Wednesday, May 02, 2007

A.Tanushi - RREFIM VETVETES - MEDITIM

Të qënurit pjesë e një shoqërie plot paragjykime, shpeshherë nuk kemi kurajën të zbulojmë para të tjerëve, qoftë edhe ndaj nënës, të ashtuquajturë n anë të errët. Me ritmin e ditëve ecën edhe një dëshirë që të çon drejt një vetërrëfimi. Shoqëri të ndryshme e kanë zgjidhur në një mënyre tjetër, sa religjioze aq edhe njerëzore, ku një grup njerëzish, tërësisht të panjohur me njëri-tjetrin, rrëfejnë historitë e tyre, sa të ngjashme aq edhe të ndryshme, si vetë karakteret njerëzore. Brenda një dhome të errët, ku fytyrat marrin pamjen e siluetave gri, historitë njerëzore gdhenden njëra pas tjetrës, në muret rrethues të ‘odeonit’ rrëfimtar. Kështu njeriu ndjen çlirim, aq më tepër kur dëgjon histori të ngjashme me tënden, beson se nuk je i vetëm.
Duke përqafuar që në vogëli idenë e pavarësisë, shpeshherë në udhëkryqe zgjedhim shtegun e gabuar dhe ashtu të verbër rendim drejt një ‘lirie’, pa ia ditur as kuptimin termit. Rrëzohemi dhe nga ndrojtja e ndonjë qortimi të mundshëm ngrihemi të heshtur, me plagën që pikon dhe përpiqemi të fshijmë çdo shenjë gjaku të mbetur. Vraga të tilla kristalizohen me shpejtësinë e erës në memorien trunore dhe marrin formën e mjegullnajës me konturet e një pikëpyetjeje. Sa më shumë rendim drejt ideve tona, aq më shumë rritet kurba e rënieve dhe në përpjesëtim të drejtë me të edhe humnera që krijojmë me njerëzit më të afërt. Derisa vjen një ditë dhe dialogu prindër-fëmijë ngushtohet në dy fraza, përshëndetje dhe mirupafshim. Refreni i ngjarjeve ‘të pahijshme’ në sytë e nënës, ligjërohet në heshtje, në mbrëmjen e vonë, teksa flasim me hënën. Në monologun e gjatë sa vetë ditët e jetës, zgjohen odat e errëta dhe na duket se jeta është e mbushur me dështime dhe pesimizmi njom qepallat e rënduara. Kjo jo për faktin se në jetë nuk ndodhin gjëra që të bëjnë të lumtur. Madje besimi se jeta është e mbushur më shumë me ndodhi të bukura, sesa me ato të hidhurat, kalon çdo kufi njerëzor, por se gjërat që na dhembin lenë gjurmë dhe zvarriten rreth nesh si anakondë.
Ka një ndryshim mes çasteve të këndshme dhe atyre të dhimbshme. Përjetimi dhe memorizimi. Të bukurat përjetohen në shpirt e zemër, ndërsa, ato të hidhurat si shtresë lymore zënë hapësirën e rrudhave të trurit, për të ngelur aty, të patrazuara. Kjo është dhe arsyeja pse e njëjta lëngesë na vret me qindra herë, çdo moment kur hedhim vështrimin drejt vetvetes.
Skutat e errëta të ditëve që marrin kohën e shkuar, vegjetojnë në pritje të një shtytësi që të dalin nga guaska ku qëndrojnë prej kohësh. Sa më shumë kalon koha aq më tepër vështirësohet rrëfimi. Kthehet në një film që shfaqet vetëm në ekranin e vetvetes, pa më të voglin shikues.
Duke e brumosur, që kërthi, me frikën e gabimit dhe praninë e ‘mos-it’, padashur, indirekt ushqehet dhe ndrojtja e të shprehurit të të ashtuquajturave ‘zgjedhje jo të dobishme në jetë’. Kështu ushqehet heshtja, nga e cila vështirë të dalësh dhe vjen një moment që bota duket tërësisht e huaj dhe papritur e ndjen veten të vetmuar, mes njerëzve.

Argentina Tanushi, Tiranë

No comments: