Friday, December 21, 2007

Bota e Gruas Shqiptare-ROZI THEOHARI-ESSE

AMERIKANI QE PREKU TOKEN SHQIPTARE

NGA ROZI THEOHARI—Boston

Në pranverën e 2005-ës në downtown Lynn, Mass. u
përurua pallati i banimit për pensionistët me emrin “Shën
Tereza”. E tërhequr nga ky emër, bëra një vizitë te kjo shtëpi
banimi, e cila ndodhet pranë kishës së Shën Mërisë. Në bahçen
e ndërtesës, mes banorëve të rinj takova një plak zezak ulur
në një karrocë invalidi, i ndihmuar nga një infermiere. Kur
mori vesh se unë isha shqiptare, m’u lut të ulesha në bankinën
aty pranë. Buzëqeshja nuk iu nda fytyrës së tij zezane gjithë
kohës që bisedonim. E quanin Andrew dhe nga vitet ’70 të
shekullit të kaluar kishte punuar elektriçist në një kompani
ku ishte shoqëruar me Piterin, një djalosh shqiptar. Piteri, edhe
ai elektriçist, iu lut një ditë Andrewt ta ndihmonte në
vendosjen e disa zbukurimeve dekorative me drita elektrike
në sallën ku shqiptarët do të festonin Ditën e Flamurit. “-
Vendosa ta ndihmoja, - thotë Andrew, - më tepër nga
kurioziteti për t’i njohur cilët ishin këta shqiptare që kremtonin
festën e flamurit amtar në Amerikë. Por kur mora vesh se
shqiptare ishte dhe Nënë Tereza dhe heroi juaj kombëtar
Skënderb (kështu e quante ai Skënderbeun), mbeta i hutuar,
si në ëndërr. Të më besoni, në çastin kur po vendosja llamba
ylberi përqark portretit të Nënë Terezës m’u duk se ajo
buzëqeshi e tha një lutje. Ndërsa fotografinë e Xhorxh
Kashtriotit e zbukurova me llamba të vogla shumëgjyrëshe,
sidomos kalin e përkrenaren. Disa vjet më vonë u mobilizova
në marinën amerikane me profesion elektriçist. “The Cold
War” (Lufta e Ftohtë) ishte atëherë, muri i Berlinit ishte akoma
në këmbë, -vazhdoi ai, - torpedoja jonë “USS George”, anija
amerikane e forcave speciale, la Greqinë e po lundronim në
detin Jon. Dhe unë pashë vendin tuaj, dallova me dylbi një
qytet shqiptar. Ishte një port i bukur. Unë bëra kryq me gishtat
e dorës, u luta dhe përshëndeta: “Mirëmëngjes, Albania, o
vend i shenjtë i Skënderb-it dhe i Nënë Terezës. Nuk e di sesi,
por në minutë më erdhi një ide e marrë që të lundroja deri te
bregu i portit e të prekja tokën shqiptare. Fundja, unë nuk
isha ushtar, por civil. Megjithatë, kur ia propozova këtë
komandantit, ai nuk pranoi. Por këmbëngulja dhe lutjet e mia
së fundi e mposhtën. Mora një varkë të shpejtë dhe shokët
më lëshuan në det.” “Nuk pate frikë?” - e ndërpreva unë. “-
E dini? Unë besoj në Zot dhe Zoti e dinte se për çfarë po
shkoja aty… Kur varka mbërriti te bregu, ushtarët e kufirit
bërtitën: “Halt!” Unë qëndrova në çast, tunda krahun e majtë
në ajër, qesha, thashë një lutje… Kurse me dorën e djathtë
arrita e preka rërën e detit. Dhe…ndodhi diçka…, diçka që
nuk mund ta besoni… Shumë marinarë e civilë u grumbulluan
para varkës sime, si duket, të befasuar që vështronin ndoshta
për herë të parë fytyrën e një afrikano-amerikani. Hutimi i
tyre më dha akoma më shumë kurajë dhe, sa hap e mbyll
sytë, bëra prapaktheu me varkën në drejtim të torpedos,
ndërsa në dorën time të djathtë shtrëngoja një grusht me rërë
të lagur, si kujtim nga toka e Terezës dhe e Kastriotit. Kete rere
e ruaj edhe sot ne nje vazo mbi suprinen e oxhakut.”
“- Dhe tani jeni ulur në kopshtin e pallatit “Shën Tereza”
midis miqsh, mes trëndafilave erëmirë e cicërimave të
zogjve,”- i thashë.
“- Mbas dyzet vjetësh që nga ajo ditë, - foli ai, - siç e shihni,
ndihem i dobët fizikisht, por një zë i brendshëm më pëshpërit:
“Qofsh i bekuar që zgjodhe vendbanim në apartamentet e
Terezës. Zemra “nobël” e Nënë Terezës qëndron në lutjet tona
çdo ditë e përherë…”
Unë shtrëngova dorën me elektriçistin plak zezak dhe
ndjeva të kalonte në pëllëmbën time korrenti i kulluar i një
shpirti të bardhë…

Botoi Illyria

No comments: