Sunday, September 10, 2006

Bota e Gruas Shqiptare- ALBANA MELYSHI LIFSCHIN -ESE

Albana Melyshi Lifschin


Shënime nga dita e 11 shtatorit 2001



Fort Polk, Luiziana, 11 Shtator, 2001.

Sot në mëngjes, lajmi i goditjes së Qëndrës Tregëtare Botërore në Menhet’n me avione të grabitur nga terroristët shokoi gjithë bazën ushtarake në Fort Polk. E tronditur vrapova ne zyrën e Radios "Ballkan". Tek dera u përplasa me Dorothin, bosen time e cila në vënd te "mirëmëngjesit'' të zakonshëm, më pyeti: -A fole me familjen në Nju Jork? A jane të gjithe mirë ? Por ishte e pamundur të lidhesha me Nju Jorkun atë çast. Telefonat e bazës ushtarake ishin të gjithë të zënë nga njujorkasit.-Kam nevoje të kontrolloj e-mailin, ndoshta kam ndonje mesazh nga im shoq, thashë me nxitim. Ajo më vuri dorën në sup. -Shpresoj që gjithshka të jetë OK, dhe shtoi - Në tavolinë të kam lënë lajmet e sotme, të lutem merru me to. Sot, para regjistrimit të intervistave do japim lajmin e sulmit terrorist mbi Nju Jork e Pentagon.Këtu në bazën ushtarake amerikane të Fort Polkut, në Luiziana, ndodhem vetëm për një muaj. Baza përgatit trupat amerikane që shkojnë në Kosovë për ruajtjen e paqes. Oficerët amerikanë veprojnë në kushte të përafërta me ato që do të gjejnë në Kosovë. Janë "ndërtuar" fshatra identike me emrat e tyre origjinal. Improvizohen situata të ngjashme me ato të jetës në Kosovë në periudhën e tanishme politike. Serioziteti me të cilin trajnohen ushtarët amerikane për t'i përballuar me sukses këto situata është i mahnitshëm. Ata janë të rinj, prindër, djem nënash që shkojnë në Kosovë e Maqedoni për të ruajtur paqen e qetësinë në rajon. Sot Amerika humbi qetësinë në shtëpinë e vet. Ne, të Nju Jorkut, jemi edhe më të tronditur se të tjerët, pasi kjo gjëmë që ndodhi pak më parë, lidhet me jetën e familjeve tona, miqve e shokëve që njohim e që punojnë në Menhet’n.. Një vit më parë unë punoja vetëm dy blloqe larg WTC. Rrimë me zemër të ngrirë e shpresojmë të mos dëgjojmë të padëgjuarën, emra të afërmish, të njohurish, të cilët duke filluar nga dita e nesërme do të na mungojnë në jetën tonë. Midis tyre ka ndoshta edhe viktima të rastit, emigrantë të rinj që erdhën në Amerikë për një jetë më të mirë dhe terrorizmi u mori jetën mu në zemër të saj.Mendimi më shkon edhe tek këta ushtarë amerikanë, që dërgohen nëpër botë, mijra mile larg për të stabilizuar paqen, për drejtësi e demokraci dhe dora terroriste u godet familjet e tyre këtu, në vëndin e tyre.
U lehtësova kur pashë mesazhin e tim shoqi. Më thosh se qe bllokuar në Menhet’n dhe nuk ishte i sigurtë se kur do të bëhej e mundur të kthehej në shtëpi në Bruklin. U ula për të parë lajmet e CNN në internet. Sulmi terrorist qe shoqëruar me foto sipas fazave të ngjarjes. Ndjeva lotët të më shkisnin në mënyrë të pavetëdishme. Të gjithë kemi ardhur në këtë vend për një jetë më të mirë. Amerika na e dha këtë mundësi. Ajo u dha strehë të gjithë atyre që kishin nevojën e saj. Amerika po shkon edhe në shtëpitë tona, në vëndet ku kemi lindur për të ndihmuar për paqe e demokraci dhe ja, terrorristët ia ngulin thikën mu në zemër. Kjo është çfarë ndjejmë ne banorët e rinj të Amerikës sot. Shtetet, qeveritë, grupet ekstremiste mund të kenë ndjenja urrejtje për njëri tjetrin, por ështe jashtë çdo llogjike të vrasësh qindra e mijëra të pafajshëm. Fotografi terroristësh islamikë me armët e ngritura lart duke festuar "fitoren" kriminale, të paraqitura në internet nga CNN.
Na duhet të mbledhim veten, e puna vazhdon si më parë. Në studion e radios hyn kapiteni Linsi i cili sëshpejti do shkojë në Maqedoni në përbërje të KFOR-it. Me kufjet në vesh është tërësisht i përqëndruar në përgjigjet e pyetjeve.Pas pyetjes standarde " Cili është qëllimi i misionit tuaj ne Maqedoni" e pyes se si e priti gruaja e tij lajmin e nisjes të të shoqit në Ballkan. Ai buzëqesh e përgjigjet, se, si në çdo familje, largimi nuk sjell ndonjë kënaqësi, por sigurisht gruaja e mbështet misionin e tij totalisht. Eshtë detyra ime, për të siguruar paqe e qetësi në Ballkan dhe unë duhet ta bëj atë ashtu siç duhet." Radioja është ushtarake dhe nëpërmjet këtyre intervistave që ndiqen me monitor nga superiorët, të intervistuarit kalojnë provimin e trajnimit të tyre në Fort Polk. Zakonisht në këto raste ne i presim dhe tek dalin nga zyra, i pyesim miqësisht si dolën, por sot askush s'e ka mendjen. Të gjithë në zyra ndjekin lajmet e CNN. Presidenti paska qënë në Luiziana, para fluturimit në Nebraska. Në ekran intervista dëshmitarësh që kanë parë me sytë e tyre ngjarjen, shembjen e kullave të WTC. Përsëri fotografi nga ngjarja. Zërat e spikereve të lajmeve kanë mbushur zyrat. Më rrëngjethet mishi.Thirrje njerëzish në panik. Komentet e krahasojne ngjarjen me goditjen e Pearl Harborit që shënoi hyrjen e Amerikës në Luftën e Dyte Botërore. Edhe kjo është e mjaftueshme për ta futur Amerikën në lufte të imponuar.Dikush hyn në zyrë e thotë që një vajzë shqiptare, gjatë stërvitjes, pas marrjes se lajmit, kishte zënë të qajë me të madhe: Tre vetë nga familja e saj punonin në Qëndrën Tregëtare Botërore. Nuk dihet fati i tyre. Heshtje varri. Mendja më shkon tek të njohurit e mi që punojnë në Menhet’n. Kush tjetër punonte tek Kullat madhështore ? Koha e shkuar e kësaj folje është drithëruese.

Albana Melyshi Lifschin Fort Polk, Luiziana, 11 shtator 2001
( Nxjerrë nga libri "Udhëtim në Historinë Amerikane")

E dashur Albana ..Te faleminderit per kete rrefim ,qe kurre nuk ka per tu shlyer nga kujtesa ee kombit amerikan ,por edhe e botes...Une kur ndodhi ,me 11 > shtator ,isha ne Shqiperi se ato dite me vdiq babi...Sa here vjen 11 shtatori ,pervec te ndjerin baba ,qe e kisha shume te mire ,kujtoj ,por kujtoj gjithashtu se si miti i botes ,Amerika e paprekeshme ,sulmohet nga terrorizmi .Ishte vertet tragjike dhe e dhimbshme..Respect dhe dhimbje per ata qe humben ne kete dite tragjedie ...Me dhimbje Monda Moisiu..,CT
***************************************************************************

Ngjarjet e 9/11 jane te ngulitura tek te gjithe ne. Ma do mendja se cdo kush e kujton me saktesi absolute ku ishin cfare po benin si e moren lajmin dhe shprehjen ne fytyrat e cdo njeriu qe kishte prane.Ne ate kohe ndodhesha ne katin e 11 te GM Building ne Detroit, u urdheruam te evakuonim ndertesen, teksa te gjithe shkonim drejt parkingut zhurmen e zakonshme te bisedave e kishte zevendsuar nje heshtj varri....

Faleminderit, Aida,Michigan...

No comments: