Friday, January 30, 2009

Bota e Gruas Shqiptare-ZENEPE LUKA-Interviste me murgeshen 85-vjecare

Zenepe Luka eshte gazetare nga Vlora e cila me penen e saj evidenton ngjarje te perditshme dhe sjell intervista me figura te njohura te historise shqiptare. Ne krahun e majte do te shihni nje montazh fotosh te kesaj gazetareje me pinjollet e Familjes se Ismail Qemal Bej Vlores dhe nga vizitat e saj neper bote. Nderkohe me poshte keni nje interviste teper interesante dhe rreqethese te gazetares Luka me murgeshen shqiptare Mrika Gjoka,botuar sot ne shtypin shqiptar dhe ketu ne revisten "Albanian Women World".

Murgesha 85-vjeçare:


Kam lindur dhe do të vdes e virgjër
më: 30/01/2009 - 12:35


Zenepe Luka


E ka emrin Mrika, por motrat italiane e thërresin Julia. Është nga Lezha, por prej 64 vjetësh jeton në Vlorë. Julia, është ndër murgeshat e para shqiptare, që nuk i ka rrahur zemra kurrë për njeri. Ajo ka dalë në fotografi në moshën 50 vjece dhe tani që jep këtë intervistë për herë të parë në shtyp. Murgesha rrëfehet me sinqeritetin që i kërkon Zoti vuajtjet që ka hequr gjatë kohës së regjimit të Enver Hoxhës, që me duartë e saj ka bërë disa peshqeshe për të, por që kurrë ai nuk e mësoi që qëndiste një murgeshë. Dhimbja që ndjen për priftin arbëresh që u burgos dhe vdiq ditën që do të lirohej nga burgu dhe që nuk ka një varr. Gjatë kohës që ushtronte fenë fshehurazi, ajo çmon ndihmën që I ka dhënë kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Vlorës, Petrit Hakani, si dhe një grua që ishte kryetare komiteti.


Kush është Julia-Mrika Gjoka?


Jam 85 vjece e më 1 tetor të 85 viteve më parë kam lindur në Lezhë. Ishim 5 fëmijë, 4 motra dhe një vëlla. Tani jeton vetëm një motër, të tjerët nuk janë më gjallë. Kam nipër e mbesa plot. Babai im ka bërë shkollën në Shkodër, ishte njeri i ditur. Jemi katolikë. Si hodhët hapat si murgeshë? Isha 15 vjeçe atëherë. Shihja priftërinjtë që vinin, nuk harroj Dom Nikollën që vinte dhe na fliste në kishën që ende jeton. Ai na bënte shkollë për të mësuar gjuhën shqipe. Shtëpinë e vet e bëri shkollë dhe ne shkonim shumë fëmijë ku ishim 4-5 vajza. I çonin me zor, pse kishte zakone. Bëra dy vjet shkollë dhe përveç arsimimit mësova edhe mësimet për fenë. Vendosa të bëhesha murgeshë, isha e bindur për këtë. Kur e pyetën babanë ai u përgjigj: "e lë në dëshirën e vajzës". Me këtë frymë u rrita dhe më ftuan në Kuvendin e Shkodrës, shkova bashkë me kushërirën, Injace Gjoka, e cila vdiq e re e shkreta. Shkuam në Shkodër, na vizituan se si ishim me shëndet. U bëmë 6 vajza, erdhën edhe murgesha nga Italia. Sapo kisha mbushur 18 vjeçe vesha rrobat e murgeshës në Kuvendin që u bë në Shkodër. U bë edhe Kuvendi I Tiranës, ku edhe atje u bënë 5 vajza murgesha. Mua më dërguan murgeshë në Elbasan, ku qëndrova tre vjet. Më 19 mars 1945, erdha në Vlorë.


Me se jeni marrë në qytetin e Elbasanit, ju pranoi komuniteti?


Kemi ndihmuar të plagosurit italianë dhe shqiptarë. E kishim në Krastë spitalin. Ishin shumë fanatikë. Në Vlorë u vendosëm në disa baraka që të çojnë tek kisha ortodokse. Aty gjetëm murgesha italiane por, shteti që erdhi në fuqi dha urdhër: "Të largohen motrat italiane, nëse ka shqiptare të rrinë, në mos të mbyllet". Mon Sinjor Prenushi, që ishte në Durrës, por mbulonte edhe qytetet e tjera, lajmëron motrën Bonfilja që ishte në Shkodër dhe I thotë: "Më dërgo urgjent tre mungesha për në Vlorë, se ndryshe Qeveria do ta mbyllë kishën". Mirpo asnjëra nuk donte të vinte në Vlorë, pasi kishin dëgjuar për spitalin psiqiatrik dhe kishin frikë, nuk e di pse. Por në fund erdhi motra, Injacia dhe motra tjetër, Tereza Manovi shkodrane që ishte në Elbasan, edhe një tjetër Cicile Kakarriqi, erdhën në Vlorë.


Kujtoni se si I dëbuan motrat italiane nga Vlora?


Më 12 të natës, më 19 mars i kanë nisur drejt Italisë. Kanë ikur me lot në sy. Nuk pagun as qeratë e shtëpisë. Kujtoj që Shtëpia e Kulturës na kërkoi një pemë me rrobë, një pjeshkë, shumë e bukur, e çelur. Doli edhe në një revistë. Kur u bë fabrika e llampave, erdhi një nurrë me pozitë të madhe ishte ai dhe më tha: "Duhet një kuti e bukur ku do të vendosen llampat e para dhe do t'i dërgoheshin peshqesh Enver Hoxhës". Si e bëre? Prej xhami. E veshëm me atlas të bukur të kuq, ngjyrë që e pëlqenin shumë, vendet ku vendoseshin llampat. Ishte vërtetë një peshqesh i rrallë, për të cilën m'u desh shumë kohë për ta bërë. U kënaqën shumë dhe më paguan mirë. Sikurse mora vesh, Enveri ishte mahnitur nga kjo dhuratë e rrallë, por ai nuk e dinte se atë e bëri një murgeshë. Askush nuk ia tha. Po kishte edhe peshqeshe të tjera nga duart e mia.


Çfarë?


Erdhën e më lajmëruan se do fillonte punimet hekurudha e parë dhe Enverit do t'i dërgohej si peshqesh treni i qendisur me dorën time. Kam qëndruar një javë mbi të, qëndisja ishte me mbushje, në një stof gri dhe treni i kuq. Kur e pashë Enverin me atë dhuratë në duar në gazetë, jam prekur. Thosha: "O Zot se di ky udhëheqës që atë tren e ka qëndisur një murgeshë, njeri i Zotit që bën vetëm mirë për njerëzimin?". Ishin rrethanat që ai s'duhej ta mësonte kurrë këtë fakt, madje vetëm ajo kryetarja e dinte që peshqeshet bëheshin prej meje, ndërsa të tjerëve u thuhej: "punojnë vajzat e Vlorës". Duart e mia kanë qëndisur edhe peshqeshe për Stalinin. Përsëri kërkuar nga Enveri? Kërkuan një shall të qëndisur bukur me të gjitha ngjyrat. Duket se e mori Nexhmia për t'ia dhuruar Stalinit. Si e përballonit jetën? Bënim punë dore, paja nusesh, vinin kërkesa edhe nga Tirana. Shumë intelektuale, që ishin edhe me pozitë, I porosisnin tek ne pajat, edhe kurora nusesh. Punonim si rrobaqepësi me kategori të shtatë në shtëpi, por me leje. Megjithëse bënim punë artistike, të bukura që pëlqeheshin shumë, mjafton fakti që ishim murgesha, na bënin presion çdo ditë. Vinin njerëz të pushtetit, të policisë dhe na thonin: "U ngrysët sot, nesër mos ju gjejmë këtu". Ishte urdhër nga lart. Enveri nuk na donte, por punët e dorës që bënim, i çonte peshqesh Stalinit.


Po për fenë?


Punonim fshehurazi. Kushurirën time e burgosën, pasi i kishin burgosur të vëllanë. E di pse? E spiunoi një shoku I tij, që ne e kemi mbajtur me bukë, Preng, quhej. Ai kishte bërë një shaka si 16 vjecar që ishte, kalonin në një kofër. Duke qeshur I kish thënë atij. Nëse vjen Enver Hoxha këndej, unë do ta hedh me duartë e mia në humnerë. Ai e spiunoi dhe djali u dënua 16 vjet burg, duke lënë tre djem në shtëpi. Ishte martuar 16 vjeç. Ajo kryetarja na mblodhi e tha: Shkoni në ndërmarrjen e grumbullimit, se do tu largojnë apo do të vuani. Ashtu bëmë. Me vjetërsirat bëmë veshje, I grinim dhe mbushnim dyshekët. Qepnim fustane, veshje për fëmijë. 15 vjet në këtë ndërmarrje. Punonim natën, fshehurazi, kemi bërë ehe pagëzime. Kujtoj një fëmijë që e kish emrin Petrit dhe kur u bë tre vjeç e solli e ëma bashkë me një shoqen e saj. E pagëzuam me emrin Pjetër. Ai vinte çdo ditë në Kishë, por morrëm vesh që duke luajtur ai kish vrarë një shokun e tij dhe u fut në burg. E kemi kërkuar, por na kanë thënë se është emigrant në Itali. E futën në burg, e çuan në shkollën e edukimit në Lezhë. Na vodhën bibliotekat, qindra libra.


Keni punuar me Mon Sinjor Bonatin, priftin arbëresh?


Kam punuar një vit me të, derisa e futën në burg. Na ka treguar se si erdhi në Shqipëri, e kishin futur në një thes dhe e hodhën në një makinë sipër. Kujtoj atë natë të tmerrshme që e morën me dhunë. Kur iku na tha: "Mos u mërzitni, vazhdoni punën". E mbajtën një vit në burgun e Vlorës, ishte përballë bashkisë së sotme. Na dërgonte rrobat për të larë, ishin të gjakosura me morra. E burgosën se ishte nga Vatakani. E rrihni në burg. Po kur vinin policët e na thonin: "Prifti na dërgoi për verë. Ne u jepnim çfarë kishim, por e dinim që verën e pinin vetë ata. Pasi mbushi vitin këtu e dërguan në burgun e Durrësit. E kemi takuar dhe na ka shpjeguar se si e rrihnin, i çanin kokën me tufën e celësave. Vdiq ditën që do të fitonte lirinë. Është vërtetë e dhimbshme, që prifti arbëresh me gjak shqiptari, ndërroi jetë ditën që do të linte burgun. Na thanë se pësoi infarkt të miokardit nga gëzimi. Nuk dimë se çfarë ndodhi me të, ku e varrosën. Edhe sot nuk i dihet varri dhe kjo është dhimbje për të gjithë klerikët.


Çfarë ndodhi më 1967?


Një luftë e vërtetë, u rrit presioni shumë. I morën ambjentet e kishësh dhe vendosën Teatrin e Kukllave. Na nxorrën jashtë dhe na thanë largohuni. Na morrën rrobat e murgeshave dhe na thanë vishuni si gjithë të tjerat. Miqësia me Petrit Hakanin drejtori I policisë në Vlorë.. Gruaja e tij kishte bërë shkollë me ne, kur ishim në Elbasan. Ajo ishte myslimane, por I pëlqenim. Kur jemi takuar me të këtu, ajo u befasua dhe i kërkoi të shoqit që të na respektonte, së paku të na linin rehat. Çuditërisht ai kish punëtore në shtëpi një shkodrane që rriste dy fëmijët e tij. Për hir të së vërtetës dua të them se Petrit Hakani na ka ndihmuar edhe të shkonim tek prifti. Shkonim tek priftërinjtë që vuanin dëbimin në burgje në Tepelenë. Me lejën e tij i çuam rrobat priftit për të bërë meshën, i çuam edhe ushqime. Ka shkuar motra Tereza Manoviq. Ka shkuar me një shofere, në mos gabohem e quanin Ylvije. Ugo Manaj pronari I madh Italian që kishte Skelën. Edhe atë e futën në burg, ishte inxhinier ndërtimesh që kish bërë vilat një katëshe në dalje të qytetit .Shteti kërkonte të strehoheshin qytetarët aty.


Pas viteve 90-të cfarë ndodhi?


Nuk mund të harrohet 1997. Vinin të plagosur për t'u mjekuar dhe ka pasur disa raste që këtu në kishë përballeshin kundërshtarët. Detyroheshim të mbaronim me një palë të nxirrnim ata e pastaj me rradhë. Edhe femra kemi ndihmuar shumë. Kujtoj një rast, kur një breshëri kallashi u derdh në dhomë. U shtrimë barkas dhe për fat të mirë nuk na zuri asnjë plumb. Mjaft vajza kanë kërkuar mbrojtjen tonë dhe ne kemi lajmëruar policisë, në qëndrën e strehimit të tyre. Një jetë të tërë në kishë, e bukur edhe sot.Nuk të ka rrahur zemra ndonjëhertë? Na kanë ngacmuar gjithmonë burrat duke na thënë: Pse nuk martoheni, jeni të bukura, të mira. Na kanë provokuar mbarë e mbrapsh. Por unë jam betuar si njeri i Zotit. Kam lindur dhe do të vdes e virgjër. Më mirë kështu se sa si vajzat e sotme që ndërrojnë shumë partnerë. Një jetë të tërë në Vlorë, me cfarë përshtypjesh? Nuk janë njerëz të dashur, nuk e shprehin mirënjohjen. Të duan të respektojnë sa kanë nevojë, pastaj të kthejnë krahët.


E ke takuar Nënë Terezën?


Po kur erdhi na Tiranë na dërgoi makinë dhe shkuam atje.


Papen?


Ah fati i keq, pasi, unë isha në Itali u operova nga kocka, isha në Itali. Por më ka njohur nga larg dhe më ka përgëzuar.

Monday, January 26, 2009

Bota e gruas Shqiptare-MERA METI-POEZI

Moti i vrar
Fundja e fundit,
merrmi endrrat e mi perrallis
kopshtijeve ku dëshirat lordronin dikur,
e kurre mos më thuaj,
se jemi ata qe ishim
paska dal rrjedhe gurra



Shpirti lozonjar
U pashiten lazdrit e qengjit njomzak
e endrrat u fjeten mrizeve,
..nuk gjeten hapsir,
vrulli qe po na nxiste
nuk qenka për të brishtit.
Ooh,melodia që fershellente gjethesh
ishte vetëm shpirtërimi
që na ndjellte si magji.


Ag janari
Perkdheli drite derdhen buzësh
e rreshqasin gushes...gushes
mbyten në gji nën plafin e mendafshet,
muret e zbraztesis po ngushtohen
e vetmia i pervidhet agut
e struket gjirit tend shkum-re.
Për të fundit her'
lërmi ëndrrat ti dremis gjoksit tend,
e me pas,mos me pyet ku do vej,
mvaret prej stuhish kah do të më shpien.

Windows Live Grupper. Samle gjengen.

Bota e Gruas Shqiptare-ZENEPE LUKA-Interviste

Gazeta   shqiptare

E djel - 25 Janar 2009 | Nr 4447 Viti XV

ONLINE

shqiptare

 

 

E djel - 25 Janar 2009 | Nr 4447 Viti XV

ONLINE

 

Nedim Vlora: Varri i djalit të Ismail Qemalit nuk është gjetur akoma

 

» Dërguar më: 25/01/2009 - 12:44

 

 

 

Lajme te ngjashme

Ky është Vangjush Furxhi!
• Datë: Oct 06, 2008

Zenepe Luka



Historia e familjes Vlora, e treguar nëpërmjet nipit të Ismail Qemalit, burrit të parë që i dha Pavarësinë Shqipërisë, na jep shumë detaje dhe të reja, të papublikuara asnjëherë më parë për dëshirat, martesat, lindjen e fëmijëve të Ismail Qemalit por edhe brezave pas tij. Pengu i vetëm i nipit të burrit të parë të Vlorës, është gjetja e eshtrave dhe varrit të djalit të Ismail Qemalit, e më pas, vendosjen e tyre në Kaninë të Vlorës. Në këtë intervistë ekskluzive për Gazeta Shqiptare, Nedim Vlora, rrëfen vuajtjet e familjes përgjatë viteve të drejtimit të shtetit shqiptar nga Zogu, më pas në diktaturë, por edhe aktualisht në demokraci. 
Ju dispononi të gjithë dokumentat origjinale të familjes Vlora. Kush janë fëmijët e Ismail Qemalit dhe si ra në dashuri me bashkëshorten e tij. Të ishte dashuria qe solli lindjen e kaq fëmijve? 
Ismail Qemali pati 9 fëmijë, 6 djem dhe tre vajza. Djali i parë është Nedim Mahmud Bej (1782-1920), i cili pati tre fëmijë: Ismail Kemal Galib Aleksandre, Blanke Paulette dhe Suzan. Më pas është Tahir bej, që nuk pati fëmijë, Ibrahim Et'hem bej, Ahmed Xhevdet bej, Qazim bej, të katër këta nuk lanë pasardhës. I fundmi fëmijë i Ismail Qemalit është Qamil Bej (1985-1950), që kishte lindur në Stambol dhe që u vendos përfundimisht në Shqipëri, pas vdekjes së të atiti, më 1919. Ai u martua me Ylvie Dyrmishin, vajzë e patriotit Ahmet Aga Dyrmishi, pjesëmarrës në Luftën e Vlorës dhe një nga trimat besnikë të Ismail Qemalit, me të cilën pati dy djem: Ismail Qemal (1920-90) dhe Xhevdet Sulejman (1922-93). Ismaili la 5 fëmijë, pikërisht Kleoniqi, Ariana, Qamil, Elvinda dhe Darling. Ndërsa Xhevdeti ka lënë dy fëmijë, Ada dhe Qemal. Vajzat e Ismail Qemalit janë Myvdet Serdar, Ylvije Zarshati, Alije Pasha (martuar me Hamdi Pashanë). 
Si u prit lindja e fëmijës së parë, që është gjyshi juaj, Mahmudi, çfarë kujtimesh ruani ju, nipi i tij? 
Sigurisht, lindja e parë që të bën baba, aq më tepër kur lind edhe djalë, që për shqiptarët përbën një eveniment të rëndësishëm, është një gëzim i madh, ngjarje e shënuar. Kështu edhe për Ismail Qemalin, lindja e djalit ishte një festë e pazakontë. Kjo edhe për faktin se në atë kohë, ishte me rëndësi lindja e djemve, pasi, jo vetëm që do të përcillte emrin e familjes, por do të ishin në krah të etërve duke kontribuar dhe përpjekur për Shqipërinë, kombin e tyre, që e kishin aq të shtrenjtë. 
Ismail Qemali, nuk bëri një djalë por 6 djem, që gjatë gjithë kohës iu vunë në krah dhe bashkarisht realizuan ëndërrën e madhe të shqiptarëve: Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. 
Mund të flisni rreth familjes së gjyshit tuaj, kush i rrëmbeu zemrën, përse u vendos në Bari dhe si e përjetonte mallin për Shqipërinë? 
Meqë gjyshim im, Mahmud, ndiqte një politikë në favor të pavarësisë, ai u burgos nga sulltani Abdul Ahmid II, duke e dërguar në bugun e Bitlis, në Anadoll, ku qëndroi 7 vjet,(nga 1901-1908). Pasi doli nga burgu, i sëmur me turbekuloz, u vendos në Nicë, Francë. Rastësia bëri mrekullinë, teksa qëndronte nën hotelin Place, pa një vajzë të bukur. Ai ishte duke pirë kafe me të atin, Ismail Qemalin dhe dy vëllezërit, Tahir dhe Ethem, kur të gjithë shohin të zbresë nga shkallët e hotelit vajza e re dhe e bukur, Alice, që ishte vajza e pronarit të hotelit. 
Ky hotel frekuentohej nga politikanë të shumtë evropianë, nga artistë evropianë dhe nga njerëz të rëndësishëm të Francës dhe evropianë. Ajo tërhoqi vëmëndjen e të tre vëllezërve, por Ismail Qemali, preferoi që vajza t'i drejtohej Mahmudit. 
Midis tyre lindi një dashuri me shikim të parë, por që u konsolidua më tej, ç'ka solli martesën e çiftit dhe celebrimin në vitin 1913. Ai ishte 41 vjeç dhe ajo 18 vjeçe. Më 21 janar të vitit 1914, çifti i ri solli në jetë një djalë, të cilin e quajtën Ismail Kemal Galib Aleksandër. Sapo lajmi i mbërriti në Vlorë Ismail Beut, ai la Qeverinë dhe u nis menjëherë për të mbërritur në Nicë. Për lindjen e djalit të parë, nipit të parë të Ismail Qemalit, u qëlluan 24 topa. Mahmudi dhe Alice, patën edhe dy fëmijë të tjerë, Blanke Paulette dhe Suzan. Si pasojë e sëmundjeve që mori në burg, Mahmudi vdiq në Vlorë, në vitin 1921. Bashkëshortja e tij, gjyshja ime, Alice, që ishte katolike, mbeti me tre fëmijët e vegjël, dhe vendosi të sistemohej në Bari, që ishte qyteti më i afërt me Shqipërinë. 
Përse nuk u martua kjo grua e re dhe e bukur? 
Gjithmonë, në respekt të fesë të ndjekur nga Alice, asnjëri nga vëllezërit e Mahmudit, nuk u martua me të. Ata iu lutën, që të mos largohej shumë nga Shqipëria. Është ky shkaku, kjo kërkesë dhe njëherësh dëshira e saj, që u vendos pikërisht në Bari, ku qëndrojmë edhe sot. 
Si e përballoi jetën gjyshja, ka zëra që ka lypur për të rritur fëmijët. Sa është e vërtetë kjo? 
Ka përballuar një jetë të vështirë. Ajo mbahej me të ardhurat që dërgonin ndonjëherë vëllezërit e Mahmudit. Pastaj përgjegjësia ra mbi tim atë, që në atë varfëri mbushi moshën madhore. 
Babai im, Ismail Kemal Galib Aleksandër, kishte ndërmend të kthehej në Shqipëri, për të kryer një rol politik, por mbas vetëshpalljes së Zogut si Mbret i Shqipërisë, iu ndalua që të kthehej në atdhe. Zogu i dërgonte një rrogë mujore me qëllim që, nipi i ri i Ismail Bej, të arsimohej larg Shqipërisë. Ai u diplomua në Bari, në Fakultetin e Shkencave Ekonomike e Sociale. 
Përse e shmangu Zogu babanë tuaj, të ishte një frikë se mos i merrte postin? 
Sigurisht, ky ishte shkaku i vetëm. Arsyet janë lehtë për t'u kuptuar nga momenti që edhe falë sforcimeve të shumta të historianëve, për të modifikuar historinë, të gjithë e dinë se Zogu nuk rridhte nga ndonjë familje princërore, sikurse ishte në të vërtetë Ismail Bej, pasardhës i familjes së Aranit Komnenit. Pas pushtimit italian, familja Vlora mbeti pa asnjë të ardhur dhe u katandis në një gjëndje të rëndë ekonomike. 
I përmbushte kushtet babai juaj, për të drejtuar Shqipërinë? 
Sigurisht. Gjatë pushtimit italian, im atë, nipi i parë i Ismail Qemalit, ishte në moshë të rritur, kishte përfunduar studimet dhe kishte bërë gati valizhet, për t'u nisur në Shqipëri. Pasi shpërtheu lufta, ai u dërgua në kufi, në Torino me gjithë familjen. Më vonë, për arsye shëndetësore të motrës, e gjithë familja u detyrua që të trasferohej në Sanremo, ku edhe sot jeton një nga pasardhëset (Sarah) e Suzanës, vajza e dytë e Mahudit. 
Babai juaj ka pasur nënshtetësi shqiptare? 
Është një kuriozitet, madje shumë i rrallë. Nga fundi i luftës, im atë, nipi i Ismail Bej, nuk ishte as francez (vendi i lindjes), as italian (vend i banimit), as shqiptar (atdheu i origjinës). Të njëjtin fat pati e gjithë familja. Është e dhimbshme të pohoj, që bashkëshortja e Mahmudit, Alice, vdiq apolide, pra, pa asnjë nënshtetësi. Kombësia italiane iu dha në vitet '50, për meritat ndaj shteti italian, pasi si nip i Ismail Bej, kishte luftuar si partizan kundër nazistëve. Dy motrave, iu dha nënshtetësia italiane në vitet 80-të. Ajo ka punuar në tregun e luleve të Sanremos, ndërsa motra tjetër, Blanche Paulette, në vitet 50-të, shkoi në USA si refugjate shqiptare.Ajo ka punuar si punëtore në një fabrikë në New York. Pas disa vitesh shkoi në Kanada, ku edhe ndërroi jetë. 
Si e përballoi jetën në tokë të huaj? 
Në kushtet që u krijuan, tim eti nuk i mbeti gjë tjetër, veçse të kërkonte punë në Itali. Një periudhë, dha mësim në lëndët gjeografia ekonomike dhe politike si dhe gjeografia e përgjithshme në Universitetin e Barit. Ka qenë professor me publikime të shumta, me artikuj dhe libra, disa prej të cilave kanë shënuar linja të reja kërkimi të disiplinës dhe janë të praktikuara edhe sot. Ka publikuar edhe një libër mbi Shipërinë me titull "Shqipëria e re" në vitin 1979, një kërkim prej 122 faqesh. 
Cili ishte pengu i tij dhe që jua trashëgoi edhe juve? 
Ka peng më të madh, që babai i tij, gjyshi im, djali i Ismail Qemalit, Mahmud Bej, të mos ketë varr? Mahmud u varros në varrezat e Vlorës. Do të ishte e drejtë që të gjendet varri i tij. Ia kërkoj Vlorës këtë. Të gjenden kockat e tim eti dhe më pas të vendoset e të prehet në Kaninë, tokën e të parëve. Ka një mendim të shoqatave për të sjellë të gjithë fëmijët e Ismail Qemalit në Kaninë. Kjo do të ishte një shërbim i fundit për ta, pasi sikurse dihet, regjimi komunist, i persekutoi, por edhe qeveritë e më pasme nuk i kanë vënë në vendin e duhur pasardhësit e themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemal Vlora. 
Diçka nga jeta e babait tuaj, si i shkoi jeta me bashkëshorten, sa herë ka ardhur në Shqipëri, lidhje e tij me fëmijët e Ismail Qemalit? 
Në vitet 30-të, babai im jetonte në Rrugën Vittorio Emanuele II, që ishte rruga kryesore e qytetit të Barit. Në pallatin përballë, jetonte një vajzë, që ai e pëlqente dhe u dashurua me të. 
Me gjithë vështirësitë burokratike të vendosura nga ligjet fashiste mbi racat, të rinjtë u martuan më 1939-tën. Nga martesa patën dy fëmijë: Vitoria dhe Nedim. Martesa ishte e bazuar në dashurinë midis tyre sepse asnjë prej tyre, nuk kishte mbështetje ekonomike. U martuan, e bënë drekën tek një i afërm i tyre dhe më pas u nisën për një udhëtim të shkurtër për të bërë muajin e mjaltit. 
Çfarë keni mësuar nga prindërit tuaj? 
Kanë qënë model se si duhet të përballohet jeta në vështirësi, se kur çifti e do njëri-tjetrin, nuk ka pengesë të mos kapërcehet. 
Babai im ka ardhur në Shqipëri në vitin 1978, pas një ftese specifike që i u bë. Mallin dhe atë çka ndjeu për Shqipërinë, i hodhi në librin që cituam më lart. Më pas ka ardhur edhe 3-4 herë të tjera dhe iu dha mundësia që të njihte kushurinjtë, fëmijët e të vëllait, Qemal Bej, Ismailin dhe Xhevdetin, gratë dhe fëmijët e tyre. Ata na e kthyen vizitën në Bari, pas rënies së regjimit. Tim eti, sa herë shkonte në Shqipëri, i lexohej lumturia në sy. Ai kujtonte mbi të gjitha shëtitjet që bënte në rrugët e Vlorës. Ai na tregonte një episode, se kur ishte 6 vjeç, shëtiste nëpër rrugtët e Vlorës mbi kalë, i shoqëruar nga xhaxhai i tij, Tahiri, që edhe ai ecte mbi kalë. Vdiq më 2001, pa u kthyer më në Shqipëri, duke më lënë amanetin, për të gjetur varrin e të atit. 
Mund të thoni diçka rreth familjes tuaj, profesor Vlora, cilat janë marrëdhëniet me trashëgimtarët e tjerë të Ismail Qemalit? 
Jam diplomuar në fakultetin e Ekonomisë, fillova të jap mësim që në moshë të re, pasi fitova konkursin në nivel kombëtar. Në vitin 1966 u martova me Xhakoma Marzani dhe nga martesa lindi vetëm një djalë, Aleksandër Kemal, i cili është biolog. Ai është martuar me një biologe dhe nga martesa ka lindur një vajzë, Alessia Blanche, trashëgimtarja e fundit e dinastise Araniti Komneni Vlora. 
Sa keni mundur të përcillni ndjenjën e atdhetarisë, tek djali juaj, ndjehet sadopak shqiptar? 
Kur nga fundi i viteve '70 djali im, Aleksander Kemal, erdhi në Shqipëri, ngeli i shokuar nga varfëria e shqiptarëve dhe të kushërinjëve të tij moshatarë. Para se të kthehej në Itali u fali atyre gjithçka që kishte dhe u betua, se nuk do të kthehet më në Shqipëri. Në vitin 1990, pas ardhjes së refugjatëve të parë në Itali, kur u vendos që të mernim një pozion të fortë politik ndaj regjimit komunist, nuk hezitoi për asnjë moment edhe pse i dinte reziqet që mund të haste. Në të njejtën mënyrë, pasi unë mora kërcënimet me vdekje nga ana e sigurimit, sepse themelova në Bari Qeverinë e Shqipërisë së lirë dhe demokratike, ai u tregua shumë i vendosur dhe i gatshëm, për të marrë vendin tim dhe për të vazhduar të njejtën vijë politike kundër regjimit. Studimet e tij e kanë mësuar që të mos zhgënjehet ndaj aparencave. Im bir, ështe shumë konkret dhe imazhet e reja të Tiranës dhe qyteteve shqiptare, nuk e kanë bindur ende. Rruga e zhvillimit ekonomik, është shumë larg. 
Një pyetje e fundit profesor Vlora. Bie në sy një fakt, që fëmijët dhe në tërësi, pasardhësit e Ismail Qemalit, janë martuar me të huaja. Cili është shkaku dhe sa ka ndikuar ky argument, në zbehjen sadopak të familjen Vlora? 
Asnjë nga trashëgimtarët e titujve dinastikë (të parëlindurit e parë) Araniti Komneni Vlora nuk është martuar me gra shqiptare. Vetë Ismail Bej, në kujtimet e tij thotë se parardhësit e tij ishin të detyruar që të martoheshin me gra të huaja për motive dinastie dhe politike. Përveç ligjeve dinastie, largësia nga atdheu mëmë, ka detyruar që martesa të bëhej me gra të huaja. Por ky fakt, nuk ka zbehur aspak vlerat patriotike të Familjes Vlora. Pasardhësit e Ismail Qemalit, brezat që do të vijnë, janë dhe do të jenë krenarë, që i përkasim familjes së Araniti Komneni Vlora.

 

 

Bota e Gruas Shqiptare-MERITA TOCILA-Veshtrim mbi veshjen popullore

Merita Toçila

Stiliste

 

Veshja popullore dhe ndikimi i saj në modë

 

(Një vështrim i shkurtër…)

 

 

Relacioni midis modës dhe vizatimit shpesh është i fortë dhe disa herë i dobët, por megjithatë është një përpjekje e vazhdueshme e ideve dhe tensionit estetik midis tyre, gjë e cila ndikon në influencën e këtyre dy fushave paralele. Fushat e tjera të funksioneve të ndryshme u vijnë në ndihmë duke ardhur gati automatikisht në një ide për veshje, aksesorë, etj. Forma më minimale e modës pastaj zbulon një sekret të ri, që pjesa e ideuar është shpesh më interesante se veshja e përfunduar. Porse, mund të ndodhë edhe që pjesa e prodhuar të jetë më e specifikuar dhe më interesante se ideja e fillimit. Disa produkte të modës prodhohen mbështetur mbi abstrakten. Ato injorojnë edhe mbajtësin e veshjes duke mos respektuar as të dhënat fizike, duke mos i vënë në vendin e duhur pjesë të ndryshme të veshjes dhe duke e sjellë atë jo praktike. Që këtu ka lindur ideja që trupi duhet konsideruar si një telajo ku duhet piktuar, ose si një objekt të cilit do t`i jepet forma skulpturore sipas konceptit të krijuesit.

 

Arkitektura e parë që ka realizuar njeriu është veshja, për të krijuar një ambient mbrojtës. Pra në kuptimin e parë, veshja të çon tek mbrojtja nga të ftohtit apo të nxehtit. Porse në kuptimin e dytë ajo përcjell kënaqësinë e përkatësisë në një grup apo shkallë të caktuar dhe në sisteme të tjera përcjell mesazhe sensuale ndaj një grupi të caktuar njerëzish, të një tribuje apo klani. Me kohë ajo filloi të perfeksionohej duke u shtuar dhe me objekte zbukurimi, apo ornamente, për të treguar hierarkinë apo dinastinë. Pak e nga pak veshja krijoi gjuhën e vet vizive e cila duhej të ishte në koherencë me gjeometrinë e kohës. Kështu për shumë kohë veshja i përshtatej trupit dhe ndryshimet nga shekulli në shekull ishin shumë të vogla. Vetëm në fund të shekullit XIX, filloi të zbulohej kënaqësia e çrregullsisë dhe e mos respektimit të raporteve; e përmbysjeve të gjuhës së ndërtuar vizive. Kjo filloi me përmbysjen e rregullave në pikturë nga avangardat ruse, vazhdoi me eksperimentet e Yves Klein në vitet `60 (për ta parë trupin si një vëllim mbi të cilin mund të manipulosh idetë duke vepruar direkt me ngjyrë mbi të) dhe të tjerë pas tij që ushtruan body-art duke u dhënë shkak stilistëve të krijonin veshje direkt në trup vetëm me ngjyrë. Këto ide qenë shumë novatore, saqë i shndërruan pasarelat në një shfaqje të vërtetë arti. Çdo lëvizje në pikturë apo në gjinitë e tjera të artit pasqyrohet dhe në modë. Çdo stilist mund të krijojë një fytyrë të vetën, një krijimtari artistike tërësisht personale dhe të pavarur nga të tjerët.

Për të krijuar një individualitet të tillë stilistët rendën për të zbuluar ide të reja për të qëndruar gjithmonë ndër më të mirët dhe ky kërkim idesh solli dhe kthimin tek tradita, si baza më e mirë për të justifikuar krijimet dhe për fat të mirë, tradita duke qenë një ekstrat i krijimtarisë në shekuj ka se me çfarë të furnizojë; mbetet gjithmonë një fushë që duke e eksploruar zbulon gjëra të reja.

 

Edhe tradita jonë në këtë drejtim është shumë e pasur. Një veshje popullore shqiptare është një ekspozitë më vete e artit popullor.

Është e mahnitshme larmia e kostumeve popullorë në vendin tonë dhe puna aq e hollë me detajin. Kemi një pafundësi florealesh të qëndisura mrekullisht nga duart e vajzave dhe grave. Qëndisja dhe endja kanë qenë traditë vetëm për femrat të cilat kalonin një pjesë të mirë të ditës mbi to. Ato qëndisnin veshjet për femra, meshkuj dhe për fëmijët e familjes. Mund të ndodhte që përgatitja e një kostumi shkonte me vite të tëra dhe ajo ishte një pasuri e madhe për familjen, e cila trashëgohej në çdo brez. Rrallë ndodhte që një veshje të ishte e thjeshtë në ndërtimin artistik të saj, edhe ato që i përkisnin shtresave jo të larta të shoqërisë shqiptare. Pothuajse të gjitha veshjet kishin të njëjtin seriozitet përgatitjeje dhe të njëjtin shpenzim në kohë, në punë dhe në materialet e përdorura në të. Çdo veshje kishte ngjyra, shumë ngjyra. Gjejmë në to të bardhën që zë pjesën më të madhe të veshjeve(këmishat, fustanellat, jelekë, tirqe,  çitjane…);kjo e bardhë e plotë(reminishencë e veshjeve ilire) kombinohet me të kuqen hallej, të artën, me blu kobalt, të gjelbrën smerald, vishnjen e errët madje dhe të zezën(jelekë, xhubletë, gjoksore, tunikë…). Si pëlhura ka ndërthurje të damaskut apo velurit me mëndafshin dhe të gjitha këto të qëndisura me fije fine metali të çmuar(ar ose argjend). Motivet e qëndisura janë kryesisht floreale, lulet e stilizuara, shpendë, insekte si evokim i kohës së interesimit të njeriut mbi natyrën, arabeskat dhe motive gjeometrike më të vona dhe më pak me simbole pagane, por edhe në ato veshje që gjenden janë shumë potentë si motive, sepse mbizotërojnë dukshëm. Qëndisja shpeshherë shoqërohet me punë kryq për të krijuar një element tjetër dekorativ dhe copa të mbivendosura si reliev. Pjesët më tepër të qëndisura janë jakat, mëngët shpinoret, gjoksoret, tunikat, etj., të cilat gjenden në modele nga më të larmishmet. Çdo krahinë ka një veshje të ndryshme nga tjetra. Çdo ceremoni apo rast gëzimi ishte një okazion për të veshur kostumet më të bukura në botë. Ato që janë më tepër të përdorshme janë jakat rrumbullake, mëngoret e qëndisura në fund, tek burrat i gjejmë të mbledhura, tunikat janë të përdorura shumë dhe të larmishme në formë në pjesën fundore të tyre, gjoksoret e Shqipërisë së mesme me jakat e mëdha dhe të gjera, Xhubletat me kindet e mëdha, rripat e trashë me togëzat e rënda prej bronxi, dhe një mori kapelesh, shamish apo përparjesh. Dhe të gjitha këto të qëndisura me fije të arta dhe argjendtta, me motive ku asnjë nuk i përngjan tjetrit.

Edhe në veshjet e mesjetës të imponuara nga sundimi turk, përsëri u ruajt karakteri kombëtar duke i sjellë ato si një vepër origjinale shqiptare, siç është veshja e Shqipërisë së mesme me çitjanet që zbresin deri tek kavilja. Me qëndismat në rrethorin mbyllës, me jelekun që zbret sa mbaron gjoksi dhe ka vetëm një mbyllje duke lënë të kuptohet forma e gjoksit, veshja është trasformuar në një veshje tërësisht shqiptare dhe po aq e hirshme dhe joshëse. Edhe kaftani që është një xhaketë e gjatë që zbret deri në fund të këmbëve më mëngë të gjatë të rëna nga pas. Kokat zakonisht mbuloheshin me shami në zona të veçanta dhe diku me kapele të stilizuara ku gratë mund të shprehnin gjithë dëshirën dhe talentin e tyre për t`i zbukuruar me lule ose dhe me zbukurime me gurë ose pare. Një veshje të tillë dhe një mbretëreshë e asaj kohe do ta kishte zili. Një fakt është që veshja shqiptare eshte prekur pak, ose thuajse fare nga tendencat fetare, në të nuk gjenden kryqe, figura shenjtësh, aty gjithmonë ka lule të stilizuara, flutura, zogj, figura gjeometrike etj. Në këto kohë dhe pëlhurat filluan të zëvendësohen me linone dhe pambukun si më pak të kushtueshme. Edhe në kohë të mëvonshme qëndisja ka zënë një pjesë të mirë kohe të vajzave shqiptare deri në mesin e viteve `80 duke e zhvilluar si hobi në kohën e lirë, madje në këto vite pati një ndryshim të stilizimeve të cilat vinin më të studiuara dhe inspiroheshin shpesh herë nga krijimet e artistëve që punonin në ndërrmarrjet artistike të asaj kohe.

Sot qëndisja vjen si një objekt koleksioni. Interesimi ndaj saj qëndron në vlerën historike të veshjes shqiptare edhe pse në këndvështrim të vogël nuk mund të quhet një vepër e mirëfilltë arti, ajo vjen si një thirrje e fortë e së kaluarës tonë, përcjell mendimin, ndjenjat dhe informacione të çmuara të kohëve të tjera. Është një pasuri e jona.

Nga gjithë ajo trashëgimi kulturore që kemi, nga dokumentet historike, artistikë dhe muzealë dhe nga objektet e gjalla që kanë mbetur në sëndukët e vjetër të shtëpive karakteristike shqiptare apo dhe nëpër ato pak muze etnografike, jemi të ndërgjegjshëm për atë pasuri të madhe qëndismash, aksesorësh të mrekullueshëm byzylykësh, togëzash, varësesh aq të rralla, veshjesh mëndafshi dhe kadifeje të qëndisura dhe të punuara aq bukur, saqë mahnitin mbi të gjithë vizitorët e huaj.  Kjo tërheqje ka ndodhur në  çdo kohë, aq sa artistë, piktorë dhe estetë të huaj nuk kanë mbetur pa e vënë në dukje këtë krijimtari të larmmishme, duke krijuar vepra me vlera dhe artistike. Ndër këta mund të përmendim; piktorin anglez Eduart Lir, piktorin francez Leon Zherome, piktorin kroat Pajo Jovanoviç, autoren angleze Edit Durham, etj, që me krijimtarinë e tyre kanë lënë dokumente shumë të vyera jo vetëm artistike, por dhe historike mbi veshjet karakteristike shqiptare.

 

 

 

Sunday, January 25, 2009

Bota e Gruas Shqiptare-ROZI THEOHARI-Reportazh

Rozi Theohari

                  (Boston)

 

                           RIHAPET  SHKOLLA  SHQIPE  E  LYNN-IT, MASS

 

 

            

 Dëshira për te shkruar gjuhën shqipe, në qytetin e Lynn-it daton qysh para 100 vjetësh, kur emigrantët e parë shqiptarë, punëtorët nëper fabrikat e lëkurëve dhe të këpucëve të Lynn-it mësonin në grupe të vogla njeri-tjetrin të shkruanin e të lexonin në gjuhën shqipe.

Fakte këto që janë përmendur edhe në muzeumet e qytetit. Këta burra e djem, kur vinin të dielave në kishë dhe e informonin Fan Nolin për ç’ka kishin arritur, prifti shqiptar, i mallëngjyer, i përgëzonte e i uronte.

      

Sot kjo traditë vazhdon me hapjen e shkollave shqipe të rregullta, me mësues profesionistë, me programe e libra të nevojshem.

Shkolla e parë shqipe e Lynn-it u hap kryesisht për fëmijët kosovarë e funksionoi vetëm për vitin 2006-2007, me mësuesin e nderuar kosovar Afrim Hoxha. Më 10 janar 2009 u zhvillua ceremonia e rihapjes së shkollës së gjuhës shqipe në Lynn. Është hera e dytë që familjet shqiptare kosovare festojnë hapjen e shkollës shqipe në qytetin e Lynn-it, Mass. Në vitin 1999 erdhën si refugjatë 100 familje shqiptare nga Kosova e pasluftës dhe u vendosën në Boston e në rrethinat e tij.

 

Qyteti i Lynn-it priti me bujari shumicën e refugjatëve. Komuniteti amerikan i strehoi, i punësoi, u shëroi plagët e trupit e të shpirtit e, së fundi, u krijoi kushtet të hapnin një shkollë shqipe për fëmijët e tyre.

     

 Festa e shkollës mblodhi shumë prindër, nxënës e të ftuar në një nga mjediset e Qendrës Kulturore të Lynn-it, ndërtesa ku pikërisht ndodhen edhe klasat për mësimdhënien e gjuhës shqipe. Salla ishte zbukuruar me flamurët shqiptar, kosovar e amerikan dhe me vizatimet e fëmijëve. Shumica e nxënësve janë nga familjet shqiptare kosovare, por shkolla do të përfshijë edhe fëmijët e familjeve të tjera emigrante nga të gjitha trojet shqiptare. Koordinatori i shkollës z Besim Demaku po interesohet për pjesëmarrjen në shkollë të të gjithë fëmijëve shqiptarë të qyteteve përreth Bostonit, që nga Çelsea, East Bostoni, Somerville, Pibadi, Lynni, deri nga shteti i Nju-Emshrit. Besimi thotë:  “ Ne shqiptarët e Kosovës jemi të bashkuar dhe kemi qenë gjithnjë pranë njeri-tjetrit, sepse kemi vuajtur nga pushtuesit e huaj. Kjo traditë na shoqëron kudo që të ndodhemi, edhe këtu në diasporë. E ardhmja do ta provojë!”

 

Te pranishmit i përshëndeti  z Agim Sejdiu, kryetari i Shoqatës së

shqiptarëve kosovarë.               Përshëndetje të veçanta dhe

përgëzime ai u drejtoi edhe nxënësve të shkollës shqipe….”Ne sot ndjehemi të gëzuar e krenarë që arritëm të rihapim shkollën shqipe të

Lynn-it,- tha ai.- Rihapja e shkollës shqipe u arrit falë interesimit dhe kontributit tuaj, motra e vëllezër, falë angazhimit të bashkëkombasve tanë, njerëzve atdhetarë  të kombit tonë….Themelimi i Shoqatës sonë të shqiptarëve kosovarë po na mundëson që të jemi të organizuar për çdo rast e veprimtari me karakter kombëtar, humanitar, arsimor, kulturor e sportiv. Do te veçoja këtu rolin e bashkëpunimit me shkollën shqipe të Bostonit, me ish drejtoreshën z Roza Mia, si dhe interesimin e Konsullit të Nderit z Stefan Koçi, ndihmës së pakursyer te  bashkëkryetares së shoqatës BESA , z Albana Orgocka dhe të anëtarit të bordit drejtues  të kësaj shoqate z Fatmir Bejo.” Më tej z Sejdiu falënderoi të ftuarit e kësaj mbledhjeje z. Stefan Koçi, z Fatmir Bejo, si dhe drejtoreshën e re të shkollës së gjuhës dhe trashëgimisë shqiptare “Besa” të Bostonit, z Myzejen Ormenaj, që nderuan me pjesëmarrjen e tyre. Kryetari falënderoi gjithashtu komisionin e shkollës shqipe të Lynn-it nën drejtimin e z Besim Demaku, falënderoi dhe vlerësoi gatishmërinë dhe vullnetin e mësuesit kosovar Ramadan Çalaj për të punuar me pasion e për t’u mësuar fëmijëve tanë alfabetin, shkrimin e leximin e gjuhës së ëmbël shqipe. Falënderime iu drejtuan edhe z Adnan Lubçeviç, i cili ndihmoi për sigurimin e lokalit për klasat e mësimdhënies. Z Sejdiu përfundoi: “ Mbi të gjithë, duhet t’ju falënderojmë ju, motra e vëllezër, prindër të dashur, të gatshëm për të financuar e investuar për të ardhmen e fëmijëve tuaj…Nxënës të dashur!

Ju jeni ardhmëria e kombit tone, ndaj ne, sot, ju japim një porosi juve të gjithëve: ju duhet ta dini dhe ta mbani mend mirë se tani Kosova jonë është e lirë—është shtet i pavarur dhe demokratik…Kosova ka nevojë për ju, fëmijë të dashur…Ju, me dijet tuaja që do të fitoni në shtetin mik dhe demokratik të Amerikës, t’i ktheheni Kosovës e ta ndihmoni atë në zhvillimin e përparimin e mëtutjeshëm…Dhe porosia jonë është: KUDO QË TË SHKONI, GJUHËN SHQIPE DHE KOSOVËN KURRË MOS E HARRONI!”

      

Afrohem tek një grup grash kosovare. Hidajete Sejdiu thotë: “I kam fëmijët te rritur. Këtu, në këtë takim kam ardhur vetëm për të përshëndetur rihapjen e shkollës sonë”. Nusja e re Vlora Sejdiu, me nje fytyrë të qeshur, tregon se do të sjellë katër fëmijët e saj në shkollën shqipe të Lynn-it. “Jam shumë e lumtur që u rihap shkolla!”- thotë ajo. Zonja Hysnie Kadriu thotë se nuk ka fëmijë për këtë shkollë, por ka ardhur nga gëzimi në këtë ditë feste, një ditë e paharrueshme për të gjithë.

     

 Mbrëmja festive vazhdoi me urime e dolli, me muzikë e vallezime nga vajzat kosovare. Sa herë jam ndodhur në festat e hapjes së shkollave shqipe, kam provuar një mbindjeshmëri kur u kam kërkuar nxënësve të shkruajnë emrin e tyre në një fletë fletoreje. Këtë zakon e kam huajtur nga Fan Noli. Ai mblidhte emërshkrimet e fëmijëve. Ja disa prej firmave të tyre: Albin Asani, Dijana Asani, Blenda Hoxha, Blendon Hoxha, Blertushe Xhemajli, Nuhi Xhemajli, Arlind Shehu, Gresa Sejdiu, Benit Sejdiu, Besa Sejdiu, Blinere Demaku, Melisa Demaku, Betim Sejdiu…Pastaj vogëlushi kosovar Betim Sejdiu recitoi vjershën “Gjuha jonë”, pasuar nga vajza e vogël Minera Demaku, e cila recitoi vjershën e abetares: /Are, are, abetare/ Në çdo faqe një dritare/ Po më çel ti për çdo ditë/ E më jep gëzim e dritë/…

  

 Drejtoresha e shkollës shqipe “Besa” të Bostonit z Myzejen Ormenaj duartrokiti fëmijët e përshëndeti me emocion: “Është kënaqësi e lumturi që ndodhem mes jush, te dashur prindër e fëmijë. Fëmijët shqiptarë kudo, në Boston e në rrethinat e tij, do ta ndiejnë veten më të gëzuar, se do të ketë më shumë nxënës që do të mësojnë gjuhën shqipe, se do të ketë më shumë pena në gishtat e vogla të fëmijëve shqiptarë, të shkruajnë gjuhën e bukur shqipe! Jam e nderuar që, në emër të shkollës shqipe të Bostonit, t’ju përshëndes sonte të gjithë…Ne do t’ju ndihmojmë me të gjitha mjetet, sepse bëhet fjalë për një gjuhë, për një komb.”

   

Mësuesi i ri z Ramadan Çalaj, një mesoburrë veshur me sqimë, serioz dhe i  sjellshëm, ndihet i prekur, por e përmban emocionin. “Kam qenë mësues i gjuhës shqipe në shkollat e Kosovës, -thotë ai,- dhe filloj sërish të jap gjuhën shqipe këtu, në një vend të huaj… Detyra jonë parësore është t’u mësojmë fëmijëve gjuhën tonë të gjyshërve, sepse e ardhmja e tyre lidhet me ruajtjen e gjuhës dhe traditave familjare që kemi patur në vendlindje. Kështu do të ndihemi sikur jemi në atdheun tonë… Ndiej kënaqësi që po i hyj punës së mësimdhënies përsëri. Ndiej kënaqësi të punoj përsëri me nxënësit e mi,.. Sigurisht që ka edhe vështirësi. Gjithsesi, më qetëson bashkëpunimi me shkollën shqipe të Bostonit. Ata janë më të avancuar, kanë krijuar tashmë një përvojë  të mirë. Ne do të bashkëpunojmë me shoqatën BESA dhe shkollën e Bostonit…Ne po marrim mbi supe një barrë të rëndë. Secili prej nesh duhet ta mbajë atë barrë, është detyrë patriotike.” Pastaj z Çalaj pohoi se fëmijët nuk kanë të njëjtin nivel. Në ato familje ku flitet shqip, nxënësit janë më të përgatitur dhe e përvetësojnë më mirë mësimin, për të folur e për të shkruar.  Sidoqoftë,  çdo gjë do të nisë që nga fillimi, duke bërë seleksionimin e nxënësve për t’i ndarë në klasat përkatëse. Ata që janë më të mirët, do të tubohen në një klasë të veçantë, në grupin e dytë, dhe do të studiojnë me librin “Gjuha shqipe”, i cili përmbledh edhe librin e leximit. Ndërsa në grupin e parë do të regjistrohen fillestarët, të cilët do të nisin me librin e abetares. Mësuesi përfundon: …” Dëshiroj ta mbaj gjallë gjuhën shqipe, megjithese jemi larg me Kosovën.”

     

Përshëndetjen e tij, z Stefan Koçi, Konsulli i Nderit në Massaçusetts, e hapi me fjalën “Urime!” Ai vazhdoi: “Është kënaqësi të shohësh aktivitetet e shumta që kryen Shoqata e shqiptarëve të Kosovës…Rihapja e shkollës kalon mes vështirësish, por e rëndësishme është se si kalohen ato.. Ato do t’i kalojmë të gjithë së bashku. Do të punojmë të gjithë. Gjërat e mëdha arrihen duke punuar së toku.

 

Urime edhe juve prindërve, që, si fëmijët edhe ju ndjeheni të emocionuar

sot.”   Më tej z Stefan përmendi një detaj: Fëmijët i tërheq anglishtja

në shkollë, ndaj duhen përpjekje, durim e kohë nga ana e familjarëve për vemendjen që u duhet kushtuar fëmijëve. “Ne presim që ky brez

nxënësish,- vijoi ai,-  kur të rriten, jo vetëm ta dinë gjuhën shqipe, por ta mesojnë atë më mirë e ta përvetësojnë shkencërisht, duke marrë kulturë edhe nga librat shqip. Kështu ata do të bëhen ndihmës aktivë për atdheun e prindërve të tyre. Urime shoqatës e mirupafshim në festimin e përvjetorit të parë të pavaresisë së Kosoves në muajin shkurt.”

           

 Në përshëndetjen e tij z Fatmir Bejo tha se shoqata BESA ka bashkëpunuar me Shoqatën e shqiptarëve kosovare në shumë aktivitete e tash po interesohet edhe per rihapjen e shkollës. Ai vazhdoi:  “Është një gëzim i madh per ne të gjithë rihapja e shkollës së Lynn-it, pas gjithë atyre perpjekjeve e planeve që kemi hartuar së toku... Është gëzimi juaj dhe gëzimi ynë. Është puna juaj dhe puna jonë. Dhe kështu të vazhdojë! Mbështetja e shoqatës BESA do të jetë në të gjitha drejtimet. Do t’ju furnizojmë me libra, programe e mjete mësimore.

Detyra juaj si prindër është që t’i sillni fëmijët në shkollë vazhdimisht. Duke mësuar të gjithë së bashku fëmijët do të njihen më mirë me njeri-tjetrin e do ta ndiejnë veten si në një familje të madhe.

 

Nesër, kur të rriten, do të krijojnë së bashku një skuadër futbolli, një grup muzikor ose valltar etj. Grupi i valltarëve “Bashkimi” i Bostonit ka në plan te punojë me nxënësit e shkollave shqipe për t’u mësuar të vegjëlve vallet e bukura shqiptare”. 

 

Më tej z Fatmir tha se shoqata BESA do t’u siguronte librat e shkollës , të cilat vijnë nga Shqipëria. Ai përmendi një “zakon” të ri të shkollës shqipe të

Bostonit:  nxënësit shqiptarë i ruajnë e i mbajnë pastër librat, e, kur nuk i përdorin më, i kthejnë prapë në shkollë për nxënësit që fillojnë sërish klasën. Ai nënvizoi se shkolla shqipe nuk u sherben vetëm nxënësve, por edhe prindërve. Ata njohin më mirë njeri-tjetrin dhe mund të ndihmojnë prindërit e rinj, të posaardhur, për të gjetur punë, shtëpi etj. Z Fatmir përfundoi: “ Ajo që na bashkon këtu, është gjuha jonë dhe e kaluara. Koha me kohën ndërron, kurse gjuha mbetet përjetë dhe ajo do të na bashkojë të gjithë.”

     

 Mbas shume shekujsh bashkë e më pas të ndarë, u bashkuam përsëri këtu në Amerikë e kudo në diasporë shqiptarët e të gjitha trojeve, duke ruajtur identitetin kombëtar.

               

Le të rrojë gjuha shqipe dhe shqiptaria sa të ketë njerëz mbi tokë!

Thursday, January 22, 2009

Bota e Gruas Shqiptare - AIDA DISMONDY - Recension

...EDHE DHEMBJA KA BUKURI
(Portretin Kam Varur në Muret e Kohës Petraq Kote. Tiranë: Globus R, 2008. fq.175)


E panjohura na krijon ngurrim dhe tundim e kur bëhet fjalë për një libër atyre u shtohet dhe skepticizmi e menjëherë lind pyetja: A do të mbetemi të kënaqur pasi të kemi lexuar librin? Këto përjetime m’u krijuan ditën, kur mora librin e poetit Petraq Kote ”Portretin kam varur në muret e kohës”. Krijimtarinë e Petraq Kotes nuk e njihja deri në momentin që hapa faqet e librit, kjo për arsyen e të qenit larg Shqipërisë. Leximi në faqen e parë i shënimit të autorit dedikuar „shqiptarëve që rikadastruan“ Shqipërinë në Perëndim, Kryeministrave dhe Presidentëve në çast më bëri të mendoj “jo një tjetër vëllim poetik i politizuar, le të shpresoj të mos jetë i mbushur me militantizëm apo patriotizëm të theksuar, i cilësisë së atyre librave që i lexon njëherë dhe pastaj vaken e futen në skutat e harresës”. Lënë mënjanë mëdyshjen dhe paragjykimin iu dhashë besimit se çdo libër që marr në dorë meriton të lexohet e të shikohet me objektivitet.
Titulli i librit tërheq vëmendjen dhe të lidh me kontekstin linear të vëzhgimeve që autori ka mbledhur përgjatë eksperiencës jetësore të tij si dhe sesi përjetesa ka mundur të krijojë karakterin e autorit, faktorë që kanë kushtëzuar e i janë nënshtruar njeri-tjetrit. Të zgjerojmë më tej nëntekstin e titullit, ndërsa faktori kohë dhe njeri qëndrojnë të ndërlidhur mes tyre, ku koha lë vulën e saj tek njeriu, i përket këtij të fundit të gjykojë ndodhitë e zhvilluara në kohë. Dhe këtë gjykim të tij Petraq Kote e sjell si pikën kryesore që karakterizon poezinë, për më tepër është mendim poetik intelektual që kërkon lexuesin e rrahur me letërsi pra, të kultivuar. Poezitë e vëllimit poetik “Portretin kam varur në muret e kohës“ lidhur me organizimin nuk i përmbahen ndonjë rregulli të caktuar. Më tej, poezitë duket se janë të kapura pas njëra tjetrës, jo në aspektin kuptimor por në atë diskursiv, si një bisedë në të cilën kalohet nga tema në temë. Këto ndërthuren me njëra tjetrën, zgjedhje që vihet në funksionim të katharsisit poetik, ku koha-pëlhurë përbëhet nga penjë të ndryshëm që jo patjetër i përmbahen një kodi të caktuar organizues por e karakterizon një organizim i brendshëm integral për të dhënë të plotë perceptimin e ngjarjeve të mbledhura gjatë udhëtimit kohor të autorit. Dhe është në këtë udhëtim kohor dhe historik të situatës shqiptare – brenda kufijve të Republikës së Shqipërisë dhe jashtë saj - në të cilin Kote bën bashkudhëtar lexuesin përfshirë në këtë mënyrë shtrirjen gjeo-fizike të shqiptarëve .
Kote nuk vihet, megjithatë, në rolin e guidës qëllimi kryesor i të cilit është të tërheqë lexuesin e të sajojë zbukurime të paqena, përkundrazi Kote është nga ata poetë që merr përsipër prezantimin e një tabloje të koklavitur, rrëqethëse dhe të mbushur plot dhembje. Po, duhet pranuar se qëllimi i Kotes është realiteti sikur ai e përjeton dhe jo vetëm kaq por ai e bën të qartë në vargun e tij se është një observues i vëmendshëm dhe lëvrues i sigurt i linguistikës që përdor, linguistike që e angazhon lexuesin e i jep zhdërvjelltësi vargut edhe e bën atë më efikas në efektin, që autori kërkon te krijojë. Për te ilustruar t’i kushtojmë pak vëmendje vargut “Ajri ende i pa pjekur në furrat e nxehta të motit akull,“ nga poezia “Shekulli hemeopatik“ dhe të përpiqemi ta dekonstruktojmë atë. Poeti me efektivitet ka sjellë në të njëjtin varg një pohim polemik dhe paradoksal. Të shpjegohem pak këtu, moti është i përbërë nga ajri, kjo është marrëdhënia literale midis këtyre dy komponentëve, dhe është temperatura e ajrit që përcakton motin, mirëpo poeti e shtyn perceptimin tonë të marrëdhënie ajër-mot dhe krijon një marrëdhënie të re, që ne si lexues jemi të detyruar ta pranojmë. Sipas poetit ajri duket se është komponent i shkëputur nga moti dhe ndodhet disi i futur brenda tij dhe të dy ekzistojnë në ekstreme temperaturash. Kjo ngjitje zbritje e temperaturave e ngrohtë/ e nxehtë/ e akullt krijon sensacionin për lexuesin se realiteti i ngjan një objekti gati të kriset, të pëlcasë e të shkërmoqet përpara tij sapo ajri të jetë ‘pjekur’. Ky është një nga shembujt e zotërimit linguistik që Kote posedon, poezia e tij është e mbushur me këtë lëvrim të artit të fjalës. Kote si poet arrin me një qëmtim të vargut të implementojë secilën nga situatat e të shprehë shqetësimin e dhembjen në shumë dimensione.
Përmenda më sipër se Kote na merr në një udhëtim historik, jo për t’iu referuar ndonjë idealizmi të momentit apo për të ringjallur lavdi të vjetra por për të tërhequr vëmendjen kah situatës bashkëkohore dhe asaj ç’mund të ndodhë në të ardhmen, sepse “tek e ardhmja ka të shkuar“ (Më këputet zëri). E thënë ndryshe nëse e ardhmja tërheq pas të shkuarën ka gjasa që ngjarje të së shkuarës të përsëriten në ndonjë variacion tjetër. në të ardhmen. Për rrjedhojë qëndron probabiliteti i riciklimit të së shkuarës duke çuar në kushtëzimin e së ardhmes nga e kaluara. Çuar një hap më tej qoftë e kaluara e zymtë, ajo nuk do të fshihet por do t’i ngjitet pas të ardhmes. Në momentin që e shkuara shfaqet atëherë ajo përcakton të tashmen. Kote hyn në poezinë e tij në transaksion me këtë të shkuar të tashme, kohë që përbën dy nga muret ku poeti do të varë portretin. Një kohë që i përngjan të gjallë-vdekurit pa varrosur, herë shfaqet si i sëmurë që lëngon qysh prej lindjes, herë pritur në gojën e varrimit qysh në ngjizje siç ngjet në poezinë “...prandaj ndërtoj veten ikonë sureale“:

“Miliona shtretër në djepet e sëmura,
varret në mitra
dhe veshjet në amnezë.“

(...prandaj ndërtoj veten ikonë sureale)

Në këtë mënyrë i shfaqet vendi i tij poetit, plogështi e dhembje prej sëmundjes së tej zgjatur. Më tej, poeti duhet të përballojë humbjen fizike të mëmëdheut dhe të gjejë psiqikisht forca për t’u marrë me Atdheun e çmendur, situata që shfaqen njëkohësisht “Nëna vdiq/ Atdheu u roit“ (“...ndoshta kam marrë formën e librit“) ku nëna është simbol i mëmëdheut. Më tutje po në këtë poezi poeti pohon se “Në liqenin e mëngjesit të syve të mi,/janë varri, lëvizjet e Brovnit, gërmadhat...“. Në fakt, ky varg e thellon më tej tablonë dëshpëruese. Autori evokon një gropë te stërmadhe që ka rreth vetes rrënojën shtrirë në trupin e një të çmenduri që shkakton tepër dhembje aq sa nuk mjaftojne lotët natyralë, por duhen shndërruar sytë në shtrat liqeni, ujët e tij mbase do të mjaftojë të gulçojnë dhembjen. Për të kuptuar gjendjen e atdheut të tij, poetit, i duhet angazhimi fizik dhe psikik, kaosit i duhet gjendur filli. Ç’të bëjë poeti? Përdor fjalën si i vetmi mjet për të ekzaminuar morinë e kadavrave shtrirë morgjeve, e përdor atë si lopatën e varrmihësit që hap gropa për të nxjerrë trupat e dekompozuar në siperfaqe, qofshin ato kocka a mbeturina të tjera që krimbat akoma s’kanë mundur të dekompozojnë. Këto angazhime poetike i ndeshim tek “Varri jetim”, “Më thërret krisma”,”Fitorja” , “Plagët e grave do të kenë rrënjë , pylli”,“Mishi i qytetit të morgut“, etj.
Kote përpilon me vargun e tij një aktakuze ndaj të pandehurit, që herë është krimineli hero, herë dhunuesi i vajzës, herë liturgjia e drejtuesve të shtetit apo servilizmi i tyre ndaj politikave perëndimore. Ndërkohe që përpilimi e bën atë të mbledh fakte, e shtyn edhe të reflektojë rreth etikës dhe parimeve të tij ‘E dija gabim’ thotë poeti Kote se “fitoret, liritë, pavarësitë, paqet / dilnin nga dyert e pushkëve“ (“Paqja e senatuar). Tani ato dalin nga tjetërkund, udhëhiqen nga koncepti shtet i vogël-shtet i madh, ku i madhi, duke përdorur ‚mendjen’ merr vendim për të voglin pa marrë parasysh gjakun e derdhur, dëshirën e një populli, varret e hapura e plagët që hapen sapo fillojnë të zënë pak kore. Kote është i përpiktë kur e krahason pavarësinë e Kosovës nënshkruar në „dyert e pasme te Senatit amerikan/ Bashkimit Evropian“ me„ mishin e prerë të lopëve të Libofshës“ (“Paqja e senatuar“) sepse sipas autorit nëse vula solli pavarësinë kurrësesi nuk garanton paqen. Historia po përsëritet në vendimet që janë marrë për shqiptarët, kohë tjetër, lojtarë të rinj e njejta lojë e vjetër, përshtypje që krijohet kur lexon:

“Pavarësia për çdo shqiptar në botë fillon më 28 nëntor 1912. Edhe për kosovarët, çamët, shqiptarët e Malit të zi, Shqiptarët e Maqedonisë.
Kjo e vërtetë e hidhur është turp i historisë moderne botërore.
Një komb nuk ka pesë pavarësi!”
(Pa sy ....Kamy)

Është një dashuri e sinqertë e poetit Petraq Kote për atdheun që e ngacmon të hedhë vargjet kundrejt padrejtësive, siç është fuqia e këtyre vargjeve kushtuar Gërdecit :

Dita, me gjatësinë e jetës,
duale
me portretin e Shqipërisë,
hedhur me penel - tonelatat e predhave,
mbi telajon e trishtimit,
grunduar me gjak;
varet në murin e sekondave.
(Oh, ç’ është një dhimbje/që shkelka dhimbjet e mia?!)

Nëse autori në titull i referohet në sipërfaqe portretit të tij personal është e qartë jo vetëm përmes këtyre vargjeve, por në tërësinë e leximit të vëllimit poetik se portreti që ravijëzohet, krijohet varg pas vargu, e merr formë është i fytyrës së Shqipërisë. Një portret që ndërrohet marramendesh me vërtik në çdo lëvizje sekonde dhe mund të bjerë nga çasti në çast nëse akrepi shkëputet. Ndjesia dhe fuqia e përjetimit të atdheut është e pa krahasueshme në vargun e poetit Petraq Kote. Atdheun ai vërtetë e quan të luajtur mendsh, por sado i “roitur” të jetë atdheu përsëri është vendlindja. Atdheut poeti Kote i kërkon “ta marrë përdorë si fëmija” në poezinë Rruga ters ndërkohë që në një poezi tjetër poeti e paraqet veten si vendlindja. Duke parë këtë lloj përkushtimi ndaj atdheut është e natyrshme që poeti të shqetësohet për të e t’i rrijë pranë. Eja, thotë poeti të vazhdojmë udhëtimin se ka dhe te bukura ky vendi im përveç dhembjes e absurditetit.
Ky vend i ka ofruar momentet më të hidhura e më të bukura të jetës. Dedikimi që ai i bën brezit të tij është mallëngjyes dhe prekës e i përket kujtimeve jo të këndshme. Ja si shprehet poeti në poezinë “Metamorfozë“: “Qeshje të shthurura rinie /të dënuara në vitin njëmijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e katër./“ Cigania me shporta “ e Maks Velos./Këmba protezë e arrestuar në Ballësh e Hekuran Qazimit.” Si ka mundësi që e qeshura të dënohet apo një këmbë proteze të arrestohet? Përdorja e së “qeshurës” dhe “këmbës” i përqasen lexuesit si simbole të një periudhe të mbarsur me dhunë, mosbesim dhe jetë të reja prerë në lulëzim si dhe thekson më tej absurditetin e saj. Megjithatë absurdja mban brenda gëzime: miqtë e shkollës së mesme, dashuritë e vjetra, ‘rrëzuar’ kushedi ku, martesën me njërën prej tyre vajzën, që ai e dashuron tërësisht, sepse është gruaja e tij e vetmja që nuk e ka braktisur (“Unë jam harta e gruas time“). Poetët i këndojnë jo vetëm dashurisë por dhe natyrës. Kote nuk i shpëton asaj, madje në shumë prej vargjeve kushtuar natyrës ai i përmbahet simetrisë së vargut, ato janë ritmike dhe rimojnë e tingëllojnë si poezi që dëshiron t’i marrësh me vete e t’i lexosh diku apo t’i vendosësh në kornizë e t’u referohesh sa herë që stinët fillojnë apo kur ato i lenë vendin njëra - tjetrës. Poezi si “Peisazhi“ dhe ”Një pikturë“ sjellin tek lexuesi stinët. Poeti përdor shkallëzimin ngjitës për të konfiguruar karakteristikat e secilës stine e ato kalojnë nga dekompozimi (Vjeshta), tek ngrirja (Dimri) e ripërtëritja (Pranvera) vera përshkruhet me anë të krahasimit si nusja që lan fytyrën tek ripërtëritja e pranverës.
Ky vëllim poetik nuk do të ishte i plotë pa portretin e poetit, poezi qe i ka dhëne dhe titullin vëllimit. Portreti i tij është një trinitet „i gjallë/hije/imazh“. Linjat e secilit prej tyre ndërlikohen dhe vendosen mbi njeri-tjetrin ose ndërrojnë vend, ku herë njeri ngrihet nga sfondi për të dalë në pah, herë tjetri. Është piktori kohë ai që ka vendosur bojërat dhe nuancat polikromatike në të. Koha, jo vetëm e ka krijuar portretin por dhe e ka futur atë brenda saj, megjithatë poeti del jashtë saj duke varur njërin nga portretet e tij në të. Duke qenë në kontroll e duke qëndruar gjithashtu brenda faktorit kohë. Paradoks për lexuesin por jo për poetin Kote, duket se paradoksalja i është bërë bashkudhëtare dhe nuk e shqetëson, çfarë e shqetëson atë është dhembja që krijohet brenda poetit, vënia në komunikim me lexuesin e ideve të tij, përdorimi i zgjuar i gjuhës së pasur, pa zgjatje, por shkurt dhe saktë për të sjellë mesazhin e poezisë së tij në hapësirën shqiptare. Vargut të Kotes nuk mund t’i shmangesh, loja e fjalëve të ndërtuara me teza-antiteza paraqet surpriza që përmbysin imazhin e sapo krijuar dhe të përplasin në realitetin banal. Autori arrin që përmes vargut të ngacmojë lexuesin që ky të jetë në mëdyshje për sa i përket perceptimit prej tij të situatave të referuara në tekst.
Poeti thotë Kote “Është një kambanë që bie,/ndalon./Ç’trishtim der’ largë që hedh pa prerë!“ (Poeti). Në të vërtetë poeti funksionon si tingull dhe zë që përhapet në hapësirat gjeografike por dhe mendore. Poeti Kote është nga ata poete që imponohet me dozën e realitetit që përçon poezia e tij, si lexues nuk mund të qëndrosh indiferent. Nëse në fillim të udhëtimit me poetin Kote po ecnim në territore të reja të nevojshme për letërsinë shqiptare por ndenjur paksa në distancë tek mbyll faqen e fundit sytë e lexuesit gjithashtu kanë „liqenet“ dhembja dhemb. Petraq Kotes në këtë vëllim poetik nëpërmjet përdorimit me mjeshtëri të fjalës është për lexuesin një udhërrëfyes në kthinat e përbalt-gjakura e rrugët e mbështjella me dhembje të Atdheut tonë, sepse Atdheu është i të gjithëve ne që i themi vetes shqiptarë, se dhe unë e ti jemi vendlindja e marrim një pjesë tës saj kudo që jemi. Më tej, poezia e Kotes është moderne në atë se përpiqet të lëvizë strukturat ekzistuese të shoqërisë. Poeti Petraq Kote është origjinal në këndvështrimin e tematikave të shumta që prezanton. Me këtë vëllim poetik Kote mund të quhet l’enfant terrible për nga forca tronditëse që përmban vargu i tij. Në konkluzion, poeti Kote kontribuon denjësisht në poezinë e re shqiptare duke iu shtuar atij grupi poetësh shqiptarë që meritojnë të studiohen dhe të mbahen në radarin si të studiuesve, ashtu dhe kritikëve letrarë.
© Dhjetor 17, 2008 Aida Dismondy