Friday, May 02, 2008

Bota e Gruas Shqiptare- SUZANA KUQI-Legjenda-Perralla


Nga perralla " Dragoi im "



… Marika dhe përbindëshi …Gjini dhe pylli i çuditshëm…



- & -
Marika filloi të vinte në vete dhe pati ndjesinë
se ndodhej në ajër. I dukej sikur e kishin futur në një djep të
ngushtë, shumë të ngushtë për të , që e shtërngonte dhe i shkaktonte
dhëmbje.Nuk pati kohë të mendonte më shumë pasi ju duk sikur djepi u
ça dhe po binte poshtë. Ajo hapi sytë me tmerr por nuk dalloi asgjë
tjetër veç një mjegull të bardhë e të lagësht që i kalonte me
shpejtësi nëpër trup e ngjitej lart duke i dhënë një ndjesi të freskët
lehtësimi që zgjati shumë pak. U përplas përtokë me një zhurmë të
shurdhër dhe dhimbja që ndjeu në të gjitha qelizat e trupit të saj e
bënë të humbte ndjenjat përsëri.




- & -

Gjini ecte kuturu nëpër pyll.Sa më në thellësi
hynte aq më shumë e çudiste larmia e tij. Kish pemë të bukura që nuk i
kish parë kurrë më parë .Po kështu dhe shkurret e lulet që rriteshin
mbi barin e gjelbër ishin nga të gjitha ngjyrat.Le të mos përmëndje
pastaj zogjtë.Kish lauresha , dallëndyshe, bilbila që cicëronin e
kish dhe zogj të tjerë të bukur që nuk ju njihte emrat .Edhe gjethet
ishin me ngjyrë të ndryshme, kish pemë me gjethe të gjelbërta, por
dhe në ngjyrë te kuqe apo të verdhë, apo në ngjyrë vjeshte. Kish shumë
lisa. Vende vende pemët hapeshin e zbulonin luadhe të vogla ku rrezet
e diellit ngrohnin bimësi nga më të habitshmet dhe në hauzet e vogla
që ishin në mes tyre notonin peshq të bukur të artë. Sa më shumë hynte
në pyll aq më i bukur ish.Diku pa zogj fare të vegjël që kishin veshur
ngjyrat e luleve e në fillim i kujtoi për flutura. Drerë me brirë te
gërshetuar, dhi të egra, kuaj të bardhë, të murrmë , me trupa të
vegjël, mesatarë e të mëdhenj sa nuk ja kish marrë mendja se mund të
kish. Pastaj ishin ata me vija të zeza e të bardha .Por ai u rrinte
larg, kish frikë .Imazhi i fytyrës së merakosur së nenes që e priste
pranë vatrës së kasolles i shkaktonte dhëmbje.Ai duhej të kthehej , po
si?Mundohej të kalonte nëpër mend tërë c'kish dëgjuar për këtë pyll,
por u bind se nuk dinte asgjë.Sa më shumë që i forcohej mendimi se
duhej të kthehej në shtëpi aq më shumë i shtohej frika se nuk do t'ja
dilte.E kush ish kthyer vallë i saktë ? Një sakat pa tru ,i
budallallepsur ishte gjëja e fundit që mund t'i uronte vetes e po
ashtu edhe së ëmës. Papritmas diçka u shkëput nga dega e një peme dhe
si një gur u përplas për tokë. Ai mbajti frymën. Cdo gjë e trembte,
cdo gjë i fuste frikën dhe e bënte të dridhej.Dëshira për t'u kthyer
në shtëpi i kish kthyer dëshirën për të jetuar, ndaj duhej të bënte
kujdes.U afrua mengadalë dhe vuri re se ishte një dallëndyshe që
përpëlitej mbi bar me një krah të thyer.E mori në dorë duke bërë
kujdes që të mos i binte tek përpëlitej e përpiqej t'i ikte. Ndjeu
zemrën e zogut tek rrihte furishëm nga frika dhe filloi t'i fliste me
zë të butë per t'i ndjellë besim e ta qetësonte. Diku dallëndyshja u
duk sikur u qetësua por më shumë mundësi kish që t'i ishin mbaruar
fuqitë dhe Gjini e dinte këtë. Duke mbajtur me një dorë zogun me
tjetrën hapi torbën e tij e nxorri fyellin.Mori mandiljen e mëndafshtë
me te cilin ishte mbështjellë e duke e kapur me dhëmbë e tërhoqi
derisa grisi një fashë . Pastaj sistemoi krahun e zogut duke u munduar
ti shkaktonte sa më pak dhëmbje dhe e lidhi.Pas kësaj e sistemoi në
një degë peme të mbrojtur nga era dhe u nis përsëri .





- o -

Kur erdhi në vete Marika mallëkoi fatin e saj që
nuk kish vdekur më parë. Pranë saj një përbindësh që asaj ju duk sa
një mal nuk ja shqiste sytë e nxirrte ca tinguj të tmerrshëm.Sapo
hasi atë vështrim Marika i mbylli sytë menjëherë me shpresë se ajo
gjëja e shëmtuar nuk e kish vënë re se ishte zgjuar. Por më kot. Ndjeu
se ajo ju afrua e filloi ta nuhaste nga këmbët e deri tek
koka.Pastaj ju kthye përsëri duke e nuhatur e ndaloi sipër barkut të
saj .Marika ishte tepër e tmerruar për t'i mbajtur sytë mbyllur. I
hapi dhe u lemeris kur pa tërë atë kokë të madhe veshur me lëkurë të
ashpër që dukej e mbuluar si me luspa në ngjyrë plumbi e që ishte e
madhe gati sa ajo.Flegrat gjigante dridheshin me nervozizëm e ajo
ndjente frymëmarrjen e rëndë që i ngjalli krupën. Befas përbindëshi
ngriti kokën lart , ulëriu dhe bashkë me ulërimën shpërtheu zjarr nga
goja dhe flegrat e hundës së tij .Kjo është kuçedra, mendoi ajo duke
kujtuar përrallat që i kish treguar gjyshja . Fakti që i kish gjetur
një emër përbindëshit nuk e lehtësoi por ja shtoi më shumë
frikën.Sytë e mëdhenj në ngjyrë te gjelbër të errët cuditërisht të
bukur e panë me përbuzje.Hapi gojën e stërmadhe e Marika vërejti
dhëmbët e mëdhenj e të mprehtë që po i afroheshin. Mbylli sytë.Zot,
bëj t'i japë fund sa më shpejt. Dridhej e gjitha. Ndjeu dhëmbët ta
preknin në trup e t'i rrëshqisnin anash pa e prekur .Një herë, dy ,
tre, e pastaj tek mbylleshin por nuk kishin kafshuar atë por
xhamadanin .Pastaj e tërhoqi dhe e rrotulloi derisa e ktheu përmbys
duke i shqyer rrobat .Marika rrasi fytyrën mbi tokë e kafshoi dheun
nga tmerri.Tani ndjente frymën e dihatjen e tij pranë veshit dhe
dhëmbët që i preknin qafën.U bë njësh me tokën.Dëgjoi kërcitjen e
dhëmbëve që u mbyllën. Këtë herë kapën jakën e kemishës dhe ja shqitën
me forcë .Ajo klithi.Një hungërimë shurdhuese ju përgjigj.Pas kësaj
një gjë e lagësht ja pështolli tërë shpinën duke i ngjallur një neveri
që i hyri deri në palcë. Po e lëpinte, kjo ishte gjuha e tij." Të
lutem më vrit !" foli ajo me një fill zëri .Ndjeu gjuhën e tij afër
qafës dhe një lëng i verdhë i rrodhi supeve.Humbi ndjenjat përsëri.





- o -

Gjini e kish humbur kuptimin e kohës. Ecte nëpër pyll
dhe megjithëse merrte drejtime të ndryshme përfundonte përsëri tek një
burim uji të kulluar që ushqente një përrua të vogël.Ndoqi edhe
përroin por pas nja dy orësh vërejti se humbiste ndën një grumbull
gurësh të bardhë dhe ai mbeti sërish në mes të pyllit. Pak nga pak po
errësohej.Diku ju bë sikur dëgjoi një rënkim të dobët.Mori nga ajo
anë.Në një lëndinë, një drenushe e vogël kish rënë në lak,dhe nuk i
kishte punët mirë. Kushedi sa kohë kish aty dhe ishte duke ngordhur .
Befas dëgjoi ulërima që afroheshin.Nuk pat dyshim,ishin ujqër. Nxorri
shpatën , u përkul duke vënë një gju në tokë pranë drenushës dhe
priti. Pa tek dolën nga pylli, dy ujq të murrmë , njëra duhej të ish
ulkonjë.Sytë ju shkrepëtinë dhe u hodhën mbi drenushën. Ai ngriti
shpatën dhe goditi ulkonjën e cila ulëriti fort ndërsa ujku tjetër ja
mbathi nën thellësi të pyllit. Cliroi drenushën nga laku por ajo ishte
dobësuar aq shumë sa nuk mund të ecte.Ndoshta do të ish më mirë t'a
vriste e të ndizte zjarr e t'a piqte. Ky mendim i ngacmoi nervat e
stomakut e filloi të ndjente uri.Fundja o ai o ujku. Ju afrua përsëri
dhe ngriti shpaten por shikimi i trembur i syve të saj ja ngrinë dorën
në ajër.Unë nuk e di nëse do të jetoj ende nesër edhe po të ha mish
drenushe, ndërsa ajo po shpëtoi sot do të jetojë edhe nesër. E mori, e
hodhi në kurriz dhe u drejtua nga dëgjohej zhurma e ujit. E lëshoi
buzë përroit dhe e shikoi se si shuante etjen.Pak nga pak drenusha e
mori veten dhe filloi të qëndrojë më këmbë. "Mos ik tani , ik nesër"-
i tha ai duke vënë torbën ndën krye dhe aq i lodhur ish sa e zuri
gjumi menjëherë .

No comments: