Thursday, March 27, 2008

Bota e Gruas Shqiptare - Nga Dalip Greca-Aktiviteti me 16 mars 2008

March 24, 2008




DY GRA TË MITROVICËS BASHKUAN SHQIPTARET E AMERIKËS NË MANHATTAN




Nga Dalip Greca
NEW YORK


Për të dytën herë, brenda një harku kohor shumë të shkurtër, Rrjetit i Bashkuar i Grave në Amerikë (PAWN) me presidente Merita Bajraktari McCormack, ka mbledhur gratë intelektuale në restorantin “Prespa” me pronar aktivistin shqiptar Shaqir Gashi, restorant që ndodhet në Manhattan. Takimi i parë qe organizur në fundnëntor të vitit 2007 dhe kishte në fokus një politikane të suksesshme që vinte nga Universiteti i Oxfordit, Mirela Bogdani, ndërsa me 16 mars 2008, mysafire protagoniste ishin, Valdete Idrizi, vajza trime e Mitrovicës, që fitoi çmimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, "International Woman of Courage Award"- "Gruaja e Guximshme", dorëzuar nga sekretarja amerikane e shtetit, Condoleeza Rice, ndërsa protagonistja e dytë ishte Afërdita Dauti - Heilman, e cila është bërë e njohur për binjakëzimin e shkollave të Texasit me ato të Kosovës, me dërgimin e ndihmave për shkollat e Kosovës, veçanërisht të Mitrovicës. Ajo është e bërë e njohur edhe për ndihmat për shkollën fillore në Stanterg të Shalës së Bajgorës, por është shquar edhe për pasion e dashuri në edukimin e brezave. Valdete Idrizi vinte në takim pas pritjes së bujshme që i kishte bërë sekretarja Amerikane e Shtetit, Condolezza Rice së bashku me gra të tjera të shquara të botës. Gjithësesi ajo u shpreh se kishte biseduar me sekretaren Rice, ishte takuar edhe me presidentin Bush, por kurrë më e emocionuar se në këtë takim grash nuk e kishte ndjerë veten. Takimi tek restoranti “Prespa” pati si koordinatore Teuta Shabani Tawler-in dhe Aida Boden. Teuta solli emocione duke përshkruar skenat e rastësishme të takimit me Afërditën nëpër aeroportet ndërkombëtare, e më pas solli të plotë portretin e saj, si mësuese e humaniste. Merita Bajraktari McCormack, presidente e shoqatës u shpreh për Illyria-n se veprimtaria ishte konceptuar si një mbasdite e këndshme, e lirshme, intime, pa shumë fjalime të gjata, me qëllim për të njohur më shumë njëra-tjetrën dhe për të promovuar sukseset e Valdete Idrizit dhe Aferdita Dautit- Heilman. Në fjalën e shkurtër përshëndetëse ajo tha se takimi organizohej me rastin e nderimit të mysafires sonë nga Mitrovica, zonjës Valdete Idrizi, fituese e çmimit të Departamentit të Shtetit Amerikan, "International Woman of Courage Award"- "Gruaja e Guximshme" dhe
nderimit të anëtares tjetër të rrjetit të grave, Afërdita Dauti - Heilman, së cilës iu akordua çmimi i Rrjetit të Bashkuar të Grave në Amerikë " Humanitarian Achievement Award". Duke marrë fjalën në foltoren e improvizuar, gruaja e guximshme nga Mitrovica ndër të tjera tha: ”Jam mjaft e gëzuar, që ndodhem në këtë ceremoni midis ju shoqeve të mia që ju njihja vetëm nëpërmjet njohjes virtuale.
Duke patur parasysh se unë disa ditë më parë u bëra edhe fituese e çmimit të Departamentit Amerikan të Shtetit, "International Woman of Courage Award"- "Gruaja e Guximshme" , në Washington D.C., e them sinqerisht se këtu po ndjej një emocion të rrallë dhe po provoj një gëzim të papërshkruar. Nuk do ta harroj këtë ditë”. Afërdita Dauti – Heilman, foli me shumë emocion para 30 grave intelektuale që kishin ardhur ta nderonin atë dhe Valdeten. Informojmë lexuesin se Afërdita Dauti - Heilman, që prej vitit 1992 jeton në Austin, Texas. Eshtë e martuar me mjekun amerikan Stefan Heilman, të cilin e ka njohur në Kosovë. Bashkëshorti i saj është i njohur për shqiptarët. Ai shkoi në fillim të vitit 1992 në Prishtinë për të punuar vullnetarisht në vaksinimin e fëmijëve të Kosovës. Në shtyp aso kohe u shkrua një artikull me titull “Mjeku amerikan që shtegton me biçikletë rreth e rreth Kosovës”. Afërdita ka kryer studimet fillestare në shkollën fillore në Stanterg të Shalës se Bajgorës, ndërsa studimet e larta në Prishtinë. Ajo është bijë mësuesish dhe e ka çuar më tej traditën familjare. Prindërit e saj, Rasim Dauti dhe Remzije Kasapi-Dauti, për 25 vite ishin mësimdhënës në Stanterg, ku edhe jetonin. Afërdita ka treguar një shpirt të madh duke ndërtuar ura komunikimi mes Amerikës dhe Kosovës. Në fund të sallës ishte dhe një vajzë e vogël që nuk ndjehej, por që edhe pse nuk i ka më shumë se 13 vjeç, ka treguar se di të jetë pjesë e projekteve të mëdha. Ajo është Sabrina McCormack, bija e Meritës, një nxënëse e shkëlqyer, e cila është e njohur për lexuesit e Illyria-s pasi së bashku me vëllezërit e saj më të vegjël, prezantuan para shkollës së tyre në Long Island, NY, shkollën “Trepça” në Kosovë. Ata patën përshkruar historinë e dhimbshme që kishin kaluar moshatarët kosovarë të “Trepçës” dhe kishin paraqitur projektin " 400 voices" , projekt i themeluar nga Afërdita Dauti Heilman në Texas.
***
Veprimtaria ishte e këndshme dhe u përshkua nga emocione. Pjesëtaret e rrjetit PAWN kishin ardhur nga Texas-i, North Karolina, Georgia, Washingtoni, nga New York-u e shtete të tjera dhe kaluan çaste të gëzuara së bashku.
Në fillim u mbajt 1 minutë heshtje në nderim të viktimave tragjike të shpërthimeve në Gërdec të Vorës në Tiranë, ndërkohë që dr. Anna Kohen njoftoi se vinte në dispozicion të dëmturve fondin për raste fatkeqësish që Oraganizata e Grave Shqiptaro-Amerikane ”Motrat Qiriazi” e kishte bërë publik që në momentet e para të pas tragjedisë.
Më pas protagoniste ishin dy gratë nga Mitrovica, për të cilat ishin rezervuar lule dhe dhurata simbolike (Mimoza Dajçi kishte bërë kujdes të veçantë për këtë), ndërkohë që nuk munguan vargjet e recituara, këngët e kënduara nga Arëberie Hetemi dhe vogëlushja Ademi. Iliriana Sulkuqi do ta emociononte Valdete Idrizin tek i recitoi një poezi të shkruar enkas për të prej Julia Gjikës në Boston. Krahas drekës së shijshme pjesëmarrëset shijuan edhe promovimet e librave të rinj të autoreve të Rrjetit PAWN, Albana Mëlyshi, Rajmonda Moisiu dhe Iliriana Sulkuqi.
Shkrimtari Naum Prifti, i ftuar në këtë takim do të gjente rast të fliste për mrekullitë krijuese të femrave shqiptare. Ai tregoi hollësi nga takimet e Dora D’Istrias (Elena Gjika) me poetin amerikan HenryWadsworth Longfellow, dhe si e frymëzoi ajo poetin e shquar që të shkruante për Skënderbeun. Dr. Anna Kohen dhuroi ndihmë simbolike financiare për gratë e Rrjetit PAWN. Ashtu në bisedë e sipër dolën edhe ca “sekrete “ të parakohshme si psh. u mësua lajmi se shkrimtarja Albana Mëlyshi Lifschin me 10 maj do të shpallet ”Gruaja e vitit” nga Shoqata e Motrave Qiriazi…

Posted by M.I.P. at e hënë, mars 24, 2008

No comments: