Tuesday, October 23, 2007

Bota e Gruas Shqiptare-Raimonda Moisiu-INTERVISTA

Bisedë me gazetaren dhe aktivisten e mirënjohur në komunitet,
Zj. Mimoza Dajçi.
Botoi Tirana Observer
23 tetor 2007


“Ja dhe një personazh që na duket sikur vjen nga Muzeu Historik Kombëtar. Quhet Mimoza Dajçi, jeton në SHBA dhe në pamje të parë emri i saj nuk të thotë gjë. Por nëse rrëmon tek paraardhësit e saj, ajo i bie që është nga shqiptarët më me fat. Fiks ajo është stërmbesa e Isa Boletinit dhe Çerçiz Topullit, dy personazhe historikë nga më të rëndësishmit” Nga Editoriali i T.O.

Mimoza, nëpërmjet medias e shtypit shqiptar në Shqipëri e Diasporë, emrin Tuaj e hasja kudo,
por ne kemi pak kohë që komunikojmë dhe në këtë vit njohje personale, kam mësuar shumë për ju. Në kuadrin e evidentimit të vlerave të femrës shqiptare në përgjithësi dhe asaj që jep kontributin në forumin "Bota e Gruas Shqiptare", do të dëshiroja që t’i përgjigjeshit disa pyetjeve. Le ta fillojmë me prezantimin: Kush është Mimoza Dajçi?


M.D.: - Mimoza Dajçi është një nënë e thjeshtë shqiptare, e cila pas atij absurditeti të diktaturës komuniste të Hoxhës pati guximin të marrë rrugën e gjatë në kërkim të identitetit të saj të vërtetë, në kërkim të përmasave më të mëdha të lirisë.

Jetoni në Nju Jork. Ç'farë ju solli këtu?

M.D.: - Pa dyshim që New York - u përbën një pol tërheqjeje e ushtron hijeshinë e tij jo vetëm tek ata njerëz që fillojnë “aventurën” e emigracionit por edhe për vetë amerikanët. Kështu që për mua ishte një destinacion që më tundonte me ëndërra e njëkohësisht më jepte një ngarkesë pozitive për të kërkuar më shumë në jetë. Këtu jetoj së bashku me vajzën time studente Merlinin, të cilën e çmoj, e vlerësoj dhe e dua më shumë se çdo gjë tjetër në botë. Me këtë rast i uroj bijës sime çdo të mirë e fat në jetë.
Në SHBA erdha e ftuar për një Konferencë për Median. Duke parë situatën e rëndë politike në vend vendosa të qëndroj. Falenderoj me këtë rast Zyrën e Emigracionit Politik në SHBA e cila më njohi dhe më pranoi qysh në fillimet e mia këtu me të gjitha të drejtat e plota si azilante politike, të drejta këto të cilat i gëzoj edhe sot. Në atë kohë vajza ime ishte studente për Shkenca Politike në kryeqytetin e Italisë në Romë. Pasi unë fitova Statusin e Azilantit Politik mu dha e drejta të kërkoja bashkimin familjar me vajzën time. Tani ajo vazhdon përsëri studimet këtu për Shkenca Politike në një nga Kolegjet më të njohura të Shtetit të New York-ut.
New York – u ishte dhe është hapja drejt horizontesh të reja. Eshtë sfida që jeta e re që unë zgjodha i bëri jetës sime së mëparshme të mbyllur e të mangët. Eshtë fillimi i realizimit të ëndrrës me një stil të bukur dhe elegant në një qytet klasi.

Ju jeni vajzë e lindur në Shkodër dhe rritur në Tiranë. Nëna juaj nga Jugu, Babai nga Kosova. Ju jeni shqiptarja në formën më absolute të përfaqësimit të gjakut shqiptar. Sa krenare ndjeheni për këtë?

M.D.: - Të jesh rritur në Tiranë përbën një privilegj kur kupton me të vërtetë se çdo të thotë të jesh shqiptare, e edukuar si kozmopolitane. Përsa i përket përfaqësimit të gjakut shqiptar ndjehem absolutisht krenare. Eshtë e vërtetë se martesa e prindërve të mi është një lidhje perfekte, që do të thotë se mrekullia e shpirtit të tyre binjak ekziston më së miri në hapësirën qiellore nga veriu në jug të vendit. Ndjehem mirë dhe krenare që jam edhe unë fëmija e tyre.

A është e vërtetë se ju jeni stërmbesë e Isa Boletinit dhe e Çerçiz Topullit. Si janë lidhjet e pemës familjare me këto dy figura historike të shquara të kombit tonë?

M.D.: - Po është e vërtetë. Nga im atë në dejet e mia përshkon gjak nga Familja e madhe dhe e njohur e Boletinëve të Kosovës, ndërsa nëna ime është mbesë e Heroit tonë Kombëtar Çerçiz Topulli. Desha të shtoj se parimet kryesore dhe vlerat pozitive të të parëve e prindërve të mi kanë qenë e janë: atdhedashuria, patriotizmi, sakrifica, mirënjohja, përkrahja, humanizmi, përkushtimi, sinqeriteti si dhe nikoqirllëku (në dialektin tosk). Kështu që edhe për këto lloj lidhjesh ndjehem vërtetë krenare. Sigurisht që çdo individ ka personalitetin e tij, por them se nga ky personalitet diçka trashëgohet edhe në breza. Pra të vjen mirë kur dikush përpara teje ka lënë gjurmë të mira në histori për të mirën e popullit dhe kombit tënd. Ashtu siç ndihemi të gjithë ne shqiptarët për figurën e Shenjtores sonë, Nënë Tereza. E kjo jo vetëm më jep krenari por më bën të ndjehem se edhe unë jam pjesë e gjallë e një historie jashtëzakonisht interesante e mbartëse vlerash e ndjenjash superiore.

Ju regjizuat Festivalin Shqiptar që mbahet çdo vit në nëntor në Bronx, NewYork, organizuar nga Kisha Katolike Zoja e Shkodrës. Cilat janë mbresat dhe eksperienca juaj nga ky aktivitet?

M.D.: - Angazhimi në drejtimin e këtij spektakli ishte një eksperiencë vërtetë e rëndësishme për mua dhe e vlerësoj shumë, pasi aty vura në dispozicion edhe rolin tim për sa i përket fushës së artit, por mbi të gjitha dua të theksoj atë manifestin e bukur sa shpirtëror aq dhe kulturor të diasporës shqiptare në Amerikë. Të kontribosh në një shfaqje të tillë e aq më tepër kur e organizon Kisha Katolike shqiptare në New York, është për mua mjaft kuptimplotë. Aty jo vetëm spektatori ynë por edhe ai amerikan pati rastin të njihet me larminë e bukur të kostumeve tona popullore, traditat e trashëguara muzikore dhe folkorike autoktone shqiptare, gjë që tregon se ato do të vazhdojnë të ekzistojnë edhe në brezat e ardhshëm. Bashkëpunimi im në këtë festival mbarë shqiptar në SHBA mes Famulltarit të Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” në New York të Përndershmit Dom Pjetër Popaj, zotërinjve Mark Shkreli, Gjon Çotaj, Astrit Tota, Ludovik Çotaj, Anxhela Zagreda, Edmond Xhani, Ilir Dangllia, Simon Vukli, Ismer Mjeku, Luc Malotaj etj, ishte mjaft i suksesshëm dhe ky sukses u pa edhe gjatë shfaqjes pasi kishte shumë spektatorë sa nuk merrte më auditori ku u zhvillua, por edhe pse ishte një spektakël me të gjitha standartet e larta artistike e kulturore që kërkon koha si dhe me një stil të ri të nivelit bashkëkohor. Pra ishte një experiencë e paharruar dhe shumë mbresëlënëse për mua.

Cila ka qenë arsyeja që ju jeni persekutuar politikisht në Shqipëri?

M.D.: - Unë kam patur fatin e mirë dhe “të keq” njëkohësisht të jem bija e një ish të burgosuri të ndërgjegjes, të cilit të qenit erudit për gjeneratën e tij, (gjë që nuk shihej me sy të mirë nga ajo jetë që arriti “të shartojë” në Shqipëri era e Enver Hoxhës) i kushtoi shumë vite vuajtjesh në burg e si pasojë persekucion. Im atë si idealist e njeri me vlera të larta nuk u përul kurrë përpara hipokrizisë së epokës obskurantiste të komunizmit fallco e kështu që nuk hezitoi të hynte në burg e të rrezikonte jetën e tij për bindjet që kishte duke u bërë edhe ne padashje pjesë e realitetit të tij, duke vuajtur tmerrin e pasigurisë së atij regjimi me të gjitha përmasat. Por persekucioni politik i familjes sime ka filluar më herët – me pushkatimin pa gjyq të xhaxhait tim Rasim Dajçi, në Prizren nga forcat sllavo – komuniste kryesuar nga Shefqet Peçi në nëntorin e vitit 1944.

Si ish e persekutuar politike dhe me një kontribut tanimë të njohur pranë kësaj shtrese do të doja të dija se cili është opinioni juaj për hapjen e dosjeve në Shqipëri?

M.D.: - Duke ndjekur me kujdes zhvillimet politike, ekonomike dhe sociale në vend shikoj se çështja e hapjes së dosjeve për bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit herë zbehet e herë bëhet një nga debatet më të mprehta të politikës dhe medias në vend. Unë personalisht e kam thënë edhe më parë në shtyp opinionin tim dhe përsëri i mëshoj mendimit se hapja e tyre përbën një nga detyrat kryesore që edhe Rezoluta e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës i ka vënë Shqipërisë. Kjo është kërkesë e kohës që herët a vonë do të vihet në zbatim, pasi shihet si domosdoshmëri që ekzekutorët dhe bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit të gjykohen nga drejtësia shqiptare për krimet e kryera me gjyq e pa gjyq e padrejtësisht mbi popullin e pafajshëm, mbi elitën intelektuale, qytetarin apo fshatarin e thjeshtë. Pra me ç’të drejtë kjo kategori njerëzish pushkatonin, burgosnin apo internonin individin ose grupe njerëzish për bindjet e tyre politike, fetare, letrare e artistike, sikur ata të mos ishin qënie njerëzore, apo krijesa të Zotit.

Cilat janë raportet që ju ruani me shtresën ish të persekutuar politike në Shqipëri?

M.D.: - Për mua përbën absolutisht raportin më të mirë që ka ekzistuar ndonjëherë mes nje grupimi shoqëror. Kam kontakte të vazhdueshme me ta si me e-mail, telefon, letra apo edhe me takime mes tyre sa herë vizitojnë SHBA. Dua të përmend me këtë rast korrespondencat e rregullta që kam me Shoqatën e Grave ish të Burgosura e të Persekutuara Politike e kryesisht me Kryetaren e saj Zj. Marie Dvorani Medicina. Unë për asnjë çast nuk do t’i ndërpres lidhjet me vuajtjet e të shkuarës jo vetëm për familjen time por për të gjithë atë shtresë që pësoi mbi supe diktaturën më të egër në Europë. Pak kohë ka kaluar kur një delegacion i Komitetit të ish të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë ishte ftuar në Amerikë për një Konferencë, kryesuar nga Drejtori i këtij institucioni Z. Simon Mirakaj dhe nga shkrimtari i njohur ish i burgosur politik Z. Agim Musta. U takuam së bashku në një darkë që organizoi Federata Panshqiptare “Vatra” për nder të tyre, në ekspozitën që përuroi Z. Musta me punimet e tij mbi burgjet dhe kampet e internimit në Shqipëri, e cila u hap në ambjentet e Qendrës Kulturore “Nënë Tereza” pranë Kishës “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale, New York. Realizuam gjithashtu sëbashku edhe një intervistë televizive për të sensibilizuar opinonin e këtushëm mbi situatën që ndodhet kjo shtresë sot dhe për dëmshpërblimet e të drejtat që i takon të përfitojë nga qeveria aktuale. Ky emision u transmetua nëpërmjet Stacionit Televiziv “Kultura Shqiptare” po në New York. Kam takuar edhe më parë po këtu Z. Tomor Aliko, ish Kryetar i Shoqatës së ish të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, shkrimtarin dhe publicistin e njohur Z. Uran Butka etj.

Pas vendosjes së demokracisë në Shqipëri, ju patët një post me rëndësi në një nga Ministritë e Shtetit Shqiptar. Ç’farë përvoje patët nga kjo detyrë dhe si e shihni evoluimin e qeverisë shqiptare në ditët e sotme në drejtim të demokracisë, luftës kundër krimit, korrupsionit etj?

M.D.: - Sipas përvojës dhe experiencës sime në një nga dikasteret e rëndësishme të vendit, megjithëse nuk ishte një periudhë e gjatë kohe kjo per mua aty, pasi në 1997 largohem nga puna prej Ministrit Ruka së bashku me katër kolegët e mi edhe ata ish të persekutuar politikë, ndërmjet tyre një ekonomiste me origjinë balliste, Fatos Çabej dhe një specialist tjetër po me origjinë të djathtë. Pra lufta e klasave vazhdoi e hapur për këtë shtresë edhe pas viteve ‘90 në Shqipëri. Por përsa i përket luftës kundra korrupsionit dhe krimit të organizuar unë mund të them se çështja qëndron tek rritja e koshiencës së individëve. Bashkësia e sa më shumë elementëve të shëndetshëm intelektualësh përmirëson edhe nivelin e realitetit të ri.

Përveçse në Shqipëri kemi patur rastin të njihemi edhe këtu me krijmtarinë tuaj letrare dhe gazetareske e kryesisht tek gazeta “TemA”. A mendoni se edhe kjo ishte një shpalosje e vlerave tuaja në fushën e gazetarisë?

M.D.: - Bashkëpunimi im me median ka ardhur si vazhdë e punës sime edhe në Shqipëri kryesisht pranë shtypit për ish të persekutuarit politikë, si dhe kam patur bashkëpunim të mirë me gazetat “Rilindja Demokratike” e “Albania”. Ku drejtues të këtyre dy organeve më ofruan pozicion për të punuar si gazetare, por unë me modesti i u përgjigja se e shikoj të arsyeshme të jap akoma kontributin tim pranë kësaj shtrese të vuajtur nga e cila rridhja edhe vetë. Ndërsa në SHBA kam patur rastin të pasqyroj krijimet e mia tek gazeta “Iliria”, “Dielli”, “Jeta Katolike” dhe më së fundi tek gazeta “TemA”. Nga kjo intervistë dua t’i dërgoj një falenderim Editorit të kësaj gazete Mero Baze dhe Botuesit të saj Adriatik Sheko që më ofruan këtë mundësi bashkëpunimi për të lidhur shqiptarët matanë oqeanit e anasjelltas, gjë për të cilën dhashë maksimumin tim dhe mora sadisfaksionin e duhur.

Ju punoni dhe shkolloheni njëkohësisht duke qenë edhe Nënë. Si ja dilni mbanë?

M.D.: - Për t’ja dalë mbanë me sukses të gjitha detyrave që jeta të nxjerr përpara është çështje zgjidhjeje. Pas përballimit të “dallgës” së parë të integrimit në emigracion, çdo kush ndodhet para një udhëkryqi. Ç’farë drejtimi duhet marrë? Bëhet një bilanc i forcave intelektuale e fizike e kështu me zgjuarsi bëhet zgjedhja, ndarja e punëve, e u jepet prioritet atyre që vërtet mund të realizohen. Zgjedh punën, zgjedh fushën e studimit që më shumë të përshtatet, zgjidhet një rrugë: ajo e “arritjes së objektivave të vogla” që testojnë hap pas hapi vlerat e tua në tërësi, si të thuash me cilësinë e të vonuarve është dëshira e tundimi për të stërbërë, për të fituar kohën e humbur, por urtësia të këshillon: “duhet ngrënë me çapa të vogla për të mos u mbytur”! Pra ato objektiva të vogla në dukje, kur këmbëngulet të shpërblehen gjatë rrugës për të arritur në destinacionin final në një gjendje të mirë fizike e me synimin e pasurimit intelektual e të vazhdueshëm arrin një dimension më të plotë lirie.

Ju jeni tepër e angazhuar edhe në çështjen e Kosovës. Në çdo aktivitet ju jeni ndër me aktivet, më punëtoret, me produktivet. Si po e prisni pavarësinë e Kosovës e ç’mendoni për politikën ndërkombëtare, shqiptare, të Kosovës dhe në Diasporë për çështjen e Kosovës dhe asaj shqiptare?

M.D.: - Ah, Kosova jo vetëm që historikisht më lidh origjina ime me atë Trevë, por si të gjithë shqiptarët edhe unë e kam përqëndruar vëmendjen tek zhvillimet e fundit të situatës politike atje. Së shpejti atje priten që të zhvillohen zgjedhjet parlamentare. Uroj që çdo gjë të shkoj me normalitet dhe të fitojë vullneti e aspirata më e mirë e popullit të Kosovës. Pavarësia e saj sikur ka trokitur në derën tonë, do apo s’do Beogradi dhe Moska zyrtare të cilat janë duke e bllokuar këtë proces, por ajo së shpejti do të vijë. Kuvendi i Kosovës e ka mbështetur paketën e Ahtisarit si substancë, me kusht që të njihet pavarësia e vendit. Presidenti Bush e ka deklaruar Pavarësinë e Kosovës me rastin e vizitës së tij në Shqipëri, atë e mbështesin pra SHBA, Britania e Madhe sigurisht edhe Shqipëria e vende të tjera të Grupit të Kontaktit, të cilat kanë të gjithë potencialin e duhur politik dhe ekonomik për zgjidhjen e këtij problemi.

Keni pasur kontakte me të afërmit në Kosovë gjatë komunizmit?

M.D.: - Jo, nuk kemi patur kontakte të rregullta. Vetëm në rastet kur ndonjë i afërm i familjes së tim eti largohej nga Kosova për në tokën mëmë (që për ta kthehej në një “njerkë” pasi do të arrestoheshin ose do të internoheshin) merrnim ndonjë lajm prej andej. Pasi dihej se shumica e atyre që kalonin “kufirin” u futën në gijotinën komuniste. Në postin më të lartë të asaj kohe si anëtar i Byrosë Politike njihet vetëm një emër i shqiptarëve të Kosovës , Xhafer Spahiu, që pat lindur në Gjakovë. Pas viteve ‘90 filluam të kishim kontakte të vazhdushme me ta. I pritëm bujarisht me rastin e shpërnguljes masive të tyre nga thundrra e makinerisë serbe duke i ardhur në ndihmë me ç’ka kishim mundësi. Edhe sot kemi raporte shumë të mira me ta.

Pse ju bashkuat forumit "Bota e Gruas Shqiptare"?

M.D.: - Si në Shqipëri edhe këtu janë krijuar e do të krijohen organizata apo shoqata jo qeveritare (NGO–të), por unë duke shikuar ecurinë e punës së forumit virtual “Bota e Gruas Shqiptare” e pashë të arsyeshme t’i bashkohem këtij forumi. Megjithëse jam shumë e ngarkuar si me punë e me shkollë, vazhdoj përsëri të jem me kënaqësi pjesë përbërëse e tij. Dhe kjo falë kontributit të çmuar të mikeve të mia në këtë forum si Merita Bajraktari McCormack, tëndit Monda si një ndër moderatoret e tij, Albana Mëlyshi Lifschin, Mirela Bogdanit, Medije Vraniqit, Agi Tanushit, Drenusha Hoxhës me dy bebushët e saj të mrekullueshëm Siborën dhe Rubenin, Rozi Theohari, Iliriana Sulkuqi, Aida Bode, Aida Dismondy, Vera Pelaj, Ilire Zajmi,Sevdije Rexhepit të gjitha Mimoza-ve etj, etj. Desha të veçoj edhe një nga sukseset e këtij forumi siç është dalja në dritë dhe botimi i librit tonë të përbashkët titulluar “Nënës” ku ideatore kryesore është e papërtuara dhe patriotja Merita Bajraktari McCormack, e cila megjithëse shumë e zënë me problemet e familjes pasi ka tre fëmijë për të rritur dhe edukuar së bashku me bashkëshortin e saj, ajo përsëri gjen kohë për të komunikuar me ne të gjitha, për të dhënë ide të reja dhe për t’i realizuar ato. Një falenderim të posaçëm do doja t’i drejtoja edhe Federatës Panshqiptare “Vatra”, kryesisë së saj si dhe Kryetarit, veprimtarit e patriotit të shquar Z. Agim Karagjozi, i cili organizoi së bashku me ne promovimin e këtij libri në një nga ambjentet e Selisë së “Vatrës” si dhe emocionet që na ngjalli duke lexuar një poezi të cilën ia kishte kushtuar nënës së tij që nuk arriti dot ta shihte më.

Ç’farë mendimi keni në përgjithësi për femrën shqiptare sot, si trajtohet ajo dhe në ç’farë stadi zhvillimi është krahasuar me gjininë tjetër por edhe në krahasim me femrat e vendeve të tjera. Ç’farë dëshironi të shihni të ndryshuar tek femra si nënë, si shoqe, si profesioniste, si politikane?

M.D.: - Çështja e femrës shqiptare e shikuar në prizmin global del jashtë kontureve të nacionalizmit. Dua të them se si në çdo shoqëri tjetër qoftë ajo europiane, aziatike, amerikane etj, femra ka vendin që i takon pas betejave të fituara në gjirin e shoqërisë. E rëndësishme është si e shikon vehten femra shqiptare përballë jetës së re që ju shpalos përpara me rënien e kufijve të hekurt të komunizmit. Secila trajtohet njëlloj si në Shqipëri apo dhe në Amerikë, në bazë të ndërgjegjes individuale që ka, në bazë të idesë e figurës që ajo ushqen për vehten e saj. Gjithsecila nga ne duket sikur ballafaqohet me vehten e saj përpara pasqyrës së ndërgjegjes e jep përgjigje pa mbarim për rrethanat, për perspektivat, për raportet, për detyrimet, për problemet që krijohen rreth saj. Sa më interpretim të drejtë të ketë bërë për të gjitha këto për të qënë sa më afër së vërtetës, sa më mirë të jetë raportuar me ngjarjet gjithmonë në ndryshim aq dhe më e plotësuar do të ndjehet e aq më lart mund të synojë kudo që ndodhet. Raste femrash shqiptare që shquhen në Shqipëri dhe jashtë saj ka, kanë ekzistuar dhe do të ekzistojnë. Persa i perket Shqiperise do te permendja me respekt Kryetaren e Parlamentit Zj. Jozefina Topalli, Zj. Liri Berisha, kengetaren Inva Mula, ne Kosove Zj. Flora Brovina, ne SHBA Zj. Merita Bajraktari McCormak,ne Angli Mirela Bogdanin, etj. Filozofikisht femra shqiptare, çdo ditë duhet të japë “një betejë të vogël” e ta fitojë atë si brenda familjes ashtu edhe jashtë mureve të shtëpisë. Ajo duhet të bëjë pjesën e vet në familje e para si nënë, si profesioniste edhe pse nganjëherë mund të ndjehet e lodhur mos harrojë se është burimi kryesor i mirësisë e i dashurisë. Falë profesionalitetit të saj ajo duhet të bëhet mbështetëse e fortë e familjes, por mbi të gjitha të mendojë pozitivisht e të mos harrojë asnjeherë se të ndjehesh e dashur e të frymëzosh entuziazmin duhet t’i ushqesh këto ndjenja brenda vetes e benefitet vijnë natyrshëm. E ky vështrim filozofik besoj është ai që sjell dhe ndryshimin për një hop cilësor të femrës shqiptare kudo në botë.

Ju Faleminderit e Suksese!

Bisedoi:
Raimonda Moisiu
Moderatore e Forumit Bota e Gruas Shqiptare.

No comments: