Sunday, July 30, 2006

Bota e Gruas Shqiptare-DRNUSHA ZAJMI HOXHA-UDHEPERSHKRIM

drenusha zajmi

QYTETI I PERANDORËVE DHE ISHULLI I SIRENAVE

(Kavalla, Thasos ,Philippi; udhëpërshkrim informues )

Pas ca hamendjeve, sivjet për pushime vendosëm ta vizitojmë Greqinë, vendin në të cilin kosovarët në mënyrë masive i kalonin pushimet verore gjatë viteve të tetëdhjeta. Së pari duheshin përgatitjet rreth vizave ,për të cilat aplikohej në Prishtinë dhe pranoheshin në Shkup, 35 euro për person, pastaj sigurimi shëndetësor(mbi 100 euro) derisa ai i veturës paguhej në kufi ( 180 euro).
Caku ynë ishte Kavala, një qytet që grekët preferojnë ta quajnë Monte Karlo e vogël. Rruga kalon në relacionin Kosovë -Shkup – Selanik – Kavala dhe është me të gjitha standardet e larta , që një rrugë duhet t’i plotësojë ( pjesa kosovare është e pranueshme).
KAVALA - është një qytet i lashtë,i zbuluar nga ardhësit prej Paros diku në shek.6 p.e r.,të cilët e quajtën Neapolis (qyteti i ri). Në kohërat bizantine qyteti u riemërua në Christoupolis.Ishte pjesë e perandorisë otomane nga viti 1371 deri 1912.
Qyteti i ofron shumë mundësi vizitorit, që nga plazhet e bukura e të mirëmbajtura ,hotelet e shumta prej atyre mesatare e deri te ato luksoze;, qytetit të bukur me vlera të mëdha historike ,monumenteve arkeologjike, jetës së bujshme të natës dhe vizitave që mund t’i bëni vendbanimeve e qyteteve më të vogla përrreth si psh Peramos, Nea Iraklitsa, Drama, Xanthi (Ksanti), Philippi, Keramoti dhe natyrisht ishullit më të afërt Thasos. Ne u vendosëm në Palio, 6 km larg Kavalës në një hotel privat ,i cili kishte plazhin e vet dhe plotësonte të gjitha kushtet e larta. Përveç gjërave të nevojshme për plazhin, ofroheshin mundësi për sport plazhi dhe pajisjet tjera për sportet tjera në ujë. Turistët ishin kryesisht gjermanë,spanjollë, italianë, rumunë, bullgarë dhe grekë. Për fat të keq nuk pamë asnjë shqiptar, të paktën jo si turistë apo mysafirë të hotelit tonë. Çmimet e hoteleve silleshin nga 60 deri në 80 euro nata (dhoma për dy vetë), ndërsa kishte edhe ndërtesa tjera me apartamente e dhoma për banim, diku 20 euro nata.
Plazhet më të njohura janë Kalamitsa, Palio Batis, Toska, Perigiali etj.
Vizita e parë që bëmë ishte në kalanë e qytetit. E ndërtuar fillimisht vetëm si mur në shekullin e pestë p.e.r, ajo vazhdon e ndërtohet si kështjellë në kohën bizantine. Më vonë turqit e rindërtojnë disa herë deri në pamjen e saj të sotme. Nga kalaja shihen pamjet më të bukura të qytetit dhe ajo është simbol i tij. Qëndron në ballë të pjesës së vjetër duke shikuar portin dhe duke i dhënë tërë qytetit një pamje të lashtë bashkë me akuaduktin, i cili e përshkon Kavalën si gjerdan i mrekullueshëm. Akuadukti është ndërtuar nga Sulejmani i parë gjatë pushtetit të tij në kohërat e sundimit të perandorisë turke. .
Kavala ka poashtu muzeun arkeologjik dhe ndërtesën e njohur turke Imaret, e ndërtuar në vitin 1818 nga Muhamet Ali Pasha si dhuratë për qytetin e Kavalës, vendlindjes së tij. Kohëve të fundit ishte shëndrruar në një hotel super luksoz dhe nata për dy persona kushton prej 300 deri 1500 euro.
Kavala, ky port i rëndësishëm ,i cili shtrihet në qendër të Maqedonisë lindore është kombinim i të lashtës dhe modernes, qytet me klimë të mrekullueshme dhe vend , në të cilin do dashuroheni në shikim të parë.
Jeta e natës është e bujshme, që nga diskotekat e kafeteritë e deri të restorantet skaj detit me muzikë të gjallë, ku ofrohen specialitete peshku dhe ushqime tjera me fruta deti. Shërbimi është i mirë ndërsa çmimet varirojnë sipas cilësisë së peshkut. Për darkë shkohet edhe në vendbanimet afër qytetit , të cilat kishin bërë një boom të madh në zhvillimin e tyre në dhjetëvjetëshin e fundit: Peramos, Iraklitsa etj, të cilat kanë tavernat e shumta rreth detit dhe menu-të e pasura. Janë vende turistike me hotele të mira dhe plazhe me ujë të kristaltë. Turistët i kishin vërshuar këto vende vitet e fundit.Meqë vendasit mirreshin me vreshtari, aty mund të blihej rakia e shtëpisë dhe verëra të shijshme thuase në çdo kënd.
Në përgjithësi grekët në Kavala e mëtej, flisnin shumë dobët gjuhën angleze, por shërbeheshin mirë me atë gjermane, sigurisht pasojë e asaj se gjermanët kanë qenë gjithmonë mysafirët e tyre të shumtë dhe të shpeshtë e ndoshta ndonjë arsye tjetër. Madje në Kavalë, mes gjeneratave më të vjetra , gjenden edhe njerëz që flasin shumë mirë turqishten, ndoshta ngase kufiri me Turqinë është diku 250 km.
Diku 15 -20 km larg Kavallës, gjenden gërmadhat e Philippit, qytetit të lashtë, ku vizitori mund të shohë pjesët nga tri periudha historike: ajo e Greqisë së lashtë, romake dhe bizantine. Philippi gjendet rrugës për në Drama dhe gati e gjithë rruga është e banuar me fshatra të vogla me taverna përskaj rrugës. Dukej thuase në secilin prej tyre mund të ishte xhiruar “greku Zorba”
PHILIPPI së pari u banua nga kolonistët nga Thasosi, (360 p.e.r.) të cilët ishin në dijeni për pasuritë e tij me metale të çmuara, lëndë druri dhe produkte bujqësore. U riemërua sipas Filipit të dytë, mbretit të Maqedonisë dhe babait të Aleksandrit të madh, i cili e okupoi në vitin 356 p.e.r.
Më së miri është të shkohet në mënyrë të organizuar, në menyrë që ciceroni apo udhëheqësi i atij grupi, t’ju spjegojë pjesët e mbetura të qytetit, të cilat janë përafërsisht këto: teatri antik, muret fortifikuese , oktagoni, bazilikat dhe palestra. Biletat për vizitën e kompleksit arkeologjik kushtojnë 3 euro për person.
Çdo verë mbahet festivali i Philippit, me shfaqje teatrore, koncerte, vallëzime dhe performanca artistike.Ne patëm fatin që të zëmë shfaqjen e fundit për këtë verë. Edhepse nuk dinim asnjë fjalë greqisht, shfaqja ishte “Pinokio’ dhe duke qenë kështu një vepër klasike, mund ta kuptonim ngjarjen. Vet performanca e aktorëve, atmosfera e teatrit të lashtë dhe amfiteatrit me akustikë mistike, na bënë të kthehemi me mbresa të magjishme.
Vizita që duhet patjetër t’a bëni nëse shkoni në Kavallë, është në ishullin Thasos.
Në THASOS mund të shkoni me trajekt ose “delfinin fluturues” nga Kavala për një orë e gjysmë ose mund të udhëtoni me veturë deri në Keramoti 40 km larg Kavalës dhe që aty me trajekt ka vetëm 25 minuta, ngase ishulli është shumë më afër. Biletat për dy vetë plus vetura bëjnë diku 15 deri 20 euro dhe trajekti niset shumë shpesh, gati çdo orë.
Sipas legjendës, Thasosin e ka zbuluar princi, që kërkonte princeshën fenikase Evropën, të cilën e kishte rrëmbyer Zeusi. Ishte ishull i vetmuar ngase aty rreziteshin sirenat e detit, krijesat e mrekullueshme,por njëkohësisht të rrezikshme.Duke qenë i tillë, Zeusi kishte gjetur strehë në të një kohë të gjatë….
Për shkak të pyjeve të dendura dhe ullishteve shumëvjeçare, Thasosin e quajnë “ishulli i gjelbërt” ose” pylli që noton”. Plazhet e shumta lahen nën detin e kristaltë dhe përgjatë gjithë ishullit, ju shoqërojnë pamje të mahnitshme nga të dyja anët e rrugës.
Rruga kryesore , diku 100 km , përshkon dy anët e ishullit , njëra nën male dhe tjetra rrafshinë , të dyja të ndara në mes me malin Ipsarion. Fshatrat ose limanet ( skala),siç i quajnë grekët, janë përgjatë bregut si Skala Potamija, Skala Kalirahis, Skala Sotira etj.
Plazhet më të njohura janë: Hrisi Amudija, Hrisi Akti, Pefkari, Tripiti, Paradise dhe Golden beach.
Thasos ose Limenas quhet kryeqyteti i ishullit , e cila përveç limanit të bukur e të vjetër të peshkatarëve, ka shumë gjëra me vlerë për t’u parë si: muzeu arkeologjik, teatri antik dhe akropoli.Në qytet ka shumë shitore të vogla me suvenire dhe argjendari.
Ndërsa në Limenaria , në qytetin e dytë për nga madhësia në ishull, janë të njohura shtëpitë neoklasike nga fillimi i shekullit të kaluar dhe tavernat përskaj detit, në njërën prej të cilës hëngrëm drekë dhe vazhduam rrugën
Në Aliki pamë malet ,prej të cilave, në kohërat e lashta, është nxjerrur mermeri për skulptorët më të njohur dhe manastiri me pamje të mrekullueshme në detin, i cili ka gati kaltërsi ireale.
Plazhet më të bukura janë ato , që fshihen në lagunat dhe hyjnë si vjedhurazi mes maleve. Për ata që dëshirojnë pushim të plotë dhe nuk e durojnë vapën e madhe, atëherë duhet të vizitojnë patjetër ndënjërin nga plazhet e ishullit , të strukur nën pishat e larta.
Ne kishim me vete pajisjet për zhytje dhe u interesuam ku ishte vendi më i mirë. Bashkë me një turist anglez , shkuam këmbë poshtë një rruge malore dhe pas ca minutave u gjendem në një vend përrallor, ku dukej thuase nuk ka shkelur këmba e njeriut. Ishte një plazh i egër, rrethuar me shkëmbinj e male të larta dhe pastërtia e detit mundësonte një zhytje të mrekullueshme dhe pamje fantastike si në akuariumet më të bukura të botës.
Dhe jam e bindur se asnjë mrekulli sa do e ndërlikuar, e krijuar nga dora e njeriut, nuk mund të të bëjë të nxjerrësh atë ofshamë shpirti, sikur kur gjendesh para mrekullisë më të thjeshtë natyrore.
Thasosi është ndër ishujt më të lirë në Greqi, çmimet e hoteleve dhe apartmaneve për dhjetë ditë silleshin nga 200 deri në 400 euro për person.
Rrugës mund të bleni mjaltë dhe ullinj, të deheni me aromën e pishave dhe të bleni diçka nga suveniret tradicionale greke.
U kthyem në Kavala bashkë me pulëbardhat , që na shoqëronin thuaja tërë rrugën dhe muzikës , që bënin dy grekë me saksofon dhe harmonikë.
Kavala është vend ,i cili len mbresa te secili që e viziton dhe krijon dëshirën për t’a vizituar përsëri.
Dhe në fund gjëja më e këndshme sidomos për botën femërore:shopingu.
Kavala ka qendra të mëdha shopingu dhe ofron zgjedhje nga të gjitha asortimentet. Megjithatë produktet më tradicionale ,që mund t’i blini janë vaji i ullirit, mjalta, verërat, pijet si Ouzo dhe natyrisht ullinjtë.
Poashtu shopingun mund t’a lini edhe me t’u kthyer në Selanik.
Duke u bërë kështu pjesë e së tashmes dhe së kaluarës bashkë, duke shijuar mrekullitë natyrore dhe njerëzore , duke u larë në valët e detit të mahnitshëm të ishullit, që i krekoset maleve të zhytura nën re, nuk keni e si nuk i harroni së të gjitha gjërat e përditshme njerëzore,brengat,- izmat e ndryshme dhe së paku, qoftë edhe vetëm ca momente do ndjeheni si qenie e lirë, e barabartë me të gjitha krijesat e planetit.

No comments: