Sunday, January 21, 2007

Bota e Gruas Shqiptare-KEZE(KOZETA) ZYLO-POEZI

Kutia magjike

Të kuptoj i shtrenjti im, të kuptoj,
Dhe kur nuk shkruan i ke thënë të gjitha,
Se kumtin sekret në vetminë tënde,
E ka tradhëtuar mjekrra, mbushur me thinja.
Nëse një ditë vargjet lotojnë,
Si syri i një shenjtoreje, kur lutesh përbri,
Të virgjëra janë mbarsur, me dashurinë hyjnore,
Si kristale në kuti mblidhi dhe fshehi në gji.
Kjo kuti magjike mbase në muze do vihet,
Ku bebëzat e lodhura pikuan lotin,
Drithërrimat e shpirtit aty u fshehën,
Kështu ka ndodhur qysh me qëmotin!

Manhattan, 2004

Babëzia

Jeta është një lojë, mikja ime,
Ku te babëziturit të hanë të gjallë,
Une dhe ti viktima të kohës,
Ndeshemi me bajlozët, si në përrallë.
Mund të pyesësh mikja ime,
Sa shumë janë shtuar bajlozët?
I pjell mitra e përdalë, motër,
Mbarsur tinezisht nga Tutoret!
Duartrokitje te nxehta moren bajlozet,
Edhe pse vaginen shqyen ne skenë,
Ështe arti “modern” motër,
I njerëzve me dy krenë!

Manhattan, 2002

Në bebëzën e syrit tim

Sonte m’u zgjuan kujtimet,
Nën uverturën e shiut,
Nga zhurma e pikave në qelq,
Që trokasin pa marr leje,
Si çapitje hapash, njeriu!
Në bebëzen e syrit tim,
Fotografitë e shumta,
I shoh përherë,
Nuk lagen as nga pikat e shiut,
As nga lotët e mi te kaltër,
Me to jeta ime
Kthehet në një pranverë!

Brooklyn, 1999

Nga më gjete?

Nga më gjete që më fole,
Me kaq mall e dashuri,
Kishim kohë, që s’ishim parë,
Unë e ikura, në rini!
Bej të flas e s’të flas dot,
Loti buzën e pengon,
Ma nxjerr zërin me ca teka,
Pas kaq vitesh, nuk duron!
E kafshoj buzën e kripur,
Të të them dhe unë dy fjalë,
Ja ashtu në gjysma-gjysma,
Shqiptova emrin tënd të rrallë!

Bisede telefonike
me shoqen time pas 25 vjetesh
Staten Island, 1 Korrik, 2006

No comments: