

Dreq o punë , dreq i mallkuar

Po ku më qëlloi mua një satanë bëmirëse

Merri! më tha prap dhe mori strajcën

E shikoi si të ishte një gjë e pështirë

Merri! Se edhe unë- më tha,

po kërkoj sot anën time të mirë.

( dhe…..)



U mundova përsëri ta gjej veten time

Por kot,

duket se edhe ajo kërkonte veten e saj, pikërisht

punë e madhe, thashë, do bëhem e mirë vet

mirësi kam në shpirt, ndonëse ai tash është gjetiu…

marr dy paratë që m'dha djalli

aq sa më ka kushtuar shpirti

I fus në grusht dhe vendosa më në fund

T'i fal

Them ja! Më shihni! Jam unë bëmirësja juaj!

Po shpëtoj botën, qëndroni! po vij!

Më thurrni këngë, vargje, lavdi

Më shpallni të shenjtë, më ngrisni lapidarë

Rrethuar me fontanë, ku njerëzit hallexhinj

Për dëshirat e tyre prapëseprap

Do t'më hedhin ca dollarë…

Kështu mendoja unë kur pashë grushtin tjetër

Dhe mu duk i zbrazët, ndaj ndava monedhat

Nga një para secili

Nga zbrazëti e shpirtit, më foli vetja ime sërish

E kthyer duarthatë

Je pa shpirt, më tha, por për vehten tënde,

E mundon si të pavdekshim, por ti veç njeri je

Paraja është rreng i dreqit, por

Po mbete pa to, as për të tjerët më nuk ke

Ah, thashë përsëri qëndroni , po vij!

Jam e çliruar në shpirt, ndonëse s'e kam me vete

Tash jam bërë e mirë

Nevojtarëve po u fal veç dashuri.