Wednesday, September 12, 2007

Bota e Gruas Shqiptare-FLORA DURMISHI-Radio Dokumentar




... Nuk është fjala vetëm për uri buke, egziston dhe uria për dashuri, i zhveshur nuk do të thotë të jesh pa një copë veshje por do të thotë të jesh pa dinjitetin njerëzor! Të jesh pa strehë nuk do të thotë të mos kesh një shtëpi të vogël ku të jetosh por domethënë të jesh i braktisur nga të gjithë, i pa dëshiruar, i pa dashur, i lënë pasdore, ku njeriu të ketë harruar cfarë do me thënë dashuria njerëzore, cfarë është gëzimi njerëzor, cfarë është përqafimi njerëzor...”



Ja kjo ishte një pjesë e filozofisë jetësore me të cilën E Lumja Nëna Terezë preku thellë në ndërgjegjen e njerëzimit dhe i dha vulë të fuqishme shekullit të 20-të.
Nga Shkupi deri në Kalkutë, një biografi në të cilën, cdo ditë e saj ishte në shërbim të njeriut, të njerëzimit, prandaj edhe e quajtwn: Nëna e Dashurisë, Fenomen i Mirësisë, Legjendë e Dashurisë dhe Respektit...




Gongje Bojaxhiu u lind në Shkup më 27 gusht 1910 nga prindërit Kolë dhe Drane Bojaxhiu nga Prizreni. Shkollën fillore, katër klasët e para i kreu në Famullinë e Zemrës së Krishtit ndërsa klasët tjera dhe gjimnazin në shkollat shtetërore. Gongjia ishte vetëm 8 vjece kur i vdic i ati mirëpo nuk e harroi kurrë porosinë e tij: “Gongje, egoizmi është sëmundje shpirtërore që të bën rob dhe që nuk të lë të jetosh e as t’u shërbesh të tjerëve.” Në moshën 12 vjecare Gongjia ndjeu thirrjen e parë për të ndihmuar të tjerët. Biografi më i mirë, të paktën në mesin e shqiptarëve, don Lush Gjergji, për këtë periudhë të jetës së Gonxhe Bojaxhiut, rrëfen: Është i rëndësishëm kërkimi i saj prej moshës 12 deri në 18 vjet. Ajo nuk u nis ashtu me hamendje por “luftoi” me Zotin, kërkonte vullnesen e Zotit. Shpesh herë mendonte se është liruar prej kësaj thirrjeje mirëpo përfundimisht më 14 gusht të vitit 1928 te Zoja e Letnicës vendosi” dua të bëhem motër misionare që t’u shërbej të varfërve të botës”.




Po si fëmijë cfarë ishte, cka e karakterizonte Gongje Bojaxhiun? Ishte e shoqërueshme me të gjithë, kishte talent për muzikë, për vallëzim, për poezi por mbi të gjitha ishte e gatshme që t’i ndihmojë cdo kujt e para dhe më e dalluara në shkollë megjithatë e shoqërueshme me të gjithë dhe ishte e lindur për të organizuar, thotë don Lushi. Për këtë periudhë të jetës së Gongjes na ka lënë rrëfimin me kujtime edhe bashkëmoshatari dhe kusheriri i saj, kompozitori, Lorenc Antoni: “Ka pasur një zë të hatashëm, ka qenë një soprano e mrekullueshme...”
Madje Lorenc Antoni ka komponuar një këngë vetëm për vokalin e Gongjes. Interpretimi origjinal i këngës nuk është ruajtur si edhe shumë gjëra të tjera me vlerë dhe kjo është për të ardhur keq.




Gongjia ishte fëmija i tretë i qiftit Bojaxhiu. Dranja pas vdekjes së të shoqit u detyrua të punonte, edukonte dhe të mbante familjen vetë. Këtë e arriti duke pasur besim të palëkundur te Zoti. Vëllai Lazri studioi Akademinë Ushtarake. Ai jetoi dhe vdic në Palermo të Italisë. Motra Ageja me nënë Dranen shkuan në Shqipëri ku edhe kaluan pjesën tjetër të jetës. Ageja punoi në Radio Tirana, si folëse. Vdic në vitin 1974 pak pas vdekjes së nënë Dranës. Ato nuk u takuan më kurrë me Gongjen që nga ndarja në Shkup.




T’i kthehemi kohës kur Gongjia mori vendimin e prerë, do të niset në misione edhe atë në Indi. Po pse pikërisht në Indi, kush e frymëzoi dhe si e kuptoi që India kishte nevojë për misionare-lind pashmangshëm pyetja. “ Sepse në atë kohë, famullitarë dhe meshtarë katolikë shqiptarë ishin jezuitët dhe Jezuitët e kishin një mision pikërisht në Kalkutë dhe Bengali. Prandaj ajo si e re pati dëgjuar drejtëpërdrejtë prej misionarëve dhe pati lexuar në revista për këto ngjarje-shpjegon don Lushi.




Gongjia u ndikua shumë nga arqipeshkvi i Shkupit Lazër Mjedja, vëllai i poetit Ndre Mjedja poezinë e të cilit Gongjia e pëlqente shumë. Ishte viti 1928 kur ajo po hidhej guximshëm në shërbim të Zotit dhe njeriut.




Erdhi momenti kur duhej ta linte vendlindjen e saj, Shkupin. Kjo gjë për askend nuk është e lehtë e sigurisht nuk do të ketë qenë e lehtë as për Gongjen. Por kështu e donte misioni që i kishte caktuar vetes. Ambienti mbase ishte i vogël për idetë e saj të mëdha. Në përcjellje miqtë e saj kishin përgatitur një program lamtumirës. Ishte kjo një shenjë e dashurisë dhe mirënjohjes. Ja si e kujton Lorenc Antoni atë mbrëmje:” Në mbrëmje shkuam disa shokë ta takojmë dhe kemi këndu këngë të ndryshme. Gongjia këndoi dy këngë. Kemi ndejtë deri vonë natën. Unë nxorra biletat për të.” Pra ditën e 26 shtatorit, 1928, Gongjia e la Shkupin por me vete mori një thesar të madh kujtimesh, porosish e mësimesh nga tradita kombëtare ,që i përdori tërë jetën e saj në shërbim të njerëzimit. Stacioni i saj i parë ishte Zagrebi pastaj nga Zagrbi për në Dublin e më 13 tetor nga Dublini për në Kalkutë. Ishte një udhëtim shumë i lodhshëm me tren dhe anije. Gjatë udhëtimit shkroi poezinë” Lamtumirë” të cilën më vonë, Lorenc Antoni, mbase nuk e pati të vështirë ta shndërojë në këngë edhe për shkak të miqësisë nga fëmijëria.
Jo vetëm gjatë atij udhëtimi por edhe gjatë gjithë jetës Gongjen e përcillte porosia e nënë Dranës:” Gongje e dashur kur bënë dicka ose bëje mirë dhe me dashuri ose mos e bëj fare”. Dhe ishte pikërisht kjo dashuri që e udhëhoqi drejt misioneve.




Tre muajt e parë qëndroi afër Dublinit për të mësuar anglishten dhe për t’u njohur me jetën misionare. Këtu edhe filloi periudhën e përgatitjes, periudhën e kandidimit për t’u bërë murgeshë. Po këtu Gongjia mori emrin e ri, Maria Tereza. Sapo mbërriu në Indi para saj i shfaq një realitet edhe më i pamëshirshëm se sa e kish menduar. Si do t’i ndihmoj, cka do të mund të bëj për këta njerëz që po vdesin rrugëve të Kalkutës? Ishin këto pyetje të cilave nuk u jepte dot përgjigje.




Po në funksion të përgatitjes sa më të mirë për mision atë e priste edhe një detyrë tjetër . Në Darjeling duhej të bënte noviciatin. Këtu qëndroi dy vjet. 23 maji i vitit 1931 për të ishte ditë e vecantë dhe e lumtur, kishte kaluar fazën e parë të rishtarisë. Tani ishte një hap më afër realizimit të ëndërrës së saj. Puna e parë pas kësaj faze ishte puna si motër medicinale, e ndihmës dhe e përkujdesjes për të sëmurët. Në kuadër të aktiviteteve të kuvendit “Motrat e Loretos” Gongjia, tani Maria Tereza, vazhdoi studimet për vete dhe mbante mësim me të rinjtë. Për të kjo ishte fare e lehtë sepse e kishte përvojën nga Shkupi. Përvec mbajtjes së mësimit ajo duhej të përkujdesej edhe për të sëmurët dhe t’u ndihmonte motrave tjera në studime. Më 1936 motër Terezës i dhanë një detyrë tjetër: shkollën e Shën Terezës në Kalkutë në të cilën i kaloi plotë 17 vjet. Fëmijët u lidhën shumë me të. Nga 52 fëmijë sa gjeti në fillim shumë shpejt u bënë 300. Asaj i pëlqente shumë të mësonte këta fëmijë të varfër, të braktisur e jetimë të cilëve u mungonin gjërat elementare për jetë. Duke i dashur ajo fitoi dashurinë e tyre. Nga dashuria për të, nxënësit filluan ta thërrisnin Nëna Terezë. Më 24 maj 1937, Tereze Bojaxhiu, u avancua nga statusi i kushteve të përkohshme në kushte të përjetshme. Tani ajo ishte e lirë të vepronte, shërbente , kishte më shumë mundësi e kompetenca për t’i zbatuar projektet e saj. Më pas Nëna Terezë ndjeu thirrjen e dytë: të lë Kuvendin e Loretos që të ishte në gjendje t’i përkushtohej plotësisht me tërë jetën të varfërve dhe gjithë atyre njerëzve që ishin goditur pa mëshirshëm nga sëmundjet si: malarija, gërbula dhe kolera. Dhe vendosi të lë Kuvendin që të jetë në gjendje të lirë të ndihmojë të varfërit ndër më të varfërit. Me një sari prej një dollari dhe vetëm me 5 rupi në xhep doli nëpër rrugët e Kalkutës dhe edhe ato ia dha një lypsi. Vendosi të jetojë me ta dhe në mesin e tyre.




Njerëz të shtrirë në rrugë, të padëshirueshëm, të pa dashur, të uritur.” (Nënë Tereza)
Fillimisht Nënë Tereza mund të u ofronte vetëm lutje dhe dashuri, asgjë tjetër. Këshilla e Nënë Dranës i sillej nëpër kokë: “Bija ime, kurrë mos shiko mbrapa, vetëm përpara, kurrë mos u dorëzo!”
Ky ishte ai moment i madh kur ajo tregohet si personalitet i fuqishëm përmasave gjigante. Kishte besim te Zoti, kur nisi nga zero projektin e madh i cili pastaj pak nga pak si ortek i fuqishëm vuri në lëvizje tërë ndërgjegjen e njerëzimit.
Ajo u identifikua me njerëzit më të varfër që të mund të ishte mësuese, nënë dhe cdo gjë për ta. Ajo nuk fliste shumë por punonte shumë. Ua lehtësonte vuajtjet atyre që vuanin. Dashuri kishte për të gjithë. Ajo tanimë nuk ishte vetëm. Vajza e parë që iu bashkua ishte një e pasur. Dhe këtë Nënë Tereza e kuptoi si dhuratë nga qielli. Menjëherë pas saj edhe vajza të tjera, ish studente të Nënë Terezës iu bashkuan misionit të mësueses së tyre. Kështu më 7 tetor 1950 Nëna Tereze themeloi bashkësinë me emrin “Misionaret e Dashurisë”. Në vitin 1965, kjo bashkësi u ngrit në kongregatë papnore. Atë kohë kishte 300 misionare të dashurisë. Dhe të gjitha këto ndihmonin të varfërit dhe të sëmurët, të braktisurit para vdekjes, fëmijët dhe bonjakët e braktisur, të gërbulurit... e të ndihmosh këta njerëz duhet vetë ta përjetosh këtë, dhe mund t’u ndihmohet shumë, mjafton të kesh zemër të pastër.“Duhet të kemi zemrën e pastër që të kuptojmë sepse zemra e pastër mund të dashurojë. Ne duhet t’ua zgjasim dorën që t’u shërbejmë ndërsa me zemër t’i duam për atë ditë kur të varfërit të jenë shpresë e shpëtimit të njerëzimit. Ne do të gjykohemi në bazë të asaj që bëjmë për ta”





Përmes bashkësisë “Misionaret e Dashurisë” tashmë kishte filluar të funksionojë dhe të japë rezultate ideja e madhe e Nënës Terezes. Më 1955 hapi shtëpinë për fëmijë të braktisur. Ajo urdhëroi të sillen brenda të gjithë fëmijët e braktisur pa dallim dhe u siguroi strehë, ushqim e dashuri, të cilën gjë ata nuk e kishin përjetuar kurrë.
Por ka edhe shumë kategori të tjera që presin dorën e dikujt për ndihmë. Sa shumë njerëz jetojnë dhe vdesin nëpër rrugët e Kalkutës! Të tillë Nëna Tereze sheh në cdo hap.Kjo e brengosë shumë. Cfarë të bëjë? Nuk e pranon dot këtë realitet. Dhe cfarë bëri? Shkoi në tempullin e hyjneshës Kali. Mori një nga kthinat e tempullit dhe për 24 orë e mbushi me njerëz që ishin buzë vdekjes. Këtë shtëpi Nëna Terezë e quajti Nirmal Hirdaj. Këtu thoshte ajo askush nuk vdes i dëshpëruar, i uritur dhe pa dashuri.
Nëna Terezë hapi shumë spitale për ta. Gjithashtu u angazhua dhe hapi një fashat për të gërbulurit me emrin “Shanti Nagar”(Qyteti i Paqës) ku ata do të mund të jetonin dhe punonin, të krijonin familjet e tyre. Thjesht ku do të mund të bënin një jetë normale. “ Asnjë nga pacientët tanë nuk ka vdekur i dëshpëruar. U kemi mundësuar vdekje të bukur. Ne i ndihmojmë ata të vdesin në paqe me Zotin dhe me dashuri e kujdes deri në fund”(N.T)
Më 1962 themeloi degën e meshkujve Misionarë të Dashurisë. Pastaj shoqatën ndërkombëtare “Bashkëpunëtoret e Nënës Tereze”, pastaj Misionaret e Dashurisë dega e meditimit, Vëllezërit e Fjalës etj. etj.
Po pse vërtet angazhohej kaq shumë? “Për lavdinë e Zotit dhe të mirën e njerëzve”-përgjigjej ajo
Nëna Terezë punonte cdo ditë me cdo njeri që kishte nevojë për ndihmë. Fati e rasti e deshi që të qëndrojë më gjatë në Indi por shembëlltyra e saj, forca e ideve forca e dashurisë së njeriut për njeriun kishte filluar të përhapej nëpër tërë botën. Duket se u bë pikë e kthesës në ndërgjegjen e njerëzimit. Njeriu për njeriun nuk qenka vetëm ujk, nuk paska vdekur dashuria , mirësia, respekti i njeriut për njeriun. Porositë dhe fama e veprave të saj filluan të lëvizin gjithandej globit të mbushur përplot kontraste, ligësi e egoizëm. Pa ndalë ajo i bënte thirrje njerëzimit që ta mund të keqen në vetvete sepse nga këto ligësi e egoizma prodhohen fatkeqësi njerëzore si imoraliteti, alkoolizmi, droga, AIDS-i e të tjra, që po e kërcnojnë njerëzimin. Nëna Terezë jo vetëm me porosi por edhe fizikisht ishte aty ku kishte fatkeqësi. Hapi shumë qendra në vende të ndryshme të botës për të ndihmuar shërimin e të sëmurëve nga droga e AIDS-i . Ajo nuk komenton më shumë përvec “ Ata janë qenie njerëzore, vëllezërit dhe motrat e mia, ne duhet t’i falim ata. Këta njerëz më shumë vuajnë nga izolimi që u bëhet. Ata kanë nevojë për dashuri.” Ajo është kudo në: Qernobil, Bejrut, Etiopi, Kubë, Romë, Shkup, Uruguaj, Brazil, Kosovë, Aman, Gjermani, Francë, Honduras, Kamerun... e ku jo atje ku ka vuajtje. Dorën e ngrohtë të ndihmës së Nënës Terezë e ndien me miliona njerëz, pavarësisht nga raca, feja, gjinia, etnia etj. Për Nënë Terezën të gjithë ishin njerëz dhe i shikonte si njerëz.
Tashmë ishte shndërruar simbol kudo në botë . Më 1979 Nënë Tereza dhe vepra e saj u shpërblye me cmimin Nobel për paqë. Në arsyetimin e Komitetit për ndarjen e cmimit ndër të tjerat thuhet se vula e veprës së saj është nder për njeriun, për vlerën dhe dinjitetin e tij duke vënë në spikamë se ajo ia ktheu njerëzimit shpresën në një moment të tensioneve dhe krizave të mëdha në botë. Laureatja e cmimit, Nëna Terezë, deklaroi se e pranon cmimin në emër të të varfërve dhe mjetet që sjell cmimi ishin pikërisht për këtë.
Ky cmim është një rast i mirë për të dëshmuar se dashuria është një rrugë e mirë për paqe.Dhe jo vetëm dashuria me fjalë por dashuria në vepër. Ky cmim do t’i gëzojë mijëra njerëz anë e mbanë botës të cilët bashkohen me mendimin se të varfërit janë vëllezërit dhe motrat tona.”
Nga ky piedestal Nëna Terezë përsëriti thirrjen për paqë, dashuri mes njerëzve, mirëkuptim, ndihmë njëri tjetrit. Theks të vecantë ajo vuri në rolin e ngrohtësisë familjare për edukimin e fëmijëve të shëndoshë. Ku mungon kjo ngrohtësi, tha ajo, shfaqen devijime si droga, AIDS-i etj. Edhe këtu në Osllo ajo foli e shpjegoi pse angazhohej kundër abortit. Abortin ajo e quajti shkatërruesin më të madh të paqës. “Nëse një nënë mund ta vrasë fëmijën e vet c’und të thuhet për krim kur vritemi në mes nesh . Këta fëmijë të palindur po vriten në barkun e nënave të tyre. Mendoj se të gjithë ne duhet të lutemi të mos ndodh kjo. Nëse me të vërtetë e duam paqën duhet ta ndalim vrasjen e fëmijëve të pafajshëm në barkun e nënave të tyre.”
Gjithë vëmendja e njerëzimit atë ditë ishte drejtuar drejt Osllos. Shqiptarët kishin dhe një arësye më shumë për t’ ju gëzuar mirënjohjes së madhe që iu nda kësaj bije të vyer të kombit.
Në emër të shqiptarëve përshëndeti imzot Nikollë Nikprelaj.
Para Osllos dhe më pas Nëna Terezë u nderua edhe me shumë cmime të larta nga qendra e institucione të botës si: cmimin ndërkombëtar Xhon Kenedi, cmimin Nehru, cmimin Nëna Universale, doktore e anëtare nderi në disa universitete etj. etj. Më 1990 u shpall anëtare nderi e Akademisë së Shkencave dhe e Arteve të Kosovës ndërsa në vitin 1996 kryetari Rugova e shpalli Anëtare Nderi e Republikës së Kosovës.
Ne do të mësojmë gjithmonë nga filozofia e dashurisë që e krijoi ajo. Kjo filozofi është dashuria për Zotin, dashuria për njeriun dhe dashuria midis njerëzve. Kjo është dashuria e nënës shqiptare, që Nëna Tereze e ndau edhe me njerëzit e popujve të tjerë . Këtë dashuri e ngriti në planin universal për veprën e bërë të bamirësisë. Nëna Tereze, mund të themi, është themeluese e filozofisë humanitare që aq shumë i duhet njerëzimit. Njerëzit e mëdhenj dashurinë e ndajnë dhe ua dhurojnë të tjerëve. E tillë ishte Nëna Terezë. Nga filozofia e saj ne mësuam të jemi sëbashku . Ajo është në zemrat e të gjithë kosovarëve e që krenohen që është Nëna e Njerëzimit...”(Kryetari Rugova)
Krahas angazhimeve të pareshtura me të varfërit e saj në Kalkutë dhe qendrat tjera botërore ku kishte hapur qindra shtëpi për të varfër, spitale e shkolla, Nëna Terezë përpiqej që të gjente kohë për të vizituar vendlindjen e saj. Në Kosovë për herë të parë erdhi në vitin 1971. Ishte mysafire e don Nikolë Minit, famullitar i Prizrenit. Shtegtoi edhe në Letnicë dhe disa vise të tjera . Ishte koha e komunizmit dhe ateizmit dhe thuajase përvec elementeve kishtare dhe fetare katolike askush nuk e hetoi praninë dhe vizitën e saj, tregon don Lushi. Vizita e dytë e saj në Kosovë u bë në vitin 1978 e edhe kjo kaloi pa ndonjë publicitet. Vizita e tretë ishte më, 1980 kur tashmë ajo ishte bërë personalitet i përmasave botërore dhe kishte fituar cmimin Nobel.
“Vizitoi Shkupin e saj dhe Shkupin tonë, themeloi edhe bashkësinë e parë rregulltare “Bijat e dashurisë hyjnore” në Shkup pastaj pas Shkupit erdhi në Bincë ku pati nje takim me klerin tonë dhe motrat tona . Në Letnicë u morëm vesh që t’ia bëjë edhe një vizitë Vitisë, kryetarit të komunës dhe të zhvillojë një takim në Këshillin Ekzekutiv të Kosovës që atëherë kryesohej nga Bahri Oruci dhe nënkryetar ishte Pajazit Nushi- rrëfen Lush Gjergji. Në vitin 1986 erdhi më shumë privatisht për të vizituar ipeshkëvinë dhe ipeshkvin e atëhershëm imzot Nikë Prelën dhe për të shqyrtuar situatën se a është e mundshme që edhe në Kosovë të hapet një qendër e Misionareve të Dashurisë. Vizita e saj e fundit bërë Kosovës ishte në vitin 1988, ishte vizitë publike. Erdhi dhe solli 4 motra Misionare të Dashurisë dhe hapi qendrën e saj në Pejë.
Pajazit Nushi i cili atë kohë ishte nënkryetar i Qeverisë së Kosovës dhe i ngarkuar me organizimin e pritjes që iu bë Nënës Terezë, krahas bisedave për pozitën e fesë në Kushtetutë e tema të tjera , kujton rastet e refuzimit të saj për të kaluar natën në luksin e hotelit ose për t’u shërbyer me veturë: “Ishte shumë e thjeshtë në cdo pikëpamje. Nuk keni nevojë të angazhoheni kaq shumë për qëndrimin tim këtu sepse unë mund të eci prej këtu e të shkoj deri në kishë, pse t’i sillni ju tri-katër makina për mua...”
Në Shkup për herë të parë u kthye në vitin 1970. Kështu ishin kohët dhe rrethanat por edhe angazhimet kolosale që kishte. Vizitat në Shkup dhe Kosovë janë bërë në kuadër të një programi.
Pas ardhjes së demokracisë në Shqipëri u hap dera edhe për ardhjen e Nënës Terezë. Ajo bëri disa vizita dhe hapi një numër institucionesh të bamirësisë si dhe objekte të kultit të cilat më herët ishin të ndaluara.
Në vitin 1993 Nëna Terezë erdhi në Shqipëri në shoqëri të Papa Gjon Palit të Dytë.
Ja mesazhi i saj drejtuar popullit shqiptar:”Duajeni njëri tjetrin ashtu sic ju do perëndia juve të gjithëve dhe lutuni! Sepse duke u lutur në familje e mbani atë të bashkuar. Familjarët që luten bashkarisht janë të bashkuar e duan njëri tjetrin sic i do perndia të gjithë prandaj ne këtu në Shqipëri insistojmë shumë për lutje dhe unitet dhe dashuri në cdo familje. Zoti ju bekoftë!
Po gjatë kësaj vizite Papa dha këtë vlerësim për Nënë Terezën dhe veprën e saj të madhe: “Si mos ta përmendim fort të dashurën, bijën tuaj, bijën e zgjedhur shqiptare, motrën Terezë të Kalkutës, nënën e shumë të varfërve në botë. Me ngrohtësinë e fesë, kjo grua e vogël e madhe ka dhënë nxitjen dhe përkujdesjen e madhe të zemrës shqiptare...”
Dhe, kudo Nëna Terezë ishte e pranishme me të njejtën energji të shpirtit të saj për të ndihmuar më të varfërit e botës. “Ata mund të ndihmohen pavarësisht nga mundësitë që kemi qofshim të pasur apo jo. Mund të ndihmohen me shumë para e nëse nuk ka edhe me një qindarkë edhe me një kujdes , pak respekt me një buzëqeshje.”
Për ta nuk kurseu asgjë as shëndetin, as kohën as mundin dhe ia doli, duke iu ofruar ndihmë hallegjinjëve të pashpresë që nga ndihma më e vogël e deri te mrekullitë. Mbi të gjitha ajo dëshmoi se edhe e pamundura është e mundur. Por kishte edhe ndonjë zë malicioz, si gjithmonë që i përcjellin veprat e mëdha, që të thoshte ndonjë fjalë të ligë edhe për Nënën Terezë, për prejardhjen e fondeve, për menaxhimin e tyre etj. Edhe në përgjigje të tyre ajo ishte e madhe duke kërkuar që të mos u vihet veshi por të vazhdojë puna. Mbase në momente të tilla do t’i ketë lindur inspirimi që këtë përgjigje ta jap edhe me poezi: “S’ka rëndësi, njeriu është i pa arsyeshëm, i pa logjikshëm, egocentrikë, s’ka rëndësi duaje! Nëse bën mirë do të thonë se e bën për qëllime egoistike, nuk ka rëndësi bëj mirë! Nëse i zbaton qëllimet e tua do të gjesh miq të rrejshëm dhe armiq të vërtetë, s’ka rëndësi zbato! Të mirën që e bën nesër do të harrohet, s’ka rëndësi bëj mirë! Nderi dhe ciltëria do të bëjnë të lëndueshëm, s’ka rëndësi, të jesh i ciltër dhe i ndershëm! Atë cka ke ndërtuar vite me radhë mund të rrënohet fill, s’ka rëndësi ndërto! Nëse i ndihmon njerëzit do të hidhërohen, s’ka rëndësi ndihmoiji! Jepja botës pjesën më të mirë të vetvetes do të shqelmojnë, s’ka rëndësi, jepi botës pjesën më të mirë të vetvetes!”(N.T.)
Pra edhe në vështirësi Nëna Terezë na ka dhënë modelin e tejkalimit të tyre mjafton që të kesh zemër të pastër dhe qëllime të larta. Prandaj janë harruar ata zëra të ligë dhe ka mbetur shkëlqimi i veprës së saj të cilës iu përkushtua me shpirt deri në castet e fundit të jetës.
Nënë Tereza ndrroi jetë më 5 shtator 1997. Në varrimin e saj morën pjesë me pikëllim të thellë, krahas të varfërve edhe personalitetet më të shquara botërore.
Ishte kjo humbje e madhe për njerëzimin por edhe ngushëllim se ajo e la të qartë rrugën që duhet ndjekur.
Ja, ta zëmë, si e komenton vdekjen e saj zëvendësja e Nënë Terezës, motër Nirmala e cila beson se fenomeni Nëna Terezë dhe figura e saj karrizmatike do të vazhdojë të veprojë përmes të tjerëve:”humbja është shumë e madhe! Sa u përket problemeve jam shumë e sigurt se Nëna Tereze do të lutet edhe atje ku është në qiell dhe do të na ndihmojë. Kam shumë besim në ndihmën e Zotit dhe lutjet e nënës por, sigurisht që humbja është shumë, shumë e madhe.”
Ndërsa një ditë pas vdekjes së Nënë Terezës, Papa Gjon Pali bëri këtë vlerësim për të: “Nëna Terezë e ka shënuar historinë e shekullit të 20. E ka mbrojtur me guxim të pashoq jetën , i ka shërbyer qenies njerëzore për të mbrojtur dinjitetin dhe nderimin atyre që i kishte thyer jeta për t’i dëshmuar dashurinë e Zotit cdo krijese njerëzore. Kjo është dëshmia e dashurisë engjullore që ushqehet nga feja dhe e përcjellë deri në vdekje. Kështu e përkujtojmë atë duke u lutur dhe duke i dëshiruar shpërblimin që e pret cdo besimtar në mbretërinë qiellore.Le të jetë shembulli i saj i gjallërishëm ngushëllim dhe frymëzim për familjen e saj, kishën dhe mbarë botën.”
Bill Klintoni e quajti Nënë Terezën, vigan i shekullit tonë. Zhak Shiraku tha se pas vdekjes së Nënë Terezës ka më pakë dashuri në botë! Toni Bleri vlerëson se shpirti i Nënës Terezë do të rrojë si frymëzim për të gjithë ne!
Nëna Terezë u bë për të gjallë e edhe më shumë pas vdekjes inspirim për mendjet krijuese të të gjitha llojeve: për artistë, skulptorë, kompozitorë, shkrimtarë etj.
Nëna Terezë është shprehja më e bukur e mirësisë, e humanitetit, e zemërgjerësisë, e flijimit e tërë asaj që mund të themi që është bujare.” Këtë vlerësim e ka bërë piktori i njohur Ibrahim Kodra i cili ia ka kushtuar edhe disa punime brilante në pikturë dhe shton ” Nëna Terezë është nëna e botës mbarë. Ajo ka shpëtuar fëmijët e botës mbarë! Kjo është Nëna Terezë. Shqiptarët mburren me emrin e saj. Ajo ka naltësu edhe emrin e popullit Shqiptar sepse me mirësinë që ka bërë në tërë botën emri i saj është i shkruar me shkronja të arta.Dhe e meriton se e ka qu nalt emrin e Shqipnisë.”
Ismail Kadare:” Nënë Tereza është figurë e madhe emblematike e kombit shqiptar. Me figura si Nënë Tereza historia e njerëzimit, vetë njerëzimi, është bërë më i pasur dhe më i ndritshëm. Populli shqiptar mund të jetë krenar që i ka dhënë botës një pasuri dhe një dritë të tillë. Me këtë ai dëshmoi edhe një herë se është një popull që bënë pjesë në qytetërimin e madh evropian. Jam i lumtur që vite më parë e kam takuar këtë shejtore. Cdo popull do të ishte krenar ta kishte pjellë Nënë Terezë. Prandaj krenaria jonë për të është legjitime. Në qastet tona të vështira ne e kemi kujtuar gjithmonë. Ajo na ka dhënë besim dhe kthjelltësi në shpirt. Në kohë të ashpra ne e kemi kujtuar poashtu gjithmonë, ajo na ka dhënë fisnikëri dhe paqe. Nënë Tereza do të jetë e tillë për ne në jetë të jetëve.”
Nermin Vlora Fallaski
Nënë Tereza kishte dicka që në atë përmbledhjen e trupit të saj, në ato rrudha që kishte në fytyrë e bënin jashtëzakonisht të madhe...
Gjelosh Gjokaj
Te artistët ajo është gjithmonë një element inspirativ, edhe si figurë edhe si personalitet me vepra të mëdha që i ka ba. Shqiptarizmi duhet të krenohet me veprën e saj.
Ja si e kanë shprehur përmes poezisë admirimin e tyre disa nga poetët kosovarë:




Gonxhe Bojaxhiu gjallëron paralele
o ndihmon fatkeqët kur i lë cdo shpresë
nënë është për bonjakët që s’janë të aftë për ndjesë
xixë për nëna të lëna dhe fëmijët pa mnela
hapi ajo zemrën sa vetë rrozullimi
edhe në të i ngroh njerëzit e cdo ngjyre ...(Enver Gjerqeku)




në syrin tënd janë do rrugë
që shpiejnë nga jeta
që shpiejnë nga bregu
zemrën prej Nositi
në planet e ke shtri
si nëna fëmijën
mbuluar e ke me dashuri... (Qibrije Demiri)




fleta erëkëndshme
u ngrit drejt qiellit
dhe u shndrrua në rreze
të ngrohta të diellit
Gongje Bojaxhiu
në Nënën Terezë!..
. (Mark Krasniqi)




Vepra dhe jeta e Nënë Terezës ka frymëzuar edhe artistët dhe krijuesit e fushave të ndryshme anë e kënd botës. Pra të gjithë ata që aspirojnë të nxjerrin në pah vlerat njerëzore, mishërim i të cilave ishte shqiptarja Gongje Bojaxhiu-Nëna Terezë.
Më 19 tetor 2003, ipeshkvi i Kalkutës i kërkoi Papës që Nëna Terezë të shkruhet në radhët e shejtërve.Po këtë ditë, Papa Gjon Pali i Dytë, e shpall të lumnueme Nënën tonë të madhe Tereze. “...Me autoritetin tone apostolik, pranojmë që shejtorja e nderuar e Zotit, Tereza e Kalkutës, tani e tutje të quhet lume e që festa e saj të kremtohet, sipas rregullave të caktuara nga e drejta kanonike kishtare, cdo vit, në ditën e lindjes së saj për qiell më 5 shtator.”
Nëna Terezë është shembull për t’u ndjekur. E sikur të gjithë ne të ecnim hapave të saj, bota do të ishte krejt tjetër.





Flora Durmishi- Kosovë

No comments: