Mozaik ndjenjash ne vargje
Poezi nga Merita Bajraktari McCormack, New York
Adriatik
Merre puhizën e lehtë që më përkedhel
Bregut shkëmbor këtë mbrëmje vere
Përcille mes erës,stuhish a rrymash
Përcille drejt bregut që më njeh
Bashkë me flladin e lehtë
Coji dhe pikëzat e ujit që bart me vete
lag me to fytyrën e Mëmës...
tregoji i vijnë nga bija e mërguar
plot me mall e dashuri dërguar....
Bregdetit Dalmat 12 Gusht 2004—
Mall
Mallin për ty me kujdes e ruaj
në shpirtin tim një qoshe tënden ke
vec sot, malli si zjarr më dogji
te kërkoj tani mes vargjesh, ku je?
Zgjohu!!
Zgjohu....erdhi agimi
shih rrezen e diellit
nga dritarja të përshëndet
s'e ndjen zërin e zogut
nga dega frut-ngarkuar të thërret
zgohu s'e ndjen flladin?
që perden të përkund
mbi ballë doren e largët
mes endrrës tënde sikur sjell
qe ëmbël , si dorë e nënës
që ke larg, bukur, të përkëdhel..
zgjohu packa se ëndrra
të mban në krahët e saj
zgjohu ka ardhur ditë e re
me shpresë, më e mirë se dje
zgjohu, piklat e vesës
të prekësh tek vrapon barit te gjelbër
fundin e ëndrrës ja lerë harresës..
zgjohu, preke natyrën që qesh
lexo keto vargje, gëzim të ndjesh
zgjohu, ëmbël ,qesh si vetë drita
e ndjen, mes vargjesh zgjimin tënd prita
TI, DO PUTHJE PAMBARIM
Tim biri…
Të putha njëherë, dy, tre
Në ballë, në faqe, në sy,
Ja dhe një në gushë,
Ashtu si të pëlqen ty!
Syçkat e bukura mban mbyllur prapë.
"Zgjohu,të them!", bën sikur s'dëgjon...
E di, ke frike, syrin po ta hapësh,
Puthjet e Nënës, mos i ndalon...
8 prill 2001
Pse?
Në cilin paralel je?
Në c'dreq meridian jam?
Pse, pse, pyes pambarim
Po pse kaq larg të kam?
In absentia….per Ty
nëse vij dhe syri yt s'më sheh
trëndafil përmbi qepallë do të të ri
nëse syri yt i mbyllur fle
në ëndrrën tënde do të vi
ngadalë do të të përkund si fëmijën
me perkëdhelje do të zgjoj
në ëndërr ndoshta do më gjesh
dhe unë mes ëndrrash të kërkoj
por qepalla jote tashme është rënduar
s'po hapet me të më kundrojë
malli, po vargëzon në metaforë
zemra kot shpreson ty të të zgjojë.
15 mars 2005
Mos Lulen kam per Motër?
Sot pashë një lule me kryet poshtë
Shpejt ujë i dhashë dhe mbeta në pritje.
Mos ishte këputur nga era e fortë,
Petaleçelura bukur, në rritje ?!
Oh,ç'më dhëmbi lulja,kjo kryeulura!
Në shtat çudi nuk kish të këputur!
Por, kur i pashë rrënjet e shkulura,
Tek unë u ngrit një dhëmbje e strukur.
Mos, si kjo lule jam edhe vetë,
Me rrënjët shkulur nga erë mërgimi?!
S'më bëhet dot,Atdhe i vërtetë
Ky dhé i huaj me udhë harrimi!...
2 shkurt 2002
Ty
Të thashë të fola
Të shkrova…
Ti, hesht!
Të them, të flas,
Të shkruaj
Ti komplet në tjetër planet
Të jap, të dhuroj
Të fal….
S'më thonë kot
"The ... poet."
Ti me flet shqip!
Djalit tim E.F Arbër
Ditlindjen sot ke i dashur,
vogëlush me sy të shkruar
ke gjithe ditën që qesh e lot
gjithkujt i kërkon të thotë :"Gëzuar"
Lumturohesh zemër e vogël
kur vitet e tua numëron
një dy tre, një dy tre
ja dhe në shqip, ti kurrë s'harron!
Sikur ta ndjejë ëngjëlli i vogël
që shqipja e tij më ngazëllen
m'i përsërit me gojë e duar
se sa u rrit po më rrëfen!
Bekuar qofsh o yll e dritë,
gjuhën e nënës mos e harrosh
me shpirt e zemër Nëna të uron
ditlindjen dhe shqipen t'i gezosh!
25 Shtator 2002
Sonte
Ah , sonte, sonte
Unë, jam
Pentagram në metaforë
TI, ti je celsi
Je nota, melodia
Zemra ime: fleta e bardhë
Instrumenti: Mirësia…
Të voglës sime tek e shoh në pjano...
Vajzës sime
Ti nuk e di e vogla imesi fluturoj unë..
ti nuk e di në cilin qiell më con
kur prej gishtash fëminore
fluturim të lirë cajkovskian improvizon
ti nuk e di e dashur , ëngjëllore
ëndrrën e cartur vjete të shkuar
jetën e thyer të një adoleshenteje
ti mes gishtash në pjano je duke gjalluar
ti e ëmbël drite e nënës
që pjanon ke si unë dikur
kukllat "prej lecke" qepur
ti nuk e di në c'ëndrra
jam zgjuar e sërish kam fjetur
deri sot e vogla ime,kur lotuar
të shoh si kokën ul gjithë naze
e qesh me mua që kam perflakur duart
prej duartrokitjes së madhe
ti qesh me mua, pastaj
nderon e sheh auditorin
e vogël e nënës s'kish dhuratë
më të bukur për përvjetorin!
11 Prill 2004
Prelud poetit…
Shpirti I poetit
Mjekuar nga vargu
Dënuar nga loti
Vargu : mjeti
Shpëtimi : poezia
Subjekti: askush
Mbase vetja
Mbase bota
Rima fjala
Nuk deshifrohet
Kurrë Poeti
Mëkat I botës
Fjala e shkruar
Poeti shpesh
Mbetur rrugësh
Histori harruar
Poeti shkreptima
Dielli që djeg
Fjala që shkruhet
Vargu që rimon
Poeti vetëm
Shtëpi rënuar
Fjala e shkruar
Vargu rimuar
Poeti jeton
Stuhia që shkon
Fjalën që shëron
Zemrën që vajton
Mishëron poeti
Dje dhe sot
Ai ashtu mbeti
I varfër,
Pa u qarë
Paraja nuk ngre poezi
Jetën e jeton
Poeti
Sheh bukuri
Erën që fryn
Fllad është fjala
Poeti kuvendon
Me fjalën e lirë
Fllad a suferinë
Poeti mbeti
I lirë
Fjala e shkruar
Syri I lotuar
Zemra e plagosur
Poeti
Merakosur
Shpesh lot kristal
Por zemra fal
Ja cështë poeti
Fjalë që shkruan
Per zemra që duan
Dhe mbeti…
I lirë,shërues,
I dashur I ëmbël
I mirë poeti…
No comments:
Post a Comment