Monday, May 12, 2008

Bota e Gruas Shqiptare- FLORA DURMISHI-URIME PER NEXHMIJE PAGARUSHEN



Më, 7 maj,2008, emblema e këngës shqipe, këngëtarja më e famshme e të gjitha kohërave, ndër shqiptarët, Nexhmije Pagarusha, mbushi 75 vjet.
Edhe pse, para më shumë se 20 vjetësh, u tërhoq nga skena, për shkak të problemeve me pejzat e zërit, regjistrimet në televizion dhe ato në radio edhe sot dëgjohen me shumë ëndje!

Ajo është personalitet legjendë. Jetoi dhe po jeton në kohën e shumë yjeve, por ishte mbi të gjitha yjet me shkëlqim verbues. Karrierën e përfundoi në mënyrë të denjë edhe pse i ngelet peng një koncert i fundit, koncert lamtumirës. Njohësit e zërit të saj e kanë përshkruar si një zë melodik, fleksibil, timbër i vecantë... Dallonte nga të tjerët jo vetëm me zërin por edhe me talentin për aktrim.
Ka me qindra regjistrime por asnjë CD. Një CD pirate që qarkullon e bën shumë nervoz, me përzgjedhjen e bërë. Është bërë pa lejen e saj!

Fenomeni Nexhmije Pagarusha ka mrekulluar, ka mahnitur, gjenerata e gjenerata, si ato amatore ashtu edhe ato profesionale. Timbri i vecantë i zërit të saj, e bën atë të papërsëritshme. Vetëm Zoti ka ditur t’ia dhurojë një zë të tillë, ndryshe nga të zakonshmit, i pazakonshëm!
Është e çuditshme, kjo që do të them, por është e vërtetë! Askush nuk kërkoi nga ajo t’ia mësojë teknikat dhe paraqitjen artistike.
Të gjithë e admironin, por askush nuk kërkoi nga ajo të dijë se si ka punuar, si ka arritur...
Nexhmija u shndërrua në një ikonë të ndjeshmërisë absolute. Ishte dhe do të mbetet, për të gjithë, sfidë dhe qëllim.

Ajo nuk imitoi askë, ajo ishte vetvetja, arriti të krijojë individualitetin e saj dhe te shndërrohet ne ikonë me aftësitë që kishte dhe dhuratën që i kishte dërguar Zoti.

U bëfsh 100 vjeçe e dashur Nexhmije!

Flora Durmishi, -redaktore ne radion "Blue Sky" ne Prishtine

No comments: